Shkarko Rekomandimin ne pdf
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Lidhur me projektvendimin “Për miratimin e raportit mbi gjetjet nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023” i sapo njoftuar për shqyrtim në mbledhjen e datës 8 tetor 2024, dhe në vijim të zhvillimit të procesit të kontrollit dhe verifikimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera nga subjektet zgjedhore në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 14 maj 2023, proces për të cilin KRIIK ju ka dërguar rekomandimet përkatëse lidhur me draft raportin dhe projektvendimin e hartuar nga administrata e KQZ, na lejoni që në funksion të realizimit të një procesi sa më gjithëpërfshirës t’ju propozojmë edhe tre rekomandimet e mëposhtme:
- Lidhur me kontrollin e numrit të zyrave zgjedhore të hapura nga subjektet zgjedhore, sipas udhëzimit nr. 6 datë 23.03.2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, subjektet zgjedhore kanë detyrimin që përpos njoftimit me shkrim të bashkive në territorin e të cilave do të hapet zyra, të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nga komunikimi verbal që KRIIK ka patur në vijimësi me përfaqësues të administratës së KQZ-së, subjektet që kanë deklaruar shpenzime për zyra zgjedhore që kanë hapur, nuk e kanë përmbushur detyrimin e njoftimit të KQZ-së. Në kushtet e mos përmbushjes së këtij detyrimi ligjor, KQZ duhet të ndërmarrë hapa të nevojshme, qoftë sanksionuese por edhe edukuese e informuese ndaj subjekteve, në funksion të vendosjes së tyre në kushtet e domosdoshmërisë së zbatimit të këtij detyrimi ligjor në vijimësi.
- Lidhur me kandidatët dhe subjektet të cilat kanë dorëzuar raporte vetëdeklarimi me zero të ardhura dhe shpenzime. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, nëpërmjet Vendim nr. 07, datë 25.01.2023 “Për shqyrtimin e kërkesës nr. 04, datë 14.12.2022 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”, ka vendosur një standard pozitiv dhe tejet të rëndësishëm sa i përket deklarimit të 0 të ardhurave dhe shpenzimeve në funksion të fushatës elektorale nga subjektet zgjedhore, duke konkluduar se fushatë elektorale me kosto 0 nuk mund të ketë. Ndër të tjera vendimi i KAS thekson se “ KAS-i çmon se pretendimi për fushatë të kandidatëve “pa shpenzime” është një pretendim jo real, i cili mund të vijë nga padija, paaftësia për të ruajtur disiplinë financiare apo për të organizuar siç duhet punën, por mund të vijë edhe si tentativë për mosraportim të saktë, për fshehje apo devijim të një pjese të të ardhurave dhe shpenzimeve në kanale informale, apo si shmangie nga tavanet ligjore etj. Pavarësisht nga motivet, pretendimi për kandidatë “pa shpenzime” nuk mund të pranohet nga KAS-i, sepse një pretendim i tillë është de-facto i pavërtetë”. Ky arsyetim i vendosur si praktikë tanimë nga KAS, duhet të aplikohet nga KQZ në gjykimin e saj lidhur me këtë proces verifikimi.
- Lidhur me dhurimin ndaj kandidatit të PS për kryetar të Bashkisë Lezhë, i konstatuar nga auditi i këtij subjekti se është realizuar nga individ i cili ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit në periudhën e tre viteve të fundit, shqyrtimi dhe verifikimi i KQZ duhet të shkojë përtej sanksionimit. Duke qenë se çdo donator duhet të nënshkruajë deklaratën e dhurimit ku ndër të tjera deklaron me përgjegjësi juridike se nuk ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit, duke përmbushur kështu detyrimin e përcaktuar në nenin 92/1 pika 3 të Kodit Zgjedhor. Në kushtet kur kjo deklaratë është firmosur, donatori është në kushtet e deklarimit të rremë, çka përbën vepër penale dhe duhet referuar në organet kompetente. KQZ duhet të ketë qasje proaktive në funksion të ligjzbatimit, duke referuar në organet ligj zbatuese çdo individ apo institucion për të cilin konstaton një shkelje ligjore të natyrës penale, sikurse kuadri ligjor parashikon.
Në përfundim të këtij Opinioni, KRIIK shpreh sërish gatishmërinë e tij për të ofruar detaje apo shpjegime më të plota lidhur me gjetjet e mësipërme, nëse një gjë e tillë do të konsiderohet e nevojshme prej KQZ-së.