Shkarko Deklaratën në pdf
Konkluzione paraprake
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) monitoroi pjesërisht procesin e Zgjedhjeve Parlamentare të 11 majit 2025, në vazhdimësi të angazhimit prej më shumë se një dekade në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimin e standardeve për zgjedhje demokratike.
Zgjedhjet u mbajtën në një kontekst politik të karakterizuar nga polarizimi i thellë dhe mosbesim i ndërsjellë midis partive politike. Konflikti politik është manifestuar vazhdimisht që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, përfshirë përplasjet e dhunshme në Kuvend në fund të 2023 dhe përjashtimin e vazhdueshëm të deputetëve të opozitës nga seancat parlamentare.
Reforma zgjedhore që zgjati mbi dy vjet e gjysmë dështoi të sillte ndryshime domethënëse në kuadrin ligjor zgjedhor, duke u karakterizuar nga mungesa e transparencës, zvarritje dhe bllokim. KRIIK vlerëson se ky dështim është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së vullnetit politik për ndryshime të qenësishme, dialog dhe kompromis nga partitë kryesore politike.
Në korrik 2024, Kuvendi miratoi disa ndryshime të rëndësishme, por minimaliste në Kodin Zgjedhor, pa iu nënshtruar procesit ligjor të konsultimit publik. Disa nga këto ndryshime vlerësohen pozitive, veçanërisht eliminimi i pragut për kandidatët e pavarur, ndalimi i kandidimit të liderëve partiakë në disa qarqe dhe specifikimet për votën nga jashtë. Në shkurt 2025, Kodi Zgjedhor u ndryshua sërish për të garantuar kohë të mjaftueshme që votat nga jashtë të mbërrinin në kohë. Ndryshimet e minutës së fundit dëmtuan stabilitetin dhe parashikueshmërinë e kuadrit ligjor.
Kuadri ligjor në përgjithësi mund të garantojë zgjedhje demokratike nëse implementohet plotësisht. Megjithatë, mbeten të paadresuara çështje si parandalimi i përdorimit të burimeve shtetërore, shitblerja e votës, intimidimi i zgjedhësve, garantimi i fshehtësisë së votimit, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe transparenca e financimit të fushatës.
Komisioni Rregullator tregoi një qasje të ndikuar nga agjenda e partive politike, ndërsa Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) pati një qasje pasive dhe shmangëse, duke u fokusuar në germën e ligjit dhe anashkaluar frymën dhe parimet themelore. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe administrata administruan me profesionalizëm aspektet teknike të procesit, por nuk treguan angazhim në ndjekjen e elementëve të tjerë nën përgjegjësinë e KQZ-së, veçanërisht duke qenë tolerant ndaj abuzimit me burimet shtetërore.
Ministria e Brendshme raportoi rreth 3.7 milion votues të regjistruar, përfshirë 246 mijë jashtë vendit. Kontrolli i listave u lehtësua përmes një platforme online, por KQZ nuk mori në shqyrtim publikisht raportet e auditëve teknicienë. Njoftimi me shkrim i zgjedhësve mbeti i paplotësuar nga Bashkitë.
Përgatitjet teknike për votimin e diasporës, regjistrimin e votuesve dhe edukimin zgjedhor u zhvilluan sipas planifikimit, me vonesa të cilat mund të konsiderohen të justifikueshme duke pasur parasysh kompleksitetin e procesit dhe faktin se ai po aplikohej për herë të parë. KRIIK vlerëson se pavarësisht sfidave që shoqëruan këtë implementim të parë, procesi i votimit të diasporës u realizua me eficiencë, transparencë dhe profesionalizëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shkalla e lartë e refuzimeve gjatë regjistrimit ngre pikëpyetje për efektivitetin e parashikimeve ligjore për votimin nga jashtë.
Kuadri i rishikuar ligjor ndaloi kandidimin në shumë zona zgjedhore për drejtuesit e partive dhe eliminoi pragun për kandidatët e pavarur. Sistemi i ri i listave (1/3 listë e mbyllur, 2/3 me vota preferenciale) është një hap përpara, por ende i jep liderit të partisë kontroll të konsiderueshëm mbi renditjen përfundimtare, sidomos për vendet e sigurta. Gjatë procesit të regjistrimit, KQZ tejkaloi procedurat ligjore, duke lejuar partitë të bënin edhe ndryshime në listat e kandidatëve.
Mungesa e përkufizimit të qartë se çfarë përbën fushatë zgjedhore dhe mungesa e ndalimit të paekuivok të fushatës para fillimit zyrtar lejoi subjektet zgjedhore të anashkalonin dispozitat ligjore, pa pasur asnjë veprim nga institucionet përgjegjëse. Fushata u zhvillua në klimë polarizimi të thellë, me retorikë të ashpër, sulme personale dhe mungesë debati përmbajtësor për politikat publike. Pretendimet për korrupsion të zgjedhësve dhe blerje vote ishin të shumta, ashtu si tensionet midis simpatizantëve.
Përdorimi i burimeve shtetërore, përzierja e aktivitetit institucional me atë politik, miratimi i akteve të ndaluara nga Kodi Zgjedhor dhe përdorimi i faqeve zyrtare të institucioneve për qëllime politike ishin gjerësisht të pranishme, ndërsa KQZ tregoi qasje joaktive në adresimin e këtyre problematikave.
Ndryshimet ligjore të shkurtit 2025 eliminuan përfshirjen e shpenzimeve të kandidatëve në totalin që një subjekt zgjedhor mund të shpenzojë, duke lënë de facto pa tavan masën e shpenzimeve për kandidatët partiakë dhe krijuar pabarazi të theksuar në favor të tyre krahasuar me kandidatët e pavarur. Financimi i fushatës vazhdoi të paraqesë probleme transparence për shkak të mungesës së raportimit të ndërmjetëm dhe mekanizmave efektivë monitorimi.
Monitorimi i mbulimit mediatik nga AMA tregoi mbizotërim të qartë të dy partive kryesore (PS dhe PD) në media, ndërsa partitë e tjera patën mbulim minimal. Problematik mbetet fakti që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) zhvillon vetëm monitorim sasior, jo cilësor të mbulimit mediatik.
Nga 194 denoncime të depozituara në KQZ, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi sanksione vetëm për katër raste, nga të cilat KAS vendosi sanksione administrative vetëm për dy.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, por me incidente sporadike ku u përfshinë edhe zyrtarë të lartë politikë. Problematika kryesore mbeti prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, duke vazhduar praktikën e patronazhimit, kontrollit dhe drejtimit të zgjedhësve dhe cënimit të fshehtësisë së votës. Megjithëse teknikalitetet e votimit u respektuan në shumicën e qendrave të votimit të vëzhguara, ndjesia e survejimit nga patronazhimi politik konsiderohet se ndikoi në lirinë reale të zgjedhësve.
Gjetje paraprake
Hyrje
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në vazhdimësi të angazhimit prej më shumë se një dekade në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të standardeve për zgjedhje demokratike, monitoroi pjesërisht procesin e Zgjedhjeve Parlamentare të 11 majit 2025.
KRIIK ndjek në vijimësi të gjithë ciklin para dhe pas zgjedhor, si dhe periudhat mes cikleve zgjedhore, duke monitoruar dhe vlerësuar jo vetëm integritetin e zgjedhjeve, por edhe zhvillimet sistemike që ndikojnë procesin demokratik në tërësi. Përpos ndjekjes së procesit zgjedhor gjatë zhvillimit të tij, KRIIK ndjek në vijimësi situatën mes proceseve zgjedhore, çka mundëson të kuptuarin më të plotë të problemeve strukturore, dhe angazhohet në mënyrë aktive për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, përmes advokimit dhe kontributit në proceset reformuese të kuadrit ligjor për zgjedhjet, apo nisma të tjera për forcimin e demokracisë.
Gjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politiko-institucionale që u parapriu zgjedhjeve, përgatitjet për procesin zgjedhor, administrimin e procesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me fokus të veçantë në përdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral dhe financimin e fushatës.
Përtej monitorimit dhe vlerësimit të procesit, në këto zgjedhje KRIIK u angazhua në mënyrë veçanërisht aktive në forcimin e kuadrit rregullator dytësor për zgjedhjet dhe implementimin e plotë dhe pa ekuivok të dispozitave aktuale ligjore, duke paraqitur rekomandime të detajuara për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe denoncime të vazhdueshme për shkeljet e vërejtura në përdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral. Fokusi i veçantë i kësaj ndërhyrjeje ishte kontributi për përmirësimin e kuadrit normativ për parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve dhe dhunimin e fshehtësisë së votës gjatë ditës së zgjedhjeve nga strukturat e patronazhit dhe kontrollit të votës, ndalimi i përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, votimi i diasporës, dhe financimi i fushatës. KRIIK ka investuar zyrtarisht KQZ-në me 19 dokumente me rekomandime për përmirësimin e aspekteve teknike dhe procedurale të procesit zgjedhor,[1] përpos rekomandimeve të vijueshme verbale me administratën apo trupat drejtuese të KQZ-së, depozitoi 31 denoncime,[2] publikoi gjashtë deklarata[3] dhe një Qëndrim Publik[4] për aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Ditën e zgjedhjeve KRIIK angazhoi 38 vëzhgues të cilët vullnetarisht monitoruan disa elementë të votimit, me fokus të veçantë në plotësimin e kritereve për votim të fshehtë, të lirë nga intimidimi dhe të qetë në afërsi të qendrave të votimit. Vëzhguesit raportuan në kohë reale për zhvillimin e procesit, duke përfshirë edhe parregullsitë e vërejtura. KRIIK do të vazhdojë monitorimin e procesit pas-zgjedhor, përfshirë ankesat dhe apelimet e mundshme; shpalljen e rezultateve përfundimtare; situatën politike dhe institucionale pas zgjedhjeve; këqyrjen e materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit, që do të kryhet nga KQZ-ja disa muaj pas zgjedhjeve; vetëraportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore nga subjektet zgjedhore, si dhe auditimin e kontrollin e financave të fushatës nga KQZ-ja.
Kjo deklaratë paraprake paraqet gjetjet kryesore dhe vlerësimin paraprak të KRIIK mbi integritetin e procesit zgjedhor. Një raport më i plotë mbi gjetjet e evidentuara do të publikohet në vijim.
Konteksti politik dhe institucional
Zgjedhjet u mbajtën në një sfond politik të karakterizuar nga polarizimi i thellë politik dhe mosbesim i ndërsjellë i partive politike ndaj njëra tjetrës. Ndërsa ky tension ishte më i dukshëm në marrëdhënien mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD), ai u shfaq edhe nga partitë e tjera që morën pjesë në procesin zgjedhor. Konfliktualiteti politik është manifestuar në vijimësi, prej zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2021, përfshirë nëpërmjet përplasjeve të dhunshme në Kuvend në fund të vitit 2023 dhe përjashtimin e vazhdueshëm të deputetëve të opozitës nga seancat parlamentare.
Kjo situatë, ndër të tjerë faktorë, dëmtoi ndjeshëm klimën e bashkëpunimit politik të nevojshëm për konsensusin e domosdoshëm për reformimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet. Procesi, i cili zgjati mbi dy vjet e gjysmë dhe dështoi të sillte ndryshime domethënëse në kuadrin ligjor, u karakterizua gjithashtu nga mungesa e transparencës, zvarritje të qëllimshme dhe bllokim. KRIIK vlerëson se dështimi i reformimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së vullnetit politik për ndryshime të qenësishme në kuadrin ligjor për zgjedhjet, dialog dhe kompromis të hapur, dhe i vendosjes së interesave të ngushta partiake nga ana e partive politike kryesore (PS dhe PD) mbi interesin publik.[5]
Partia Socialiste, në pushtet që nga viti 2013, konsiderohet se ka konsoliduar kontrollin mbi institucionet kryesore vendimmarrëse. Kjo dominancë afatgjatë ngre shqetësime lidhur me mundësinë e politizimit të institucioneve shtetërore dhe përdorimin e burimeve publike për avantazh elektoral. Ndërkohë, Partia Demokratike ka përjetuar ndarje dhe konflikte të brendshme, të cilat nisën menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe kulmuan në largimin e liderit të partisë në atë kohë, z. Lulzim Basha dhe rikthimin në krye të PD-së të z. Sali Berisha. Këto konflikte kontribuan në fragmentimin e opozitës dhe kufizuan efektivitetin e saj si balancues i pushtetit qeverisës. Në këto zgjedhje përbën risi pjesëmarrja e partive të reja politike, të cilat operuan kryesisht në një mjedis politik jo mbështetës dhe me një sërë vështirësish që rrjedhin nga parashikimet apo keqzbatimi i kuadrit ligjor.
Presidenti i Republikës luajti një rol formal në procesin zgjedhor, duke dekretuar datën e zgjedhjeve në limit të afateve zgjedhore, pas konsultimeve me PS dhe KQZ, ndërkohë që opozita refuzoi të përfshihej në këto konsultime. KRIIK vlerësoi se kjo vonesë e vendosi nën një stres të panevojshëm procesin përgatitor dhe atë ligjzbatues për zgjedhjet e 11 majit.[6]
Procesi zgjedhor i 11 majit 2025 merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e procesit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke qenë se standardet demokratike në zgjedhje përbëjnë një nga kriteret kryesore të vlerësimit. Në tetor 2024, Shqipëria hapi negociatat për grupkapitullin 1 “Themelet” dhe që atëherë ka hapur negociatat edhe për dy të tjerë. KRIIK ka theksuar në vijimësi nevojën për përmirësime substanciale në procesin zgjedhor për të arritur standarde të plota demokratike, veçanërisht në kontekstin e integrimit Europian të vendit.
Kuadri ligjor dhe sistemi zgjedhor
Kuadri ligjor
Në korrik 2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime të rëndësishme, por minimaliste në Kodin Zgjedhor, pas dy vjetësh e gjysmë tentativash të dështuara për të kryer një reformë zgjedhore të plotë e gjithëpërfshirëse.[7] Miratimi i këtyre ndryshimeve u realizua me 106 vota pro (nga Partia Socialiste dhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike) dhe 2 vota kundër, duke treguar një konsensus të pjesshëm politik.
Ndryshimet ligjore të aprovuara plotësonin detyrimin e Kuvendit për të zbatuar tre vendime të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet: plotësimin e Kodit Zgjedhor për të mundësuar votimin e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit,[8] ndryshimin e formulës së pragut elektoral që kandidatë brenda listave të përfitojnë rirenditje nga votat parapëlqyese,[9] dhe pragun ligjor për kandidatët e pavarur.[10] Këto ndryshime nuk iu nënshtruan procesit ligjor të konsultimit publik dhe asnjë lloj transparence mbi draftet e përgatitura. Ato vetëm u diskutuan në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore më 24 korrik dhe u miratuan në seancën e fundit të sesionit parlamentar, më 26 korrik, ku përfaqësues të të gjitha partive pranuan dështimin e reformës zgjedhore.
Ligji nr. 81/2024, që amendoi Kodin Zgjedhor, detajoi rregullat për votimin nga jashtë vendit, duke specifikuar detyrimet e KQZ-së për të organizuar votimin me postë dhe hartimin e listës së zgjedhësve nga jashtë vendit; përcaktoi detyrimin e subjekteve zgjedhore për të dorëzuar dy lista kandidatësh, një me renditje fikse (1/3 e totalit) dhe një për votimin parapëlqyes (2/3 e totalit); si dhe eliminoi pragun ligjor prej 1 përqind në shkallë vendi për kandidatët e pavarur. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm ligjor, i cili nuk u përmend asnjëherë në diskutimet publike dhe as ato ne Komisionin e Ligjeve, ishte mandatimi i të pesë anëtarëve të KAS me një mandat të plotë 9-vjeçar, duke shfuqizuar nenin që parashikonte ripërtëritjen e tij me tre anëtarë të rinj.[11]
Disa nga ndryshimet e korrikut 2024 vlerësohen si pozitive, dhe në mënyrë të veçantë eliminimi i pragut ligjor elektoral për kandidatët e pavarur, eliminimi i kandidimit të liderëve partiakë në disa qarqe dhe specifikimet konkrete në lidhje me votën nga jashtë vendit të cilat hapën rrugën për realizimin në praktikë të kësaj të drejte, të njohur de jure prej vitit 2020, por të pazbatueshme në praktikë. Ndërkohë që vlerësohet se parashikimi i bërë për 2 listat e kandidatëve, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, favorizon rritjen e numrit të kandidatëve në listën e mbyllur dhe defavorizon ata në listën e hapur, duke rritur artificialisht numrin e tyre, shpërndarë votat mbështetëse të subjektit politik e rritur artificialisht edhe më shumë mbështetjen për subjektin zgjedhor.[12]
Në shkurt 2025 Kodi Zgjedhor u ndryshua sërish me Ligjin nr. 10/2025, me synimin kryesor ndryshimin e disa afateve ligjore për të garantuar kohë të mjaftueshme që votat nga jashtë vendit të mbërrinin në kohë.[13] Ndryshimet e momentit të fundit në legjislacionin zgjedhor paraqesin një shqetësim të përsëritur dhe me pasoja negative për integritetin e procesit zgjedhor. Miratimi i ndryshimeve ligjore pranë datës së zgjedhjeve dëmton stabilitetin dhe parashikueshmërinë e kuadrit ligjor, duke krijuar konfuzion për aktorët politikë, administratën zgjedhore dhe qytetarët.[14]
Ligji shënoi hapa prapa në synimin e deklaruar në qershor 2020 prej partive politike për të depolitizuar administratën zgjedhore, pasi përcakton se anëtarët e komisioneve të posaçme për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë duhet të jenë të emëruar nga partitë politike, ndërkohë që KQZ-ja kishte operuar deri në atë moment nën leximin e drejtë të ligjit se personat që do të numëronin dhe vlerësonin votat nga jashtë do të ishin apolitikë, një qasje e vlerësuar pozitivisht dhe e inkurajuar nga KRIIK. Po ashtu, ndryshimet ligjore rritën tavanin e shpenzimeve të fushatës për subjektet zgjedhore dhe e eliminuan atë totalisht për kandidatët e regjistruar nën siglën e një subjekti zgjedhor, por jo për kandidatët e pavarur.[15]
Ndërsa vlerësohet se kuadri ligjor në përgjithësi mund të garantojë zgjedhje në përputhje me standardet demokratike, nëse implementohet në mënyrë të plotë dhe pa ekuivok, një numër çështjesh mbeten të paadresuara, si masat efektive për parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral; adresimi efektiv i shitblerjes së votës, intimidimit të zgjedhësve dhe garantimit të fshehtësisë së votimit; depolitizimi i administratës zgjedhore (i cili është edhe një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja Politike e 5 qershorit 2020); forcimi i efektivitetit të rregullave për të rritur transparencën dhe kontrollin në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore, pabarazia e kohës mediatike të pasqyrimit të fushatës nëpërmjet moskontrollit të transmetimeve live, etj.
Ndryshimet në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe udhëzimet e KQZ-së për sigurinë e informacionit të votuesve përbëjnë zhvillime pozitive, por mbeten mjaft shqetësime lidhur me mekanizmat e zbatimit dhe monitorimit të këtyre dispozitave, veçanërisht duke pasur parasysh rastet e shumta të denoncuara në vijimësi, jo vetëm në këtë proces zgjedhor, për keqpërdorim të të dhënave të votuesve.
Sistemi zgjedhor
140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë zgjidhen sipas një sistemi proporcional në 12 zona zgjedhore (që u korrespondojnë 12 qarqeve). Që një parti të përfitojë nga shpërndarja e mandateve në një zonë zgjedhore duhet të marrë së paku 1 përqind të votave në rang vendi. Numri i mandateve në çdo zonë zgjedhore përcaktohet nga KQZ-ja proporcionalisht me popullsinë e regjistruar. Në datë 7 dhjetor 2024, Komisioni Rregullator përcaktoi numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për Zgjedhjet e 11 majit. Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 Qarku Korçë humbi një mandat dhe Qarkut Tiranë iu shtua një. Mandatet mes subjekteve zgjedhore garuese ndahen sipas formulës së d’Hondt.
Çdo subjekt zgjedhor depoziton në KQZ për secilën zonë dy lista kandidatësh: një listë fikse të renditur nga subjekti zgjedhor dhe një listë për votim parapëlqyes. Mandatet mes kandidatëve ndahen fillimisht sipas rendit në listën fikse dhe, nëse subjekti zgjedhor ka fituar më shumë mandate sesa numri i kandidatëve në listën fikse, pjesa e mbetur e mandateve u ndahet kandidatëve në listën e hapur, bazuar në numrin e votave parapëlqyese të fituara nga secili kandidat.
Ligji sanksionon një kuotë gjinore prej së paku 30% në listat e kandidatëve, në çdo tre kandidatë të paktën një duhet të jetë nga gjini e ndryshme. Në listën fikse të kandidatëve, një në çdo tre emra duhet të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar; ky rregull zbatohet edhe pas numërimit të votave parapëlqyese.
Administrimi i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është institucioni kryesor përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor. KQZ i administroi aspektet teknike të procesit profesionalisht dhe përgjithësisht në përputhje të afateve ligjore. Një sfidë madhore ishte votimi nga jashtë vendit, i aplikuar për herë të parë. KQZ-ja përgjithësisht e administroi edhe këtë aspekt të procesit mirë, pavarësisht vonesave në miratimin akteve nënligjore të cilat, pavarësisht se ligji parashikonte përmbylljen e tyre deri në 15 nëntor 2024, me ndryshimet e bëra të Kodit Zgjedhor u përmbyllën në 20 mars 2025.
KQZ-ja përbëhet nga tre trupa drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS). Kjo arkitekturë synon ndër të tjera përmirësimin e efikasitetit të institucionit si dhe garantimin e pavarësisë së tij nga ndikimi politik. Megjithatë, KRIIK vlerëson se Komisioni Rregullator tregoi përgjatë të gjithë procesit një qasje të ndikuar nga agjenda e partive politike, çka ishte e dukshme në diskutimet e anëtarëve dhe qasjet e tyre në linjë me partitë politike që i kanë propozuar, në çështje ku partitë politike kishin një qëndrim të qartë, ndërkohë që për çështje ku partitë kishin qëndrim neutral përgjithësisht u votua me konsensus.[16] Nga ana tjetër, KAS tregoi përgjatë kësaj faze të procesi zgjedhor një qasje pasive dhe shmangëse, duke lexuar ngushtë apo transformuar interpretimin e gërmës së ligjit dhe frymën e tij, përfshirë parime themelore apo standarde ndërkombëtare.
Përtej administrimit të aspekteve teknike të procesit, KRIIK vlerëson se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe administrata nuk patën të njëjtin nivel angazhimi në ndjekjen e të tjerë elementëve të procesit zgjedhor që janë nën përgjegjësinë e institucionit. Këto përfshijnë pasivitetin në mbikëqyrjen e përgatitjes së listës së zgjedhësve ku vijoi praktika e mos konsiderimit dhe mos trajtimit të raporteve të auditëve teknicienë, monitorimin jo efektiv të fushatës zgjedhore prej monitoruesve të kontraktuar nga KQZ-ja (të cilët kryen vetëm raportime për problematika minore, postera pa disclaimer dhe zyra zgjedhore më pak se 300 metra nga qendra e votimit), ndërkohë që nuk raportuan asnjë problematikë që lidhet me monitorimin e përdorimit të burimeve shtetërore, sjelljes së administratës lokale në fushatën e elektorale, sjelljen e institucioneve në nivel lokal, monitorim të rrjeteve sociale, e të tjera problematika, ndërkohë që më tepër denoncime në lidhje me këto elementë ka patur prej organizatave të shoqërisë civile.
Aspekti më problematik, ku KRIIK vërejti mungesë angazhimi të qenësishëm nga KQZ-ja është qasja tolerante ndaj abuzimeve me burimet shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, i cili në këto zgjedhje vijoi të ishte një problematikë e theksuar.
Gjithashtu, në gjykimin e KRIIK është shqetësues qëndrimi i KAS në raport me miratimin e ligjeve nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, pra ishin haptas në kundërshtim me nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor. Vendimmarrja e KAS, duke rrëzuar kërkesat e Komisionerit për pezullimin e miratimit të tyre nga Kuvendi i Shqipërisë, zhbëri një mekanizëm shumë të rëndësishëm ndalues të vendosur në Kodin Zgjedhor në procesin ligjformues favorizues e përfitues për kategori të caktuara të popullsisë në periudhën e fundit dhe të ndërmjetëm të tranzicionit deri në konstituimin e kuvendit të ri dhe formimin e qeverisë së re.
KQZ-ja ndërmori fushata informuese për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe fushata edukuese për votuesit, të cilat u drejtoheshin popullatës së përgjithshme, pakicave kombëtare[17] dhe personave me aftësi të kufizuara. Shihet e kufizuar fushata ndërgjegjësuese e realizuar lidhur me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, duke qenë e fokusuar vetëm tek veprat që kanë në fokus sjelljen e qytetarëve, por ajo atë të zyrtarëve publikë në raport me procesin zgjedhor, të cilat eventualisht mund të shihen dhe denoncohen nga qytetarët.
Vendimet e Rregullatorit për çështje të rëndësishme janë marrë shpesh me vonesa dhe pas debatesh të brendshme, jo publike, duke treguar presionin politik mbi komisionin. Më i dukshëm ky ndikim politik ishte në rastin e vonesës së miratimit të aktit për numërimin dhe vlerësimin e votave jashtë vendit, mosmiratimin e ndryshimeve në vendimin nr. 9/2020 për elemente përmbajtësore të tij, mosmiratimin e aktit që lidhej me dhënien e të drejtës për t’u regjistruar në PER të shtetasve shqiptarë që nuk kishin dokument shqiptar identifikimi, mosmiratimin e kërkesës së Partisë Socialiste për të zgjatur afatin e votimit në Vlorë, por edhe çështje të tjera të cilat implikonin një qëndrim të caktuar të partive kryesore politike. Nga ana tjetër, KRIIK vlerëson amendimin e disa akteve rregullatore për të parandaluar ndikimin e zgjedhësve gjatë ditës së zgjedhjeve nga persona të paautorizuar dhe përpjekjet për të përmirësuar Vendimin nr. 9, pavarësisht se ajo që u ndryshua fokusohej vetëm tek ndryshimet që lidheshin me raportimin e institucioneve në ndërfaqen e raportimit.
Në funksion të rritjes së transparencës së aktivitetit të KQZ-së, KRIIK vlerëson publikimin online të protokollit së institucionit, megjithëse me disa problematika në aksesim dhe plotësi të dokumentacionit të hedhur. Gjithashtu, vlerësohet pozitivisht vijimi i praktikës së bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Megjithatë, vlen të theksohet se vendimi i KQZ-së për të përmirësuar dhe ndryshuar totalisht faqen e internetit të institucionit gjatë periudhës zgjedhore ishte një vendim që dëmtoi transparencën, pasi faqja nuk ishte në funksion të plotë gjatë gjithë kohës, aksesi në dokumentacion ishte më i vështirë për shkak të emërtimeve, motori i kërkimit në faqe ishte thuajse jo funksional, një numër aktesh të mëparshme të KQZ-së ishte e pamundur të aksesoheshin, etj.
Ndërfaqja e raportimit të institucioneve (NRI) për aktivitetet e institucioneve gjatë periudhës katër muaj para zgjedhjeve u ndërtua dhe vu në funksion, fillimisht për testim në datën 11 janar kur kishte filluar aplikimi i mekanizmit të raportimit nga institucionet. Kjo ndërfaqe duhet të ishte në funksionalitet të plotë në datën 6 janar 2025, kur institucionet do të duhet të fillonin të raportonin për aktivitetet që eventualisht do të realizoheshin në datën 11 janar 2025. KRIIK vlerëson se platforma e re kishte disa aspekte pozitive në krahasim me atë të përdorur në zgjedhjet e mëparshme,[18] megjithatë vlerësohet se u evidentuan edhe hapa prapa në disa elementë të saj.[19]
Mekanizmi i vlerësimit të këtyre raportimeve nga KQZ, përmbledhtas me frekuencë javore, duke filluar hetime administrative në disa raste edhe për aktivitete të cilat ishin zhvilluar tanimë, dhe përqendruar vetëm në statistika vlerësohet jo efektiv. Edhe raportimi nga institucionet vijoi të ishte i cunguar dhe i pa plotë, duke vendosur në fushat e detyrueshme vetëm fjalë që jo gjithmonë jepnin informacionin e kërkuar ose e jepnin atë aq të cunguar sa nuk të lejonte të kuptohej përmbajtja e aktivitetit. Në rezultante vlerësohet se mekanizmi i raportimit të institucioneve vijoi të ishte formal, si nga ana institucioneve raportuese edhe nga vetë KQZ.
Në kundërshtim me praktikat e mira, partitë politike mund të zëvendësojnë apo ndryshojnë anëtarët e propozuar prej tyre në komisionet zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë në çdo kohë gjatë ciklit zgjedhor, pa patur nevojë të arsyetojnë vendimin e tyre, çka dëmton stabilitetin e administratës zgjedhore.[20] Edhe në këtë proces kjo problematike vijoi të mbetet e njëjtë. Anëtarësia e KZAZ-ve u ndryshua në masë të lartë madje edhe një ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Lidhur me anëtarësinë e KQV-ve, vijoi problematika e emërimit fiktiv nga KZAZ-të për të respektuar afatin ligjor, dhe ndryshimit e ri emërimit më pas të saj edhe në ditën përpara ditës së zgjedhjeve.
Sfidë vijon të mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore dhe forcimi i besimit publik në pavarësinë e plotë të KQZ-së si garantuese e integritetit të procesit zgjedhor.
Votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit
Ndryshimet e korrikut 2024 në Kodin Zgjedhor përcaktuan se Komisioni Rregullator i KQZ-së duhet të miratonte aktet nënligjore deri më 15 nëntor 2024. Megjithatë, ky proces u përmbyll me vonesë të konsiderueshme, vetëm më 20 mars 2025.
Pavarësisht mungesës së kuadrit të plotë ligjor dhe debateve politike mbi ndryshimet e nevojshme, procesi i ndërtimit të akteve nënligjore përfshiu konsultime me organizatat e shoqërisë civile, duke demonstruar një qasje tejet bashkëpunuese nga KQZ-ja.
Regjistrimi në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) u zhvillua nga 11 janari deri më 9 mars 2025, përkundër kërkesave për shtyrje afati nga Partia Demokratike. Në përfundim, 245,953 zgjedhës u regjistruan, ndërsa një numër aplikimesh u refuzuan për shkak të problemeve me dokumentacionin e adresës.[21] Gjashtë qytetarë u regjistruan pas ankimimit në gjykatë.
Shpërndarja e materialeve të votimit u realizua mes datave 10 deri 23 prill, por procesi u shoqërua me parregullsi nga kompania postare, përfshirë: mosdorëzimin personal të zarfeve, zarfe pa fletë votimi, probleme komunikimi me kompaninë dhe nënkontraktim të paautorizuar të një operatori tjetër në Greqi.
Fillimisht problemet u raportuan në rrjetet sociale dhe nga partitë politike. Për të adresuar situatën, KQZ krijoi një mekanizëm raportimi në PER dhe i kërkoi kompanisë postare sqarime zyrtare. Vështirësitë ishin veçanërisht të theksuara në Greqi.
Megjithë sfidat, rreth 79% e zgjedhësve të regjistruar arritën të ushtronin të drejtën e votës, me zarfet që mbërritën brenda afatit ligjor.
Përgatitjet teknike për votimin e diasporës, regjistrimin e votuesve dhe edukimin zgjedhor u zhvilluan sipas planifikimit, me vonesa të cilat mund të konsiderohen të justifikueshme duke pasur parasysh kompleksitetin e procesit dhe faktin se ai po aplikohej për herë të parë. KRIIK vlerëson se pavarësisht sfidave që shoqëruan këtë implementim të parë, procesi i votimit të diasporës u realizua me eficiencë, transparencë dhe profesionalizëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Regjistrimi i zgjedhësve
Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, përfshirë në ditën e zgjedhjeve, gëzojnë të drejtën për të votuar. Në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, nga kjo e drejtë përjashtohen personat që, me vendim gjyqësor të formës së prerë, janë shpallur të paaftë mendërisht.[22] Gjithashtu, nuk kanë të drejtë të votojnë individët e dënuar për kryerjen e një krimi, me vendim përfundimtar, sipas llojeve të veprave penale të përcaktuara nga Ligji i ashtuquajtur i Dekriminalizimit.
Regjistrimi i votuesve është pasiv, bazuar në regjistrin e gjendjes civile, ndërsa votuesit jashtë vendit ndoqën një proces aktiv regjistrimi në PER, i cili kërkonte dorëzimin e dokumentacionit specifik dhe vërtetimin e adresës së vendbanimit të huaj. Gjithashtu, votuesit mbi 100 vjeç eliminohen nga lista e zgjedhësve a priori dhe duhet të kërkojnë zyrtarisht që të ripërfshihen në të.
Për votuesit brenda vendit, listat e votuesve u përditësuan automatikisht nga të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme raportoi një total prej afërsisht 3.7 milion votuesish të regjistruar, nga të cilët rreth 246 mijë të regjistruar jashtë vendit. Procesi i verifikimit të listave nga qytetarët u lehtësua përmes një platforme online, e cila lejoi kontrollin e të dhënave personale dhe qendrës së votimit.
Në faqen e KQZ-së gjenden 5 raporte auditimi nga dy auditues. Njëri prej audituesve ka paraqitur katër raporte ku paraqet gjetjet si për përpilimin e listës së zgjedhësve brenda vendit, ashtu edhe për sistemin elektronik të regjistrimit të votuesve jashtë vendit (PER). Audituesi tjetër ka paraqitur vetëm një raport për sistemin PER por jo për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së dhe përpilimin e listës së zgjedhësve brenda vendit.
Katër Raportet e audituesit Laert Kraja mbi listën e zgjedhësve identifikojnë në mënyrë të përsëritur probleme strukturore që prekin integritetin dhe saktësinë e të dhënave zgjedhore. Gjetjet më të shpeshta përfshijnë regjistrime të shumëfishta të votuesve, mospërputhje në adresat e deklaruara me vendbanimet reale, si dhe shpërndarje të pakoordinuar të votuesve në qendra të ndryshme votimi, madje edhe kur votuesit janë brenda të njëjtës familje. Ai evidenton dobësi në kontrollin dhe pastrimin e të dhënave nga strukturat përgjegjëse, duke theksuar mungesën e një mekanizmi të besueshëm për verifikimin e saktë të informacionit civil dhe zgjedhor. Përkundër këtyre problematikave, ai vlerëson përmirësimet graduale që janë bërë gjatë fazave të auditimit, si korrigjimi i dublimeve nga DPGJC, përmirësimi i infrastrukturës teknike dhe përfshirja e rekomandimeve të përdoruesve në sistemin PER (si shtesa funksionesh dhe ndërfaqe më të qartë për operatorët). Gjithashtu ky audit ka raportuar lidhur me një mbivendosje të 127 votuesve, të cilët sipas tij gjenden edhe në listën e votuesve brenda vendit edhe në listën e votuesve jashtë vendit. Përpos kësaj, sipas kërkimeve të auditit rezultuan 133 shtetas të cilët kanë lënë shtetësinë shqiptare por janë ende në listat e zgjedhësve. Madje, sipas tij, figuron se pesë shtetas, të cilët edhe pse kanë lënë shtetësinë shqiptare, kanë arritur të regjistroheshin në PER.
Raporti i vetëm i audituesit Ervin Bana për sistemin PER, përqendrohet kryesisht në aspektet e sigurisë kibernetike, menaxhimit të të dhënave dhe qëndrueshmërisë operacionale të sistemit elektronik të regjistrimit të zgjedhësve.
Mbetet shqetësues fakti që KQZ vijoi të mos merrte në shqyrtim publikisht asnjë prej raporteve të auditëve teknicienë, pavarësisht problematikave që përmbajnë ato, duke u mjaftuar vetëm me përcjelljen e këtyre raporteve në DPGJC.
Njoftimi me shkrim i zgjedhësve, ishte një hallkë që edhe në këtë proces zgjedhor mbeti e pa përmbushur, nga institucionet përgjegjëse që janë Bashkitë, si dhe prej moskontrollit të procesit prej Ministrisë së Brednshme dhe KQZ-së. KRIIK ngre sërish shqetësimin që kjo hallkë e procesit është tejet e rëndësishme dhe do të duhej të ishte kontrolluar e mbikëqyrur nga Ministria e Brendshme dhe KQZ-ja. Kjo nuk implikon vetëm mos zbatim të ligjit nga institucionet por gjithashtu edhe kosto financiare në buxhetin e shtetit, duke qenë se Ministria e brendshme alokon fond të posaçëm për secilën bashki për realizimin e këtij procesi.
Për votuesit jashtë vendit, procesi i regjistrimit paraqiti sfida të konsiderueshme. Nga totali prej 365.166 kërkesa për regjistrim nga diaspora të kryera nga 294.155 zgjedhës, u regjistruan si votues nga jashtë 245.975 zgjedhës, dhe u refuzua kërkesa për 48.180 zgjedhës. Arsyeja kryesore për refuzimet, sipas KQZ-së, ishte dokumentacioni i paplotë vërtetues për adresën. Shkalla e lartë e refuzimeve ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e parashikimeve ligjore që mundësojnë votimin nga jashtë vendit.
Një mekanizëm ankimimi online për shtetasit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë u krijua pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë. Për gjashtë shtetas të cilët bënë ankim në Gjykatë, kjo e fundit vendosi t’u jepte të drejtën për të votuar, proces i cili u ndoq me vendimmarrjen e Komisionerit për përfshirjen e tyre në listën e votueseve nga jashtë.
Regjistrimi i subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve
Të drejtën për t’u zgjedhur e kanë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur 18 vjeç deri ditën e zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që përjashtohen nga kjo e drejtë bazuar në Ligjin e ashtuquajtur të Dekriminalizimit. Disa kategori funksionarësh publikë nuk mund të kandidojnë apo të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, pa hequr paraprakisht dorë nga detyra që ushtrojnë.[23]
Pozitivisht, kuadri ligjor i rishikuar ndalon kandidimin në më shumë se një zonë zgjedhore për drejtuesit e partive politike dhe eliminon pragun kombëtar për kandidatët e pavarur, duke synuar të rrisë aksesin në procesin zgjedhor për individët jashtë strukturave tradicionale partiake. Megjithatë, për zgjedhjet e 11 majit nuk u regjistrua asnjë kandidat i pavarur.
Problematike vijoi të mbetet transparenca e brendshme e partive në përzgjedhjen e kandidatëve. Partitë nuk zhvillojnë konsultime publike për listat, nuk publikojnë kritere për përzgjedhjen dhe nuk kanë procedura apo procese të brendshme demokratike të verifikueshme për publikun në përzgjedhjen e kandidatëve, apo të përzgjedhjes së tyre në rakordimin me konkretizimin e programeve elektorale e qeverisëse që prezantojnë. Kjo situatë kontribuon në perceptimin se listat janë rezultat marrëveshjesh klienteliste apo patronazhi politik dhe jo i meritës ose mbështetjes qytetare. Partia Demokratike aplikoi në këto zgjedhje një sistem primaresh, ku kandidatët u votuan nga anëtarësia e partisë përpara se listat të përpiloheshin, megjithatë rezultatet e primareve ndikuan pak në përzgjedhjen e kandidatëve që u përfshinë në lista. Ndërsa Partia Socialiste aplikoi totalisht në mënyrë të mbyllur një përfaqësim të gjerë kategorish nga grupet e shoqërore duke synuar thjesht maksimizimin e votave në favor të saj.
Çdo parti ose koalicion i regjistruar në KQZ duhet të paraqesë listë shumëemërore në të gjitha zonat zgjedhore. Partitë apo koalicionet ku partitë anëtare nuk zotërojnë mandate në Kuvend duhet të mbështeten nga të paktën 5,000 votues për partitë dhe së paku 7,000 për koalicionet; përjashtim bëjnë ato koalicione ku partitë e anëtarësuara kanë bashkërisht aq mandate në Kuvend sa numri i partive në koalicion. Partitë parlamentare ekzistuese nuk kanë nevojë të tregojnë mbështetjen nëpërmjet firmave, por mjafton një dokument nga Kuvendi i Shqipërisë ku vërtetohet zotërimi i mandatit. Grupe prej të paktën 9 zgjedhësish mund të propozojnë një kandidat për një qark. Kandidatët e pavarur duhet të sigurojnë mbështetjen paraprake të së paku 1 përqind të zgjedhësve në zonën zgjedhore ku do të kandidojnë, por jo më shumë se 3,000 firma mbështetëse.
Afatet për dorëzimin e listave u ndryshuan me ndryshimet ligjore të shkurtit 2025 nga 50 ditë në 60 ditë para ditës së zgjedhjeve. KRIIK vlerëson se, pavarësisht se qëllimi për ndryshimin e afateve ishte i nevojshëm për të garantuar kohën e mjaftueshme që votat nga jashtë vendit të mbërrinin në kohë, ndryshimi i rregullave për regjistrimin e kandidatëve në mes të periudhës zgjedhore është një praktikë negative që duhet evituar. Këto ndryshime të minutës së fundit janë një shenjë e qartë e mungesës së seriozitetit dhe largpamësisë të klasës politike dhe Institucionit të Kuvendit gjatë amendimit të kuadrit ligjor për zgjedhjet në korrik të vitit të shkuar.
Ndryshimet e korrikut të vitit 2024 ndryshuan mënyrën e paraqitjes së listave, partitë duhet të dorëzojnë dy të tilla, 1/3 në listë të mbyllur me renditje fikse dhe 2/3 në listë që rirenditet pas votimit bazuar në votat preferenciale që kandidatët arrijnë të marrin. KRIIK vlerëson se ky sistem, pavarësisht se një hap përpara në krahasim me pragun e lartë që kërkohej për rirenditje me sistemin e aplikuar në vitin 2021, sërish i jep liderit të partisë kontroll të konsiderueshëm mbi renditjen përfundimtare, sidomos për vendet e sigurta, duke dekurajuar konkurrencën dhe kufizuar mundësitë e kandidatëve që nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë të liderëve të partive.
Në zgjedhjet e datës 11 maj 2025 kandiduan 11 subjekte zgjedhore[24] nga të cilat 3 koalicione, dhe 2.046 kandidatë[25] të përfshirë në listat e tyre. 1/3 e kandidatëve për secilin qark u përfshi në listën e mbyllur të secilit subjekt, ndërkohë që numri i kandidatëve të përfshirë në listën e hapur ishte i njëjtë me numrin e mandateve në zonën zgjedhore përkatëse.
Katër subjekte zgjedhore[26] u regjistruan duke përdorur mekanizmin e firmave mbështetëse pasi nuk kishin mandate në Kuvendin e Shqipërisë, gjashtë zotëronin mandate në Kuvend. Partia “Aleanca Demokracia e Re” u regjistrua në zgjedhje si parti parlamentare, duke sjellë vërtetimin nga Kuvendi i Shqipërisë se zotëron një mandat deputeti. Nga verifikimi i bërë në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, kjo parti nuk figuron si parti parlamentare duke ri evidentuar parashikimin e pasaktë dhe të pakuptimtë të dispozitës përkatëse në Kodin Zgjedhor lidhur me konsiderimin e një deputeti ekzistues në Kuvend si pjesë e një force tjetër politike joparlamentare, për efekt të regjistrimit të saj në zgjedhje dhe shmangies së mbledhjes së nënshkrimeve mbështetëse nga kjo e fundit.[27]
Afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve ishte data 12 mars 2025. Vetëm Partia “Lëvizja Bashkë” depozitoi listat shumëemërore të kandidatëve përpara kësaj date. Të gjitha subjektet e tjera i dorëzuan listat në KQZ afër mesnatës së datës 12 mars. Vijoi të mbetet problematikë thelbësore dorëzimi në KQZ i dokumentacionit të pa plotë të kandidimit. Listat u dorëzuan të pa plota për të respektuar vetëm afatin kohor ligjor, por duke mos respektuar listën me dokumentacionin përkatës të kërkuar, çka vendos pikëpyetje mbi gjithë procesin përzgjedhës brenda partive politike për vendosjen e kandidatëve në listat garuese e duke e bërë këtë proces më së shumti fiktiv.
Kuadri ligjor parashikon vetëm të drejtën për korrigjimin e dokumentacionit të kandidimit nga ana e subjekteve zgjedhore brenda 48 orëve nëse ai konsiderohet i paplotë prej KQZ-së. Madje edhe kjo procedurë korrigjimi mund të kryhet vetëm pas një vendimmarrjeje të KQZ-së për këtë qëllim. Përgjatë procesit të regjistrimit në këto zgjedhje kjo procedurë u tejkalua plotësisht nga ana e KQZ-së, duke u dhënë partive politike të drejtën për të bërë çfarëdo ndryshimi përmbajtësor që dëshironin përtej afatit të vendosur nga ligji. Kjo hapësirë u shfrytëzua maksimalisht nga subjektet zgjedhore për të bërë edhe ndryshime në listën e emrave të kandidatëve, çka është në kundërshtim me ligjin. Rezultoi se KQZ-ja nuk morri asnjë vendim për kthimin e dokumentacionit për plotësim, por vetëm lejoi me bonsens ndryshimet e kërkuara nga partitë.
KQZ-ja është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksionin publik ku përfshihet dhe funksioni i deputetit. Në këtë kuadër KQZ kreu verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, të kandidatëve për deputetë. 16 kandidatë u dërguan për verifikim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme. Edhe në këtë proces verifikimi vijoi të mbetet problematike komunikimi zyrtar i KQZ-së me DPGJC-në. Vërehet se në funksion të verifikimit vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i është përgjigjur KQZ-së, ndërkohë që DPGJC-ja nuk është përgjigjur në asnjë rast.
Fushata zgjedhore
Mjedisi i fushatës
Ndërkohë që sipas Kodit Zgjedhor fushata zgjedhore nis 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, edhe në këto zgjedhje, partitë politike e nisën fushatën de facto shumë kohë përpara afatit të përcaktuar në ligj. Mungesa e një përkufizimi të qartë ligjor se çfarë përbën fushatë zgjedhore, e kombinuar me mungesën e ndalimit të paekuivok në legjislacion të kryerjes së fushatës përpara se ajo të nisë zyrtarisht, krijojnë mundësinë që subjektet zgjedhore ta anashkalojnë dispozitën ligjore dhe ta nisin fushatën më herët, pavarësisht se zyrtarisht ajo nuk është hapur ende.
Kjo praktikë tanimë e konsoliduar ngre pikëpyetje të forta në lidhje me arsyen e ekzistencës së një norme ligjore që në vijimësi shkelet nga partitë politike, ndërkohë që nuk ka asnjë veprim nga institucionet përgjegjëse për ndalimin e këtij fenomeni.
Fushata zyrtare zgjedhore filloi zyrtarisht më 11 prill 2025 dhe u zhvillua në një klimë polarizimi të thellë politik. Aktivitetet e fushatës u karakterizuan nga retorikë e ashpër, sulme personale midis liderëve partiakë dhe mungesa e debatit përmbajtësor për politikat publike dhe programet qeverisëse. Këto fenomene u manifestuan si në aktivitetet tradicionale të fushatës, ashtu edhe në platformat online dhe median sociale.
Pretendimet për korrupsion të zgjedhësve dhe blerjes së votës, në forma të ndryshme (përkundrejt një shpërblimi monetar apo të tjera të mirave materiale) kanë qenë të shumta. Edhe tensionet apo konfliktet midis simpatizantëve kanë qenë prezente.
Sipas informacionit zyrtar nga ana e Policisë së Shtetit, strukturat e ngritura prej saj për hetimin e krimeve zgjedhore referuan në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK, 37 raste për krime zgjedhore.
Ndërkohë nga Prokuroria e Përgjithshme u referuan 54 kallëzime penale, nga të cilat 23 u regjistruan si procedime penale për veprat penale në fushën e zgjedhjeve të parashikuara në nenet 325 e në vijim të Kodit Penal.
Fushata u dominua nga drejtuesit politikë në nivel qendror, duke lënë fare pak ose aspak hapësirë për kandidatët.[28]
Përdorimi i burimeve shtetërore, përdorimi i ofiqit zyrtar publik, përzierja e aktivitetit institucional me atë politik, miratimi i akteve ligjore apo nënligjore të ndaluara në mënyrë eksplicite nga Kodi Zgjedhor, përdorimi i faqeve zyrtare në rrjetet sociale të institucioneve apo edhe zhvillimi i aktiviteteve zgjedhore brenda institucioneve publike vazhduan të jenë prezentë në masë të konsiderueshme, pavarësisht ndalimeve të qarta ligjore. KRIIK vërejti pasivitet nga ana e KQZ-së në lidhje me adresimin e kësaj problematike.[29]
Problematikat me përdorimin e burimeve shtetërore përfshinë iniciativa për lehtësi fiskale apo falje gjobash nga administrata qendrore dhe lokale gjatë periudhës së fushatës, pjesëmarrje të zyrtarëve publikë në aktivitete fushate gjatë orarit zyrtar të punës, prezantimit të projekteve publike si arritje partiake, duke prishur neutralitetin institucional, e të tjera. Ajo që konsiderohet si më problematike është se në thuajse të gjithë aktivitetet zyrtare, për një vëzhgues të jashtëm shpesh është e pamundur të kuptohet nëse aktiviteti është me natyrë institucionale apo elektorale pasi retorika e përdorur është e njëjta dhe komunikimi ka natyrë elektorale në vijimësi, duke zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit.[30] Turet e takimeve të Kryeministrit Rama përgjatë gjithë fushatës kishin këtë karakter, ku e vetmja shenjë dalluese nëse takimi ishte i llojit institucional apo elektoral ishte shpesh vetëm shfaqja ose jo e simboleve masive elektorale të Partisë Socialiste, pasi Kryeministri në të shumtën e aktiviteteve, të quajtuar institucionale, mbante vetë veshje dhe simbole të qarta partiake e elektorale. Nuk munguan as aktivitetet institucionale ku prezantimet e përdorura mbanin ngjyrat ose sloganet e Partisë Socialiste.
Mbetet tejet shqetësuese sfida dhe anashkalimi i hapur që i bëhet rregullimit dhe ndalimit ligjor për mospërdorimin e burimeve publike për efekte elektorale. U konstatua se maxhoranca qeverisëse miratoi ligje dhe akte nënligjore, të cilat japin përfitime të qarta për shtresa të caktuara të popullsisë, në data kalendarike përpara datës 11 janar, kur fillonte periudha e ndalimit ligjor, por duke përllogaritur qartazi që aplikimi dhe zbatimi[31] i tyre faktik të ndodhte në periudhën katër mujore të ndalimit përpara ditës së zgjedhjeve, çka i përfshin de facto tërë këto akte në shkelje të ligjit dhe parimit kushtetues e ndërkombëtar të barazisë në zgjedhje. Interpretimi i bërë nga Administrata e Kuvendit apo disa Ministrive ndalimeve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, në përgjigje të denoncimeve të bëra në KQZ, konstatohet i qëllimshëm në keq leximin dhe keqinterpretimin që i bëhet ligjit.[32] Moszbatimi i qëllimshëm i Ligjit mbi krijimin e dritares së denoncimeve në faqet zyrtare të institucioneve shtetërore për tu dhënë qytetarëve mundësinë e denoncimeve ndaj keqpërdorimit të burimeve publike të atij institucioni apo përfshirjes së nëpunësve të tij në aktivitete partiake apo elektorale të ndaluara nga ligji, si dhe refuzimi i Urdhrit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për ta përmbushur këtë detyrim ligjor brenda 48 orëve, konsiderohet një sfidë dhe qëndrim i qartë i kundërligjshëm i vullnetit institucional dhe personal të Drejtuesve respektivë të mbi rreth 190 Institucioneve shtetërorë për të mos zbatuar rregullimin ligjor dhe mekanizmat zbatues në funksion të ndalimit të shpërdorimit të burimeve publike.[33] Vijimi i përdorimit të koncerteve e shfaqjeve kulturore argëtuese përgjatë apo në funksion të fushatës zgjedhore, veçanërisht nga Partia Socialiste, në kundërshtim të hapur me ndalimet e pikës 9 të nenit 78 të Kodit Zgjedhor, përbën sërish një qasje vijuese dhe sfiduese të maxhorancës ndaj ligjit.[34]
Fushata online ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në këto zgjedhje, por mbetet kryesisht e parregulluar në ligj. Më 25 mars të këtij viti, gjashtë parti politike, përfshirë PS-në dhe PD-në nënshkruan Kodin e Etikës në fushatë elektorale. Pavarësisht miratimit të tij, pati raste të dezinformimit dhe sulmeve personale sidomos në platformat online. Një sfidë e rëndësishme për efektivitetin e Kodit Etik qëndron në natyrën e tij vullnetare dhe mungesën e mekanizmave zyrtarë të zbatimit. Në këtë fushatë konsiderohet risi përdorimi i krijimeve video, foto, etj. për fushatë nëpërmjet inteligjencës artificiale, përgjithësisht duke satirizuar e sulmuar kundërshtarin politik, por shpesh duke kaluar edhe në shkelje të etikës.
Veçanërisht problematike ishte gjuha e përdorur përgjatë fushatës nga kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, i cili përdori etiketime[35] të ndryshme ndaj opozitës, apo edhe komente me natyrë diskriminuese.[36] Përqendrimi i vëmendjes mediatike tek udhëheqësit e lartë, i kombinuar me mungesën e demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare, nënkupton se zgjedhjet e tyre gjuhësore dhe stilet e komunikimit formësojnë tonin dhe thelbin e ligjërimit politik dhe elektoral, duke ndikuar potencialisht edhe në gjuhën e përdorur nga kandidatët e tjerë dhe mbështetësit e partive përkatëse, apo edhe ligjërimin publik në përgjithësi.
Megjithëse kuota gjinore (minimumi 30% për secilën gjini në listat e kandidatëve) është respektuar formalisht, gratë kandidate vazhdojnë të përballen me barriera të qenësishme, përfshirë mbulim të pabarabartë mediatik dhe mungesë fondesh për fushatë.[37]
Fushata zgjedhore përfundoi ditën e premte, datë 9 maj. Neni 3 i Udhëzimit nr. 6, datë 23.03.2021 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve përcakton se, me mbarimin e fushatës zgjedhore, subjektet zgjedhore marrin masat për heqjen e të gjithë materialeve propagandistike. Pavarësisht këtij ndalimi ligjor, në datë 10 maj të heshtjes zgjedhore janë regjistruar raste të shumta të promovimeve elektorale në rrjetet sociale, portale, si dhe materiale statike në city lights apo banera.[38] Reklamat në rrjete sociale vijuan të ishin aktive edhe ditën e zgjedhjeve, madje disa subjekte zgjedhore kishin reklama aktive të cilat ishin aktivizuar në datën 10 apo edhe 11 maj, në shkelje dukshëm të qëllimshme të Kodit Zgjedhor.
Në përgjithësi, fushata zgjedhore tregoi se pavarësisht përmirësimeve në kuadrin ligjor, praktikat problematike si përdorimi i burimeve shtetërore, mungesa e transparencës në financim dhe retorika negative vazhdojnë të minojnë integritetin e procesit dhe të kufizojnë mundësinë e votuesve për të marrë vendime të mirë informuara.
Financimi i fushatës
Subjektet zgjedhore mund të financohen nga fondet publike për partitë që kanë kaluar pragun prej 1 përqind të votave në zgjedhjet e mëparshme; të ardhurat e veta; dhurime private në para, natyrë ose shërbime, ku çdo dhurues fizik ose juridik mund të japë deri në 1 milionë lekë për subjekt; dhe hua ose kredi. Shpenzimet totale të subjektit zgjedhor, përjashto kandidatët e tij, nuk mund të tejkalojnë 5 fishin e fondit publik më të lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike. Dhurimet private mund të vijnë vetëm nga persona fizikë dhe juridikë vendas, me kufizim prej 1 milion lekësh për donator, ndërsa transaksionet mbi 50 mijë lekë duhet të dokumentohen përmes sistemit bankar.
Kandidatët në listat e partive mund të vetëfinancohen deri në 3 milionë lekë dhe të pranojnë dhurata deri në 1 milion lekë për donator, pa kufizim të përgjithshëm për shumën totale që mund të përfitojnë apo shpenzojnë. Kjo pas ndryshimeve të fundit të kryera në shkurt 2025, që përcaktojnë se tavani i shpenzimeve për fushatën për çdo subjekt zgjedhor nuk përfshin shpenzimet e kandidatëve të subjektit përkatës. Këto ndryshime lënë të hapur mundësinë që një kandidat i regjistruar nën siglën e një partie politike mund të shpenzojë shumë më tepër sesa një kandidat i pavarur (për të cilët tavani i shpenzimeve është 50 përqind i shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike), duke krijuar pabarazi të theksuar në favor të kandidatëve partiakë.
Financimi i fushatës zgjedhore vazhdon të paraqesë probleme të konsiderueshme transparence dhe kontrolli. Mungesa e raportimit të ndërmjetëm dhe mekanizmave efektivë për monitorimin e financimit nga palët e treta krijon mundësi për shkelje të rregullave.
Monitorimi i fushatës nga monitoruesit e kontraktuar nga KQZ-ja nuk mundëson kostim të fushatës, ndërkohë që ajo zhvillohet dhe kjo e bën thuajse të pamundur verifikimin e raportimeve të partive politike pas fushatës. Përpos kësaj i gjithë ky mekanizëm vijoi të ishte edhe në këtë proces zgjedhor jo efiçent. Përpos faktit që monitoruesit u emëruan në limitet ligjore, edhe trajnimi i tyre ishte i pa plotë. Nga raportimet evidentohet se shkeljet e evidentuara prej monitorueseve janë vetëm lidhur me materialet propagandistike të prodhuara pa mbishkrimin “prodhuar në përgjegjësinë ligjore të….” dhe me hapjen e zyrave zgjedhore në distancë më të vogël se 300 metra nga qendrat e votimit. Ndërkohë nuk ka asnjë raportim për shkelje lidhur me shpërdorimin e burimeve publike në funksion të fushatave elektorale, mospërmbushjen e detyrimeve ligjore në raport me procesin zgjedhor nga ana e administratës në nivel lokal, monitorim të rrjeteve sociale, etj.
KRIIK monitoroi shpenzimet për fushatën zgjedhore në Facebook dhe Instagram dhe evidentoi rreth 220.000 dollarë amerikanë shpenzime nga dita e caktimit të datës së zgjedhjeve deri në 4 maj 2025, pa përfshirë javën e fundit të fushatës. Subjekti Zgjedhor me shpenzime më të larta ishte Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, e ndjekur nga “Partia Mundësia”, “Partia Socialiste e Shqipërisë”, “Koalicioni Euroatlantik” dhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.[39]
Media
Mjedisi mediatik gjatë periudhës zgjedhore reflektoi probleme strukturore që kanë karakterizuar mediat shqiptare në vitet e fundit. Pavarësia e medias është cënuar nga përqendrimi i pronësisë dhe varësia ekonomike e pronarëve të mediave nga tenderat publikë dhe interesat e biznesit të lidhura me qeverinë. Kjo situatë ka kontribuar në vetë-censurë dhe mbulim të njëanshëm të fushatës zgjedhore nga shumë media tradicionale.
Rregullimi ligjor i mbulimit mediatik të fushatës prezanton pabarazi të konsiderueshme midis subjekteve zgjedhore. Kodi Zgjedhor u jep partive që fituan mbi 20% të mandateve në zgjedhjet e mëparshme dyfishin e mbulimit mediatik krahasuar me konkurrentët e tjerë. Kjo dispozitë, megjithëse e justifikuar pjesërisht me rëndësinë përfaqësuese të partive të mëdha, krijon avantazhe të padrejta në aksesin mediatik dhe dëmton pluralizmin politik në hapësirën publike.
Monitorimi i mbulimit mediatik të fushatës tregoi një mbizotërim të qartë të dy partive kryesore (PS dhe PD) në edicionet informative dhe programet politike. Partitë më të vogla dhe kandidatët e pavarur morën mbulim minimal, duke kufizuar mundësinë e tyre për të prezantuar alternativa politike tek votuesit. Analizat sasiore të minutazhit në televizionet e monitoruar nga AMA përgjatë fushatës zgjedhore[40] tregojnë se rreth 90 përqind e mbulimit mediatik ka qenë për subjektet zgjedhore “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe “Partia Socialiste e Shqipërisë”. Akoma më problematik bëhet ky fakt nëse konsiderohet se proporcionet e mbulimit janë të njëjta edhe në kanalet e Radiotelevizionit publik, RTSH.
Përsa i përket llojit të mbulimit, nga monitorimi i AMA evidentohet se shumica e mbulimit mediatik (rreth 44 përqind)[41] ka qenë nga transmetimet “Live” të eventeve të partive politike, transmetime të drejtpërdrejta të cilat u vendosen në dispozicion mediave nga regji private të kontraktuara nga partitë politike. Theksohet se këto transmetime “Live” janë të palejueshme dhe totalisht në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, duke deformuar thellësisht barazinë që parashikon të vendosë rregullimi ligjor mbi pasqyrimin e fushatës prej mediave audiovizive, çka as AMA dhe as KQZ-ja nuk e kanë adresuar dhe as ngritur, së paku, si shqetësim.[42] Ndërsa Emisionet politike kanë zënë rreth 33 përqind të mbulimeve mediatike,[43] edicionet e lajmeve rreth 22 përqind[44] dhe reklamat më pak se 1.4 përqind të mbulimit mediatik.[45]
Përsa i përket metodologjisë së monitorimit të AMA-s, problematik mbetet fakti që AMA zhvillon vetëm monitorim sasior të mbulimit mediatik, çka pamundëson evidentimin e neutralitetit të mediave në mbulimin e çështjeve. Gjithashtu, vijon të mbetet tejet problematik fakti se vetëm 28 nga 45 mediat e monitoruara u monitoruan gjatë gjithë kohës.
Mediat online dhe platformat e mediave sociale kanë ofruar një hapësirë alternative për informacion dhe debat politik, por konstatohet se edhe këto kanë qenë subjekt i manipulimit, dezinformimit dhe thyerjes së etikës.
Ankesat dhe apelimet
Sistemi i adresimit të ankesave zgjedhore në Shqipëri është strukturuar përmes një mekanizmi me dy nivele, i cili përfshin Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) pranë KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Për disa çështje, ankimuesit mund t’i drejtohen gjykatave administrative.
Partitë politike, kandidatët e propozuar nga zgjedhësit dhe subjektet e tjera të interesuara mund të kundërshtojnë vendimet e KZAZ-ve dhe KQZ-së që prekin interesat e tyre të ligjshme. Afatet për paraqitjen e ankimimeve variojnë nga 24 orë deri në 5 ditë, në varësi të natyrës së vendimit. Të drejtën e ankimit e kanë edhe subjektet të cilave u është refuzuar regjistrimi si pjesëmarrës në zgjedhje apo për akreditimin e vëzhguesve. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme. Të drejtën e ankimit e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor.
Nga një numër total prej 194 denoncimesh të depozituara në KQZ për shkelje të ligjit zgjedhor,[46] nga të cilat rreth 55 nga organizata të shoqërisë civile dhe 125 nga Partia Demokratike, dhe të tjerat nga individë apo sinjalizues, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i propozoi KAS vendosjen e sanksioneve vetëm për katër raste, nga të cilat KAS vendosi sanksion administrativ për dy, objekti i të cilave ishte mosraportimi i aktivitetit. Për 107 raste KSHZ vendosi mosfillimin ose pushimin e shqyrtimit administrativ pasi ai kishte nisur.[47] Në dy raste KSHZ i propozoi Kuvendit të mos fuste në procedurë ligje të denoncuara nga KRIIK, në dy raste urdhëroi heqjen e materialeve propagandistike apo mbylljen e zyrave zgjedhore të vendosura në kundërshtim me ligjin dhe në tre raste u tërhoqi vëmendjen subjekteve të denoncuara.
Gjatë periudhës parazgjedhore, KAS ka trajtuar 21 ankesa lidhur me aspekte të ndryshme të procesit, ankimime për denoncimet mbi përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral, për vendimet e KSHZ mbi mbylljen e zyrave zgjedhore dhe/ose heqjen e materialeve propagandistike, për përmbajtjen dhe formën e fletës së votimit, ngritjen e Qendrave të Votimit në IEVP, regjistrimin e një subjekti zgjedhor, etj. Në gjykim statistikor shumica dërrmuese e vendimeve lidhur me shqyrtimin e çështjeve janë marrë me votim 5 me 0. Ajo që ngelet problematike, në gjykimin e KRIIK janë ndarjet në votim 3 me 2, duke patur gjithmonë të njëjtët anëtarë pro dhe kundër në shqyrtimin e çështjeve[48] për të cilat vlerësohet se ka një influencë apo interes politik. Element ky, dukshëm i pranishëm edhe përgjatë seancave publike për shqyrtimin administrativ. Vendimet e marra nga KAS, përsa i përket akteve të Kuvendit si akte të ndërmarra me qëllim përfitimi elektoral, konsiderohen një lexim i ngushtë dhe qëllimisht i transformuar i përmbajtjes së gërmës dhe frymës së Kodit Zgjedhor, duke cenuar besueshmërinë e procesit të ankimimit përballë ankimimeve të maxhorancës socialiste.
Në këto zgjedhje u ngrit për herë të parë taskforca KQZ – Prokurori e Përgjithshme – SPAK, një qasje tejet pozitive e nxitur dhe e kërkuar vazhdimisht prej KRIIK.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë iniciativa pozitive për adresimin e krimeve zgjedhore, përfshirë krijimin e një task-force dedikuar për hetimin e shkeljeve zgjedhore dhe një platformë online për raportimin e këtyre rasteve. Megjithatë, mbetet e paqartë efikasiteti i këtyre mekanizmave në praktikë.
Gjatë ditës së zgjedhjeve KQZ referoi në Prokurori 5 raste[49] të veprave penale që kanë të bëjnë me presionet ndaj komisionerëve, fotografim të votës dhe lejim nga ana e komisionerëve të votimit të shumëfishtë.
SPAK deklaroi publikisht pas ditës së zgjedhjeve statistikat[50] e referimeve dhe hetimeve penale të nisura prej tij.
Dita e zgjedhjeve
Ditën e zgjedhjeve KRIIK angazhoi 38 vëzhgues të cilët vullnetarisht monitoruan disa elementë të votimit në një numër të kufizuar qendrash votimi, me fokus të veçantë në plotësimin e kritereve për votim të fshehtë, të lirë nga intimidimi dhe të qetë në afërsi të qendrave të votimit. Vëzhguesit raportuan në kohë reale për zhvillimin e procesit, duke përfshirë edhe parregullsitë e vërejtura. Vëzhguesit e angazhuar nga KRIIK janë me eksperiencë të konsiderueshme vëzhgimi vendas dhe ndërkombëtar.
Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, por me incidente sporadike. Në disa nga këto incidente u përfshinë ofiqarë të lartë politikë.[51] Një situatë tejet problematike u krijua në Bashkinë Vorë, ku KQZ-ja vendosi të anulonte të gjitha akreditimet e lëshuara nga KZAZ-ja për vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, pas konflikteve të ndodhura.
Sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, edhe në këto zgjedhje ndonëse disi më pak dukshëm në pamje të parë, problematika kryesore e ditës së votimit vijoi të mbetet prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit apo në mjediset përreth tyre, çka përbën vazhdimin e patronazhimit, influencimit dhe intimidimit të votuesve. Pavarësisht ndryshimeve dhe përmirësimeve në kuadrin ligjor rregullator nga KQZ-ja, duket se nuk pati ndryshim, përpos kujdesit për të qenë më pak të dukshëm vizivisht. Sipas raportimeve në KQZ, mekanizmi i koordinatorit të sigurisë[52] nëpër QV duket se nuk u vu në zbatim.
Ky fenomen cenon drejtpërdrejt fshehtësinë e votës, duke krijuar një mjedis ku votuesit ndihen vazhdimisht të vëzhguar dhe të ekspozuar. Ndonëse teknikalitetet e votimit brenda qendrës së votimit mund të respektohen me skrupolozitet maksimal, ndjesia e intimidimit që krijohet nga ky patronazhim politik ndikon në lirinë reale të zgjedhësve, pasi votuesit që perceptojnë se zgjedhja e tyre mund të identifikohet apo monitorohet mund të ndryshojnë sjelljen zgjedhore nën presionin psikologjik.
Në një numër të konsiderueshëm të rasteve, personat e paautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit ose në mjedise publike në afërsi të tyre, kryesisht bar-kafe. Kjo u mundësonte të kishin informacion të plotë mbi personat që paraqiteshin për të votuar. Kjo, e kombinuar me informimin që pothuajse të gjithë anëtarët e KQV-ve apo vëzhguesit politikë të akredituar në to jepnin mbi votuesit, bënin të mundur përfaqësuesve të partive politike të kishin informacion të plotë se kush ishte paraqitur për të votuar e kush jo, duke cenuar kështu fshehtësinë e votës.[53]. Një element tjetër, që duket se është aplikuar nga komisionerët për t’i ardhur në mbështetje këtij mekanizmi, ishte drejtimi nga komisionerët i zgjedhësve për të firmosur në listën e zgjedhësve, pavarësisht se këta ishin identifikuar nëpërmjet PEI-t. Sipas ligjit, zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve vetëm nëse ai është në këtë listë dhe nuk ka qenë i mundur identifikimi nëpërmjet PEI-t.[54]
Problematika të tjera konsistuan në nivel të ulët të përgatitjes së anëtarëve të KQV-ve, fotografim të votës, votimin familjar, problematika teknike të mosfunksionimit të PEI, etj.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën nivele të ndryshme të përgatitjes dhe njohurive mbi procesin nga ana e komisionerëve; në disa zona, niveli i njohurive dhe përgatitjes ishte dukshëm i ulët.
Sipas përfaqësuesve të KQZ-së, prezenca e komisionerëve të qendrave të votimit në trajnimet e zhvilluara ka qenë e ulët, çka, në kombinim me ndryshimet e tyre në momentin e fundit, mund të jetë një nga faktorët kryesorë për mungesën e njohurive dhe përgatitjes së tyre jo të përshtatshme.
Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) funksionoi pa problematika në shumicën e QV-ve të vëzhguara, me disa problematika, si mosnjohje të shenjave të gishtave, bllokim apo mosfunksionim të pajisjes.
Mjediset e qendrave të votimit, në shumicën e QV-ve të vëzhguara nuk ishin të përshtatshme për aksesim nga Personat me Aftësi të Kufizuar.
Pavarësisht kërkesës zyrtare nga ana Partisë Socialiste, për shtyrjen e orarit të votimit në Qendrat e Votimit të Bashkisë Vlorë për shkak të kufizimeve në lëvizje për qytetarët gjatë ditës së zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit u mbyllën në orën 19.00. Për qëllim të shtyrjes së orarit të votimit në Vlorë, njëri prej anëtarëve të Komisionit Rregullator kërkoi vetmbledhjen e Komisionit. Komisioni u mblodh pasditen e ditës së zgjedhjeve por nuk arriti kuorumin e nevojshëm për të filluar mbledhjen për shqyrtimin e këtij propozimi, pasi dy anëtarë të tij znj. Vukaj dhe z. Çakaj, me të drejtë sipas KRIIK, e konsideruan të pavend një vendim të tillë, në pikëpamje të kompetencës dhe problematikës së paraqitur si justifikim për këtë vendimmarrje.
Dorëzimi i materialeve zgjedhore, në numrin e kufizuar të KZAZ-ve që vëzhguesit e KRIIK vizituan, procedoi në mënyrë të rregullt.
Procesi i numërimit nisi rreth orës 22:00 me VNV-në e Bashkisë Pustec, çka sipas ligjit solli edhe fillimin e numërimit të votës nga jashtë vendit për Qarkun Korçë.
Shpallja nga KQZ-ja e rezultatit të zgjedhjeve në Bashkinë Vorë dhe Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë u krye zyrtarisht nga KQZ në datën 12 maj 2025, dhe jo pas përfundimit të procesit të votimit, me argumentimin, ekstraligjor sipas KRIIK, të KSHZ se subjekti zgjedhor Partia Demokratike ka bërë një kërkesë të tillë pranë KQZ-së. Ky vendim u kundërshtua publikisht nga Partia Socialiste.
Lidhur me procesin e numërimit të votave të diasporës, në vijim të pretendimeve të Partisë Demokratike për trajtimin e ndryshëm të zarfeve që kanë ardhur nga Greqia për shkak të problematikave me shpërndarjen dhe dërgimin në këtë shtet, KSHZ në orët e para të datës 12 maj 2025 morri vendimin “Për administrimin e zarfit “B”, pjesë përbërëse e dokumentacionit të votimit nga jashtë, në rastin kur ai nuk vlerësohet nga GNVJ dhe KANVVJ”. Ndaj këtij vendimi Partia Socialiste ka bërë ankim në KAS, duke pretenduar se vendimi është jo ligjor dhe i marrë nga Komisioneri në tejkalim të kompetencave të tij.
Gjatë vijimit të procesit të numërimit pati sërish prezencë të shtuar të përfaqësuesve dhe vëzhguesve nga subjektet zgjedhore si brenda në Vendin e Numërimit të Votave, ashtu edhe jashtë tij, por nuk pati asnjë problematikë për tu shënuar.
Rekomandime
Lidhur me fazat e tjera të procesit zgjedhor në vazhdim, KRIIK paraqet Rekomandimet e mëposhtme:
– Vijimi i procesit të numërimit në shinat ligjore – Procesi i numërimit në Shqipëri në vijimësi është karakterizuar nga ngadalësia, bllokimet e pajustifikuara, konfliktet apo të tjera problematika. KRIIK u bën thirrje të gjithë komisionerëve dhe numëruesve që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe të numërojnë çdo votë me profesionalizëm dhe korrektësi, duke vepruar si funksionarë të paanshëm zgjedhorë dhe jo si përfaqësues partiakë. Një kujdes i veçantë duhet treguar gjatë numërimit të votave për kandidatët individualë, pasi eksperienca nga zgjedhjet e kaluara ka dëshmuar se votat e tyre kanë qenë subjekt i devijimeve.
– Forcimi i kulturës institucionale për kontestimet zgjedhore – Konfliktet dhe mosmarrëveshjet zgjedhore duhet të adresohen ekskluzivisht përmes kanaleve institucionale të parashikuara nga ligji. Subjektet zgjedhore inkurajohen të përdorin mekanizmat ligjorë të ankimimit dhe apelimit, duke shmangur retorikën që minon besimin në procesin zgjedhor. Institucionet përkatëse duhet të trajtojnë këto kontestime me profesionalizëm, transparencë dhe në afatet e përcaktuara ligjore, për të forcuar besimin në zgjidhjen institucionale të mosmarrëveshjeve.
– Përmirësimi i aksesit në materialet zgjedhore për subjektet e interesuara – KQZ, KZAZ-të dhe Grupet e Numërimit të Votave duhet të krijojnë procedura më efikase për njoftimin dhe lehtësimin e pajisjes së kandidatëve të subjekteve zgjedhore me kopje të regjistrimeve të numërimit. Kjo transparencë është thelbësore për të siguruar që të gjitha palët të kenë akses të barabartë në informacion, duke parandaluar dyshimet dhe kontestimet e panevojshme të bazuara në mungesë informacioni.
– Mbikëqyrje më rigoroze ndaj vëzhguesve politikë dhe personave të paautorizuar – Duhet vendosur një sistem më efektiv kontrolli për të parandaluar praninë e personave të paautorizuar në ambientet zgjedhore. Partitë politike duhet të marrin përgjegjësi të plotë për sjelljen e përfaqësuesve dhe mbështetësve të tyre si brenda ashtu edhe në afërsi të Vendeve të Numërimit të Votave. Kryetarët e KZAZ-ve dhe KQZ-ja duhet të aplikojnë sanksione të menjëhershme ndaj shkeljeve të konstatuara.
– administrativ i plotë për çështje specifike të akreditimeve – KQZ-ja duhet të kryejë një hetim administrativ të plotë dhe transparent lidhur me çështjen e dhënies së akreditimeve të vëzhguesve vendas për ZAZ nr. 27, të cilat u anuluan, apo të tjera raste të ngjashme që mund të kenë ndodhur, duke përfshirë referimin në organet ligjzbatuese. Ky proces do të shërbejë si precedent për të garantuar që sistemi i akreditimit të vëzhguesve të respektojë me rigorozitet standardet ligjore dhe të parandalojë manipulimet e mundshme në të ardhmen.
Fjalorth
KQZ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
KSHZ – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve
KAS – Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve
KRR – Komisioni Rregullator
KZGJ – Kolegji Zgjedhor Gjyqësor
DPGJC – Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile
RKGJC – Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile
NRI – Ndërfaqja e Raportimit të Institucioneve
PER – Platforma elektronike e regjistrimit të votuesve jashtë vendit
KZAZ – Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor
KQV – Komisioni i Qëndrës së Votimit
QV – Qendër Votimi
VNV – Vend i Numërimit të Votave
GNV – Grup i Numërimit të Votave
GNVJ – Grupi i Numërimit të Votave nga Jashtë
KANVVJ – Komisioni i Administrimit, Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë
PP – Prokuroria e Përgjithshme
SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
PS – Partia Socialiste e Shqipërisë
PD-ASHM – Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore
BASHKE – Lëvizja Bashkë
LA – Lëvizja Atdheu
KEA – Partia Koalicioni Euroatlantik
NISMA-SHB – Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
AKSH – Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare
ADR – Partia Aleanca Demokracia e Re
DZH – Koalicioni Djathtas për Zhvillim
PSD – Partia Socialdemokrate
MUNDESIA – Partia Mundësia
RTSH – Radio Televizioni Shqiptar
AMA – Autoriteti i Mediave Audiovizive
KRIIK Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara
[1] Shih Rekomandimet e KRIIK.
[2] Shih Denoncimet e KRIIK.
[3] Shih Deklaratat e KRIIK.
[4] Shih Qëndrimin Publik.
[5] Shih Deklaratën e KRIIK “Mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, qasje e papranueshme dhe tërësisht e dëmshme për ndërmarrjen e reformave jetike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të një demokracie funksionale në vend”, 24 korrik 2024.
[6] Shih Deklaratën e KRIIK “Dekretimi sa më parë i Datës së Zgjedhjeve, domosdoshmëri për të mos vënë nën stres procesin përgatitor dhe atë ligjzbatues në Procesin Zgjedhor për Kuvendin të vitit 2025”, 3 dhjetor 2024.
[7] KRIIK i dërgoi Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore Dokumentin “Rekomandime mbi përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet, në kuadër të procesit të Reformës Zgjedhore”. Gjithashtu përfaqësues të KRIIK vëzhguan çdo seancë të këtij Komisioni si dhe morën pjesë aktive duke propozuar rekomandime në seancat e zhvilluara prej tij. Gjithashtu takoi dy bashkëkryetarët dhe të gjithë ekspertët e angazhuar në Grupin e Dialogut, për të nxitur realizimin dhe miratimin e ndryshimeve ligjore.
[8] Vendimi nr. 38, 09.12.2022 i Gjykatës Kushtetuese.
[9] Vendimi nr. 28, datë 30.06.2021, i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me pragun që kandidatët individualë duhet ta plotësojnë për t’u renditur sipas votës parapëlqyese.
[10] Vendimi nr. 31, datë 04.10.2021, i Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur.
[11]Miratimi i ndryshimeve të korrikut në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi u bë në një mungesë të plotë transparente paraprake duke mos e publikuar as në faqen e internetit draftin e përgatitur.
Ky fakt bëri të mundur kalimin pa bujë edhe të një ndryshimi tjetër të bërë në Kodin Zgjedhor, shfuqizimin e nenit 183, për të cilin publikisht nuk ishte folur asnjëherë më parë, e që në thelb është në vijimësinë e zhbërjes së Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
Sipas pikës 7 të nenit 183 të Kodit Zgjedhor, tre anëtarëve të zgjedhur me short të KAS-it iu mbaronte mandati më datën 5 tetor 2024, ndaj Kuvendit do t´i duhej të ndërmerrte procedurën e zgjedhjes së tre anëtarë të rinj përgjatë muajit shtator 2024.
[12] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 64 pika 3, përcakton se: “Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Ndërsa neni 67 pika 2 e Kodit Zgjedhor parashikon se: “Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën me renditje të fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjesëtuar për tre. Kur nga ky pjesëtim nuk rezulton numër i plotë mandatesh, atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjesëtimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjesëtimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5, lista shumemërore me renditje të fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës”.
Pra, në rastin e Qarkut Shkodër me 11 mandate, një pasqyrim i saktë i parashikimit kushtetues do të përcaktonte 3 kandidatë në listën e mbyllur dhe 8 kandidatë në listën e hapur. Ndërkohë që me ndryshimet e bëra, në fletën e votimit figurojnë 4 kandidatë në listën e mbyllur dhe 11 kandidatë në listën e hapur.
[13] Ligji nr. 10/2025 zgjat afatin e ankimit për votuesit jashtë vendit nga 7 në 30 ditë, përcakton detyrimin e shtetit shqiptar për të mbuluar totalisht shpenzimet postare për votuesit jashtë vendit, zgjat me 5–10 ditë të gjitha afatet kryesore zgjedhore (për regjistrimin e listave, depozitimin e kandidatëve dhe afatet e komisioneve); jep kohë shtesë për transmetimin e reklamave politike për kandidatët e listave me votim parapëlqyes prej 140 minutash në total nga çdo media private përgjatë gjithë fushatës; vendos një tavan prej 3 milionë lekësh për vetëfinancimin e secilit kandidat dhe rrit tavanin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore për çdo subjekt zgjedhor, përjashto kandidatët, nga 3 fish në 5 fishin e fondeve publike më të larta.
[14] P.sh. në këto zgjedhe ndërsa KQZ-ja e kishte miratuar Udhëzimin për rregullat për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve në janar 2025, afatet ligjore u ndryshuan nga Kuvendi në shkurt 2025.
[15] Për më shumë, shih Seksionin mbi Financimin e fushatës.
[16] Mbledhja e Komisionit Rregullator e datës 27.03.2025, në minutën e 27 të videos Z. Çakaj shprehet se “ (..) Ne e dimë se niveli i parë i administrimit të zgjedhjeve është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kandidaturat, të gjithë ne përfshirë edhe Komisionerin, edhe anëtarët e KAS-it janë politike. Po ashtu edhe niveli i dytë i administrimit të zgjedhjeve i sanksionuar në nenin 29 të Kodit Zgjedhor që është KZAZ-ja është politike, me përkatësi të ndryshme politike. Po kështu edhe niveli i tretë i Administrimit, Komisionet e Qendrave të Votimit janë politike. (…)”
[17] Në gjuhët Greke, Rome, Maqedonase, Boshnjake, Serbe, Malazeze, Bullgare dhe Arumune.
[18] Opsioni i ndalimit automatikisht nga platforma i aktiviteteve të cilat raportoheshin jashtë afatit, një rekomandim i mëparshëm i KRIIK, ishte një hap pozitiv.
[19] Në platformën e re është e pamundur të ruhet një event specifik pasi eventet nuk kanë url unike, kështu që gjetja sërish apo referimi i një eventi të caktuar është tejet i vështirë. Gjithashtu, megjithëse pati përpjekje për rritjen e transparencës duke mundësuar shkarkimin e bazës së të dhënave të eventeve në format tabelor, element që u fut edhe në kuadrin ligjor, file mund të shkarkohej vetëm në formatin MS Excel, dhe jo të gjitha fushat e bazës së të dhënave mund të shkarkoheshin, duke bërë kështu që dokumenti që shkarkohej të ishte i paplotë dhe jo efikas.
[20] Kodi i Praktikave të Mira në Çështje Zgjedhore, i Komisionit të Venecias, paragrafi II.3.1.f., faqe 10: “Organet që emërojnë anëtarët e komisioneve zgjedhore nuk duhet të jenë të lira t’i shkarkojnë ata sipas dëshirës.”
[21] Shih Seksionin mbi Regjistrimin e Zgjedhësve për më shumë.
[22] Neni 29 i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara: “Shtetet Palë do t’u garantojnë personave me aftësi të kufizuara të drejtat politike dhe mundësinë për t’i gëzuar ato në mënyrë të barabartë me të tjerët, dhe do të angazhohen të […] Sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara të mund të marrin pjesë në mënyrë efektive dhe të plotë në jetën politike dhe publike në mënyrë të barabartë me të tjerët, drejtpërdrejt ose nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur lirisht, duke përfshirë të drejtën dhe mundësinë e personave me aftësi të kufizuara për të votuar dhe për t’u zgjedhur.”
[23] Këto kategori përfshijnë: gjyqtarët dhe prokurorët; ushtarakët në shërbim aktiv; punonjësit e policisë dhe të shërbimit të sigurisë kombëtare; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive, komunave dhe prefektët në zonat ku ushtrojnë funksionin; anëtarët dhe kryetarët e komisioneve zgjedhore; si dhe Presidenti i Republikës dhe funksionarë të lartë të administratës shtetërore, të përcaktuar me ligj të posaçëm.
[24] Në total në KQZ u regjistruan 53 parti politike. Pas formimit të koalicioneve, 26 parti u grupuan në Koalicionin “PD-ASHM”, 3 parti në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe 2 parti në Koalicionin “Djathtas për Ndryshim”. 8 parti politike garuan të vetme pa u përfshirë në koalicione.
Ndërkohë 14 parti politike pavarësisht se të regjistruara nuk konsiderohen subjekte zgjedhore pasi nuk dorëzuan në KQZ lista me kandidatë.
[25] Nga të cilët 792 gra.
[26] Partia “Lëvizja Bashkë”, Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, Partia “Lëvizja Atdheu”, Partia “Aleanca Kombëtare Shqiptare”.
[27] Neni 68 “Listat mbështetëse të partive politike dhe koalicioneve” i Kodit Zgjedhor, pika 3 “Për qëllim të këtij neni, partia politike ose koalicioni paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit apo njësia e qeverisjes vendore, ku vërtetohet zotërimi i mandatit të paktën 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit ose të organit të njësisë së qeverisjes vendore, në bazë të vetëdeklarimit të zotëruesve të mandateve për përkatësinë në partinë politike, në institucionin përkatës.”
[28] Sipas të dhënave nga monitorimi i mbulimit të fushatës zgjedhore nga Autoriteti i Medias Audiovizive, më shumë se 50% e kohës së mbulimit mediatik për fushatën zgjedhore ka qenë mbulim për kryetarët e dy partive kryesore pjesëmarrëse në zgjedhje, PS dhe PD, respektivisht z. Edi Rama dhe z. Sali Berisha.
[29] Për më shumë shih Seksionin mbi Administrimin e Zgjedhjeve.
[30] Sipas paragrafit 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës, shtetet pjesëmarrëse angazhohen për ”një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike; në veçanti, partitë politike nuk do të bashkohen me shtetin.”
[31] Përmenden si rastet më eksplicite bonusi i pranverës për pensionistët, aplikimi për kredi të buta ose me interes zero për administratën shtetërore, etj., si dhe miratimi i Ligjit nr. 127/2024 datë 19.12.2024 dhe, në vijim të tij, nxjerrjen e VKM-së në mënyrë të qëllimshme më datë 9 maj 2025 për faljen e gjobave të paadministruara. Kjo, pasi Ligji nr. 127/2024 kishte hyrë në fuqi më 15 datë janar dhe parashikonte miratimin e VKM-së brenda datës 25 janar 2025.
[32] Shih Denoncimet e KRIIK dhe prapësimet e bëra në KQZ prej këtyre institucioneve.
[33] Shih Denoncimin nr. 27 dhe Denoncimin nr. 28 të KRIIK.
[34] Shih Denoncimin nr. 17 dhe Denoncimin nr. 18 të KRIIK dhe prapësimet e bëra në KQZ prej këtyre partive.
[35] Kryetari i Partisë Socialiste gjatë fjalimeve të tij përdori etiketime si “burrat janë çyrykë”, më pas burrat që shkojnë sipas tij pas “bufit të kënetës” (i referohet kryetarit të PD-së Sali Berisha), janë çyrykë. Po ashtu e papranueshme konsiderohet shprehja e tij për kontekstin dhe realitetin në vend nëpërmjet deklaratës se “kush shkon pas kënetës është autik politik”, etj.
[36] Një dispozitë kyçe e Kodit është angazhimi nga nënshkruesit për t’u përmbajtur nga prodhimi ose shpërndarja e deklaratave diskriminuese bazuar në karakteristika të ndryshme. Përdorimi nga Kryeministri Rama i termave si “burra çyryk”, “njerëz me lesh” dhe “autik”, në gjykimin e KRIIK përbën shkelje të këtij Kodi, veçanërisht të klauzolës që ndalon deklaratat diskriminuese ndaj njerëzve me aftësi të veçanta.
[37] KRIIK ka mbledhur minutazhin e mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore, bazuar në raportet e përditshme të monitorimit të mediave prej AMA-s si dhe shpenzimet e kryera nga subjektet zgjedhore në Facebook dhe Instagram, me të dhëna nga Libraria e Reklamave Politike të Meta. Referuar të dhënave, nga AMA, rreth 85 përqind e mbulimit mediatik ka qenë për burra dhe vetëm 15 përqind për gra. Ndërkohë, burrat kanë shpenzuar rreth 80 përqind të shumës së harxhuar për reklama politike në Facebook dhe Instagram.
[38] Për më shumë shih Denoncimin e KRIIK të datës 10 maj në lidhje me thyerjen e heshtjes zgjedhore
[39] Koalicioni “PD-ASHM” rreth 87.000 USD; “Partia Mundësia” rreth 40.000 USD; “Partia Socialiste e Shqipërisë” rreth 30.000 USD; “Koalicioni Euroatlantik” rreth 28.000 USD dhe koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” rreth 18.000 USD. Të gjitha shifrat janë deri në datën 4 maj 2025.
[40] Përgajtë fushatës AMA monitoroi 45 operatorë audiovizivë (radio dhe TV). Nga këto 28 u monitoruan gjatë gjithë kohës dhe pjesa tjetër pjesërisht.
[41] Konstatohen 70 714 minuta transmetim “Live” nga një total prej 160 936 minutash mbulimi mediatik.
[42] Kodi Zgjedhor parashikon se fushata zgjedhore mund të pasqyrohet në Radio Televizionin Shtetëror vetëm nëpërmjet: 1) lajmeve; 2) programeve informative; dhe 3) reklamave politike pa pagesë. RTSH vendos minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara për të bërë fushatë. (neni 80 dhe 81).
Po ashtu, Kodi Zgjedhor parashikon se fushata zgjedhore mund të pasqyrohet në Radiot dhe Televizionet Private vetëm nëpërmjet: 1) edicioneve të zakonshme dhe të posaçme informative; 2) debateve zgjedhore midis partive politike ose kandidatëve konkurrentë, duke ruajtur baraspeshën mes partive politike; dhe 3) reklamave politike me pagesë vetëm për subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhje. Radiot dhe Televizionet Private nuk vendosin minutazh falas në dispozicion të partive politike të regjistruara për të bërë fushatë. (neni 84).
Rezulton se transmetimet “Live” të aktiviteteve elektorale të partive nuk përbëjnë as “edicione informative”, të cilat kanë një rregullim të posaçëm kohe transmetimi, dhe as “debate zgjedhore”. Ato mund të konsiderohen se përbëjnë veçse “Reklamë politike”, për të cilën parashikohet kohë e kufizuar në dispozicion, ndërkohë që duhet të deklarohen në KQZ shpenzimet përkatëse të transmetimit, sipas tarifave të mediave përkatëse të depozituara në KQZ.
[43] Konstatohen 52 680 minuta transmetim nga një total prej 160 936 minutash mbulimi mediatik.
[44] Konstatohen 35 307 minuta transmetim nga një total prej 160 936 minutash mbulimi mediatik.
[45] Kontatohen 2 233 minuta transmetim reklamash nga një total prej 160 936 minutash mbulimi mediatik.
[46] Sipas të dhënave të marra nga administrata e KQZ-së.
[47] KSHZ vendosi mosfillim të procedurës administrative për 37 denoncime dhe pushimin e shqyrtimit administrativ për 70 raste.
[48] Çështjet për të cilat vendimmarrja e KAS ka qene më shumicë votash, 3 me 2, janë çështjet kur palë në proces ka qenë Kuvendi i Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, apo Koalicioni PD-ASHM.
[49] 2 raste në Tiranë, një rast në Elbasan, 1 rast në Berat dhe një rast në Korçë.
[50] Nga 156 materiale të administruara, prej të cilave 39 kanë kaluar në fazën e hetimit, pra janë regjistruar si procedime penale. Një rast është iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 1 është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm, 3 janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore dhe 3 janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike.
[51] Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, z. Flamur Noka u përfshi në një incident në Bashkinë Vorë. Gjithashtu edhe në zonën afër qendrave të votimit tek shkolla “Petro Nini Luarasi”, PD denoncoi një zyrë të fshehtë elektorale të kandidatit Erion Braçe ku sipas PD po kryheshin veprime të paligjshme. Përplasjet dhe diskutimet mes palëve shkaktuan tension në zonë, çka solli thirrjen e policisë dhe referimin e çështjes në Prokurori nga PD.
[52] – Komisioni Rregullator, Vendimi nr. 24, datë 21.03.2025, “Për disa shtesa në vendim nr. 11, datë 25.03.2021, “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të komisionit të qendrës së votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në qendrën e votimit”, i ndryshuar”.
– Komisioni Rregullator, Vendimi nr. 25, datë 27.03.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 12, datë 30.12.2020 të Komisionit Rregullator “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve”.
– Urdhër i Komisionerit Shetëror të Zgjedhjeve “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, datë 15.04.2025.
[53] Shih Deklaratën e KRIIK “Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit”, datë 10.05.2025.
[54] Lidhur me këtë problematike, përfaqësuesit e KQZ që kryen trajnimin u shprehën se komisionerët janë trajnuar dhe udhëzuar që mos të detyrojnë zgjedhësit të firmosin në listën e zgjedhësve nëse janë identifikuar nga PEI.