Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) organizoi ditën e enjte, datë 11 mars 2021, ora 11:00, një Konferencë për Shtyp në kuadër të Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të 25 prillit 2021.
Qëllimi i Konferencës për Shtyp ishte të ndante me publikun dhe gazetarët shqetësimet mbi disa aspekte kyç të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor deri në atë moment si dhe t’u bëjë thirrje aktorëve politikë dhe institucionalë të ndërmerrnin hapat e nevojshme në mënyrë që këto shqetësime të adresohen në kohën e duhur.
Çështjet kryesore që u diskutuan në Konferencën për Shtyp kishin të bënin me:
- Ndikimin që Covid-19 do të ketë mbi organizmin e procesit zgjedhor, veçanërisht në lidhje me të drejtën e grumbullimit dhe të drejtën e votës;
- Integriteti i kandidatëve të propozuar nga subjektet zgjedhorë;
- Mundësitë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e votës;
- Përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore;
Konferenca për Shtyp u realizua në format hibrid, pjesërisht me prezencë fizike të gazetarëve (Hotel Rogner, Tiranë, salla Antigonea 1) dhe pjesërisht online (në platformën Zoom).
Shihni videon e Konferencës për shtyp KËTU.
Lexoni deklaratën KËTU.
***
Mbi KRIIK dhe aksionin e vëzhgimit
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet institucionale dhe politike që afektojnë drejtpërsëdrejt apo indirekt çështjet zgjedhore.
Aktualisht, KRIIK është duke vëzhguar periudhën zgjedhore nëpërmjet një trupe vëzhguesish afatgjatë dhe do të jetë prezent ditën e zgjedhjeve dhe gjatë numërimit të votave me vëzhgues afatshkurtër. Aksioni i Vëzhgimit të KRIIK po realizohet në bashkëpunim me 33 organizata vendase të shpërndara në të gjithë vendin, aktive në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
KRIIK e vlerëson procesin zgjedhor bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike dhe kuadrin ligjor shqiptar.
Konferenca për shtyp organizohet në kuadër të Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të KRIIK për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021.
Aksioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve mbështetet financiarisht nga:
- Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar;
- Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë dhe
- Ministria e Punëve të Jashtme e Dukatës së Madhe të Luksemburgut.
Opinionet dhe këndvështrimet e shprehura në këtë Konferencë janë përgjegjësi e KRIIK dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pozicionin zyrtar apo opinionin e donatorëve.