Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Në datën 23 dhjetor 2024, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i propozuar nga deputeti Nasip Naço.
Ky projektligj është ende duke u diskutuar në komisione dhe pritet të miratohet në seancat e ardhshme plenare të Kuvendit të Shëipërisë.
Projektligji ofron përfitime të drejtëpërdrejta për kategori të caktuara të popullsisë, konkretisht të atyre që vuajnë dënimin në sistemin peniteciar në vend.
Ai ofron rregullim të kuadrit ligjor duke u dhënë mundësi më të shpejta të dënuarve të kalojnë në një institucion me një nivel më të ulët të sigurisë, përfshirë këtu edhe të dënuarit pranë institucioneve të sigurisë së lartë, bazuar në një vendim të një komisioni administrativ të burgjeve, Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve, ndryshe nga rregullimi aktual i cili parashikon këtë proces vetëm mbi bazën e vendimit të gjykatës.
Po ashtu projektligji ofron mundësinë e kalimit në Institucionet e hapura të vuajtjes së dënimit për të dënuarit me burgim që e vuajnë atë pranë institucioneve të sigurisë së ulët dhe që u ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur, duke ndryshur kushtin prej 6 muajsh që është aktualisht i parashikuar nga ligji.
Konkretisht, në relacionin e këtij projektligji, citohet ndër të tjera se:
“… propozimi per ndryshimin e metodologjise se klasifikimit te sigurise se te denuarve synon te rrise efikasitetin e procesit, duke e bere ate me te shpejte dhe me pak te ngarkuar per gjykatat e juridiksionit te pergjithshem. …
Ne kete kontekst sugjerohet te shtohet pas pikes 4 te nenit 16 te ligjit 81 /2020 pika 4/1 me kete permbajtje;
“4.1. Perjashtimisht nga parashikimet e mesiperme Komisioni i Vleresimit te Rrezikshmerise se te Denuarve vendos kalimin e te denuarve nga nje institucion i sigurise se larte ne nje institucion te sigurise se zakonshme me kerkese te drejtorit te institucionit, te denuarit ose te perfaqesuesit ku ekzekutohet vendimi ndaj te denuarit, ne rast se i denuari ka kryer jo me pak se 2/3 e denimit .. “. …
Verehet se nuk ka nje percaktim te tille per kalimin nga nje institucion i sigurise se larte ne nje te sigurise se zakonshme pas nje afati te caktuar kohor ndryshe nga parashikimet qe ligjvenesi ka parashikuar per kalimin e personave nga siguria e zakonshme ne siguri te ulet. …
Perparesi jepet sigurise dhe rregullave te drejta, duke lejuar qe te denuarit qe kane demonstruar sjellje te mire dhe kane permbushur kushtet e tjera, te kalojne ne nje institucion me nje nivel me te ulet te sigurise, … .
Rregullimi i ketij momenti ne ligj do te ul numrin e kerkesave per ndryshim e klasifikimit te sigurise ne gjykata, pa cenuar te drejten e paleve per te ushtruar te drejten e ankimit prane gjykates kompetente. …
Amendim i nenit 20 pika 1.
Propozimi per amendimin e nenit 20, pika 1 e Ligjit nr. 81 /2020 “Per te drejtat dhe trajtimin e te denuarve me burgim dhe te paraburgosurve” synon te zgjeroje kushtet per kalimin ne nje institucion te hapur dhe te permiresoje procesin e vendimmarrjes per keto kalime, bazuar ne nje vleresim me gjitheperfshires te rrezikshmerise dhe rrethanave sociale te te denuarit. …
Ne nenin 20 pika 1 te behen shtesa dhe ndryshimet e meposhtme:
1.Pika 1 ndryshohet si me poshte:
“l. Institucioni i hapur eshte institucioni ose seksioni ku ekzekutohen denimet ndaj:
a) te denuarit me burgim, te cilit i ka mbetur me pak se 2 vjet e 6 muaj burgim per te vuajtur, me kusht qe i denuari te kete siguruar nje kontrate te rregullt pune ne institucionin e hapur, kur raporti i komisionit te vleresimit te rrezikshmerise se te denuarve vlereson se nuk perben rrezik per sigurine e institucionit apo te shoqerise;
b) te denuarit me gjysmeliri. ” …
Argumentimi juridik:
Zgjerimi i kushtit per te perfshire te denuarit qe u kane mbetur deri ne 2 vjet e 6 muaj burgim mundeson nje periudhe me te gjate dhe me efektive per pergatitjen e tyre per rikthimin ne shoqeri, veçanerisht nepermjet punesimit te rregullt, i cili eshte nje faktor kyç per suksesin e riintegrimi. …
Konkretisht referuar statistikave te Drejtorise se Pergjithshme te Burgjeve, ne Republiken e Shqiperise numri total i te denuarve dhe paraburgosurve eshte 5031 të dënuarve me burgim, … .
… Nga keta 637 jane te denuar per vrasje dhe 1543 per vepra penale te tjera. Ne institucionet e sigurise se larte vuaj ne denimin 496 te denuar ndersa ne institucionet
e sigurise se zakonshme 1129 te denuar. …”
Presidenti i Republikës ka dekretuar si datë për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, datën 11 maj 2025.
Kodi Zgjedhor në nenin 91 “Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore”, pika 4 përcakton se: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Po në vijim të këtij neni, Vendimi nr. 9 datë 20.12.2020 i Komisionit Rregullator, i ndryshuar, në nenin 3 “Veprimtari të ndaluara”, pika 3 përcakton se: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi i akteve ligjore ose nënligjore, ose nxjerrja e tyre me qëllim informimin e publikut në lidhje me vendimmarrjen e institucionit miratues në faqen e tij zyrtare, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, faljet e kamatvonesave, të gjobave, të detyrimeve tatimore e doganore vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore ose të epidemisë/pandemisë, apo ka si qëllim zbatimin e një detyrimi ligjor me karakter ndërkombëtar apo zbatimin e një vendim gjyqësor të formës së prerë.”
Po në këtë Vendim, në pikën 5 përcaktohet se: “Në zbatim të ndalimit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave marrin masa për të mosvendosur ose propozojnë të mos vendosen në rend të ditës të institucioneve respektive për shqyrtim dhe miratim, aktet e përmendura në pikën 3 të këtij neni”.
Bazuar në këto parashikime periudha e ndalimit është periudha 11 janar 2025 deri më shtator 2025, kur pritet të miratohet Qeveria e re nga Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 27 Janar 2025, ku u diskutua dhe votua, si Komision Parlamentar për dhënie mendimi, edhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, pas prezantimit të tij nga z. Nasip Naço si deputeti propozues, deputetët e opozitës anëtarë të Komisionit, znj. Dhurata Çupi e z. Enkelejd Alibeaj u bënë me dije të gjithë anëtarëve të Komisionit se ky projektligj është në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor. (Shihni për më shumë fjalën e znj. Çupi, minuta 1:58:29-1:59:55 dhe të z. Alibeaj, minuta 2:26:38-2:27:48 e video-regjistrimit të mbledhjes)
Madje znj. Çupi solli në vëmendje të anëtarëve mundësinë e manipulimit të mekanizmit për efekt të orientimit të votës së të dënuarve prej drejtuesve të institucionit të burgjeve, sikurse ka ndodhur në zgjedhjet vendore 2023 në burgun e Rrogozhinës e Peqinit. (minuta 2:04:01-2:04:43 e video-regjistrimit të mbledhjes).
Po ashtu përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, e ftuar në mbledhjen e Komisionit, kërkoi që vendimmarrja e Komisionit të ishte në përputhje me Kodin Zgjedhor duke thënë ndër të tjera se: “… duke tërhequr vëmendjen dhe me një thirrje edhe për Komisionin që të jetë në përputhje me Kodin që duhet të kemi vënë në kodin e sjelljes së institucioneve publike sipas Vendimit 9 të KQZ-së”. (minuta 2:44:49 – 2:45:40 e video-regjistrimit të mbledhjes).
Dukshëm pavarësisht se i gjithë informacioni i nevojshëm ligjor është bërë me dije për deputetët nuk pati asnjë reagim prej tyre dhe as prej drejtuesit të mbledhjes. Në përfundim, kryesuesi i mbledhjes z. Eduard Ndreca i ftoi deputetët për të votuar duke miratuar kështu projektligjin me votën pro të 14 deputetëve socialistë, anëtarë të komisionit.
Edhe në Mbledhjen e datës 28 Janar 2025 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, si Komisioni Parlamentar përgjegjës, sërish deputetët e opozitës ngritën shqetësimin e shkeljes së Kodit Zgjedhor për natyrën e projektligjit, por mbledhja, e drejtuar nga kryetari z. Nasip Naço, deputeti propozues i projektligjit, konkludoi me vijimin e procesit në pritje edhe të mendimit prej Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, më datën 5 shkurt 2025, Këshilli i Ministrave mori Vendimin “Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar””.
KRIIK vlerëson tërë këtë proces, të analizuar dhe paraqitur më sipër, në drejtim të miratimit të projektligjit jo vetëm në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor, por edhe si një sfidë të Deputetëve të maxhorancës socialiste, të vetë Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave ndaj zbatimit të ligjit, duke përcjellë një mesazh tejet negativ dhe flagrant në dëm të zbatimit të ligjit, të ndërtimit të shtetit ligjor, si dhe të vetë standardeve të procesit zgjedhor të 11 majit 2025.
KRIIK, bazuar në parashikimet e Kodit Zgjedhor, denoncon përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tentativën për miratimin e këtij projekligji, duke ju kërkuar që të ndërmerrni sa më parë hapat e nevojshëm për të parandaluar ecurinë e mëtejshme të tij.
Në gjykimin e KRIIK, përpos verifikimit të gjithë sa më sipër në raport me hapat proceduralë të nevojshëm, konsiderohet e nevojshme që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve t’i tërheqë vëmendjen Kryetares së Kuvendit dhe kërkojë zbatimin e ligjit duke marrë masa për të mosvendosur në rendin e ditës të komisioneve dhe të seancës plenare të Kuvendit për shqyrtim dhe miratim Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Gjithashtu, shihet më vend që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të konstatojë mosrespektimin e ligjit nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili, në zbatim të nenit 3 pika 5 të Vendimit nr. 9 datë 20.12.2020 të Komisionit Rregullator, duhet të kishte marrë masa për të mos vendosur në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, më datën 5.02.2025, projektvendimin “Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar””.
Nxitet Komisioni Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve që të zbatojë me rigorozitet gërmën e ligjit duke nisur hetimin administrativ lidhur me këtë shkelje të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator, si dhe vendosur sanksionet përkatëse në zbatim të nenit 171 të Kodit Zgjedhor.