Shkarko Rekomandimin në pdf.
Shkarko Raportin e Vëzhgimit për financimin e Zgjedhjeve të 6 marsit 2022
Shkarko Shtojcën 1
Shkarko Shtojcën 2
Shkarko Shtojcën 3
Shkarko Shtojcën 4
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve
z. Ilirjan CELIBASHI
Për dijeni: Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, dhe duke marrë shkas nga axhenda e ditës së nesërme të seancës publike ku do të miratohet projekt-vendimi “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme vendore, të datës 6 Mars 2022”, ju paraqesim më poshtë disa propozime të KRIIK në lidhje me përmirësimin e këtij projektvendimi.
Në vijim të angazhimit të tij të pandërprerë, KRIIK në bashkëpunim me organizatat partnere të tij, bëri të mundur monitorimin në mënyrë vullnetare të gati gjithë procesit zgjedhor për Zgjedhjet e Pjesshme Vendore të datës 6 mars 2022, për të cilin hartoi edhe raportin përkatës të vëzhgimit.
KRIIK vlerëson punën e bërë nga administrata e KQZ-së në hartimin e raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore në Zgjedhjet e pjesshme të datës 6 mars 2022, por evidenton se sërish mungon adresimi me një qasje të plotë proaktive të KQZ-së në zhvillim të përgjegjësive, rolit dhe kompetencave të cilat i janë dhënë nga ligji.
Në këtë raport mungon adresimi i një sërë shkeljesh të cilat KRIIK i ka konstatuar në vijimësi dhe të cilat gjykohet se duhet të jenë të reflektuara në Raportin e Auditimit të përgatitura nga KQZ e rrjedhimisht më pas edhe vendimmarrjen që do të pasojë.
Këto shkelje si dhe të dhëna konkrete që mund t’i përdorni si indicie mund të gjenden në Raportin e Monitorimit të Financimit të Fushatës Zgjedhore, pjesë e Raportit Përfundimtar të Vëzhgimit për Zgjedhjet e Pjeshme Vendore të 6 marsit 2022, të cilin e gjeni bashkëlidhur së bashku me 4 shtojcat:
– Shtojcën 1 “Të ardhurat dhe shpenzimet e subjekteve zgjedhore”;
– Shtojcën 2 “Të ardhurat dhe shpenzimet e kandidatëve”;
– Shtojcën 3 “Fondet e shpenzuara dhe të deklaruara nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët për media”, si dhe
– Shtojcën 4 “Shpenzimet e kryera nga subjektet zgjedhore për reklama politike në Facebook dhe Instagram”.
Ndërkohë në mënyrë të përmbledhur ju paraqesim në vijim disa nga parregullsitë dhe shkeljet e evidentuara:
1. Të gjitha raportet e depozituara dhe publikuara nga KQZ nuk janë të plotësuara plotësisht në të gjitha pjesët përbërëse të tyre, të parashikuara për t’u plotësuar sipas formatit përkatës. Në disa raporte mungojnë të dhëna të ndryshme në fusha të ndryshme të raporteve, që janë në seksionin e të ardhurave, por edhe të shpenzimeve.
Konkretisht:
1.1. Në raportin e znj. Emirjana Sako kandidate e PS në Bashkinë Durrës, ndërkohë që zëri i shpenzimit është media sociale, fatura justifikuese është nga Vodafone. Të dyja këto të dhëna nuk lidhen me njëra tjetrën, ndërkohë që shpjegimi mungon.
Në po të njëjtin raport në seksionin e shpenzimeve është plotësuar vetën zëri i shpenzimit dhe fatura përkatëse, duke lënë bosh çdo pjesë tjetër.
1.2. Në raportin e znj. Eriselda Sefa, kandidate e PS për Bashkinë Lushnjë, seksioni i dhurimeve në natyrë nuk përmban shpegimin se çfarë është dhurimi konkretisht.
Gjithashtu tek dhurimet e përfituara në para nuk ka specifikuar mënyrën e dhurimit, cash apo nëpërmjet bankës.
Edhe në seksionin e shpenzimeve nuk janë plotësuar të dhënat shpeguese të shpenzimit dhe datat e faturave përkatëse.
1.3. Në raportin e z. Edison Memolla, kandidat i PS në Bashkinë Rrogozhinë, lidhur me seksionin e të ardhurave janë përfshirë dy tabela me të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra dhe që, për më tepër, nuk përputhen me tabelën përmbledhëse në faqen e parë.
1.4. Në raportin e Partisë Demokratike mungojnë shpegime dhe plotësime tek pjesa e shpenzimeve, ku janë përfshirë vetëm të dhënat e faturës përkatëse.
- Kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë nuk kanë depozituar në KQZ një raport vetëdeklarimi lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës elektorale.
Kjo është një shkelje e pasqyruar në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së, por e kanalizuar si shkelje që lidhet me nenin 173 pika 3 të Kodit Zgjedhor, e konkretisht, referuar masës së propozuar të sanksionit me fjalinë e dytë të këtij neni “Paraqitja e raporteve në shkelje të rregullave dhe formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë nga 500 000 deri 1 000 000 lekë”.
Në rastin konkret, në gjykimin e KRIIK shkelja nuk ka të bëjë me rregullat dhe formatet e standardizuara, por me mosdorëzim të raporteve prej atyre që ligji i njeh si subjekte zgjedhore dhe që duhet medoemos të raportojnë.
Pra sanksioni që përfshin këtë lloj shkelje lidhet me fjalinë e parë të të njëjtës pikë të nenit 173, “Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekësh.”
Gjithashtu, sanksionimi duhet të fokusohet tek kandidatët të cilët nuk kanë dorëzuar raportin e vetedeklarimit, sikurse Kodi Zgjedhor parashikon qartësisht.
- Sipas Nenit 92/3, pika 2 gërma ç “Raportet financiare hartohen sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja.
Raporti, si rregull, duhet të përmbajë informacion, për: ç) bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve”.
Ky detyrim ligjor rezulton i përmbushur vetëm nga Partia Socialiste e Shqipërisë, por edhe në këtë rast i pa plotë, madje totalisht jo serioz (deklarohet vetëm blerja e një lavatriçeje).
Të gjitha partitë e tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e datës 6 mars 2022 nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.
- Pranimi i dhurimeve në vlerë më të madhe se 50.000 lekë jo nëpërmjet llogarisë bankare.
Tre kandidatë kanë deklaruar në raportet e tyre dhurime të vlerave monetare më të mëdha se 50 mijë lekë të kryera cash, në shkelje të nenit 92/2 pika 2 të Kodi Zgjedhor.
Konkretisht:
Znj. Emirjana Sako në raportin e saj si kandidate e Partisë Socialiste i ka dhuruar vetes 92.775 lekë cash.
Z. Edison Memolla në raportin tij si kandidat i Partisë Socialiste i ka dhuruar vetes 120.590 lekë cash.
Z. Ardian Muka në raportin e tij si kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë i ka dhuruar vetës shumën 415.000 lekë cash (të ndarë në tre këste dhuruar ne 120.000 lekë, 150.000 lekë dhe 145.000 lekë).
Z. Bardh Spahia në raportin e tij si kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë i ka dhuruar vetes 91.420 lekë cash (të ndarë në dy këste 40.000 lekë dhe 51.420 lekë).
Gjithashtu, znj. Eriselda Sefa, në raportin e saj si kandidate e Partisë Socialiste ka deklaruar të ketë marrë dhurime nga persona të tretë në vlerën 99.875 lekë dhe 100.000 lekë por nuk e ka specifikuar mënyrën e dhurimit.
Shkeljet sipas pikës 4 nuk janë përfshirë si të tilla në raportin e hartuar nga KQZ-ja, pavarësisht sanksionit të parashikuar në nenin 173 pika 5 “Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 50 mijë lekë përmes formave të tjera, të ndryshme nga kalimi në llogarinë bankare, dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së”.
- Disa kandidatë, sipas specifikimeve më poshtë, kanë deklaruar aktivitet financiar të ardhura dhe shpenzime të kryera pas ditës së zgjedhjeve, pavarësisht përcaktimeve ligjore për përfshirjen në raport të aktivitetit financiar që vetëm me fushatën elektorale.
Në raportet e 4 kandidatëve janë deklaruar shpenzime me datë të faturës në muajt prill dhe maj 2022, pra jashtë periudhës së fushatës zgjedhore.
Konkretisht:
Z. Edison Memolla në raportin tij si kandidat i Partisë Socialiste ka deklaruar shpenzime në muajin prill.
Z. Premtim Kryemadhi kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë ka deklaruar shpenzime në muajin maj.
Z. Lulzim Vrana kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë në ka deklaruar shpenzime në muajt prill dhe maj.
Z. Bardh Spahia në raportin e tij si kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë ka deklaruar shpenzime në muajin maj.
Nga raportet e vetëdeklarimit 6 kandidatë kanë deklaruar pranimin e dhurimeve në para pas përfundimit të zgjedhjeve.
Konkretisht:
Z. Ardian Muka, kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë në Bashkinë Durrës ka deklaruar se ka marrë donacion nëpërmjet llogarisë bankare në muajin prill.
Z. Bardh Spahia kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë në Bashkinë Shkodër ka deklaruar se i ka dhuruar vetes para cash në muajin maj.
Z. Lulzim Vrana kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë në Bashkinë Vorë ka deklaruar se i ka dhuruar vetes para cash në muajin prill dhe maj.
Z. Premtim Kryemadhi kandidat i Koalicionit Shtëpia e Lirisë në Bashkinë Dibër ka deklaruar se i ka dhuruar vetes dhe ka pranuar nga të tretë financim në para në muajin maj.
Z. Edison Memolla kandidat i Partisë Socialiste në Bashkinë Rrogozhinë ka deklaruar se i ka dhuruar vetes para pas ditës së zgjedhjeve.
Znj. Emirjana Sako kandidate e Partisë Socialiste në Bashkinë Durrës nuk e ka specifikuar datën e dhurimit në seksionin përkatës të raportit.
Në gjykimin e KRIIK, këto të ardhura dhe shpenzime janë të përfshira në mënyrë jo të ligjshme në raport dhe si të tilla nuk duhet të merren në konsideratë dhe as të llogariten në totalin e të ardhurave dhe shpenzimeve të raportit.
- Në raportin e hartuar nga KQZ nuk ka asnjë të dhënë lidhur me zyrat zgjedhore të hapura prej subjekteve apo kandidatëve.
KRIIK e konsideron si tepër të nevojshme dhe nxit KQZ-në që t’i japë dimensionin e duhur edhe gjetjeve të dala nga mekanizmi i Monitoruesve të fushatës zgjedhore, duke marrë në shqyrtim dhe ndjekur procesin verifikues të nevojshëm lidhur me Zyrat Zgjedhore të hapura prej subjekteve zgjedhorë.
Nga raportet e vetëdeklarimit subjektet PD, PS dhe LSI kanë deklaruar 14 zyra zgjedhore të hapura, konkretisht PS 9 zyra zgjedhore dhe LSI 5 zyra zgjedhore.
Gjashtë kandidatët e Koalicioni Shtëpia e Lirisë, kanë deklaruar shpenzime për hapjen e 21 zyrave zgjedhore.
Konkretisht, Premtim Kryemadhi 2 zyra, Lulzim Vrana 1 zyrë, Hekuran Xhani 1 zyrë, Elton Bano 4 zyra, Bardh Spahia 3 zyra, Ardian Muka 10 zyra.
Pavarësisht se LSI ka deklaruar si zyra zgjedhore, zyrat e partisë madje në qytete që nuk kanë lidhje me procesin zgjedhor në fjalë, duke i trajtuar edhe këto si zyra zgjedhore, rezulton të kemi një numër total prej 35 zyrash të hapura në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 6 mars 2022.
Ndërkohë, nga shqyrtimi i raporteve të monitoruesve rezulton se këta të fundit kanë evidentuar në terren 93 zyra zgjedhore të hapura
(Partia Socialiste 31 zyra, Partia Demokratike 30 zyra dhe Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” (LSI) 32 zyra zgjedhore).
- KRIIK ka monitoruar shpenzimet e bëra nga subjektet zgjedhore për reklamë fushate zgjedhore në rrjetet sociale.
Nga kryqëzimi i të dhënave me deklarimet në raportet e vetëdeklarimit konstatohet se ka mosdeklarime apo deklarime të paplota të shpenzimeve të kryera.
Në total rezulton që janë deklaruar 312.000 lekë shpenzime për media sociale, ndërkohë që shpenzimi nga kontrolli është thuajse 700.000 lekë.
Diferenca, rreth 390.000 lekë gjykohet të jetë më e madhe për shkak se në deklarime përfshihet çdo shpenzim në zërin media sociale, që përfshin jo vetëm Facebook dhe Instagram, ndërkohë që kontrolli është vetëm për këto dy të fundit.
Evidentohet se Kandidati i PS për Kryetar të Bashkisë Dibër, z. Rahim Spahiu, ka kryer pagesa për reklama të tilla por nuk i ka deklaruar këto shpenzime.
Pagesat e kryera për reklamë në faqen e Z. Spahiu janë kryer nga dy subjekte, vetë kandidati dhe PS. Të dyja kanë kryer pagesa në shuma më të vogla se 100 $. Duke qenë se PS ka paguar tre postime ndërsa kandidati dy ndarja e shumave të paguara në e kryer apriori rezulton të jetë 90$ paguar nga PS dhe 61$ paguar nga kandidati. Në çdo rast edhe nëse shuma nuk është e saktë, kandidati ka kryer shpenzime vetë dhe nuk i ka deklaruar ato.
Kandidati i SHL për Kryetar të Bashkisë Durrës, z. Ardian Muka,ka deklaruar pjesërisht shpenzimet e kryera në rrjetet sociale.
Ka deklaruar pagesa për këtë qëllim në shumën 94.642 lekë ndërkohë që nga kontrolli rezulton të ketë paguar për këtë qëllim 162.046 lekë.
Tre kandidatë (Kandidatët e SHL Indrit Sefa 1.076 lekë, Luan Hoti 96,840 lekë, Xhemal Bushati 82.960 lekë), rezultojnë të kenë kryer shpenzime për reklamë në Facebook dhe Instagram, por nuk kanë dorëzuar një raport vetëdeklarimi në KQZ.
- KRIIK vlerëson gjithë përllogaritjen dhe komunikimin e kryer nga KQZ me subjektet zgjedhore dhe mediat në funksion të një informacioni sa më të detajuar lidhur me shpenzimet për reklamë politike në media.
KRIIK ka realizuar një përllogaritje të përafërt të shumës reale të shpenzuar nga subjektet zgjedhore për reklamë në media, duke ju referuar minutave të reklamës të monitoruara nga AMA dhe çmimit mesatar të saj, referuar tarifave të depozituara nga mediat dhe publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përllogaritjet mund të gjenden në Lidhjen nr. 1 bashkëlidhur kësaj shkrese.
Vërehet se shuma e shpenzuar është rreth 22.000.000 lekë kundrejt shumës 8.000.000 lekë të deklaruar.
Në diferencën prej 14.000.000 lekë, pjesa më e madhe rreth 9.000.000 lekë është tek Koalicioni Shtëpia e Lirisë, e më pas tek Partia Demokratike me rreth 3.000.000 lekë e Partia Socialiste me rreth 2.000.000 lekë.
Tre subjekte zgjedhore, nga monitorimi i AMA rezulton të kenë patur reklamë në media për të cilat nuk kanë deklaruar asnjë pagesë të kryer.
Konkretisht PS sipas AMA ka patur reklamë në TV Star Plus dhe TV Kopliku, por nuk ka deklaruar as PS dhe as kandidatët e propozuar prej saj, asnjë shpenzim për këtë gjë.
Partia Demokratike, sipas AMA ka patur reklamë në TV Star Plus, TV1 Channel, News 24 dhe Rozafa TV, por nuk ka deklaruar as PD dhe as kandidatët e propozuar prej saj, asnjë shpenëzim për këtë gjë.
Levizja Socialiste për integrim (SHL) ka patur reklamë e cila figuron e pa deklaruar prej LSI dhe kandidatëve të saj në TV Top – Channel, TV ABC Neës dhe Top News.
Për shifrat konkrete të përllogaritura të paguara si dhe minutat e reklamës sipas AMA lutemi shihni Shtojcën nr. 1 bashkëlidhur.
Gjithashtu, në dispozitivin e projekt-vendimit të përgatitur për propozimin e masës administrative për TV Star plus, vërehet se mungon propozimi për vendosjen e sanksionit për tejkalim të minutazhit prej 90 minuta reklamë për një subjekt.
Në pikat 26 dhe 33 të dispozitivit projekt-vendimit të përgatitur propozohet sanksionimi vetëm për dy kategori shkeljesh që i referohen mos dorëzimit të tarifave dhe mos bashkëpunimit me KQZ.
- Së fundmi gjetjet e auditëve ligjorë, nuk shihen të reflektuara në përmbajtjen e raportit të hartuar nga KQZ.
Konkretisht, disa probleme të veprimtarisë financiare të subjekteve të evidentuara nga auditët janë :
9.1 Në disa raste shpenzimet e kandidatëve nuk ishin me faturë tatimore por vetëm me kupona tatimorë ose e anasjellta.
Kjo gjetje ilustrohet për disa kandidatë të Partisë Socialiste, emrat e të cilëve nuk janë specifikuar në raportin e auditit.
9.2 Partia Demokratike, kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Durrës znj. Emirjana Sako, si dhe tre kandidatë të Koalicionit Shtëpia e Lirisë, emri i të cilëve nuk thuhet në raportin e auditimit të LSI, nuk kanë hapur llogari të posaçme bankare.