Shkarko Rekomandimin ne pdf
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Duke ju falënderuar për tërë bashkëpunimin në vazhdimësi, në përgjigje të ftesës për konsultim të dërguar nga ju me postë elektronike në datën 6 shtator 2024, KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me “Draft Raportin mbi gjetjet nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023”.
Dokumenti në vijim është i ndarë në dy pjesë.
Në pjesën e parë paraqiten komente të përgjithshme lidhur me Raportin e përgatitur prej jush, por edhe mbi procesin në tërësi të mbikëqyrjes së financave për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023.
Opinioni i paraqitur bazohet sa në draft-raportin e dërguar, aq edhe në informacionin që KRIIK posedon në lidhje me procesin e zhvilluar, në vijim të ndjekjes dhe monitorimit të pandërprerë të procesit zgjedhor, përfshirë aktivitetin e KQZ-së, komunikimin e dendur me të në formën shkresore e verbale, përgjatë gjithë procesit që i parapriu Ditës së Zgjedhjeve të 14 majit, si dhe pas tij.
Në pjesën e dytë paraqiten komente më specifike në lidhje me gjetjet e paraqitura në Draft-Raportin e përcjellë për konsultim dhe kryqëzimit të tyre me ato të KRIIK.
Ky kryqëzim u krye me sa ishte e mundur, pasi formati dhe mënyrat se si janë paraqitur të dhënat në Draft-Raportin e përcjellë, jo domosdoshmërisht përputhen me metodologjinë e konkludimit në gjetje dhe të paraqitjes së tyre prej KRIIK.
Në vijim të aktiviteti të tij të pandërprerë në monitorimin e proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve të tjera që e afektojnë atë, KRIIK ka përgatitur Raportin Përfundimtar mbi Transparencën dhe Kontrollin e financimit të fushatës për Zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023.
Raporti Përfundimtar pason Raportin Paraprak “Mbi transparencën dhe kontrollin mbi financimin e fushatës për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023”, të publikuar në korrik të vitit 2023, i cili ju është dërguar edhe juve.
Theksojmë se Raporti Përfundimtar nuk është publikuar ende për shkak të mungesës së raporteve të vetëdeklarimit të kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiake, vetëm një pjesë e të cilave na janë vendosur në dispozicion të skanuara, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme zyrtare dhe verbale të KRIIK. Theksohet se ato ende nuk figurojnë as të publikuara në faqen e internetit të KQZ-së.
Pamundësia për të verifikuar të gjitha raportet e kandidatëve pengon përfundimin dhe publikimin e Raportit Përfundimtar pasi, në mungesë të këtyre raporteve, procesi i duhur i verifikimit dhe i kryqëzimit të të dhënave, për rrjedhojë, edhe gjetjet finale të KRIIK nuk mund të jenë të plota.
Në çdo rast, me synimin për të ndihmuar sado pak KQZ-në në misionin e vet madhor për të kontrolluar në mënyrë të plotë financimin e zgjedhjeve, si edhe për t’i dhënë fund procesit të pandëshkueshmërisë së subjekteve zgjedhore lidhur me shkeljet ligjore të kryera prej tyre, në shoqërim të këtij Dokumenti mund të gjeni edhe Draftin e Raportit Përfundimtar të KRIIK mbi financimin e Zgjedhjeve 2023, bazuar në të dhënat që KRIIK disponon dhe atyre që KQZ ka publikuar.
I. Komente të përgjithshme në lidhje me Draft-Raportin dhe procesin e mbikëqyrjes së financimit për Zgjedhjet Vendore 2023
I.1. Mbi metodologjinë dhe strukturën e Raportit
KRIIK vëren se Draft-Raporti ka një përmirësim në ezaurimin e përshkrimit të problematikave të evidentuara, duke përfshirë edhe shoqërimin e tyre me kuadrin ligjor përkatës. Megjithatë, gjykohet se metodologjia e ndjekur nga administrata në hartimin e raportit ka ende vend për përmirësim.
Të dhënat e përfshira në raport nevojitet të kenë kronologji logjike dhe sistematike, të bazuar në skanimin e çdo problematike të evidentuar dhe duke ezauruar secilën problematikë në një seksion më vete të raportit, për të konkluduar më pas në shkeljet potenciale ligjore, si dhe sanksionimet përkatëse të propozuara.
Shqyrtimi, në gjykimin e KRIIK, mund të fillojë me elementet më bazike që kanë të bëjnë me dorëzimin ose jo të raportit financiar, me respektimin ose jo të formatit, etj., e më pas të shtrihet në problematikat e tjera që lidhen me përmbajtjen e raporteve të vetëdeklarimit, si dhe kryqëzimin e të dhënave të deklaruara me ato të evidentuara në raportet e monitorueseve dhe të auditëve ligjorë.
I.2. Mungesa e një draft-vendimi të KQZ-së në lidhje me gjetjet e evidentuara në Raportin e përgatitur, si pjesë integrale e tij por edhe e procesit të konsultimit
Sjellim në vëmendjen tuaj se përcjellja për konsultim vetëm e Draft-Raportit, pa e shoqëruar atë me një projekt-vendim në lidhje me masat e propozuara, të integruar në Draft-Raport, në gjykimin e KRIIK, nuk ndihmon në realizimin e një procesi tërësisht transparent dhe të qëndrueshëm përsa i përket qasjes së paekuivok në zbatim të ligjit.
Shqyrtimi në mënyrë të plotë i shkeljeve të konstatuara, duke nisur nga ato më minoret, është më se i domosdoshëm, madje duke patur parasysh e marrë në konsideratë gjithashtu edhe problematikat e proceseve të mëparshme zgjedhore, si dhe qasjen e KQZ-së të bërë ndaj tyre.
I.3. Mungesa e detajeve në lidhje me procesin dhe vështirësitë e hasura nga KQZ
Një mungesë e Draft-Raportit, në opinionin e KRIIK, është mosparaqitja në të e përshkrimit dhe analizës së vështirësive me të cilat puna e KQZ-së është hasur gjatë implementimit të mekanizmave për monitorimin e financimit të subjekteve zgjedhore për Zgjedhjet e vitit 2023, duke e fokusuar Raportin vetëm tek gjetjet[1].
Në gjykimin e KRIIK analiza e vështirësive dhe problematikave në Raport është me shumë vlerë, për së paku dy arsye:
- Së pari, i shërben përmirësimit të mekanizmit në vijim, ndërkohë që mungesa e një analize të tillë, duke shmangur evidentimin e problematikave, sjell si pasojë mbajtjen e status quo-së dhe mbartjen e këtyre problematikave në vazhdimësi. Pra, në thelb, pa një analizë të plotë të vështirësive të hasura dhe problemeve që kanë dalë në implementim është e vështirë, në mos e pamundur, që të adresohen e gjenden zgjidhjet e mundshme, zgjidhje që mund të përfshijnë përmirësimin e kuadrit ligjor parësor apo dytësor, përmirësimin e implementimit, apo edhe nxjerrjen e përgjegjësive për aktorë apo individë që mund ta kenë vështirësuar apo pamundësuar implementimin e kuadrit ligjor.
Një analizë e tillë do të përbënte një bazë më se të mjaftueshme dhe faktike për të gjithë aktorët e përfshirë dhe të interesuar, qofshin këta institucionalë apo politikë, si dhe do të mundësonte vendosjen e objektivave të qarta, të matshme e të arritshme për adresimin e duhur dhe përmirësimin e situatës.
- Së dyti, për hir të transparencës ndaj publikut, është me shumë vlerë që të evidentohen vështirësitë e hasura në implementimin e duhur të kuadrit ligjor, pasi mundëson edhe që vetë KQZ-ja të jetë tërësisht transparente në mënyrën e funksionimit e të veprimtarisë së saj, si dhe të jetë llogaridhënëse në vijimësi në lidhje me qëndrimet, qasjet dhe hapat e ndërmarrë në zbatimin e ligjit, e të përmirësimit të tij në vijim.
I.4. Mungesa e informacionit të plotë mbi raportimin nga kandidatët për kryetarë bashkie
Sipas ligjit, çdo kandidat apo parti politike pjesëmarrëse në zgjedhje, duhet të deklarojë me përgjegjshmëri të lartë çdo lloj aktiviteti e transaksioni financiar të kryer në funksion të fushatës, duke plotësuar me përgjegjësi e në mënyrë të plotë formatet e raportimit të përcaktuara nga ligji.
Lidhur me raportet e vetëdeklarimit të dorëzuara nga kandidatët për kryetar bashkie, nga monitorimi në faqen e internetit të KQZ-së, rezulton se nga totali prej 144 kandidatësh, vetëm 123 prej tyre kanë dorëzuar raport vetëdeklarimi, ndërsa 18 prej tyre nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Kandidatët për kryetar të bashkisë, ashtu sikurse partitë politike, duhet të raportonin nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF).
Ky detyrim u respektua nga kandidatët të cilët raportuan, por mbetet problematik fakti që shfaqja e raporteve në faqen e internetit nuk është me emrin e kandidatit por vetëm duke vendosur si referim subjektin politik propozues të tij.
Gjithashtu, raportet e publikuara në faqe nuk përmbajnë informacione lidhur me datën e publikimit të tyre, ose mbi rastet eventuale të ndryshimit të mëvonshëm të ndonjë elementi apo plotësimit të mëpasshëm, pas afatit ligjor të përcaktuar, të bërë në përmbajtjen e tyre.
Këto elemente, është e nevojshme të mbahen në vëmendje nga KQZ-ja, në funksion të zbatimit të detyrimit për transparencë ndaj zbatimit të afateve ligjore në plotësimin dhe dorëzimin e këtyre raporteve.
I.5. Dështimi për të hedhur raportet e kandidatëve të listave shumëemërore për këshillat bashkiakë në PERF
Mbetet mjaft problematike, mos hedhja në format elektronik i raporteve të kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF). Ndërkohë që e ka vlerësuar pozitivisht iniciativën për raportimin në mënyrë elektronike nga ana e subjekteve zgjedhore, KRIIK ka vënë në vijimësi në dukje disa mangësi në implementim.
Pasi u njoh me përmbajtjen e Projekt-Vendimit “Për raportimin financiar në platformën elektronike të raportimit financiar (PERF) nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”, KRIIK nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me KQZ, si shkresor[2] ashtu edhe verbal, propozoi që detyrimin për raportimin në këtë platformë ta mbartin edhe kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiakë, por KQZ-ja nuk e bëri këtë element pjesë të akteve nënligjore përkatëse, duke deklaruar në mënyrë të pakuptimtë se do ta merrte vetë institucioni[3] barrën e hedhjes së të dhënave të këtyre raporteve në PERF.
KRIIK shprehu nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit, publik ose jo, se kjo zgjidhje nuk i shërbente qëllimit të lehtësimit të kontrollit dhe verifikimit për KQZ-në, përkundrazi e vështirësonte më shumë punën e administratës së KQZ-së në këtë drejtim, duke e mbingarkuar atë dhe ulur efiçencën e mekanizmit kontrollues dhe ligjzbatimit në tërësi.
Në realitet, hedhja e raporteve të kandidatëve për këshillat bashkiakë në Platformën Elektronike të Raportimit Financiar nga administrata e KQZ-së nuk u realizua, por raportet u kontrolluan fizikisht, madje një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk u publikuan fare në faqen e internetit të KQZ-së.
Në këtë situatë dhe duke mbatjur në konsideratë se PERF nuk është më në funksion, në pritje për t’u përmirësuar, KRIIK nxit KQZ-në që, në funksion të transparencës, minimalisht të publikojë raportet e kandidatëve të listave shumëemërore për këshillat bashkiakë në faqen e vet të internetit, qoftë edhe në formë të skanuar.
I.6. Përfshirja në Raportin e KQZ-së e Listës Emërore të Kandidatëve të cilët nuk kanë dorëzuar raport vetëdeklarimi
Kandidimi në një proces zgjedhor, nëpërmjet të cilit aspirohet marrja e Mandatit të Kryetarit të Bashkisë apo Anëtarit të Këshillit Bashkiak, është një përgjegjësi madhore për të cilën, përpos të tjerave, duhet të respektohet çdo detyrim ligjor, një ndër të cilët mbetet raportimi me përgjegjshmëri i të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera në funksion të fushatës elektorale.
Çdo kandidat është një emër publik dhe përmbushja e këtij detyrimi prej tyre duhet të jetë tërësisht transparente dhe njëkohësisht duhet bërë publike nga KQZ-ja, sikurse ligji parashikon.
Ndaj gjykohet se është me shumë vlerë, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut, që Lista Emërore e Kandidatëve të cilët garuan në zgjedhjet e 14 majit 2023, si dhe përmbushja ose jo prej tyre e detyrimit të dorëzimit të raporteve financiare për fushatat respektive zgjedhore, të përfshihen në Draft-Raportin e hartuar nga KQZ-ja.
Të dhënat lidhur me përmbushjen e këtij detyrimi ligjor nuk duhet të jenë vetëm numerike, duke i vendosur thjesht si numra individësh dhe vetëm në përgjegjësinë e partisë politike përkatëse, por ato duhet të jenë së pari individuale dhe specifike duke vendosur në çdo rast emrin përkatës të çdo kandidati, përkrah shkeljes së bërë prej tij.
Gjithashtu, lidhur më këtë shkelje ligjore të evidentuar, KRIIK nxit KQZ-në të bëjë adresimin e duhur ligjor dhe sanksionimin përkatës të parashikuar, duke mos përsëritur praktikën e mëparshme të kanalizimit të kësaj shkeljeje si mosrespektim i formatit të raportimit, por si mosdorëzim i tij, sikurse është në të vërtetë.
I.7. Komunikimi i KQZ-së me subjektet zgjedhore
Ligji e përcakton qartë faktin që nëse partia politike ka ezauruar çdo rrugë kërkesash dhe komunikimi me kandidatin lidhur me përmbushjen e detyrimit të dorëzimit të raportit financiar, përgjegjësia për mosdorëzimin e raportit i kalon vetë kandidatit dhe jo partisë që e ka propozuar atë.
Në këtë kuadër, nevojitet një komunikim i administratës së KQZ-së me partitë politike lidhur me mospërmbushjen e detyrimit të dorëzimit të raportit financiar prej kandidatëve të tyre e hapave të tjerë të ndërmarrë, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht, sikurse ligji parashikon, se kush duhet të sanksionohet lidhur me këtë shkelje.
Në rast se nga ana e KQZ-së është kryer një proces i tillë, do të duhet që ecuria e tij, përfshi hapat e ndërmarrë nga KQZ-ja dhe përgjigjet e dhëna prej subjekteve zgjedhore të jenë të detajuara dhe përfshira në Draft-Raportin e përgatitur.
I.8. Mos evidentimi në Draft-Raport i mosplotësimit nga ana e subjekteve zgjedhore të detyrimit ligjor për të dorëzuar bilancin e aseteve dhe detyrimeve
Neni 92/3 gërma “ç” e Kodit Zgjedhor parashikon qartë detyrimin e subjekteve zgjedhore për të dorëzuar në KQZ, si pjesë të Raportimit Financiar, edhe Bilancin e Aseteve dhe Detyrimeve për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
Përmbushja e këtyre detyrimeve ligjore si dhe një raportim i saktë e konform standardeve të kontabilitetit, bën të mundur të sigurohet një panoramë më e qartë mbi aktivitetin financiar të subjektit zgjedhor, duke siguruar transparencë më të plotë dhe bërë funksional mekanizmin e kontrollit nëpërmjet verifikimeve të KQZ-së dhe auditimit prej auditëve ligjorë.
Gjithashtu, është mëse e nevojshme, sikurse ligji parashikon, që bilanci i aseteve dhe detyrimeve të jetë objekt i punës së auditëve ligjorë, për të patur një panoramë të plotë të gjendjes dhe pasqyrave financiare të subjekteve zgjedhore në fillim dhe në fund të periudhës së raportimit, çka në fakt, për shkak të mosdorëzimit të këtyre bilanceve, nuk është bërë dot e mundur.
Rezulton se asnjë parti politike nuk dorëzoi në KQZ Bilancin e Aseteve dhe Detyrimeve sikurse ligji përcakton, duke vijuar praktikën e anashkalimit dhe mosrespektimit ndaj normës detyruese të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që ky fakt nuk përmendet fare në Draft-Raportin e KQZ-së.
Është e paqartë dhe e pajustifikueshme shmangia e evidentimit të një detyrimi të qartë ligjor nga ana e partive politike në Draft-Raportin e përgatitur.
I.9. Plotësimi i raporteve të vetëdeklarimit nga ana e subjekteve zgjedhore në mënyrë neglizhente
Gjatë analizës së raporteve të vetëdeklarimit të subjekteve zgjedhore, KRIIK ka vënë re raste të plotësimit të raporteve me neglizhencë, çka pengon jo thjesht bërjen e transparencës mbi to, por edhe mund të konsiderohen si orvatje për të fshehur realitetin e veprimtarisë së kryer apo mbuluar shkeljet ligjore të bëra[4].
Nëse kjo neglizhencë është e qëllimshme ose jo nuk mund të gjykohet, por, në çdo rast, KRIIK gjykon se KQZ-ja do të duhet t’i kishte evidentuar këto neglizhenca dhe kthyer raportin për plotësim/korrigjim tek subjektet zgjedhore.
Në mungesë të kësaj, më së paku, gjykohet se në Raportin e KQZ-së, ky element do të duhet të evidentohet dhe të vendosen sanksionet përkatëse, sipas rastit.
I.10. Mos evidentimi i shpenzimeve për reklama politike në mediat sociale
Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, tanimë një pjesë e konsiderueshme e fushatave politike kryhen online, përfshi në mediat sociale, qoftë nëpërmjet postimeve që synojnë të arrijnë zgjedhësit në mënyrë organike, qoftë nëpërmjet reklamës së paguar politike në këto media.
Monitorimi i shpenzimeve për reklamë politike në mediat sociale duhet të jetë në fokus të vëmendjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vetë impaktin madhor që këto reklama kanë në opinionin publik, duke qenë se janë sot një nga mënyrat më efektive për të arritur zgjedhësit potencialë, por edhe për të publikuar reklama të personalizuara dhe targetuara specifikisht për demografi të ndryshme zgjedhësish. Rëndësia e monitorimit të reklamës politike në mediat sociale ishte veçanërisht e dukshme në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021, gjatë të cilave jo vetëm subjektet zgjedhore, por edhe palë të treta (të cilat qartas ishin të koordinuara nga subjektet zgjedhore) shpenzuan shuma të konsiderueshme parash.
Ndërkohë që jo në çdo rast është e mundur të bëhet transparencë e plotë mbi shpenzimet për reklama politike në internet, pasi disa kompani (të tilla si X apo Google) nuk mundësojnë transparencën për këto shpenzime, rrjetet sociale më të përdorura aktualisht në vend dhe që kanë impaktin më të lartë potencial tek zgjedhësit (Facebook dhe Instagram) kanë krijuar mekanizma që mundësojnë një transparencë, edhe pse jo totale, në lidhje me reklamat politike në Shqipëri prej marsit të viti 2021, Librarinë e Reklamave Politike.
KRIIK gjykon se KQZ duhet të përdorë këtë bazë të dhënash për të evidentuar dhe verifikuar në mënyrë të pavarur shpenzimet së paku në këto rrjete sociale të partive politike apo kandidatëve. Apo të mund të shkojë edhe më tej, nisur nga kontakti i drejtpërdrejtë që vetë KQZ-ja ka patur me përfaqësues të Kompanisë Meta. Madje, me autoritetin e një institucioni shtetëror që me ligj ka detyrën të monitorojë financimin politik në Shqipëri, mund të hyjë në negociata / marrëveshje me kompanitë kryesore të teknologjisë në botë për të kërkuar transparencë të rritur në lidhje me këtë komponent.
Neni 3, pika 3 gërma “ç” e Udhëzimit nr. 3, datë 03.11.2022 të KSHZ “Për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e monitoruesve në zgjedhje dhe rregullat për monitorimin” përcakton si detyrim për verifikimin e shpenzimeve në rrjetet sociale të kryhet nga monitoruesit e angazhuar nga KQZ-ja.
Gjatë fushatës për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2023, në krahasim me fushatën për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2021, subjektet zgjedhore patën më pak shpenzime për reklama politike në Facebook dhe Instagram.
Nga dita e caktimit të ditës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës deri në ditën e zgjedhjeve, KRIIK evidenton se janë harxhuar midis 133,561 dhe 146,960 dollarë amerikanë[5], për 3,332 reklama politike[6].
Të dhënat në lidhje me këtë komponent janë totalisht të munguara në Draft-Raportin e dërguar për konsultim. Ndërkohë që edhe nga analiza e raporteve të bëra prej monitoruesve të KQZ-së, rezulton se ata kanë dështuar të përmbushin detyrën e tyre në përputhje me Udhëzimin e KSHZ-së, duke qenë se nuk kanë raportuar fare në lidhje me këtë element.
Në çdo rast, në Raportin Paraprak të KRIIK “Mbi transparencën dhe kontrollin mbi financimin e fushatës për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023”, të publikuar në korrik 2023, ka të dhëna në lidhje me shpenzimet në media sociale dhe këto gjetje i janë komunikuar KQZ-së. Për më tepër, në Raportin që po ju dërgojmë bashkëlidhur mund të gjeni edhe kryqëzimin e këtyre të dhënave me raportimin e subjekteve zgjedhore.
Gjykohet se KQZ-ja duhet të marrë në konsideratë këto gjetje dhe të verifikojë nëse deklarimi i shpenzimeve nga subjektet zgjedhore përputhet me të dhënat e analizuara dhe evidentuara nga KRIIK, të cilat bazohen në një bazë të dhënash publike të vendosur në dispozicion nga kompania Meta që ka përfituar të ardhurat për këto reklama, pra janë zyrtare dhe të besueshme.
I.11. Nevoja për sqarim e saktësim të metodologjisë së përdorur për kostot e shpenzuara për reklamë politike në media
Në përmbajtje të gjithë Drasft-Raportit të dërguar, reklama politike në media zë një vend të konsiderueshëm, por të ndarë në disa seksione, duke përsëritur shpesh të njëjtat të dhëna por të ndara në mënyra të ndryshme.
Kjo e bën të pakuptueshme për publikun informacion real të raportuar dhe të përllogaritur si të shpenzuar nga subjektet zgjedhore.
E gjithë mënyra e pasqyrimit të gjetjeve lidhur me këtë çështje, në opinionin e KRIIK, do të duhet të rishikohet, duke sqaruar më parë metodologjinë e përdorur nga KQZ-ja për të kryer përllogaritjet e saj, e më pas të bëhet pasqyrimi i të dhënave në formë sa më të qartë dhe lehtësisht të kuptueshme për publikun.
Gjithashtu, sugjerohet që në raporte të tilla me të dhëna të karakterit financiar nevojitet të bëhet pasqyrimi i tyre në forma tabelare, çka ndihmon më shumë bërjen e transparencës së plotë, si dhe kuptimin apo përpunimin e të dhënave në fjalë.
I.12. Mospërfshirja e shpenzimeve të reklamave të bëra në mediat online
Përgjatë fushatës zgjedhore, subjektet zgjedhore kanë paguar jo vetëm për reklama në mediat tradicionale por edhe në portalet e tyre online, përfshirë gjithashtu mediat e tjera online apo siç njihen ndryshe portale, si edhe në mënyra të tjera promovuese.
Ngelet shqetësues fakti që kjo kategori mediash, nuk njihen nga ligji si të tilla, dhe për rrjedhim ato nuk mbartin detyrimin ligjor të depozitojnë dhe bëjnë publike në KQZ tarifat që aplikojnë për reklama, përpos se mbeten jashtë çdo monitorimi nga institucionet.
Përjashtim në këtë rast bëjnë mediat audiovizive që kanë edhe faqe interneti, të cilat duhet të publikojnë tarifat për këto lloj reklamash, por ligji nuk i detyron në mënyrë eksplicite për të depozituar edhe tarifat e faqes së internetit. Konstatohet se disa media i kanë depozituar tarifat edhe për reklama në faqet e tyre të internetit.
Nga monitorimi jo sistematik i KRIIK[7] rezulton se së paku 30 faqe interneti[8] kanë publikuar gjatë fushatës reklamë politike për subjektet zgjedhore.
Nga këqyrja e raporteve të vetëdeklarimit rezulton se vetëm tre subjekte, dy parti politike[9] dhe një kandidat[10] kanë deklaruar shpenzime për media online, në shumën 741.760 lekë.
Këto shpenzime nuk mund të përllogariten apo përqasen në mënyrë të pavarur, për shkak të mungesës së çmimit së reklamimit në mediat online, si dhe të kohëzgjatjes që këto reklama kanë qenë prezente online.
KRIIK i sugjeroi KQZ-së një qasje proaktive duke marrë listën e çmimeve dhe kontratat e lidhura ndërmjet tyre dhe subjekteve zgjedhore, nëse ka të tilla.
Në rastin e mediave audiovizive që kanë patur reklama të paguara qoftë në transmetim, qoftë në faqet e internetit, do të duhej që KQZ-ja të evidentonte shpenzimet për secilën kategori më vete, sipas kontratave të lidhura mes medias dhe subjekteve zgjedhore.
Në Draft-Raportin e paraqitur ky komponent nuk përmendet.
Në dijeninë e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka patur asnjë komunikim me portalet apo faqet web të cilat përgjatë fushatës elektorale vendosën reklama të subjekteve të ndryshme zgjedhore, ndërkohë që asnjë institucion përgjegjës nuk kryen monitorim të tyre.
Në gjykimin e KRIIK kjo është mangësi në procesin e kontrollit dhe verifikimit që kryhet nga KQZ dhe është një hallkë që do të duhet të kryhet prej këtij institucioni.
II. Problematika të dala nga kryqëzimi i të dhënave të Draft-Raportit të KQZ-së me atë të KRIIK
II.1. Lidhur me pikën 2.1 të Draft-Raportit: “OSHMA-të private që kanë dorëzuar tarifat zyrtare në KQZ”.
Nga raporti i hartuar prej administratës rezultojnë 20 OSHMA që e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor, ndërkohë nga monitorimi i KRIIK në seksionin Tarifat e medias, në faqen zyrtare të KQZ-së rezultojnë 22 OSHMA të cilat e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.
OSHMA-të që mungojnë në raportin e KQZ janë TV Klan dhe TV Klan News.
II.2. Lidhur me pikën 2.2 të Draft-Raportit: “OSHMA-të private që nuk kanë dorëzuar tarifat zyrtare, por kanë transmetuar reklama politike”.
Nga raporti i hartuar prej administratës rezultojnë 6 OSHMA të cilat janë gjetur me këtë shkelje, ndërkohë nga monitorimi i KRIIK përpos tyre janë edhe 2 OSHMA të tjera, konkretisht Top Albania Radio dhe Top News.
II.3. Lidhur me pikën 3 të Draft-Raportit: “Verifikimi i shpenzimeve të fushatës zgjedhore në media”.
Në listën e ndarë sipas subjekteve në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së, ka disa deklarime të papërfshira, të cilat sipas monitorimit të KRIIK janë si më poshtë:
- Partia Socialiste e Shqipërisë, përpos mediave të përfshira ka deklaruar shpenzime reklamash politike edhe në Report TV në shumën 555 220 lekë nga kandidatja për kryetare në Bashkinë Roskovec znj. Majlinda Bufi, si dhe Euro Balkan News në vlerën 174 400 lekë.
- Partia Demokratike e Shqipërisë përpos mediave të përfshira ka deklaruar shpenzime reklamash politike edhe në News 24 në shumën 2 120 000 lekë.
Pagesa e përfshirë në raportin e administratës së KQZ për Top Channel në vlerën 200.000 lekë, nga monitorimi i KRIIK nuk rezulton të jetë deklaruar nga Partia Demokratike në raportin e saj të vetëdeklarimit.
Gjithashtu, specifikimi i bërë nga administrata në pikën IV. ‘Televizioni Ardit Baxhaku PF në vlerën 200 000 lekë’, nuk është shpenzim që duhet të futet në kategorinë e pagesave për reklamë, duke qenë se: së pari nuk kemi të bëjmë me media dhe së dyti përshkrimi konkret në raportin e subjektit Partia Demokratike është “Pagese per shërbim video”.
- Partia e Lirisë, përpos shpenzimeve të deklaruara por të pa paguara për Syri TV, sikurse specifikuar në raportin e administratës së KQZ, ka disa kandidatë të cilët sipas monitorimit të KRIIK, kanë deklaruar shpenzime për reklamë politike në media.
Konkretisht, kandidati Belind Këlliçi i cili ka deklaruar pagesa për News 24 në shumën 940 771 lekë, Syri TV në shumën 1 848 902 lekë, Radio Gjirokastra në shumën 3 180 lekë, Radio Alpo në shumën 5 000 lekë dhe Panorama Online në shumën 222 000 lekë.
Duke qenë se monitorimi i AMA-s e vendos kohën e reklamës së kandidatëve në subjektin politik që ata përfaqësojnë, përllogaritja duhet bërë duke marrë në konsideratë edhe deklarimet e kandidatëve, pra jo vetëm ato të partisë propozuese.
- Partia Agrare Ambjentaliste, përpos pagesës për News 24 të përfshirë në raportin e hartuar nga administrata e KQZ, sipas monitorimit të KRIIK në raportin e vetëdeklarimit ka deklaruar një pagesë ende të pa kryer në momentin e vetëdeklarimit, por gjithsesi detyrim i faturuar, për TV Ora News në shumën 1 585 834 lekë.
II.4. Në pikën 3.1 dhe 3.2 të Draft-Raportit, lidhur me përllogaritjet e bëra për shpenzimet dhe minutat e reklamës politike në media.
KRIIK duke ndjekur të njëjtën metodologji si administrata e KQZ-së, pra duke marrë minutat e reklamave të monitoruara nga AMA, tarifat e reklamës në secilin televizion (të publikuara nga KQZ-ja), ka kryer përllogaritjet përkatëse dhe ka gjetur disa diferenca të cilat janë paraqitur të detajuara në format Excel në Shtojcën nr. 2 “Fondet e shpenzuara dhe të deklaruara nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët për media”, e cila ndodhet bashkëlidhur Raportit të KRIIK.
Në shumatore të të gjithë deklarimeve dhe shpenzimeve, sipas metodologjisë së sipërpërmendur, nga monitorimi i KRIIK rezultojnë diferencat si më poshtë:
Subjekti zgjedhor Shuma e deklaruar si e shpenzuar për mediat (në lekë) Shuma e përllogaritur si e shpenzuar sipas minutave të reklamës nga AMA (në lekë) Diferenca sipas KRIIK (në lekë) BF – Bashkë Fitojmë 7,037,280 72,095,645 65,058,365 PAA – Partia Agrare Ambjentaliste 1,807,094 2,111,400 304,306 PD – Partia Demokratike 2,270,000 4,824,828 2,554,828 PDIU – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1,542,000 4,405,344 2,863,344 PR – Partia Republikane Shqiptare 1,863,326 5,768,010 3,904,684 PSD – Partia Social Demokrate 0 361,290 361,290 PLB – Partia Lëvizja Bashkë 0 51,600 51,600 PS – Partia Socialiste 45,183,216 47,000,740 1,817,524 TOTAL 59,702,916 136,618,856 76,915,940 Ndërkohë lidhur me minutat e reklamës politike në media, nuk është e qartë metodologjia e përdorur në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së, lidhur me konkludimin e minutave të cilat janë deklaruar prej subjekteve, duke qenë se subjektet në raportet e vetëdeklarimit kanë deklaruar vetëm shumën e paguar dhe median për të cilën ajo shumë është paguar.
Minutat e reklamës politike monitorohen nga AMA dhe si të tilla duhet të jenë të padiskutueshme, e për rrjedhim nuk paraqitet nevojë për t’i përllogaritur KQZ-ja. Minutat janë një e dhënë fikse, zyrtare e institucionit përgjegjës për monitorimin e mediave.
Në këtë kuadër KRIIK ka monitoruar në vijimësi minutat e reklamës të paraqitura në çdo raport ditor të AMA-s.
Nga ky monitorim rezultojnë minutat sipas tabelës së mëposhtme:
Subjekti Zgjedhor OSHMA BF PAA PD PDIU PLB PR PS PSD Total 1 A2 CNN 0.84 0.84 2 ABC News 7.93 71.74 79.67 3 Alpo TV 1.4 1.4 4 Apollon 17.48 17.48 5 Bulevard TV 4.35 7.2 35 46.55 6 Bulqiza TV 44.3 1.12 45.46 7 CNA 10.67 10.67 8 Euronews Albania 100.3 100.25 9 Fax News 0.39 7.23 7.62 10 Klan News 50.89 50.89 11 Klan Plus 0.97 49.08 50.05 12 Klan TV 2.61 85.56 88.17 13 MCN TV 2.15 2.15 14 News 24 37.71 5.4 31.24 35.2 109.56 15 Ora News 15.3 3.6 18.9 16 Report TV 82.54 82.54 17 Shijak TV 1001.8 1001.84 18 Syri TV 157.87 4.33 162.2 19 Top Albania Radio 1 1 20 Top Channel 1.3 70.84 72.14 21 Top News 51.55 3.1 54.65 22 TV Kopliku 24.15 1.1 74.51 58.4 158.19 23 Vizion Plus 84.14 84.14 Total 1 255.4 27.9 61.6 32.64 2.15 47.9 757.2 61.5 2 246.36 II.5. Lidhur me pikën 4 të Draft-Raportit : “Tejkalimi i minutazhit nga radio dhe televizione private”.
Në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së paraqiten dy televizione të cilat kanë tejkaluar limitit prej 90 minutash transmetimi të reklamës politike.
Sipas monitorimit të KRIIK përpos këtyre dy mediave, edhe TV Euronews e ka tejkaluar këtë limit duke transmetuar 100.25 minuta reklamë politike për Partinë Socialiste.
II.6. Lidhur me pikën 5 të Draft-Raportit, e cila lidhet me dorëzimin e raporteve të vetëdeklarimit prej subjekteve zgjedhore.
Të dhënat e përfshira në raportin e hartuar nga administrata e KQZ përputhen me të dhënat e monitorimit të KRIIK.
Ndërkohë sipas ligjit, përpos raportit të vetëdeklarimit, partitë politike duhet të depozitojnë në KQZ edhe Bilancin e Aseteve dhe Detyrimeve të tyre për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve, pra nga data 24 tetor 2022 deri në datën 14 maj 2023.
Asnjë raport i tillë nuk rezulton të jetë dorëzuar nga partitë politike, element i cili duhet të marrë vëmendjen e KQZ-së.
II.7. Lidhur me pikën 7 të Draft-Raportit: “Auditimi për subjektet zgjedhore të cilat dorëzuan raport financiar për fushatën zgjedhore 2023 dhe gjetjet përkatëse”.
Nga të dhënat e raporteve të audituesëve ligjorë, si edhe nga monitorimi i KRIIK, rezultojnë pikat sikurse janë përmendur në raportin e hartuar nga administrata, me përjashtim të rastit të Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Demokratike.
Sipas raportit të KQZ “Për Partinë Socialdemokrate audituesi është shprehur me opinion me rezervë shoqëruese duke konstatuar se dokumentet justifikuese nuk janë fatura të rregullta fiskale, …”.
Ndërkohë nga monitorimi i KRIIK rezulton se auditi ka refuzuar të japë opinion ose ka dhënë opinion refuzues për këtë parti, duke u shprehur: “B. PËRFUNDIMI o Refuzimi për ta certifikuar/refuzimi për të dhënë opinion. Baza për opinionin Refuzim për ta certifikuar: • Dokumentet justifikuese nuk janë fatura të rregullta fiskale, pra nuk janë dokumente të njohura ligjërisht për 13 raste. • Në faturë nuk është evidentuar si blerës subjekti PSD për 32 raste. • Blerjet nuk kanë lidhje me shpenzimet e fushatës por janë Aktive Afatgjata Materiale të cilat duhet të paraqiten në Pasqyrat Financiare të vitit ushtrimor 2023 për 5 raste. • Subjekti nuk ka hapur llogari të posaçme për fushatën zgjedhore.
Sa i përket Partisë Demokratike, në pikat e përmbledhura në raportin e KQZ-së mungon shkelja e evidentuar nga audituesi e cila lidhet me mos hapjen e një llogarie të posaçme bankare.
II.8. Lidhur me pikën 9 të Draft-Raportit: “Rezultatet e shqyrtimit të shpenzimeve për fondet e përfituara nga buxheti i shtetit për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje”.
Në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së paraqiten dy subjekte të cilat duhet të kthejnë fondin e përfituar nga buxheti i shtetit në funksion të fushatës elektorale, pasi nuk e kanë shpenzuar atë për qëllimin e përcaktuar nga ligji që është fushata elektorale.
Nga monitorimi i KRIIK, lidhur me këtë pikë vërehen tre problematika.
Së pari, në listën e partive të cituara mungon Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, e cila ka përfituar si fond paradhënie shumën 532 820 lekë, por nuk ka dorëzuar asnjë raport vetëdeklarimi në KQZ.
Së dyti, Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, e cila sipas raportit të hartuar nga administrate e KQZ-së, ka përfituar fonde paradhënie në vlerën 448 974 lekë, shumë të cilën duhet ta kthejë pasi raporti, i cili është jashtë formatit, si dhe i dorëzuar në hardcopy në KQZ ka 0 shpenzime.
Nga monitorimi KRIIK rezulton se kjo parti, në përmbajtjen e raportit të saj, deklaron në mënyrë eksplicite se këtë fond nuk e ka tërhequr.
Gjithashtu kjo parti deklaron se kandidatët kanë kryer fushatë me shpenzime personale, por në raport deklaron 0 të ardhura dhe shpenzime.
Verifikimi lidhur me këtë parti, gjykohet se duhet të shkojë përtej kthimit të fondit që nuk e ka tërhequr.
Së treti, Kodi Zgjedhor parashikon se shpenzim për fushatë zgjedhore konsiderohet çdo shpenzim që bëhet për qëllime të fushatës.
Nuk është asesi në frymën dhe gërmën e ligjit[11] që mbështetja financiare e dhënë ndaj partive politike nga buxheti i shtetit për zhvillimin e fushatës elektorale, të përdoret për shpenzime të cilat nuk kanë qëllim informimin e qytetarëve mbi platformën elektorale të partisë apo kandidatëve të saj.
Nga monitorimi i bërë nga KRIIK, evidentohen raste problematike të shpenzimeve të deklaruara të cilat nuk përbëjnë fushatë elektorale, si: fushata e mbjelljes së pemëve nga ana e Partisë Socialiste, e cila i kushtoi këtij subjekti 19 883 016 lekë, si dhe deklarimi nga Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, sipas auditit, të pagesës së një detyrimi ndaj buxhetit të shtetit për sekuestrim, zhdëmtim, në shumën 441.688 lekë.
Duke mbajtur në vëmendje se Kodi Zgjedhor përcakton se “Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzimet e bëra nga ose në emër të një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e tij, ose të një kandidati të pavarur, të cilat kryhen për të promovuar fushatën e vet ose për të dëmtuar fushatën e një subjekti tjetër…”, këto shpenzime kur kryhen jashtë qëllimit të përcaktuar nga ligji konsiderohen të paligjshme, në rastin më të mirë, dhe si korrupsion elektoral në rastin më të keq.
Në rastin e fushatës së mbjelljes së pemëve prej Partisë Socialiste, fondet e shpenzuara janë përdorur për të mira materiale, pavarësisht se janë të mira publike.
Lidhur me dy rastet e mësipërme, këto shpenzime nuk janë bërë për fushatë elektorale, ndaj ato duhet të kthehen.
II.9. Lidhur me pikën 10 të Draft-Raportit: “Shqyrtimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të raporteve financiare të dorëzuara nga vetë subjektet zgjedhore, nga monitoruesit, dhe ekspertët kontabël të licensuar (auditues ligjor)”.
Të dhënat e paraqitura në këtë pikë të raportit, konsistojnë në numrin e zyrave zgjedhore të konstatuara nga monitoruesit dhe ato të deklaruara për tre subjekte zgjedhore, si dhe të dhëna për kostot e deklaruara dhe kostot e përllogaritura të shpenzuara nga ana e KQZ-së lidhur me reklamën politike në media, për 9 parti politike.
KRIIK ka monitoruar në vijimësi të dyja këto elementë, për çdo subjekt zgjedhor.
Metodologjia e përdorur dhe të gjitha të dhënat numerike, si dhe përllogaritjet e mospërputhjeve përkatëse, të paraqitura në formë tabelore, janë të përfshira në Shtojcën nr. 2 “Reklama politike në media” dhe Shtojcën nr. 4 “Zyrat zgjedhore”, të cilat ndodhen bashkëlidhur raportit të vëzhgimit të KRIIK.
II.10. Lidhur me reklamën politike në media.
Duke qenë se tarifat shpesh janë me vlerë mesatare dhe disa media nuk i kanë deklaruar fare tarifat, shuma e përllogaritur si diferencë është ilustruese por nuk është vlerë absolute, element që vlen edhe për përllogaritjet e kryera nga administrata e KQZ.
Në këto kushte vendosja e mospërputhjes/ve që mund të dalin në vlerë pagesash, nuk gjykohet të jetë e nevojshme në këtë pikë të raportit. Për këtë arsye në funksion të thellimit në përllogaritjet e kryera, detajimit të çdo të dhëne dhe sqarimit shterues të të gjithë problematikës, KRIIK ka përgatitur në formë tabelore të detajuara të gjitha deklarimet dhe monitorimet lidhur me këtë çështje.
Përmbledhtas vërehet se shpenzime të realizuara në zërin “media” kanë deklaruar vetëm 6 parti politike, dhe 7 kandidatë për kryetarë bashkie, në një shumë totale prej 59 702 916 lekë, nga të cilat 55 693 078 lekë janë deklaruar nga partitë dhe 4 009 838 lekë nga kandidatët.
Sipas monitorimit të kryer nga AMA, në mediat shqiptare janë transmetuar gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore 2.246 minuta reklamë për 8 subjekte nga 23 OSHMA private.
Partia Konservatore, ndryshe nga si është paraqitur në Draft-Raportin e KQZ-së, nga monitorimi i KRIIK rezulton të mos ketë patur reklamë politike.
Duke u bazuar në minutat e reklamës për secilin subjekt në secilin prej televizioneve të monitoruara nga AMA, si dhe në tarifat e mediave për reklamë politike të depozituar në KQZ, pas kryerjes së një përllogaritjeje të përafërt vërehet një diferencë e lartë midis shifrës së raportuar nga subjektet dhe asaj të përllogaritur. Diferenca rezulton të jetë së paku 74 121 740 lekë.
Në këtë përllogaritje, duke qenë se disa media nuk kanë të publikuara tarifat që kanë aplikuar, si dhe, çmimet e reklamës variojnë sipas orarit dhe mënyrës së transmetimit, KRIIK ka përllogaritur një mesatare të përafërt të kostos për çdo sekondë reklamë në secilën nga mediat që kanë publikuar tarifat zyrtare.
Nëse përllogaritja kryhet vetëm për OSHMA-të që kanë depozituar tarifat, diferenca e përllogaritur nga KRIIK është së paku 63 080 456 lekë në total. Të gjitha këto të dhëna janë të paraqitura të detajuara në Shtojcën nr. 2 të Raportit të KRIIK.
Gjithashtu, nga monitorimi i KRIIK vërehet se ka parti të cilat kanë deklaruar shpenzime dhe pagesa të kryera ndaj disa televizioneve, ndërkohë që nga monitorimi i këtyre të fundit prej AMA-s, rezulton se nga këto media nuk kanë transmetuar asnjë reklamë politike për subjektet në fjalë.
Ky fakt ngre dyshime për llojin e shërbimit të marrë nga partitë politike nga këto media fakt i ciliduhet të investigohet prej KQZ-së.
Konkretisht:
Partia Demokratike raporton të ketë paguar për Star News RTV faturën me vlerë 100 000 lekë, dhe për TV News 24 faturën me vlerë 2 120 000 lekë.
Ndërkohë nga monitorimi i AMA-s, nuk rezulton që këto subjekte të kenë patur reklama reklama politike për këtë parti.
PDIU raporton të ketë paguar për Report TV faturën me vlerë 500 000 lekë.
Ndërkohë nga monitorimi i AMA-s, rezulton se ky subjekt nuk ka realizuar asnjë minutë reklamë politike në këtë media.
Partia Republikane raporton të ketë paguar për Report TV faturën me vlerë 234 747 lekë.
Ndërkohë nga monitorimi i AMA-s, rezulton se ky subjekt nuk ka realizuar asnjë minutë reklamë politike në këtë media.
II.11. Lidhur me numrin e zyrave zgjedhore
Nga monitorimi i KRIIK në raportet e monitoruesëve vërehet një diskordancë në numrin total të tyre, sipas raporteve të hedhura nga këta monitorues në Platformën Elektronike të Raportimit Financiar.
Nëse sheh në mënyrë të ndarë çdo raport të dorëzuar prej monitoruesve rezulton një numër prej 164 zyrash zgjedhore të hapura. Ndërkohë, nëse përdor opsionin e filtrimit të tyre në PERF vërehet se rezulton një numër prej 233 zyrash zgjedhore.
KRIIK ka bërë një ndarje në format të lexueshëm dhe përpunueshëm për ndarjen e të dhënave të monitoruesëve lidhur me zyrat zgjedhore, duke i ndarë sipas subjekteve dhe bashkive përkatëse, të dhëna të cilat janë të paraqitura në Shtojcën Nr. 4 “Numri i zyrave zgjedhore të konstatuara nga monitoruesit dhe zyrave të deklaruara nga subjektet zgjedhore”, në raportin e KRIIK.
Në përmbledhje të këtij monitorimi, rezulton se subjektet zgjedhore kanë deklaruar hapjen e 459 zyrave zgjedhore, nga të cilat 67 zyra prej kandidatëve për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiake, si dhe 392 zyra prej partive politike, me një vlerë totale 11 516 956 lekë.
Pavarësisht se në shifrat totale numri i zyrave elektorale të deklaruara (459) është më i lartë se numri i atyre të evidentuara në terren nga monitoruesit (164 ose 233), nëse shohim këto shifra të ndara për secilin subjekt në shtojcën nr. 4 bashkëlidhur Raportit, evidentohen diferenca që tregojnë një deklarim më të ulët se sa numri i evidentuar nga monitoruesit në terren. Konkretisht:
Partia Demokratike ka deklaruar një numër prej 7 zyrash elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 20 të tilla në terren.
Partia Agrare Ambientaliste ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 1 të tillë në terren.
Lëvizja Bashkë ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 1 të tillë në terren.
Aleanca Progresiste LZHK ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 1 të tillë në terren.
Partia Demokristiane ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 2 të tilla në terren.
Partia Bashkimi Demokrat ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 2 të tillë në terren.
Partia Lëvizja e Legalitetit ka deklaruar 0 zyra elektorale të hapura, ndërkohë që monitoruesit kanë evidentuar së paku 1 të tillë në terren.
Edhe tek partitë të cilat në totalin e deklaruar të zyrave, përfshirë numrin e zyrave të deklaruara nga partia dhe kandidatët e saj, evidentohet një numër më i lartë i zyrave të deklaruara në raport më ato të gjetura në terren prej monitoruesve, nëse shihen të ndara sipas secilës bashki rezultojnë diferenca. Konkretisht:
Partia Socialiste:
– ka deklaruar 1 zyrë zgjedhore të hapur në Bashkinë Dropull, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren;
– ka deklaruar 3 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Maliq, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 4 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Memaliaj, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren.
Partia e Lirisë/BF:
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Vau Dejës, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 5 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 15 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Lezhë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 3 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Kamëz, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Fier, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 3 në terren.
Partia Demokratike:
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Delvinë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Devoll, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Fier, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Gramsh, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 1 zyrë zgjedhore të hapur në Bashkinë Kavajë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Lezhë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Shkodër, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren;
– ka deklaruar 5 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 9 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Vau Dejës, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren.
Aleanca Progresiste LZHK ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren.
Partia Demokristiane ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 2 në terren.
Partia Bashkimi Demokrat:
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Shkodër, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren.
Partia Lëvizja e Legalitetit ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Shkodër, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren.
Partia Socialdemokrate:
– ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Dibër, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren;
– ka deklaruar 3 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 4 në terren.
Lëvizja Bashkë ka deklaruar 0 zyra zgjedhore të hapura në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që monitoruesi ka evidentuar së paku 1 në terren.
II.12. Lidhur me pikën 10.1 dhe pikën 10.2 të Draft-Raportit: “Verifikimi i mëtejshëm me partitë politike dhe OSHMA-të).
KRIIK vlerëson vijimin nga KQZ të iniciativës së kontaktimit të subjekteve zgjedhore dhe organeve të medias lidhur me mospërputhjet në deklarimet e kostove dhe pagesave të reklamës politike në media.
Gjykohet se nevojitet dhe duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm lidhur me subjektet dhe mediat të cilat nuk i kanë kthyer përgjigje KQZ-së.
Konkretisht: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Agrare Ambjentaliste, Partia republikane dhe Partia Konservatore, si dhe OSHMA-të: Fax News, MCN TV, Syri TV, Top News dhe TV Kopliku.
Gjithashtu, gjykohet se verifikimi duhet të shkojë më tej për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në rastet kur OSHMA-të përgjigjen zyrtarisht se s’kanë transmetuar reklamë, ndërkohë që sipas monitorimit të AMA-s në ato OSHMA rezulton se është transmetuar reklamë, sikurse është rasti i përgjigjes së TV Klan.
Lidhur me TV Klan News, për të cilin në raportin e KQZ-së referohet se ka patur 50.89 minuta reklamë politike, nga monitorimi i KRIIK në raportet e AMA-s rezulton që në këtë televizion nuk ka patur reklamë për subjektin zgjedhor Partia e Lirisë, apo koalicionin Bashkë Fitojmë.
II.13. Konstatime lidhur me kandidatët për kryetar bashkie të partive politike.
Lidhur me shkeljen e parashikuar në nenin 92/2 pika 2 të Kodit Zgjedhor, e cila konsiston në pranimin e dhurimeve më të larta se 50 000 lekë jo nëpërmjet llogarisë bankare, në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së është përfshirë një listë kandidatësh për kryetarë bashkie.
Ndërkohë, nga monitorimi i KRIIK rezulton se është edhe një parti politike e cila është në shkelje të kësaj dispozite.
Konkretisht, Partia Balli Kombëtar Demokrat ka tre donatorë: z. Arian Starova ka dhuruar shumën 450 000 lekë të ndarë në 9 këste; z. Ylber Valteri i cili ka dhuruar shumën 450 000 lekë të ndarë në 10 këste; dhe z. Artur Roshi i cili ka dhuruar shumën 500 000 lekë të ndarë në 12 këste.
Gjithashtu, sipas listës së paraqitur në raportin e hartuar nga administrata e KQZ-së, 8 kandidatë për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste kanë pranuar dhurime me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë cash.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton një mospërputhje në shumën e deklaruar lidhur me kandidaten Majlinda Bufi.
Konkretisht, në raportin e KQZ-së referohet se znj. Bufi i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 243 500 lekë, ndërkohë nga monitorimi i KRIIK shuma që znj. Bufi ka pranuar si dhurim është 297 500 lekë dhe 99 875 lekë, të dhuruara nga i njëjti person.
Gjithashtu, 32 kandidatë të Partisë së Lirisë, sipas raportit të KQZ-së, kanë pranuar dhurime me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë cash.
Në listën e këtyre kandidatëve, nga monitorimi i KRIIK rezultojnë disa mospërputhje. Konkretisht:
1. Z. Agron Loka, Bashkia Krujë, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 486 000 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Loka i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 526 000 lekë.
2. Z. Behar Haxhiu, Bashkia Kurbin, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 132 456 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Haxhiu i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 156 994 lekë, të ndarë në disa këste.
3. Z. Besnik Dushaj, Bashkia Tropojë, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 178 758 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Dushaj i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 264 258 lekë, të ndarë në disa këste.
4. Z. Dëfrim Fiku, Bashkia Bulqizë, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 192 294 lekë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Fiku i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 111 294 lekë, të ndarë në disa këste.
5. Z. Dorjan Lani, Bashkia Gjirokastër, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 72 000 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Lani i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 85 180 lekë, të ndarë në disa këste.
6. Z. Luçiano Boçi, Bashkia Elbasan, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 72 000 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Boçi i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 287 729 lekë, të ndarë në disa këste.
7. Z. Miftar Dauti, Bashkia Has, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 95 948 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Dauti i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 167 948 lekë, të ndarë në disa këste.
8. Z. Pashk Gjoni, Bashkia Lezhë, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 171 100 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se z. Gjoni i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 397 294 lekë, të ndarë në disa këste.
9. Znj. Sofije Alushaj, Bashkia Patos, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 80 100 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se znj. Alushaj i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 215 236 lekë, të ndarë në disa këste.
Gjithashtu, po sipas raportit të KQZ:
10. Z. Arjan Hoxha, Bashkia Kamëz, i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 72 000 lekë. Nga monitorimi i KRIIK rezulton se raporti i z. Hoxha nuk është i publikuar në faqen e internetit të KQZ-së.
Përpos sa më sipër, nga monitorimi i KRIIK rezulton se janë dy kandidatë për Kryetarë Bashkie të cilët kanë pranuar dhurime me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë cash, por që nuk janë figurojnë në raport.
Konkretisht:
11. Kandidati i BF z. Bedri Qypi i ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 81 000 lekë të ndarë në disa këste.
12. Kandidatja e BF znj. Ledina Alollii ka dhuruar vetes cash fonde në vlerën 361 324 lekë, të ndarë në disa këste.
II.14. Lidhur me pikën e fundit të raportit: “Konstatimet lidhur me kandidatët e listave shumemërore të partive politike”.
Sikurse është bërë me dije në fillim të këtij dokumenti, raportet e kandidatëve të listave shumemërore të partive politike nuk janë të publikuara, si dhe pavarësisht kërkesave zyrtare dhe verbale të bëra, KRIIK ende nuk disponon kopje të të gjitha raporteve të Kandidatëve për Anëtarë të Këshillave Bashkiakë, por vetëm për një pjesë prej tyre.
Referuar kopjeve të raporteve që disponon, KRIIK ka kryer monitorimin e tij, dhe konstatimi i bërë lidhur me numrin e kandidatëve të çdo subjekti që ka dorëzuar raport, po paraqitet më poshtë, krah konstatimit përkatës të administratës së KQZ-së.
Konkretisht:
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Aleanca Liberale e Djathtë”: nga 1078 kandidatë të listave shumemërore të regjistruar nuk ka dorëzuar raportet financiare për fushatë zgjedhore për 69 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raport vetëdeklarimi për asnjë nga kandidatët e regjistruar.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Aleanca Progresiste LZHK”: nga 1393 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 12 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor ka raport vetëdeklarimi për një kandidat.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Bashkë Fitojmë”: nga 1666 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 47 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raporte vetëdeklarimi për 617 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Fronti i Majtë”: nga të 14 kandidatët e regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor, ka raport vetëdeklarimi për një kandidat.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Lëvizja e Re”: nga të 70 kandidatët e regjistruar janë dorëzuar raportet financiare për fushatën zgjedhore.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka asnjë raport vetëdeklarimi.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Nisma Thurje”: nga 255 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 112 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor, nuk ka raporte vetëdeklarimi për 203 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia Agrare Ambjentaliste”: nga 1674 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 58 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka asnjë raport vetëdeklarimi.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Demokracia Sociale”: nga 1486 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 1369 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raporte vetëdeklarimi për 1387 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia Demokratike”: nga 1587 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 1440 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka asnjë raport vetëdeklarimi.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet”: nga 1465 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 44 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor, nuk ka raporte vetëdeklarimi për 211 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia e Gjelbër”: nga 678 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 583 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raporte vetëdeklarimi për 643 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Lëvizja e Legalitetit”: nga 1473 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 82 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka asnjë raport vetëdeklarimi.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”: nga të 72 kandidatët e regjistruar janë dorëzuar raportet financiare për fushatë.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka asnjë raport vetëdeklarimi.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia Socialdemokrate”: nga 1659 kandidatë të regjistruar nuk janë dorëzuar raporte financiare për fushatë zgjedhore nga 219 prej tyre.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raporte vetëdeklarimi për 963 kandidatë.
Sipas raportit të KQZ-së, subjekti zgjedhor “Partia Socialiste”: nga të 1668 kandidatët e regjistruar janë dorëzuar raportet financiare për fushatë zgjedhore.
Nga raportet që disponon KRIIK, për këtë subjekt zgjedhor nuk ka raporte vetëdeklarimi për 25 kandidatë.
Në përfundim të këtij Opinioni, KRIIK shpreh gatishmërinë e tij për të ofruar detaje apo shpjegime më të plota lidhur me gjetjet e mësipërme, nëse një gjë e tillë do të konsiderohet e nevojshme prej KQZ-së.
[1] Një shembull për këtë do të ishte përshkrimi që i bëhet aktivitetit të monitoruesve në Draft-Raport. Vërehet se në seksionin përkatës në Draft-Raportin e KQZ-së (faqe 2 dhe 3 e Draft-Raportit) ka vetëm një përshkrim tepër të përgjithshëm të punës së këtyre monitoruesve dhe shmangen një numër detajesh të cilat do të bënin të mundur të kuptuarin e problematikave me të cilat është hasur KQZ-ja në funksionimin e këtij mekanizmi.
Ndërkohë, në Raportin Paraprak të KRIIK “Mbi transparencën dhe kontrollin mbi financimin e fushatës për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023”, publikuar në korrik 2023, evidentohen një numër problematikash në lidhje me funksionimin e mekanizmit të monitorimit.
Përshkrimi i këtij komponenti në Draft-Raportin e KQZ-së, krijon përshtypjen se gjithçka ka funksionuar mirë në mekanizmin e monitorimit, duke mos ngritur asnjë çështje apo problermatikë që kërkon vëmendje apo që të ketë nevojë për përmirësim.
[2] REKOMANDIM – Lidhur me projekt-vendimin “Për raportimin financiar në platformën elektronike të raportimit financiar (PERF) nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”, datw 06.05.2023.
[3] Në komunikimin verbal të KRIIK me Drejtoreshën e Drejtorisë së Subjekteve Zgjedhore, Mbikëqyrjes, Financimit dhe Monitorimit dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, u pohua se do të jetë administrata e KQZ-së që do të kryejë hedhjen në PERF të të gjitha raporteve, që do të dorëzohen nga kandidatët e listave shumemërore për anëtarë të Këshillave Bashkiakë.
[4] Disa prej rasteve të vërejtura janë:
– Tri parti (Partia Demokratike, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Nisma Thurje) vërehet të kenë disa mospërputhje midis zërit të shpenzimit dhe përshkrimit të tij, si dhe një kandidat (Kandidati i MEGA-s z. Romeo Cakuli) i cili në shpenzimet e kryera nuk ka vendosur përshkrim, por vetëm zërin e shpenzimit. Përpos rasteve kur mospërputhja është e dukshme, vërehen edhe raste kur lidhja mes zërit dhe përshkrimit mbetet e diskutueshme.
– Në deklarimin e shpenzimeve, çdo subjekt duhet të bëjë plotësim të kolonave me përshkrime më të detajuara në rastin e shpenzimeve për mitingje, për media apo për promocione të ndryshme.
Me implementimin e PERF vërehet përmirësim në plotësimin e seksionit të përshkrimit të shpenzimit, por ende përshkrimet mbeten larg të qenit shterues dhe të tillë që mund të ofrojnë transparencë të plotë.
– Përfshirja në Raportin e shpenzimeve të fushatës të shpenzimeve të kryera jashtë fushatës zgjedhore.
Në raportet e tre partive (Partia Agrare Ambjentaliste; Partia Demokratike; Partia Lëvizja e Legalitetit) dhe të 20 kandidatëve (Kandidati i BF, z. Zija Ismaili; Kandidati i PS, z. Ervin Demo; Kandidati i BF, z. Gentian Meçi; Kandidati i BF, z. Lefter Maliqi; Kandidati i BF, z. Skender Gjuci; Kandidati i BF, z. Bedri Qypi; Kandidati i BF, z. Servet Duzha; Kandidati i PS, z. Flamur Golemi; Kandidati i BF, z. Elvis Hajdërlli; Kandidati i PS, z. Erion Isai; Kandidatja e PD, znj. Ledina Alolli; Kandidatja e PS, znj. Majlinda Cara; Kandidati i BF, z. Pashk Gjoni; Kandidati i PS, z. Ndrec Dedaj; Kandidati i PS, z. Rakip Suli; Kandidati i BF, z. Fisnik Qosja; Kandidati i BF, z. Shkëlqim Hoxha; Kandidati i BF, z. Fatmir Shero; Kandidati i BF, z. Leonard Rakipaj; Kandidati i BF, z. Hysni Shara) janë deklaruar shpenzime me datë të faturës në muajt maj, qershor apo korrik 2023, pra jashtë periudhës së fushatës zgjedhore.
Përpos faktit që kemi të bëjmë me shpenzime të cilat janë kryer jashtë periudhës së fushatës zgjedhore, evidentohet moskorrektësi edhe nga ana e subjekteve që i kanë lëshuar këto fatura, pasi ato deklarojnë kryerje të shpenzimeve në funksion të një aktiviteti elektoral, pas datës së zgjedhjeve.
[5] Përfshirë shpenzimet e kryera në funksion të primareve nga dy përfaqësues të Partisë Demokratike, në shumën nga 523 në 822 USD.
[6] Duke qenë se libraria e reklamave politike të Meta nuk jep një shifër të saktë për faqet që shpenzojnë më pak se 100 dollarë amerikanë gjatë periudhës për të cilën mblidhen të dhënat, si dhe nuk të lejon të përzgjedhësh një periudhë kohore, por i paracakton periudhat duke kufizuar mundësinë për të marrë të dhëna të sakta, për të mbledhur të dhëna sa më të sakta për të gjithë periudhën zgjedhore KRIIK ndoqi një metodologji të mbledhjes së të dhënave si më poshtë:
– për tri javët e para (nga data 25 tetor 2022 në datën 13 nëntor 2022) të dhënat u shkarkuan për çdo 7 ditë dhe u mblodhën.
– Për periudhën e mbetur (nga data 14 nëntor 2022 në datën 14 maj 2023) të dhënat u shkarkuan për çdo 30 ditë.
Nëse një subjekt nuk ka shpenzuar më tepër se 100 dollarë amerikanë në asnjë nga periudhat e sipërpërmendura, përllogaritja e shpenzimeve të tij është shuma e periudhave por më pak se 100 dollarë. P.sh., nëse në tri nga periudhat subjekti ka shpenzuar më pak se 100 dhe në asnjë më tepër, shpenzimi i përllogaritur total është më pak se 300 dollarë amerikanë.
Nëse një subjekt ka shpenzime të sakta për një periudhë (pasi ka shpenzuar më tepër se 100 dollarë) dhe më pak se 100 në një periudhë tjetër, shuma e vlerësuar është shuma për periudhën e parë dhe rangu më pak se 100 për të dytën. P.sh. nëse një subjekt ka shpenzuar 101 dollarë në një periudhë dhe më pak se 100 në dy të tjera, shuma e vlerësuar është nga 101 në 301 dollarë.
Nëse një subjekt ka shpenzuar më tepër se 100 dollarë në të gjitha periudhat ose më tepër se 100 në disa dhe zero në të tjerat, shuma totale është e saktë dhe jo e vlerësuar me rang. P.sh., nëse një subjekt ka shpenzuar 101 dollarë në një periudhë dhe zero në të gjitha të tjerat, shuma totale është 101.
[7] Për të patur një listë shteruese të të gjitha portaleve që operojnë në Shqipëri KRIIK i është drejtuar me kërkesë zyrtare Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Ky i fundit nuk na ka vënë në dispozicion një listë të tillë, me arsyetimin se AKEP nuk mban regjistra të tillë.
[8] – Portale që kanë bërë reklamë për Partinë Socialiste:
EuroNews.al https://euroNews.al/; Panorama.com.al http://www.panorama.com.al/; AbcNews.al https://abcNews.al/; Tvklan.al https://tvklan.al/; TV Klan-News https://tvklan.al/kategoria/klan-News/; Top-channel.tv https://topchannel.tv/; TopNewslive https://top-channel.tv/topNewslive/; Gazetatema.net https://www.gazetatema.net/; Anabelmagazine.com https://www.anabelmagazine.com/; Dritare.net https://dritare.net/; Dosja.al https://dosja.al/; Cna.al https://www.cna.al/; Lapsi.al https://lapsi.al/; Albeu.com https://albeu.com/; Classlifestyle.com https://www.classlifestyle.com/; Gazetadita.al https://gazetadita.al/; JavaNews.al https://javaNews.al/; Kohajone.com https://kohajone.com/; Living.al https://living.al/; Newsbomb.al https://Newsbomb.al/; Noa.al https://www.noa.al/; Shqiptarja.com https://shqiptarja.com/home; Report-tv.al https://www.report-tv.al/home; Sot.com.al https://sot.com.al/; Gazeta-shqip.com https://www.gazeta-shqip.com/; Opozita.com https://www.opozita.com/; Bulevardionline.com https://bulevardionline.com/; Opinion.al https://opinion.al/;
– Portale që kanë bërë reklamë për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet:
Panorama.com.al http://www.panorama.com.al/ dhe Balkanweb.com https://www.balkanweb.com/ .
– Portale që kanë bërë reklamë për Partinë Socialdemokrate: Cna.al https://www.cna.al/ .
[9] – Partia Socialiste ka deklaruar faturë 234 630 lekë për Shqiptarja.com dhe faturë 174 400 lekë për Eurobalkannews;
– Partia Republikane ka deklaruar faturë 110 730 lekë për Panorama online.
[10] Kandidati i Bashkë Fitojmë, z. Belind Këlliçi ka deklaruar faturë 222 000 lekë për Panorama online.
[11] Kodi Zgjedhor, Neni 78 pika 9.