Shkarko Dokumentin pdf
Të nderuar Anëtarë të Organeve Drejtuese të KQZ-së!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Në vijim të punës dhe angazhimit të tij në ecurinë e procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare të 11 majit 2025, KRIIK vazhdon të vlerësojë fort bashkëpunimin me Institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke treguar në çdo rast mbështetjen e pakursyer ndaj tij, dhe në veçanti ndaj punës së Administratës së KQZ-së dhe Rolit që duhet të ketë dhe luajë ajo, në përmbushje të detyrave që i ngarkon Ligji.
Në monitorimin dhe komunikimin e pandërprerë me Administratën në dobi të përmbushjes sa më të mirë të detyrimeve që kërkon ligji dhe standardet më të mira ndërkombëtare të zgjedhjeve, kohët e fundit është hasur një qasje jo korrekte dhe mungesë transparence nga Drejtoria e Subjekteve Zgjedhore, Mbikëqyrjes, Financimit dhe Monitorimit (DSZMFM), qasje e cila arriti kulmin me deklarimet e pavërteta të bëra nga Drejtoresha e kësaj Drejtorie në seancën e Mbledhjes së Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, të mbajtur ditën e djeshme datë 29.04.2025, lidhur me Denoncimet nr. 130, 134 dhe 135 të depozituara në KQZ nga KRIIK.
Këto denoncime, të numërtuara nga KRIIK me nr. 14, 15 dhe 16, janë depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më datën 17 prill 2025.
Objektet e këtyre denoncimeve janë të së njëjtës kategori shkeljeje, që lidhen me shkelje të nenit 79 të Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimit nr. 6 datë 23.03.2021 të KSHZ, por të ndryshme në përmbajtje nga njëri tjetri.
Konkretisht:
– Denoncimi nr. 14, datë 17.04.2025 me objekt: “Mos marrjen dhe mos publikimin e Vendimeve të Kryetarëve të Bashkive për vendet e afishimit të materialeve propagandistike për fushatën zgjedhore në 20 Bashki të vendit”;
– Denoncimi nr. 15, datë 17.04.2025 me objekt: “Lidhur me vendimmarrjen e paplotë të Kryetarëve të Bashkive për vendet e afishimit të materialeve propagandistike për fushatën zgjedhore në 15 Bashki të vendit”;
si dhe
– Denoncimi nr. 16, datë 17.04.2025 me objekt: “Lidhur me mos publikimin e vendimeve të Kryetarëve të Bashkive për vendet e afishimit të materialeve propagandistike për fushatën zgjedhore në 4 Bashki të vendit”.
Sikurse në çdo rast tjetër denoncimi, KRIIK i ka shoqëruar këto denoncime me provat përkatëse, të cilat shërbejnë si bazë që KQZ të fillojë hetimin administrativ. Një qasje publike kjo e KRIIK, prej vitit 2021, për të cilën jeni në dijeni, për t’i dërguar këto denoncime si indicie, në mënyrë që të jetë vetë Institucioni i KQZ-së i cili duhet të ndërtojë një praktikë solide për të kryer në mënyrë të plotë hetimin administrativ, pavarësisht nëse denoncimi vjen nga një organizatë me përvojë, apo nga një qytetar i thjeshtë. Kjo pasi ky i fundit normalisht e ka të pamundur të ndjekë proceduralisht ecurinë e denoncimit në tërë hallkat e tij.
Në shkeljet e vërejtura të ligjit, sikurse është paraqitur në të tre Denoncimet, e përbashkët është konstatuar shkelja e detyrimit ligjor duke mospublikuar Vendimet e Kryetarëve të Bashkive në faqet zyrtare të internetit, për të cilat është kërkuar të merret masë administrative, duke qenë se fushata elektorale ka nisur tashmë dhe shkelja ligjore ka sjellë dëm konkret duke shkaktuar cënimin e barazisë në garën zgjedhore midis subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve.
Lidhur me këto denoncime ka patur komunikim të vazhdueshëm verbal me përfaqësues të Administratës së KQZ, duke qenë se deri në datën 23 prill nuk kishte nisur asnjë procedurë lidhur me hetimin administrativ të tyre.
Pas këtij komunikimi, në datën 24 prill nëpërmjet Sektorit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Monitorimit të Fushatës (SMFMF), është filluar procesi i hetimit administrativ vetëm për 6 bashki, të përfshira në denoncimin numër 14.
Lidhur me 14 Bashkitë e tjera pjesë e Denoncimit nr. 14, u komunikua verbalisht prej SMFMF se këto Bashki i kishin dërguar vendimet përkatëse në KQZ, ndërkohë që nuk u bë e ditur prej tyre asgjë lidhur me publikimin ose jo të këtyre vendimeve në faqet e internetit, sikurse Ligji e kërkon.
Në kushtet kur edhe pas një jave nuk kishte filluar asnjë proces, as regjistrimi dhe as hetimi administrativ, lidhur me denoncimet numër 15 dhe 16, KRIIK ju drejtua me e-mailin zyrtar “Lidhur me mirëfunksionimin dhe efikasitetin e mekanizmit të ndjekjes së denoncimeve prej KQZ-së” datë 25.04.2025, duke risjellë në vëmendje domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit me efikasitet, nevojën e komunikimit me çdo institucion të ngarkuar nga ligji me detyra lidhur me procesin zgjedhor, si dhe nevojën e reagimit sa më të shpejtë, duke qenë se denoncimet e mësipërme janë në funksion të sigurimit të parimit të barazisë në garën elektorale, dhe fushata elektorale zgjat vetëm 30 ditë.
Pas këtij e-maili, po më datën 25.04.2025 KRIIK u informua me e-mail nga Administrata e KQZ se denoncimet numër 14, numër 15 dhe numër 16 u regjistruan në regjistrin e denoncimeve të KQZ, duke marrë konkretisht numrin e regjistrit të denoncimeve të KQZ:
– Denoncimi nr. 14 është regjistruar me nr. 130 ID, datë 24.04.2025;
– Denoncimi nr. 15 është regjistruar me nr. 134 ID, datë 25.04.2025;
– Denoncimi nr. 16 është regjistruar me nr. 135 ID, datë 25.04.2025.
Sërish, pavarësisht këtij regjistrimi, asnjë proces hetimi administrativ nuk filloi prej administratës së KQZ-së.
Ndërkohë u njoftua futja në rendin e ditës dhe shqyrtimi i këtyre Denoncimeve në mbledhjen e datës 29 prill 2025, jo vetëm pa kryer më parë hetimin administrativ, por edhe duke mos publikuar në materialet paraprake të mbledhjes projekt-vendimet për shqyrtim lidhur me tre denoncimet në fjalë. Madje njoftimi për këtë mbledhje nuk u dërgua as me email, sikurse është praktikë e KQZ-së.
Edhe për këtë çështje, KRIIK kërkoi informacion nëpërmjet e-mailit “Kerkese per kopje te projektvendimeve te parashikuara per shqyrtim ne seancen e sotme, date 29 prill 2025, ora 15.00 !”, të dërguar më datë 29.04.2025 ora 11.01.
Nuk pati asnjë përgjigje për këtë kërkesë zyrtare të dërguar me e-mail.
Ndërkohë në orën 13.31, rreth 90 minuta përpara mbledhjes, KRIIK ishte në “cc” të komunikimit të KQZ-së me 20 adresa emailesh të bashkive të përfshira në denoncimin me numër 134 ID të regjistrit të denoncimeve të KQZ.
Ndërkohë lidhur me Denoncimin nr. 135 ID, deri përpara mbledhjes nuk u bë me dije asnjë informacion.
Pavarësisht gjithë situatës sa më sipër, në Seancën publike të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të datës 29 prill 2025, ora 15.00, nga Drejtoresha e Drejtorisë së Subjekteve Zgjedhore, Mbikëqyrjes, Financimit dhe Monitorimit, zj. Licela Veliu u relatuan të trija çështjet, madje duke deklaruar publikisht gjatë mbledhjes fakte të pavërteta.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij dhe e konsideron tepër të rëndë, më së pari, gjithë zvarritjen e bërë nga Administrata lidhur me Denoncimet e mësipërme, të cilat vijojnë ende sot të mbeten të pashqyrtuara tërësisht, si dhe deklarimet e pavërteta të Drejtoreshës gjatë relatimit të bërë lidhur me to.
Përgjatë Seancës publike të KSHZ të datës 29 prill 2025, Drejtoresha deklaron:
1. Në minutën 4.46:“Në datën 24 prill është dërguar denoncimime numër 130 me denoncues KRIIK. Denoncuesi pretendon se nga monitorimi i faqeve zyrtare në internet të 61 bashkive rezulton se 20 bashki nuk kanë publikuar në faqet përkatëse të internetit dhe as kanë dërguar në KQZ vendimet për përcaktimin e vendeve publike në territorin e bashkive të tyre në funksion të afishimit të materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore duke shkelur dispozitat e ligjit. Pala kërkuese kërkon marrjen e masave administrative ndaj kryetarëve të bashkive të cilët kanë kryer shkeljet si vijon: mos marrjen e vendimit, mos publikimin e tij, mos njoftimin dhe mos dërgimin e tyre pranë KQZ. Në vijim të procedurave të hetimit administrativ KQZ nëpërmjet e-mailit i është drejtuar bashkive të cilat nuk kanë marrë vendim lidhur me përcaktimin e vendeve publike në territorin e bashkive të tyre. Nga 20 bashki të cituara nga KRIIK 15 e kanë dorëzuar vendimin pranë KQZ-së, ndërsa për 5 bashki të cilat nuk e kanë dërguar i është dërguar një e-mail i dytë, dhe nga këto të pesta, dy e dërguan në KQZ. Për sa më sipër KSHZ i kërkohet ta marrë në shqyrtim denoncimin nr. 130 të KRIIK për mos marrjen dhe mos publikimin e vendimit të kryetarëve të Bashkive për vendet e afishimit të materialeve propagandistike për fushatën zgjedhore.”
Ndryshe nga deklarimi i mësipërm i Drejtoreshës rezuton se:
- Denoncimi është depozituar më datën 17 prill 2025.
- Drejtoresha lë të kuptohet se iu është nisur bashkive një email i parë.
KRIIK nuk është në “cc” të këtyre e-maileve, megjithëse i është kërkuar SMFMF-së të vihet në dijeni për çdo email të nisur. Këta të fundit kanë siguruar se do ta bënin një gjë të tillë, gjë që nuk ka ndodhur.
- Deklarohet se është nisur një email i dytë 5 bashkive.
KRIIK është në “cc” të emaileve të nisura vetëm 6 bashkive, dhe jo 5 sikurse deklarohet. Ndërkohë nga teksti i emailit kuptohet se ky është një komunikim i parë midis SMFMF dhe këtyre 6 Bashkive.
Nuk dihet nëse këto 6 Bashki i kanë kthyer përgjigje KQZ-së.
- Drejtoresha referon përpara KSHZ, vetëm lidhur me problematikën e dërgimit te Vendimeve në KQZ, dhe aspak lidhur me shkeljen më të rëndësishme, atë të publikimit ose jo të tyre në faqet e internetit të Bashkive përkatëse.
- Nga Monitorimi i bërë deri në momentin e dërgimit të këtij Dokumenti, nga 20 Bashki të denoncuara në këtë Denoncim, vetëm 6 prej tyre e kanë publikuar Vendimin në faqen e tyre të internetit.
Ndërkohë 14 prej këtyre Bashkive vijojnë mos ta kenë publikuar ende këtë Vendim.
2. Lidhur me denoncimin nr. 134 ID, relatuar nga minuta 6.27: “Në datën 25 prill është administruar denoncimi numër 134 me denoncues KRIIK. Denoncuesi pretendon se nga monitorimi i vendeve të publikuara në faqet e internetit të bashkive rezulton se një pjesë e konsiderueshme e bashkive të cilat e kanë marrë dhe kanë publikuar vendimin konform kuadrit ligjor në fuqi, rezulton se këto vendime janë të pa plota. Lidhur me këtë denoncim janë kontaktuar dhe i është dërguar e-mail 15 bashkive mbi sqarime mbi vendimin e dërguar nga ana e tyre duke lënë një afat deri ditën e nesërme për dërgimin e informacionit”.
Ndryshe nga deklarimi i mësipërm i Drejtoreshës rezuton se:
- Denoncimi është depozituar më datën 17 prill 2025.
- Drejtoresha lë të kuptohet se është ndjekur procedura normale, ndërkohë që emaili i cituar është nisur vetëm 90 minuta përpara mbledhjes me KSHZ, pas emailit / Kërkesës së nisur nga KRIIK (shih situatën e përshkruar më sipër lidhur me denoncimin nr. 134 ID), ndërkohë që çështja ishte vendosur në rend dite që një ditë më parë.
3. Lidhur me denoncimin nr. 135 ID, relatuar nga minuta 7.05: “Në datën 25 prill është administruar denoncimi numër 135 me denoncues KRIIK. Denoncuesi pretendon se nga monitorimi i faqeve të internetit të bashkive rezulton se katër bashki e kanë marrë vendimin lidhur me vendet e afishimit të materialeve propagandistike dhe e kanë dërguar në KQZ por ky vendim nuk është publikuar në faqen e tyre të internetit duke përmbushur pjesërisht detyrimin e tyre ligjor. Pala kërkuese kërkon marrjen e masave administrative ndaj kryetarëve të bashkive të cilët kanë kryer këtë shkelje duke mos publikuar vendimin për përcaktimin e vendeve për afishimin e materialeve propagandistike. Për sa më sipër KSHZ i kërkohet shqyrtimi i denoncimit numër 135 nga KRIIK.
KSHZ: Është e njëjta gjë me 130?
Drejtoresha: Janë bashki të ndryshme.
KSHZ: Presim përgjigje, komunikimeve nga bashkitë për këtë?
Drejtoresha: Kemi dërguar e-mail dhe presim shpjegimet e tyre, ende nuk kanë kthyer përgjigje.
KSHZ: Kur ua kini dërguar e-mailin?
Drejtoresha: Sot.
KSHZ: Dakord. Do presim edhe 48 orë për përgjigje nga ana e tyre, dhe do të vazhdojmë pastaj me procedimin.”
Ndryshe nga deklarimi i mësipërm i Drejtoreshës rezuton se:
- Denoncimi është depozituar më datën 17 prill 2025.
- Drejtoresha i përgjigjet pyetjes së KSHZ se emaili u ishte dërguar katër Bashkive të përfshira në këtë denoncim, ndërkohë që rezulton se ky email nuk ishte dërguar, madje ende nuk është dërguar një email i tillë.
Nga komunikimi verbal i bërë pas mbledhjes, u premtua se ky email “i nisur” do t’i dërgohej edhe KRIIK (bëhej fwd), ndërkohë që deri në momentin e dërgimit të këtij Dokumenti ende nuk është nisur një email i tillë, sikurse është procedura për të vënë në dijeni palën denoncuese.
- Mbetet totalisht e pakuptimtë përfshirja në rendin e ditës e kësaj çështje që një ditë më parë, ndërkohë që nuk është kryer asnjë veprim lidhur me të.
- Nga Monitorimi i bërë deri në momentin e dërgimit të këtij Dokumenti, të katër Bashkitë e denoncuara vijojnë mos t’i kenë publikuar ende Vendimet e marra.
Përpos zvarritjes dhe sjelljes aspak normale e institucionale të kësaj Drejtorie lidhur me shqyrtimin e 3 Denoncimeve të mësipërme, KRIIK, konsideron edhe më shqetësuese faktin se kjo situatë rezulton e përsëritur, duke hasur me vështirësi të vazhdueshme në komunikim dhe mungesë bashkëpunimi nga ana e kësaj Drejtorie edhe gjatë fazës së konsultimit lidhur me verifikimin e Raporteve Vjetore të Financimit të Partive Politike për vitin 2023.
Edhe në këtë rast, megjithëse janë bërë kërkesa të përsëritura nga ana e përfaqësuesve të KRIIK për marrjen e Raportit të përgatitur nga Administrata mbi këtë proces, përgjigjet kanë qenë gjithmonë evazive dhe shmangëse.
Ky Draft-Raport iu vu KRIIK-ut në dispozicion vetëm pas Kërkesës së tij Zyrtare të bërë më datën 20.03.2025, ndërsa shqyrtimi i tij ishte futur në rend dite për në seancën e mbledhjes së KSHZ të datës 21.03.2025, ndërkohë që Draft-Raporti nuk ishte pjesë as e materialeve paraprake të mbledhjes. Vlen të theksohet këtu se pas pasaktësive të gjetura dhe rekomandimeve të KRIIK, Raporti u ndryshua në mënyrë të konsiderueshme në formë dhe përmbajtje.
Kjo sjellje e përsëritur e DSZMFM-së duket se përbën një shmangie të dukshme nga qasja e hapur dhe bashkëpunuese që Institucioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka ndjekur që prej vitit 2020 dhe rrezikon të cënojë marrëdhënien e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë që është ndërtuar, duke ceduar në thelb në përmbushjen e detyrave funksionale për të bërë transparencë dhe zbatuar me korrektësi kuadrin rregullator ligjor.
Sillet në vëmendje se një qasje e ngjashme shqetësuese është vërejtur edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2023, ku KRIIK i ka dërguar informacion trupave drejtuese të KQZ-së dhe ka denoncuar publikisht mungesën e transparencës dhe komunikimit institucional nga ana e administratës së KQZ-së.
Në rastin konkret, KRIIK ka reaguar ndaj një deklarimi të pavërtetë të Sekretarit të Përgjithshëm të KQZ-së në atë kohë, lidhur me afishimin e materialeve propagandistike në territorin e Bashkisë Tiranë, duke e cilësuar këtë si një praktikë që dëmton bashkëpunimin ndërmjet institucionit dhe organizatave të shoqërisë civile, përpos se dëmton dhe manipulon të vërtetën.
Në gjykimin e KRIIK, kjo qasje në vijimësi prej Drejtorisë së Subjekteve Zgjedhore Mbikëqyrjes, Financimit dhe Monitorimit përbën një qasje të qartë për të anashkaluar dhe mos vepruar ndaj shkeljeve të ligjit, çka duket si një tendecë e herëpashershme që rrezikon të përqafohet e manifestohet prej Administratës së KQZ-së.
Në përfundim të këtij Dokumenti, KRIIK ju kërkon juve si Organe Drejtuese të KQZ-së, që të ushtroni autoritetin tuaj në përmbushje të Funksioneve, Rolit dhe Pwrgjegjwsive që duhet të zhvillojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përsa i përket 3 Denoncimeve në fjalë, duke qenë se kanë mbetur vetëm 9 ditë deri në mbyllje të fushatës zgjedhore, rekomandohet që KQZ-ja, brenda kompetencave që i njeh ligji, të urdhërojë urgjentisht publikimin e vendimit në faqet zyrtare të internetit dhe detyrimin e Bashkive për të bërë publike në mediat lokale përmbajtjen e tij, për të njohur sa më parë garuesit në zgjedhje, por edhe të gjithë qytetarët, mbi detyrimet që përcakton ligji.
Gjithashtu në zbatim të shenjtërisë së ligjzbatimit dhe klimës së besimit që duhet nxitur në këtë drejtim, nevojitet që të sanksionohet e vihet përpara përgjegjësisë ligjore çdo zyrtar publik apo i zgjedhur që shkel ligjin.