Skip to content
KRIIK

KRIIK

Koalicioni per Reforma, Integrim dhe Institucione te Konsoliduara

Menu
  • Kreu
  • Kush jemi?
  • Çfarë bëjmë
    • Integriteti i zgjedhjeve
      • Zgjedhje Parlamentare 2025
      • Zgjedhje Vendore 2023
      • Zgjedhje Parlamentare 2021
      • Zgjedhje Vendore 2019
      • Hapja e të dhënave zgjedhore
    • Transparenca dhe llogaridhënia
    • Të drejtat e njeriut dhe siguria njerëzore
    • Demokracia e drejtpërdrejtë
    • Programi i Leadership-it
  • Kontakt
  • Shqip
    • Shqip
    • English
Menu

REKOMANDIM – Lidhur me projekt-vendimin “Për raportimin financiar në platformën elektronike të raportimit financiar (PERF) nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”

Posted on 6 Maj, 20237 Maj, 2023 by admin-2

I Nderuar Z. Komisioner! 

Të nderuar kolegë të administratës së KQZ-së! 

Në kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, për të cilin gjejmë rastin t’ju falenderojmë sërish, KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për raportimin financiar në platformën elektronike të raportimit financiar (PERF) nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”. 

Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), është ndërtuar dhe lançuar nga KQZ me asistencën e disa organizmave ndërkombëtarë, në muajt shkurt dhe mars 2023, por të gjitha diskutimet mbi nevojën dhe planin për ndërtimin e saj kanë filluar vite më parë, e më intensivisht prej vitit 2021.  

Duke qenë se PERF ka qenë gati në muajin shkurt, referuar kjo trajnimit të kryer për raportimin e monitoruesve të fushatës zgjedhore dhe financierëve të partive politike, kjo vendimmarrje e Komisionerit duhet të ishte kryer më herët me qëllim që subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre të kishin dijeni të plotë të detyrimeve që do të mbartnin, përpara se të vendosnin të hynin në garën zgjedhore.  Një gjë të tillë KRIIK e ka paraqitur si domosdoshmëri dhe sjellë në vëmendjen e administratës së KQZ-së nëpërmjet komunikimeve verbale qysh në kohën e zhvillimit të trajnimit të monitoruesve të fushatës e financierëve të partive politike. 

  Gjithësesi, gjendur në kushtet aktuale të ngarkesës me përgatitjen e proçesit zgjedhor, KRIIK e vlerëson këtë vendimmarrje dhe ju paraqet në vijim Rekomandimet e tij lidhur me të.  

Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i përmbajtjes së projekt-vendimit, KRIIK e gjykon të pa vend mospërfshirjen në të dhe mosdeklarimin në mënyrë eksplicite se pjesë e kategorisë së subjekteve që kanë detyrimin të raportojnë në PERF janë edhe kandidatët e listave shumëemërore për këshillat bashkiakë. 

Për më tepër që një gjë e tillë ka qenë e parashikuar, planifikuar dhe paraqitur si detyrim edhe ndaj financierëve të partive politike në trajnimin e tyre për përdorimin e PERF që në muajin shkurt 2023.  

Në vijim të tërë diskutimeve të bëra përpara lançimit të PERF, si dhe të deklarimeve zyrtare dhe angazhimeve të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfshirë ato në eventet publike të marra bashkarisht me ndihmën e organizmave të huaja partnere, është bërë e qartë se kjo platformë përmban tërë programimet e duhura dhe kapacitet e mundshme për të suportuar edhe raportimin e numrit të lartë të kandidatëve të listave shumëemërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.  

Qëllimi parësor i ndërtimit të sistemit dhe i futjes së tij në procesin e raportimit financiar të subjekteve zgjedhore, është pikërisht sigurimi dhe lehtësimi i realizimit të procesit të transparencës, verifikimi dhe përpunimi i të dhënave, si dhe i procesit aq të munguar të Kontrollit, mbi financimet e fushatës zgjedhore. 

Vendosja e dy standarteve brenda të njëjtit raportim të të njëjtit subjekt, ku një pjesë raportojnë nëpërmjet PERF, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet formave të mëparshme, e vështirëson punën për kontrollin dhe verifikimin e këtyre raportimeve nga administrata e KQZ dhe nga auditët ligjorë. Duke patur në konsideratë numrin e lartë prej rreth 23,000 kandidatësh, ky proces do të jetë de facto i pamundur për tu kryer. 

Gjithashtu, theksojmë këtu faktin se administrata e KQZ-së, me qasjen dhe angazhimet e treguara në dy proceset e mëparshme zgjedhore, dështoi ta ndërmerrte dhe realizonte këtë proces, madje kur kishte vetëm një numër shumë më të vogël subjektesh zgjedhore dhe kandidatësh listash shumëemërore.  

Të paturit e disa metodave të raportimit e vështirëson përqasjen dhe përllogaritjen e të dhënave, dhe ç’është më e rëndësishmja, në gjykimin e KRIIK, nuk i shërben aspak qëllimit të ndërtimit të kësaj platforme, lehtësisë së kuptimit dhe përpunimit të të dhënave në funksion të trasparencës e kontrollit.  

Një gjë e tillë do ta bëjë të pamundur realizimin në mënyrë të plotë të detyrës dhe përgjegjësisë që ka KQZja për të bërë transparencë, verifikuar e kontrolluar financimet e fushatës zhgjedhore prej politikës. 

KRIIK ju risjell në vëmendje se Kodi Zgjedhor parashikon se “Kandidat” është një shtetas shqiptar, i regjistruar si kandidat për deputet ose për kryetar bashkie, ose për këshillin e bashkisë, në përputhje me këtë Kod, për të cilin do të votohet në zgjedhje (neni 2, pika 4) dhe se “Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzimet e bëra nga ose në emër të një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e tij, ose të një kandidati të pavarur, të cilat kryhen për të promovuar fushatën e vet ose për të dëmtuar fushatën e një subjekti tjetër, përfshirë kandidatët e tij, pavarësisht datës se kur janë kryer (neni 2, pika 28). 

Gjithashtu, Kodi Zgjedhor parashikon se subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve dhe se Raportet Financiare hartohen sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja e përmbajnë çdo dhurim, hua ose kredi që i është dhënë subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e tij) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë (neni 92/3). 

Nga sa tashmë njihet gjerësisht si detyrim ligjor, përgjegjësinë për raportimin e kandidatëve, të çdo lloji qofshin ata, e ka partia politike e cila i propozon dhe rregjistron.  

Partitë politike janë të informuara që të gjithë kandidatët e kanë këtë detyrim raportimi, dhe kanë detyrimin e asistimit të tyre në procesin e plotësimit të këtij detyrimi ligjor.    

Pavarësisht se numri i kandidatëve në total për këto zgjedhje është i lartë, ai do duhet të mendohet si një detyrim dhe përgjegjësi e ndarë për çdo parti politike që ka marrë angazhimin për të marrë përsipër përgjegjëssi publike, përpos detyrimit dhe përgjegjësisë individuale që ka marrë çdo kandidat i listës shumëemërore. 

Gjithashtu, koha që subjektet kanë në dispozicion për plotësimin e pasqyrave financiare, pra 60 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, është një kohë e konsiderueshme dhe më se e mjaftueshme për të përmbushur detyrimet e parashikuara.  

Referuar gjithë sa më sipër, KRIIK ju rekomandon që, në kategorinë e subjekteve zgjedhore që kanë detyrimin të plotësojnë dhe dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportin  financiar për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023 nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar, të përfshihen dhe citohen në mënyrë eksplicite në projekt-vendim edhe kandidatët e listave shumemërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.  

Gjithashtu, theksohet se nevojitet që në çdo rast kjo formë raportimi duhet shoqërohet me printim dhe depozitim në format të printuar e firmosur, sikurse përcakton vendimi i Komisionit Rregullator nr. 15 datë 07.04.2023. 

Zgjedhje 2025

Shpenzime për reklama politike në Facebook dhe Instagram

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025

Postime sipas kategorive

  • Deklarata
  • Denoncime
  • Letra të hapura
  • Qëndrime Publike
  • Raporte
  • Rekomandime
  • Të tjera
  • Zgjedhje Parlamentare 2025
  • Zgjedhje Vendore 2023

KRIIK Facebook

KRIIK ALBANIA

https://www.youtube.com/watch?v=42GUUeDEODc&t=428s

KRIIK Tweets

Follow us

Arkiva

  • Maj 2025 (14)
  • Prill 2025 (11)
  • Mars 2025 (5)
  • Shkurt 2025 (16)
  • Janar 2025 (3)
  • Dhjetor 2024 (5)
  • Nëntor 2024 (3)
  • Tetor 2024 (4)
  • Shtator 2024 (2)
  • Gusht 2024 (4)
  • Korrik 2024 (1)
  • Mars 2024 (1)
  • Shkurt 2024 (1)
  • Janar 2024 (1)
  • Dhjetor 2023 (1)
  • Tetor 2023 (2)
  • Shtator 2023 (2)
  • Gusht 2023 (3)
  • Korrik 2023 (3)
  • Qershor 2023 (1)
  • Maj 2023 (10)
  • Prill 2023 (20)
  • Mars 2023 (8)
  • Shkurt 2023 (5)
  • Janar 2023 (9)
  • Dhjetor 2022 (1)
  • Nëntor 2022 (5)
  • Tetor 2022 (1)
  • Gusht 2022 (1)
  • Qershor 2022 (1)
  • Prill 2022 (1)
  • Mars 2022 (1)
  • Shkurt 2022 (1)
  • Maj 2021 (1)
  • Prill 2021 (10)
  • Mars 2021 (2)
  • Janar 2021 (1)
  • Dhjetor 2020 (3)
  • Nëntor 2020 (1)
  • Tetor 2020 (4)
  • Shtator 2020 (1)
  • Gusht 2020 (1)
  • Korrik 2020 (2)
  • Qershor 2020 (1)
  • Maj 2020 (1)
  • Gusht 2019 (1)
  • Korrik 2019 (1)
  • Maj 2019 (2)
  • Prill 2019 (1)

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025
  • DENONCIM Nr. 31  – Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nga disa parti politike, kandidatë dhe media online* 10 Maj, 2025
Maj 2023
H M M E P S D
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
« Pri   Qer »
©2025 KRIIK | Built using WordPress and Responsive Blogily theme by Superb