Shkarko Deklaraten ne pdf
Në vazhdën e angazhimit të pandërprerë prej më shumë se një dekade, në bashkëpunim me Rrjetin e konsoliduar të Organizatave të njohura Partnere Lokale, me synim përmirësimin dhe sigurimin e Integritetit të Procesit Zgjedhor në vend, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), monitoroi mbi baza tërësisht vullnetare[i] procesin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024.
Përgjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politike dhe institucionale në të cilën zgjedhjet u mbajtën, si dhe vëzhguan në mënyrë të pandërprerë përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ekipi i ekspertëve kreu edhe misione vëzhgimi në Bashkinë Himarë, ku realizoi takime me Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) dhe me të dy kandidatët garues për Kryetar të bashkisë Himarë.
Ditën e zgjedhjeve dhe përgjatë numërimit të votave, KRIIK angazhoi tetë aktivistë të cilët vëzhguan procesin e votimit në 32 Qendra Votimi dhe situatën jashtë tyre, aktivitetin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve përgjatë procesit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave[ii], si dhe procesin e numërimit të votave. KRIIK do të vijojë të ndjekë hapat e procesit në vazhdim, përfshirë ankesat apo apelimet e mundshme.
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë u zhvilluan pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi, në datën 5 korrik 2024, të shpallte të pavlefshëm[iii] mandatin e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, z. Dhionisios (Alfred) Beleri. Vendimi erdhi pasi më 25 qershor 2024, Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin për shpalljen fajtor të tij për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datën 5 mars 2024, duke e bërë atë, në këtë mënyrë, subjekt të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” apo i ashtuquajturi “Ligji i Dekriminalizimit”[iv].
Z. Beleri ishte mandatuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si Kryetar i Bashkisë Himarë në datën 25 maj 2023[v], pasi fitoi zgjedhjet e datës 14 maj 2023, si kandidat i propozuar nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Megjithatë, ai nuk e ushtroi asnjë ditë detyrën, pasi u arrestua dy ditë përpara ditës së zgjedhjeve me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe u mbajt në paraburgim përgjatë gjithë kohës që u zhvillua procesi gjyqësor, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tij për të marrë leje të posaçme për të kryer betimin si kryebashkiak. Z. Beleri dhe subjektet zgjedhore që e mbështetën atë në këto zgjedhje e kanë konsideruar procesin ndaj tij të montuar politikisht dhe të frymëzuar drejtpërdrejt nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, i cili pak ditë përpara arrestimit të z. Beleri e ka sulmuar atë personalisht në takime elektorale në Bashkinë Himarë[vi] apo në intervista televizive[vii]. Arrestimi përpara ditës së zgjedhjeve dhe mbajtja në paraburgim e z. Beleri përgjatë periudhës që çështja ndaj tij shqyrtohej në gjykatë solli edhe një tensionim të marrëdhënieve ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke qenë se z. Beleri mban edhe nënshtetësinë greke, përveçse atë shqiptare, ndërkohë që është edhe anëtar i partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re[viii], tensionim i cili u pasqyrua edhe në Parlamentin Europian[ix].
Përgjatë periudhës pas zgjedhjeve të 14 majit 2023, deri në ditën e zgjedhjeve në 4 gusht, Bashkia Himarë u drejtua fillimisht nga ish-kryetari Jorgo Goro, i cili ishte edhe kandidat i Partisë Socialiste në Zgjedhjet e 14 majit dhe i humbi këto zgjedhje. Z. Goro u arrestua me urdhër të SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) në datë 23 mars 2024 me akuzën e shpërdorimit të detyrës për tjetërsimin e disa pronave. Ai dha dorëheqjen si Kryetar i Bashkisë Himarë pak ditë më vonë, në datë 27 mars 2024. Prej marsit, Bashkia e Himarës është drejtuar nga dy Kryetarë të komanduar[x].
Për heqjen e mandatit të z. Beleri u kryen dy seanca nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, në datë 4 dhe 5 korrik 2024. Në seancën e datës 4 korrik u kërkua nga avokatja e z. Beleri që ky i fundit të ishte i pranishëm në seancën për heqjen e mandatit të tij dhe të mund të fliste në këtë seancë. Pas argumenteve të paraqitura dhe diskutimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pranoi kërkesën dhe u mundësua prania e z. Beleri në seancën e mbajtur një ditë më vonë, në datën 5 korrik 2024. Në seancën e datës 5 korrik, z. Beleri dhe përfaqësuesit ligjorë të tij dhe të Subjektit Zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pretenduan se vendimi për heqjen e mandatit të tij nuk mund të merrej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi kompetencat e këtij të fundit kishin përfunduar në momentin që e kishte mandatuar si Kryetar të Bashkisë Himarë dhe se masa për heqjen e mandatit nuk mund të merrej për dënime të marra pas mandatimit, pavarësisht se vepra penale për të cilën ishte dënuar e bënte subjekt të ligjit të dekriminalizimit[xi].
Në gjykimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto pretendime ishin “…në kundërshtim me vetë thelbin e ligjit për dekriminalizimin dhe nuk mbështeteshin në një interpretim logjik të ligjit në tërësi”[xii], pasi nuk ka kuptim që ligji i cili përcakton kriteret që ndalojnë dikë për t’u zgjedhur apo emëruar në një detyrë të caktuar të mos ndalojë mbajtjen dhe ushtrimin e kësaj detyre nëse personi dënohet për një nga veprat penale të përshkruara në këtë ligj. Bazuar në këtë interpretim tërësor të ligjit për dekriminalizimin, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Beleri.
Ndërsa ngrihen pikëpyetje mbi mënyrën e investimit e vënies në lëvizje të KQZ-së, në opinionin e KRIIK, interpretimi i bërë prej KSHZ është i duhuri, pasi tërë parashikimet e tjera ligjore që mund të sillen për zgjidhje janë larg thelbit të rastit të z. Beleri.
Procesi i njoftimeve zyrtare të hallkave institucionale në lidhje me heqjen e mandatit të z. Beleri u krye brenda pak orëve në të njëjtën ditë që KQZ-ja mori vendimin për shpalljen e mandatit të tij të pavlefshëm[xiii]. Po atë ditë, Presidenti i Republikës shpalli dekretin për datën e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, për në datën 4 gusht 2024[xiv]. Dekreti i Presidentit u nxor pa pritur që të përfundonte afati 30 ditor brenda të cilit, sipas Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, vendimi mund të ankimohej në Komisionin për Ankesa dhe Sanksione (KAS), ankimim i cili u krye nga z. Beleri brenda afatit, në datë 3 gusht 2024. Gjithashtu, ndryshe nga më parë, Presidenti i Republikës nuk u konsultua me partitë politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve, një praktikë normale e ndjekur në vijimësi prej Presidentit përpara caktimit të datës së çdo procesi zgjedhor. Të dy këto elementë u kritikuan ashpër nga Partia Demokratike[xv], e cila e konsideroi gjithë procesin e shpalljes së pavlefshmërisë së mandatit të z. Beleri dhe të caktimit të ditës së zgjedhjeve si një tregues se data e zgjedhjeve ishte caktuar paraprakisht, dhe se kishte patur një koordinim mes institucioneve të përfshira në këtë proces (KQZ, Këshilli i Ministrave dhe Presidencë) për të plotësuar një vullnet personal të Kryeministrit Rama për caktimin e datës së Zgjedhjeve.
KRIIK gjykon se vendimi i Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve përpara përfundimit të afatit ligjor për ankimim është në shkelje të ligjit. Gjithashtu, caktimi i datës së zgjedhjeve pa u konsultuar paraprakisht me partitë politike konsiderohet i papranueshëm, pasi pavarësisht se nuk përbën një detyrim të mirëfilltë ligjor, është një praktikë tanimë e konsoliduar, në linjë me balancimin politik të ndërtimit dhe administrimit të procesit zgjedhor, e cila rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e palëve dhe të qytetarëve në proces. Nga ana tjetër, duke krahasuar dinamikën e caktimit të datës së zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë Himarë me atë të Kryetarit të Bashkisë Kukës[xvi], proces gjatë të cilit afatet e parashikuara në Kushtetutë për caktimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Kukës u shkelën hapur nga të njëjtët institucione të përfshira (Këshilli i Ministrave dhe Presidenca), ngrihen dyshime të forta se Presidenti i Republikës, në koordinim me Këshillin e Ministrave, ka vepruar në përputhje me kalkulimet elektorale të Partisë Socialiste për caktimin e datës së zgjedhjeve, duke vendosur pikëpyetje të forta mbi parimin kushtetues[xvii] se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit, duke qëndruar mbi palët politike.
Nga ana e tij, Institucioni i Presidentit të Republikës reagoi lidhur me dekretimin e datës së zgjedhjeve, duke arsyetuar se Presidenti vihet në lëvizje me njoftim, dhe nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ[xviii], një qasje kjo dhe lexim shumë i ngushtë i ligjit, sipas opinionit të KRIIK.
Caktimi i datës më të hershme të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve ngre sërish pikëpyetje mbi qasjen korrekte dhe përgjegjësinë që duhet të manifestojë Institucioni i Presidentit lidhur me përmbushjen e standardeve të procesit zgjedhor që do t’iu ofrohej qytetarëve të Bashkisë Himarë. Konsultimi vetëm me KSHZ, duke anashkaluar aktorët e tjerë politikë e institucionalë, ishte i pamjaftueshëm, çka solli si rezultat një sërë problematikash të cilat cënuan standardin dhe cilësinë e këtij procesi minor zgjedhor.
Z. Beleri e ankimoi Dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve pa përfunduar afatet e ankimimit të Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, duke kërkuar edhe një masë të sigurimit të padisë, pezullimin e datës së zgjedhjeve deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga kjo Gjykatë. Edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dërgoi në të njëjtën Gjykatë të njëjtën padi. Gjykata i bashkoi të dyja çështjet në një dhe me vendimin e marrë në datë 30 korrik 2024 Gjykata Administrative e rrëzoi kërkesën për anulimin e Dekretit të Presidentit, duke i hapur rrugën vijimit të procesit zgjedhor.
Dekretimi i datës së zgjedhjeve prej Presidentit përpara përfundimit të afatit zyrtar për ankimimin e Vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe padia për pezullimin e Dekretit të Presidentit sollën një ngërç në procesin zgjedhor, pasi si rezultat i dy votave kundër nga anëtarë të Komisionit Rregullator, ky i fundit dështoi të miratonte dy vendime thelbësore për procesin zgjedhor, të cilët kërkonin shumicë të cilësuar, vendimin për miratimin e afateve procedurale për procesin zgjedhor[xix] dhe vendimin për miratimin e karakteristikave teknike të fletëve të votimit që do të përdoreshin ditën e zgjedhjeve[xx]. Të dy këto vendime u ankimuan në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë nga Partia Socialiste, dhe u miratuan nga kjo Gjykatë[xxi].
Përtej ngërçit të krijuar në procesin zgjedhor, kjo situatë vendosi sërish në dukje politizimin e Komisionit Rregullator të KQZ-së. Ky politizim ishte i dukshëm gjatë votimit të anëtarëve të Komisionit Rregullator, qartas i ndarë sipas linjave zyrtare të partive politike që i kanë propozuar në këtë pozicion, si dhe në retorikën e përdorur nga anëtarët e Komisionit Rregullator gjatë mbledhjeve ku janë diskutuar këto vendime, por edhe në vijim.
Në zgjedhje u regjistruan 11 parti politike[xxii], dhjetë prej të cilave u regjistruan në koalicionin parazgjedhor “Bashkë Fitojmë”[xxiii] duke propozuar si kandidat z. Petraq Gjikuria. Ndërsa Partia Socialiste paraqiti si kandidat z. Vangjel Tavo.
Sipas raportimeve paraprake nga KQZ, ditën e zgjedhjeve të djeshme të 4 gushtit votuan rreth 37.6% e zgjedhësve të regjistruar në Bashkinë Himarë. Me përfundimin e procesit të numërimit, Kandidati i Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo pritet të shpallet Kryetar i Bashkisë Himarë duke fituar 5,022 vota (ose 58.6%), ndërkohë që Kandidati i mbështetur nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” z. Petraq Gjikuria mori 3,545 vota (ose 41.4%).
Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë të 4 gushtit 2024 u mbajtën në një klimë politike të ngarkuar, ndërkohë që opozita në vijimësi e akuzon mazhorancën qeverisëse dhe eksponentë të saj për korrupsion të thelluar dhe lidhje me krimin e organizuar.
Pak përpara zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, në 11 qershor 2024, Gjykata e Apelit e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi të mos pranonte ankimimin e kryer nga z. Enkelejd Alibeaj në lidhje me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të 25 marsit 2022 për regjistrimin e akteve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të dhjetorit 2021. Ky vendim solli njohjen de jure të z. Sali Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, pas më shumë se dy vjetësh e gjysmë procesesh gjyqësore në disa shkallë, përfshi në Gjykatën e Lartë[xxiv].
Gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet në Himarë, Partia Socialiste dhe opozita arritën një marrëveshje politike për të paraqitur së bashku një projektligj i cili mundësonte adresimin e detyrimit të Kuvendit të Shqipërisë për të përmbushur vendimet e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet, dhe specifikisht detyrimin për të plotësuar Kodin Zgjedhor për të mundësuar votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, ndryshimin e formulës së pragut zgjedhor që kandidatët brenda listave të mund të përfitojnë nga rirenditja si rrjedhojë e votave preferenciale, dhe pragut ligjor për kandidatët e pavarur. Projektligji për këto vendime u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit të zakonshme të tij për Sesionin aktual të Kuvendit, në datë 26 korrik 2025.
Përtej këtyre ndryshimeve minimaliste, që ishin detyrime imperative, të diktuara nga vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese[xxv], dhe madje të plotësuara me tepër vonesë, klasa politike dështoi sërish, si pasojë e një vullneti të munguar politik të qëllimshëm, të ndërmerrte një reformë zgjedhore të thelluar dhe gjithëpërfshirëse, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të aktorëve vendas[xxvi]. Kjo marrëveshje e momentit të fundit nxiti akuza nga ish-Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, për një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, përfshirë ndërmarrjen e hapave të përbashkët për të zhbërë arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përgjatë periudhës që i parapriu zgjedhjeve të 4 gushtit, Kuvendi i Shqipërisë ka ndërmarrë një numër hapash të diskutueshëm, të cilët ngrenë shqetësime të forta për tentativa për të vendosur nën kontroll politik institucione të pavarura, mediat, shoqërinë civile, dhe organet e drejtësisë në vend, përfshirë ngritjen e dy Komisioneve të Posaçme Parlamentare për luftën ndaj korrupsionit dhe për të adresuar dezinformimin[xxvii], si dhe për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar për të kontrolluar Kontrollin e Lartë të Shtetit[xxviii].
Kodi Zgjedhor përmban disa përcaktime në lidhje me zgjedhjet e pjesshme, megjithatë një numër çështjesh mbeten të pa adresuara dhe rregullohen me akte nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në funksion të Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë, siç u përmend më sipër, Komisioni Rregullator dështoi të miratonte afatet procedurale dhe detyrat që u rridhnin institucioneve të tjera, ndaj ky vendim u mor përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor, në datën 18 korrik 2024.
Përgjatë periudhës që i parapriu ditës së zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi 78 vendime dhe 1 urdhër, Komisioni Rregullator 6 vendime, dy prej të cilave u miratuan nga Kolegji Zgjedhor, ndërsa Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve 2 vendime[xxix] të cilat i referohen një kërkese ankimore të depozituar në KQZ.
Zgjedhjet u administruan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor (KZAZ nr. 88) dhe 36 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV). Administrimi i aspekteve teknike të procesit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultoi në tërësi eficient.
KZAZ nr. 88 në Bashkinë Himarë u ngrit më vendim të KSHZ[xxx], në respektim të afateve ligjore. KZAZ-ja përbëhej nga shtatë anëtarë, tre të propozuar nga Partia Demokratike[xxxi], tre të propozuar nga Partia Socialiste[xxxii], dhe një i propozuar nga Partia e Lirisë[xxxiii]. Sekretari i KZAZ-së u propozua nga Partia Socialiste[xxxiv].
KZAZ funksionoi përgjithësisht në mënyrë kolegjiale, por jo në mënyrë procedurialisht të rregullt[xxxv]. Nga komunikimi verbal me përfaqësues të KQZ-së, vendimmarrja nuk i ishte përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në shkelje të detyrimeve ligjore. Edhe në këtë proces, pavarësisht kohës së shkurtër të angazhimit, pati ndryshime[xxxvi] në përbërjen e KZAZ-së.
Anëtarësia e Komisioneve të Qendrave të Votimit, kishte të njëjtin konfigurim të përfaqësimit politik sikurse KZAZ-ja. Anëtarësia e KQV-ve u plotësua në afatet ligjore nga KZAZ-ja, por numri i lartë i ndryshimeve nga ana subjekteve zgjedhore deri në momentin e fundit, madje deri në ditën e zgjedhjeve, mbetet një problem madhor, i cili, edhe për shkak të mungesës së trajnimit nga emërimi i vonuar, ndikon drejtpërdrejt në performancën e KQV-ve gjatë ditës së zgjedhjeve, sikurse u vërejt në një sërë qendrash votimi të vëzhguara.
Në listën e zgjedhësve ishin 23,074 zgjedhës, nga të cilët 385 ishin zgjedhës për herë të parë. Lista e Zgjedhësve u gjenerua nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC) brenda afateve ligjore[xxxvii].
Listat e zgjedhësve nuk u afishuan as në ambientet me akses të lirë për publikun në Bashki dhe as në ambientet e Qendrave të Votimit, në kundërshtim me ligjin.
Ditën e zgjedhjeve, listat e zgjedhësve ishin të afishuara në disa qendra votimi, por jo në të gjitha.
Në datën 15 korrik 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi emërimin e auditit teknicien dhe ndihmësit të tij, që do të verifikonte integritetin e listave të zgjedhësve[xxxviii].
Raporti[xxxix] i tij ngre shqetësime madhore në lidhje me lëvizje potenciale të zgjedhësve për qëllime elektorale përgjatë periudhës parazgjedhore[xl]. Sipas audituesit, në listën përfundimtare të zgjedhësve, në Bashkinë Himarë ishin shtuar 311 zgjedhës të cilët kishin ndryshuar vendbanimin mes zgjedhjeve të vitit 2023 dhe 2024. Data e lëvizjes së këtyre zgjedhësve është e paqartë, por prirja është tejet e dyshimtë, duke qenë se dukshëm lëvizjet janë bërë mes dy proceseve zgjedhore. Shumica e zgjedhësve që kanë ndryshuar vendbanimin janë nga bashkitë Tiranë dhe Vlorë (90 dhe 68 respektivisht).
Një tjetër problematikë e vërejtur nga auditi teknicien është prania në listën e zgjedhësve e 157 zgjedhësve nga i njëjti trung familjar që votojnë në qendra të ndryshme votimi, ndryshe nga sa parashikohet në raste të tilla nga Kodi Zgjedhor.
Lidhur me këtë problematikë, dy anëtarë të Komisionit Rregullator i kërkuar në seancë publike Nënkomisioneres Shtetërore të Zgjedhjeve si dhe administratës së KQZ t’i drejtoheshin zyrtarisht DPGJC-së për të marrë informacion më të detajuar. Nënkomisionerja, iu drejtua me kërkesë zyrtare DPGJC-së[xli], e cila ktheu përgjigje[xlii] në datën 2 gusht 2024. DPGJC sqaroi[xliii] se problematika, lidhur me 157 votuesit e të njëjtit trung familjar të cilët votojnë në QV të ndryshme, ka ndodhur për shkak të kohës shumë të shkurtër në dispozicion DPGJC-së, e cila e ka patur të pa mundur të rregullojë këtë problematikë të listës. Por sipas saj, në çdo rast këta votues, pavarësisht se në qendra votimi të ndryshme, votojnë në të njëjtën godinë. Gjithashtu për individët të cilët janë transferuar në Bashkinë Himarë përgjatë vitit të fundit, KQZ-së i janë vënë në dispozicion të dhënat[xliv] e transferimeve.
Referuar të dhënave të transferimeve, sipas dokumentit që DPGJC i ka dërguar KQZ-së, ajo çka bie në sy është se, ndërkohë që shumica e ndryshimeve të gjendjes civile janë me numra të vegjël dhe të shpërndarë në një kohë thuajse një vjeçare, vetëm në katër ditë pune, mes shpalljes së datës së zgjedhjeve (5 korrik) dhe ditës kur është gjeneruar lista e zgjedhësve (10 korrik), janë regjistruar 30% e transferimeve totale; 93 zgjedhës nga 311 në total që kanë ndryshuar vendbanimin pas 14 majit 2023[xlv]. Kjo shifër e panatyrshme, menjëhere pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, është një tregues i fortë për një lëvizje të koordinuar të zgjedhësve, me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve.
Në datë 23 korrik 2024, kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, z. Petraq Gjikuria, ka kallëzuar në SPAK kandidatin e Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo dhe 13 persona të tjerë. Sipas burimeve në media, kallëzimi ka ardhur për shkak të lëvizjes së vendbanimit të këtyre personave[xlvi].
Në një intervistë televizive të datës 31 korrik 2024[xlvii], z. Tavo pranoi se disa nga personat e denoncuar në SPAK që kanë ndryshuar vendbanimin janë familjarë të vet, ndërkohë që ka pretenduar se nuk kishte patur dijeni për këtë apo të tjerë persona që kanë ndryshuar vendbanimin. Përpos kallëzimit të sipërpërmendur kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, nëpërmjet një videoje të bërë publike në datën 31 korrik[xlviii], i bëri thirrje SPAK të hetojë kandidatin e Partisë Socialiste, jo vetëm për lëvizjen e votuesve por edhe për deklaratën publike[xlix], se në zyrë kishte gati 600 çertifikata të ASHK-së, gati për t’u shpërndarë.
Një problem madhor në zgjedhjet e 4 gushtit ishte pamundësimi i votimit për zgjedhësit që kishin dokumente identifikimi të skaduara. Ditën e zgjedhjeve, u bë publike një problematikë e ditur edhe më parë nga partitë politike dhe vetë KQZ-ja, që lidhej një numër shumë të lartë zgjedhësish, të cilët nuk dispononin në ditën e zgjedhjeve një dokument identifikimi të vlefshëm, pasi u kishte kaluar afati i përdorimit.
Kjo problematikë është artikuluar publikisht përgjatë përgatitjes së procesit zgjedhor nga anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, z. Muharrem Çakaj, i cili në mbledhjen publike të datës 29 korrik 2024, ka ngritur publikisht këtë problematikë duke bërë thirrje për reflektim ndaj saj. Ai i kërkoi administratës së KQZ-së[l] që t’i drejtohej Ministrisë së Brendshme dhe të koordinoheshin për të marrë masat e duhura për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pranoi publikisht në një deklaratë publike[li] në ditën e zgjedhjeve se kjo problematikë është prezente, por se KQZ-ja nuk ka kompetencë dhe nuk ka patur kërkesë zyrtare nga partitë politike për t’iu drejtuar Ministrisë së Brendshme.
Kjo është një problematikë, që ka qenë prezente edhe në zgjedhjet e viteve 2021 e 2023. Por në këto procese me ngritjen e problemit prej partive politike dhe vetë KQZ-së, qeveria shqiptare nëpërmjet VKM-ve shtyu afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit[lii], duke i dhënë mundësinë çdo qytetari që të ushtronte të drejtën e votës.
Ndërkohë që në raunde të mëparshme zgjedhore, votimi i personave me dokumente identifikimi të skaduar ishte bërë i mundur me anë të një akti normativ të qeverisë shqiptare, në Zgjedhjet e 4 gushtit asnjë hap i tillë nuk u ndërmor. As në mënyrë proaktive nga vetë Këshilli i Ministrave, e as nga KQZ-ja dhe partitë politike për të institucionalizuar menjëherë me shpalljen e datës së zgjedhjeve, rrugëzgjidhjen e kësaj problematike.
Në gjykimin e KRIIK, e drejta kushtetuese e së drejtës së votës prevalon ndaj çdo teknikaliteti të gjetur si arsye për të mos ndërmarrë miratimin e VKM-së për zgjatjen e vlefshmërisë së këtyre kartave. Për më tepër që për më shumë se 3 palë zgjedhjesh kjo masë lehtësuese për qytetarët ishte bërë një praktikë pozitive që ndërmerrej me vullnet të mirë prej institucioneve shtetërore, bazuar pikërisht tek detyrimi dhe parimet kushtetuese. Koha e papërshtashme e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe problematika e njohur edhe në zgjedhjet e mëparshme, duhet të shërbente si indicie e mjaftueshme për të vënë në lëvizje paraprakisht që nga Presidenti i Republikës, së paku për caktimin e datës së zgjedhjeve në limitin fundor të periudhës së parashikuar nga ligji e nxitjen e institucioneve kompetente për ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese për qytetarët, ashtu edhe vetë KQZ-në, Partitë Politike garuese apo Ministrinë e Brendshme në propozimin e miratimit të aktit përkatës nga Këshilli i Ministrave.
Fushata zgjedhore nisi përpara afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të dy kandidatët[liii].
Mazhoranca në pushtet përdori burimet shtetërore dhe të tjera privilegje që vijnë nga të qenit në pushtet për avantazh elektoral edhe përgjatë kësaj fushate. Në mënyrë të veçantë, kandidati i Partisë Socialiste, z. Vangjel Tavo, i cili ishte shpallur prej kohësh në mënyrë jo formale se do të ishte kandidat i kësaj partie për Kryetar të Bashkisë Himarë[liv] u emërua Prefekt i Qarkut Vlorë në mars 2024. Në këtë mënyrë, ndërkohë që zhvillonte takime elektorale të parakohshme si kandidat për kryetar bashkie, z. Tavo ishte edhe Prefekt i Qarkut të Vlorës.
Përgjatë fushatës zgjedhore, kandidati i Partisë Socialiste përfitoi gjithashtu edhe nga mbështetja e zyrtarëve të ndryshëm publikë, përfshirë këtu edhe zv. Kryeministren, znj. Belinda Balluku[lv], Ministren e Turizmit, znj. Mirela Kumbaro dhe Kryetarin e Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha[lvi].
KRIIK gjykon se Kandidati i Partisë Socialiste, z. Tavo, e përdori postin e tij zyrtar si Prefekt i Qarkut Vlorë dhe mbështetjen institucionale të maxhorancës në pushtet për avantazh elektoral, duke deformuar ndjeshëm barazinë në garën elektorale.
Një nga tematikat kryesore të fushatës së kandidatit të Partisë Socialiste, z. Tavo, ishte zgjidhja e problemeve të pronësisë.
Në këtë çështje pati një koordinim të qartë mes institucioneve shtetërore dhe fushatës së kandidatit Tavo, duke e avantazhuar atë në garën elektorale.
Përgjatë muajve maj dhe qershor 2024[lvii], Kryeministri Rama shpërndau çertifikata pronësie për banorët e bashkisë Himarë, duke i përdorur këto evente institucionale për të bërë fushatë të parakohshme për z. Tavo, i cili e shoqëronte në këto takime.
Për më tepër, në së paku njërin prej këtyre eventeve[lviii] ishte i pranishëm, në pozicion qendror, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik i kësaj partie për Qarkun Vlorë, z. Blendi Klosi, i cili aktualisht nuk mban asnjë pozicion institucional shtetëror, duke u dhënë këtyre aktiviteteve nota qartazi politike e partiake.
Z. Tavo u prezantua nga Kryeministri si personi që ishte ngarkuar prej tij të zgjidhte problemet e pronësisë së banorëve të Bashkisë Himarë duke koordinuar procesin e aplikimit me ASHK, ndërkohë që ishte Prefekt i Qarkut[lix]. Gjatë fushatës zyrtare, z. Tavo në vijimësi e ka patur një nga pikat kryesore të diskutimit të tij zgjidhjen e problemeve të pronësisë për banorët e Himarës, pavarësisht pretendimeve të tij se kjo nuk ishte pjesë e programit të tij elektoral. Ngarkimi me detyrën për të zgjidhur problemet e pronësisë ndaj Prefektit të Qarkut, një detyrë unike kjo për z. Tavo dhe që, me sa dihet publikisht, nuk u është ngarkuar të tjerë prefektëve të vendit, apo prefektëve që kanë qenë në këtë detyrë përpara z. Tavo, ndërkohë që kjo u përdor në vijim si një temë kryesore e fushatës zgjedhore, në gjykimin e KRIIK përbën përdorim të ofiqit publik të Prefektit për avantazhin elektoral të kandidatit Tavo gjatë fushatës[lx].
Fushata zyrtare u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa asnjë incident të regjistruar. Përgjithësisht, metodat e fushatës ishin takime të ngushta me zgjedhësit.
Z. Tavo pati një prezencë më të lartë në mediat qendrore, krahasuar me z. Gjikuria. Mesazhet e fushatës ishin të fokusuara në problematikat e komunitetit lokal, nga të dy kandidatët, ndërkohë që edhe marrëdhëniet ndërkombëtare mes Greqisë dhe Shqipërisë janë diskutuar. Fushata u zhvillua kryesisht nga përfaqësuesit lokalë të subjekteve zgjedhore, ndërkohë që pjesëmarrja e përfaqësuesve politikë në nivel qendror në takime të fushatës, megjithëse e pranishme, nuk e zbehu profilin e kandidatëve lokalë. Z. Vangjel Tavo u shoqërua në disa takime elektorale nga Deputeti i Qarkut Vlorë, z. Vullnet Sinaj, ndërsa z. Petraq Gjikuria nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Deputeti z. Vangjel Dule, dhe të tjerë eksponentë politikë të partive pjesëmarrëse të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”[lxi].
Përfaqësuesit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” pretenduan në vijimësi se ka patur tentativa të shumta dhe të organizuara për intimidim mbi nëpunësit publikë dhe zgjedhësit në përgjithësi.
KRIIK mori edhe pretendime të besueshme për përdorim të administratës në fushatën zgjedhore dhe organizime nga ana e maxhorancës në drejtimin e votës në mënyrë kapilare, nëpërmjet patronazhimit, çka u manifestua edhe në ditën e zgjedhjeve nga grupimet e personave që tentonin të drejtonin votën në mënyrë të organizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore, në ndërfaqen e KQZ u raportuan tre aktivitete, të cilat zhvilloheshin nga institucionet në nivel qendror apo lokal, në zonën e Bashkisë Himarë.
Monitoruesi i emëruar[lxii] nga KQZ, nuk ka raport monitorimi të publikuar në faqen zyrtare të internetit të KQZ për periudhën e monitorimit.
KRIIK vëren se vijon problematika e mosverifikimit paraprak të monitoruesve nga KQZ dhe përzgjedhjen e individëve të cilët nuk janë banorë të zonës[lxiii] ku ata kryejnë monitorimin, duke bërë objektivisht të vështirë apo edhe të pamundur përmbushjen e detyrave të ngarkuara nga ligji.
Heshtja zgjedhore duket se u respektua në tërësi nga subjektet zgjedhore, por në media pati lajme[lxiv] për thyerjen e saj nga kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Gjithashtu disa media, transmetuan materiale te fushatës elektorale ditën e shtunë, problematikë për të cilën KRIIK depozitoi një denoncim[lxv] në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Po ashtu, vijoi praktika e dhënies së intervistave apo prononcimeve publike[lxvi] nga ana e subjekteve zgjedhore ditën e zgjedhjeve çka në vetvete përbën fushatë elektorale, pasi edhe vetë prania e tyre në media lidhet domosdoshmërisht dhe përbën indirekt, fushatë.
Autoriteti i Medias Audiovizive ka monitoruar 25 televizione dhe dorëzuar në KQZ 6 raporte ditore të monitorimit. Metodologjia e monitorimit, në vazhdën e zgjedhjeve të mëparshme është vetëm sasiore. Tabelat e monitorimit përmbajnë vetëm minutat e dedikuara secilit subjekt, por nuk ka të dhëna mbi tonin e mbulimit, çka pamundëson një gjykim të saktë mbi paanësinë e mediave në mbulimin e fushatës. Nuk ka ende një raport të datës 3 gusht ku mund të gjykohet edhe për respektimin e heshtjes zgjedhore prej mediave audio-vizive, dhe as një raport përmbledhës.
Tjetër problematikë e monitorimit të zhvilluar nga AMA është se është monitoruar vetëm nga data 27 korrik 2024, me nisjen e fushatës zyrtare, ndërkohë që kandidatët kanë zhvilluar intervista me mediat përpara nisjes së fushatës zyrtare, në linjë me nisjen e fushatës së parakohshme[lxvii].
Referuar raporteve të monitorimit të AMA-s, duket se interesi i mediave, qoftë atyre me mbulim lokal, qoftë atyre me mbulim kombëtar ka qenë i ulët, veçanërisht në dy ditët e para të fushatës.
Përgjithësisht, mbulimi më i lartë ka qenë në emisione të dedikuara, ku janë intervistuar kandidatët. Po sipas këtyre të dhënave, subjektet zgjedhore kanë transmetuar një numër të ulët reklamash në media audivizive, por disa media lokale[lxviii] kanë transmetuar reklama jashtë orarit të lejuar.
KQZ nuk kreu asnjë seancë publike për shqyrtimin e raporteve të monitorimit të AMA-s përgjatë periudhës që i parapriu ditës së zgjedhjeve.
Në tërësi, vlerësohet tejet pozitivisht mbulimi i gjerë që media i bëri ditës së zgjedhjeve dhe problematikave të saj.
Përsa i përket reklamës në të tjera platforma, KRIIK monitoroi librarinë e reklamave të kompanisë Meta, që përfshin reklamat politike në platformat sociale Facebook dhe Instagram, nga ku evidentohet se as aty nuk ka patur reklama në lidhje me fushatën për Zgjedhjet e Pjesshme në Himarë.
KRIIK vëren se pati angazhim për monitorimin e zgjedhjeve në Himarë nga organizata vendase, por jo nga aktorët ndërkombëtarë. KQZ akreditoi 102 vëzhgues[lxix] vendas dhe vetëm tre ndërkombëtarë, këta të fundit të gjithë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe, përgjithësisht, pa incidente.
Problematikat kryesore kishin të bënin me: praninë e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit[lxx]; nivel të ulët të përgatitjes së anëtarëve të KQV-ve[lxxi], fotografim të votës[lxxii], raste të transportimit të organizuar të votuesve[lxxiii], votimin familjar[lxxiv] apo mos timbrosja e votuesve[lxxv].
Qendrat e votimit u hapën me vonesë në disa prej qendrave të votimit të vëzhguara nga KRIIK në hapje[lxxvi]. Në QV 4565 nuk u shënuan kodet e vulave me të cilat ishte vulosur kutia e votimit në procesverbalin e hapjes së qendrës së votimit.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën nivele të ndryshme të përgatitjes dhe njohurive mbi procesin nga ana e komisionerëve; në disa zona, kryesisht rurale, niveli i njohurive dhe përgatitjes ishte dukshëm i ulët.
Sipas anëtarëve të KZAZ-së, dhe përfaqësuesëve të KQZ të cilët realizuan trajnimet e komisionerëve, prezenca e komisionerëve të qendrave të votimit në trajnimet e zhvilluara ka qenë shumë e ulët, çka, në kombinim me ndryshimin e tyre në momentin e fundit, mund të jetë një nga faktorët kryesorë për mungesën e njohurive dhe përgatitjes së tyre jo të përshtatshme.
Edhe në këto zgjedhje, sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, vërehet si tejet shqetësuese prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Prania e këtyre personave në afërsi të qendrave të votimit është i kundërligjshëm[lxxvii], ndërkohë që ndikon qartas vullnetin e votuesve, pasi zgjedhësit mund të ndihen të intimiduar për të marrë pjesë apo për të votuar lirisht në kushte të tilla të të qenit vazhdimisht të kontrolluar dhe në survejim.
Në një numër të konsiderueshëm të rasteve, personat e paautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit ose ishin të pajisur me lista ose, kryesisht në fshatrat e vegjël, nuk e mbanin një të tillë për shkak se komuniteti është i vogël dhe njihen më me njëri-tjetrin. Kjo u mundësonte të kishin informacion të plotë mbi personat që paraqiteshin për të votuar.
Kjo situatë e kombinuar me informimin që anëtarët e KQV-ve apo vëzhguesit politikë në to, jepnin mbi votuesit, bënin të mundur përfaqësuesve të partive politike të kishin informacion të plotë se kush ishte paraqitur për të votuar e kush jo, një shkelje e hapur kjo e kodit zgjedhor si dhe rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR.
Një element tjetër, që duket se është aplikuar nga komisionerët në këto zgjedhje për t’i ardhur në mbështje këtij mekanizmi, ishte drejtimi nga komisionerët i zgjedhësve për të firmosur në listën e zgjedhësve, pavarësisht se këta ishin identifikuar nëpërmjet PEI-t. Sipas ligjit, zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve vetëm nëse ai është në këtë listë dhe nuk ka qenë i mundur identifikimi nëpërmjet PEI-t[lxxviii].
U vërejtën raste kur një person ndihmonte më tepër se një zgjedhës për të votuar, ndërkohë që nuk plotësoheshin deklaratat përkatëse[lxxix].
Pajisja Elektronike e Identifikimit (PEI) funksionoi normalisht në të gjitha QV-të e vëzhguara, me disa problematika minore që u zgjidhën shpejt.
Megjithatë, në shumë prej qendrave të votimit të vëzhguara nga vëzhguesit e KRIIK, zgjedhësit firmosnin në listën e zgjedhësve pasi identifikoheshin, edhe në ato raste kur PEI u përdor, ata nuk firmosnin në fletën e gjeneruar nga pajisja.
Vëzhguesit e KRIIK vërejtën një numër tejet të lartë zgjedhësish që ose nuk timbroseshin fare ose timbroseshin pasi kishin votuar, në kundërshtim me procedurat e parashikuara[lxxx].
Mjediset e qendrave të votimit, në një numër jo të vogël rastesh nuk ishin të përshtatshme për votim dhe në gjendje tejet të amortizuar, tërësisht të pa përshtatshme për të kryer funksionin e një qendre votimi.
Ndërkohë, në një numër të lartë qendrash votimi mungonin posterat që shpjegonin procedurat e votimit apo që duhet të prezantonin kandidatët.
Procesi i votimit përfundoi në orën 19:00 sipas parashikimit ligjor.
Procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore nisi rreth orës 19.30 dhe përfundoi rreth orës 23.00, ndërkohë që procesi i numërimit nis rreth orës 1 pas mesante.
Dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ procedoi në mënyrë të rregullt.
Përpos vëzhguesëve të subjekteve zgjedhore, procesi i numërimit u ndoq edhe nga vetë kandidatët, si dhe përfaqësues të forcave politike, PS, PD dhe PBDNJ, si dhe tre përfaqësues të Ambasadës Greke.
Gjatë vijimit të procesit të numërimit pati sërish prezencë të shtuar të përfaqësuesve dhe vëzhguesve nga subjektet zgjedhore si brenda në Vendin e Numërimit të Votave, ashtu edhe jashtë tij, por nuk pati asnjë problematikë për tu shënuar.
Procesi i numërimit vijoi përgjithësisht shpejt dhe në mënyrë korrekte. Ai u mbyll rreth orës 06.40 të së hënës datë 5 gusht 2024.
Përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave u vërejt një prezencë e lartë e stafit mbështetës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndihmë të KZAZ-së dhe KQV-ve, madje dhe e zyrtarëve të lartë të tij, në gjykimin e KRIIK e pajustifikueshme për normalitetin që duhet të ndjekë një proces zgjedhor, për më tepër i pjesshëm.
[i] Ditën e Zgjedhjeve në terren u angazhuan tetë aktivistë të KRIIK dhe të Organizatave Partnere: Qendra Rinore e Vlorës (QRV), Power of Hope, Trust and Change – Gjirokastër.
[ii] Dy vëzhgues vëzhguan aktivitetin e KZAZ-së përgjatë shpërndarjes së materialeve zgjedhore, ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit, si dhe punën e grupeve të numërimit të votave përgjatë procesit të numërimit.
[iii] Vendim nr. 69, datë 05.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni“Bashkë Fitojmë”, për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 14 maj 2023”.
[iv] Ligji nr. 138/2015, datë 17.12.2015, “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
[v] Vendim nr. 611, datë 25.05.2023, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023”.
[vi] Klan News, “Rama sulmon kandidatin e “BF” në Himarë: Kokërr injoranti. Analfabet në greqisht, dru në shqip”, datë 6 maj 2023.
[vii] RTV Klan, “Fredi Beleri reagon live në “Opinion”, përgjigjet Rama: Ik thuaji, maskara!”, datë 11 maj 2023.
[viii] Gjatë kohës që vijonte të ishte në paraburgim, z. Beleri kandidoi për deputet në Parlamentin Europian në listën e partisë Demokracia e Re, aktualisht në pushtet në Greqi, duke fituar në këto zgjedhje. Z. Beleri iu dha leje nga autoritet e burgut duke u lejuar të merrte pjesë në seancën hapëse të Parlamentit Europian, ku edhe u betua si deputet i këtij Parlamenti në datën 16 korrik 2024 dhe më pas u rikthye në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, e parashikuar të përfundojë deri në tetor të këtij viti.
[ix] Shih Rezolutën e Parlamentit Europian të 12 korrikut 2023, mbi Raportin e Progresit të Shqipërisë për vitin 2022, pika 36: “Parlamenti Europian […] Shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të Komunës së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve lokale të majit, çka cënoi prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryebashkiakun e zgjedhur të marrë detyrën, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite; nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen pezull të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe akuzat për shkelje nga shteti;”.
[x] Me dorëheqjen e z. Goro, në datën 29 mars 2024 u zgjodh me votat e 15 anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Himarës si Kryetare e komanduar znj. Blerina Balaj. Mbledhja në të cilën ajo u zgjodh u shoqërua me tensione, ku qytetarë të Himarës hynë në sallën e Këshillit Bashkiak dhe kërkuan që Prefekti i Qarkut Vlorë atëkohë, z. Vangjel Tavo, aktualisht kandidat i Partisë Socialiste për Kryetar Bashkie, të largohej nga salla.
Znj. Balaj në datën 5 qershor 2024 u dorëhoq pas rreth dy muajsh në detyrë. Ajo u zëvendësua nga z. Arqile Bollano, i cili, me sa është bërë e ditur nga media, është gjithashtu nën hetim nga SPAK për tjetërsim pronash.
[xi] Shih pretendimet e palëve në Vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
[xii] Vendim nr. 69, datë 05.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 14 maj 2023”, faqe 7.
[xiii] Në datën 5 korrik 2024, pas marrjes së vendimit nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shpalljen e mandatit të z. Beleri të pavlefshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, z. Ëngjëll Agaçi iu drejtua KQZ-së më shkresën zyrtare me Nr. 3746 prot, datë 05.07.2024 duke kërkuar informacion në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së. Në përgjigje, po në të njëjtën ditë, Sekretarja e Përgjithshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i përcolli Këshillit të Ministrave vendimin nr. 69, datë 05.07.2024 të KSHZ, për shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të z. Beleri. Po në atë ditë, z. Agaçi iu drejtua Presidentit të Republikës me shkresën zyrtare me nr. 3753 prot, datë 05.07.2024, duke e njoftuar këtë të fundit për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë dhe kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
[xiv] Këshilli i Ministrave i dërgoi një kërkesë për informacion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vendimmarrjen e tij në lidhje me mandatin e z. Beleri në datë 5 korrik, dhe pasi mori përgjigje për heqjen e mandatit, po atë ditë njoftoi Presidentin e Republikës në lidhje me vakancën e krijuar, duke kërkuar dekretimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë. Presidenti i Republikës po atë ditë, me Dekretin nr. 244 datë 05.07.2024, shpalli datën 4 gusht 2024 si datën e zgjedhjeve të parakohshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë.
[xv] Z. Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në një reagim publik shkroi “Çfarë turpi për Presidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjësimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit. (…)”.
[xvi] Shih Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake të KRIIK për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, datë 25 shtator 2023, faqe 2.
[xvii] Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 86, pika 1.
[xviii] Agjencia Telegrafike Shqiptare “Zgjedhjet në Himarë, Presidenca: “4 gushti, pasi na u njoftua vakanca”: “… Në një përgjigje për mediet, Presidenca sqaron se ‘Presidenti i Republikës caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ. Presidenti vihet në lëvizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë. Zgjedhjet e pjesshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese”, theksoi Presidenca. …”.
[xix] Vendim nr. 2, datë 09.07.2024, i Komisionit Rregullator, “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”.
[xx] Vendim nr. 3, datë 19.07.2024, i Komisionit Rregullator, “Për miratimin e disa karakteristikave teknike të fletëve të votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, të datës 4 Gusht 2024”.
[xxi] Njoftim Vendimmarrje e KZGJ Partia Socialiste e Shqipërisë, datë 17.07.2024.
Njoftim Vendimmarrje e KZGJ Partia Socialiste e Shqipërisë, datë 22.07.2024.
[xxii] Partia Socialiste; Partia Republikane; Partia Demokristiane; Fryma e Re Demokratike; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia e Lirisë; Partia Balli Kombëtar; Partia Demokratike; Partia Agrare Ambjentaliste; Balli Kombëtar Demokrat; dhe Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
[xxiii] Partia Republikane; Partia Demokristiane; Fryma e Re Demokratike; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia e Lirisë; Partia Balli Kombëtar; Partia Demokratike; Partia Agrare Ambjentaliste; Balli Kombëtar Demokrat; dhe Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar.
[xxiv] Ish-Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, është shprehur se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë në lidhje me këtë vendim, ndërkohë që deputetë që kanë qenë në mbështetje të tij përgjatë kësaj periudhe, përfshirë ish-Kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike gjatë Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2023, z. Enkelejd Alibeaj, kanë dhënë dorëheqjen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
[xxv] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 28 datë 30.06.2021; në lidhje me herësin që kufizonte rirenditjen e kandidatëve sipas votave parapëlqyese;
Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 04.10.2021, në lidhje me pragun kombëtar për kandidatët e pavarur;
Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 09.12.2022, në lidhje me votën e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit.
[xxvi] Për më shumë, shih Deklaratën e KRIIK “Mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, qasje e papranueshme dhe tërësisht e dëmshme për ndërmarrjen e reformave jetike në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të një demokracie funksionale në vend”, datë 24 korrik 2024.
[xxvii] Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
[xxviii] Projektvendim për ngritjen e Nënkomisionit “Për auditimin e sektorit publik”.
[xxix] Për më shumë shih vendimet e publikuara në sektorin Akte të KQZ.
[xxx] Vendimi nr. 87, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për ngritjen dhe thirrjen e mbledhjes sëparë të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 88, Bashkia Himarë, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Himarë , të datë 4 gusht2024”.
[xxxi] Vendimi nr. 86, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për emërimin e anëtarëve të KZAZ nr. 88, Bashkia Himarë, të propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Himarë, tëdatë 4 gusht 2024”.
[xxxii] Vendimi nr. 83, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për emërimin e një anëtari të KZAZ nr. 88, Bashkia Himarë, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024” dhe Vendimi nr. 85, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për emërimin e anëtarëve dhe sekretarit të KZAZ nr. 88, Bashkia Himarë, të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Himarë , të datë 4 gusht 2024”.
[xxxiii] Vendimi nr. 84, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për emërimin e një anëtari të KZAZ nr. 88, Bashkia Himarë, të propozuar nga Partia e Lirisë, për zgjedhjet e pjesshme përKryetar Himarë , të datë 4 gusht 2024”.
[xxxiv] Vendim nr. 85, datë 15.07.2024, i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për emërimin e anëtarëve dhe sekretarit të KZAZ nr. 88, Bashkia Himarë, të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Himarë , të datë 4 gusht 2024”.
[xxxv] Anëtarët e KZAZ nuk respektuan oraret e mbledhjeve dhe ato të hapjes së punës së KZAZ. Sipas komunikimeve të përfaqësuesëve të KRIIK me KZAZ-në dhe administratën e KQZ-së, kjo për shkak të angazhimeve private të tyre në kohën e sezonit veror, si dhe të angazhimeve në fushatën elektorale.
[xxxvi] Vendimi nr. 158, datë 01.08.2024 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për lirimin dhe emërimin e sekretarit të KZAZ-së nr. 88, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024”.
[xxxvii] Ekstrakti i Gjendjes Civile u gjenerua nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në datën 10 korrik 2024. Ky ekstrakt ishte i pari dhe i fundit i gjeneruar, pasi në proceset e zgjedhjeve të pjesshme gjenerohet vetëm një i tillë.
[xxxviii] Vendimi nr. 82, datë 15.07.2024 “Për emërimin e auditit teknicien për mbikëqyrjen e procesit të hartimit të listave të zgjedhësve, për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Himarë, qarku Vlorë”.
Vendimi nr. 100, datë 22.07.2024 “Për emërimin e ndihmësit të auditit teknicien për mbikqyrjen e procesit të hartimit të listave të zgjedhësve, për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, të datës 4 gusht 2024”.
[xxxix] Raporti i audituesit Laert Kraja mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, dt. 26.07.2024.
[xl] Raporti i audituesit Laert Kraja mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, dt. 26.07.2024.
[xli] Kërkesë për Informacion nr. 2243 prot. datë 29.07.2024.
[xlii] Shkresa nr. 8649/1 prot. datë 02.08.2024 e Ministrisë së Brendshme.
[xliii] Për më shumë shih përgjigjen e DPGJC drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
[xliv] Po aty.
[xlv] 15 në datën 5 korrik, 18 në datën 8 korrik, 30 në datën 9 korrik dhe 30 në datën 10 korrik.
[xlvi] Transferoi votues nga Dropulli në Himarë, Tavo kallëzohet në SPAK.
[xlvii] A2 CNN, “EKSKLUZIVE! Vangjel Tavo Flet për A2CNN! Do fitoj me mbi 1 mijë vota, ndryshe nuk e pranoj mandatin!”, datë 30 korrik 2024 (min. 6:45).
[xlviii] Syri TV, “Petro Gjikuria thirrje SPAK të hetojë Tavon: Tavo pranoi se ka sjellë votues në Himarë”, dt. 31.07.2024.
[xlix] Intervistë e z. Tavo në emisionin “Now me Erlën” në Euronews, minuta 1:46, ku z. Tavo shprehet “(…) Po flasim për këto brenda dy muaj e pak që ka filluar punën ASHK-ja në Himarë të jenë shpërndarë 1.226 certifikata pronësie dhe 600 të tjera janë gati në zyrën e hipotekës, pra janë 1.826 certifikata. (…)”.
[l] Mbledhja e Komsionit Rregullator datë 29.07.2024 video minuta 19 dhe ose procesverbal faqe nr. 9.
[li] Konferencë e Z. Celibashi nga Himara në datën 4 gusht 2024: “Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose i ka skaduar ose i skadon në ditën e sotme. E njëjta gjë ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, por në atë kohë pati një vendim dhe ata u lejuan të votonin. Përse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave përmes një akti normativ për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit sic mund ta kuptoni nuk mund ta them. Ne kemi bërë këtë komunikim sa herë që ka pasur zyrtarisht një kërkesë nga partitë politike për këtë cështje. Në këtë rast nuk kemi pasur asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare nga partitë politike, në ditët e fundit kemi pasur një shqetësim të ngritur në mënyrë informale. Për problemin me kartat e identitetit të skaduar nuk ka pasur asnjë komunikim me qeverinë apo Ministrinë e Brendshme”.
[lii] – Qeveria merr vendimin, zgjatet afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, zgjedhje parlamentare 25 prill 2021.
– “Zgjedhjet e 14 majit”, Qeveria shtyn afatin e kartave ID.
[liii] – A2CNN, “Petro Gjikuria nis fushatën në Himarë: Do të vë në zbatim programin e Fredi Belerit”, dt. 17.07.2024:
– Real Story, “Vangjel Tavo- Intervistë në Real Story me gazetarin Sokol Balla, një mesazh dhe premtim për të gjithë himarjotët”, dt. 11.07.2024.
[liv] Sipas një lajmi të botuar në gazetën greke Kathimerini në dt. 2 janar 2024 (shih lajmin, në gjuhën greke), Kryeministri Rama i kishte kërkuar z. Tavo të ishte kryetar i përkohshëm i Bashkisë Himarë deri sa të përmbyllej çështja gjyqësore ndaj z. Beleri dhe nëse z. Beleri do të shpallej fajtor, të ishte kandidati i Partisë Socialiste për Kryetar i Bashkisë Himarë në zgjedhjet e pjesshme që do të pasonin.
[lv] Veçanërisht problematike paraqitet prania e z. Tavo në inspektimin e një investimi publik ku ishin të pranishme edhe Zv/Kryeministrja Balluku dhe Ministrja Kumbaro (Shih postimin në faqen zyrtare të Facebook të kandidatit Tavo në lidhje me këtë inspektim). Ndërkohë që ky ishte një event institucional, ku dy anëtare të Qeverisë inspektonin një vepër publike, z. Tavo ishte i pranishëm në kapacitetin e tij si Prefekt, por ndërkohë e kishte nisur fushatën elektorale. Kandidati i Partisë Socialiste, z. Tavo e përdori postin e tij zyrtar si Prefekt i Qarkut Vlorë dhe mbështetjen institucionale të mazhorancën në pushtet për avantazh elektoral, duke deformuar barazinë në garë.
[lvi] Ky i fundit, në një pjesë të konsiderueshme të fushatës ishte i vendosur në Qeparo duke bërë fushatë aktive për z. Tavo.
[lvii] – ABC News Albania, “Rama shpërndan 437 tituj pronësie në Himarë: Kush thotë ju morën tokat oligarkët, gënjen”, dt. 24 maj 2024.
– Shqiptarja.com, “Rama shpërndan tapitë: Himara s’mund të bëhet shesh për përshesh! Tavo, Vangjel për punë, Dule për sherr”, dt. 28 qershor 2024.
[lviii] Shih videon e ABC News Albania, “Rama shpërndan 437 tituj pronësie në Himarë: Kush thotë ju morën tokat oligarkët, gënjen”, dt. 24 maj 2024.
[lix] Shih videon, min. 11:50.
[lx] Veçanërisht ky konstatim, duke mbajtur në konsideratë se kjo është një problematikë e mprehtë në këtë zonë, dhe për të cilën Kryetari i mëparshëm i Bashkisë Himarë është tanimë i akuzuar nga SPAK.
[lxi] Deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, etj.
[lxii] Vendim nr. 109, datë 23.07.2024 i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për përzgjedhjen e monitoruesit për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024”.
[lxiii] Në rastin konkret monitoruesja është banore e Bashkisë Sarandë.
[lxiv] – Shqiptarja.com, “Kandidati i opozitës, Gjikuria thyen heshtjen zgjedhore në Himarë, vazhdon fushatën në ‘Facebook’ edhe sot”, dt. 03.08.2024.
– Sot.com.al, “Kandidati demokrat për Himarën thyen heshtjen zgjedhore, bën postime në rrjetet sociale dhe më pas i fshin”, dt. 03.08.2024.
[lxv] DENONCIM Nr. 2 – Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nga disa media.
[lxvi] Euronews Albania, “Trondit Dule: Proces zgjedhor absurd në Himarë”, dt. 04.08.2024.
[lxvii] Në 11 korrik 2024, z. Vangjel Tavo ka zhvilluar një intervistë në televizionin ABC News, ku është prezantuar si kandidat i Partisë Socialiste.
[lxviii] TV 6+1 Vlora dhe Blu TV.
[lxix] Nga të cilët 37 vëzhgues afatgjatë, 20 vëzhgues afatshkurtër, 45 përfaqësues te medias.
[lxx] QV 4589 Himarë, QV 4585, 4585/01 në Dhërmi, QV 4566 Borsh, si dhe në afërsi të Qendrave të Votimit të fshatrave Vranisht e Qeparo.
[lxxi] Problematikë prezente kryesisht në zonat rurale.
[lxxii] Në QV 4593/00 Vranisht, në momentin e mbërritjes së vëzhguesve në QV, një votues tentoi të fotografonte votën brenda dhomës së fshehtë, por u ndalua nga anëtaret e komisionit të cilët u sinjalizuan nga një vëzhgues i opozitës. Votuesi, të cilit fillimisht iu mbajt celulari nga KQV, ushtroi presion ndaj anëtareve të komisionit, si dhe ndaj vëzhguesit që sinjalizoi tentativën e fotografimit të votës. Me pas, votuesi u shoqërua jashtë ambienteve të shkollës ku ndodhet QV 4593/00 nga votues të tjerë, dhe aparatin e tij celular anetarët e komisionit ja dhanë një prej familjareve te tij.
[lxxiii] Në zonën e Palasës.
[lxxiv] QV 4591/01 dhe QV 4590 në Himarë, QV 4562/1 Shën Vasil, QV 4588/00 – Himare fshat ku votimi familjar u ndalua nga anëtarët e KQV-së, QV 4580 në Pilur, etj.
[lxxv] QV 4563/01 Lukovë, QV 4565 Piqeras.
[lxxvi] QV 4560 Nivicë, QV 4581 Qeparo, QV 4579 Palasë.
[lxxvii] Urdhër nr. 72 datë 02.08.2024 “Për zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm në territorin e objekteve zgjedhore ku janë vendosur qendrat e votimit, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024”.
[lxxviii] Lidhur me këtë problematike, përfaqësuesit e KQZ që kryen trajnimin u shprehën se komisionerët janë trajnuar dhe udhëzuar që mos të detyrojnë zgjedhësit të firmosin në listën e zgjedhësve nëse janë identifikuar nga PEI.
[lxxix] QV 4562 Lukovë, QV 4595 Horë Vranisht, QV 4588/01 Himarë Fshat.
[lxxx] QV 4563/01 Lukovë, QV 4588/1 Himarë Fshat, QV 4565 Piqeras, etj.
Tiranë, më 5 Gusht 2024!