Gjatë monitorimit të kësaj jave, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Postimi i aktiviteteve elektorale në faqen zyrtare të Bashkisë
4. Propagandë elektorale në aktivitete institucionale
Konkretisht:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Pavarësisht minimizimit, vijon ende praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë.
Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 1.9% e raportimeve në javën e katërmbëdhjetë janë me vonesë.
Specifikisht, nga 206 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 4 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 51, nga të cilat 4 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksohet se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty.
Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh vlerësimin mbi disa vendimmarrje të KSHZ për ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve, por kjo duhet të kthehet në një praktikë solide e të menjëhershme të administratës së KQZ-së për të ndaluar çdo aktivitet sapo ai të hidhet në ndërfaqen e raportimit dhe konstatohet se është raportuar jashtë afatit.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e mëparshme.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje seende mbeten relevante Rekomandimet konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, të përcjella nëpërmjet Raporteve të mëparshme të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. Raportime ku mungojnë detajet
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Gjithashtu, sikurse është konstatuar edhe nga ju si administratë, mungesa e detajeve sjell një problematikë serioze në monitorimin e aktiviteteve, veçanërisht për evidentimin e aktiviteteve të paraportuara. Aktivitetet e raportuara pa detaje pamundësojnë identifikimin e tyre, pasi nuk është e mundur të përcaktohet konkretisht aktiviteti.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues vetëm dy prej tyre:
- “Java boterore e vaksinimit -Fushata HPV” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”, Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/20/java-boterore-e-vaksinimit-fushata-hpv/.
- “Mbjellje pemesh me gjimnazistet” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/20/mbjellje-pemesh-me-gjimnazistet/.
Po ashtu, në raportimet e Bashkisë Tiranë nuk jepet emri i personit përgjegjës, por veçse emri i pozicionit, edhe ai i paspecifikuar. Konkretisht: “Personi përgjegjës për raportim: Drejtor i Pergjithshem”; – “Personi i ngarkuar nga ligji për raportim (Sekretari i Përgjithshëm/drejtori përgjithshëm/drejtuesi më i lartë administrativ): Drejtor i Pergjithshem”.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mos përmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
3. Postimi i aktiviteteve elektorale në faqen zyrtare të Bashkisë
Faqet zyrtare në rrjetet sociale, të institucioneve dhe drejtuesve të tyre, kanë të njëjtën rëndësi dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregullave sikurse faqet zyrtare të internetit të tyre.
Madje, duke konsideruar audiencën shumë herë më të lartë të tyre dhe përdorimin e gjerë nga njerëzit, institucionet dhe drejtuesit e tyre kanë një fokus disa herë më të madh në këto platforma komunikimi sesa në ato tradicionale.
Në vazhdën e monitorimit të tyre përgjatë periudhës parazgjedhore, KRIIK, përpos të tjerave, ka identifikuar dhe ju ka përcjellë pesë raste ku në Faqet Zyrtare të disa Bashkive në Facebook, postohen apo shpërndahen njoftime mbi aktivitete partiake, e konkretisht të Partisë Socialiste të Shqipërisë (Raporti i javës së 9-të të monitorimit). Konkretisht, në të përfshiheshin Bashkitë Poliçan, Kamëz, Kurbin, Konispol, Memaliaj.
Ndërkohë që për tre nga bashkitë e sipërpërmendura KQZ ka marrë vendim dhe pushuar hetimin administrativ (vendimi nr. 266 datë 05.04.2023), për dy prej tyre, konkretisht Bashkia Kamëz dhe Bashkia Poliçan, nuk ka ende vendimmarrje.
KRIIK ka vijuar monitorimin e këtyre faqeve, dhe konstaton se Bashkia Kamëz, vijon ende me postimet në faqen zyrtare Facebook të Bashkisë, të aktivitetit elektoral të kryetarit aktual dhe njëkohësisht kandidatit të Partisë Socialiste në këtë bashki.
Disa nga postimet përkatëse mund të aksesohen në linqet e mëposhtme, ndërsa në Lidhjen nr. 3 bashkëlidhur mund të gjeni foto/printscreen të postimeve në faqen e Bashkisë Kamëz:
Në gjykimin e KRIIK, këto postime me përmbajtje partiake në Faqen Zyrtare të Bashkisë, sikurse ju është bërë me dije edhe më parë, përbëjnë haptazi shpërdorim të burimeve dhe autoritetit të institucionit në funksion të partisë politike, e konkretisht të subjektit zgjedhor Partia Socialiste.
KRIIK nxit KQZ-në t’i marrë në konsideratë këto denoncime e procedojë sipas parashikimeve ligjore për të sanksionuar jo vetëm institucionin, por edhe Kryetarët e Bashkive si dhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste, sipas nenit 172 pika të Kodit Zgjedhor, pasi në favor të kësaj të fundit janë kryer shkeljet e mësipërme.
KQZ-ja nuk duhet në asnjë rast të tregohet tolerante në rastet e moskthimit përgjigje prej institucioneve sikurse ka ndodhur në disa prej hetimeve administrative të zhvilluara, por duhet t’i konsiderojë këto raste si mosbashkëpunim me të duke vepruar sipas Neni 169 “Mosbashkëpunimi me KQZ-në” të Kodit Zgjedhor.
4. Propagandë elektorale në aktivitete institucionale
Në vijim të monitorimit, KRIIK ka evidentuar në mbledhjen e datës 19 prill 2023 të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkelje që përbëjnë përdorim të burimeve shtetërore për avantazh elektoral nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.
Paraprakisht, rikthejmë në vëmendjen tuaj se përdorimi i burimeve zyrtare në fushatë për avantazh elektoral nuk konsiston vetëm në përdorimin e burimeve me efekt financiar apo atyre njerëzore, por shumë më tepër se kaq.
Në frymën e ndarjes së partisë nga shteti,[i] OSBE/ODIHR e përkufizon përdorimin e burimeve shtetërore si “…avantazh i padrejtë nga disa parti ose kandidatë, nëpërmjet përdorimit të pozitave të tyre zyrtare ose lidhjeve me institucionet qeveritare, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”[ii].
Konkretisht, fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të 19 prillit 2023, në gjykimin e KRIIK është një fjalë me natyrë të pastër elektorale.
Përgjatë gjithë fjalimit, z. Veliaj ka bërë një numër komentesh me natyrë të qartë elektorale, duke komentuar negativisht subjekte zgjedhore konkurrente në këto zgjedhje (konkretisht në lidhje me Koalicionin “Bashkë Fitojmë”), duke komentuar elementë të programit elektoral të kandidatit për Kryetar Bashkie të po këtij Koalicioni, madje edhe duke u shprehur në lidhje me pritshmëritë e rezultatit zgjedhor në favor të tij.
Për më tepër, në një numër të komenteve të kryera është përdorur një gjuhë denigruese si dhe sulme personale.
Për më shumë në lidhje me komentet specifikë, shih bashkëlidhur në Lidhjen nr. 4, transkriptin e fjalës së z. Veliaj gjatë Mbledhjes së Këshillit Bashkiak të datës 19 prill 2023, ku disa prej elementëve më të dukshëm janë të markuara ne shkrim të errët.
Theksohet se, mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Tiranës janë mbledhje të institucionit të Bashkisë së Tiranës dhe z. Veliaj ishte në këtë mbledhje në funksionin e tij institucional si Kryetar i Bashkisë, dhe jo si kandidat. Pra komentet e kryera në këtë mbledhje përbëjnë përdorim të një eventi institucional për fushatë elektorale.
Për më tepër, mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak ishte një mbledhje e transmetuar gjerësisht në media. Përveçse e transmetuar në kohë reale në faqen e Bashkisë Tiranë në Facebook (çka përbën edhe një tjetër mënyrë se si burimet institucionale janë përdorur për efekte fushate) apo të tjera faqe në rrjete sociale, ajo është transmetuar po në kohë reale nga së paku 5 televizione (shih Lidhjen Nr. 5, foto/screenshots nga mediat që kanë transmetuar në kohë reale Mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 19 prill 2023).
Gjithë sa më sipër bëhet akoma më problematike nëse konsiderojmë se tanimë jemi në fazën më intensive të takimeve të kandidatëve me elektoratin, atë të fushatës zgjedhore.
Kryetari i Bashkisë Tiranë e përdori mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak dhe pozicionin e tij zyrtar si Kyebashkiak për të përfituar një avantazh elektoral ndaj konkurrentëve të vet në garë, duke dëmtuar në këtë mënyrë barazinë në garë, në shkelje të parimeve për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, përveçse në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të Vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator.
Përpos sa më sipër, KRIIK gjithashtu sjell në vëmendjen tuaj se natyra e vendimeve të djeshme të Këshillit Bashkiak është e tillë që qartas përbëjnë vendime me efekt elektoral, për të cilat KQZ-ja duhet të investohet për të mbajtur qëndrimin e duhur që ligji i ngarkon.
Bazuar në sa më sipër, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë sipas parashikimeve ligjore në fuqi, duke sanksionuar Kryetarin e Bashkisë Tiranë për përdorimin e një aktiviteti institucional për qëllime elektorale.
Në linjë edhe me denoncimet e mëparshme të sjella, KRIIK gjithashtu rithekson se përbën domosdoshmëri që KQZ-ja të vërë para përgjegjësisë ligjore gjithashtu Subjektin Zgjedhor Partia Socialiste, në avantazh të të cilit është kryer shkelja, në përputhje me pikën 1 të nenit 172 të Kodit Zgjedhor.
5. Përdorimi në postimet e aktiviteteve institucionale të hashtag-eve slogane elektorale: #TëBashkuarJoTëNdarë; #ShqipëriaEArdhmjaJonë dhe #SkaKohëPërPushim
Përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore prej nisjes së periudhës katërmujore më datë 13 janar 2023, ashtu si dhe më parë, e deri më sot, në një pjesë të konsiderueshme të Faqeve Zyrtare në Facebook të Bashkive të vendit janë përdorur sloganet elektoralë të Partisë Socialiste, në formën e hashtag-eve (#).
Tipikisht janë përdorur sloganet:
- Të bashkuar, jo të ndarë;
- Shqipëria e ardhmja jonë; dhe
- S’ka kohë për pushim.
Dy prej këtyre sloganeve janë përdorur fillimisht prej Partisë Socialiste si slogane elektorale gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021, e në vazhdim, ndërsa i treti si slogan i Partisë Socialiste prej marsit 2022.
Konkretisht:
- Slogani “SkaKohëPërPushim”, ka qenë zyrtarisht slogani i fushatës elektorale të Partisë Socialiste gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin të vitit 2021.
Kryetari i PS dhe kryeministri i vendit z. Rama, është shprehur para zgjedhjeve të vitit 2021 se “Programi i PS-së do të jetë i shtrirë në kohë, për një Shqipëri të vitit 2030 ndërsa slogani është: “S’ka kohë për pushim”.
- Slogani “Shqipëria, e ardhmja jonë” është përdorur gjithashtu gjatë fushatës për Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021 në të gjithë materialet propagandistike të Partisë Socialiste.
Për më shumë shihni link-un: “Shqipëria, e ardhmja jonë”/ Publikohet slogani i PS-së në zgjedhjet e 25 prillit”).
- Slogani “Të bashkuar, jo të ndarë” është slogani i përdorur nga Partia Socialiste në Kongresin e saj të Prillit 2022, si një slogan i cili do të përdorej më pas në mënyrë të vazhdueshme nga Kryeministri Rama dhe në aktivitetet zyrtare të Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të saj.
Për më shumë shihni link-et: – “‘Të bashkuar, jo të ndarë!’/ Rama prezanton ‘sloganin’ e ri, “kunjë” për PD?”; – “Rama ndan foton nga Kongresi i PS dhe ka një mesazh: T’i lëmë pas hendeqet politike, të bashkuar dhe jo të ndarë si shqiptarë”; – ““Të bashkuar, jo të ndarë”, PS mbledh Asamblenë Kombëtare. Gjiknuri: Qëndrimi gjatë në pushtet ka risqet. Garën e kemi me veten”.
Postimet e aktiviteteve, njoftimeve apo promovimeve të ndryshme në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, Ministrave, Deputetëve, Kryetarëve të Bashkive etj., shoqërohen në shumicën e rasteve me tre hashtag-et e sipërpërmendura.
Madje, me nisjen e fushatës zgjedhore kanë nisur të përdoren edhe sloganet e reja të fushatës për këto zgjedhje.
Dy sloganet e para janë shpallur publikisht dhe përdorur nga Partia Socialiste si slogane të fushatës elektorale në zgjedhjet e vitit 2021 e në vazhdim, përfshi zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, ndërsa i treti lidhet drejtpërdrejt me Partinë Socialiste e vazhdon e përdoret në mënyrë të vazhdueshme prej përfaqësuesve të saj.
Të tre këto slogane, të konvertuara dhe përdoruara edhe si hashtag-e lidhen dhe identifikojnë drejtpërsëdrejtë Partinë Socialiste.
Duke u vendosur, përdorur dhe reklamuar nga institucionet publike dhe drejtuesit e tyre në faqet zyrtare në Facebook, në gjykimin e KRIIK kemi të bëjmë me shpërdorim të autoritetit shtetëror, si dhe përdorim:
– të një aseti institucional (specifikisht të faqes zyrtare në mënyrë të institucionit në mediat sociale si kanal komunikimi publik),
– të kohës së nëpunësve shtetërorë (personat e ngarkuar me shpërndarjen e njoftimeve në këto faqe),
– si dhe të gjithë burimeve të vëna në dispozicion për realizimin e aktivitetit institucional të cilave iu jepen valencë dhe meritë partiake në funksion të një partie politike, çka është në kundërshtim me kuadrin ligjor zgjedhor, si dhe të parimit për ndarjen e shtetit nga partia.
Ky fenomen vërehet në disa faqe të institucioneve apo edhe drejtuesve të tyre.
Pavarësisht vendimmarrjes së fundit të KSHZ, ku faqet zyrtare të drejtuesve të institucioneve konsiderohen si faqe personale të tyre, KRIIK shpreh sërish qëndrimin dhe rezervat e tij lidhur me këtë vendimmarrje, duke ju risjellë në konsideratë diskutimin dhe dakordësinë e arritur në mbledhjen e zhvilluar me Komisionerin dhe drejtueset e KQZ, në datën 13 mars 2023.
Na lejoni edhe në vijim të asaj bisede, por edhe për të risjellë në vëmendje gjykimin e KRIIK, se në faqet e drejtuesve të institucioneve të përfshira, citohet në mënyrë eksplicite se është faqja zyrtare e drejtuesit të institucionit (Kryetarit të Bashkisë xxx apo Ministrit të xxx).
Gjithashtu këto janë faqe në të cilat në vijimësi postohet vetëm aktiviteti i institucionit të cilin individët në fjalë drejtojnë, çka në funksionin e saj të përhershëm i jep kësaj faqeje një karakter institucional.
Përpos kësaj, në shumicën dërrmuese të rasteve, faqet zyrtare të bashkive apo edhe të ministrive në publikimet e tyre ripostojnë postime nga faqet e drejtueseve përkatës (Kryetarit të Bashkisë apo Ministrave).
Nga vëzhgimi i këtyre faqeve, rezulton se numri i ndjekësve apo shikueshmëria e postimeve në to është disa herë më e lartë në faqet e drejtuesve, çka vjen si rrjedhojë e autoritetit të tyre shtetëror.
Për më tepër, këto faqe nuk janë profile private, të mbyllura, por janë faqe “page” publike si persona publikë për hir të funksionit shteteror që mbajnë.
Përpos gjithë sa më sipër, edhe si persona politikë, këto drejtues marrin vëmendje publike maksimale dhe valencë të shtuar në pikëpamje të autoritetit kur postojnë veprimtari të institucioneve shtetërore, të cilat janë tërësisht produkt i përdorimit të:
(1) autoritetit shtetëror;
(2) burimeve logjistike e financiare të Bashkive apo Ministrive përkatëse;
(3) burimeve njerëzore të institucioneve (bashki/ministri) që kanë bërë të mundur tërë planifikimin, organizimin, realizimin e veprimtarisë deri edhe postimin në keto faqe zyrtare, duke u paguar me para të buxhetit të shtetit dhe duke harxhuar kohën e punës të paguar për dhe në funksion të aktivitetit të institucionit shtetëror, përfshirë ekspertizën dhe autoritetit e përdorur më vete prej secilit prej nëpunësve publikë të përfshirë.
Së fundi theksohet se, në perceptimin publik, faqet zyrtare të titullarëve ku janë postuar në vijimësi aktiviteti institucional normal e i përditshëm i institucionit, mbytet me postime partiake, politike e zgjedhore, duke dhënë mesazhin e gabuar dhe mos bërë asnjë dallim midis aktivitetit zyrtar të shtetit me atë partiak e politik.
Ndërkohë që një ndarje e tillë duhet të jetë e qartë dhe e prerë si detyrim primar që rrjedh prej Kushtetutës, dokumenteve ndërkombëtare dhe ligjit.
Konkretisht:
5.1. Postime të shoqëruara me përdorimin e hashtag-eve të sipërpërmendura gjenden në Faqet Zyrtare të Bashkive dhe Kryetarëve të Bashkive:
Në faqen zyrtare të Bashkisë Belsh është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të kryetarit të Bashkisë në foton e profilit është vendosur një foto me sloganin e Partisë Socialiste.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Bulqizë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të kryetarit të Bashkisë në foton e profilit është vendosur një foto me sloganin e Partisë Socialiste.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Cërrik dhe të kryetarit të saj, është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan dhe të kryetarit të saj, është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të kryetarit të Bashkisë në foton e mbulimit është vendosur një foto me sloganin e Partisë Socialiste.
Në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Fier është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Gramsh dhe Kryetarit të Bashkisë Gramsh është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Kavajë është përdorur hashtag #SkaKohëPërPushim #14maj.
Në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Këlcyrë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Kolonjë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Konispol është përdorur hashtag #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Kukës është përdorur hashtag #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Lezhë dhe të Kryetarit të Bashkisë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Librazhd dhe të Kryetarit të Bashkisë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Lushnje është përdorur hashtag #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Mallakastër dhe të Kryetarit të Bashkisë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të kryetarit të Bashkisë në foton e mbulimit është vendosur një foto me sloganin e Partisë Socialiste.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Poliçan është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Prrenjas dhe të Kryetarit të Bashkisë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Pustec është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Roskovec dhe të Kryetares së Bashkisë është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Shijak është përdorur hashtag#ShqipëriaEArdhmjaJonë ; #SkaKohëPërPushim.
Në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë në foton e mbulimit është vendosur një foto me sloganin e Partisë Socialiste.
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Bashkive dhe kryetarëve të tyre, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 6.
5.2. Postime të shoqëruara me përdorimin e hashtag-eve të sipërpërmendura gjenden në Faqet Zyrtare të Ministrive dhe Ministrave:
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
- Faqja zyrtare në Facebook e Zv. Kryeministres dhe Ministres Belinda Balluku
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit,
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Kulturës.
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Kulturës,
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Drejtësisë,
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrit të Brendshëm,
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Financave dhe Ekonomisë
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake në në Faqet Zyrtare të Ministrive dhe Ministrave, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 7.
Në gjykimin e KRIIK, këto postime me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Ministrive, Ministrave, Bashkive dhe të Kryetarëve të Bashkive, përbëjnë shpërdorim të institucionit në funksion të partisë politike, e konkretisht të subjektit zgjedhor Partia Socialiste.
KRIIK nxit KQZ-në që të marrë menjëherë masat e nevojshme që të ndalojë shkeljen si dhe të parandalojë me efektivitet përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, përfshirë këtë aspekt jo pak të rëndësishëm, duke u kërkuar institucioneve dhe drejtuesve të tyre të ndalojnë postimet me natyrë partiake, përfshi sloganet elektorale në faqet e tyre, si dhe të pastrojnë postimet e mëparshme.
Gjithashtu në vijim të qëndrimit të tij, KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush, të shqyrtohen duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1).
[i] Dokumenti i Kopenhagës, Neni 5.4 “…ndarje e qartë ndërmjet Shtetit dhe partive politike; në veçanti, partitë politike nuk do të shkrihen me shtetin.”
[ii] Doracaku i OSBE/ODIHR për vëzhgimin e financave të fushatës, faqe 22.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Postimet e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në faqen zyrtare të Bashkisë Kamëz
Shkarko Lidhjen 4 – Transkript i fjalës së Z. Veliaj gjatë Mbledhjes së Këshillit të Bashkisë
Shkarko Lidhjen 5 – Transmetimi LIVE i Mbledhjes së Këshillit të Bashkisë Tiranë, datë
19.04.2023 në disa media