Gjatë monitorimit të javës së njëmbëdhjetë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
Konkretisht:
1. RAPORTIMI I AKTIVITETEVE ME VONESË
Pavarësisht se më një ulje drastike në krahasim me javët e shkuara, praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon. Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 2.6% e raportimeve në javën e njëmbëdhjetë janë me vonesë.
Specifikisht, nga 342 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, vetëm 9 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 65, nga të cilat 8 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksojmë se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh vlerësimin mbi disa vendimmarrje të KSHZ për ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve, por kjo duhet të kthehet në një praktikë solide e të menjëhershmne të administratës së KQZ-së për të ndaluar çdo aktivitet sapo ai hidhet në ndërfaqen e raportimit dhe konstatohet se është raportuar jashtë afatit.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e veta të nëntë javëve të mëparshme.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje se ende mbeten relevante Rekomandimet konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, të përcjella nëpërmjet Raporteve të mëpërshme të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. RAPORTIME KU MUNGOJNË DETAJET
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues dy prej tyre:
- “Prezantim investimesh” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Durres”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/30/prezantim-investimesh-5/.
- “Aktivitet për ” Ditën e Romeve 8 Prilli” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Lushnje”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/30/aktivitet-per-diten-e-romeve-8-prilli/.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, paraqitet e domosdoshme që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mospërmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
KRIIK ju risjell edhe njëherë nevojën për marrjen në konsideratë dhe zhvillimin e trajnimit online të raportuesve, nevojë kjo e shprehur edhe nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, në takimet që KRIIK ka patur me ta. Kjo do të ndihmonte jo pak, në saktësimin më të mirë të aktiviteteve që mendohet të jenë më të shumta gjatë muajit të fundit që përkon edhe me periudhën zyrtare të fushatës elektorale.
3. VEPRIMTARI PUBLIKE TË ZHVILLUARA, POR TË PA RAPORTUARA
Ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme.
Gjatë periudhës 24 – 30 mars 2023, rezulton se së paku 6 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 3 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se:
- Ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, pa e relativizuar asnjë rast aspektin sanksionues të tij, pavarësisht argumenteve të paraqituara.
Çdo justifikim i paraqitur, gjykohet paraprakisht se nuk ka asnjë vlerë të merret në konsideratë me zemërgjerësi nga KQZ-ja, tanimë kur procesi i raportimit po hyn në periudhën zyrtare të fushatës elektorale, çka shënon edhe fundin e tërë procesit raportues.
4. AKTIVITETE INSTITUCIONALE ME PRANINË E PËRFAQËSUESVE POLITIKË
KRIIK ju ka përcjellë në vazhdimësi, si nëpëmjet raporteve periodike javore edhe nëpërmjet komunikimeve verbale zyrtare, shqetësimin e për prezencën e drejtuesve politikë të qarqeve, si dhe të deputeteve apo disa ministrave, në veprimtari institucionale të disa bashkive. Ky ka qenë një fenomen jo vetëm i konstatuar pasi ka ndodhur, por edhe i raportuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ nga bashki të ndryshme, pavarësisht përmbajtjes së dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”, si dhe, artikulimit të qartë të Komisionerit në intervistën e datës 1 mars 2023, i cili ndër të tjera u shpreh se :
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë.”
KRIIK vlerëson reflektimin në qëndrim zyrtar nga KQZ, nëpërmjet vendimmarrjes konkrete, të gjithë sa më sipër, duke ndaluar disa aktivitete të cilat paraprakisht njoftonin prezëncën e deputetëve apo përfaqësuesëve politikë në to.
Por, nga ana tjetër vëren si shqetësues faktin që standardi nuk është i njëjtë për të gjitha aktivitetet e raportuara. Kjo, pasi ka aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë paraprakisht prezencën e përfaqësuesëve partiakë të cilat nuk janë ndaluar, madje nga konsultimi i rrjeteve sociale janë zhvilluar dhe ka patur edhe raste të fjalimeve elektorale në to.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij për këtë çoroditje në qëndrimin zyrtar të KQZ-së, dhe ju nxit të shqyrtoni paraprakisht çdo rast aktiviteti të raportuar si në përmbajtjen e tij ashtu edhe në pjesëmarrësit e planifikuar për të qenë pjesë e tij.
KRIIK nxit dhe mbështet fort KQZ-në që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do të mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë.
Konkretisht, paraqiten më poshtë aktivitete të cilat kanë deklaruar paraprakisht prezencën e personave politikë por nuk janë ndalur nga KQZ-ja, si dhe aktivitete të zhvilluara ku faktohet prezenca e përfaqësuesve politikë.
4.1. Në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 6 aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë praninë e përfaqësuesve politikë, por nuk janë ndaluar për t’u zhvilluar nga KQZ.
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/30/inspektim-i-punimeve-ne-shkollen-muhamet-shehu-4/ .
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/29/inspektim-i-punimeve-ne-cerdhen-e-qytetin-4/ .
- Bashkia Lushnje https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/28/vace-zela-fest/ .
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/25/inspektim-i-punimeve-ne-rrugen-karemanaj-2/ .
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/25/inspektimi-i-punimeve-te-qendres-ambulatore-verbas/ .
- Bashkia Elbasan https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/16/inspektim-i-punimeve-25/ .
KRIIK gjykon përbën domosdoshmëri zbatimi pa diferencime dhe në barazi të plotë i ligjit dhe standardit të vendosur tashmë nga KQZ-ja
4.2. Në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 2 aktivitete ku zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë përgjatë zhvillimit të aktivitetit institucional të tyre, ndërkohë që vlerësohet se numri i aktiviteteve të tilla është disa herë më i lartë.
Përpos prezencës së përfaqësuesve politikë, tërë aktivitetet e mëposhtme, rezultojnë të përmbajnë disa shkelje (si fjalime elektorale, promovime investimesh dhe slogane elektorale), të cilat duhet të nxisin KQZ-në për një hetim të plotë administrativ dhe sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Konkretisht:
4.2.1. Në datën 28 mars 2023, Bashkia Roskovec ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
Vijon puna për rikualifikimin urban të qendrës së Marinzës e cila përfshin;
Sistemim trotuaresh
Ndriçim
Lulishte
Ambiente argëtuese për të rritur e fëmijë
Aktualisht ka përfunduar investimi i pjesës nëntokësore si;
Sistemimi i kanalizimeve të ujrave të zeza
Sistemi i furnizimit me ujë.
Puna jonë do të vazhdojë
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier z. Taulant Balla:
“RoskovecVijon puna për rikualifikimin urban të qendrës së Marinzes. Premtim i mbajtur
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Roskovec.
Në njoftimin e bërë nuk deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrës do të ishte edhe Z. Taulant Balla.
Përpos prezencës së Z. Balla në postimet e bëra vërehet përdorimi i sloganeve elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021.
Theksohet se në Faqen Zyrtare në Facebook të Bashkisë Roskovec, si dhe Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Balla gjenden disa postime të aktiviteteve të Bashkisë Roskovec, në të cilat ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier.
4.2.2. Në datën 28 mars 2023, Kryetarja e Bashkisë Lushnje ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Propaganda e punës”!
Çdo punë në #Lushnjë, qytet e Njësi është përgjigja më e mirë kundrejt “baltës” politike! Ecim përpara me mbajtjen e çdo angazhimi para qytetarëve sikurse është edhe nisja e punës për veshjen e fasadave të pallateve në lagjen “Loni Dhamo”!
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier z. Taulant Balla (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“LushnjeNisja e punës për rikonstruksionin e fasadave të pallateve në bllokun e banimit të lagjes “Loni Dhamo” duke zbatuar edhe teknologjitë për efiçencën e energjisëelektrike është një tjetër dëshmi e projekteve transformuese në këtë Bashki. Premtim i mbajtur
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Lushnje.
Në njoftimin e bërë deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrës janë: Taulant Balla, Eriselda Sefa, FSHZH.
Përpos prezencës së Z. Balla në postimet e bëra vërehet përdorimi i sloganeve elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021.
Theksohet se në Faqen Zyrtare në Facebook të Kryetares së Bashkisë Lushnje, si dhe Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Balla gjenden disa postime të aktiviteteve të Bashkisë Lushnje, në të cilat ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier.
5. AKTIVITETE INSTITUCIONALE NË TË CILAT JANË MBAJTUR FJALIME ME PËRMBAJTJE ELEKTORALE
5.1. Më datë 23.03.2023, Bashkia Elbasan ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 16.03.2023.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri, si dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Elbasan (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
*rrugët “Theofan Popa”, “Koço Brisku”, “Ndriçim Duraku”, “Ibrahim Berania” ”
Gjithashtu foto të këtij aktiviteti janë postuar edhe në faqen zyrtare të z. Gjiknuri, me këtë përmbajtje (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Me Gledin dhe Evisin në Elbasan ku inspektuam nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e plotë të rrugëve në Lagjen “Haxhias” dhe “5 Maji”.
Këto investime janë një tjetër shembull i qasjes së kryetarit të bashkisë që pas ndërhyrjeve në qendër të qytetit po shtrihet edhe në lagjet periferike.
Vëmendja jonë do vijojë të jetë e shtuar edhe në katër vitet e ardhshme me Gledin në krye të punëve.
Ndërsa video e postuar mbi këtë aktivitet, sërish në faqen në Facebook-ut të z. Gjiknuri ka këtë përmbajtje:
“Elbasan Vijojnë punimet për rehabilitimin e plotë të rrugëve “Ndriçim Duraku”, “Koço Brisku” dhe “Ibrahim Berania” në lagjen “5 Maji”.
Foto të aktivitetit janë postuar edhe në faqen e Facebook të Ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Kushi (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Premtim i mbajtur
Tashmë ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të rrugëve “Theofan Popa”, “Koço Brisku”, “Ndriçim Duraku” dhe “Ibrahim Berania” në Elbasan. Rreth 2500 banorë të lagjeve “Haxhias” dhe “5 Maji” janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve.
Duke qenë zona informale me nevoja të shumta në infrastrukturë, Bashkia e Elbasanit ka ndërhyrë fillimisht në sistemimin e kanalizimeve dhe tashmë i erdhi radha ndërtimit të rrugës. Më vjen mirë që banorët i rrisin kërkesat me besimin se së bashku me Gledin do të vijojmë punën me përkushtimin maksimal për përmbushjen e nevojave të tyre.
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht edhe në media. Disa nga mediat që e kanë transmetuar aktivitetin dhe kanë përcjellë mesazhet e transmetuara janë:
- Elbasaninews.tv https://elbasaninews.tv/llatja-po-mbajme-premtimet-duke-normalizuar-zonat-informale-ne-formale/
Ky aktivitet “Inspektim i punimeve” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartas për të kryer diskutime elektorale dhe kryer premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Jo vetëm kaq, por komentet e kryera nga z. Gjiknuri i lidhin drejtpërdrejt investimet pas zgjedhjeve për bashkinë me zgjedhjen sërish të Kryebashkiakut aktual.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri: “(…) Unë them se ky e ka bërë mirë këtë punë katër vitet e kaluara. Jam i bindur që do marrë prapë mbështetjen e qytetarëve të Elbasanit sepse ky do të bëjë dy fish më shumë. Ja u garantoj që punët e nisura nuk do përfundojnë me kaq. Se këtë ndaj e ka përzgjedh Edi Rama, ta ketë mëkëmbësin e tij në kuptimin politik të fjalës në bashki, me qëllim që projektet e nisura të vazhdojnë. Unë nga ana tjetër ju them një gjë që ne jemi modeli i punëve, bëjmë dhe gabime nuk jemi perfekt, kemi edhe ne të meta, ama nuk merremi me llafet e politikës së madhe, Elbasani bunker, si krahu tjetër që e do thjesht për trofe politik Elbasanin se s’ka asnjë projekt. Ne na duhet që këto punë të nisura të vazhdojnë dhe të kemi edhe qeverinë e Edi Ramës nga mbrapa që Elbasani të ndryshojë në çdo cep të tij. Unë ju uroj suksese.” Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/228518593031964/
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Elbasan në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe paralajmërohet pjesëmarrja në të, e z. Damian Gjiknuri, udhëheqës politik i Qarkut Elbasan, deputete, Prefekti i Qarkut Elbasan, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Administratori i Njësisë nr.5 dhe Administratori NjA nr.6.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
5.2. Më datë 21.03.2023, Bashkia Elbasan ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 16.03.2023.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri, si dhe deputetja e Partisë Socialiste znj. Desantila Tahihiraj.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Elbasan (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
0
“Fillon rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës në lagjen Coha, fshati Gjonme, Njësia Administrative Gjergjan. Një rrugë që do tu shërbej të gjithë banorëve të zonës duke rritur kështu cilësinë e jetës dhe zhvillimin. Investimet po vazhdojnë në lagjet e brendshme të fshatrave dhe nuk do të ndalen, po punohet si në qytet ashtu edhe në fshat me ritme të larta dhe kështu do të vazhdojë pa u ndalur
Fokusi ynë është te puna, jo te llafet e te zhurma e atyre që vetëm shfryjnë e bërtasin dhe kujtohen të flasin tani pas një gjumi të gjatë. Elbasani është i njerëzve që punojnë e sakrifikojnë çdo ditë, jo i prapambetjes dhe interesave personale të atyre që duan të shfrytëzojnë punën e njerëzve për politikën e ditës.
Gjithashtu foto të këtij aktiviteti janë postuar edhe në faqen në Facebook të z. Gjiknuri, (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Bashkë me Gledin dhe Dasantilën inspektuam nga afër ecurinë e punimeve për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Gjonmë, Njësia Administrative Gjergjan.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët mësova se rruga, që përfshin sistemimin, shtrimin me asfalt dhe pajisjen me ndriçim, ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre.
Këtë shqetësim ata e kishin ngritur edhe gjatë takimeve me kryetarin Gledian Llatja dhe stafin e bashkisë në ndalesat për buxhetimin me pjesëmarrje, një praktikë që i jep zë çdo qytetari të ngrejë problematikat e zonës ku banon.
I garantova banorët se ky investim nuk është i fundit, bashkia me në krye Gledin, do vijojë të ketë vëmendje të shtuar për zonat rurale në katër vitet e ardhshme.
Qytetarët e Elbasanit janë njerëz të punës, e duan zhvillimin dhe nuk pranojnë të keqpërdoren nga ata që kanë për qëllim zgjidhjen e halleve të tyre personale dhe jo vizionin për një të ardhme edhe më të mirë.
Ndërsa video e postuar mbi këtë aktivitet, sërish në faqen në Facebook-ut të z. Gjiknuri, ka këtë përmbajtje:
“Elbasan📍Ku ditën e djeshme pamë nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Gjonmë, Njësia Administrative Gjergjan.
ElbasanKu ditën e djeshme pamë nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Gjonmë, Njësia Administrative Gjergjan.
Rruga ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të cilët e kishin ngritur shqetësimin edhe gjatë bashkëbisedimeve që kryetari i palodhur i bashkisë Gledian Llatja ka zhvilluar për buxhetimin me pjesëmarrje, një praktikë që i jep zë çdo qytetari të ngrejë shqetësimet e zonës ku banon.”
Foto të aktivitetit janë postuar edhe në faqen e Facebook të deputetes znj. Tahiraj, me këtë përmbajtje (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Në ElbasanKu ditën e djeshme pamë nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin plotë të rrugës në fshatin Gjonmë, Njësia Administrative Gjergjan.
Rruga ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të cilët e kishin ngritur shqetësimin edhe gjatë bashkëbisedimeve që kryetari i palodhur i bashkisë Gledian Llatja ka zhvilluar për buxhetimin me pjesëmarrje, një praktikë që i jep zë çdo qytetari të ngrejë shqetësimet e zonës ku banon.
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht edhe në media. Disa nga mediat që e kanë transmetuar aktivitetin dhe kanë përcjellë mesazhet e transmetuara janë:
- Elbasaninews.tv https://elbasaniplus.com/vazhdojne-me-ritme-intensive-investimet-ne-lagjet-e-medha-llatja-kemi-detyrime-ndaj-qytetareve-qe-na-besuan/21/
Ky aktivitet “Inspektim i punimeve” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartaz për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Jo vetëm kaq, por komentet e kryera nga z. Gjiknuri i lidhin drejtpërdrejt investimet pas zgjedhjeve për bashkinë me zgjedhjen sërish të Kryebashkiakut aktual.
Ky përbën, minimalisht, një tjetër element të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifikisht përdorimi i fuqisë së qeverisjes qendrore, pasi narrativa e përdorur lë të kuptohet se, nëse qytetarët nuk votojnë për Kryebashkiakun aktual, investimet nuk do të vijojnë.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri: “(…) Qytetarët e Elbasanit e kanë kuptuar që këtu ka një investim të përditshëm, ka një kujdes nga kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha Gledi nuk është vetë, ai është përfaqësuesi i Edi Ramës. Ne nuk e ndryshojmë dot Elbasanin pa pasur mbështetjen e qeverisë. Ne nuk duam ta kemi Elbasanin bunker politik i Sali Berishës. Sepse mëkëmbësi i tij do ta kthejë Elbasanin në foltore të Sali Berishës. Elbasani nuk është për foltore, Elbasani ka qenë foltore për arsimin, për gjëra të mëdha, por nuk është për beteja politike të Sali Berishës. Oferta jonë nëpërmjet Gledit është çdo vit ndërhyrje në çdo cep të bashkisë së Elbasanit, qoftë në qytet edhe në fshat për ta ndryshuar infrastrukturën e zonës (…)”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/1150545745624781/ .
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Elbasan në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe paralajmërohet pjesëmarrja në të, e z. Damian Gjiknuri, udhëheqës politik i Qarkut Elbasan, deputetë.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
5.3. Më datë 24.03.2023, Bashkia Elbasan ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 16.03.2023.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri, si dhe deputeti i Partisë Socialiste z. Luan Duzha.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Elbasan (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
Më Damianin dhe Luanin në Kusarth të Bradasheshit ku po mbajmë fjalën e dhënë për banorët e asaj zone.
Gjithashtu foto të këtij aktiviteti janë postuar edhe në faqen në Facebook të z. Gjiknuri (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Elbasan Njësia Administrative Bradashesh.
Me Gledin dhe deputetin Luan Duzha pamë nga afër ecurinë e punimeve që po kryhen për rehabilitimin e rrugës në fshatin Kusarth. Faza e parë e punimeve ka përfunduar dhe së shpejti rruga e pajisur me ndriçim dhe asfalt do të jetë gati në shërbim të banorëve.
Shumë është bërë për Elbasanin megjithatë kemi ende punë për të bërë ndaj me Gledin në krye të bashkisë dhe mbështetjen e pakursyer të qeverisë do vijojmë edhe për katër vite të tjera zbatimin e projekteve transformuese që mes të tjerash përmirësojnë jetesën e qytetarëve.
Ndërsa video e postuar mbi këtë aktivitet, sërish në faqen në Facebook-ut të z. Gjiknuri, ka këtë përmbajtje:
“Elbasan📍 Në Njësinë Administrative Bradashesh, ku vijojnë punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Kusarth.
Elbasan Në Njësinë Administrative Bradashesh, ku vijojnë punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës në fshatin Kusarth.
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht edhe në media. Disa nga mediat që e kanë transmetuar aktivitetin dhe kanë përcjellë mesazhet e transmetuara janë:
- Elbasaninews.tv https://elbasaninews.tv/gjiknuri-dhe-llatja-inspektojne-investimin-e-ri-ne-elbasan-mbeshtetje-per-te-shtrire-investimet-ne-gjithe-elbasanin/
Ky aktivitet “Inspektim i punimeve” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartas për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Jo vetëm kaq, por komentet e kryera nga z. Gjiknuri i lidhin investimet pas zgjedhjeve për bashkinë me zgjedhjen sërish të Kryebashkiakut aktual. Ky përbën, minimalisht, një tjetër element të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifikisht përdorimin e fuqisë së qeverisjes qendrore, pasi narrativa e përdorur lë të kuptohet se, nëse qytetarët nuk votojnë për Kryebashkiakun aktual, investimet nuk do të vijojnë.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri: “(…) Kandidati i bashkisë nuk është vetëm, por ka ekip, ka qeverinë, ka projekte, ka vizion për Elbasanin. Prandaj unë mendoj dhe shpresoj që njerëzit të na japin mbështetjen për të vazhduar punën për të mirat e Elbasanit. Njerëzit ikin e vijnë, e rëndësishme është puna të mbetet. Nëpërmjet punës që po bën kryetari i bashkisë, bashkë me gjithë ekipin, me deputetin, të gjithë siç jemi t’i shtyjmë përpara të gjitha këto punë sepse kemi dhe mbështetjen e qeverisë, po dhe Gledi vetë është shumë I future bashkë me administratorin, ka bërë dëgjesat e lagjeve, ka marrë shënim çfarë duhet, ka vënë një prioritet. Këtë vit do bëjmë këto, vitin tjerët diçka tjetër, dhe kjo është garancia. Krahu tjetër ka vetëm një moto: si të sjellim revolucionin e foltores nga Tirana në Elbasan. Elbasanllinjtë s’para i kanë qejf këto. Elbasanllinjtë duan jetën e qetë, nuk duan betejat politike, nuk duan këto luftërat e Tiranës. Duan të përmirësojnë jetën e tyre, ta bëjnë Elbasanin e bukur. Dhe unë them kjo është qasja që ne kemi, ky është premtimi jonë për Elbasanllinjtë.”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/468330265426295/ .
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Elbasan në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe paralajmërohet pjesëmarrjen në të, e z. Damian Gjiknuri, udhëheqës politik i Qarkut Elbasan, deputetë, Prefekti i Qarkut Elbasan, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Administratori i Njësisë Administrative.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
5.4. Më datë 25.03.2023, Bashkia Elbasan ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 16.03.2023.
Në këtë aktivitet përpos kryetarit të Bashkisë Elbasan ka marrë pjesë edhe Deputetja e Qarkut Elbasan znj. Desantila Tahiraj.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Elbasan (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Shushicë – Rruga “Riza Salla”, rrugë e cila i shërben shkollës së fshatit Hajdaran dhe gjithë banorëve të zonë, po i japim zgjidhje përfundimtare një problemi shumëvjeçar dhe kështu do të vazhdojmë në të gjithë Elbasanin
Gjithashtu video e këtij aktiviteti është postuar edhe në faqen në Facebook të z. Gjiknuri, drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun Elbasan (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Shushicë
Shushicë – Rruga “Riza Salla” është një tjetër investim i bashkisë së Elbasanit që do i shërbejë shkollës së fshatit Hajdaran dhe gjithë banorëve të zonës.
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht edhe në media. Disa nga mediat që e kanë transmetuar aktivitetin dhe kanë përcjellë mesazhet e transmetuara janë:
- Elbasaninews.tv https://elbasaninews.tv/nje-tjeter-rruge-ne-hajdaran-te-shushices-nje-tjeter-premtim-i-mbajtur/
Ky aktivitet “Inspektim i punimeve” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartaz për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Jo vetëm kaq, por komentet e kryera nga z. Gjiknuri i lidhin investimet pas zgjedhjeve për bashkinë me zgjedhjen sërish të Kryebashkiakut aktual. Ky përbën, minimalisht, një tjetër element të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifikisht përdorimin e fuqisë së qeverisjes qendrore, pasi narrativa e përdorur lë të kuptohet se, nëse qytetarët nuk votojnë për Kryebashkiakun aktual, investimet nuk do të vijojnë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan Z. Gledian Llatja: “(…)Kemi treguar se jemi vetëm për punë, ne dimë të bëjmë vetëm punë, jo si të tjerët që dinë të bëjnë vetëm llafe, ne këtë kemi dashur dhe këtë po bëjmë, t’i qëndrojmë afër qytetarëve dhe banorëve në qytet, në fshat, në zonat periferike, edhe në zonat më të thella, pikërisht për këtë. Qëllimi ynë është që të kemi një bashkëpunim midis strukturave vendore dhe qytetarëve ashtu si e kemi pasur deri tani, me besimin për të vazhduar punë, pasi qytetatarët kanë halle, ndaj ne duam punë. Ne nuk kemi as hallet e Sali Berishës as të Ilir Metës, ata t’i dalin vetë për Zot halleve të veta, ne jemi për hallet e popullit. Ne për këtë jemi, jemi të gjithë bashkë, nuk jemi vetëm, kemi edhe mbështetjen e madhe të qeverisë, ashtu edhe siç shihet po bëhen edhe pritat lumor në lumin Shkumbin, të cilat nuk shkaktojnë më përmbytje, janë investime të mëdha që na ka mbështetur qeveria. Në mënyrë aktive filluam të bëjmë punë në të mirë të komunitetit, pasi ne këtë dimë të bëjmë të mirë menaxhojmë të administrojmë. (…) Këto investime është e vërtetë që duhet të ishin bërë para 30 vitesh, dhe ne po i bëjmë, ndërsa opozita nuk ka bërë asgjë. Katër vite kur ishin në pushtet asnjëherë nuk u kujtuan për Hajdaranin, as për Shushicën, as për rrugët, ndërsa tani thonë nuk është bërë kjo rrugë, këtë se bën Zoti , ne po e bëjmë, dhe po punojmë çdo ditë. Nuk është e moralshme të dalësh para një fushate dhe të thuash se kjo rrugë nuk është bërë”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/llatja.gledian/videos/170754715845513/ .
Deputetja e Qarkut Elbasan Znj. Desantila Tahiraj: “ … Sigurisht kemi edhe shumë punë të tjera për të bërë, dhe qoftë Gledi qoftë ne si përfaqësues të Partisë Socialiste, kemi dhe ndjejmë përgjegjshmërinë e vazhdimit të këtyre punëve, pikërisht për këtë e kërkojmë votën dhe mbështetjen tuaj në 14 maj, për të vazhduar punë, për të vazhduar shtrimin e gjithë rrugëve si kjo rrugë që po bëhet sot. Për të vazhduar për të bërë kopshte më të mira, çerdhe më të mira, shkolla më të mira dhe infrastrukturë më të mirë publike për të gjithë qytetarët. Siç e shikoni në nuk vijmë vetëm kur vijnë zgjedhjet siç mund të vijë dikush tjetër. (…) Gledi në këtë rrugëtim nuk është vetëm. Përfaqëson partinë Socialiste, përfaqëson Edi Ramën. Ne jemi një ekip, një ekip politik bashkë më njerëzit me në krye Damian Gjiknurin, i cili ka edhe prejardhje nga zona juaj, dhe pa dyshim është një zë i fortë sot që ne flasim, është numri 2 i Partisë Socialiste dhe ka treguar që i mban premtimet dhe di ti mbështesë projektet zhvillimore të zonës. Dhe kemi fatin që Gledi ka bërë goxha projekte, projekte që janë në ndihmë të komunitetit dhe jo projekte për show”.
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Elbasan në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe paralajmërohet pjesëmarrja në të e z. Damian Gjiknuri, udhëheqës politik i Qarkut Elbasan, deputetë, Prefekti i Qarkut Elbasan, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Administratori i Njësisë Administrative Shushicë.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara