Shkarko Rekomandimet në pdf
NJOFTIM PËR SHTYP
Në datën 4 mars 2024, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) i dërgoi Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore Dokumentin “Rekomandime mbi përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet, në kuadër të procesit të Reformës Zgjedhore”.
Dokumenti me Rekomandime u dërgua në vazhdën e angazhimit në vijimësi të KRIIK në ndjekjen e të gjitha proceseve dhe veprimtarive politike dhe institucionale, të cilat afektojnë drejtpërsëdrejti apo indirekt integritetin e procesit zgjedhor, si një proces kompleks ku përfshihet sjellja, ligjzbatimi dhe funksionimi i tërë ngrehinës institucionale dhe politike në raport me detyrimin kushtetues për respektimin dhe garantimin e vullnetit të lirë dhe të pacenuar të qytetarëve. Në këtë frymë, KRIIK mori pjesë dhe kontribuoi edhe në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të mbajtur në 9 shkurt 2022 me përfaqësues të shoqërisë civile, ku u paraqitën një pjesë e këtyre rekomandimeve verbalisht ndaj anëtarëve të Komisionit.
Në Dokumentin e Rekomandimeve të dërguar Komisionit të Reformës, KRIIK rithekson qëndrimin publik, të përsëritur në vazhdimësi përgjatë proceseve reformuese të kuadrit ligjor mbi zgjedhjet, se procesi reformues i kuadrit ligjor që rregullon zgjedhjet, por jo vetëm, kërkon angazhimin e të gjitha palëve që të garantohet një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe e thelluar e kuadrit ligjor. KRIIK vlerëson se, deri në këtë moment, procesi reformues aktual ka ceduar në të tre këta elementë, duke veçuar si veçanërisht problematike situatën aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, të karakterizuar nga polarizimi ekstrem dhe pamundësia e dialogut, çka ngre dyshime të forta në lidhje me komponentin e gjithëpërfshirjes në procesin e reformës. Sipas KRIIK, do të ishte e udhës që Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet më së pari në një rikompozim të përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, me qëllimin për të garantuar pikërisht gjithëpërfshirjen. Ky rikompozim do të duhet të garantojë një përfaqësim të të gjitha partive politike parlamentare dhe grupimeve aktualisht në Kuvend.
Gjithashtu, KRIIK sjell në vëmendje se është e nevojshme të ketë qartësi së pari në lidhje me vullnetin politik për adresimin e problematikave të vërejtura dhe vetëm më pas mundet që të trajtohen elementë teknikë nga ekspertët pranë Komisionit. Një qasje e kundërt do të ishte jo efektive, pasi në analizë të fundit reforma e kuadrit ligjor është vullnet politik dhe amendimet teknike mund të zhvillohen vetëm brenda kufijve të vendosura nga ky vullnet politik. Një vizion i dakordësuar politiko-institucional, i cili do të shërbejë si hartë e amendimeve ligjore, është domosdoshmëri përpara ndërhyrjeve teknike legjislative.
Në vijim të rekomandimeve, KRIIK vëren po ashtu se një nga çështjet që Komisioni do të duhet të sqarojë është nëse procesi reformues që aktualisht është duke u zhvilluar do të përfshijë vetëm ndryshime afatshkurtra, me synim të menjëhershëm Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, apo do të synohet hartimi i një Kodi të ri Zgjedhor, apo edhe amendimi i të tjera ligjeve, përtej Kodit Zgjedhor. Në gjykimin e KRIIK, problematikat që afektojnë integritetin e zgjedhjeve janë të tilla që kërkojnë ndërhyrje jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në një sërë ligjesh të tjera.
Në mënyrë që Komisioni të jetë eficient dhe efektiv, edhe duke marrë në konsideratë faktorin kohë, në gjykimin e KRIIK kërkohet që ai synojë të realizojë amendamente të arritshme dhe të realizueshme në kohë, së pari duke u fokusuar në amendime që synojnë Zgjedhjet për Kuvendin të vitit të ardhshëm. Në vijim, puna e Komisionit të Reformës të fokusohet dhe thellohet me synimin hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, ku problematikat të trajtohen në themel si dhe të punohet për hartimin e një ligji të ri për partitë politike, një ligji për financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore, si dhe një ligji për referendumet. Të gjitha sa më sipër janë pranuar si domosdoshmëri nga aktorët politikë në vazhdimësi.
I gjithë procesi reformues, do të duhet të shoqërohet me transparencë të plotë në lidhje me çdo diskutim të kryer apo dokument që vjen në Komisionin e Reformës si dhe konsultime të gjera, për të garantuar gjithëpërfshirjen.
Në vijim, Dokumenti i dërguar nga KRIIK paraqet një sërë rekomandimesh për t’u konsideruar nga Komisioni i Reformës, në lidhje me:
- Domosdoshmërinë që synimi final i ndryshimeve ligjore të jetë një rregullim efektiv, duke patur një bosht vlerash që kanë në qendër qytetarin, duke siguruar pjesëmarrjen efektive të tij në punët publike, transparencën dhe llogaridhënien ndaj tij.
- Nevojën që reforma të zhbëjë sistemin e patronazhimit politik
- Forcimin e institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
- Regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve
- Numrin e kandidatëve për çdo zonë zgjedhore
- Zgjedhësit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve
- Barazinë gjinore për organet e zgjedhura
- Votën parapëlqyese dhe shpërndarjen e mandateve bazuar në të
- Implementimin e të drejtës së votës për shtetasit jashtë Republikës së Shqipërisë
- Votimin dhe numërimin e votave
- Fushatën zgjedhore dhe pasqyrimin e saj në mediat elektronike
- Financimin e fushatës zgjedhore
- Parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral
- Administrimin e zgjedhjeve
Tiranë, më 4 Mars 2024!
Dokumentin e plotë mund ta lexoni më poshtë ose ta shkarkoni në formatin pdf!
R E K O M A N D I M E
MBI PËRMIRËSIMIN E KUADRIT LIGJOR PËR ZGJEDHJET, NË KUADËR TË PROCESIT TË REFORMËS ZGJEDHORE
Drejtuar: Bashkëkryetarëve të Komisionit
të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore
Z. Damian GJIKNURI
Z. Enkelejd ALIBEAJ
Anëtarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore
Për Dijeni: Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë,
Sh.S.Znj. Lindita NIKOLLA
Krerëve të Grupeve Parlamentare
Kryetarëve të Partive Politike Parlamentare
Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit
Të nderuar Bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit!
Koalicioni për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka si mision mbrojtjen dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut, si dhe të dimensionit të plotë të sigurisë njerëzore nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike, nxitjes së aktivizmit e të angazhimit qytetar si dhe nxitjes për përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie të plotë të institucioneve publike dhe politike.
KRIIK në bashkëpunim me apo në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një ndër organizatat themeluese dhe drejtuese të KVV, ka ndjekur në vazhdimësi, veçanërisht pas Reformës Zgjedhore të korrikut 2012, zhvillimin e të gjitha proceseve dhe veprimtarive politike dhe institucionale, të cilat afektojnë drejtpërsëdrejti apo indirekt integritetin e procesit zgjedhor, si një proces kompleks ku përfshihet sjellja, ligjzbatimi dhe funksionimi i tërë ngrehinës institucionale dhe politike në raport me detyrimin kushtetues për respektimin dhe garantimin e vullnetit të lirë dhe të pacenuar të qytetarëve.
Gjithashtu, KRIIK ka kontribuar në vijimësi me anë të raporteve, qëndrimeve publike, apo rekomandimeve për përmirësimin e kuadrit ligjor, qoftë nëpërmjet dokumenteve të drejtuar komisioneve të posaçëm parlamentarë të ngritur nga Kuvendi, rekomandimeve verbale nëpërmjet takimeve me anëtarë të këtyre komisioneve apo ekspertëve të angazhuar prej tyre, rekomandimeve të paraqitura dhe integruara në raportet e monitorimit të proceseve zgjedhore, rekomandimeve ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përmirësimin e kuadrit ligjor dytësor, apo edhe institucioneve të tjera, aktiviteti i të cilave afekton procesin zgjedhor.
Në vazhdën e këtij angazhimi, KRIIK ka ndjekur në vijimësi edhe aktivitetin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore ngritur me Vendimin e Kuvendit nr. 12/2022, datë 10 shkurt 2022. Në datë 11 qershor 2022, dy ditë pasi Kuvendi kishte miratuar përbërjen e Komisionit, pas një vonese të pajustifikueshme katër mujore nga dita e ngritjes, dhe përpara se Komisioni të zhvillonte mbledhjen e tij të parë, me anë të Qëndrimit Publik “Deputetët dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre për nisjen e punës dhe realizimin e një Reforme të vërtetë Zgjedhore, të mbështetur në parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes”[1] KRIIK i ka adresuar disa rekomandime të përgjithshme Komisionit aktual, duke ngritur gjithashtu çështje të tjera që Komisioni do të duhet, në gjykimin e KRIIK, t’i kishte në vëmendje, duke shprehur shqetësimin për mungesën e seriozitetit në vonesat e pajustifikueshme në funksionalizimin e Komisionit, si dhe duke bërë thirrje për një proces reformues transparent, të thelluar e gjithëpërfshirës.
KRIIK vlerëson ftesën e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore për të paraqitur rekomandime në lidhje me Reformën Zgjedhore, bashkëpunimin me Institucionin e Kuvendit të Shqipërisë, partitë politike të cilat anëtarët e Komisionit përfaqësojnë, si dhe bashkëpunimin me secilin prej anëtarëve të Komisionit, bashkëpunim i cili ka qenë në vazhdimësi të aktivitetit të KRIIK me synim forcimin e integritetit të zgjedhjeve në vend. Duke vlerësuar ftesën e Komisionit për të kontribuar, përfaqësues të KRIIK morën pjesë dhe paraqitën një sërë rekomandimesh në mbledhjen e datës 9 shkurt 2022, zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky Dokument paraqet qëndrimet dhe rekomandimet kryesore të KRIIK, të shprehura pjesërisht, për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion, edhe në atë mbledhje.
Në krye të herës, vlen të ritheksohet qëndrimi publik i KRIIK, i përsëritur në vazhdimësi përgjatë viteve, se procesi reformues i kuadrit ligjor që rregullon zgjedhjet, por jo vetëm, kërkon angazhimin e të gjitha palëve që të garantohet një reformë gjithëpërfshirëse, transparente dhe e thelluar e kuadrit ligjor. KRIIK vlerëson se, deri në këtë moment, procesi reformues aktual ka ceduar në të tre këta elementë. Veçanërisht problematike shihet situata aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, e karakterizuar nga polarizimi ekstrem dhe pamundësia e dialogut, çka ngre dyshime të forta në lidhje me komponentin e gjithëpërfshirjes në procesin e reformës, një komponent i domosdoshëm ky që produkti ligjor i Komisionit të Reformës dhe, si rrjedhim, edhe i proceseve zgjedhore që do të zhvillohen në vijim duke u bazuar në këtë kuadër ligjor, të ketë legjitimitetin e domosdoshëm.
Në këtë situatë totalisht jo serioze si dhe me pasoja negative në vijim për integritetin dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor, në gjykimin e KRIIK do të ishte e udhës që Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet më së pari në një rikompozim të përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, me qëllimin për të garantuar pikërisht gjithëpërfshirjen. Ky rikompozim do të duhet të garantojë një përfaqësim të të gjitha partive politike parlamentare dhe grupimeve aktualisht në Kuvend.
Nga ana tjetër, dhe po aq e rëndësishme, risjellim në vëmendjen e anëtarëve të Komisionit se, sipas Vendimit nr. 12/2022 të Kuvendit, “Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse.” Pra, në objektin e punës së Komisionit mungon trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, rekomandime të cilat fokusohen në adresimin e një numri problematikash tejet shqetësuese, të tilla si shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve, apo keqpërdorimi i burimeve administrative për avantazh elektoral, çështje të cilat nuk janë të përfshira në Planin e Punës të Komisionit.
Përpos sa më sipër, në vijimësi edhe të qëndrimeve të mëparshme publike të KRIIK, ritheksojmë se praktika e proceseve të mbyllura, me mungesë të thellë të transparencës dhe përfshirjes domethënëse të aktorëve vendorë, si dhe e dakordësisë së ngushtë në momentet e fundit, duhet të marrë fund. Funksionimi dhe zhvillimi i vërtetë i proceseve demokratike, si dhe legjitimimi i plotë e i vërtetë i institucioneve të zgjedhura me votën e lirë e të pandikuar të shtetasve shqiptarë, nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të ngushta dhe kalkulimeve elektorale të partive politike kryesore. Për sa më sipër, në gjykimin e KRIIK është e nevojshme që vendimmarrja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore të jetë konsensuale dhe me shumicë të cilësuar.
Gjithashtu, është e nevojshme që Komisioni të ketë një marrëdhënie korrekte me ekspertët dhe aktorët jashtë parlamentarë, përfshi partitë që nuk janë aktualisht të përfaqësuara në Kuvend, organizatat e shoqërisë civile, aktorët ndërkombëtarë, ekspertët, apo të tjerë aktorë e grupe interesi. Në këtë frymë, KRIIK propozon që në funksion të rritjes së transparencës, Komisioni të konsiderojë me maksimumin e vëmendjes çdo rekomandim të ardhur nga cilido aktor, vendas apo ndërkombëtar, politik apo grupim qytetar, të publikojë të gjithë këto rekomandime në ndërfaqen e vet të dedikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe arsyetimin specifik për pranimin apo mospranimin e secilit rekomandim.
Dhe së fundmi nga këndvështrimi i procedurës, risjellim një rekomandim të propozuar edhe më parë nga KRIIK, qoftë ndaj Komisionit aktual qoftë ndaj komisioneve të mëparshëm për reformën zgjedhore, se nevojitet të miratohet një rregullore e posaçme e Komisionit tw Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, tej Rregullores së brendshme të Kuvendit, e cila referuar edhe seancave të mëparshme të vetë këtij Komisioni, ka dështuar të rregullojë marrëdhënien e anëtarëve të Komisionit me ekspertët.
Në gjykimin e KRIIK, një nga çështjet e para që Komisioni do të duhet të sqarojë është nëse procesi reformues që aktualisht është duke u zhvilluar do të përfshijë vetëm ndryshime afatshkurtra, me synim të menjëhershëm Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, apo do të synohet hartimi i një Kodi të ri Zgjedhor, apo edhe amendimi i të tjera ligjeve, përtej Kodit Zgjedhor. Është e rëndësishme pra, të qartësohet se cili është niveli i thellësisë së ndryshimeve ligjore që ky Komision do të synojë. Në gjykimin e KRIIK, problematikat që afektojnë integritetin e zgjedhjeve janë të tilla që kërkojnë ndërhyrje jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe në një sërë ligjesh të tjera, përfshi por pa u kufizuar në Ligjin për Partitë Politike, si dhe, idealisht hartimin dhe aprovimin e ligjeve të reja, si ai për Financimin e Partive Politike apo për Referendumet. Komisioni duhet të synojë një ndërhyrje të thelluar dhe në linjë me angazhimet e mëparshme të aktorëve politikë në nivele të larta të përfaqësimit, edhe gjatë aktiviteteve të organizuara nga KRIIK.
Në mënyrë që sa më sipër të arrihet, është e nevojshme të ketë qartësi së pari në lidhje me vullnetin politik për adresimin e problematikave të vërejtura. Kjo dakordësi do të duhet të jetë së paku mbi tri çështje, tematikat që do të trajtohen nga Komisioni i Reformës, niveli dhe thellësia e ndërhyrjes në kuadrin ligjor, si dhe nivelin e llojeve të adresimit. Vetëm më pas do të duhet që ekspertët pranë Komisionit të nisin punën e vet. Një qasje e kundërt do të ishte jo efektive, pasi në analizë të fundit reforma e kuadrit ligjor është vullnet politik dhe amendimet teknike mund të zhvillohen vetëm brenda kufijve të vendosura nga ky vullnet politik. Është e pamundur të zhvillohet një proces dialogu dhe konsultimi mbi teknikalitete pa u arritur më parë një vizion i dakordësuar politiko-institucional, i cili do të shërbejë si hartë e amendimeve ligjore. Mangësi madhore kjo e proceseve reformuese, që në çdo rast ka nulizuar mundësinë për amendime të shëndetshme dhe vizionare, por ka rezultuar në amendime pjesore të cilat, në disa raste, kanë krijuar edhe kontradikta apo moskoherenca ligjore.
Sa më sipër kërkon një ridimensionim të procesit, me një fryme të re e të mbështetur në një bosht vlerash që synojnë një demokraci të gjallë, funksionale, e me në qendër qytetarin, të cilit i sigurohet pjesëmarrje efektive, i jepet llogari dhe i ofrohet transparencë e plotë.
Në mënyrë që Komisioni të jetë eficient dhe efektiv, edhe duke marrë në konsideratë faktorin kohë, në gjykimin e KRIIK kërkohet që ai të ketë një program të qartë dhe të mirëdetajuar pune, me synimin për të realizuar amendamente të arritshme dhe të realizueshme në kohë, së pari duke u fokusuar në amendime që synojnë Zgjedhjet për Kuvendin të vitit të ardhshëm. Në vijim, puna e Komisionit të Reformës të fokusohet dhe thellohet me synimin hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, ku problematikat të trajtohen në themel si dhe të punohet për hartimin e një ligji të ri për partitë politike, një ligji për financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore, si dhe një ligji për referendumet. Të gjitha sa më sipër janë pranuar si domosdoshmëri nga aktorët politikë në vazhdimësi. I gjithë procesi reformues, do të duhet të shoqërohet me transparencë të plotë në lidhje me çdo diskutim të kryer apo dokument që vjen në Komisionin e Reformës si dhe konsultime të gjera, për të garantuar gjithëpërfshirjen.
Së fundmi, ndërkohë që rekomandime më specifike dhe teknike mund të gjenden në vijim të këtij dokumenti, vlen të theksohen në këtë seksion hyrës së paku dy rekomandime, të cilët në gjykimin e KRIIK janë thelbësorë.
Së pari, me amendimet që i janë bërë kuadrit ligjor për zgjedhjet në vijimësi, vërehet qasja për zhveshjen prej kompetencave e KQZ-së nga institucioni “organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet” sikurse u parashikua në Kushtetutën e miratuar me referendum popullor në vitin 1998, në një “institucion shtetëror i ngarkuar për administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod”, sikurse parashikohet aktualisht. Madje, me amendimet e njëanshme të ndërmarra nga maxhoranca më 5 Tetor 2020, u hoq edhe togfjalëshi që e përcaktonte si “organi më i lartë shtetëror i përhershëm”.
Në gjykimin e KRIIK, kjo qasje është e dëmshme për integritetin e procesit zgjedhor, pasi e dobëson KQZ-në, ndërkohë që ky institucion duhet të mbështetet me forcë nga të gjithë aktorët, dhe më së pari nga forcat politike, si një institucion që duhet të shërbejë si model i ligjzbatimit dhe integritetit, pasi administron dhe garanton integritetin e institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve. Po aq e rëndësishme është që KQZ-ja të monitorohet në aktivitetin e vet në vijimësi, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të performancës. Për sa më sipër, KRIIK i rekomandon Komisionit të marrë në konsideratë ndryshime ligjore të cilat ta fuqizojnë institucionin e KQZ-së, i cili duhet të jetë jo thjesht një institucion administrues i zgjedhjeve, por një institucion që garanton integritetin e procesit zgjedhor, në të gjithë elementët e vet. Sa më sipër kërkon edhe një forcim të pozitave dhe trajtim të veçantë të administratës së KQZ-së, përveçse forcim të pozitave të trupës drejtuese të tij.
Së dyti, synimi final i ndryshimeve ligjore që priten nga ky Komision do të duhet të jetë një rregullim efektiv, duke patur një bosht vlerash që kanë në qendër qytetarin, duke siguruar pjesëmarrjen efektive të tij në punët publike, transparencën dhe llogaridhënien ndaj tij. Gjithë ndryshimet ligjore duhet ti përgjigjen kërkesave madhore kushtetuese, që janë edhe problemet kryesore të zgjedhjeve, që qytetari të jetë i lirë, i pandikuar dhe vetëvendosës në zgjedhjen e përfaqësimit politik.
Në këtë frymë, emergjente dhe parësore është që ndryshimet ligjore të synojnë në zhbërjen e strukturës së patronazhimit politik të ngritur, i cili synon të kontrollojë totalisht dhe në mënyrë të detajuar votën e qytetarit, duke u fokusuar në përfitime të ngushta të individëve apo grupeve, duke përdorur marrëdhëniet dhe rrjetet personale për të mbledhur vota në shkëmbim favoresh, dhe duke operuar me metoda jo transparente. Aktivizmi politik dhe përpjekjet e partive politike për të tërhequr votën qytetare nuk janë patronazhim politik, ato përfaqësojnë një qasje thelbësisht të ndryshme ndaj angazhimit politik. Ndërsa aktivizmi kërkon ndryshime më të gjera shoqërore përmes mjeteve të hapura dhe transparente, patronazhimi fokusohet në përfitimet individuale dhe shpesh vepron në mënyra jo transparente, dhe, në afat të gjatë, mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme aktivizmin politik të vërtetë, duke gërryer sistemin e vlerave mbi të cilat bazohet demokracia.
Në vijim do të gjeni disa rekomandime të një karakteri më teknik. Rekomandimet janë të ndara në dy nënseksione:
- Rekomandime në lidhje me çështjet që janë listuar në Planin e Punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
- Rekomandime të tjera (çështje që nuk janë në Planin e Punës por që konsiderohen si thelbësore)
Duke qenë se një pjesë e pikave të planit të punës së Komisionit kanë mbivendosje dhe çështjet e trajtuara kanë një lidhje të ngushtë organike me njëra-tjetrën, në Seksionin I të Dokumentit, disa nga çështjet e listuara në Planin e Punës së Komisionit janë grupuar, duke mbajtur të njëjtën logjikë.
Vlen të theksohet se një pjesë e rekomandimeve më poshtë janë shoqëruar me një përshkrim të problematikës që synojnë të adresojnë. Niveli i thellimit të përshkrimit të problematikës ndryshon nga rekomandimi në rekomandim, në varësi të nivelit të sqarimit që është gjykuar se është e nevojshme. Në çdo rast, KRIIK mbetet në dispozicion të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore për të sqaruar më në detaje logjikën që qëndron pas secilit rekomandim apo edhe vetë rekomandimet, nëse të tilla sqarime do të jenë të nevojshme.
I. Rekomandime në lidhje me çështjet në planin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore
I.1. Regjistrimi i subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve dhe numri i tyre për çdo zonë zgjedhore
I.1.1. Garantimi se partitë politike që do të regjistrohen në zgjedhje funksionojnë sipas normave demokratike dhe kuadrit ligjor
Një problematikë thelbësore me një numër të konsiderueshëm të partive politike në Shqipëri, është mosfunksionimi i tyre në përputhje me normat demokratike (në kundërshtim në pikën 1 të nenit 9 të Kushtetutës dhe nenit 7.a të Ligjit për Partitë Politike).[2] KRIIK konsideron se kjo është një situatë e papranueshme për organizata të cilat aspirojnë të marrin përsipër përgjegjësi publike, drejtojnë apo qoftë edhe ndikojnë politikat publike.[3] Në mënyrë që operimi i partive politike të jetë në përputhje me normat demokratike të sanksionuara nga Kushtetutë, ato duhet më së pari të funksionojnë brenda vetes në mënyrë demokratike dhe në përputhje me statutin e partisë që anëtarët e tyre kanë miratuar.
Ndërsa nuk duhet kurrsesi të kufizohet liria e organizimit, opinion-bërjes dhe shprehjes së tyre si një pasuri e çmuar dhe thelbësore për sigurimin e pluralizmit dhe të vetë sistemit demokratik, po kaq e rëndësishme është që në momentin që këto organizma do të duan të marrin dhe zhvillojnë përgjegjësi e funksione publike duke marrë pjesë e garuar në zgjedhje, të tregojnë paraprakisht se organizimi dhe funksionimi i tyre është në përputhje me parimet e demokracisë dhe detyrimet kushtetuese, njohin dhe zbatojnë kuadrin ligjor dhe se organet e tyre drejtuese kanë legjitimitetin e përfaqësimit dhe janë brenda afatit të mandatit të zgjedhur sipas përcaktimeve të statutit të tyre të miratuar nga organi më i lartë i vet-organizimit të tyre e sipas parashikimeve ligjore.
Kur partia politike (anëtarësia e saj dhe mbështetësit e saj) gjykon se ka kapacitetet e nevojshme dhe është e gatshme për të marrë pjesë në një garë zgjedhore, është momenti që duhet të tregojë përpara publikut dhe institucioneve shtetërore se ajo vepron dhe është në përputhje me kërkesat e Kushtetutës dhe se organet e saj drejtuese kanë mandat të vlefshëm përfaqësimi, sipas statutit, për të përfaqësuar partinë në raport me të tretë.
Bazuar në sa më sipër, KRIIK rekomandon që në kriteret e regjistrimit të subjekteve zgjedhore (neni 64, pika 2 e Kodit Zgjedhor) të shtohet detyrimi për të depozituar vërtetimin e gjykatës nëse subjekti është konform kriterit kushtetues dhe ligjor për kryerjen e zgjedhjeve demokratike e periodike dhe se Përfaqësuesi Ligjor i Partisë Politike është brenda periudhës së mandatit të përfaqësimit, konform parashikimeve të statutit të partisë përkatëse.
Një alternativë më e qëndrueshme, do të ishte që, në linjën e forcimit të mëtejshëm të Institucionit të KQZ-së si një institucion i pavarur me një natyrë të posaçme, të mund të ngrihej si pjesë e strukturës së KQZ-së një Zyrë e Partive Politike, dhe të ishte KQZ-ja (pra Zyra e Partive Politike) e cila të bënte verifikimin e vlefshmërisë ose jo të mandatit bazuar në aktet e partisë përkatëse politike të depozituara në Gjykatën e Tiranës.
Një tjetër avantazh i kësaj do të ishte se ngritja e ZPP-së pranë KQZ-së do të siguronte një ndërveprim më të mirë dhe rriste efikasitetin e punës së KQZ-së në raport me të drejtat dhe detyrimet që ligji parashikon për partitë politike, për të cilat si institucion përgjegjës është ngarkuar KQZ-ja (p.sh. mbikëqyrja financiare).
I.1.2. Afati fundor për zotërimin e mandatit që një subjekt zgjedhor të çlirohet nga detyrimi për të mbledhur firma mbështetëse
Sipas kuadrit ligjor aktual, regjistrimi i subjekteve zgjedhore të cilat nuk zotërojnë mandat në këshillat vendore apo në Kuvend në gjashtë muajt e fundit bëhet kundrejt detyrimit për të mbledhur firma mbështetëse të zgjedhësve. Me amendimin e kryer në Kodin Zgjedhor në vitin 2020, si afat i fundit për zotërimin e një mandati të tillë është vendosur gjashtë muaj nga përfundimi i mandatit të Kuvendit apo organit të njësisë së qeverisjes vendore (neni 68, pika 3 e Kodit Zgjedhor).
KRIIK e konsideron këtë amendim jo të përshtatshëm dhe jo logjik, duke qenë se i referohet një momenti kohor të mëpasshëm. Për më tepër, fakti që i referohet një afati të mëpasshëm kohor e bën të paqartë logjikën e vendosjes së një tjetër afati përpara kësaj date (gjashtë muaj).
Problematika kryesore që paraqitet në përmbajtje të kësaj dispozite është se thjeshtohet maksimalisht migrimi i këshilltarëve vendorë apo i deputetëve të Kuvendit për qëllime afatshkurtra politike, qofshin ato të vërteta apo fiktive, duke shmangur çdo lloj përgjegjësie politike e morale, ndërkohë që nuk ka asnjë detyrim për të shmangur fiktivitetin e deklarimit të përkatësisë ndaj një partie politike që nuk gëzon mandat.
Gjithashtu, kjo dispozitë shmang detyrimin për të mbledhur firma nga subjekte të caktuara zgjedhore, të cilat mund të “huazojnë” deputetë apo këshilltarë bashkiakë nëpërmjet trataktivave jo në shërbim të interesit publik, duke dëmtuar barazinë në garë, në raport me subjekte të tjera konkurruese të cilat nuk kanë mundësinë apo zgjedhin të mos kryejnë të tilla trataktiva.
Një situatë e tillë është evidentuar jo vetëm në këshillat vendorë, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë, me deputetë të cilët, dukshëm në mënyrë fiktive, janë deklaruar të një force politike në Kuvend, ndërkohë që publikisht janë qartas deputetë të një tjetër force, duke krijuar situata absurde.
Norma bëhet akoma më problematike nëse konsiderojmë se, në rastin e kandidatëve aktualisht deputetë që kërkojnë të kandidojnë si të pavarur, detyrimi për të mbledhur firma mbështetëse hiqet vetëm nëse “… paraqet një vërtetim me shkrim të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit, ku vërtetohet zotërimi i mandatit të paktën 6 muajt e fundit (Neni 69, pika 4 dhe Neni 70, pika 4 e Kodit Zgjedhor)”, duke e lënë evazive datën nga e cila përllogaritet afati. Mënyrat si janë të ndërtuara aktualisht dispozitat ligjore lënë mundësi për diskriminim të kandidatëve të pavarur, duke i trajtuar ata në mënyrë të ndryshme nga kandidatët e propozuar nga partitë politike.
Për të adresuar sa më sipër, KRIIK rekomandon që si afat i fundit për zotërimin e mandatit të Kuvendit apo këshillit vendor të vendoset gjashtë muaj përpara afatit final për regjistrimin e kandidatëve, apo gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve. Për të pamundësuar abuzimin me këtë normë nëpërmjet migrimit fiktiv të këshilltarëve vendorë apo deputetëve, këshillat vendorë dhe Kuvendi të kenë detyrimin për të dorëzuar në KQZ përkatësinë partiake të gjithë anëtarëve të tyre në momentin e afatit fundor (gjashtë muaj përpara datës që do të caktohet) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Data fundore për përllogaritjen e afatit të citohet qartë si në nenin 68 (në lidhje me partitë politike) ashtu edhe nenet 69 dhe 70 (kandidatët e pavarur) të Kodit Zgjedhor, duke unifikuar dispozitat ligjore.
I.1.3. Pabarazia e votës mes zonave zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë
Në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021, dy qarqe devijojnë dukshëm dhe janë mbi normën e këshilluar nga Komisioni i Venecias (prej 10%), nga mesatarja e numrit të shtetasve për mandat: Gjirokastra dhe Kukësi, respektivisht me 13.7% dhe 13%. Ky devijim pranohet të jetë në përputhje me praktikat e mira për zgjedhjet duke qenë se nuk e kalon limitin prej 15%.[4]
Praktikat e mira, sidoqoftë, pranojnë edhe të tjera mënyra për përcaktimin e mandateve për zonë zgjedhore, si bazuar në numrin e zgjedhësve në listë, të zgjedhësve që aktualisht votojnë, apo edhe një kombinim të këtyre metodave[5].
Analiza e numrit të mandateve sipas numrit të zgjedhësve të regjistruar për zgjedhjet e vitit 2021 disfavorizon dukshëm zgjedhësit e Gjirokastrës nga pikëpamja e përfaqësimit (20% devijim nga mesatarja kombëtare). Akoma më problematike paraqitet situata nëse numri i mandateve përllogaritet bazuar në numrin e zgjedhësve që efektivisht kanë votuar specifikisht në Zgjedhjet e vitit 2021. Në atë rast rezultojnë pesë nga 12 zonat zgjedhore që devijojnë me më shumë se 10% nga mesatarja, dy prej të cilave me më shumë se 15%.
Bazuar në sa më sipër rezulton se, pavarësisht se numri i mandateve për zonë zgjedhore është në linjë me praktikat e mira, bazuar në numrin e shtetasve, nëse konsiderohet numri i zgjedhësve apo pjesëmarrja efektive në votime, dëmtohet rëndë parimi i barazisë së votës, dhe zgjedhësit në zona të ndryshme zgjedhore kanë nivel të ndryshëm përfaqësimi në Kuvend.
KRIIK rekomandon të konsiderohet një formulë e cila të jetë më e drejtë në ndarjen e mandateve mes zonave zgjedhore dhe të garantojë barazinë e votës. Një model i bazuar në numrin e shtetasve apo të zgjedhësve, por i korrektuar bazuar në numrin e zgjedhësve që aktualisht kanë votuar në një numër zgjedhjesh të mëparshme do të ishte më i drejtë, veçanërisht duke mbajtur në konsideratë se zona të caktuara të vendit kanë lëvizje demografike të ndryshme, qoftë me drejtim brenda apo jashtë vendit.
I.1.4. Shmangia e konfliktit të interesit (kandidatë për këshilltarë bashkiakë në lidhje të afërta familjare)
Nga eksperienca e zgjedhjeve vendore, thuajse në çdo listë kandidatësh të subjekteve zgjedhore për anëtarë të Këshillave Bashkiake, një numër i lartë kandidatët kanë lidhje të afërta familjare me njëri-tjetrin. Ndërkohë, në nenin 47 pika 3 të Ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcaktohet se “Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat e lidhur: bashkëshortë, prindër e fëmijë, vëlla e motër, si dhe vjehrri e vjehrra me nusen e dhëndrin”. Është e paqartë në këtë pikë arsyeja e vendosjes në listë të kandidatëve të cilët në pritshmëritë e partisë nuk kanë mundësi praktike për ta përfituar mandatin për të cilin garojnë, pasi vetëm një prej tyre mund të jetë këshilltar bashkiak. Me gjasë, një numër personash vendosen në listë në mënyrë fiktive, pasi partia nuk ka realisht pritshmëri të marrë një numër aq të lartë mandatesh.
Për të eliminuar kandidatura fiktive, të vendosura në listë për të plotësuar numrin e kandidatëve, KRIIK rekomandon që kufizimet e ligjit për Vetëqeverisjen Vendore të transpozohen edhe në Kodin Zgjedhor, duke ndaluar kandidaturat nga persona që kanë lidhje që nuk do t’i lejonin të ishin këshilltarë.
Në plotësim të sa më sipër dhe me qëllimin për të lehtësuar pjesëmarrjen e partive me më pak mbështetës në zgjedhjet lokale, KRIIK rekomandon që të konsiderohet heqja e detyrimit për të dorëzuar një listë kandidatësh të barabartë së paku me listën e mandateve, së paku në rastin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore. Kjo do të lehtësonte pjesëmarrjen në demokracinë lokale të partive politike me një numër më të ulët votuesish, duke i çliruar nga presioni për të paraqitur lista fiktive kandidatësh.
I.1.5. Kriteret për tërheqjen nga gara zgjedhore për kandidatët
Kandidimi i partive politike dhe kandidatëve, përfaqësues të tyre apo të pavarur është një akt i bazuar në vullnetin e subjekteve që kandidojnë. Pavarësisht se ky vullnet nuk duhet të bazohet në gjykimin tërësisht personal të tyre, apo të ndikohet nga interesa të ngushta të momentit, në vijimësi të proceseve zgjedhore është vërejtur se një fenomen i tillë ka ndodhur, duke konkluduar kërkesën për tërheqjen nga gara të kandidatëve të ndryshëm, si kandidatë të pavarur edhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike. Momenti i tërheqjes ka qenë i ndryshëm në raport me ecurinë e përgatitjes së procesit, dhe KQZ si institucioni përgjegjës për organizimin e tij, është vënë shpesh përballë një vullneti publik të shprehur për tërheqje nga kandidimi dhe boshllëkut ligjor për të trajtuar rastet.
KRIIK rekomandon që të parashikohet në ligj çregjistrimi i kandidatëve, duke ndarë fazën e çregjistrimit përpara printimit të fletës së votimit dhe pas printimit të saj.
Ndërsa në rastin e parë çregjistrimi është një proces relativisht i lehtë, i cili kërkon vetëm një vendim nga trupa përkatëse e administrimit zgjedhor, në rastin e dytë do të duhet të përcaktohen edhe parashikime shtesë. P.sh., në rastin e kandidatëve për Kuvendin, me fletën e votimit përdorur në zgjedhjet e fundit parlamentare, do të duhet që numri përkatës i kandidatit të tërhequr të eliminohet në mënyrë që zgjedhësit të mos gabojnë duke votuar për të. Kjo mund të realizohet duke vendosur një shenjë mbi fletën e votimit (komisionet e nivelit të dytë të pajisen me një vulë të posaçme e cila të mund të përdoret për të eliminuar kandidatët e tërhequr nga gara përpara ditës së zgjedhjeve, nëse do të ketë të tillë).
I.1.6. Dorëheqja e deputetëve apo këshilltarëve bashkiakë të zgjedhur si të pavarur
Ndërsa ligji e ka të parashikuar zëvendësimin e një individi të zgjedhur, qoftë deputet, kryetar bashkie apo anëtar i Këshillave Bashkiake, në rast se këta janë zgjedhur si përfaqësues të një force të caktuar politike, për kandidatët e pavarur nuk ka një përcaktim ligjor, në rast se për arsye të parashikuara në ligj, mandati i tij/saj përfundon. KRIIK rekomandon që të shtohen parashikimet ligjore për mënyrën e zëvendësimit të kandidatëve të pavarur deputetë apo këshilltarë bashkiakë, në rast dorëheqjeje. Ndërsa ky parashikim do të duhet të varet më së pari nga pozicioni i të zgjedhurit dhe sistemi zgjedhor, është domosdoshmëri që metoda e zëvendësimit t’i referohet vullnetit të qytetarëve, duke patur atë primar në ndërtimin e formulës së zëvendësimit.
I.1.7. Rritja e transparencës në lidhje me kandidatët për deputetë apo këshilltarë bashkiakë
Në proceset e fundit zgjedhore, KQZ ka vendosur standardin e detyrimit të kandidatëve për dorëzimin dhe publikimin, ndër të tjera, edhe të jetëshkrimit të tyre. Ky është një standard pozitiv, por i vendosur në aktet nënligjore të KQZ. Duke vlerësuar faktin se qytetarët duhet të jenë sa më mirë të informuar lidhur më çfarë përfaqësojnë kandidaturat e propozuara nga subjektet zgjedhore, KRIIK gjykon se dorëzimi i jetëshkrimit, sipas një standardi sa më mirë të detajuar, të miratuar nga KQZ, duhet të jetë përcaktim ligjor, duke e zhvendosur nga vullneti për ta lënë ose jo në aktet nënligjore të miratuara nga KQZ.
I.1.8. Mosplotësia e dokumentacionit për regjistrim (marrëveshja mes partive politike pjesë e një koalicioni)
Regjistrimi i koalicioneve si subjekte zgjedhore implikon përmbushjen e një sërë detyrimesh, ndër të cilat është edhe detyrimi për depozitimin e marrëveshjes sipas të cilës përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e partive anëtare të koalicionit. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, u regjistruan 2 koalicione, dhe sipas udhëzimet të Komisionerit shtetëror të Zgjedhjeve, Marrëveshja e Koalicionit, duhet të përmbante ndër të tjera edhe “Numrin e kandidatëve që duhet të propozojë secila parti politike brenda koalicionit për çdo zonë zgjedhore”. Ndërkohë, në vendimmarrjen e Komisionerit për regjistrimin e të dy koalicioneve, citohet se “Numri i kandidatëve dhe renditja e tyre do të bëhet sipas marrëveshjes midis palëve në një moment të dytë”.
Pra qartas KQZ në momentin e regjistrimit, por edhe më vonë, ka vendosur regjistrimin e koalicioneve pa dokumentacionin e plotë, sipas kërkesave ligjore. Duke qenë se në marrëveshjen e partive politike pjesëmarrëse të koalicionit, detajohen të drejtat dhe detyrimet ndërmjet tyre, si dhe përcaktohen benefitet e secilës parti përbërëse të koalicionit pas zgjedhjeve (qoftë në pikëpamje të shpërndarjes së mandateve apo të fondeve publike, etj.), KRIIK rekomandon që ligji të përcaktojë në mënyrë eksplicite detyrimin e KQZ të mos kryejë regjistrimin e koalicioneve si subjekte zgjedhore nëse dokumentacioni nuk është i plotë dhe kthimin për plotësim. Gjithashtu çdo parti politike në pikëpamje të financave dhe përgjegjësive të tjera, pavarësisht se është pjesë e një koalicioni, duhet të ketë përgjegjësi individuale në raport me ligjin.
Gjithashtu, në përmbushje detyrimeve ligjore, KQZ-ja përllogarit numrin e votave të vlefshme për çdo parti politike për këshillat vendorë në shkallë vendi, duke marrë më pas në konsideratë vetëm partitë politike, përbërëse të koalicionit, të cilat rezultojnë të kenë marrë jo më pak se 1 përqind vota për këshillat vendorë në shkallë vendi.
Në zgjedhjet e vitit 2023, në gjykimin e KRIIK, KQZ e interpretoi në mënyrë jo korrekte ligjin, ku parashikimi ligjor “…që përfshin numrin e votave të fituar nga secili subjekt në shkallë kombëtare”, u interpretua duke nënkuptuar me termin “subjekt” përcaktimin “subjekt zgjedhor”, pra koalicionin. Në gjykimin e KRIIK, ky interpretim është në kundërshtim me parashikimet e tjera në Kod, lidhur me rezultatet e partive politike në një proces zgjedhor, për shpërndarjen e fondeve (qoftë për fushatë zgjedhore, qoftë vjetore), shlyerjen e sanksioneve financiare (neni 88, pika 3 e 4), etj. Jo vetëm kaq, por një interpretim i tillë i dispozitave të Kodit Zgjedhor, sidomos pas disa proceseve zgjedhore, shpie në zhbërje të identitetit dhe personalitetit juridik të partive politike dhe tërë kuadrit rregullator ligjor lidhur me përfitimet apo detyrimet e partive politike, e rrjedhimisht të misionit dhe rolit thelbësor që ato kanë në sistemin demokratik. Ky interpretim i gabuar forcon dhe privilegjon padrejtësisht disa parti politike, duke devijuar në tavolinë vullnetin dhe votën e zgjedhësve, e duke shpënë në penalizime deri në shkrirje “de facto” të disa partive të tjera. Apo edhe në mbajtjen peng të këtyre partive politike ndaj zgjedhjes së bërë për një bashkëpunim të caktuar elektoral ndërpartiak e pjesëmarrjes në Koalicione Zgjedhore, në një betejë elektorale, në një moment të caktuar.
Në këto kushte, për të evituar situata të ngjashme në të ardhmen, por edhe një sërë komplikimesh të mëvonshme që vijnë, KRIIK rekomandon që kuadri ligjor të jetë më konkret dhe i qartë në definimin e normës ligjore në funksion të rregullimit të problemit të parashtruar më sipër.
I.2. Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve;
I.2.1. Njoftimi me shkrim i zgjedhësve në vendbanim
Njoftimi me shkrim i zgjedhësve, një proces i parashikuar në ligj për njoftimin e çdo qytetari për qendrën përkatëse të votimit, është karakterizuar në vijimësi nga problematika, të cilat nisin që nga modeli i hartuar i njoftimit, progresi i tij në terren, mungesa e informacionit të besueshëm në lidhje me realizimin e procesit apo edhe informacionet kontradiktore nga institucionet përgjegjëse.
Në këto kushte KRIIK rekomandon që ky mekanizëm të rishikohet dhe detajohet në Kodin Zgjedhor në të tërë elementët e tij, në mënyrë që të parandalohet diskrecioni në aplikim, vullneti individual apo edhe institucional për sabotimin e tij.Kuadri ligjor duhet gjithashtu të parashikojë sanksionet përkatëse në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e institucioneve përgjegjëse, të cilat aktualisht mungojnë.
I.2.2. Auditimi i listave të zgjedhësve
Procesi i auditimit të listave të zgjedhësve nga ana e dy ekspertëve (auditë teknicienë) në vazhdimësi nuk ka prodhuar ndonjë efekt konkret, pavarësisht se gjetjet e tyre kanë qenë, në disa raste, tepër të rënda. Në mënyrë të përsëritur, këta auditë, të përcaktuar nga Kryetari dhe Nënkryetari i KQZ-së përpara vitit 2020 (pra të balancuar politikisht) kanë sjellë raporte diametralisht të kundërt në lidhje me cilësinë e listës së zgjedhësve. Situata ishte e ngjashme edhe me ndryshimin e mënyrës së emërimit të tyre nga ana e Komisionerit dhe NënKomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e zhvilluara pas vitit 2020.
Për më tepër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vazhdimësi ka dështuar të ndërmarrë hapa të cilët të garantojnë integritetin e listës së zgjedhësve bazuar në raportet e auditëve, por është mjaftuar me përcjelljen e gjetjeve të tyre Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ky proces auditimi është de facto i pa përdorur në mënyrë efektive.
Me qëllim rritjen e transparencës në lidhje me hartimin e listave të zgjedhësve, KRIIK rekomandon që të mirëpërcaktohet e gjithë procedura që duhet të ndiqet nga KQZ-ja me gjetjet e auditëve teknicienë, përfshi mënyrën se si gjetjet i komunikohen DPGJC-së, detyrimin e kësaj të fundit për t’iu përgjigjur të gjitha gjetjeve të auditëve, detyrimin e auditëve për të dhënë përgjigje për shqetësimet e ngritura nga njëri prej tyre, etj.[6].
I.3. Barazia gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore;
I.3.1 Rritja e kuotës gjinore për listat për Kuvendin dhe alokimi i fondeve publike bazuar edhe në numrin e grave të zgjedhura
Me qëllim garantimin e barazisë gjinore, KRIIK rekomandon që për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin jo më pak se një në çdo dy emra të listës shumëemërore t’i përkasë të njëjtës gjini, sipas dispozitave ligjore tanimë në fuqi për këshillat vendorë.
Gjithashtu, si një masë nxitëse shtesë, në funksion të nxitjes së partive politike për rritjen e angazhimit të grave apo të tjera grupeve të nënpërfaqësuara, KRIIK rekomandon që të rishihet formula e shpërndarjes së fondeve vjetore për partitë politike, duke vendosur ndër të tjera si pjesë të formulës alokimin e një pjese të fondit në bazë të numrit të deputeteve gra, deputetëve të rinj, deputetëve nga minoritetet, etj. P.sh., një përqindje e caktuar e fondit vjetor të alokohet në proporcion me numrin e grave deputete që ajo forcë politike ka në Kuvend.
I.4. Zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë si dhe shpërndarja e mandateve (Vendimi nr. 28, datë 30.06.2021 i Gjykatës Kushtetuese)
Në parantezë të rekomandimeve teknike në lidhje me këtë pikë, në gjykimin e KRIIK, në momentin aktual që ndodhet vendi, sistemi zgjedhor duhet të inkurajojë ofrimin e alternativave për qytetarët, zbutjen e polarizimit politik, rritjen e pavarësisë së të zgjedhurve nga lidershipi i partive politike, si dhe forcimin e legjitimitetit dhe llogaridhënies së tyre ndaj zgjedhësve që i votojnë. Disa nga këto aspirata janë mishëruar edhe në ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, të cilat u pasuan nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor në vjeshtën e të njëjtit vit (mundësia e votës parapëlqyese për qytetarët).
Pavarësisht kritikave të KRIIK për implementimin në praktikë të votimit parapëlqyes, të cilat lidheshin me mungesën e konsensusit të gjerë politik dhe konsultimit me aktorët vendas gjatë amendimit të kuadrit ligjor, si dhe kufizimet e vendosura ndaj rirenditjes së kandidatëve bazuar në votën parapëlqyese[7], tanimë të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, gjykohet se mundësia që qytetarët të japin votë parapëlqyese është në thelb pozitive.
I.4.1. Renditja e kandidatëve fitues vetëm sipas vullnetit popullor (numrit të votave parapëlqyese) duke eliminuar çdo kufizim artificial
Në përmbushje të Vendimit nr. 28 datë 30.06.2021 të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën, pragu që një kandidat i listës shumëemërore të përfitojë nga rirenditja duhet të eliminohet.
Në mënyrë që të plotësohet kuadri ligjor, është e nevojshme të shtohen dispozita që përcaktojnë se si kryhet shpërndarja e mandateve në rastet kur kriteri i votës parapëlqyese nuk mund të aplikohet[8], pavarësisht se të tilla raste mund të kenë një probabilitet tepër të ulët. Në të tilla raste KRIIK rekomandon që shpërndarja e mandateve nominalë të kryhet me short apo sipas renditjes fillestare të kandidatëve në listë.
I.4.2. Numri i zonave zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin
KRIIK gjykon se është e udhës që të ruhen zonat zgjedhore aktuale, të cilat përputhen me kufijtë administrativë të qarqeve. Ruajtja e kësaj formule për numrin e zonave zgjedhore, e kombinuar me votimin parapëlqyes, krijon premisa më të mira për forcimin e lidhjes dhe llogaridhënies mes të zgjedhurve në Kuvend dhe zgjedhësve të tyre, sesa krijimi i zonave zgjedhore më të mëdha apo e një zone të vetme zgjedhore, që do ta largojë akoma më tepër të zgjedhurin nga zgjedhësit dhe centralizojë akoma më tepër partitë politike dhe rritë varësinë e deputetëve nga lidershipi i partive përkatëse.
Për të përmirësuar barazinë e votës mes zonave zgjedhore, një nga argumentet kryesorë të përdorur publikisht për krijimin e një zone të vetme zgjedhore, shih pikën I.1.3. në këtë dokument, më sipër.
I.4.3. Votimi parapëlqyes për kandidatët për këshillat vendorë
Në analogji me zgjedhjen e deputetëve, KRIIK rekomandon që në Kodin Zgjedhor të kryhen ndryshimet përkatëse, me qëllim që zgjedhësve t’u njihet e drejta për të shprehur votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore të këshillave bashkiakë si dhe që mandatet nominale të këshilltarëve bashkiakë të shpërndahen sipas këtyre votave parapëlqyese, njësoj si në zgjedhjet për Kuvendin.
I.4.4. Garantimi që kandidatët e pavarur të kenë mundësi efektive për t’u zgjedhur
Vetëm subjektet zgjedhore që e tejkalojnë pragun prej 1% të votave të vlefshme të fituara në rang vendi përfitojnë nga shpërndarja e mandateve (Neni 162, pika 1 e Kodit Zgjedhor), çka krijon një barrierë në praktikë të pakapërcyeshme për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, veçanërisht ata që kandidojnë në zona zgjedhore me numër të ulët zgjedhësish. Kjo krijon pabarazi në garë dhe i vendos në një disavantazh të theksuar kandidatët e pavarur, të cilët konkurrojnë vetëm në një zonë zgjedhore, ndërsa partitë politike konkurrojnë në të gjithë vendin. Sa më sipër është konfirmuar edhe nga Vendimi nr. 31, datë 4.10.2021 i Gjykatës Kushtetuese.
Në mënyrë që të garantohet barazia në garë dhe mundësi reale që kandidatët e pavarur të zgjidhen, KRIIK rekomandon që në rastin e kandidatëve të pavarur të mos ketë prag ligjor, pasi pragu natyror (në nivel zone zgjedhore), nëse do të ruhen zonat zgjedhore aktuale, është më i lartë se 1% në çdo rast.
I.4.5. Zëvendësimi i formulës për shpërndarjen e mandateve me një formulë që garanton shpërndarje më proporcionale të mandateve
Formula e aplikuar aktualisht për shpërndarjen e mandateve mes partive politike (d’Hondt) është e njohur të favorizojë partitë me më shumë vota ndaj atyre me më pak të tilla, duke dëmtuar proporcionalitetin mes votave të marra dhe mandateve të përfituara nga subjektet zgjedhore. Në mënyrë që të përmirësohet proporcionaliteti mes votave që një subjekt zgjedhor merr dhe numrit të mandateve të alokuara atij subjekti, KRIIK rekomandon që të konsiderohet aplikimi i një tjetër formule matematikore, më të drejtë, në shpërndarjen e mandateve. P.sh., mund të konsiderohet aplikimi i formulës së Sainte-Laguë, e cila ka qenë në përdorim për ndarjen e mandateve brenda koalicioneve deri në zgjedhjet e vitit 2017.
I.5. Implementimi i të drejtës së votës për shtetasit jashtë Republikës së Shqipërisë dhe skemat e mundshme të realizimit të saj (Vendimi nr. 38, datë 09.12.2022 i Gjykatës Kushtetuese);
I.5.1. Përllogaritja e votës dhe përfaqësimi
Në gjykimin e KRIIK, në mënyrë që shtetasit jashtë vendit të përfaqësohen në mënyrën e duhur, do të duhet që ata të kenë përfaqësuesit e vet të dedikuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ky gjykim bazohet edhe në faktin se, në një masë të konsiderueshme, zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit jetojnë aty në mënyrë permanente, duke qenë, de facto një grupim me interesat dhe specifikat e veta të veçanta, çka kërkon që edhe përfaqësuesit e tyre të jenë të dedikuar për përfaqësimin e tyre. Kjo shkon në linjë edhe me logjikën e mbajtjes së zonave zgjedhore aktuale dhe forcimin e lidhjes dhe llogaridhënies mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, diskutuar më sipër.
Përfaqësimi i dedikuar nënkupton që të krijohen zona zgjedhore të veçanta për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. Numri i deputetëve që do të zgjidhen në këto zona zgjedhore të përcaktohet në përputhje me statistika të përafërta të shtetit shqiptar në lidhje me numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Numri mund të rishihet në vijim, kur të dhëna më të sakta të jenë disponibël.
I.6. Regjistrimi dhe përgatitja e listës së zgjedhësve me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë
I.6.1. Votimi të mos jetë i kushtëzuar nga regjistrimi paraprak
Praktika deri në këtë moment ka treguar një hezitim të shtetasve shqiptarë jashtë vendit për t’u regjistruar. Nuk ka asnjë garanci apo arsye për të menduar se ky hezitim do të pakësohet në vijimësi dhe se zgjedhësit që jetojnë jashtë do të regjistrohen në masë të konsiderueshme.
KRIIK rekomandon që votimi i zgjedhësve jashtë vendit të mos kushtëzohet nga regjistrimi paraprak, por çdo person që dëshiron të votojë të ketë mundësinë ta bëjë këtë, duke u paraqitur në cilëndo qendër votimi të ngritur jashtë vendit dhe të mund të votojë, bazuar në një dokument identifikimi.[9]
Ndërsa kjo metodë mund të kritikohet për pasiguri të garantimit të mosvotimit të dyfishtë, përdorimi i teknologjisë garanton që nëse do të ketë raste të votimit të dyfishtë, personat përgjegjës do të identifikohen gjatë verifikimit të duplikateve të shenjave të gishtave që kryen KQZ-ja pas zgjedhjeve dhe procedohen nga organet kompetente. Për të rritur garancinë se nuk do të ketë votim të dyfishtë gjatë ditës së zgjedhjeve (pra siguria të mos bazohet vetëm në auditin e mëpasshëm, i cili nuk garanton parandalimin e votimit të dyfishtë por vetëm identifikimin e shkelësve pas faktit), mund të konsiderohet që sistemi i përdorur aktualisht nga KQZ-ja për identifikimin e zgjedhësve të mundësojë edhe ngarkimin e të dhënave për zgjedhësit që kanë votuar tanimë, në kohë reale, në një bazë të dhënash qendrore dhe personat që tanimë kanë votuar të shënjohen si të tillë në listën e zgjedhësve në të gjithë vendin. Kjo do të garantonte edhe eliminimin e votimit të shumëfishtë brenda vendit, përveçse për zgjedhësit jashtë. Teknikisht, sa më sipër, besohet të jetë e realizueshme, pasi KQZ-ja ka aplikuar tanimë dërgimin e të dhënave nga pajisjet e identifikimit elektronik drejt një baze të dhënash qendrore, me qëllim përllogaritjen e pjesëmarrjes, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2023).
Vlen të theksohet, megjithatë, se aplikimi i këtij propozimi kushtëzohet totalisht nga ofrimi i garancive të plota për një sistem transmetimi të të dhënave të sigurt dhe të mirëpërgatitur për t’u përballur me sulme kibernetike potenciale, pasi duke qenë i lidhur në rrjet dhe lejuar shkëmbimin e të dhënave në hyrje dhe në dalje, do të jetë shumë më vulnerabël ndaj tyre.
I.7. Metodologjia e votimit për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë;
I.7.1. Metodologjia e votimit
KRIIK sugjeron që zgjedhësit jashtë vendit të votojnë fizikisht, në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë (ambasada dhe konsullata). Në ato vende ku është e mundur (jo të gjitha shtetet pranojnë diçka të tillë dhe do të varet edhe nga marrëveshjet bilaterale mes shtetit shqiptar dhe shteteve ku jetojnë votuesit jashtë vendit), të konsiderohet mundësia e ngritjes së qendrave të votimit edhe jashtë përfaqësive diplomatike. Vendimi për numrin dhe vendndodhjen e qendrave të votimit të merret nga KQZ-ja, në Kodin Zgjedhor të përcaktohen kriteret se ku vendimi duhet të bazohet, në mënyrë që diskrecioni i institucionit të minimizohet.
Për të mundësuar që numri i qendrave të votimit që do të ngrihen për zgjedhësit jashtë vendit të jetë i mjaftueshëm, mund të konsiderohet që votimi të jetë i shtrirë në më shumë se një ditë (p.sh., ditën e shtunë përpara zgjedhjeve dhe vetë ditën e diel).
Një tjetër masë që mund të konsiderohet për të garantuar se do të ngrihet një numër i mjaftueshëm qendrash votimi, është që zgjedhësve që jetojnë jashtë t’u jepet mundësia që të regjistrohen paraprakisht duke shprehur vullnetin e tyre për të votuar në një qytet të caktuar. Ky proces të mbyllet në një kohë të mjaftueshme përpara ditës së zgjedhjeve, që t’i mundësojë KQZ-së të ngrejë një numër të mjaftueshëm qendrash votimi. Kjo mund të jetë e nevojshme së paku në disa raundet e para zgjedhore, për të mundësuar që KQZ-ja të ketë disa të dhëna bazuar mbi të cilat të ngrejë qendrat e votimit. Ky regjistrim paraprak nuk nënkupton që shtetasi të japë adresën e vet dhe të mos ketë efekt në ndryshimin e adresës së tyre (shih pikën më sipër mbi regjistrimin e zgjedhësve jashtë vendit) apo që të shkojë patjetër për të votuar në atë qendër votimi, por të përdoret vetëm si e dhënë statistikore nga KQZ-ja për të ngritur një numër të përshtatshëm qendrash votimi.
I.8. Administrimi i procesit zgjedhor dhe numërimi i votave për zgjedhësit me qëndrim jashtë Republikës së Shqipërisë.
I.8.1. Përbërja e komisioneve të qendrave të votimit të ngritura jashtë vendit
Komisioni i Qendrës së Votimit për Qendrat e Votimit jashtë vendit duhet të ketë të njëjtën përbërje si KQV-të brenda vendit.
I.8.2. Aplikimi i teknologjisë në qendrat e votimit të ngritura jashtë vendit
KRIIK rekomandon që në të gjitha qendrat e votimit të ngritura jashtë vendit të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik, pavarësisht masës në të cilën kjo do të aplikohet brenda vendit. Kjo do të garantojë që rezultatet paraprake të dërgohen menjëherë, ndërkohë që pritet mbërritja e materialeve zgjedhore në Shqipëri.
I.8.3. Auditimi paszgjedhor për qendrat e votimit të ngritura jashtë vendit
Me qëllim rritjen e besimit të publikut dhe subjekteve zgjedhore në rezultatet në qendrat e votimit jashtë vendit, KRIIK rekomandon që të përcaktohet në Kodin Zgjedhor që qendrat e votimit të ngritura jashtë vendit do të përfshihen automatikisht në procesin e këqyrjes së mëpasshme të fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore që kryen KQZ-ja për një kampion QV-sh brenda vendit. Kjo të mos afektojë kampionin e qendrave të votimit brenda vendit që auditohen.
I.9. Votimi
I.9.1. Personat e paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit
Një nga problemet më të mprehta të evidentuara në vazhdimësi nga KRIIK gjatë vëzhgimit të ditës së zgjedhjeve, është prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit. Në gjykimin e KRIIK, prania e këtyre personave nuk është rastësore dhe as e paorganizuar, por një pjesë integrale dhe thelbësore e skemës së patronazhimit politik dhe përpjekjeve për të drejtuar votën e qytetarëve në mënyrë totalisht të kontrolluar. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve lëshoi një udhëzim të mirëdetajuar për ta adresuar këtë problematikë në Zgjedhjet Lokale 2023, në përmbushje të pikës 7 të Nenit 109. Megjithatë, KRIIK vëren se sërish prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit vijonte të ishte problem në zgjedhjet e vitit 2023.
KRIIK rekomandon që të përcaktohet qartë ne Kodin Zgjedhor se KQV-ja është përgjegjëse për garantimin e një mjedisi të lirë nga ndikimi jo i duhur i zgjedhësve jashtë qendrës së votimit dhe njoftimin e Policisë së Shtetit në rast se vëren grumbullime personash apo tentativa për të drejtuar votën jashtë qendrës së votimit. KQV-ja të jetë e detyruar që të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të njoftojë Policinë e Shtetit për praninë e personave të paautorizuar jashtë qendrave të votimit dhe marrjen e masave për largimin e tyre, bazuar në denoncime nga vëzhgues të subjekteve zgjedhore apo vëzhguesit e pavarur.
I.9.2. Votimi dhe numërimi elektronik
KRIIK rekomandon që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, qysh në zgjedhjet e radhës parlamentare (2025). Në gjykimin e KRIIK, përtej kostove financiare që ndërmarrja e një hapi të tillë do të ketë, benefitet i tejkalojnë kostot. Megjithatë, KRIIK thekson se, në mënyrë që procesi të jetë i besueshëm për subjektet zgjedhore dhe qytetarët, do të duhet që KQZ-ja të zhvillojë një fushatë shumë më të gjerë dhe të zgjatur në kohë ndërgjegjësimi dhe informimi të qytetarëve, përfshi shumë më tepër pika testimi dhe me një shpërndarje më të lartë në territor përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që zgjedhësit të kenë mundësi të familjarizohen me metodën e re. Gjithashtu, për të eliminuar keqinformimin apo dezinformimin e qytetarëve, KQZ-ja do të duhet të rritë transparencën në lidhje me mënyrën si ka funksionuar teknologjia në zgjedhje pas ditës së zgjedhjeve.
I.9.3. Rritja e legjitimitetit të të zgjedhurve
Zgjedhjet vendore të vitit 2019 krijuan një situatë të paprecedentë në një numër bashkish në të cilat kishte vetëm një kandidat për kryetar bashkie. Si rrjedhojë e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike, kryetarët e bashkive, në shumë prej tyre u zgjedhën me një numër minimal votash, pasi pjesëmarrja ishte shumë e ulët. Ndërkohë që kjo nuk është në kundërshtim me kuadrin ligjor, dhe këta kryetarë e përfunduan mandatin e tyre sipas ligjit, një situatë e tillë sjell mungesë legjitimiteti të të zgjedhurve vendorë, pasi ata ishin të mandatuar nga një numër minimal zgjedhësish.
Përtej rastit konkret, të Zgjedhjeve Vendore 2019, përqindja e pjesëmarrjes në votime në vend është në rënie në mënyrë të vazhdueshme, në një trend shqetësues. Në mungesë të shifrave për numrin e qytetarëve që aktualisht jetojnë në vend, është e paqartë se në c’masë kjo është mungesë interesi, mosvotim proteste (qytetarët nuk shkojnë të votojnë pasi ndihen të papërfaqësuar apo kanë humbur besimin në institucionin e zgjedhjeve), pasojë e migrimit, apo të tjera arsye të mundshme. Përtej arsyeve, KRIIK gjykon se një situatë e tillë, veçanërisht me trendin aktual në rënie, mbart rrezikun që organet e zgjedhura të jenë jo legjitime në një të ardhme jo të largët. Ndërkohë që disa mënyra për të korrigjuar këtë problematikë mund të jenë edukimi i zgjedhësve dhe vetë angazhimi i partive politike me qytetarët, KRIIK gjykon se disa masa mund të ndërmerren në kuadrin ligjor gjithashtu.
KRIIK rekomandon dy amendime ligjore që mund të ndihmojnë në këtë drejtim:
I.9.3.1. Vendosja e një pragu minimal pjesëmarrjeje që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme. Në rast se pragu nuk arrihet, të organizohet një raund i dytë zgjedhjesh, në të cilin pragu të mos konsiderohet.
I.9.3.2. Votimi i detyruar. Një numër vendesh demokratike aplikojnë, apo kanë aplikuar në të shkuarën, votimin e detyruar për qytetarët e tyre dhe të dhënat tregojnë se në këto vende ka një rritje të pjesëmarrjes në zgjedhje. Logjika e një mase të tillë është se qytetarët kanë sa të drejtën, aq edhe detyrën të angazhohen në punët publike. Sanksionet për mospërmbushjen e detyrimit për të votuar si dhe implementimi i tyre në praktikë ndryshojnë. Sigurisht që një amendim i tillë kërkon që kuadri ligjor ta bëjë sa më të lehtë votimin për qytetarët, përfshi zbatimin efektiv të së drejtës së votës nga zgjedhësit që banojnë jashtë vendit, ashtu edhe të tjera ndryshime (shih pikën pasuese).
I.9.4. Ulja e numrit minimal të zgjedhësve që të hapet një qendër votimi
Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Korrik të vitit 2020, u rrit kufiri minimal i numrit të votuesve për çdo qendër votimi, nga 200 zgjedhës në 300 zgjedhës. KRIIK e konsideron rritjen e pragut minimal të zgjedhësve për hapjen e një qendre votimi si një barrierë që i vendoset ushtrimit të së drejtës së votës nga qytetarët, duke i larguar qendrat e votimit nga vendbanimi i qytetarëve, ndërkohë që benefitet e një veprimi të tillë nuk janë të qarta dhe as nuk janë shpjeguar në asnjë rast. Në asnjë prej pikave të dokumentacionit shoqërues të projektligjit, nuk shpjegohet arsyeja e këtij ndryshimi.
KRIIK rekomandon që numri minimal i zgjedhësve për qendër votimi të rikthehet në 200, në mënyrë që të lehtësohet mundësia për të votuar e zgjedhësve. Ky amendim bëhet domosdoshmëri në rast se do të vendoset që votimi të bëhet i detyruar, pasi në një rast të tillë autoritetet duhet ta lehtësojnë sa më shumë të jetë e mundur mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës.
I.10. Fushata zgjedhore në mediat elektronike;
I.10. 1. Monitorimi i plotë i mbulimit mediatik të fushatës zgjedhore
Ndërsa Kodi Zgjedhor përcakton se pasqyrimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizive duhet të jetë i lirë nga anshmëria apo komentet politike (p.sh. neni 80, pika 2 dhe neni 84, pika 2.ç e Kodit Zgjedhor), në proceset e shkuara zgjedhore, AMA i ka monitoruar Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) përgjithësisht në terma sasiorë, çka nuk mundëson që të evidentohen shkelje potenciale të paanshmërisë dhe profesionalizmit nëpërmjet tonit, komenteve, apo të tjera formave. Gjithashtu, AMA nuk i monitoron OSHMA-të në nivel lokal në mënyrë të pandërprerë, por duke kampionuar një pjesë të tyre. Sa më sipër, në vazhdimësi, është justifikuar nga AMA me pamundësitë teknike për të realizuar një monitorim të plotë. Këto kufizime, de facto, e vendosin AMA-n në kushtet e shkeljes së ligjit, pasi monitorimi i kryer nuk mundëson që të evidentohen shkelje të mundshme të cilat Kodi Zgjedhor i kërkon në mënyrë eksplicite nga ofruesit e shërbimeve audiovizuale.
Duke patur në konsideratë se neutraliteti i pasqyrimit mediatik është po aq i rëndësishëm, madje edhe më i rëndësishëm sesa minutat e pasqyrimit për të evidentuar mungesën potenciale të neutralitetit në paraqitjen e lajmit (pasi një mbulim negativ intensiv disavantazhon një forcë politike, ndërkohë që nga minutazhi mund të duket si avantazhim) dhe se mediat lokale kanë po aq rëndësi sa ato kombëtare, madje më të rëndësishme gjatë zgjedhjeve lokale, KRIIK rekomandon që kuadri ligjor të përcaktojë në mënyrë eksplicite se (1) monitorimi nga AMA duhet të garantojë që të gjithë elementët ligjorë te respektohen, përfshi anësinë e mundshme dhe se (2) të gjitha mediat duhet të monitorohen në mënyrë të pandërprerë.
Vlen të theksohet se ky ndryshim ligjor kushtëzohet thelbësisht nga mbështetja e AMA-s me burimet e nevojshme financiare, teknike e njerëzore që monitorimi i plotë të bëhet i mundur, pasi kjo ka qenë në vijimësi arsyeja e paraqitur nga ky institucion për mosmonitorimin cilësor dhe monitorimin e pjesshëm të mediave lokale.
I.10.2. Ndalimi i mediatizimit të aktiviteteve me karakter elektoral përpara nisjes së fushatës zgjedhore
Në mënyrë të vazhdueshme, partitë politike e nisin fushatën zgjedhore, de facto dhe në disa raste edhe formalisht, përpara afatit të përcaktuar në Kod, duke kryer aktivitete të cilat kanë qëllim të qartë elektoral përpara fushatës. Në mënyrë që efekti i kësaj sjelljeje të minimizohet, përveç përcaktimit eksplicit në kuadrin ligjor se aktivitetet me karakter elektoral ndalohen përpara nisjes së fushatës (shih pikat II.3.1 dhe II.3.3, më poshtë), Kodi Zgjedhor duhet të përcaktojë qartë edhe ndalimin e transmetimit të aktiviteteve me karakter elektoral përpara nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, në analogji me ndalimin e transmetimit gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore. Ky rregullim ligjor duhet të jetë i harmonizuar me përcaktimin e qartë në ligj të fushatës zgjedhore dhe ndalimin e qartë të aktiviteteve me karakter elektoral përpara nisjes së fushatës. Sanksionet për shkeljen e këtij përcaktimi ligjor të jenë të njëjta me ato për shkeljen e heshtjes zgjedhore.
I.10.3. Monitorimi i sjelljes së OSHMA-ve nga AMA përpara nisjes së fushatës
Në mënyrë që rregullimi ligjor i mësipërm të mund të aplikohet me efektivitet, KRIIK rekomandon që monitorimi i mediave nga AMA të jetë më i shtrirë në kohë sesa thjesht fushata zgjedhore. Pra, AMA duhet të nisë monitorimin e mediave përpara nisjes së fushatës zgjedhore. KRIIK sugjeron që monitorimi të jetë i barabartë me periudhën katër-mujore gjatë të cilave kufizohet veprimtaria e institucioneve publike.
I.10.4. Ndalimi i reklamës politike në mediat audiovizive
Reklama politike në mediat audiovizive, në vazhdimësi, ka qenë i karakterizuar nga tejkalimi të limiteve kohore nga subjektet zgjedhore, duke sjellë që subjektet me më shumë burime financiare të kenë akses shumë më të lartë në hapësirën mediatike nëpërmjet reklamës politike, si dhe i nëndeklaruar. Një situatë e tillë përpos se dëmton barazinë në garë mes subjekteve zgjedhore, duke mos u deklaruar, kthehet edhe në burim evazioni fiskal. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në raportin mbi gjetjet nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021ka evidentuar një diferencë tejet të lartë midis shumës së deklaruar si të shpenzuar dhe asaj të përllogaritur si të shpenzuar.
Ndërkohë, përgjigjet e disa mediave ndaj KQZ-së pas kërkesës së kësaj të fundit për sqarime mbi minutazhin e tejkaluar, tregojnë se disa media e kanë pranuar tejkalimin e minutazhit, në funksion të garantimit të barazisë midis subjekteve zgjedhore, pavarësisht sqarimeve të vakëta dhe të paqarta në lidhje me këtë. Nga ana tjetër, përgjigjet e partive në lidhje me të njëjtën çështje, e bëjnë situatën akoma më të paqartë. Në mungesë të kuadrit ligjor, KQZ-ja nuk ndërmori masa ndaj mediave apo subjekteve zgjedhore për shkeljet e qarta të evidentuara. Duke qenë në kushtet kur reklama politike lë shumë hapësira për anashkalim të kuadrit ligjor dhe kontrolli efektiv duket të jetë i parealizueshëm në praktikë, KRIIK rekomandon që, së paku për një periudhë kohore që përfshin disa procese zgjedhore reklama politike në mediat tradicionale të ndalohet. Një masë e tillë është ndërmarrë tanimë në Shqipëri, në rastin e Zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2017, pavarësisht se u bë e pazbatueshme në praktikë pasi ndryshimet u përfshinë në Ligjin për Partitë Politike, duke e vendosur këtë të fundit në kundërshti me Kodin Zgjedhor.
I.10.5. Parandalimi i tejkalimit të minutazhit të reklamave politike në mediat audiovizive
Me qëllimin për të adresuar tejkalimin e limitit në reklama politike, në rast se rekomandimi i mësipërm nuk do të merret në konsideratë, KRIIK rekomandon që ligji të detyrojë AMA-n që menjëherë sapo të arrihet limiti i minutazhit të reklamave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, të njoftojë OSHMA-në përkatëse, KQZ-në dhe subjektin zgjedhor. Tek njoftimi për OSHMA-në mund të përfshihet edhe urdhri për ndalimin e transmetimit të reklamës për subjektin në fjalë.
I.10.6. Ndalimi i reklamës së fshehtë në mediat audiovizive
Praktika e Zgjedhjeve për Kuvendin ka treguar gjithashtu raste të reklamës politike të fshehtë; disa kandidatë kanë patur marrëdhënie financiare me media audiovizive, duke paguar jo për reklamë politike në kuptimin e spoteve elektorale, të cilat rregullohen me ligj, por duke paguar për pjesëmarrje në emisione të cilat kanë për qëllim të njohin zgjedhësit me kandidatët.10
Në linjë me ndalimin e reklamës politike (shih rekomandimin paraardhës), KRIIK rekomandon që kuadri ligjor të ndalojë çdo marrëdhënie financiare mes subjekteve zgjedhore dhe medias përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Pasqyrimi i kandidatëve, veprimtarive të tyre apo çdo pasqyrim tjetër i kandidatëve politikë do të duhet të kryhet në funksion të informimit të publikut me ofertën elektorale, dhe jo i bazuar në transaksione financiare.
I.10.7. Ndalimi i përdorimit të materialeve audio dhe video të parapërgatitura nga subjektet zgjedhore
Mediave iu jepet e drejta/mundësia që nëse për shkaqe objektive nuk kanë mundësi të ndjekin veprimtari të veçanta zgjedhore, të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota të servirura nga subjektet zgjedhore, me kushtin që ta shoqërojë lajmin me shënimin “materiali filmik servirur nga subjekti…”. Përgjatë monitorimit të fushatave elektorale në media, KRIIK ka vërejtur se në edicionet informative, në televizione të ndryshme materialet e transmetuara janë identike, çka ngre dyshimin e fortë se materialet e transmetuara në media nuk serviren të plota në media sikurse ligji përcakton (Neni 84, pika 2/d), por të montuara paraprakisht dhe të gatshme për transmetim. KRIIK rekomandon që Kodi Zgjedhor t’i detyrojë mediat që të refuzojnë materiale filmike të paraqitura të montuara paraprakisht nga subjektet zgjedhore. Me qëllim që të garantohet se ky detyrim do të plotësohet, AMA të ngarkohet nga Kodi Zgjedhor me detyrimin që të kontrollojë përmbushjen e detyrimit të dorëzimit të materialeve të plota filmike nga subjektet zgjedhore në media. P.sh., mediat të dorëzojnë në AMA, në bazë ditore, filmimet e paedituara nga të cilat kanë nxjerrë materialin e përdorur.
I.11. Financimi i fushatës zgjedhore
Mungesa e transparencës dhe mbikëqyrja joefektive mbi financat e subjekteve zgjedhore është një nga problematikat madhore të zgjedhjeve në vend dhe që kërkon ndërhyrje urgjente dhe rrënjësore. Pavarësisht se problematika është shumë e gjerë dhe, ritheksohet se një rregullim efektiv kërkon një ndryshim rrënjësor të kuadrit ligjor, përfshi një ligj të dedikuar për financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore, është e nevojshme që Komisioni të adresojë, së paku, mangësitë e nevojat e hasura për rregullime minore, si dhe ngërçet e krijuara gjatë aplikimit të dispozitave ekzistuese ligjore në zgjedhjet e mëparshme.
Konsiderohet e nevojshme gjithashtu që të specifikohet eksplicisht se veprimtaria financiare e partive politike nuk është ekskluzivitet vetëm i funksionit kontrollues të KQZ-së, por edhe i institucioneve të tjera të ngarkuara nga ligji për mbikëqyrjen e veprimtarive financiare e ekonomike (të tilla si autoritetet tatimore, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Kontrolli i Lartë i Shtetit (së paku përsa i përket fondeve publike që përfitojnë dhe shpenzojnë partitë politike), etj.
I.11.1. Specifikimi më vete i shpenzimeve të kryera me fonde publike
KRIIK rekomandon që në vetëraportimin e subjekteve zgjedhore të specifikohen më vete shpenzimet e kryera nga fondet publike nga ato të kryera nga fonde të tjera të përftuara nga partia (dhurime, kuotizacione, etj.) Në gjykimin e KRIIK kjo do të siguronte më shumë përgjegjësi gjatë raportimit nga subjektet zgjedhore, pasi do të lehtësonte mundësimin e kontrollit të kryqëzuar edhe prej institucioneve të tjera shtetërore, si dhe do të lehtësonte barrën e KQZ-së në përmbushje të detyrimeve ligjore të parashikuara.
I.11.2. Përcaktimi i qartë i fushatës nga palë të treta
Fushata nga palë të treta[10] është një problem madhor, pasi le hapësirë për tejkalimin e kufijve ligjorë të shpenzimeve dhe prish barazinë në garë. Në përvojën e KRIIK, fushata nga palë të treta ka qenë e evidentuar në mënyrë shumë të qartë përgjatë viteve nga numri i zyrave zgjedhore të ngritura, të cilat ofiqarë politikë kanë deklaruar publikisht se nuk kanë dijeni se kush i ka ngritur, apo në reklamën politike në mediat sociale, dhe specifikisht në Facebook dhe Instagram.[11] KRIIK rekomandon që kuadri ligjor të parashikojë dhe rregullojë kryerjen e fushatës nga palët e treta, duke përcaktuar qartë nëse kjo do të lejohet dhe, nëse po, cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre, si dhe si do të kontrollohen shpenzimet e kryera nga palët e treta.
Në vlerësimin e KRIIK, fushata nga palë të treta duhet të jetë e ndaluar. Kjo është edhe në linjë me dispozitat tanimë ekzistuese të Kodit Zgjedhor për disa nga elementët e fushatës, për të cilat vetëm subjektet zgjedhore lejohen dhe ndalohen palët e treta (të tilla si afishimi i materialeve statike – Neni 79, pika 3, apo reklama në media – Neni 84, pika 4).
I.11.3. Mosraportimi financiar i kandidatëve individualë
Një nga problematikat në financimin e fushatës zgjedhore është mosraportimi nga kandidatët individualë dhe paqartësia nëse mosraportimi i tyre do të konsiderohet mungesë raportimi apo raportim jashtë formatit të përcaktuar nga KQZ (nenet 92/3 dhe 173/3 të Kodit Zgjedhor). Mosdorëzimi i raporteve individuale të kandidatëve është problematikë madhore, pasi të ardhurat dhe shpenzimet e tyre mund të zënë një pjesë të konsiderueshme dhe mungesa e raportimit, de facto, përbën fshehje të të ardhurave dhe shpenzimeve. KRIIK rekomandon që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet veçmas mosdorëzimi i plotë i raporteve financiare të kandidatëve dhe sanksionet përkatëse për këtë shkelje, të cilat duhet të jenë të krahasueshme me sanksionet për mosdorëzimin e raportit të partisë.
I.11.4. Raportimi financiar përgjatë fushatës zgjedhore
Me qëllim rritjen e transparencës të financimit politik, si dhe për t’u dhënë mundësinë qytetarëve të bëjnë një zgjedhje sa më të informuar ditën e zgjedhjeve, KRIIK rekomandon që subjektet zgjedhore të raportojnë për financat e fushatës përgjatë fushatës elektorale, në mënyrë periodike, dhe jo vetëm në përfundim të saj.
Sa më sipër do të mundësonte edhe rritje të eficiencës së mbikëqyrjes financiare nga ana e KQZ-së, si dhe do të minimizonte raportimin jo të vërtetë të disa subjekteve zgjedhore (si p.sh. raste të raportimit të shpenzimeve të kryera muaj pasi fushata ka përfunduar si shpenzime fushate).
I.11.5. Detyrimi për të hapur llogari të posaçme bankare për fushatën për të gjithë subjektet zgjedhore
KRIIK rekomandon që të gjithë subjektet zgjedhorë, qofshin parti politike a kandidatë individualë, të detyrohen të hapin llogari të posaçme bankare për fushatën zgjedhore dhe t’i depozitojnë ato në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pavarësisht nëse planifikojnë të pranojnë dhurime ose jo (neni 92/2, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor). Të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës, pavarësisht shumës së përfituar si dhurim apo shpenzimit të kryer, të kryhen vetëm nëpërmjet llogarisë së posaçme bankare. Edhe në rastin e lejimit të pranimit të dhurimeve me para në dorë në limitin që Kodi Zgjedhor ka (deri ne 50.000 lekë), financieri i partisë apo kandidati, sipas rastit, duhet t’i depozitojë në bankë dhe vetëm më pas të mundë t’i përdorë ato për qëllim të fushatës.
Në mënyrë që ky rregullim të jetë efektiv, depozitimi i numrit të llogarisë bankare të posaçme të jetë kusht, mosplotësimi i të cilit i jep të drejtë KQZ-së apo KZAZ-ve të mos e regjistrojë subjektin përkatës, qoftë parti politike apo kandidat. Gjithashtu subjekti zgjedhor, duhet të nënshkruajë deklaratën e përgjegjësisë për vërtetësinë e llogarisë së posaçme të çelur për fushatën elektorale.
I.11.6. Transparenca mbi kontratat e lidhura nga subjektet zgjedhore me ofrues shërbimesh privatë apo publikë
Përpos të dhënave të depozituara nga subjektet zgjedhore, në funksion të kontrollit të të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre për fushatën elektorale, KQZ në praktikë apo për denoncime të ndryshme të mbërritura aty, i është drejtuar kompanive të ndryshme private me kërkesë për vendosje në dispozicion të kontratave të lidhura ndërmjet tyre dhe subjekteve zgjedhore. Në funksion të informimit, transparencës dhe rritjes së përgjegjshmërisë nga ana e subjekteve zgjedhore, në gjykimin e KRIIK do të ishte i përshtatshëm përcaktimi si detyrim ligjor për çdo kompani apo biznes privat i cili lidh një kontratë shërbimi me një subjekt zgjedhor për të depozituar në KQZ kontratat, si dhe kjo e fundit të bëjë publikimin e tyre.
I.11.7. Transparenca e raportimit financiar / ofrimi i të dhënave të hapura
Transparenca duhet të jetë elementi kryesor që duhet të udhëheqë gjithë procesin dhe punën e KQZ dhe subjekteve zgjedhore lidhur me financimin. Procesi i dokumentimit dhe raportimit të t ardhurave dhe shpenzimeve të subjekteve zgjedhore dhe partive politike, ka qenë në vijimësi i zhvilluar në mënyrë të tillë që nuk të lë mundësi të kontrollohen të ardhurat dhe shpenzimet në mënyrë të detajuar. Një situatë kjo e pranishme edhe pas implementimit nga KQZ të Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), e cila deri tani nuk ka sjellë ndryshime pozitive, madje ka shtuar problematikat që lidhen me raportimin për shkak të ndryshimit të mënyrës së raportimit. Problemet nisin që me dorëzimin apo hedhjen në PERF nga subjektet zgjedhore të raporteve, me të kuptuarin dhe plotësimin e tyre nga subjektet zgjedhore. Detyrimi i dorëzimit të raporteve të vetëdeklarimit të subjekteve zgjedhore në formatin e miratuar nga KQZ në formë tabelare, duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor bashkë me detyrimin e KQZ për t’i mos i pranuar këto raporte nëse nuk janë në këtë format, apo nëse nuk janë tërësisht të plotësuar.
Gjithashtu, në mënyrë që të rritet transparenca KRIIK rekomandon që Kodi Zgjedhor të parashikojë detyrimin e KQZ-së për publikimin proaktiv të raporteve financiare të partive politike dhe subjekteve zgjedhore në faqen e KQZ-së si “të dhëna të hapura” dhe në “format të lexueshëm nga kompjuteri”, sipas përkufizimeve që këta terma kanë në Ligjin nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit në sektorin publik” (neni 6, pikat 15 dhe 3 respektivisht).
Me qëllim rritjen e mëtejshme të transparencës, KRIIK rekomandon që i gjithë procesi i verifikimit paraprak të raporteve, nëpërmjet komunikimit zyrtar të KQZ me subjektin, deri në pranimin e versionit përfundimtar të raportit, duhet të jetë publik në një dosje që hapet në faqen e internetit të KQZ për secilin subjekt. Dokumentet duhet të publikohen në faqen e internetit në kohë reale.
Gjithë sa më sipër duhet të parashikohet në ligj pavarësisht implementimit nga KQZ të Platformës Elektronike të raportimit Financiar, e cila së paku deri tani nuk siguron eksport apo akses në të dhënat e raporteve në format të lexueshëm nga kompjuteri, qoftë kjo edhe për KQZ-në.
I.11.8. Afati i përfundimit të procesit të mbikëqyrjes financiare të subjekteve zgjedhore
Zgjatja nga administrata e KQZ për një kohë shumë të gjatë (deri në dy vite pas procesit zgjedhor) të kontrollit dhe verifikimit të raporteve financiare të subjekteve zgjedhore, zbeh efektin që duhet të japin sanksionet administrative ndaj subjekteve që kanë kryer veprime në shkelje të dispozitave ligjore si dhe cenon përmbushjen e qëllimit edukues që kanë këto dispozita. Për më tepër, kjo e bën praktikisht nul transparencën në funksion të publikut të gjerë. Në gjykimin e KRIIK, në mënyrë që të përmbushet gjithë qëllimi i parashikimit të sanksioneve në ligj, si dhe të rritet ndërgjegjësimi i subjekteve zgjedhore, ligji duhet të parashikojë afate të qarta lidhur me kohën e kryerjes së verifikimit nga ana e KQZ. Procesi duhet të përfundojë në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të procesit zgjedhor.
I.11.9. Sanksionet në lidhje me mosdeklarimin e të ardhurave
Përgjatë ushtrimit të procesit të kontrollit dhe verifikimit nga ana e KQZ, si dhe nga organizata monitoruese sikurse KRIIK, janë konstatuar dhe provuar raste të shpenzimeve të faktuara të kryera prej subjekteve zgjedhore, por të pa deklaruara prej tyre në raportet e vetëdeklarimit financiar të depozituara në KQZ. Mosdeklarimi i shpenzimit, përbën automatikisht edhe fshehje të burimeve të financimit për kryerjen e tyre. Përgjatë shqyrtimeve administrative KQZ ka arsyetuar se pavarësisht faktimit të kësaj kundërvajtje, nuk ka një bazë ligjore për sanksionimin e subjekteve zgjedhore për këtë shkelje.
Duke qenë se subjektet zgjedhore, nuk janë subjekt kontrolli nga ana e institucioneve të tjera, por vetëm prej KQZ, kjo e fundit duhet të ketë të parashikuar në Kodin Zgjedhor një bazë ligjore të zgjeruar, bazuar në kundërvajtjet e konstatuara deri tani, për sanksionin respektiv të kundërvajtjeve që lidhen me financimin të parashikuara në nenin 173 të Kodit Zgjedhor. Gjithashtu masa e sanksioneve duhet të rishikohet, duke bërë një kategorizim më të përditësuar të tyre, referuar karakterit të kundërvajtjes, si dhe recidivizmit në kryerjen e tyre.
II. Rekomandime në lidhje me çështje që nuk janë të përfshira në planin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore
II.1. Përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral
KRIIK sjell në vëmendje të Komisionit se përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një problematikë madhore dhe adresimi i fenomenit është pjesë e rekomandimit të parë parësor të Raportit Final të MNZV-së së ODIHR për Zgjedhjet Lokale të 14 Majit 2023.
Sofistikimi i këtij fenomeni në raundet e fundit zgjedhore, veçanërisht sistemi i patronazhit politik i cili synon të drejtojë dhe kontrollojë votën e qytetarëve, kërkon kontributin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve dhe të gjithë qytetarëve për çlirimin e vullnetit të votuesit nga detyrimi apo çdo ndikim tjetër i paligjshëm.
Administrata shtetërore, burimet njerëzore të saj kanë janë angazhuar në vazhdimësi në fushatat elektorale, në favor të drejtuesve aktualë, qoftë në nivel qendror apo lokal. Në gjykimin e KRIIK, kjo përbën një nga mënyrat kryesore të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, pasi nëpunësit shtetërorë anashkalojnë detyrat për të cilat taksapaguesit i paguajnë për t’u angazhuar në fushatën zgjedhore. Shpesh ky angazhim kombinohet me elementë të intimidimit/detyrimit për t’u bërë pjesë e fushatës. Për të parandaluar pjesëmarrjen e administratës shtetërore në fushatë, nevojitet të përshtatet legjislacioni, duke përfshirë në amendimet e Kodit Zgjedhor interpretimet ligjore të kryera nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil në ligjin për këta të fundit.
Udhëzimet e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të miratuara lidhur me procesin zgjedhor të vitit 2021 dhe atë të vitit 2023, qartësojnë se nëpunësit civilë e kanë të ndaluar të shprehin publikisht preferencat e tyre politike. Konkretisht sipas KMSHC “Duke vlerësuar faktin se nuk ka një rregullim të posaçëm ligjor, në lidhje me mënyrën e sjelljes së nëpunësve civilë në mediat on line dhe në rrjetet e platformat sociale që shfaqen për publikun nëpërmjet internetit, Komisioneri vlerëson se kjo çështje duhet të trajtohet sipas parashikimeve të nenit 37 pika 1, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e po kështu edhe sipas praktikës më të mirë ligjore të Bashkimit Evropian. Në këtë dispozitë, përcaktohet se: “Nëpunësi civil nuk mund të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”, e për këtë arsye, me qëllim që të kuptohet drejt përmbajtja e saj, Komisioneri ka hartuar dhe dërguar pranë institucioneve që punësojnë nëpunës civil, një udhëzues ku janë dhënë sqarime të hollësishme që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet e nëpunësit civilë gjatë periudhës zgjedhore”.
Rikujtojmë se këto interpretime ligjore të KMSHC i janë paraqitur Kuvendit të Shqipërisë me anë të Raportit për Veprimtarinë e KMSHC për vitin 2021[12] dhe nuk ka patur kundërshtime në lidhje me to nga Kuvendi në Rezolutën e miratuar “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2021[13]”, duke e pranuar de facto interpretimin si të drejtë.
II.1.1. Përdorimi i rrjeteve sociale nga administrata publike për shpërndarjen e mesazheve elektorale
Duke mbajtur në konsideratë përdorimin masiv dhe të koordinuar të rrjeteve sociale prej punonjësve të administratës shtetërore për qëllime fushate, dhe në përmbushje të interpretimit të kryer nga KMSHC (shih pikën paraardhëse), KRIIK rekomandon që ligji të parashikojë specifikisht edhe ndalimin e postimeve me natyrë elektorale, ndarjes të postimeve të të tjerëve apo reagimeve ndaj tyre nëse ata kanë natyrë elektorale, në kanalet personale të mediave sociale prej nëpunësve civilë, në përputhje me interpretimin e KMSHC.
Duke qenë se këto parashikime ligjore janë të lidhura me proceset zgjedhore, KRIIK rekomandon që ato të përfshihen në Kodin Zgjedhor, përveçse në ligjin “Për Nëpunësin Civil”, madje duke shtrirë ndalimet që lidhen me nëpunësin civil, tek çdo nëpunës i administratës publike, duke saktësuar rolin e nëpunësit publik, në raport me aktivitetet publike si dhe ato me karakter elektoral.
II.1.2. Raportimi i njoftimeve të veprimtarive institucionale
Mbetet domosdoshmëri saktësimi dhe qartësimi se nëse veprimtaria e institucionit ka në agjendë informimin e publikut rreth ndodhisë së saj (Neni 92, pika 1 e Kodit Zgjedhor), pavarësisht se kur ndodh ky informim (live gjatë kohës që ndodh veprimtaria, apo më pas), ajo duhet të raportohet. Përpos kohës, mjafton që veprimtaria institucionale të jetë publikuar diku (në faqe zyrtare, media, apo rrjete sociale të institucionit) që të konsiderohet publike dhe të jetë i detyruar raportimi nga institucioni organizator. Pra mediatizimi i veprimtarisë, duhet të shtrihet përtej vetëm transmetimit në mediat tradicionale.
Logjika e këtij rekomandimi ka të bëjë me faktin se, në praktikë, publikimi në rrjetet dhe mediat sociale përbën mediatizim të veprimtarisë në kuptim të një informimi të publikut, shpesh me impakt potencial edhe më të lartë sesa publikimi i saj në mediat tradicionale. Të gjithë institucionet dhe titullarët e tyre kanë sot në zotërim faqe zyrtare në rrjetet sociale të cilat i përdorin për mediatizim të veprimtarisë së përditshme të tyre. Rrjedhimisht, planifikimi (paraprakisht) dhe publikimi (live apo pas realizimit) i një veprimtarie në faqet zyrtare të institucioneve dhe të drejtuesve të tyre, është mëse i mjaftueshëm për ta kategorizuar aktivitetin si “veprimtari publike e cila duhet raportuar”.
II.1.3. Përkufizimi shterues i rasteve kur një veprimtari institucionale duhet të ndalohet nga KQZ-ja
Lidhur me veprimtaritë publike, arsyeja e implementimit në ligj të mekanizmit të raportimit nga institucionet konsiston në mundësi e kontrollit paraprak nga KQZ, si dhe ndalimin e tyre në rast shkeljesh që kanë të bëjnë me procedurën, sikurse është afati, si dhe, në rast gjykimi nga ana e KQZ-së se veprimtaria e raportuar është një veprimtari e ndaluar për t’u zhvilluar. KQZ pati gjykime të ndryshme gjatë procesit zgjedhor të vitit 2023, duke konkluduar edhe me vendime jo konsistente, duke vlerësuar e vendosur në mënyra të ndryshme për çështje të të njëjtit karakter. Duke theksuar se hapësirat ligjore për interpretime duhet të minimizohen, KRIIK rekomandon që Kodi Zgjedhor të përfshijë një përkufizim të plotë lidhur me karakterin apo arsyet kur një veprimtari përbën veprimtari e ndaluar për t’u zhvilluar apo promovuar.
II.1.4. Kryerja e veprimtarive institucionale gjatë periudhës katër mujore përpara ditës së zgjedhjeve vetëm pas aprovimit nga ana e KQZ-së
Raportimi i aktiviteteve publike nga institucionet në periudhën 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 92 të Kodit Zgjedhor, ishin një hallkë që në procesin e fundit zgjedhor (Zgjedhjet Lokale 2023), pavarësisht përmirësimeve të vërejtura drejt përfundimit të procesit, vuajti nga mangësi, që konsistonin kryesisht në mosrespektimin e afatit të raportimit, paplotësinë e raportimit apo raportimin me të dhëna të përgjithshme dhe evazive, të cilat nuk jepnin mundësinë e një kontrolli të saktë nga KQZ.
Në mënyrë që ky mekanizëm të jetë funksional në tërësinë e tij dhe të përmbushë frymën e ligjit, KRIIK rekomandon që KQZ-ja të ketë detyrimin të aprovojë një aktivitet, si në përputhje me ligjin, përpara se institucioni të mundë ta kryejë atë. Duke e ndryshuar logjikën e ligjit, nga një aprovim pasiv i KQZ-së në momentin kur nuk jepen komente, siç është aktualisht, në detyrimin për aprovim aktiv do të rritet angazhimi i administratës së KQZ-së me raportimin, duke qenë të detyruar të vlerësojnë me vëmendje çdo aktivitet të raportuar dhe ndaluar automatikisht të gjithë aktivitetet që raportohen përtej afatit ligjor dhe ato që nuk përmbajnë detaje të mjaftueshme. Në mënyrë që kjo detyrë të përmbushet me përgjegjësi, KQZ-ja do të duhet të ketë burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në dispozicion.
II.1.5. Ndalimi i përdorimit të veprimtarive institucionale për qëllime elektorale nga ana e deputetëve dhe ministrave
Në gjykimin e KRIIK, pjesëmarrja e Deputetëve në aktivitetet rutinë të Bashkisë/Institucionit, është jashtë detyrave të tyre funksionale parlamentare dhe në kundërshtim me Kodin e Sjelljes, Rregulloren e Kuvendit dhe të Ligjit për Statusin e Deputetëve. KRIIK rekomandon që në aktivitetet rutinë të Bashkive/Institucioneve duhet të ndalohet pjesëmarrja e Deputetëve. Gjithashtu, për të evituar përdorimin e aktiviteteve institucionale, të cilat realizohen me fonde të taksapaguesve, rekomandohet të ndalohet edhe pjesëmarrja e ministrave, ose minimalisht, pjesëmarrja e ministrave fusha e përgjegjësisë së të cilëve nuk lidhet me karakterin apo tematikën e veprimtarisë së përditshme të institucionit organizator (veçanërisht në rastin e aktiviteteve të bashkive gjatë zgjedhjeve lokale). Theksohet se Ministri është Person Politik, përfaqësues i Qeverisë, dhe prezenca e tij i jep rrjedhimisht konotacion politik aktivitetit ku ai merr pjesë, duke u perceptuar edhe si mbështetje e tij apo Qeverisë ndaj veprimtarisë së drejtuesit aktual të bashkisë, veçanërisht problematike kur drejtuesi aktual është edhe kandidat.
II.1.6. Parandalimi i fushatës të tërthortë në rrjete sociale
Institucionet publike shpesh, gjatë postimeve të veta në mediat sociale, përdorin edhe slogane të cilat janë qartësisht të lidhura me një forcë të caktuar politike, si slogane elektorale. KRIIK rekomandon që përveç ndalimit të përdorimit të simboleve e logove të partive politike, të ndalohet eksplicisht në ligj edhe përdorimi i sloganeve elektorale që lidhen me një parti politike që publikohen si pjesë e aktiviteteve institucionale, qoftë në faqet e institucioneve, qoftë në ato të drejtuesve apo përfaqësuesve të tyre. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për sloganet e njohura gjerësisht, që identifikojnë qartësisht një forcë të caktuar politike apo kauzat e saj, apo ato që lidhen me zgjedhjet pararendëse, por edhe për slogane të tjera të cilat kanë nisur apo do të përdoren zyrtarisht nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.
II.1.7. Përcaktimi nëse faqet e institucioneve në rrjetet sociale janë asete të institucionit
Neni 91 pika 2 e Kodit Zgjedhor përcakton si “… “burime”, asetet e luajtshme dhe të paluajtshme ta parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, …”. Kjo dispozitë lejon interpretim të gjerë, nëse faqet në rrjetet sociale të institucioneve janë aset i luajtshëm i institucionit, ndërkohë që ato përdoren gjerësisht nga një pjesë e konsiderueshme e institucioneve dhe burime njerëzore dedikohen në mirëmbajtjen e tyre.
Duke qenë se shpesh mediumi kryesor i komunikimit të institucionit me publikun janë pikërisht këto platforma, ato administrohen dhe menaxhohen nga vetë institucionet dhe nëpunësit e tyre, është i nevojshëm përcaktimi i parashikimit ligjor të faqeve zyrtare të institucioneve në rrjetet sociale si asete të institucionit.
II.1.8. Identifikimi i qartë i faqeve në rrjetet sociale që përdorin institucionet publike
Duke qenë se në rrjetet sociale është relativisht e lehtë të ndërtohen faqe të cilat mund të imitojnë një institucion apo person publik (titullarin), KRIIK rekomandon që çdo institucion publik, në momentin që depoziton në KQZ të dhënat e kontaktit për personin përgjegjës për raportimet, të depozitojë aty edhe listën me lidhjet e faqeve zyrtare të institucionit si dhe të titullarit të tij në të gjitha rrjetet sociale. Në këtë mënyrë do të eliminohet mundësia që të vendosen sanksione të padrejta ndaj një institucioni për shkelje të kuadrit ligjor, ndërkohë që faqja mund të jetë e ndërtuar nga një palë e tretë.
II.1.9. Përcaktimi i afateve ligjore në lidhje me pikën 1 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor
Kodi Zgjedhor dhe aktet nënligjore të miratuara nga KQZ, në funksion të detajimeve lidhur me implementimin e mekanizmit të ndalimit të përdorimit të burimeve në mbështetje të subjekteve zgjedhore, përcaktojnë kategoritë e veprimtarive të ndaluara por me përjashtim të pikës 3 dhe 4 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, nuk përcaktohet asnjë afat i ndalimeve sipas pikës 1 të të njëjtit nen. Kjo lë vend për gjykime dhe interpretime të cilat cenojnë standardin e vendimmarrjes dhe kontrollit nga KQZ. Në gjykimin e KRIIK kuadri ligjor duhet të përcaktojë/përkufizojë në mënyrë eksplicite afatet afatin kohor kur fillon të veprojë ndalimi i përdorimit të burimeve të organeve apo enteve publike sipas pikës 1 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor.
II.1.10. Ndalimi eksplicit i nxjerrjes së akteve ligjore dhe nënligjore që mund të krijojnë avantazh elektoral edhe gjatë zgjedhjeve vendore
Ndër ndalimet më të rëndësishme të parashikuara në kuadrin ligjor, lidhur me përdorimin e institucioneve në funksion të zgjedhjeve, ka të bëjë me aktet ligjore dhe nënligjore të cilat parashikojnë përfitime për kategori të caktuara të popullsisë. Përfitimet që vijnë nga miratimin i këtyre akteve në periudhën zgjedhore, janë drejtpërdrejt përfitim elektoral për partinë në pushtet. Neni 91 i Kodit Zgjedhor, në pikën 4 të tij, duke përdorur togfjalëshin “katër muaj para ditës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet ….”, e kufizon aplikimin e tij vetëm në proceset zgjedhore të përgjithshme. Ndërkohë, fryma e ligjit ka të bëjë ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për çdo proces zgjedhor. Gjatë procesit për Zgjedhjet Vendore 2023 u vërejt miratimi i një sërë aktesh nënligjore në kundërshtim me këtë pikë të ligjit, duke siguruar përfitime direkt për kategori të ndryshme të popullsisë, çka cenoi parimin e barazisë së palëve në garë. Arsyetimi i përdorur në këto raste ishte pikërisht kufizimi i ligjit vetëm në proceset zgjedhore parlamentare.
Për të eliminuar keqinterpretimin e ligjit në vijim, KRIIK rekomandon që togfjalëshi “deri në formimin e qeverisë së re” i pikës 4 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor të ndryshohet në mënyrë të tillë që të përfshijë edhe proceset zgjedhore vendore.
II.1.11. Ndalimi i publikimit të aktiviteteve gjatë periudhës katër-mujore që i paraprin zgjedhjeve dhe jo vetëm i zhvillimit të tyre
Kuadri ligjor parashikon ndalime për zhvillimin e disa lloj aktivitetesh në periudhën 4 muaj para ditës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve. Në këtë rast, konkretisht është Vendimin nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator, i cili bën një kategorizim të veprimtarive të cilat konsiderohen të ndaluara. Konkretisht neni 3, pika 1.3 germa a dhe b, “Veprimtari të ndaluara janë ato veprimtari që përfshijnë a) shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 mujore para datës së zgjedhjeve; b) shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, certifikatave të pronësisë, dhe çfarëdolloj titulli pronësie…”
Pavarësisht se në ligj dhe aktet nënligjore nuk ka një specifikim nëse ndalimi lidhet me kohën e zhvillimit të aktivitetit apo publikimit të zhvillimit të tij prej institucionit, KQZ në vendimmarrjen e saj ka arsyetuar që ndalimi lidhet me kohën e zhvillimit të aktivitetit, duke mos i konsideruar në kundërshtim me ligjin aktivitete të kësaj natyre që, sipas justifikimit të institucioneve përgjegjëse, ishin zhvilluar përpara periudhës katër mujore por publikuar në internet pas kësaj periudhe. Në gjykimin e KRIIK kjo vendimmarrje ka krijuar një precedent negativ i cili mund të gjejë shtrirje edhe në proceset e ardhshme zgjedhore, nëse nuk do të ketë specifikimet dhe ndryshimet e nevojshme.
Në këtë kuadër, duke qenë se gjykohet se publikimi i aktivitetit ka të njëjtin ndikim, madje potencialisht edhe më të madh, në varësi të audiencës së arritur, sikurse zhvillimi i tij, KRIIK rekomandon që të parashikohet në ligj ndalimi si i zhvillimit ashtu dhe i publikimit të aktiviteteve të ndaluara në periudhën e ndaluar nga ligji. Gjithashtu për të evituar lënien në diskrecionin e KQZ të përcaktimit të llojit të aktiviteteve të cilat konsiderohen aktivitete të ndaluara, këto duhet të përcaktohen në ligj.
II.1.12. Sanksionimi i titullarit të institucionit dhe subjektit zgjedhor përfitues në rast të zhvillimit të veprimtarive të ndaluara
Kodi Zgjedhor në nenin 92 pika 2, vendos përgjegjësinë personale ndaj personit përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, lidhur me raportimin e aktiviteteve të institucionit. Në pikëpamje administrative, referuar edhe legjislacionit në fuqi për organizimin e veprimtarisë së brendshme të institucioneve publike, kjo përgjegjësi duhet të jetë aty. Por, nga monitorimi i KRIIK, konsultimi verbal me disa sekretarë të përgjithshëm të institucioneve publike, si dhe dinamika e zhvillimit të proceseve ankimore në KAS, është konstatuar që në shumë raste personi përgjegjës për drejtimin administrativ apo personi përgjegjës për raportimin e aktiviteteve në KQZ, ose nuk ka qenë në dijeni të aktiviteteve që do të zhvilloheshin prej drejtuesit të institucionit ose është vënë në dijeni me vonesë. Pra agjenda e drejtuesve të institucioneve, sidomos atyre që mbajnë poste politike, sikurse janë kryetarët e bashkive apo ministrat, është kryer pa respektuar rrugën ligjore administrative. E njëjta gjë edhe kur janë zhvilluar aktivitete të ndaluara në kuptim të ligjit, apo aktivitete të ndaluara nga KQZ, për të cilat më pas është sanksionuar personi përgjegjës për raportimin, pavarësisht se nuk ka patur një përgjegjësi reale.
KRIIK rekomandon që përgjegjësia dhe sanksioni të shkojnë tek personi që faktikisht ka kryer shkeljen si dhe/ose ka përfituar nëpërmjet saj në funksion të procesit zgjedhor, pra tek titullari i institucionit si dhe subjekti politik përfitues.
II.1.13. Përcaktimi ligjor se barra e provës për rastet e denoncimeve nga qytetarët i përket KQZ-së
Parashikimi i mekanizmit të denoncimeve nga çdo palë e tretë për shkelje që lidhen me përdorimin e burimeve publike në fushatat elektorale, është një hallkë që u vu në funksionim në zgjedhjet e fundit lokale, falë denoncimeve të ardhura kryesisht nga organizata të shoqërisë civile. Në vijimësi të monitorimit, KRIIK ka vërejtur se praktika e ndjekur nga KQZ për shqyrtimin e çdo denoncimi ka vend për përmirësime. Konkretisht, duke patur në konsideratë faktin që në çdo denoncim denoncuesi mund të jetë anonim, një qytetar i thjeshtë, si dhe mund të ketë qoftë edhe vetëm një indicie lidhur me çështjen që denoncon, barra e provës së denoncimit përkatës nuk duhet të jetë mbi denoncuesin por mbi institucionin, në rastin konkret Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Palët në proces, pas marrjes së indicies/ve nga denoncuesit, duhet të jenë KQZ dhe subjekti/individi i denoncuar.
Gjithashtu, duke qenë së KAS është trupa përgjegjëse për vendosjen e sanksioneve, pas shqyrtimit administrativ dhe mbledhjes së provave nga Komisioneri, vendimmarrja e tij lidhur me denoncimin duhet të shqyrtohet nga KAS edhe në rast se Komisioneri nuk konstaton shkelje apo vendos pushimin e çështjes. Pra në rezultante KAS duhet të jetë trupa që vendos lidhur me çdo denoncim, pas kryerjes së hetimit administrativ nga administrata e KQZ.
II.1.14. Shkurtimi i afateve për hetimin administrativ nga ana e KQZ-së për rastet e abuzimit me burimet shtetërore
Afati i hetimit administrativ të zhvilluar nga administrata e KQZ lidhur me denoncimet e paraqitura, bazohet në vendimin nr. 9, datë 9.4.2021, “Për procedurat e funksionimit dhe mirëmbajtjes së portalit, procedurat dhe afatet e hetimit administrativ të denoncimeve dhe vendimin që merret në përfundim të tyre” të Komisionit Rregullator. Afati që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shqyrtimin administrativ të denoncimit është jo më i gjatë se 60 ditë nga paraqitja e tij. Ky afat mund të zgjatet me vendim me shkrim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, kur çështja është komplekse ose është e nevojshme kryerja e hetimeve administrative shtesë.
Në gjykimin e KRIIK afati i caktuar në vendimin e Komisionit Rregullator është shumë i gjatë, n.q.s. i referohemi impaktit real që duhet të ketë rezultati i shqyrtimit të denoncimeve në proces dhe impaktit kjo mund të ketë tek zgjedhësit. Situata dhe zhvillimet institucionale dhe politike në periudhën para zgjedhore janë shumë dinamike, dhe do duhet të kontrollohen në kohë reale, në mënyrë që ky kontroll të japë efektin e duhur. Në këtë kuadër KRIIK rekomandon që afatet që për hetimin administrativ nga administrata e KQZ-së duhet të jenë shumë më të shkurtra dhe të përcaktuara në ligj, dhe në çdo rast çdo hetim administrativ duhet të mbyllet përpara ditës së zgjedhjeve.
II.2. Administrimi i zgjedhjeve
II.2.1. Depolitizimi i administratës zgjedhore
KRIIK sjell në vëmendje të Partive Politike Parlamentare një çështje të ngritur edhe më parë, sikurse është depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore, duke filluar së pari me depolitizimin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Në gjykimin e KRIIK, kjo pikë, ndonëse e parashikuar në Marrëveshjen Politike të 5 qershorit 2020, për tu realizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duhet marrë në konsideratë e shqyrtuar mundësia për aplikimin e saj që në këto zgjedhje, si një formë edhe e adresimit të problematikës që përmban sistemi i patronazhimit politik dhe nevojës për nisjen e zhbërjes së tij në administratën shtetërore. Depolitizimi i këtij niveli administrimi dhe emërimi me short i një numri më të vogël komisionerësh më të përgjegjshëm dhe përgjegjës për zbatimin e ligjit, do të sigurojë ndër të tjera një zbatim më të mirë të kuadrit ligjor, si dhe mbikëqyrjen e duhur për përmbushjen e detyrimeve ligjore prej tërë aktorëve dhe institucioneve të përfshirë në ndërtimin dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
Duke konsideruar rolin tejet të rëndësishëm të trupës së nivelit të dytë dhe të tretë të administrimit të zgjedhjeve, në vijim edhe të dakordësisë së arritur me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, KRIIK rekomandon depolitizimin i Komisioneve Zgjedhore, duke filluar së pari me depolitizimin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Depolitizimi i këtij niveli administrimi do të sigurojë ndër të tjera një zbatim më të mirë të kuadrit ligjor, si dhe mbikëqyrjen e duhur për përmbushjen e detyrimeve ligjore prej tërë aktorëve dhe institucioneve të përfshirë në ndërtimin dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
II.2.2. Përcaktimi i vendndodhjes së përhershme të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe angazhimi i stafit të përhershëm në to
Rekomandohet që legjislacioni të parashikojë vendndodhje të përhershme të mjediseve ku trupat e administratës zgjedhore të nivelit të dytë kryejnë aktivitetin e tyre, vendndodhje që mund të rifreskohet në vijimësi nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas mundësive në terren. Kjo qasje do të rriste operativitetin e administratës së KQZ-së për pajisjen në kohë të komisioneve me infrastrukturën dhe shërbimet e nevojshme.
Me synim rritjen e profesionalizmit të komisioneve të nivelit të dytë, KRIIK rekomandon që të konsiderohet që KZAZ-të të bëhen organe të përhershme, me së paku një person të punësuar në mënyrë permanente (Sekretari i KZAZ-së).
II.2.3. Publikimi i vendimeve të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor
Më qëllim rritjen e transparencës së aktivitetit të trupave të administrimit zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë, KRIIK rekomandon që të përcaktohet në Kodin Zgjedhor detyrimi për publikimin e vendimeve të tyre në faqen e internetit të KQZ-së dhe të Njësive të Qeverisjes Vendore në territorin e të cilave këto KZAZ janë vendosur.
II.2.4. Kufizimi i zëvendësimit arbitrar të komisionerëve të nivelit të dytë e të tretë nga partitë politike
Legjislacioni duhet të kufizojë të drejtën e partive politike për të ndërruar komisionerët e qendrave të votimit dhe anëtarët e grupeve të numërimit të votave pranë ditës së zgjedhjeve, pasi kjo gjë pengon trajnimin zyrtar, dhe rrjedhimisht ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e këtyre komisioneve.
II.2.5. Ndalimi i angazhimit në fushatë për anëtarët e komisioneve zgjedhore
Anëtarët e Komisioneve zgjedhore, sidomos ata të KZAZ-ve, në vijimësi janë funksionarë publikë e politikë në zonat përkatëse. Kjo ka bërë që edhe angazhimi i tyre në fushatë të ketë qenë i lartë madje edhe shumë publik. KRIIK rekomandon që funksioni i ndërmarrë si zyrtarë zgjedhorë, duke u emëruar në anëtarësinë e komisioneve zgjedhore, duhet të shoqërohet me ndalimin e angazhimit aktiv në fushatën elektorale. Situata që ndodh aktualisht, përpos se cenon kohën në dispozicion të angazhimit si komisioner i KZAZ-së, forcon dhe nxit më tej partizanizmin politik në përmbushjen e detyrave ligjore si anëtar i administratës zgjedhore.
II.2.6. Këqyrja e mëpasshme e materialit zgjedhor
Këqyrja e mëpasshme e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, i cili u aplikua për herë të parë pas ndryshimeve ligjore të vitit 2020 vlerësohet nga KRIIK si pozitiv në thelb dhe, njëkohësisht, tejet i rëndësishëm, për të verifikuar rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore në numërimin e votave dhe administrimin e procesit, duke nxjerrë në pah problematikat që mund të kenë karakterizuar atë jo vetëm në nivel sasior, por edhe në nivel cilësor.
Në nenin 167/2 pika 3 të Kodit Zgjedhor përcaktohet mënyra e përzgjedhjes rastësore të kutive të votimit të cilat do të këqyren, dhe vendoset kufiri i sipërm i QV-ve materialet e të cilave do të rikontrollohen në 10%. Vendosja vetëm e kufirit të sipërm dhe mos përcaktimi që qendrat e votimit të përzgjidhen në mënyrë të tillë që të mbulohet i gjithë territori i vendit lë vend për diskrecion nga institucioni. Në këqyrjet e kryera deri në këtë moment, KQZ aplikoi një metodologji korrekte të përzgjedhjes, duke përmbushur frymën e ligjit, por, në çdo rast, KRIIK gjykon se kriteret duhet të vendosen në ligj në mënyrë më të detajuar, në mënyrë që të evitohet një shtrembërim potencial i metodologjisë në të ardhmen, çka do ta bënte procesin nul. Specifikisht, KRIIK rekomandon që Kodi të parashikojë një fashë të proporcionit të qendrave të votimit që do të këqyren (jo më shumë se […%] dhe jo më pak se […%]), si dhe që ky proporcion duhet të zgjidhet për çdo zonë të administrimit zgjedhor.
II.3. Fushata Zgjedhore
II.3.1. Përkufizimi i termit fushatë zgjedhore dhe aktiviteteve të fushatës në Kodin Zgjedhor
Kuptimi dhe koha që përmban fushata zgjedhore, në pjesë të ndryshme të Kodit Zgjedhor të cilat referojnë pikërisht fushatën zgjedhore si parakusht, ka qenë disa herë subjekt diskutimi, sidomos për çështjet që lidhen me përdorimin e burimeve shtetërore. Në mënyrë që të lihet sa më pak vend për interpretime lidhur me këtë, KRIIK nënvizon nevojën për një përkufizim në Kodin Zgjedhor të termave “fushatë zgjedhore” dhe “aktivitete të fushatës zgjedhore”, duke përfshirë në të, në mënyrë sa më shteruese edhe cilat janë aktivitetet që konsiderohen aktivitete të fushatës zgjedhore.
II.3.2. Përfshirja e publikimeve në mediat sociale si komunikim për efekt të fushatës zgjedhore
Me ndryshimin radikal të komunikimit publik në përgjithësi nga mediat sociale, dhe veçanërisht nga subjektet zgjedhore, edhe fushatat zgjedhore kryhen në një masë të konsiderueshme në platformat e mediave sociale. Ndikimi në publik i medias sociale është i krahasueshëm me atë të një eventi elektoral, madje më i lartë, nëse konsiderohet numri i ndjekësve.
Në këtë frymë, në mënyrë që legjislacioni të përafrohet me realitetin aktual të komunikimit publik, nevojitet që të përcaktohet në legjislacion se komunikimet në platformat e mediave sociale janë fushatë zgjedhore.
II.3.3. Sanksionimi i fushatës së parakohshme
Pavarësisht se Kodi Zgjedhor përcakton afatin “30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve” si ditë për fillimin e fushatës elektorale, subjektet zgjedhore zhvillojnë aktivitete elektorale edhe në tejkalim të këtij afati. Në analogji me heshtjen zgjedhore, në mënyrë që të mundësohet reagimi institucional lidhur me këtë shkelje, në Kodin Zgjedhor duhet të parashikohen sanksione për zhvillimin e fushatës së parakohshme prej subjekteve zgjedhore.
[1] KRIIK, Qëndrim Publik “Deputetët dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre për nisjen e punës dhe realizimin e një Reforme të vërtetë Zgjedhore, të mbështetur në parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes”, datë 11 qershor 2022.
[2] P.sh. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të regjistrimit dhe ndryshimeve të depozituara në vijimësi prej partive politike pranë Gjykatës së Tiranës është vërejtur se: (1) një numër i konsiderueshëm i partive politike që regjistrohen në zgjedhje kanë në drejtimin e tyre kryetarë të cilët janë në tejkalim të mandatit të tyre si të tillë, apo edhe nuk janë zgjedhur asnjëherë prej strukturave të partisë së tyre, por janë themeluesit e partisë përkatëse, me vendim gjykate apo urdhër të ministrit të Drejtësisë (sipas vitit të regjistrimit); (2) një numër partish politike nuk kanë kryer zgjedhje për një kohë të konsiderueshme (apo, nëse kanë kryer të tilla, nuk kanë paraqitur dokumentacionin përkatës në Gjykatën e Tiranës) dhe, si rrjedhim, kryetarët apo të tjera struktura drejtuese të këtyre partive janë ligjërisht jashtë mandatit të tyre; (3) një numër partish nuk përcaktojnë në statut një afat maksimal të mandatit të kryetarit apo organeve drejtuese.
[3] Neni 1 i Ligjit “Për partitë politike” përcakton se partitë politike janë subjekte juridike të cilat manifestojnë “bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje”.
[4] Kodi i Praktikave të Mira në Çështje Zgjedhore, Opinioni nr. 190/2002, raport shpjegues, paragrafi 15, përcakton se “Devijimi i lejueshëm maksimal nga kriteri i aplikuar i shpërndarjes varet nga situata specifike, por rrallë ai duhet te jetë më i lartë se 10%, dhe nuk duhet të jetë kurrë më i lartë se 15%, me përjashtim të rrethanave të veçanta.”
[5] Po aty, paragrafi 13.
[6] Raportet e auditëve shpesh i anashkalojnë gjetjet e njëri tjetrit, duke mos shprehur opinion për gjetje që mund të jenë problematike.
[7] Të cilat u konsideruan jo-Kushtetuese edhe nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me Vendimi nr. 28 datë 30.06.2021.
[8] P.sh., Kandidatë me të njëjtin numër votash parapëlqyese; kur jo të gjithë kandidatët në listë marrin vota parapëlqyese, duke e bërë të pamundur plotësimin e vendeve në parlament sipas këtij kriteri (nëse partisë “X” i takojnë pesë mandate në një zonë të caktuar zgjedhore, por vetëm katër kandidatë nga lista kanë marrë vota parapëlqyese, duke e bërë të pamundur mandatimin e deputetit të pestë bazuar në kriterin e votës parapëlqyese), etj.
[9] Ky model aplikohet nga Moldavia, e cila ka një diasporë me karakteristika të ngjashme ato të Shqipërisë si në shpërndarje, ashtu edhe në madhësi.
[10] Me termin “palë të treta” nënkuptohen palë që përfshihen në fushatën zgjedhore duke bërë fushatë për apo kundër subjekteve të caktuara zgjedhore”, por që nuk janë subjekte zgjedhore, sipas përkufizimit të termit “subjekt zgjedhor” në nenin 2, pika 20 e Kodit Zgjedhor.
[11] Tepër e dukshme kjo ka qenë në Zgjedhjet e vitit 2021, ku një numër faqesh ta paafiluara me ndonjë forcë politike, por qartas të koordinuara dhe menaxhuara nga i njëjti individ/grup individësh, kryen një fushatë intensive dhe tepër të kushtueshme (rreth 38.000 USD) në favor të Partisë Socialiste. Këto shpenzime nuk u deklaruan në KQZ.