Shkarko Qëndrimin Publik në pdf, ose lexoje të plotë më poshtë.
Njoftim për shtyp
Në datë 13 mars 2025, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi QËNDRIMIN PUBLIK me titull “Deklaratat intimiduese ndaj KRIIK dhe KQZ-së prej Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, shqetësim në rritje për sjelljen e maxhorancës socialiste ndaj zërit të pavarur e kritik të shoqërisë civile dhe Institucioneve të Pavarura”.
Në Dokument, KRIIK e konsideron tejet shqetësuese qasjen e maxhorancës për të zhbërë kuadrin ligjor që ndalon përdorimin e burimeve publike për avantazh elektoral.
Interpretimet e shtrembëruara të ligjit, që e reduktojnë konceptin e shpërdorimit të burimeve shtetërore vetëm në aspektin financiar, janë një përpjekje e qartë për të anashkaluar ligjin dhe për të siguruar avantazh elektoral, në shkelje të angazhimeve ndërkombëtare të Shtetit Shqiptar për zgjedhje në përputhje me standardet dhe praktikat e mira për zgjedhje demokratike, si dhe në shkelje të ligjit. Kjo qasje minon barazinë në zgjedhje dhe cënon parimet demokratike të konkurrencës së ndershme politike.
Një shqetësim i dytë i ngritur në Qëndrimin Publik është sfidimi i hapur i zbatimit të ligjit dhe intimidimi i institucioneve të pavarura.
Qëndrimi i Kuvendit të Shqipërisë dhe i disa deputetëve të maxhorancës, që sfidojnë vendimmarrjen e KQZ-së dhe synojnë ta vendosin atë në shërbim të interesave politike, dëmton rëndë pavarësinë e institucioneve të pavarura, në veçanti të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si organi sipëror që garanton integritetin e zgjedhjeve në vend.
Së treti dhe në mënyrë të veçantë, nëpërmjet këtij Dokumenti, KRIIK denoncon sulmet dhe intimidimin e hapur ndaj organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht ndaj organizatave që monitorojnë zgjedhjet dhe mbrojnë standardet demokratike.
Diskursi përçarës dhe akuzat e pabazuara, siç u vërejt në deklarimet e Deputetit Nasip Naço gjatë seancës së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) më 10 mars, përbëjnë një përpjekje për të delegjitimuar zërat kritikë dhe për të dekurajuar pjesëmarrjen qytetare në monitorimin e proceseve zgjedhore.
Deklaratat e deputetit Naço, të bëra përpara trupës vendimmarrëse të KAS-it, synojnë jo vetëm të vënë në dyshim legjitimitetin e denoncimeve të KRIIK dhe integritetin e organizatës, por edhe të përçojnë një mesazh dekurajues për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, median dhe qytetarët, duke i etiketuar si vegla të opozitës nëse adresojnë problematika me integritetin zgjedhor.
Për më tepër, kur ky sulm nuk është një rast i izoluar, por një vazhdimësi e një qasjeje ku kritikat publike ndaj politikanëve, qeverisë, apo institucioneve publike tentohet të heshten përmes retorikës së intimidimit dhe delegjitimimit.
Të tilla sulme janë një strategji e qartë për të kontrolluar narrativën publike dhe për të penguar raportimin e pavarur mbi shkeljet e ligjit dhe fakti që intensifikohen në prag të zgjedhjeve, duken të ketë për qëllim minimizimin e mbikëqyrjes dhe reduktimin e transparencës.
Në këtë kuadër, KRIIK kujton se në dhjetor të vitit të shkuar, Komisionit i Venecias është shprehur se vëzhguesit zgjedhorë janë mbrojtës të të drejtave të njeriut, duke theksuar se një shoqëri civile aktive dhe e pavarur është thelbësore për mbrojtjen e integritetit zgjedhor dhe për funksionimin e një demokracie të shëndetshme.
Në përfundim të Qëndrimit Publik, KRIIK i bën thirrje Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit që të distancohen publikisht nga deklaratat dhe qëndrimi i Deputetit Naço, duke garantuar mbështetjen për një mjedis të sigurt dhe të lirë për veprimtarinë e organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura.
Në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje OSBE-së, Këshillit të Europës, përfaqësive diplomatike të vendeve partnere të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që të ndjekin me vëmendje situatën parazgjedhore në Shqipëri dhe të reagojnë ndaj këtyre praktikave tejet shqetësuese për të ardhmen e demokracisë dhe të lirive e të drejtave të njeriut.
Qëndrim Publik
Deklaratat intimiduese ndaj KRIIK dhe KQZ-së prej Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, shqetësim në rritje për sjelljen e maxhorancës socialiste ndaj zërit të pavarur e kritik të shoqërisë civile dhe Institucioneve të Pavarura
Në referimin e tij të parë gjatë seancës së KAS, prej 4 minutash, në mbrojtje të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndaluar me vendim[1] të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), pas denoncimit[2] të bërë prej KRIIK si ligj që bie në kundërshtim me nenin 91 të Kodit zgjedhor për afatet e miratimit të tij, z. Naço, në vend që të argumentonte ligjërisht rrëzimin e Vendimit të KSHZ, u morr me KRIIK si denoncues duke e përmendur plot 5 herë atë, me Komisionerin duke ironizuar vendimin e tij, si dhe me vetë KAS-in duke e sfiduar paraprakisht disa herë vendimmarrjen e tij si pjesë të qëllimeve të KRIIK e të opozitës, e rrjedhimisht edhe duke e orientuar atë[3].
KRIIK ishte prezent në seancë në vijim të monitorimit të pandërprerë që i bëhet veprimtarisë së KQZ-së prej më shumë se një dekade, përpos monitorimit në tërësi të situatës parazgjedhore dhe të gjithë zhvillimeve të tjera institucionale e politike që afektojnë integritetin e zgjedhjeve, konsolidimin e zbatimit të ligjit dhe të ndërtimit të shtetit ligjor e të së drejtës.
Ndërsa për veprimtarinë, performancën dhe vendimmarrjet e KQZ-së, përfshirë trajtimin e denoncimeve të KRIIK, do të publikohen Raporte të Posaçme Monitorimi në vijim, shihet e domosdoshme që të sillen në vëmendje të Opinionit të gjerë Publik, e veçanërisht të të gjithë Aktorëve Vendas e Ndërkombëtarë, shqetësimet serioze, të cilat gjykohet se mbarten nga kjo ngjarje e ndodhur në sallën e mbledhjeve të KQZ-së nën petkun e përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë e që renditen më poshtë:
Në parantezë bëhet me dije se Raportet e fundit të ODIHR, sikurse edhe të KRIIK, konstatojnë problemin madhor të shpërdorimit të burimeve publike në zgjedhje, ndaj KRIIK po i kushton vëmendje të veçantë pikërisht funksionimit të mekanizmit të parashikuar nga ligji, duke e parë atë në kuptimin e plotë e të gjerë të parashikuar prej tij, pra jo thjesht si një mekanizëm i shpërdorimit të burimeve shtetërore, në kuptimin material apo financiar, sikurse tentohet të keqinformohet publiku prej disa aktorëve të maxhorancës, por edhe në kuptimin e përdorimit të funksionit publik dhe autoritetit shtetëror për të krijuar avantazh elektoral për partinë në pushtet.
Për më tepër, KRIIK po përpiqet të monitorojë e minimizojë edhe përdorimin e burimeve publike si një formë të drejtpërdrejt të orientimit, intimidimit apo edhe shantazhit politik që iu bëhet qytetarëve përpara zgjedhjeve, sikurse konsideron edhe miratimin e projekt-ligjit në fjalë prej Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë mision të tij, KRIIK është duke mbështetur fort KQZ-në dhe duke u përpjekur të nxisë rolin që duhet të luajë ky Institucion në përmbushje të detyrimeve të Kodit Zgjedhor.
Në këtë kuptim, KRIIK paraqet tipologji të ndryshme shkeljesh, duke i plotësuar me fakte dhe interpretim të plotë të ligjit, por duke i kërkuar KQZ-së që këto denoncime t’i marrë si indicie, pasi gjykon se duhet të jetë vetë KQZ-ja që të nisë dhe të kryejë një hetim të plotë administrativ, sikurse edhe ligji parashikon.
Në këtë kuadër është bërë edhe denoncimi i bërë lidhur me projektligjin nr. 81/2020, i cili ishte ende duke u diskutuar në komisionet parlamentare dhe pritej të miratohej në periudhën e ndaluar nga ligji, pasi ofron përfitime të drejtëpërdrejta për kategori të caktuara të popullsisë, konkretisht të atyre që vuajnë dënimin në sistemin peniteciar në vend.
Së pari, konsiderohet si tejet shqetësuese vijimësia e maxhorancës për të zhbërë tërë kuadrit rregullator ligjor që pengon përdorimin e burimeve publike në funksion të partive politike, veçanërisht të partisë politike në pushtet, Partisë Socialiste.
Kjo qasje është parë në interpretime të ndryshme që i bëhen ligjit larg të vërtetës, çka është konstatuar edhe në qëndrimet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, administratës së tij dhe vetë Deputetëve të maxhorancës, qofshin këta edhe Drejtues të Komisioneve të përhershme në Kuvend, të cilët konsiderojnë favorizim vetëm përfitimet financiare dhe kur efektet e zbatimit të ligjit për to janë të menjëhershmee përfitohen vetëm brenda 4-mujorit përpara datës së zgjedhjeve, pra nga data 11 janar – 11 maj 2025, çka përbën një interpretim tërësisht të gabuar dhe të kundërligjshëm.
Për fat të keq, kjo qasje jo korrekte dhe e shtrembëruar aplikohet edhe nga shumica e anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), megjithëse janë një ndër Organet Drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët ligji i ngarkon për të kundërtën. Dy vendimmarrjet e fundit të tyre, pa llogaritur ato të viteve të mëparshme, janë në rastin më të mirë një kuptim dhe aplikim jo i drejtë i ligjit, në favor të maxhorancës në pushtet.
Lidhur me këtë shqetësim, sillet në vëmendje se kuadri ligjor aktual u përmirësua pas dakordësisë politike të arritur në 5 qershor 2020, ku shpërdorimi i burimeve shtetërore ishte një nga problemet më madhore që u adresuan.
Kuvendi i Shqipërisë me miratimin e tërë paketës ligjore (Kodit Zgjedhor) lidhur me këtë çështje me synimin për të siguruar parimin e barazisë në zgjedhje, shkoi deri aty sa parashikoi në Kod kufizimin e vetvetes duke ndaluar në të ardhmen propozimin, miratimin ose nxjerrjen e akteve ligjore edhe nga vetë Kuvendi, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë gjatë periudhës katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve (neni 91, pika 4 e Kodit Zgjedhor).
Për këtë qëllim Kodi (neni 91, pika 5) përcaktoi se KQZ-ja nxjerr udhëzime të hollësishme për të përcaktuar përdorimin dhe shpërdorimin e burimeve publike, të cilat u detajuan në vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator (KRR) të saj.
Ky i fundit në zbatim të Kodit, ngarkoi si përgjegjës drejtpërdrejtë Kryetaren e Kuvendit dhe Sekretarin e Këshillit të Ministrave (në rastin e miratimit të Vendimeve të Këshillit të Ministrave). Në këtë Vendim, në nenin 3 pika 5 përcaktohet se: “Në zbatim të ndalimit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave marrin masa për të mos vendosur ose propozojnë të mos vendosen në rend të ditës të institucioneve respektive për shqyrtim dhe miratim, aktet e përmendura në pikën 3 të këtij neni”.
Aktet të cilat ndalohen nga ligji janë të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., ku bazuar në tërë kuadrin rregullator në fuqi, me “etj.” konsiderohen edhe akte të tjera që sjellin një favorizim apo dhe premtime për favorizim, me efekt të menjëhershëm apo të mëvonshëm pas zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, ligji përcakton qartë se periudha kohore kur ndalohet propozimi apo miratimi i akteve, qofshin këto me përfitime të drejtëpërdrejta apo me premtime për të tilla, i aplikuar për këto zgjedhje, përfshin periudhën nga data 11 janar 2025 deri më shtator 2025, kur pritet të miratohet Qeveria e re nga Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Po ashtu, Kodi Zgjedhor, si një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, parashikon edhe rastet se kur mund të miratohen akte të kësaj natyre. Sipas tij, Kuvendi mund të propozojë e miratojë akte të tilla vetëm në rastet kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.
Së dyti, konsiderohet tejet shqetësues qëndrimi sfidues i maxhorancës ndaj zbatimit të ligjit dhe ai intimidues ndaj Institucioneve të Pavarura.
Qëndrimi i Kuvendit të Shqipërisë, administratës së tij dhe i disa Deputetëve të maxhorancës socialiste, përfshirë drejtues komisionesh parlamentare, në kundërshtim me parashikimet e ligjit, duke e sfiduar atë dhe intimiduar pavarësinë në vendimmarrje të Institucionit të KQZ-së, është një qëndrim në vijimësi[4] dhe alarmant për zbatimin prej tyre të ligjit zgjedhor dhe akteve nënligjore të KQZ-së.
Situata e pazakontë e vijimit të punimeve të Parlamentit aktual deri në fund të Korrikut 2025, ndërkohë që në Maj zgjidhet Parlamenti i ri sikurse Kodi Zgjedhor parashikon, nga njëra anë, dhe qasja moszbatuese e ligjit për mos shpërdorimin e funksionit publik në dobi të interesave të maxhorancës në pushtet apo grupeve të caktuara të saj, nga ana tjetër, jep mundësinë e krijimit të një shtegu paligjshmërie dhe papërgjegjshmërie të rrezikshme për funksionimin normal të parlamentit dhe të një shteti demokratik e ligjor në periudhën e mbetur të mandatit të kësaj legjislature, përfshirë periudhën parazgjedhore të mbetur.
KRIIK ka kritikuar disa herë[5] pamundësinë e Parlamentit për të funksionuar normalisht dhe përmbushur e ushtruar detyrat e tij, sikurse Kushtetuta e Ligji parashikon.
Kjo mënyrë funksionimi ka krijuar ndërkohë një klimë shpesh arbitrare e prepotente të maxhorancës në Parlament e jashtë saj, një sjellje e papranueshme e cila duket se është shtrirë edhe më tej, duke çuar në një klimë tejet të polarizuar në vend e në qasje kërcënuese e intimiduese, sikurse edhe deklarimet e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë në seancën së hënës në sallën e KQZ-së.
Fakti që z. Naço përpos se deputet në disa legjislatura, është një jurist me përvojë dhe një ish-Ministër i Drejtësisë e bën akoma më të rëndë ndërhyrjen intimiduese të tij në seancën e KAS-it në KQZ, ndërkohë që ishte aty edhe si përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë, pasi ai personalisht nuk ishte palë në proces.
Deklarimi i tij se “… nuk do të doja të zgjatesha edhe në lidhje me vendimin që është marrë nga Komisioneri. Kur në ligj parashikohet që merr vendime, urdhra dhe udhëzime. Komisioneri ka dhënë rekomandim. Tani ta hapim fjalorin dhe të shohim se kush është udhëzimi e rekomandimi. Unë besoj që nuk dua të merrem me këto terma. …”, është i papranueshëm, në gjykimin e KRIIK, pasi gjykon dhe ironizon aftësinë dhe vendimmarrjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve pa u marrë aspak me përmbajtjen e vendimit që ishte ankimuar, ndërkohë që nga ana tjetër i jepet mesazh dhe i tërhiqet vëmendja për “një vendimmarrje të duhur” edhe anëtarëve të KAS.
Po ashtu Deklarimet e përsëritura të tij ndaj anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) se “… dhe nëse ju do e miratoni sot, mundësi që të kalojë nuk ka. Ia ka arritur qëllimit. Mund të them që, atë që s’e bëri opozita e ka bërë KRIIK-u si levë ritransmesioni.
… Vendimi juaj si do të jetë nuk ka më efekte. KRIIK-u ia ka arritur qëllimeve.
… Është në vlerësimin tuaj për të marrë vendimin e duhur, por thashë, vendimi juaj si do që të jetë, KRIIK-u ia ka arritur qëllimit. …”, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, në gjykimin e KRIIK, pasi nuk janë gjë tjetër veçse mesazhe ndaj anëtarëve të KAS për të ulur rolin dhe dobinë e vendimmarrjes së tyre, duke nxitur nga ana tjetër reagimin e kundërt tek ata për të marrë “vendimin e duhur” dhe për të mos rënë edhe ata në shërbim të opozitës apo qëllimeve të KRIIK-ut, i cili tashmë, sipas z. Naço, është bërë vegël e opozitës.
Ndërkohë që z. Naço kishte shkuar në seancë për të ankimuar vendimin/rekomandimin e ndalimit të projekt-ligjit të Komisionerit, e quan pa dobi çfarëdolloj vendimmarrjeje të KAS, pasi, sipas tij tashmë “mundësi që të kalojë [projekt-ligji] nuk ka”.
Ky qëndrim i z. Naço, pak minuta më vonë ndryshon tërësisht. Në përgjigje të pyetjes[6] së bërë nga një prej anëtarëve të KAS, se a janë ndërprerë seancat plenare, meqë sipas tij do të shtyhet tanimë miratimi i këtij projektligji për parlamentin tjetër, ai përgjigjet se “nuk e thashë në këtë kuptim. Ne mund të kemi një apo dy seanca sipas kalendarit, pastaj ndërpritet parlamenti për të kaluar në fushatë elektorale. Do kthehemi në datë 20 maj, do vazhdojë deri në fund të korrikut. Nuk thashë që do të jetë për parlamentin tjetër. Do shtyhet për këto kohë. …”, duke faktuar kështu qasjen e qëllimtë dhe intimiduese të tij me deklarimet e mëparshme të bëra.
Po ashtu, konsiderohet totalisht e papranueshme dhe absurde që vetë z. Naço pranon hapur e qartë se me këtë projektligj mund të orientohet dhe drejtohet vota e 20 apo 50 të dënuarve, por kjo gjë nuk paraqet problem për të, pasi, sipas tij, nuk ndikon që të fitojë ose jo maxhoranca zgjedhjet.
Në mënyrë të qëllimshme këtë konstatim ai ua drejton paraprakisht anëtarëve të KAS për t’i paraprirë e stopuar çdo interpretim të mundshëm të kësaj natyre prej ndonjë prej anëtarëve të tij. Konkretisht ai deklaroi se “… shqetësimet e tyre [të KRIIK] që me 20 apo 50 të dënuar mund të përfitojë maxhoranca, të fitojë zgjedhjet është për të ardhur keq, …”, ndërkohë që ky deklarim nuk është bërë në asnjë rast prej KRIIK.
Së treti, konsiderohet tejet shqetësuese intimidimi i shpeshtë ndaj qasjes kritike të aktorëve të shoqërisë civile, veçanërisht ndaj medias dhe organizatave joqeveritare.
Intimidimi haptazi prej Kreut të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, në sallën e mbledhjeve të KQZ-së, përpara Trupës Drejtuese të KQZ-së kompetente për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit, i një organizate të akredituar si vëzhguese[7], me përvojë shumëvjeçare në monitorimin e integritetit të zgjedhjeve, sidomos në denoncimin e shkeljeve të ligjit lidhur me shpërdorimin e burimeve publike dhe financimin e fushatave zgjedhore e partive politike, konsiderohet alarmant, veçanërisht për mesazhet dekurajuese dhe frikësuese që përcillen ndaj pjesëmarrjes së qytetarëve si denoncues të shkeljes së ligjit, duke ulur më tej besimin e tyre ndaj ligjzbatimit dhe funksionimit të duhur të institucioneve.
I gjithë deklarimi i bërë i z. Naço në seancën e KAS, në gjykimin e KRIIK, përbën një mesazh të qëllimtë e shumë kuptimësh tepër shqetësues, ndërkohë që vjen pas publikimit të deklaratës[8] së KRIIK për domosdoshmërinë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë me integritet të plotë moral e profesional për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.
Deklarimi se “… dua të them që KRIIK-u ia ka arritur qëllimit, mundi ta shtynte këtë projektligj. Dhe nëse ju do e miratoni sot, mundësi që të kalojë nuk ka. Ia ka arritur qëllimit. Mund të them që, atë që s’e bëri opozita e ka bërë KRIIK-u si levë ritransmesioni, se nuk doli opozita por doli KRIIK-u që ta ankimonte. …” përbën një intimidim të qartë e të drejtpërdrejtë ndaj KRIIK, por jo vetëm.
Akuzat e z. Naço ndaj motiveve të KRIIK për ngritjen e denoncimit, përveçse totalisht spekulative, të paargumentuara, duke injoruar qartas qasjen e vazhdueshme kritike dhe kërkuese të KRIIK për ligjzbatim dhe standarde ndaj procesit zgjedhor dhe gjithë institucioneve dhe subjekteve të përfshira në të, të cilësdo forcë politike, për të cilat z. Naço dhe të gjithë deputetët janë në dijeni, bien edhe në kundërshtim me parimet e një debati demokratik dhe përbëjnë një sulm të pajustifikuar ndaj një organizate të shoqërisë civile, vetëm për shkak se qëndrimet e saj nuk përputhen me ato të personave të veshur me pushtet.
Një retorikë e tillë është alarmante, pasi synon të godasë dhe deligjitimojë organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë një rol kyç në monitorimin e proceseve demokratike dhe në mbikëqyrjen e integritetit të institucioneve shtetërore.
KRIIK ka ngritur edhe më parë shqetësimin për sulmet ndaj aktorëve të shoqërisë civile, veçanërisht ndaj atyre që merren me vëzhgimin e proceseve zgjedhore, ku “…ka sjellë në vëmendje të opinionit publik në vend, sidomos të aktorëve institucionalë e vendimmarrës, se pengesat në ushtrimin e misionit të organizatave vëzhguese, të mosbërjes transparencë dhe shkeljes së vazhdueshme të ligjit, apo intimidimi në forma nga më të ndryshmet, parë kjo veçanërisht nën dritën e patronazhimit masiv të ngritur në administratën shtetërore e gati në tërë shoqërinë shqiptare, po zbeh gjithnjë e më shumë hapësirat demokratike dhe […] minon transparencën dhe legjitimitetin e zgjedhjeve, duke cenuar lirinë dhe pavarësinë e organizatave që punojnë për interesin publik.”[9]
Raporti i Komisionit të Venecias “Vëzhguesit zgjedhorë si mbrojtës të të drejtave të njeriut” i dhjetorit 2024[10], i cilëson organizatat që monitorojnë zgjedhjet si mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe kontributin e tyre si thelbësor për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore.
Opinioni thekson se një shoqëri civile e lirë dhe aktive është një element kyç për një demokraci funksionale, duke ndihmuar në rritjen e transparencës, pjesëmarrjes qytetare dhe në evidentimin e parregullsive.
Për këtë arsye, çdo formë intimidimi apo delegjitimimi ndaj tyre përbën një kërcënim serioz për standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Konsiderohet veçanërisht shqetësuese që një diskurs i tillë ndodh në prag të zgjedhjeve, duke thelluar më tej frymën e polarizimit politik dhe duke krijuar një klimë frikësimi për organizatat që kanë mision mbrojtjen e demokracisë dhe të të drejtave të qytetarëve.
Qasja e përdorur nga partitë politike, dhe në veçanti nga përfaqësues të maxhorancës, reflekton një prirje të rrezikshme për të delegjitimuar çdo zë kritik, duke e trajtuar automatikisht si kundërshtar politik.
Kjo nuk është vetëm një përpjekje për të heshtur shoqërinë civile, por edhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj proceseve demokratike dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Sulmet ndaj organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht atyre që monitorojnë zgjedhjet dhe institucionet shtetërore, janë një praktikë e papranueshme në një shtet demokratik.
Në këtë situatë, konsiderohet e domosdoshme që aktorët politikë, veçanërisht maxhoranca socialiste, të ndalojnë retorikën përçarëse dhe sulmet ndaj shoqërisë civile, si dhe të angazhohen në një debat të hapur, të argumentuar dhe të bazuar në fakte.
Respektimi i pluralizmit të mendimeve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për aktorët e shoqërisë civile janë thelbësorë për funksionimin dhe të ardhmen e një demokracie të vërtetë e të shëndoshë.
Në përfundim të këtij Qëndrimi Publik, KRIIK i bën thirrje Kryetares së Parlamentit Sh.S.Znj. Elisa Spiropali që, në emër të saj e të Kuvendit të Shqipërisë, të distancohet publikisht nga qëndrimi dhe deklarimet intimiduesese të bëra nga Deputeti Naço, duke shprehur mbështetjen për funksionimin e duhur e të pavarur të Institucionit të KQZ-së dhe për rolin e aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të angazhohet në mënyrë pro-aktive për të siguruar zbatimin korrekt të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit nr. 9 të KRR të KQZ-së lidhur me aktet ligjore që parashikohen të miratohen nga Kuvendi deri në fund të këtij sesioni të fundit parlamentar.
Ndërsa vlerëson iniciativën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama për marrjen në konsideratë të propozimit të KRIIK për miratimin e VKM[11]-së për marrjen e masave për monitorimin e sjelljes së administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor, i bëhet thirrje dhe i kërkohet që, si Kreu i Maxhorancës Socialiste dhe i Qeverisë, të distancohet publikisht nga qëndrimi dhe deklarimet intimiduesese të bëra nga Deputeti Naço, duke shprehur mbështetjen për funksionimin e duhur e të pavarur të Institucionit të KQZ-së dhe për rolin e aktorëve të shoqërisë civile, si dhe të angazhohet në mënyrë pro-aktive për të siguruar zbatimin korrekt e të duhur të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit nr. 9 të KRR të KQZ-së nga Anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe Sekretari i Përgjithshëm i tij, si dhe lidhur me aktet që parashikohen të miratohen nga qeveria deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve.
Gjithashtu, KRIIK i bën thirrje Zyrës së OSBE-së dhe Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, të mbajnë qëndrim e të reagojnë lidhur me këto deklarime intimiduesese të Deputetit Naço, si dhe lidhur me situatën në tërësi të qasjes intimiduese ndaj zërave të pavarur e kritikë prej aktorëve të shoqërisë civile.
Po ashtu, i bëhet thirrje aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Delegacionit të Bashkimit Europian, si dhe Trupit Diplomatik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të ndjekin me vëmendje situatën parazgjedhore dhe shqetësimet e ngritura mbi domosdoshmërinë e respektimit të ligjit dhe standardeve demokratike në procesin zgjedhor, si dhe të vlerave më të mira të lirisë dhe demokracisë euro-atlantike.
Tiranë, më 13 Mars 2025!
[1] Vendimi nr. 117, datë 19.02.2025 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për shqyrtimin administrativ, bazuar në denoncimin me nr. 6 ID, datë 11.02.2025, të regjistrit të denoncimeve, të Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara/KRIIK”.
[2] Për më shumë në lidhje me denoncimin e KRIIK dhe argumentet e sjella në të, shih Denoncimin nr. 2 “Lidhur me Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave për dhënien e mendimit mbi të”, datë 07.02.2025.
[3] Pretendimet e Z. Naço në mbledhjen e Komisionit për Ankesa dhe Sanksione (min. 21:12–24:58 e videos):
“… Ajo që mund të them dhe që kam dashur që ky projektligj të kalonte para vitit të kaluar, ne në Kodin Penal kemi edhe gjysmë lirinë i cili është parashikuar tek ligji numër 81/2020 “Për trajtimin e të dënuarve”, por nuk kemi asnjë rast nga gjykata që të japë në vitet fundit vendime me gjysmëliri. Gjithashtu nëse ne mbajmë këtë projektligj të pandryshuar, janë rreth 500 të dënuar të cilët duhet të ishin tek burgu i sigurisë së ulët, por rrinë tek burgu i sigurisë së zakonshme. Kjo më shumë ka të bëjë me të drejtat e liritë themelore të njeriut se sa ka ndërhyrje apo përfitime nga ana ime apo nga maxhoranca për efekte elektorale. E para projektligji është depozituar që më 23 dhjetor, pra po ta marrim me vit kalendarik, një vit përpara. Ka qenë e disata herë nga ana ime si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duke i bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kur miratohesh buxheti, që kërkonin vazhdimisht fonde, dhe nëse s’do të ndërhynin do të ndërhynim ne një grup deputetësh. Kushtetuta parashikon që një grup deputetësh mund të propozojnë nismë ligjvënëse. Në përputhje me Kushtetutën, me Rregulloren e Kuvendit, kam propozuar këtë projektligj në Kuvend. Është bërë para afatit që ndalohet nga ligji, nuk ka përfitime, ato që përcakton në ligj. Po ta bëjmë interpretim pastaj, po të shprehim kategori të caktuara, dhe e lëmë mbrapa pa i thënë se kush përfiton, më vjen keq, por nuk do të doja të zgjatesha në këtë drejtim. Nuk do të doja të zgjatesha edhe në lidhje me vendimin që është marrë nga Komisioneri. Kur në ligj parashikohet që merr vendime, urdhëra dhe udhëzime. Komisioneri ka dhënë rekomandim. Tani ta hapim fjalorin dhe të shohim se kush është udhëzimi e rekomandimi. Unë besoj që nuk dua të merrem me këto terma. Them që është brenda afatit ligjor, nuk ka përfitime që ë ligji. Megjithatë dua të them që KRIIK-u ia ka arritur qëllimit, mundi ta shtynte këtë projektligj. Dhe nëse ju do e miratoni sot , mundësi që të kalojë nuk ka. Ia ka arritur qëllimit. Mund të them që, atë që s’e bëri opozita e ka bërë KRIIK-u si levë ri-transmesioni, se nuk doli opozita por doli KRIIK-u që ta ankimonte. Shqetësimet e tyre që me 20 apo 50 të dënuar mund të përfitojë maxhoranca, të fitojë zgjedhjet është për të ardhur keq, apo mund të humbasë dhe opozita. Unë mendoj që ky vendim duhet të ishte marrë në kohë në përputhje me ligjin. Kaq. Vendimi juaj si do të jetë nuk ka më efekte. KRIIK-u ia ka arritur qëllimeve. Duhet ta falënderoj që e shtyti në kohë që ne mund të paguajmë edhe më shumë për vitin që vjen, se do kohë nisma ligjore që të implementohet për të hyrë në fuqi. Ajo që mund të them që tek burgu i hapur, dispozita parashikon deri në 6 muaj. Nuk ka mundësi. Kam bërë një analizë të hollësishme bashkë me Institutin e Kërkimit Shkencor në Parlament, dhe më duhet tu them që në gjashtë muaj kërkesa që është sot, duhet 80 ditë që t’i pranohet ose t’i rrëzohet kërkesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nga Komisioni. Për 80 ditë mund të iki në Amerikë, mund të bëjë një xhiro rreth botës. Prandaj e kam kërkuar dhe nuk ka të bëjë me efekte ekonomike, por ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të këtyre të dënuarve që u cënohen vazhdimisht këto të drejta. Pra ne sot, si ai që është dënuar dhe vuan dënimin për një vit dhe ai që është dënuar për 20 vjet, rri në të njëjtin regjim, sepse nuk bëhet e mundur pa bërë këto ndryshime ligjore. Është në vlerësimin tuaj për të marrë vendimin e duhur, por thashë, vendimi juaj si do që të jetë, KRIIK-u ia ka arritur qëllimit. Faleminderit”.
[4] “ … Mosreagimi ndaj kësaj shkelje, nuk është gjë tjetër veçse një ftesë për të gjithë Deputetët e Kuvendit për të vijuar këtë praktikë, duke mos respektuar dhe shkelur vendimet e KQZ-së, duke sfiduar kështu ligjin, Institucionin si dhe tërë mekanizmin parandalues të shpërdorimit të burimeve shtetërore të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. …”. Për më shumë shih Letrën e Hapur “Kuvendi i Shqipërisë të mbështesë Institucionin e KQZ-së në zbatimin e ligjit për të parandaluar shpërdorimin e burimeve shtetërore”, të publikuar më datë 31.03.2023.
[5] Shih për më shumë publikimet e KRIIK në vitet 2022, 2023, 2024.
[6] Pyetja e z. Rusmaili: “Fati i këtij projektligji me sa duket, thoni ju, nuk do të zgjidhet para zgjedhjeve, do të jetë një çështje që do t’i përkasë parlamentit që vjen. Kjo për shkak se janë ndërperë seancat plenare?”
[7] Akredituar me vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 72, datë 10.02.2025.
[8] “… është jetike për të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian që asnjë forcë politike të mos përfshijë në listat e kandidatëve individë me të kaluar problematike me ligjin ose të lidhur me të tillë individë apo me veprimtari të tjera që cënojnë besimin e publikut, individë që janë nën ndikimin e personave që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, që kanë qenë pjesë apo bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist, që janë larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut apo i janë shmangur atij, si dhe individë që kanë shkelur apo janë në konflikt me ligjin në vendet partnere të Shqipërisë. …”.
Për më shumë shih Deklaratën “Partitë Politike të angazhohen seriozisht për të kandiduar për Deputetë vetëm individë me integritet të lartë moral dhe profesional, si dhe për një fushatë zgjedhore të ndershme, të përgjegjshme dhe substanciale”, të publikuar më datë 05.03.2025.
[9] Shih Deklaratën e KRIIK “Autoritetet shtetërore të ngrenë zërin ndaj cenimit të të drejtave civile dhe politike të qytetarëve”, të publikuar më datën 15 janar 2024.
[10] Komisioni i Venecias. “Raport mbi Vëzhguesit zgjedhorë si mbrojtës të të drejtave të njeriut.” CDL-AD(2024)039-e, 2024. Miratuar nga Këshilli për Zgjedhje Demokratike në mbledhjen e tij të 81-të (Venecia, 5 dhjetor 2024) dhe miratuar nga Komisioni i Venecias në Sesionin e tij të 141-të Plenar (Venecia, 6-7 dhjetor 2024).
[11] Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 122, datë 26.02.2025, “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme për vitin 2025”, publikuar më 06.03.2025 në Fletoren Zyrtare Nr. 46, viti 2025.