Gjatë monitorimit të kësaj jave, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
Konkretisht:
1. RAPORTIMI I AKTIVITETEVE ME VONESË
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon.
Nga monitorimi rezulton se rreth 17.6% e raportimeve në kwtw periudhw janë me vonesë.
Specifikisht, nga 51 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 9 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 16, nga të cilat 7 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksohet se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty. Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
2. VEPRIMTARI PUBLIKE TË ZHVILLUARA, POR TË PA RAPORTUARA
Nga monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme, gjatë periudhës 5 maj – 14 maj 2023, rezulton se së paku 3 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 3 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti. (për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së, si edhe se me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
3. PËRDORIMI HASHTAG-EVE SLOGANË ELEKTORALË: #VETËMPËRPARA #KURRËMËMBRAPA NË FAQET ZYRTARE FACEBOOK TË BASHKIVE
Me aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale nga Partia Socialiste, në datën 11 prill 2023, kjo e fundit bëri publike edhe sloganin e fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Konkretisht, slogani i fushatës #VetëmPërpara #KurrëMëMbrapa. (shih për më shumë: “PS çel fushatën, Rama: Krenar për vlerën e shtuar që fitoret tona sollën për Shqipërinë” )
Në vijim të monitorimit KRIIK ka vërejtur se këto slogane kanë shoqëruar postimet e kryera në faqet zyrtare të disa bashkive, konstatime këto të përcjell tashmë nëpërmjet denoncimeve përkatëse në KQZ.
Nga monitorimi edhe përgjatë kësaj jave KRIIK ka vërejtur se disa bashki vijojnë me postime në rrjetet sociale të shoqëruara nga këto hashtag-e lidhen dhe identifikojnë drejtpërsëdrejt Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste”.
Duke u vendosur, përdorur dhe reklamuar nga institucionet publike dhe drejtuesit e tyre në faqet zyrtare në Facebook, në gjykimin e KRIIK kemi të bëjmë me shpërdorim të autoritetit shtetëror, si dhe përdorim:
– të një aseti institucional (specifikisht të Faqes Zyrtare të Institucionit në mediat sociale, e cila përdoret gjerësisht si kanal komunikimi publik);
– të kohës së nëpunësve shtetërorë (personat e ngarkuar me mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e njoftimeve në këto faqe);
– si dhe të gjithë burimeve të tjera të vëna në dispozicion për realizimin e aktivitetit institucional, të cilave iu jepet valencë politike dhe iu atashohet në mënyrë të padrejtë një meritë partiake në funksion të një partie politike, çka është në kundërshtim me kuadrin ligjor zgjedhor, si dhe të parimit për ndarjen e shtetit nga partia.
Ky fenomen vërehet në disa faqe të institucioneve apo edhe drejtuesve të tyre.
Një faqe bëhet me karakter zyrtar kur ajo shpallet apo trajtohet si e tillë nga informacioni që ajo transmeton dhe përmbajtja që ka.
Në rast se faqja shfaq dhe përmban tërë aktivitetin institucional të institucionit dhe është burim informacioni për tërë të tretët dhe publikun e gjerë, atëherë ajo është një faqe zyrtare.
Konkretisht:
3.1. Postime të shoqëruara me përdorimin e hashtag-eve të sipërpërmendura gjenden në Faqet Zyrtare të dy Bashkive dhe tek faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, konkretisht:
- Faqja zyrtare e Bashkisë Mat;
- Faqja Zyrtare e Bashkisë Dibër;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
Të gjitha rastet e postimeve të mësipërme, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 5.
Në vijim të qëndrimit të tij, KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush e vazhduar me ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Gjithashtu, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve të institucioneve edhe subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 i Kodit Zgjedhor).
4. THYERJA E HESHTJES ZGJEDHORE NËPËRMJET REKLAMAVE POLITIKE AKTIVE ONLINE
Kodi Zgjedhor, neni 77 ka përcaktimet ligjore lidhur me heshtjen zgjedhore. Konkretisht pika 2 përcakton “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”.
Me nisjen e heshtjes zgjedhore, KRIIK ka monitoruar një numër faqesh onine dhe Librarinë e Reklamave Politike të Meta për reklama ende aktive në ditën e heshtjes zgjedhore.
Ndërkohë që vlerësohet pozitivisht se pjesa më e madhe e partive politike dhe kandidatëve i kanë ç’aktivizuar rekalamat politike në Facebook dhe Instagram, KRIIK evidentoi një numër faqesh që vijuan të kenë reklama aktive ditët e heshtjes zgjedhore, në 13 dhe 14 maj 2023 (lutemi gjeni më poshtë listën e emrave të këtyre faqeve si dhe në Lidhjen nr. 6 bashkëlidhur linkun përkatës dhe printscreen te faqes, për secilën faqe, ku shihet se reklamat vijuan të ishin aktive).
Lista e faqeve/profileve në Facebook që kishin reklama aktive ditët e heshtjes zgjedhore, në 13 dhe 14 maj 2023 në thyerje të heshtjes zgjedhore:
- Sofije Kryeziu Alushaj https://www.facebook.com/ads/library/?active_status=all&ad_type=political_and_issue_ads&country=AL&vieë_all_page_id=104140849249455&search_type=page&media_type=all
- Eriselda Zotaj Çelaj https://www.facebook.com/ads/library/?active_status=all&ad_type=political_and_issue_ads&country=AL&vieë_all_page_id=163942883659796&search_type=page&media_type=all
- Aleanca Progresiste LZHK https://www.facebook.com/ads/library/?active_status=all&ad_type=political_and_issue_ads&country=AL&vieë_all_page_id=330064997696921&search_type=page&media_type=all
- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet https://www.facebook.com/ads/library/?active_status=all&ad_type=political_and_issue_ads&country=AL&vieë_all_page_id=284923454880724&search_type=page&media_type=all
- Dr. Endrit Shabani: https://www.facebook.com/ads/library/?active_status=all&ad_type=political_and_issue_ads&country=AL&vieë_all_page_id=302792163188883&search_type=page&media_type=all
Në gjykimin e KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush si KQZ e ndaj subjekteve politike apo kandidatëve që kishin reklama aktive të procedohet sipas parashikimeve ligjore, me sanksionet përkatëse për thyerjen e heshtjes zgjedhore.
5. THYERJA E HESHTJES ZGJEDHORE NËPËRMJET INTERVISTAVE PUBLIKE
Kodi Zgjedhor, neni 77 ka përcaktimet ligjore lidhur me heshtjen zgjedhore. Konkretisht pika 2 përcakton “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”.
Me nisjen e heshtjes zgjedhore, KRIIK monitoroi daljet publike të përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore në media, dhe konstatoi se disa përfaqësues apo kandidatë nëpërmjet intervistave në media kryen thirrje politike duke thyer kështu heshtjen zgjedhore.
Konkretisht:
- Z. Belind Këlliçi në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“Atëherë mirëmëngjes, faleminderit të gjithëve për pasqyrimin dhe për interesin e treguar. Sapo kreva detyrën time si qytetar, votova. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetarë, për të votuar. Ftoj të gjithë të rinjtë, të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar duke shtrënguar duart e duke i parë në sy dhe duke folur për ndryshim. Sot është dita e madhe. Sot është 14 maji që e kemi pritur aq shumë që të gjithë. Është dita ku keni në dorë fatin e këtij qyteti, dhe ndryshimin e keni vet në duar. Ndaj kam një apel mbi të gjitha për rininë, për rata që përherë e kam thënë, për nacut e Tiranës, për të gjithë ata që e kuptojnë atë që po u them. Për të gjithë vajzat, djemtë, gjithë të rinjtë që kanë një moment në të cilin mendojnë se duhet të ikin nga ky qytet, apo e kanë më të lehtë për të menduar që mund të marrin një kamion për të ikur nga Tirana, apo mund të marrin gomone për të ikur i them JO. Hajdeni votoni! Hajdeni bashkë të ndryshojmë të ardhmen e qytetit tonë. Për të gjithë ato punë të pabëra, për të gjitha ato abuzime që kemi parë në këto 8 vite, për të gjitha ato shpresa që janë shuar këto 8 vite, për të gjithë ata qytetarë që janë larguar, për të gjithë ata të afërmit tuaj që janë larguar, dilni dhe votoni, mos harroni. Askush nuk ju kontrollon dot votën. As Belind Këlliçi dhe as Erion Veliaj. Ftoj të gjithë qytetarët të vijnë te kutitë e votimit, të shkojnë në dhomat e fshehta, të votojnë me ndërgjegje të pastër. Të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për të ardhmen e familjeve së tyre dhe të votojnë për 4 vitet e ardhshme. Unë e them dhe njëherë, e kreva detyrën time. Tashmë do të shkoj në selinë qendrore të partisë demokratike. Jam duke marrë informacione nga të gjithë qendrat e votimit në Tiranë. Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. I bëj thirrje dhe njëherë qytetarëve, Dilni, dilni votoni masivisht. Sot është një ditë feste, për të gjithë ata që më kanë thënë në këto muaj kur po vjen dita e ndryshimit, sot është dita e ndryshimit, 14 Maji. Dilni dhe votoni. Faleminderit të gjithëve!”
Fjala e plotë është trasmetuar nga disa media:
EuroNews https://www.youtube.com/watch?v=DSvULO2_V74&t=97s
RTV Klan https://www.youtube.com/ëatch?v=YBxY60u_rFM
- Z. Enkelejd Alibeaj në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“Votova për pak minuta sepse besoj se zgjedhja është e lehtë për këdo sot, por kam një mesazh për të gjithë demokratët, për gjithë shqiptarët e ndershëm, për gjithë shqiptarët e lirë. Sot do të duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës në mënyrë të qetë, në mënyrë të matur për të bërë një ndarje me të shkuarën. Sot është dita në fakt, sot është dita që shqiptarët, ata të cilët kohë më parë kanë refuzuar votimit, sot do të duhet të vijnë sepse sot është dita për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën dhe kjo është në dorë të shqiptarëve.”
Fjala e plotë është trasmetuar nga disa media:
EuroNews https://www.youtube.com/watch?v=Ec51RQVgjII
RTV Klan https://www.youtube.com/watch?v=3ExsqeTRyYY
Report TV https://www.youtube.com/watch?v=Ddu8v2d0zB0
- Z. Sali Berisha në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar Së pari, një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje, një apel i madh që ata të marrin pjesë sot në votime. Ai që ka frikë votën, ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj. Së dyti, ftoj të gjithë zgjedhësit shqiptarë, të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim, e bën gabimin edhe më të madh. Ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre, në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit! Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare”.
Fjala e plotë është trasmetuar nga disa media:
RTV Klan https://www.youtube.com/watch?v=np5c1byW3bY
RTSH https://www.youtube.com/watch?v=L4-vqlzu5OY
- Z. Flamur Golemi, kandidat i PS për kryetar të Bashkisë Gjirokastër, në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“Shiu është mbarësi dhe bereqet, por është dhe ditë festive, dhe sot është një ditë feste për Gjirokastrën. Unë I bëj thirrje të gjithë qytetarëve Gjirokastritë të shprehin vullnetin e vet dhe sigurisht të vazhdojnë të gjithë së bashku ta bëjmë këtë qytet alternativë të parë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Dhe besoj fort se të gjithë së bashku do të ecim përpara. Shumë faleminderit edhe mbarë!”
Fjala e plotë është trasmetuar nga media:
RTV Klan https://www.youtube.com/watch?v=BkRbK5VkmeY
- Z. Fisnik Qosja kandidat i Bashkë Fitojmë për kryetar të Bashkisë Kavajë, në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“I falënderoj pa masë qytetarët e Kavajës për gjithë mbështetjen që na kanë dhënë gjatë fushatës. Falënderoj çdo qytetar të Kavajës dhe mbështetës për një fushatë model gjatë këtij muaji. Unë besoj që sot Kavaja është në këmbë për t’i prirë ndryshimit, këtë absolutisht e ka vendosur çdo qytetar sepse Kavaja ka nevojë për të ndryshuar kurs dhe kursi po vjen. 14 maji sot dita është që Kavaja të shkojë atje ku e meriton. Qytetarët të dalin masivisht në votime dhe t’i prijnë ndryshimit”.
Fjala e plotë është trasmetuar nga media:
- Z. Roland Bejko kandidat i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë Tiranë, në një prononcim për mediat pasi votoi shprehet:
“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë shqiptare i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të dalin në votime. Sot është një ditë ku ata duhet të shprehen, të shprehen për krye bashkiakun që duan të zgjedhin dhe për ekipin që do të drejtojë bashkinë e Tiranës në këshillin e Bashkisë. Është një ditë shumë e madhe për demokracinë vendore dhe një vend ka aq demokraci sa ka demokraci vendore kështu që të drejtën e votës sot shqiptarët duhet ta ushtrojnë masivisht. E dyta është që është rasti sot që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike dhe një pakice oligarkësh që menaxhojnë pronat, pasuritë etj., është dita që qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre. Sot është dita ta refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga oligarkia politike, krimi i organizuar dhe oligarkia financiare. Oligarkia në Tiranë njihet me emër, që me Sajmirin etj. Projekti ynë për Tiranë, do tu kthejë Tiranën qytetarëve, ne do të mbrojmë pronën, do të zhvillojmë turizmin, ekonominë dhe përmirësojmë shërbimin.”
Fjala e plotë është trasmetuar nga media:
Report TV https://www.youtube.com/watch?v=0lcxkDMcqvU
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja duhet t’i marrë në konsideratë dhe në shqyrtim këto raste dhe ndaj subjekteve politike apo kandidatëve që kryen fushatë elektorale nëpërmjet thirrjeve të tyre gjatë ditës së zgjedhjeve të procedojë sipas parashikimeve ligjore, me sanksionet përkatëse për thyerjen e heshtjes zgjedhore.
- PËRDORIMI I BURIMEVE PUBLIKE PËR FUSHATË ELEKTORALE NGA KRYETARI I BASHKISW TIRANW
Më datë 10.05.2023 Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kandidati i Partisë Socialiste për kryetar në këtë bashki (subjekt zgjedhor), ka zhvilluar njw vizitë në një çerdhe të ndërtuar rishtaz në njësinë nr. 14 në Bashkinë Tiranë.
Në këtë vizitë z. Veliaj ka qenë i shoqëruar nga z. Plarent Ndreca, Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Njësinë nr.14 dhe Njësinë Kashar në Tiranë.
KRIIK nuk ka arritur të gjejë në ndërfaqen e raportimeve një njoftim për këtë aktivitet, pra figuron qw veprimtaria të jetë e pa raportuar, nga Bashkia Tiranë.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie është postuar në profilin zyrtar të kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe drejtuesit politk të PS në atë zonë, z. Plarent Ndreca.
Konkretisht:
Postimi në faqen e Kryetarit të Bashkisë Tiranë (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Jam shumë i lumtur që hapim sot çerdhen e re, “Bota e Fëmijë…
Jam shumë i lumtur që hapim sot çerdhen e re, “Bota e Fëmijëve”, në zonën e Astirit, për t’i dhënë zgjidhje prindërve të 170 fëmijëve. Ofrojmë të njëjtin shërbim si në të gjitha çerdhet e tjera të Tiranës sepse për ne familja dhe fëmijët janë më të rëndësishëm.”
Një postim në faqen e tij Facebook lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe z. Plarent Ndreca, Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Njesinë nr.14 dhe Njësinë Kashar në Tiranë.
“ÇERDHJA MË E RE NË NJËSINË 14 #LagjaRilindja #Astir
“Bota e fëmijëve” ambienti i shumpritur për banorët e zonë i çerdhes publike.
Sot bashkë me Erionin, Zhanetën dhe Gentin inaguruam hapësirën e re të investimit.
Tirana ecën përpara !
#PS #Njesia14 #VetemPerpara #KurrePas”
Nga videot dhe fotografitë e publikuara, duket qartë prezenca edhe e fëmijëve në këtë vizitë në çerdhe, si dhe drejtoresha e institucionit dhe edukatoret.
Duke qenë se aktiviteti nuk është i raportuar në ndërfaqen e KQZ, nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me nje aktivitet të z. Veliaj në pozicionin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, apo të z. Veliaj si Subjekt Zgjedhor, Kandidat për Kryetar të Bashkisë Tiranë.
Në gjykimin e KRIIK, aktiviteti, pavarësisht nëse është institucional apo në kuadër të fushatës zgjedhore, përbën përdorim të burimeve publike dhe autoritetit shtetëror në funksion të fushatës elektorale të Subjektit Zgjedhor z. Erion Veliaj dhe Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste”.
Kodi Zgjedhor në nenin 81 pika 3 jep kuptimin e një veprimtarie elektorale përgjatë fushatës zgjedhore, e konkretisht: “Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor”.
Ndërsa në nenin 91 pika 1 dhe 2, Kodi Zgjedhor përcakton se: “Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. 2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Me përdorim të burimeve njerëzore kuptohet gjithashtu premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim”.
Lidhur me gjithë sa më sipër, edhe nëse kjo veprimtari do të pretendohet e konsiderohet si:
(A) një takim me natyrë elektorale, atëherë evidentohen më poshtë këto shkelje:
- Përdorimi i institucionit publik dhe kryerja e një aktiviteti institucional inagurimi të çerdhes, për efekt të aktivitetit elektoral.
- Aktiviteti është kryer qartas gjatë orarit zyrtar të punës.
- Pjesëmarrësit në të janë fëmijët e çerdhes, çka përbën përdorim të fëmijëve për qëllime elektorale.
- Pjesëmarrës janë drejtoresha dhe edukatoret e çerdhes në orarin zyrtar të punës, duke përdorur punonjësit e institucionit për qëllime elektorale.
Bazuar në sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti objekt denoncimi është zhvilluar në shkelje të qartë të kuadrit ligjor dhe si i tillë, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë titullarët e Çerdhes, Kandidatin-Subjekt Zgjedhor z. Erion Veliaj, si dhe Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet.
(B) si i karakterit institucional, atëherë evidentohen më poshtë këto shkelje:
- Aktiviteti është i pa raportuar në ndërfaqen e KQZ.
- Aktiviteti është inagurim, sepse çerdhja është e re, e sapo hapur dhe në statusin e publikuar nga vetë z. Veliaj theksohet “Jam shumë i lumtur që hapim sot çerdhen e re, “Bota e Fëmijëve”, në zonën e Astirit, për t’i dhënë zgjidhje prindërve të 170 fëmijëve”.
- Aktiviteti është inagurim apo promovim, çka në kuptim të nenit 81 pika 3 dhe nenit 91 pika 1 dhe 2, të Kodit Zgjedhor është një aktivitet i ndaluar për t’u zhvilluar, gjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore
- Prania e z. Plarent Ndreca, Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Njësinë nr.14 dhe Njësinë Kashar në Tiranë, i jep natyrë elektorale aktivitetit.
- Pjesëmarrësit në të janë fëmijët e çerdhes, për takimin dhe shfaqjen/publikimin e fotove të të cilëve nuk dihet nëse ka dakordësi paraprake nga prindërit, dhe për këtë KQZ-ja lipset të marrë informacion.
Aktiviteti wshtw trasmetuar gjerwisht edhe nga media. Konkretisht disa prej tyre janë:
Top Channel https://www.youtube.com/watch?v=Afuu77fTCcI
Report TV https://www.youtube.com/watch?v=sztXYN1hhrU
RTSH https://www.youtube.com/watch?v=WLDHVH4CAGE
Referuar gjithë sa më sipër, në çdo rast të çfarëdo pretendimi të ngritur dhe të marrjes apo jo në konsideratë prej KQZ-së, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti objekt denoncimi është zhvilluar në shkelje të kuadrit ligjor dhe si i tillë, nevojitet që KQZ-ja nevojitet të sanksionojë titullarët e Çerdhes, Kryetarin e Bashkisë z. Erion Veliaj, si dhe subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet.
Shkarko Dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara