Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Neni 78 i Kodit Zgjedhor “Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës”, në pikën 9 të tij përcakton se “Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet vetë ose nëpërmjet të tretëve për koncerte, shfaqe kulturore argëtuese apo veprimtari bamirësie, pavarësisht nëse ato mbahen përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale, apo zhvillohen si veprimtari fushate ose jashtë saj.”
Në datën 11 prill 2025 në Tiranë, Subjekti Zgjedhor “Partia Demokratike – Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore” zhvilloi një tubim elektoral për hapjen e fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të datës 11 maj 2025. Në këtë takim elektoral kanë marrë pjesë edhe këngëtarë të cilët kanë kënduar këngë përgjatë eventit (videon e gjeni të publikuar në këtë lidhje).
Aktiviteti elektoral është transmetuar Live në disa media si: Top-Channel, News24, Vizion Plus, Report TV, etj., në faqet zyrtare në rrjetet sociale, si dhe në edicionet informative të lajmeve të transmetuara prej këtyre mediave.
Në pamjet foto dhe video (link) të postimeve të paraqitura në vijim të këtij denoncimi (Lidhja nr. 1) evidentohet qartë thirrja, organizimi i veprimtarisë si dhe prezenca e materialeve propagandistike të fushatës elektorale të Subjektit Zgjedhor “Partia Demokratike – Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Zgjedhjet e 11 majit 2025.
Konkludohet se kemi të bëjmë me një tubim elektoral, i cili i ka të gjitha elementët përbërës të tij si fjalime, thirrje, pankarta, slogane, logo, si dhe me zhvillimin në të njëjtën kohë përgjatë tij të një koncerti/shfaqjeje kulturore argëtuese me këngëtar të ftuar, i cili performon, këndon dhe shfaqet në mbështetje të këtij subjekti zgjedhor. (shih minutat 31:12 – 33:26; 1:02:18 – 1:06:06 dhe 1:17:34 – 1:22:30 në video ku shfaqet dhe këndon këngëtari Renis Gjoka dhe grupi i tij Band).
Madje, ndër të tjera prezantuesja në paraqitjen e këngëtarit shprehet se: “Para momentit final të hapjes, një intermexo muzikore, pak rrok në skenë për tu bërë gati për rokstarin e rezistencës opozitare, ftoj përsëri në skenë Renis Gjoka dhe Band me “Një hap përpara””. (Minuta 1:17:34 – 1:22:30 e videos)
Rezulton se Subjekti Zgjedhor “Partia Demokratike – Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD – ASHM)” ka organizuar veprimtari që hyn në sferën e ndalimeve të parashikuar në nenin 78 pika 9 të Kodit Zgjedhor, duke qenë ndërkohë edhe përfituesja e vetme dhe e drejtëpërdrejtë prej saj.
Referuar sa më sipër, ju përcjellim këtë Denoncim për t’u marrë në shqyrtim prej KQZ-së e kryer hapat e parashikuar procedurale lidhur me këtë shkelje të Kodit Zgjedhor, për të cilën nevojitet të sanksionohet subjekti zgjedhor sipas parashikimeve të nenit 172 të Kodit Zgjedhor.
Në këtë pikë theksohet gjithashtu se kjo qasje e Partisë Demokratike është e përsëritur dhe e evidentuar edhe përgjatë Zgjedhjeve Vendore të 14 Majit 2023 (shih më shumë Denoncimin Nr. 10 “Lidhur me organizimin e koncerteve përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale nga Koalicioni Bashkë Fitojmë dhe Partia Socialiste”, datë 11.05.2023).
*Ky Denoncim përmban Lidhje ku ilustrohen problematikat e përmendura, me fotografi dhe lidhje për në faqet e internetit. Lidhjet mund te shihen ne versionin pdf te Denoncimit.