Shkarko Deklaratën në pdf
NJOFTIM PËR SHTYP
Në datën 24 korrik 2024, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) publikoi DEKLARATËN “Mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, qasje e papranueshme dhe tërësisht e dëmshme për ndërmarrjen e reformave jetike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të një demokracie funksionale në vend”.
Në Deklaratë, vërehet se me përfundimin e Sesionit aktual të Kuvendit të Shqipërisë, duket se sërish klasa politike po shkon drejt dështimit të një amendimi të thelluar të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në shkelje të hapur të angazhimeve të marra në vijimësi, e në veçanti përgjatë Legjislaturës aktuale të Kuvendit.
Me sa është bërë me dije publikisht, pritet që Grupi i Dialogut t’i paraqesë Kuvendit një projektligj të dakordësuar për të adresuar dy nga tri vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që ky amendim minimalist dhe që është një detyrim imperativ i Kuvendit të Shqipërisë, po trumbetohet në mënyrë retorike si një marrëveshje dhe arritje politike për reformën zgjedhore.
Në gjykimin e KRIIK, kryesisht ky dështim i faturohet maxhorancës aktuale, e cila në vijimësi ka refuzuar të vijojë angazhimet e ndërmarra në qershor të vitit 2020, me Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, madje duke ridikulizuar tashmë edhe çdo referim ndaj saj. Ndërkohë që kjo Marrëveshje, e negociuar nëpërmjet një investimi madhor të partnerëve ndërkombëtarë strategjikë të vendit, vendos një numër piketash konkrete për vijimin e punës dhe reformave, të cilat mbeten të domosdoshme për t’u zbatuar nga aktorët politikë sikurse duhet të jetë administrimi jo-politik i zgjedhjeve të vitit 2025, por jo vetëm.
Ky dështim i radhës për një reformim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në raport me kontekstin në të cilin vendi gjendet aktualisht, angazhimet politike të marra në vijimësi prej aktorëve politikë dhe sjelljen de facto të tyre ndaj këtyrë angazhimeve, përbën një qasje totalisht të papranueshme që ngre shqetësime të forta lidhur me seriozitetin e kësaj klase politike dhe të Kuvendit të Shqipërisë ndaj sfidave më të cilat përballet vendi, përmbushjes së detyrimeve të shtetit shqiptar, si edhe ndaj, çka është dhe mbetet më thelbësore, detyrimit për të garantuar që zgjedhësit shqiptarë të mund të votojnë plotësisht të lirë e të pandikuar dhe që vullneti i tyre të respektohet katërcipërisht.
Në vijim të Deklaratës, theksohet se Klasa Politike shqiptare në më shumë se një rast e ka treguar se, kur ka vullnet politik dhe arrihet një konsensus, amendimet konkrete ligjore mund të realizohen në një kohë mjaft të shkurtër.
KRIIK beson se po kjo klasë politike nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe Kuvendi i Shqipërisë i kanë të gjitha mundësitë dhe mjetet që të kryejë amendimet e duhura për Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 me synimin madhor për të forcuar integritetin e zgjedhjeve e të demokracisë në vend.
Kjo kërkon adresimin e menjëhershëm të problematikave madhore negative që afektojnë këtë integritet, por, ne veçanti, KRIIK thekson me forcë se, së pari dhe në thelbin e vet, kjo reformë zgjedhore do të duhet të synojë e garantojë se partia dhe shteti janë qartësisht të ndara, në përputhje me paragrafin 5.4. të Dokumentit të Kopenhagës dhe me aspiratat e një shteti ligjor e të së drejtës, e të një demokracie të konsoliduar.
Deklarata thekson se Aktorët politikë, në mënyrë të veçantë përfaqësuesit më të lartë të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, nevojitet të bëjnë dhe zhvillojnë më tej mënyrën e të bërit politikë, duke jetësuar rrugën e dialogut politik dhe kompromisit të nevojshëm, në përmbushje të përgjegjësive dhe angazhimeve publike të marra përsipër
Në përfundim të Deklaratës, KRIIK i bën thirrje, së pari lidershipit të maxhorancës socialiste, por edhe të opozitës, që të angazhohen në dialog në mënyrë konstruktive dhe të hapur, duke evituar retorikën boshe politike dhe zgjidhjet afatshkurtra, të cilat pavarësisht se mund të duken pragmatiste dhe eficiente në një moment kohor, shkatërrojnë themelet e demokracisë liberale, dialogun politik dhe gjithëpërfshirjen.
U bëhet thirrje gjithashtu aktorëve ndërkombëtarë, specifikisht partnerëve strategjikë të vendit në rrugëtimin drejt vlerave të demokracisë euro-atlantike, që, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës, të jenë të vëmendshëm dhe të reagojnë ndaj dështimit të radhës së reformimit të kuadrit ligjor mbi zgjedhjet, si dhe të mbështetin edhe më shumë politikisht aktorët vendas që punojnë drejt forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor e të së drejtës, si institucionet publike të pavarura në radhë të parë, por po aq edhe aktorët e pavarur të shoqërisë civile.
Në përmbyllje, KRIIK u bën thirrje të gjithë aktorëve të tjerë, qoftë ata ndërkombëtarë, qoftë ata vendas, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të botës akademike, etj., që të mbajnë qëndrim kritik e konstruktiv duke kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë e çdo deputet, veçanërisht nga mazhoranca aktuale, një proces dialogu dhe politikëbërjeje gjithëpërfshirëse, për të adresuar sa më parë dhe në kohë problematikat madhore me përmirësimin e kuadrit ligjor për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025.
Dokumenti i plotë si tekst mund të lexohet më poshtë, ndërsa në formatin .pdf mund të shkarkohet KËTU.
Tiranë, më 24 Korrik 2024!
D E K L A R A T Ë
Mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, qasje e papranueshme dhe tërësisht e dëmshme për ndërmarrjen e reformave jetike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të një demokracie funksionale në vend
Kjo javë shënon javën e fundit të Sesionit VI të Legjislaturës X të Kuvendit të Shqipërisë[1], duke shkuar sërish drejt dështimit të një amendimi të thelluar të kuadrit ligjor për zgjedhjet, në shkelje të hapur të angazhimeve të marra në vijimësi nga klasa politike, në veçanti përgjatë Legjislaturës aktuale të Kuvendit.
Me sa është bërë me dije publikisht, Grupi i Dialogut, ngritur në datë 15 mars 2024[2], pas dështimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore[3] për të kryer reformën zgjedhore, pritet t’i paraqesë Kuvendit një projektligj të dakordësuar[4] për të adresuar dy nga tri[5] vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese, mundësimin e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit[6] dhe mënyrën se si do të përthyhet vota preferenciale[7].
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka ende një produkt ligjor të dakordësuar të dorëzuar në Kuvend dhe nga deklarimet publike[8] duket se projektligji, nëse do të ketë dakordësi për një të tillë, do të paraqitet në momentet e fundit, duke mos mundësuar diskutim e konsultim publik, në kundërshtim me atë që kërkon një proces kaq i rëndësishëm siç është ndryshimi i rregullave për procesin zgjedhor.
Në vazhdën e traditës së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore të ngritur në vitin 2022, apo të të tjera reformave të tentuara më parë dhe të dështuara, edhe puna e Grupit të Dialogut, megjithëse i ngritur mbi premisat e një dakordësie politike, u karakterizua nga mungesa e vullnetit politik për të adresuar problematikat madhore që vërehen me integritetin e zgjedhjeve në vend, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, apo të aktorëve vendas që vëzhgojnë e vlerësojnë procesin zgjedhor.
Përgjatë gjithë periudhës së aktivitetit të këtij Grupi u vërejtën të njëjtat forma të fajësimit të kundërshtarëve politikë për mungesën e vullnetit dhe bllokimin e procesit, nga të gjitha palët e përfaqësuara, duke shkelur kësisoj angazhimet e ndërmarra nga lidershipi politik për një reformim të plotë të kuadrit ligjor mbi zgjedhjet, çka do të kërkonte ndryshime të qenësishme jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në ligje të tjera, si Ligji për Partitë Politike, Ligji për Nëpunësin Civil, një ligj i dedikuar për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, një ligj për referendumet, etj.
Në gjykimin e KRIIK, kryesisht ky dështim i faturohet maxhorancës aktuale, e cila në vijimësi ka refuzuar të vijojë angazhimet e ndërmarra në qershor të vitit 2020, me Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, madje duke ridikulizuar tashmë edhe çdo referim ndaj saj[9]. Ndërkohë që kjo Marrëveshje, e negociuar nëpërmjet një investimi madhor të partnerëve ndërkombëtarë strategjikë të vendit, vendos një numër piketash konkrete për vijimin e punës dhe reformave, të cilat mbeten të domosdoshme për t’u zbatuar nga aktorët politikë sikurse duhet të jetë administrimi jo-politik i zgjedhjeve të vitit 2025, por jo vetëm.
Në kushtet kur pritet të ketë një dakordësi politike të momenteve të fundit vetëm në lidhje me adresimin e mundësisë së votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe ndryshimin e herësit, siç është bërë më dije publikisht, duket se sërish klasa politike qartazi po shmang qëllimshëm reformën e thelluar zgjedhore, një rekomandim parësor ky i raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, si në Raportin e vlerësimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 2021-it[10], ashtu dhe në atë të 2023-it[11], përveçse edhe prej aktorëve vendorë.
Adresimi i vetëm këtyre dy elementëve po trumbetohet në mënyrë retorike si një marrëveshje dhe arritje politike për reformën zgjedhore, ndërkohë që kjo përbën, as më shumë dhe as më pak, një detyrim imperativ të Kuvendit të Shqipërisë në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Ky dështim i radhës për një reformim të thelluar dhe gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor për zgjedhjet nuk është i pari në historikun e politikës shqiptare, por, në raport me kontekstin në të cilin vendi gjendet aktualisht, polarizimin dhe mungesën e dialogut politik, nevojën për të adresuar në mënyrë urgjente problematikat e shumta me qëllim garantimin e integritetit të zgjedhjeve, angazhimet politike të marra në vijimësi prej aktorëve politikë dhe sjelljen de facto të tyre ndaj këtyrë angazhimeve, përbën një qasje totalisht të papranueshme që ngre shqetësime të forta lidhur me seriozitetin e kësaj klase politike dhe të Kuvendit të Shqipërisë ndaj sfidave më të cilat përballet vendi[12], përmbushjes së detyrimeve të shtetit shqiptar që rrjedhin nga angazhimet e marra në vitin 1999 në Samitin e Stambollit[13], si edhe ndaj, çka është dhe mbetet më thelbësore, detyrimit për të garantuar që zgjedhësit shqiptarë të mund të votojnë plotësisht të lirë e të pandikuar dhe që vullneti i tyre të respektohet katërcipërisht.
Klasa politike shqiptare në më shumë se një rast e ka treguar se, kur ka vullnet politik dhe arrihet një konsensus, amendimet konkrete ligjore mund të realizohen në një kohë mjaft të shkurtër.
KRIIK beson se po kjo klasë politike nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe Kuvendi i Shqipërisë i kanë të gjitha mundësitë dhe mjetet[14] që të kryejë amendimet e duhura për Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025 me synimin madhor për të forcuar integritetin e zgjedhjeve e të demokracisë në vend.
Kjo kërkon adresimin e menjëhershëm të problematikave madhore negative që afektojnë këtë integritet, duke nisur së pari nga ato të përmendura në raportet e vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, por edhe të aktorëve vendorë.
Ritheksohet këtu se problematikat që afektojnë integritetin e zgjedhjeve dhe që kërkojnë ndërhyrje ligjore urgjente shkojnë përtej ndryshimeve që po diskutohen aktualisht, të cilat janë sigurisht imperative dhe madhore, por jo të vetmet.
Të tjera problematika madhore, të cilat njihen edhe mjaft mirë prej vetë forcave politike, shkojnë në thelbin e integritetit të zgjedhjeve, të tilla si blerja e votës dhe presioni e intimidimi ndaj zgjedhësve[15]; garantimi i fshehtësisë së votës[16]; mungesa e barazisë në garë, përfshirë fenomenin e përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral[17]; mungesa e transparencës në financimin politik[18]; etj.
Në këtë pikë, KRIIK thekson me forcë se, së pari dhe në thelbin e vet, kjo reformë zgjedhore do të duhet të synojë e garantojë se partia dhe shteti janë qartësisht të ndara, në përputhje me paragrafin 5.4. të Dokumentit të Kopenhagës[19] dhe me aspiratat e një shteti ligjor e të së drejtës, e të një demokracie të konsoliduar.
Në mënyrë që gjithë sa më sipër të arrihet kërkohet në thelb vullneti politik për dialog dhe kompromis politik midis forcave politike parlamentare të mazhorancës dhe opozitës të mbështetura në parimet kushtetuese dhe vlerat demokratike euro-atlantike, në interesin më të mirë të popullit dhe demokracisë e shtetndërtimit në vend, si dhe larg interesave të ngushta partiake apo personale korruptive[20].
Aktorët politikë, në mënyrë të veçantë përfaqësuesit më të lartë të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë, nevojitet të bëjnë dhe zhvillojnë më tej mënyrën e të bërit politikë, duke jetësuar rrugën e dialogut politik dhe kompromisit të nevojshëm, në përmbushje të përgjegjësive dhe angazhimeve publike të marra përsipër.
KRIIK i bën thirrje, së pari lidershipit të maxhorancës socialiste, por edhe të opozitës, që të angazhohen në dialog në mënyrë konstruktive dhe të hapur, duke evituar retorikën boshe politike dhe zgjidhjet afatshkurtra, të cilat pavarësisht se mund të duken pragmatiste dhe eficiente në një moment kohor, shkatërrojnë themelet e demokracisë liberale, dialogun politik dhe gjithëpërfshirjen.
Në radhë të parë, maxhoranca socialiste, si forca me numrin më të lartë të deputetëve dhe aktualisht në qeverisje, duhet të jetë e gatshme të hyjë në dialog dhe të tregojë se është në gjendje të qeverisë pa ushtruar forcën e numrave në Kuvend në çdo moment dhe për çdo çështje, por të respektojë edhe mendimin e pakicës parlamentare, siç duhet të operojë çdo maxhorancë në një demokraci funksionale.
KRIIK u bën thirrje aktorëve ndërkombëtarë, specifikisht partnerëve strategjikë të vendit në rrugëtimin drejt vlerave të demokracisë euro-atlantike, që, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës, të jenë të vëmendshëm dhe të reagojnë ndaj dështimit të radhës së reformimit të kuadrit ligjor mbi zgjedhjet, si dhe të mbështetin edhe më shumë politikisht aktorët vendas që punojnë drejt forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor e të së drejtës, si institucionet publike të pavarura në radhë të parë, por po aq edhe aktorët e pavarur të shoqërisë civile.
Në përmbyllje, KRIIK u bën thirrje të gjithë aktorëve të tjerë, qoftë ata ndërkombëtarë, qoftë ata vendas, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të botës akademike, etj., që të mbajnë qëndrim kritik e konstruktiv duke kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë e çdo deputet, veçanërisht nga mazhoranca aktuale, një proces dialogu dhe politikëbërjeje gjithëpërfshirëse, për të adresuar sa më parë dhe në kohë problematikat madhore me përmirësimin e kuadrit ligjor për Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025.
Tiranë, më 24 Korrik 2024!
[1] Seancat e fundit e Sesionit VI priten të mbahen ditën e enjte e të premte, datë 25-26 korrik 2024.
[2] Vendim nr. 5, datë 15.3.2024 i Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë.
[3] Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore u ngrit në datë 10 shkurt 2022 dhe në më shumë se dy vjet ekzistencë pas shtyrjes së afatit të veprimtarisë tri herë me nga gjashtë muaj, në asnjë moment nuk konkludoi me një draft-ligjor të dakordësuar i cili të mund të kalonte për votim në Kuvend. Përgjatë periudhës dy vjeçare të ekzistencës së vet, Komisioni pati një aktivitet sporadik, të karakterizuar nga inefektiviteti dhe mungesa e konsensusit politik.
[4] Sipas Kalendarit të Punës së Grupit të Dialogut “Projektligji duhet të depozitohet në Kuvend jo më vonë se data 1 korrik 2024”.
[5] Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 31 datë 04.10.2021, në lidhje me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur konsiderohet i ezauruar me Vendimin përkatës së Gjykatës, i cili shfuqizon, si të papajtueshme me Kushtetutën, fjalinë e dytë të pikës 1 të nenit 162 të Kodit Zgjedhor.
[6] Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 38 datë 09.12.2022.
[7] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 28 datë 30.06.2021.
[8] RTV Ora News “Reforma Zgjedhore/ Gjiknuri: Ende nuk kemi dakordësi, formula jonë më afër asaj që duan shqiptarët”, 19 korrik 2024
[9] Shih fjalën e z. Damian Gjiknuri në seancën e datës 4 korrik 2024 të Kuvendit të Shqipërisë (duke nisur nga min. 2:59:10): “Dhe pyetja e parë që shtrohet këtu, çfarë bëri opozita dhe maxhoranca në këto kohë për të gjetur një kompromis për të adresuar çështje të reformës zgjedhore? Që ju si opozitë me aq ngulm i keni kërkuar, por që asnjëherë nuk ishit të gatshëm që të vinit me një plan, të kishit një ide konkrete, dhe të mos mbeteshit peng i retorikës edhe i kushteve të shkuara. Siç janë ato që fatkeqësisht dëgjojmë herë pas here në televizor, që të rikthehemi tek 5 qershori. Që për mua, unë e kam thënë, është thjesht një datë që s’ka asnjë vlerë historike, një datë kalendarike, s’ka asnjë marrëveshje me karakter juridik.”
[10] Shih Rekomandimin Parësor nr. 1 të Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021.
[11] Shih Rekomandimin Parësor nr. 4 të Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023.
[12] Gjithë sa më sipër, ndërkohë që maxhoranca është aktualisht duke u angazhuar të adresojë disa nga këto sfida nëpërmjet dy komisioneve të fundit ad hoc të ngritura pa praninë e opozitës dhe përkundër shqetësimeve të ngritura nga një numër aktorësh vendas, qoftë mediatikë, qoftë të shoqërisë civile: Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
[13] Dokumenti i Stambollit 1999, 19 nëntor 1999, paragrafi 25. “Ne ri-konfirmojmë detyrimin tonë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me angazhimet e OSBE-së, në veçanti me Dokumentin e Kopenhagës 1990. … Ne pranojmë të ndjekim menjëherë vlerësimet dhe rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet. …”.
[14] Grupi i Dialogut ka në dispozicion një numër rekomandimesh nga aktorë politikë, të shoqërisë civile, ndërkombëtarë, etj., përshi kush janë problemet dhe si mund të adresohen ato. Në momentin që ka vullnet dhe dakordësi politike, në gjykimin e KRIIK procesi i kodifikimit ligjor është i realizueshëm brenda fare pak ditësh.
[15] Shih Rekomandimet Parësore nr. 1 dhe nr. 2 të Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023.
[16] Shih Rekomandimin Parësor nr. 3 të Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023.
[17] Shih Rekomandimin Parësor nr. 5 të Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023.
[18] Shih Rekomandimet nr. 20 dhe nr. 21 Raportit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të MVZ të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023 si dhe Rekomandimet e KRIIK për Financimin e partive Politike dhe subjekteve zgjedhore, dërguar Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore më 4 mars 2024 (pika I.11., faqe 21-24).
[19] Dokumenti i Takimit të Kopenhagës të Konferencës mbi Dimensionin Njerëzor të KSBE-së.
[20] Kjo marrëveshje politike mund të jetë Marrëveshja e 5 qershorit 2020, e cila i hapi rrugën zgjidhjes së krizës politike të tejzgjatur 2019 – 2020 dhe riktheu opozitën në kuadrin institucional, apo një marrëveshje tjetër e re, përsa kohë që palët bien dakord për një të tillë dhe për sa kohë kjo marrëveshje e re nuk shkel bazat kushtetuese dhe ligjore. Është megjithatë thelbësore të theksohet se një marrëveshje politike e radhës, nëse palët vendosin ta bëjnë një të tillë, do të duhet të ngrihet mbi garanci të forta se nuk do të shkelet në vijim, siç po ndodh me marrëveshjen e 5 qershorit 2020.
Kjo do të ishte tejet e rrezikshme, pasi rrezikon të cënojë në mënyrë të pariparueshme dhe përfundimtare besimin ndërmjet palëve, i cili aktualisht është në nivelin më të ulët, por edhe të qytetarëve tek politika apo edhe tek vetë sistemi demokratik.