Shkarko Dokumentin e dërguar KQZ-së.
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar kolegë të administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, për të cilin gjejmë rastin t’ju falenderojmë sërish, KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga buxheti i shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023”.
Sipas relacionit të dërguar të këtij projekvendimi, në faqen 3 të tij parashikohet se:
“Neni 180 i Kodit Zgjedhor, “Dispozitë tranzitore për financimin nga buxheti”, përcakton se për zgjedhjet e para të përgjithshme pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, përllogaritja e shpërndarjes së fondeve paradhënie do të bëhen në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në shkallë vendi për zgjedhjet vendore 2015 dhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Duke qenë se zgjedhjet e para të përgjithshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligji nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, janë zgjedhjet e datës 14 maj 2023, përllogaritja e numrit të votave të vlefshme bëhet duke marrë numrin më të lartë të votave për secilën parti politike që ka përfituar mbi 1% të votave të vlefshme në njërën nga këto zgjedhje 2015, 2017 dhe 2019.”
KRIIK ju parashtron se neni 180 i Kodit Zgjedhor “Dispozitë tranzitore për financimin nga buxheti” në pikën 2 të tij përcaton se: “Për secilën parti përfshihet në përllogaritje shifra që pasqyron numrin më të lartë të votave që partia ka marrë në njërën nga këto dy zgjedhje, kur ajo është jo më e vogël se 1 për qind e votave të vlefshme në zgjedhjet përkatëse.”
Partia Socialdemokrate (PSD), sipas tabelës së rezultatave përfundimtare të zgjedhjeve 2015, 2017 e 2019 të paraqitur në faqen 6 të relacionit, rezulton se në zgjedhjet e vitit 2015 ka marrë mbi 1 % të votave, e konkretisht ajo ka marrë 22 320 vota ose 1.43% të totalit të përgjithshëm të votave të vlefshme.
KQZ-ja në respekt të parashikimit të mësipërm duhet t’i referohet këtij numri votash në përllogaritjet që duhet të bëjë në vijim.
Konsiderimi i numrit prej 27 422 votash të marra prej PSD në zgjedhjet e vitit 2019 është i pasaktë, pasi sipas fjalisë së dytë të pikës 2 të nenit 180, merret në konsideratë rezultati i vitit 2019 vetëm në rastin kur subjekti zgjedhor nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2015 apo të vitit 2017.
Konkretisht, dispozita parashikon se “Në përllogaritje përfshihet edhe rezultati i subjekteve zgjedhore, që nuk kanë marrë pjesë në ato zgjedhje, por që kanë marrë pjesë në zgjedhjet vijuese dhe që plotësojnë kushtin e përcaktuar në nenin 88 të këtij ligji për kufirin prej 1 për qind të votave të vlefshme të fituara prej tyre.”
Për rrjedhojë, duke saktësuar këtë shifër në përllogaritjet e bëra, rezulton se numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të marra nga subjektet zgjedhore që kanë marrë më shumë se 1% të votave është 1,743,583, ndërsa vlera në para e një vote rezulton të jetë 57.35316 lekë, dhe jo 57.18583.
Lidhur me sa më sipër sugjerojmë që në tabelën e shpërndarjes së fondeve në projekt-vendim vlera në para e një vote duhet të jetë 57.35316 lekë, ndërsa numri i votave të vlefshme për subjektin zgjedhor Partia Socialdemokrate (PSD) duhet të jetë 22 320 vota.