Shkarko Rekomandimin ne pdf
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve, KRIIK ju falënderon për marrjen në konsideratë të disa prej rekomandimeve të dërguara në Dokumentin “Rekomandime lidhur me modulin e ri të raportimit të institucioneve publike qendrore dhe vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore që kanë detyrimin të raportojnë të gjitha veprimtaritë që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 4 muaj para datës së zgjedhjeve” dërguar më datë 16.12.2024, dhe mbi të gjitha për marrjen në konsideratë të Rekomandimit të hershëm të KRIIK, së fundi nëpërmjet Dokumentit “Rekomandime lidhur me domosdoshmërinë për të amenduar dhe përmirësuar kuadrin rregullator për zgjedhjet nga KQZ-ja” dërguar datë 02.12.2024, mbi amendimin e Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator.
Pavarësisht se ky amendim i sotëm është i parashikuar kryesisht mbi qartësimin e rregullave dhe procedurave të raportimit të institucioneve publike mbi veprimtaritë e tyre, sikurse është paraqitur në relacionin e tij dhe sipas komunikimit verbal të bërë me institucionin e KQZ-së,
KRIIK ju nxit të vijoni më tej me amendimin e Vendimit nr. 9 edhe mbi aspekte të tjera shumë të rendësishme të parashikuara prej tij, të cilat kanë rezultuar se janë të paplota, me mangësi dhe që duhen përmirësuar më tej, përpara datës 11 janar 2025, kur edhe nis përiudha katër mujore e parashikuar nga Kodi Zgjedhor.
KRIIK thekson dhe sjell në vëmendjen tuaj se një nga elementët më problematikë dhe kryesorë që dëmtojnë integritetin e zgjedhjeve në vend është përdorimi i burimeve shtetërore për avantazh elektoral dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol parësor për luftimin e këtij fenomeni, sikurse edhe ODIHR ka vlerësuar.
Ndryshe nga sa është relativizuar në diskutimet e tryezave teknike të zhvilluara së fundmi dhe opinionin publik se mekanizmi i raportimit të veprimtarive të institucioneve është thjesht një deklarim formal prej tyre, KRIIK, si një aktor me përvojë të gjatë dhe që ka ndjekur nga afër tërë proceset elektorale dhe mekanizmin në fjalë, thekson me forcë kundërtën.
Mekanizmi i raportimit nga ana e institucioneve për veprimtaritë publike që parashikojnë të realizojnë dhe roli i KQZ-së në mbikqyrjen dhe kontrollin e tyre është instrumenti kryesor ndonëse jo i vetmi, në dispozicion të KQZ-së në këtë funksion.
KRIIK ju rikujton se Ligjvënësi ka ngarkuar KQZ-në me funksione “legjislative”, veçanërisht “Komisionin Rregullator” si komision kolegjial, për të adresuar plotësisht fenomenim në fjalë nëpërmjet plotësimit të plotë të kuadrit rregullator, të nevojshëm për tu zbatuar nga institucionet publike dhe aktorët e tjerë të përfshirë, sikurse edhe nga vetë administrata dhe organet drejtuese të KQZ-së.
Është e rëndësishme që në ushtrimin e kësaj përgjegjësie, KQZ-ja të ecë përpara duke u bazuar në kufijtë e vendosur nga Kushtetuta e Ligji dhe duke e parë këtë të fundit jo ngushtësisht, por në kuptimin e plotë të tij dhe frymës që përmban tërë Kodi Zgjedhor dhe parimet kushtetuese përkatëse, si edhe duke marrë veçanërisht në konsideratë përvojën dhe problematikat e hasura në periudhën 2021-2024 dhe ngërçet e krijuara në përmbushjen e rolit të KQZ-së e zbatimit të plotë të ligjit.
Bazuar edhe në paragrafin e parë të sesioni II të relacionit “Përmbledhje shpjeguese e përmbajtjes së projekt-vendimit” ku thuhet, ndër të tjera, se ky akt i sotëm ka për qëllim përmirësimin dhe adresimin e të gjitha shqetësimeve të hasuar deri më sot në zbatimin e Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregiullator, përsa i përket nenit 92 të Kodit Zgjedhor,
KRIIK ju paraqet rekomandimet e tij lidhur me projekt-aktin, më të plotësuar dhe argumentuara , nga rekomandimi i nisur pak ditë më parë.
Konkretisht:
I. Në pikën 2 të Projekt-vendimit, lidhur me “Regjistrimin e Subjekteve në Ndërfaqen Elektronike të Raportimit të Institucioneve (NRI)”.
I.1. Nevojitet të përcaktohet qartë diferenca midis personit përgjegjës për raportimin i njohur nga Kodi i Zgjedhor, i cili është personi përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore, dhe personit / operatorit i cili është përgjegjës për kryerejen e veprimeve në Ndërfaqen Elektronike të Raportimit të Institucioneve (NRI).
Ky i fundit është i ngarkuar/emëruar për këtë funksion nga personi personi përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike.
I.2. KQZ duhet të sigurojë që në ndërfaqen e raportimeve të figurojnë emrat e të dy personave të cituar më sipër, sikurse ka qenë e paraqitur edhe më parë në ndërfaqen e raportimeve.
I.3. Konsiderohet me shumë rëndësi, që KQZ-ja të qartësojë dhe parashikojë, në përmbajtjen e nenit 4 që ndryshohet, se është detyrim i personit përgjegjës për drejtimin administrativ që të jetë në dijeni mbajë përgjegjesi për çdo veprim apo mosveprim të bërë nga personi operator i ngarkuar prej tij, apo për çdo infromacion, kërkesë apo detyrim që i përcillet institucionit prej KQZ-së, nëpërmjet llogarisë në NRI të institrucionit / operatorit.
I.4. Është e domosdoshme të parashikohet forma e vënies në dijeni të titullarit të institucionit prej personit përgjegjës, duke lënë gjurmë institucionale e informuar KQZ-në për njoftimin e bërë, në rastin kur KQZ-ja e ndalon aktivitetin.
Gjithë sa më sipër, shmang relativizimin e shkeljes së ligjit apo moszbatimin e ndalimit të vënë nga KQZ-ja, duke çuar tërë përfundimin e procesit të hetimit administrativ dhe sanksionimit nga KAS vetëm në vënien parapërgjegjësisë të operatorit / punonjësit të emëruar.
Ndërkohë që personi përgjegjës për raportimin apo edhe titullari i institucionit lihen jashtë përgjegjësisë nën mbrojtjen e mos vënies në dijeni, apo mos pasjes së dijenisë, sikurse ka rezultuar në proceset e mëparshme.
Tërë kjo, kur dihet botërisht se përgjegjësia direkte është e titullarit të institucionit, si ai politik, ashtu edhe ai nga pikëpamja e hierarkisë administrative të institucionit.
II. Në pikën 3 të Projekt-vendimit, lidhur me “Procedura e raportimit në NRI”.
II.1. Projekt-vendimi në pikën 1 të nenit 5 që ndryshohet përcakton se: “Nuk raportohen veprimtari ku institucioni publik, apo përfaqësues të tij janë ftuar për të marrë pjesë.”
KRIIK rekomandon se Institucionet duhet të raportojnë edhe për evente ku titullarë apo përfaqësues të tij janë të ftuar si folës në aktivitete të organizuara nga subjekte të cilat nuk kanë detyrim për raportim.
Në gjykimin e KRIIK, institucionet publike do të duhet të kenë detyrimin për të raportuar edhe veprimtari në të cilat titullari apo funksionarë të lartë të institucionit përkatës janë të ftuar të marrin pjesë si folës.
Kjo për së paku dy arsye, e dyta rrjedh logjikisht pres së parës:
Së pari, një funksionar i lartë që merr pjesë në një event si folës do të angazhojë burime publike të institucionit ku punon për të marrë pjesë në event, sado minimale qofshin ato.
Theksojmë se burimet publike nuk janë vetëm materiale, por me rëndësi është edhe Ofiqi Publik që persona të ndryshëm gëzojnë dhe Autoriteti Shtetëror i Institucionit, që ata përfaqësojnë, të cilin e mbartin me vete kudo ku ata ftohen të zhvillojnë veprimtari si folës, pavarësisht se janë të ftuar dhe nuk e organizojnë ata atë veprimtari.
Përdorimi i këtij ofiqi publik dhe avantazheve që ai sjell për të bërë fushatë, ndërkohë që veprojnë në rolin e tyre si zyrtarë publikë dhe jo politikë përbën përdorim të autoritetit shtetëror dhe ofiqit publik për avantazh elektoral.
Së dyti, gjatë periudhës zgjedhore mund të organizohen edhe evente nga subjekte që nuk janë institucione publike dhe, si rrjedhim, nuk kanë detyrimin për të raportuar (si OJF, përfaqësi diplomatike, organizata ndërkombëtare, apo biznese private).
Një numër rastesh të tilla janë evidentuar në zgjedhje të shkuara.
Në rast se institucioneve u hiqet detyrimi për të raportuar, lihet hapur mundësia që titullarët e institucioneve apo funksionarë të lartë të përdorin të tilla aktivitete për fushatë elektorale, ndërkohë që janë ftuar si ofiqarë publikë dhe jo si eksponentë politikë, duke përdorur autoritetin shtetëror për të avantazhuar një parti politike.
Detyrimi për të raportuar për këto aktivitete do të rrisë ndërgjegjësimin, përgjegjshmërinë, dhe vlerësimin e kujdesshëm nga ana e ofiqarëve publikë nëse do të duhet të marrin pjesë në një event të tillë dhe nëse po në çfarë roli do të jenë aty.
Nga ana tjetër, ky detyrim rrit transparencën mbi aktivitetet ku përdoren burime shtetërore, shmang abuzimin nga përdorimi i qëllimshëm i organizimit të të tilla veprimtarive, rrit transparencën për publikun, median dhe aktorët vëzhgues, si dhe u jep mundësinë këtyre të fundit, veçanërisht monitoruesve të fushatës të KQZ-së që të përmbushin detyrimet e tyre në monitorimin e këtyre veprimtarive.
II.2. Projekt-vendimi në pikën 2 të nenit 5 që ndryshohet përcakton se: “NRI mund të lejojë raportimin e një veprimtarie e cila nuk plotëson kushtin e pikës 1 të këtij Kreu, por automatikisht kjo veprimtari përcaktohet si e ndaluar për sa kohë KSHZ nuk ka marrë një vendim për ta lejuar atë.”
KRIIK rekomandon se duhet të përcaktohen qartë dhe në mënyrë shteruese rastet kur një veprimtari e raportuar pas afatit prej pesë ditësh do të lejohet.
Parashikimi i bërë le të hapur mundësinë që të lejohen veprimtari të raportuara pas afatit prej pesë ditësh nga Komisioneri.
KRIIK vlerëson se është e papranueshme dhe e pakuptueshme që një institucion shtetëror i cili po organizon / bashkëorganizon një aktivitet publik të mos jetë në gjendje të parashikojë dhe raportojë pesë ditë përpara së paku një aktivitet publik, i cili kërkon kohë dhe organizim. Kjo tregon, në rastin më të mirë paaftësi organizative.
Në gjykimin e KRIIK, çdo aktivitet ku institucionet janë organizatore apo bashkëorganizatore duhet të raportohet pesë ditë përpara ditës së parashikuar, në të kundërt të ndalohet.
Në çdo rast, nëse KQZ-ja do të gjykojë se Rekomandimi më sipër nuk është i pranueshëm dhe do të lejohet mundësia për të aprovuar evente të raportuara me vonesë, gjykojmë se duhet të përcaktohen në mënyrë shteruese arsyet kur kjo do të mund të lejohet.
Në një rast të tillë, për shembull, përjashtim mund të bëhet për ato aktivitete ku titullari apo funksionarë të lartë të institucionit janë të ftuar të marrin pjesë si folës. Në këto raste, mundet që ftesa të vijë më pak se pesë ditë përpara dhe mund të lejohet pjesëmarrja.
Sidoqoftë, edhe në këto raste, për të rritur koherencën në vendimmarrjen e KSHZ dhe evituar diskrecionin, KRIIK rekomandon që të përcaktohen qartë dhe në mënyrë shteruese arsyet për të cilat KSHZ mund të vendosë ta lejojë kryerjen e një aktiviteti të raportuar jashtë afatit ligjor.
Rekomandohet që asnjë arsye tjetër, përtej atyre të përcaktuara në mënyrë eksplicite në vendim të mos përdoret si shkak për të lejuar të tilla veprimtari.
II.3. Projekt-vendimi në pikën 3 të nenit 5 që ndryshohet përcakton se: “Raportimi duhet të përmbajë datën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë̈, qarkun, bashkinë adresën ku ajo zhvillohet, llojin e saj, tematikën e veprimtarisë, emër mbiemër të personave pjesëmarrës të cilët përfaqësojnë nivelin më të lartë hierarkik shtetëror në aktivitetin përkatës, institucionin të cilit i përkasin, emër mbiemër të folësve të mundshëm dhe pozicionin e tyre, me pjesëmarrje të medias ose jo, pasqyruar në rrjete sociale, median online, ose jo.”
II.3.1 Për t’i dhënë zgjidhje problemit të raportimit të padetajuar të vërejtur më parë, KRIIK rekomandon që të shtohet edhe një pikë shtesë “Qëllimi i aktivitetit”.
Me shtimin e detyrimit për të deklaruar në mënyrë eksplicite qëllimin, KQZ mund të kuptojë paraprakisht në mënyrë më të qartë nëse ky është një aktivitet nëpërmjet të cilit përfaqësuesit apo drejtuesit e institucioneve përmbushin detyrat funksionale, apo shkojnë përtej tyre dhe do ta përdorin aktivitetin institucional për qëllime elektorale.
II.3.2 Për të evituar plotësimin e informacionit nga ana e institucioneve publike në mënyrë evazive dhe pa detaje të mjaftueshme, por edhe çdo mundësi për të pretenduar padijeni nga ana nëpunësit të caktuar për hedhjen e informacionit në sistem, sugjerohet që për çdo fushë të raportimit (në sistem) të paraqiten në mënyrë sa më koncize sqarime dhe udhëzime se çfarë informacioni konkretisht pritet prej përdoruesit që të plotësojë aty.
Vlen të theksohet se e njëjta gjë duhet të aplikohet edhe në formatet e raportimit të hartuara për tu përdorur në rastet e informimit me email apo me postë (në rastet kur institucionet kanë vështirësi për të aksesuar ndërfaqen, fenomen që ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme).
Gjykohet se kjo do të lehtësojë dhe ndihmojë për pasjen e një informacioni konkret e të pasuruar, e rrjedhimisht edhe më të vlefshëm për KQZ-në në gjykimin e saj mbi aktivitetin në fjalë.
II.3.3 Ndërkohë që paraqiten fushat që duhet të raportohen, nuk gjejmë në Projektvendim ndonjë masë që merret nëse raportimi është jo i plotë apo i plotësuar në mënyrë evazive.
KRIIK rekomandon që në Projektvendimin e paraqitur të shtohet një pikë tjetër (pas pikës 3 aktuale) në të cilën të përcaktohet shprehimisht se në rast se të dhënat e raportuara sipas pikës 3 nuk mundësojnë një panoramë të qartë të aktivitetit, në të gjithë elementët e vet, KQZ-ja do ta ndalojë zhvillimin e aktivitetit deri sa të dhënat të plotësohen në mënyrën e duhur.
II.3.4. KRIIK rekomandon që në këtë nen të shtohet autorizimi i Komisionerit për të nxjerrë një akt të posaçëm për tërë detajet teknike si dhe mënyrën e paraqitjes së ndërfaqjes dhe plotësimit të fushave të kërkuara.
Ose, të përgatitet një Aneks i cili të përmbajë këtë informacion të detajuar që t’i bashkangjitet këtij akti.
Duke ju falënderuar sërish për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në vazhdimësi dhe duke theksuar disponueshmërinë për të sqaruar cilëndo nga pikat më sipër nëse të tilla sqarime janë të nevojshme.