Shkarko Rekomandimin ne pdf
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Duke ju falënderuar sërish për bashkëpunimin në vazhdimësi, në përgjigje të ftesës për konsultim të dërguar nga ju me postë elektronike në datën 16 shtator 2024, KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me Projekt-Vendimin “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023 dhe propozimin e masave administrative”.
Në parantezë, KRIIK ju sjell në vëmëndje dhe ju kërkon marrjen e kohës së nevojshme në dispozicion për të adresuar të gjitha shqetësimet, opinionet dhe shkeljet e evidentuara, të cilat ju janë përcjellë ndërkohë nga KRIIK apo edhe aktorë të tjerë të mundshëm, përpara konkludimit në një Raport Final dhe në Vendimmarrjen përkatëse të KQZ-së lidhur me zbatimin e plotë të kuadrit ligjor në fuqi mbi financimin e fushatës zgjedhore të Zgjedhjeve të përgjithshme Vendore të 14 majit 2023.
Projekt-vendimi i dërguar është bazuar në Draft-Raportin e gjetjeve të hartuar nga administrata dhe mbi të cilin KRIIK ka evidentuar disa pasaktësi dhe mangësi. Dokumenti me gjetjet dhe rekomandimet e KRIIK mbi “Draft Raportin mbi gjetjet nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023”, ju është të përcjellë më datë 16 shtator 2024. Si i tillë Projekt-Vendimi i hartuar ka nevojë të plotësohet dhe përditësohet.
Megjithatë duke iu referuar përmbajtjes aktuale të tij, KRIIK ju paraqet në vijim Opinionin e tij.
Nga shqyrtimi me vëmendje i Projekt-Vendimit vërehet se nga tërësia e sanksioneve të propozuara, duke përkthyer referencën ligjore të sanksionimit në shkeljen përkatëse të parashikuar në ligj, deduktohet në nëntë kategori shkeljesh, të cilat konsistojnë në:
- Dorëzimin e raporteve jashtë formatit të miratuar nga KQZ-ja.
- Mosdorëzimin e raportit nga partitë politike.
- Pranimin e dhurimeve me vlerë më të lartë se 50.000 lekë cash nga kandidatët.
- Pranimin e dhurimeve nga donatorë të ndaluar nga ligji.
- Mosbashkëpunimin me KQZ-në, nga 5 parti politike dhe 5 OSHMA.
- Detyrimin për kthim të fondeve në KQZ nga 2 parti politike.
Ndërkohë lidhur me OSHMA-të, shkeljet konsistojnë në:
- Mosdorëzimin e tarifave të reklamave për televizionet që kanë transmetuar reklamë politike.
- Tejkalimin e limitit ligjor prej 90 minutash reklamë politike.
- Mosbashkëpunimin me KQZ-në.
1. Të gjitha shkeljet e mësipërme i referohen draft raportit të KQZ, për të cilin KRIIK ju ka përcjellë rekomandimet e tij. Administrata e KQZ duhet t´i konsiderojë me kujdes gjetjet e përcjella, në funksion të realizimit të detyrimit për një verifikim të thelluar të financave të subjekteve zgjedhore si dhe rekomandimet përkatëse.
2. Në gjykimin e KRIIK, konkludimi me vendimmarrje nga KQZ duhet të kryhet pasi kjo e fundit të ketë bërë një transparence të plotë duke publikuar në faqen e internetit çdo raport që lidhet me financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit 2023. Madje duke siguruar që raportet të jenë të publikuara edhe në faqet zyrtare të internetit të partive politike, sikurse kërkohet nga ligji.
3. KRIIK është i mendimit se Projekt-Vendimi i përgatitur prej Administratës së KQZ-së duhet të përmbajë në mënyrë të plotë të gjitha shkeljet e vërejtura. Madje, ai duhet të përfshijë edhe shkeljet, për rastet e ngjashme të të cilave në zgjedhje të mëparshme, KQZ-ja është treguar tolerante.
Më pas, sigurisht që vendimmarrja do të jetë në kompetencën dhe diskrecionin e Komisionerit dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nëse do të vazhdohet me sanksionim e subjekteve të gjetura në shkelje të kuadrit ligjor rregullator në fuqi, apo edhe mund të tolerohet e të përfundojë në një tërheqje vëmendjeje publikisht ndaj tyre, për shkak të rrethanave apo argumentave të veçanta që mund të paraqiten.
Përveçse një detyrim ligjor, publikimi i të tërë shkeljeve dhe sanksioneve përkatëse, qoftë në Raport qoftë në Projekt-Vendim, së pari evidenton qëndrueshmërinë e një qasjeje serioze të KQZ-së për tu treguar korrekte dhe pa drojë në zbatimin e plotë e të barabartë të ligjit, e së dyti ndihmon në rritjen e përgjegjshmërisë prej aktorëve politikë për të respektuar plotësisht ligjin dhe institucionin e KQZ-së në proceset e ardhshme zgjedhore.
4. Në gjykimin e KRIIK, sanksionet e propozuara nuk duhet të jenë thjesht një transpozim i dispozitës përkatëse të Kodit Zgjedhor, por një propozim konkret i vendosur në raport me shkallën e shkeljes së kryer.
Projektvendimi duhet të përmbajë arsyetim rast pas rasti lidhur me shkeljen e kryer, shkallën e saj, si dhe nëse partia politike apo OSHMA-ja është recidiviste në shkeljen e kryer.
Në rastin kur Ligji vendos një rang sanksionimi, si për shembull në rastin e fjalisë së dytë të nenit 173 pika 3 të Kodit Zgjedhor “Paraqitja e raporteve në shkelje të rregullave dhe formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë nga 500 000 deri 1 000 000 lekë”, është i domosdoshëm peshimi i shkeljes nga ana e KQZ-së.
Ky shkallëzim i sanksionit duhet të fillojë që në Projekt-Vendimin e paraqitur nga Administrata, në vendimin e propozuar nga Komisioneri e në fund edhe në vendimin e marrë nga KAS.
Në rastin konkret të sanksionimit të partive politike sipas nenit 173 pika 3, Projekt-Vendimi i paraqitur ka përshirë brenda kësaj dispozite dhe ka propozuar të njëjtën masë, pra nga 500 000 deri 1 000 000 lekë, për disa shkelje, si:
– raport i paraqitur jo në formatin e dizenjuar të kërkuar nga KQZ-ja;
– raport i plotësuar jo në mënyrë të plotë e në shkelje të rregullave;
– mungesë e raportit të vetëdeklarimit nga kandidati për Kryetar Bashkie, i cili është vetë i njohur nga ligji si subjekt zgjedhor;
– mungesë e raporteve të vetëdeklarimit nga disa kandidatë për Anëtarë të Këshillave Bashkiakë;
– mungesë e raporteve të vetëdeklarimit nga dhjetëra kandidatë për Anëtarë të Këshillave Bashkiakë;
– mungesë e raporteve të vetëdeklarimit nga qindra kandidatë për Anëtarë të Këshillave Bashkiakë;
– mungesë e raporteve të vetëdeklarimit nga të gjithë kandidatët e propozuar për Anëtarë të Këshillave Bashkiakë, numër që shkon nga dhjetëra në rreth 1600 kandidatë;
5. Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja duhet të kryejë edhe kontrollin e raporteve të dorëzuara nga Kandidatët për Kryetarë Bashkie, si dhe të publikojë në Raport dhe në Projekt-Vendim emrat e 18 Kandidatëve të cilët nuk kanë dorëzuar raport financiar vetëdeklarimi, si dhe emrat e të gjithë kandidatëve të cilët kanë kryer shkelje të tjera të kuadrit ligjor.
Gjithashtu, duke qenë se Kandidatët për Kryetarë Bashkie njihen nga ligji si Subjekt Zgjedhor, ata mbajnë përgjegjësi ligjore të drejtëpërdrejtë dhe më të madhe se sa kandidatët e listave shumëemërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.
Në këtë kuptim, lidhur me mosparaqitjen e raporteve të vetëdeklarimit nga 18 Kandidatë, KQZ-ja në rastet e përmbushjes së kushteve të parashikuara në nenin 90 pika 4 të Kodit Zgjedhor, të vendosë sanksion ndaj Kandidatëve duke u bazuar në fjalinë e parë të nenit 173 pika 3 të tij.
6. Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja duhet të kryejë edhe kontrollin e raporteve të dorëzuara nga kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë, si dhe të publikojë në Raport emrat e të gjithë atyre që nuk kanë dorëzuar raport financiar vetëdeklarimi, apo që kanë kryer shkelje të tjera të kuadrit ligjor.
Kodi Zgjedhor në nenin 90 pika 4 përcakton se “Subjekti zgjedhor mban përgjegjësi sipas këtij ligji për shkeljen e kushteve dhe detyrimeve lidhur me financimin nga ana e kandidatëve të vet, me përjashtim të rastit kur nga hetimi administrativ vërtetohet se subjekti zgjedhor nuk ka pasur mundësi ose, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk ka arritur dot të parandalojë ose korrigjojë shkeljen e kryer nga kandidati. Në këtë rast përgjegjësia administrative dhe penalitetet për shkeljen i ngarkohen kandidatit.”
Po ashtu, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve me vendimin nr. 7 datë 25.01.2023, në ndryshim me kërkesën e Komisionerit, vendosi të sanksionojë kandidatin e Partisë Republikane dhe jo partinë, pasi kjo e fundit kishte ezauruar të gjitha përpjekjet për të parandaluar shkeljen e kandidatit sipas parashikimit të nenit të mësipërm.
Thënë sa më sipër, është i nevojshëm ezaurimi i plotë i komunikimit të KQZ-së me partitë politike, për të kuptuar nëse ato i kanë kryer tërë përpjekjet e tyre në raport me përmbushjen e këtij detyrimi ligjor ndaj kandidatëve të tyre që nuk dorëzuan raporte vetëdeklarimi.
Në rast të përmbushjes së këtij detyrimi prej partisë politike, është e nevojshme që kjo të citohet në Raport dhe në Projekt-Vendim, si dhe të parashikohet dhe propozohet sanksionimi përkatës ndaj Kandidatëve për Anëtarë të Këshillit Bashkiak, ndryshe nga sa është parashikuar në Projekt-Vendim ku përgjegjësia i delegohet partisë politike, konkretisht financierit të saj.
Gjithashtu, duke qenë se jemi përballë faktit që raportet nuk janë dorëzuar, sikurse përcakton fjalia e parë e pikës 3 të nenit 173 të Kodit Zgjedhor, kategorizimi i shkeljes duhet të përcaktohet duke u bazuar në këtë pikë, dhe jo sikurse është kanalizuar në Projekt-Vendim, ku kjo shkelje konsiderohet si dorëzimi i një raporti jashtë formatit të standartizuar, parashikuar në fjalinë e dytë të kësaj pike.
7. Në situatën e dorëzimit të raporteve jashtë formateve të standartizuara janë 5 parti politike, të cilat kanë depozituar në KQZ një raport jo në formatin e caktuar, si dhe jo nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF).
Këto parti, Partia Aleanca Demokratike Shqiptare, Partia Aleanca Demokristiane, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partia Ardhmëria Shqiptare.
Raporti dhe Projekt-Vendimi i KQZ nevojitet të paraqesë qartë nëse propozimi për sanksion lidhet me faktin se partitë nuk kanë dorëzuar raportet e kandidatëve, apo se raporti i dorëzuar prej tyre është jashtë formatit.
8. Nga tërë monitorimi i bërë dhe shqyrtimi i Raportit dhe Projekt-Vendimit, evidentohet se edhe 8 shkelje nuk rezultojnë të përfshira në Projekt-Vendimin e përcjellë për konsultim.
Konkretisht:
- Nuk ka asnjë sanksion të propozuar bazuar në shkeljet e evidentuara nga audituesit ligjorë, megjithëse këta të fundit kanë evidentuar disa shkelje, të cilat janë të përfshira edhe në Draft-Raportin e hartuar nga KQZ, mbi bazën e të cilit propozohen sanksionet përkatëse.
Shkeljet e konstatuara prej auditëve janë jo vetëm shumë të rëndësishme në procesin e verifikimit, por të vetmet që lidhen me përputhshmërinë ligjore të aktivitetit financiar të subjekteve zgjedhore.
Në gjykimin e KRIIK shkeljet e evidentuara nga auditët për disa subjekte zgjedhore janë të rënda dhe duhet domosdoshmërisht të sanksionohen.
- Pavarësisht konstatimit të mospërputhjeve midis numrit të zyrave zgjedhore të deklaruara dhe atyre të konstatuara në terren nga monitoruesit, vërehet se kjo problematikë nuk është e përfshirë në Projekt-Vendim.
KQZ-ja duhet t’i japë dimensionin e duhur edhe gjetjeve të dala nga mekanizmi i Monitoruesve të Fushatës Zgjedhore, duke marrë në shqyrtim dhe ndjekur procesin verifikues të nevojshëm lidhur me Zyrat Zgjedhore të hapura prej subjekteve zgjedhore.
- KQZ-ja ka kryer përllogaritje lidhur me mospërputhshmërinë e shumave të deklaruara të shpenzuara për reklamë politike në media dhe atyre të deklaruara nga ana e subjekteve zgjedhore.
Mospërpushmëritë janë përfshirë në Draft-Raportin e hartuar, por në Projekt-Vendim nuk ka asnjë reflektim të problematikave të konstatuara.
- Përpos mediave audiovizive, subjektet zgjedhore patën reklamë edhe në mediat online, për të cilat KRIIK ju ka përcjellë disa të dhëna të cilat nevojitej të verifikoheshin nëpërmjet komunikimit të KQZ-së me këto media.
Në Projekt-Vendim, ashtu si edhe në Draft-Raport, nuk ka asnjë të dhënë lidhur me mosdeklarimet nga subjektet zgjedhore të kësaj kategorie shpenzimesh.
- Shpenzimet për reklama politike të sponorizuara në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, janë publike.
KRIIK ka monitoruar këto shpenzime dhe i ka përcjellë KQZ-së të gjitha mospërputhjet midis shumave të shpenzuara dhe atyre të deklaruara.
Në Projekt-Vendim, ashtu si edhe në Draft-Raport, nuk ka asnjë të dhënë lidhur me mosdeklarimet nga subjektet zgjedhore të kësaj kategorie shpenzimesh.
- Ligji përcakton qartë që përpos raportit të vetëdeklarimit, partitë politike dorëzojnë në KQZ edhe Bilancin e Aseteve dhe Detyrimeve.
Rezulton se asnjë parti nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor, shkelje e cila duhet të përfshihet në Projekt-Vendimin e KQZ-së.
- Detyrimi për kthimin e fondeve të pa shpenzuara apo të shpenzuara jo për qëllime të fushatës elektorale, sipas pikës 7 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, i aplikuar në Projekt-Vendim vetëm për dy parti, duhet të aplikohet edhe për së paku dy parti të tjera, Partinë Socialiste dhe Partinë Aleanca Arbnore Kombëtare.
Partia Socialiste dhe Partia Aleanca Arbnore Kombëtare me fondet e alokuara për fushatë elektorale, kanë kryer shpenzime të natyrave të tjera, respektivisht për mbjellje pemësh dhe për shlyerje të detyrimeve ndaj shtetit.
Këto shpenzime duke qenë jashtë natyrës së shpenzimeve në funksion të fushatës elektotrale, ku për propagandim të ofertës elektorale ligji jep të drejtën e mbështetjes me fonde nga buxheti i shtetit apo donacione të tjera, në rastet në fjalë, nga verifikimet që KQZ-ja ka detyrim ligjor të bëjë, duhet përcaktuar qartë në Draft-Raport dhe Projekt-Vendim se këto shpenzime nuk mund të konsiderohen si shpenzime fushate, e për rrjedhojë të dy partitë politike duhet t´í kthejnë këto fonde në buxhetin e KQZ-së.
- Nevojitet një verifikim i mëtejshëm dhe i thelluar prej KQZ-së lidhur me Partinë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, për mosdeklarimin e financave të fushatës, pasi në përmbajtjen e raportit të saj, deklaron në mënyrë eksplicite se kandidatët kanë kryer fushatë me shpenzime personale, ndërkohë që në raport e dorëzuar deklaron 0 të ardhura dhe shpenzime.
Në përfundim të këtij Opinioni, KRIIK shpreh sërish gatishmërinë e tij për të ofruar detaje apo shpjegime më të plota lidhur me gjetjet e mësipërme, nëse një gjë e tillë do të konsiderohet e nevojshme prej KQZ-së.