Shkarko Qendrimin ne pdf
NJOFTIM PËR SHTYP
Në datë 5 shkurt 2024, KRIIK publikoi QENDRIMIN PUBLIK “Adresimi i shpërdorimit të burimeve shtetërore në Reformën Zgjedhore, thelbësor për garantimin e Integritetit të Zgjedhjeve në vend”, në vazhdën e qëndrimeve të mëparshme nëpërmjet të cilave është shprehur shqetësimi i thellë për mosfunksionimin normal e demokratik të parlamentit, e veçanërisht të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke evidentuar domosdoshmërinë për manifestimin e pjekurisë politike dhe të zhvillimit të përgjegjësive të marra përsipër prej drejtuesve të Kuvendit të Shqipërisë, Partive Politike Parlamentare, Grupeve Parlamentare dhe të çdo Deputeti të Kuvendit, veçanërisht atyre që janë pjesë e Komisionit të Reformës.
Në Qendrimin Publik, konstatohet me shumë shqetësim lënia jashtë planit të ripunuar të kalendarit të punës së Komisionit, e amendimeve ligjore për parandalimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore dhe zhbërjen e sistemit të patronazhimit masiv të ngritur në mënyrë kapilare në tërë administratën shtetërore, i cili mbart në vetvete forma të intimidimit dhe të drejtimit të votës, fenomene që në rast mos-adresimi përmbajtësor krijojnë avantazhe të paligjshme apo paracaktojnë rezultatin e një procesi zgjedhor, duke bërë nul çdo rregullim tjetër që mund të bëhet për procesin, qoftë ky edhe sistemi zgjedhor.
KRIIK thekson se përdorimi i burimeve shtetërore për avantazh elektoral, një fenomen që cënon seriozisht intregritetin e zgjedhjeve dhe minon themelin e sistemit demokratik, ka shënuar veç një tendencë në rritje, duke u kryer në zgjedhjet e fundit në mënyrë të hapur, në sfidë të hapur ndaj ligjit dhe institucioneve që kanë për detyrë ta zbatojnë atë, veçanërisht nga ofiqarët politikë të niveleve të larta.
KRIIK vlerësoi në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi zgjedhjet e 14 majit 2023 se “…shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar.”, vlerësim i cili reflekton në masë të konsiderueshme edhe përdorimin e burimeve shtetërore, përpos të tjera fenomeneve negative të vërejtura.
Tashmë që në vëmëndje të opinionit publik është rikthyer sërish rëndësia e reformës zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare 2025, ajo që konstatohet me shqetësim është fakti se nuk duket të ketë asnjë reflektim mbi dëmin madhor ndaj të drejtave civile dhe politike të shqiptarëve apo dëmin e kryer ndaj interesit publik. Në këtë situatë të zymtë, deri alarmante, për cilësinë e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, kur politizimi ka kapur thuajse çdo qelizë të shoqërisë, në kufijtë e kapjes së shtetit, reforma e pritshme zgjedhore (të cilën legjislatura aktuale e Kuvendit ka dështuar tërësisht ta adresojë deri në këtë moment, në një mungesë të dukshme të vullnetit për të përmirësuar kuadrin ligjor për zgjedhjet) do të duhet të ndjekë një proces radikalisht të ndryshëm nga ato të mëparshmet, nëse do të duhet të prodhojë një reformim real të kuadrit ligjor, i cili adreson problematikën në thelb dhe jo simptomat e saj nëpërmjet ndërhyrjeve minore a të pjesshme.
Përpos një adresimi më të plotë të problematikës së përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, KRIIK vlerëson se të tjera sfida madhore që reforma e pritshme do të duhet të adresojë janë e drejta e shqiptarëve me vendbanim jashtë ven
dit për të votuar pranë vendbanimit të vet; apo vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese që janë ende për t’u adresuar, ngritja e një administrate zgjedhore totalisht të pavarur, në përputhje me aspiratat e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020, apo edhe adresimi i problematikave të mbartura në lidhje me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, demokracinë e brendshme të partive politike, si dhe mundësimi në praktikë i referendumeve, ndërhyrje të cilat shkojnë përtej kuadrit ligjor për zgjedhjet.
Në mënyrë që reforma të prodhojë një kuadër ligjor i cili të synojë garantimin e integritetit të zgjedhjeve, në të gjithë kuptimin që ky term mbart, KRIIK rithekson, në linjë me qëndrimin konsistente të mbajtur prej së paku vitit 2012, se ajo duhet të jetë një reformë, e thelluar, transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Një rol thelbësor e aktiv, në gjykimin e KRIIK, është i nevojshëm të luhet prej aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht prej partnerëve strategjikë të vendit në rrugëtimin drejt vlerave të demokracisë euro-atlantike, të cilët të mund të ofrojnë sa ekspertizën e nevojshme, aq edhe nxitjen e mbështetjen politike për aktorët vendorë, si dhe garancitë se procesi reformues do të përmbushë kriteret sa më sipër, sërish në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës.
Në përmbyllje të Qendrimit Publik, KRIIK i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve politikë parlamentarë të gjejnë dhe zhvillojnë rrugën e dialogut politik, duke i kthyer funksionimin normal e demokratik parlamentit, si dhe të gjithë aktorëve të tjerë që mund të kontribuojnë në reformimin e kuadrit ligjor, qoftë ata ndërkombëtarë, qoftë ata vendas, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të botës akademike, etj., që të mbajnë qëndrim kritik e konstruktiv duke kërkuar një proces dialogu gjithëpërfshirës, si dhe të përfshihen aktivisht në procesin e konsultimeve dhe ofrimit të rekomandimeve.
Tiranë, më 5 Shkurt 2024!
Q Ë N D R I M P U B L I K
Adresimi i shpërdorimit të burimeve shtetërore në Reformën Zgjedhore, thelbësor për garantimin e Integritetit të Zgjedhjeve në vend
Ditën e nesërme datë 6 shkurt 2024, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore do të zhvillojë seancën e parë konsultuese apo tryezën e diskutimit me disa nga përfaqësuesit e Organizatave që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore. Kjo seancë është në zbatim të kalendarit të punimeve të miratuar në mbledhjen e zhvilluar online[1] të datës 26 janar 2024, në të cilën merrnin pjesë shumica numerike e anëtarëve të tij.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur me vëmendje ecurinë e këtij Komisioni dhe në tërësi të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe ka shprehur publikisht një sërë Qëndrimesh nëpërmjet të cilave është shprehur shqetësimi i thellë për mosfunksionimin normal e demokratik të parlamentit, e veçanërisht të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke evidentuar domosdoshmërinë për manifestimin e pjekurisë politike dhe të zhvillimit të përgjegjësive të marra përsipër prej drejtuesve të Kuvendit të Shqipërisë, Partive Politike Parlamentare, Grupeve Parlamentare dhe të çdo Deputeti të Kuvendit, veçanërisht atyre që janë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke iu sjellë në vëmendje se në angazhimet dhe vendimmarrjet e tyre ata përfaqësojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe vullnetin e tyre. Se çdo vendimmarrje e tyre duhet të jetë e përgjegjshme dhe vizionare në respektim të plotë të interesit më të mirë të qytetarëve dhe të së ardhmes demokratike europiane në vend, në respekt të plotë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Në këtë kuadër, në fillim të sesionit parlamentar të vjeshtës, KRIIK u ka kërkuar publikisht Anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore të tregojnë maturi e të pranojnë dështimin e këtij Komisioni, duke propozuar mbylljen e tij dhe nxitjen e Kuvendit për konstituimin e një Komisioni tjetër me një formulë funksionale kompozimi të tij, si dhe me një program të qartë e plotë pune, në linjë edhe me propozimet e dërguara për një funksionim sa më efikas të tij, transparencë të plotë dhe gjithëpërfshirje domethënëse dhe të vërtetë të të gjithë aktorëve, politikë e jopolitikë.
Pas më shumë se një viti ndërprerje, nga monitorimi i bërë dhe ndjekja së fundi e seancës online të zhvilluar më datë 26 janar 2024 dhe vendimit të marrë, konstatohet se ky Komision ka të njëjtën përbërje, duke patur si anëtarë të tij edhe individë të cilët e kanë lënë tashmë mandatin e Deputetit[2], si dhe një objektiv pune të kufizuar të miratuar[3] nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili limitohet vetëm në ndjekjen e rekomandimeve të ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021, duke mos përfshirë shprehimisht rekomandimet e ODIHR të Zgjedhjeve Vendore të 14 majit 2023.
Kjo situatë e vë Komisionin në pozita joserioze, duke shfaqur tashmë pas gati dy vjetësh një vullnet të munguar e duke ngritur pikëpyetje mbi vullnetin real të tij. Një vullnet i lënë qëllimisht për t’u adresuar në momentet e fundit, në dakordësi të ngushtë dhe për interesa të ngushta partiake, duke mos kuptuar që Reforma Zgjedhore duhet të jetë në dobi vetëm të qytetarëve dhe të sigurimit të një demokracie funksionale vetëm në interes dhe shërbim të tyre. Anëtarët Deputetë të Komisionit në këtë angazhim të tyre duhet të manifestojnë integritet dhe vetëm interesat e pozicionit të tyre si deputetë, zëdhënës të vullnetit të popullit, e jo vetëm si përfaqësues të partive politike që hartojnë vetë rregullat e garës zgjedhore me synim sigurimin e avantazheve për vete apo partitë e tyre respektive.
Ajo çka konstatohet me shumë shqetësim është lënia jashtë planit të ripunuar të kalendarit të punës të amendimeve ligjore për parandalimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore dhe zhbërjen e sistemit të patronazhimit masiv të ngritur në mënyrë kapilare në tërë administratën shtetërore, i cili mbart në vetvete forma të intimidimit dhe të drejtimit të votës, fenomene që në rast mos-adresimi përmbajtësor krijojnë avantazhe të paligjshme apo paracaktojnë rezultatin e një procesi zgjedhor, duke bërë nul çdo rregullim tjetër që mund të bëhet për procesin, qoftë ky edhe sistemi zgjedhor.
Aktorët vendas e partnerët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje herë pas herë për nisjen e punës së Komisionit, parimet në të cilat ai duhet të mbështetet si dhe adresimin, ndër të tjera, të fenomenit të abuzimit me burimet shtetërore.
ODIHR në një deklaratë të tij të datës 23 janar 2024 vuri theksin tek domosdoshmëria e një procesi gjithëpërfshirës si dhe tek prioritetet kryesore që duhet të përfshijë Reforma e pritshme, e cila duhet të fokusohet në parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, sigurimin e fshehtësisë së votës, mbrojtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore[4].
Në këtë kuadër KRIIK sjell në vëmendje të të gjithë aktorëve politikë ose jo, dhe atyre institucionalë, vendas e të huaj, e veçanërisht të Deputetëve, se Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023 vuajtën nga një numër problematikash të ngjashme me raunde të mëparshme zgjedhore, por një numër fenomenesh negative, që cenojnë seriozisht integritetin e zgjedhjeve, u thelluan më tej.
Nga këto theksohet veçanërisht përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral.
Përdorimi i burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral minon themelet e sistemit demokratik duke dëmtuar rëndë barazinë në garë, duke minuar besimin e qytetarëve në institucionin e zgjedhjeve dhe eliminuar vetë logjikën e votës si institucion, pasi shkel frymën e Dokumentit të Kopenhagës që thekson bazat e zgjedhjeve të lira si thelbësore për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, si dhe detyrën e shteteve për të mbrojtur institucionin e zgjedhjeve[5].
Përdorimi i burimeve shtetërore apo ofiqit publik për avantazh elektoral nuk është një fenomen i ri në zgjedhjet shqiptare, ato janë përdorur në vazhdimësi në mënyrë të qëndrueshme nga partia apo individët në pushtet, si në zgjedhje qendrore, ashtu edhe në zgjedhje lokale. Duke qenë kështu, ky fenomen ishte një nga ata që u adresua në mënyrë të drejtpërdrejtë me ndryshimet ligjore të vitit 2020, të cilat pasuan Marrëveshjen Politike të 5 qershorit të atij viti.
Adresimi i përdorimit të burimeve shtetërore merr një rëndësi akoma më të lartë, nëse konsiderohet se një nga aspiratat e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020 është depolitizimi i administratës zgjedhore në të gjitha nivelet deri për zgjedhjet parlamentare të radhës, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit 2025.
Në kushtet aktuale të keqpërdorimit të burimeve shtetërore, administratës dhe ofiqit publik, dhe të politizimit të tejskajshëm të administratës, kjo aspiratë duket më larg se kurrë dhe tejet e rrezikshme për integritetin e zgjedhjeve në vend, nëse do të aplikohet pa ndryshime thelbësore në legjislacion dhe pa një mentalitet të ri në implementimin e tij.
Integriteti i zgjedhjeve, përtej të qenit një çështje thjesht teknike dhe që lidhet vetëm me procesin zgjedhor, apo qoftë edhe me rezultatin e zgjedhjeve në vetvete, afekton në themel cilësinë e demokracisë së një vendi, besimin në institucionet e dala nga zgjedhjet, cilësinë e jetës dhe sigurinë e qytetarëve.
Nëse procesit zgjedhor i mungon integriteti, në thelb, qytetarëve u humbet mundësia për t’u kërkuar llogari të zgjedhurve publikë dhe zëvendësuar ata nëse performanca nuk është në nivelin e duhur, duke e bërë nul procesin zgjedhor, rrezikuar drejtpërdrejt sistemin demokratik dhe hedhur farat e autokracisë.
Një situatë e tillë nuk limitohet dhe krijon pasoja negative vetëm për vendin konkret ku ndodh, por rrezikon stabilitetin rajonal e ndërkombëtar, siç e demonstron pa ekuivok më së fundi situata katastrofike e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe vuajtjes njerëzore në Ukrainë, krijuar pas sulmit të paprovokuar nga Federata Ruse, një vend në të cilin për vite me radhë janë vërejtur në vijimësi shkelje të rënda të integritetit të zgjedhjeve.
Pavarësisht pranimit të fenomenit negativ të përdorimit të burimeve shtetërore nga aktorët politikë, çka solli edhe adresimin e tij në kuadrin ligjor të vitit 2020 me prioritet, jo vetëm që përdorimi i burimeve shtetërore ka vijuar të jetë i pranishëm në zgjedhje, si në ato të prillit 2021, marsit 2022 e majit 2023, por pati edhe një tendencë në rritje, duke u kryer në zgjedhjet e fundit në mënyrë të hapur, në sfidë të hapur ndaj ligjit dhe institucioneve që kanë për detyrë ta zbatojnë atë, veçanërisht nga ofiqarët politikë të niveleve të larta, të cilët kanë përgjegjësinë madhore të krijimit të modelit për sjelljen e të gjithë administratës publike.
Problematika u thellua akoma më tej nga mosndjekja në mënyrën e duhur[6] dhe mosndëshkimi në mënyrë të plotë dhe pa ekuivok nga ana e KQZ-së e rasteve të vërejtura apo denoncuara[7], nga mbyllja pa asnjë argumentim serioz e disa çështjeve[8] të konsideruara haptazi në shkelje të ligjit, sipas KRIIK, apo edhe zvarritja ende e shqyrtimit të disa çështjeve në thyerje të çdo afati procedural[9].
Problematika u thellua edhe nga pasiviteti i Komisionerit të Shërbimit Civil ndaj sjelljes së administratës publike dhe fenomeneve që mbartnin rastet e denoncuara publikisht, duke e zbatuar kuadrin ligjor në mënyrë sipërfaqësore dhe vetëm sa për dukje, si dhe duke injoruar thelbin e zbatimit të tij.
Po ashtu një ndikim të qenësishëm në thellim e kësaj problematike ishte edhe dështimi me një vullnet të plotë politik prej maxhorancës i Task-Forcës së ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave[10], task-forcë të cilin KRIIK ia kërkoi publikisht Këshillit të Ministrave[11] që në janar 2023, si një akt i nevojshëm në ndihmë të adresimit të boshllëqeve minore ligjore, e për më tepër si një akt i shprehjes së qartë të vullnetit politik të maxhorancës për të ndaluar me çdo kusht shpërdorimin e burimeve shtetërore, të ofiqit zyrtar dhe autoritetit shtetëror për qëllime elektorale.
Si rrjedhim logjik, ligjzbatimi cedoi në nivelet më të ulëta të administratës në të gjitha nivelet, duke normalizuar një sjellje partizane dhe shkelëse të parimeve demokratike dhe të ligjit që është diametralisht e kundërt me sjelljen që duhet të ketë administrata e një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
KRIIK vlerësoi në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi zgjedhjet e 14 majit se “…shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar.”, vlerësim i cili reflekton në masë të konsiderueshme edhe përdorimin e burimeve shtetërore, përpos të tjera fenomeneve negative të vërejtura.
Po ashtu Misioni i Vëzhgimit Ndërkombëtar të OSBE/ODIHR, në Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, vlerësoi keqpërdorimin e burimeve publike si një nga tri shqetësimet më të rëndësishme, së bashku me presionin mbi administratën dhe blerjen e votave[12]. Jo vetëm kaq por trajtimi që i bën ODIHR këtij fenomeni në përmbajtje të raportit është realisht shumë shqetësues në raport me reagimin dhe sjelljen e ofiqarëve më të lartë në vend[13].
KRIIK vëren me shqetësim se fenomeni i përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale është shtrirë përtej mënyrave klasike, edhe në ndikimin e votuesve nëpërmjet kompanive private të cilat drejtojnë votën e punonjësve të vet apo edhe i intimidojnë ata, në shkëmbim të kontratave publike apo të tjera benefiteve; apo ofrimin e benefiteve financiare për mediat në shkëmbim të mbulimit të pakushtëzuar pozitiv për partinë në pushtet, duke i përdorur mediat thjesht si ritransmetues të mesazheve që vijnë të parapërgatitura nga ana e zyrave të shtypit të institucioneve apo partive politike, përgjithësisht të partisë në pushtet, pa asnjë filtër editorial.
Korruptimi në këtë mënyrë i sipërmarrësve privatë apo medias, e komplikon fenomenin më tej duke dëmtuar edhe sistemin e ekonomisë së tregut dhe sipërmarrjes së lirë, deformimin e misionit të medias, përveç sistemit qeverisës.
Sa më sipër e bën tejet alarmante situatën duke e shtrirë korrupsionin zgjedhor, i cili është i lidhur pazgjidhshmërisht me korrupsionin në përgjithësi, dhe kërkon një ndërhyrje të shpejtë dhe të vendosur për rikthimin e sistemit të llogaridhënies që duhet të karakterizojë një vend demokratik dhe që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
Integriteti i zgjedhjeve përmbledh ne vetvete tërë elementët e procesit zgjedhor, por mbi të gjitha frymën dhe sjelljen e të gjithë aktorëve në një shoqëri, në radhë të parë atyre institucionalë e politikë, në përmbushjen e standardeve të pranuara ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike, parime të cilat janë të mishëruara në kuadrin ligjor shqiptar dhe që duhet të mishërohen me besnikëri edhe në kuadrin rregullator dytësor, si dhe, veçanërisht, të manifestohen pa ekuivok në frymën e ligjzbatimit nga tërë aktorët institucionalë.
Një kuadër ligjor, sado perfekt në letër, është nul kur ai implementohet i shkëputur nga fryma me të cilën është shkruar, siç KRIIK ka vërejtur në më tepër se një rast të ketë ndodhur në adresimin e rasteve të përdorimit të burimeve shtetërore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet e fundit lokale[14], apo, akoma më keq, kur implementohet me qëllim në mënyrë të cunguar.
KRIIK shpreh shqetësimin e vet të thellë për kontekstin në të cilin zhvillohen proceset zgjedhore në vend dhe, veçanërisht, për mungesën e reflektimit nga ana e aktorëve, veçanërisht atyre politikë në pushtet, duke shpënë në thellimin e mëtejshëm të praktikave negative të krijuara.
Në një situatë të tillë, duke shtuar krizën e thellë në të cilën opozita shqiptare gjendet prej së paku shtatorit të vitit 2021, humbjen e moralitetit dhe kuptimit të fushatës zgjedhore e cila u zhvillua për të disatën zgjedhje në radhë në mungesë të plotë të respektit ndaj qytetarëve, nxitet më tej pasiguri dhe humbje shprese tek institucionet dhe tek vetë sistemi demokratik, çka duket të jetë edhe një nga arsyet e pjesëmarrjes së ulët në votimet e 14 majit, e veçanërisht tek të rinjtë.
Tashmë që në vëmendje të opinionit publik është rikthyer sërish rëndësia e reformës zgjedhore në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare 2025, ajo që konstatohet me shqetësim është fakti se nuk duket të ketë asnjë reflektim mbi dëmin madhor ndaj të drejtave civile dhe politike të shqiptarëve apo dëmin e kryer ndaj interesit publik.
Ajo çka në fakt evidentohet është e njëjta qasje dhe gjuhë e përdorur si nga maxhoranca, e cila i konsideron zgjedhjet e fundit si më të mirat të kryera ndonjëherë dhe mohon çdo problematikë, ashtu edhe nga opozita, e cila i konsideron ato si masakra elektorale e radhës, duke thelluar edhe më polarizimin e skajshëm të klimës politike në vend.
Sa më sipër është në linjë me qëndrime të mëparshme të situatave paszgjedhore nga establishmenti politik, duke mos mundësuar aspak një proces real dialogu e reformimi efektiv në interes të qytetarëve e demokracisë në vend.
Në tërë këtë situatë tepër sfiduese për demokracinë, ligjin e shtetin e së drejtës, ku mungesa e legjitimitetit dhe moralitetit diktojnë tërë sjelljen e pushteteve, KRIIK konsideron jetik angazhimin qytetar, kritik, vizionar e të paanshëm. Mes aktorëve që luajnë rol në garantimin e integritetit të zgjedhjeve, përfshi ata ndërkombëtarë të cilët vëzhgojnë dhe vlerësojnë përputhshmërinë e tij me kuadrin ligjor vendas dhe standardet ndërkombëtare, një rol thelbësor mund dhe duhet të luajnë aktorët e grupimet qytetare jo-politike dhe jo-partizane.
Vlerësimi i procesit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale në të gjithë komponentët e vet nga ana e shoqërisë civile vendase, ashtu si dhe pasqyrimi i tij në mënyrë të paanshme dhe me vërtetësi nga media, është thelbësor qoftë për garantimin e integritetit, siç u përmend më sipër, por edhe për rritjen e besimit të publikut në këtë proces, nën supozimin se procesi i përmbush kushtet.
Përtej vlerësimit të procesit, roli i shoqërisë civile mund dhe duhet të shtrihet edhe në kontributin për ta përmirësuar atë, qoftë ndërkohë që procesi është duke u zhvilluar, qoftë pasi ai të jetë përmbyllur. Rekomandimet e shoqërisë civile, në këtë frymë lipset të jenë të mirëmenduara, të mirëargumentuara dhe të bazuara në problematikat e vërejtura, duke adresuar ato në mënyrë specifike. Paraqitja e gjetjeve të përgjithshme, të cilat nuk bazohen në raste specifike, dhe analiza e tyre dhe më një gjuhë statike dhe klishe; vlerësimet e pabazuara në kritere të qarta të vlerësimit (specifikisht në kuadrin ligjor vendas apo standardet e pranuara ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, të cilat janë kriteret për të vlerësuar integritetin e zgjedhjeve); apo mosevidentimi i problematikave madhore, me një qasje vizionare të efekteve negative që këto sjellin, dhe fokusimi në raste të shkëputura nga konteksti dhe problematika të dorës së dytë, sjellin pashmangshmërisht rekomandime të shkëputura nga realiteti që nuk adresojnë problematikat reale, apo që nuk i adresojnë ato në thelbin e vet.
- Në këtë situatë të zymtë, deri alarmante, për cilësinë e demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, kur politizimi ka kapur thuajse çdo qelizë të shoqërisë, në kufijtë e kapjes së shtetit, reforma e pritshme zgjedhore (të cilën legjislatura aktuale e Kuvendit ka dështuar tërësisht t’a adresojë deri në këtë moment, në një mungesë të dukshme të vullnetit për të përmirësuar kuadrin ligjor për zgjedhjet) do të duhet të ndjekë një proces radikalisht të ndryshëm nga ato të mëparshmet, nëse do të duhet të prodhojë një reformim real të kuadrit ligjor, i cili adreson problematikën në thelb dhe jo simptomat e saj nëpërmjet ndërhyrjeve minore a të pjesshme.
- Përpos një adresimi më të plotë të problematikës së përdorimit të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, të tjera sfida madhore që reforma e pritshme do të duhet të adresojë janë e drejta e shqiptarëve me vendbanim jashtë vendit për të votuar pranë vendbanimit të vet; tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese[15] që janë ende për t’u adresuar, apo ngritja e një administrate zgjedhore totalisht të pavarur, në përputhje me aspiratat e Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
- Përpos sa më sipër, thelbësor është edhe adresimi i problematikave të mbartura në lidhje me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, problematikat me demokracinë e brendshme të partive politike, si dhe mundësimi në praktikë i referendumeve, ndërhyrje të cilat shkojnë përtej kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe implikojnë edhe akte të tjera ligjore[16].
- Në mënyrë që reforma të prodhojë një kuadër ligjor i cili synon të garantojë integritetin e zgjedhjeve, në të gjithë kuptimin që ky term mbart, KRIIK rithekson, në linjë me qëndrimin konsistente të mbajtur prej së paku vitit 2012, se ajo duhet të jetë një reformë:
- (1) e thelluar – të prekë të gjithë aspektet e procesit zgjedhor dhe të synojë e të garantojë integritetin e zgjedhjeve, në vend që të fokusohet veç në disa elementë problematikë, duke mbetur sërish një seri amendimesh që u mungon vizioni;
- (2) transparente – çdo diskutim në tryezën e rekomandimeve të jetë plotësisht transparent për të gjithë aktorët e interesuar dhe publikun e gjerë, dhe jo të bazohet procesi i reformimit në marrëveshje të ngushta politike mes aktorëve kryesorë politikë; si dhe
- (3) gjithëpërfshirëse – të gjithë aktorët me interes dhe që mund të kontribuojnë, së pari aktorët politikë si dhe ata jo-politikë, qofshin ata vendorë a ndërkombëtarë, të bëhen pjesë e konsultimeve publike dhe kontributi i tyre të merret në konsideratë e shqyrtohet me seriozitet.
- Një rol thelbësor e aktiv, në gjykimin e KRIIK, është i nevojshëm të luhet prej aktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht prej partnerëve strategjikë të vendit në rrugëtimin drejt vlerave të demokracisë euro-atlantike, të cilët të mund të ofrojnë sa ekspertizën e nevojshme, aq edhe nxitjen e mbështetjen politike për aktorët vendorë, si dhe garancitë se procesi reformues do të përmbushë kriteret sa më sipër, sërish në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave e kërkesave të Dokumentit të Kopenhagës.
- Kuvendi i Shqipërisë dhe aktorët politikë parlamentarë të gjejnë dhe zhvillojnë rrugën e dialogut politik, duke i kthyer funksionimin normal e demokratik parlamentit, përditësuar Vendimin e tij për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore duke e funksionalizuar e plotësuar atë me objektiva të arritshëm të nevojshme për zgjedhjet parlamentare të 2025, e të tjerë të nevojshëm për tu ndjekur e adresuar në vazhdim, në funksion të një reforme të plotë e të thelluar sikurse sa më sipër cituar.
Në përmbyllje, KRIIK u bën thirrje të gjithë aktorëve të tjerë që mund të kontribuojnë në reformimin e kuadrit ligjor, qoftë ata ndërkombëtarë, qoftë ata vendas, përfshi organizatat e shoqërisë civile, mediat, përfaqësues të botës akademike, etj., të mbajnë qëndrim kritik e konstruktiv duke kërkuar një proces dialogu gjithëpërfshirës, si dhe të përfshihen aktivisht në procesin e konsultimeve dhe ofrimit të rekomandimeve për reformimin e kuadrit ligjor që rregullon dhe garanton integritetin e zgjedhjeve në vend.
Tiranë, më 5 Shkurt 2024!
[1] – Bashkëkryetari i Komisionit z. Damian Gjiknuri: “… Siç edhe jeni njoftuar, me rifillimin e punës kemi diskutuar dhe për kalendarin e punimeve, kalendar që përfshin të gjitha pikat që adresojnë rekomandimet e ODIHR-it. Temat janë gjithëpërfshirëse, por njëkohësisht lënë hapësirë për çdo lloj bashkëpunimi apo çdo lloj propozimi që mund të vijë nga çdo drejtim përsa i përket temave të rreshtuara aty. …”, minuta (2:03 – 2:27) e video-regjistrimit të seancës së Mbledhjes së datës 26.01.2024 të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
– Bashkëkryetari i Komisionit z. Enkelejd Alibeaj: “… Po ne kemi rënë dakord dhe i kemi propozuar të gjithë anëtarëve të komisionit edhe për një kalendar, një kalendar pune, i cili mban parasysh edhe segmentin kohor të kohëvazhdimit të Komisionit të Reformës. …”, minuta (10:48 – 11:03) e video-regjistrimit të seancës së Mbledhjes së datës 26.01.2024 të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
[2] Ish-deputja znj. Grida Duma vazhdon të jetë anëtare e Komisionit, ndërkohë që e ka lënë mandatin që në nëntor 2022.
[3] Vendimi nr. 12/202, datë 10.02.2022 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore” – “ II. Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse. “
[4] ODIHR vlerëson angazhimin e ripërtërirë për reformën zgjedhore në Shqipëri
“… I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat e kryera të rezultojnë me përmirësimin e procesit zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
Është e një rëndësie thelbësore që të vendosen objektiva praktike dhe realisht të arritshme që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Prioritetet kryesore përfshijnë parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, sigurimin e fshehtësisë së votës, mbrojtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore. …”, publikuar më datën 23.01.2024.
[5] Paragrafi 5.4. i Dokumentit të Kopenhagës u kërkon shteteve të angazhohen se do të ketë një “ndarje të qartë mes shtetit dhe partive politike; në veçanti partitë politike nuk do të shkrihen me shtetin”.
[6] Procesi i hetimit administrativ dhe vendimmarrjes lidhur me denoncimet për përdorimin e burimeve publike në fushatë, ishte i ngadaltë, veçanërisht në tre muajt e parë pasi mekanizmi hyri në fuqi. Mosreagimi i menjëhershëm i KQZ-së ndaj shkeljeve të denoncuara lejoi vijimin e tyre, duke shkelur synimin parësor të ligjit, parandalimin dhe zhbërjen e efektit negativ që mund të shkaktojë përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale mbi barazinë në garën zgjedhore dhe mbi vetë zgjedhësit.
[7] Në gjykimin e KRIIK, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe administrata e KQZ-së treguan një qasje shumë tolerante ndaj administratës publike dhe veçanërisht ndaj ofiqarëve të lartë, duke manifestuar gati ndrojtje në kërkimin e llogarisë ndaj tyre në lidhje me zbatimin e kuadrit rregullator ligjor për mospërdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për qëllime elektorale. Sa më sipër u evidentua edhe në Komisionin për Ankesa dhe Sanksione, në lidhje me ato raste që arritën të mbërrinin aty, duke konkluduar në një masë të konsiderueshme në një vendimmarrje të bazuar në një të lexuar të ngushtë të ligjit dhe anashkaluar qëllimin e vërtetë të kuadrit ligjor.
[8] Sillen në vëmendje më poshtë disa nga rastet ku protagonistë janë Kryeministri, Zv.Kryeministri, Ministrat si dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë:
– Denoncimi nr. 448 ID, i përcjellë nga KRIIK në KQZ në datën 18.05.2023, nëpërmjet raportit të 17-të të monitorimit, ku u denoncua një vizitë e kryetarit të Bashkisë Tiranë (njëkohësisht kandidat), i shoqëruar nga drejtuesi politik i PS për Njësinë nr. 14 Bashkia Tiranë z. Plarent Ndreca, në një çerdhe të ndërtuar rishtaz në këtë zonë. Ky aktivitet në gjykimin e KRIIK bazuar në provat e përcjella në KQZ ishte një aktivitet i pa raportuar dhe që përbënte qartë përdorim të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale. Nëpërmjet Vendimit nr. 741 datë 28.03.2023, KSHZ pushoi hetimin administrativ me arsyetimin se fondet e përdorura për ndërtimin e çerdhes nuk ishin të vëna në dispozicion rishtaz, punonjësit e çerdhes (edukatore dhe fëmijët gjithashtu) nuk ishin të detyruar të bëheshin pjesë, kryetari i bashkisë ka qenë në përmbushje të detyrave të tij funksionale dhe për rrjedhim s’ka detyrim raportimi, etj.
– Denoncimi nr. 348 ID, i përcjellë nga KRIIK në KQZ në datën 24.04.2023, nëpërmjet raportit të 14-të të monitorimit, ku u denoncua fjalimi me përmbajtje të qartë elektorale i Kryetarit të Bashkisë Tiranë (njëkohësisht kandidat) në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë Tiranë të datës 19.04.2023, duke përdorur pozicionin e tij dhe institucionin në funksion të fushatës elektorale. Nëpërmjet vendimit 799 datë 10.10.2023, KSHZ pushoi hetimin administrativ me arsyetimin se anëtarët e këshillit bashkiak janë përfaqësues të partive politike, dhe nuk u ndalohet e drejta për të shprehur mendime me karakter politik.
– Denoncimi nr. 403 ID, i përcjellë nga KRIIK në KQZ në datën 8.05.2023, nëpërmjet raportit të 16-të të monitorimit, ku u denoncua një takim i Kryeministrit z. Edi Rama, zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, njëkohësisht Drejtuese Politike e Qarkut të Dibrës e Partisë Socialiste zj. Belinda Balluku dhe Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zj. Ogerta Manastirliu, me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit. Aktiviteti përpos se i pa raportuar, bazuar në provat e përcjella në KQZ ishte një aktivitet që përbënte qartë përdorim të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale. Nëpërmjet Vendimit nr. 740 datë 28.08.2023, KSHZ vendosi moskonstatimin e shkeljes dhe pushimin e hetimit administrativ me arsyestimin se institucioni përgjegjës për raportimin, Ministria e Shëndetësisë ka patur probleme me aksesimin e ndërfaqes, ndërsa aktiviteti ka qenë tërësisht institucional pavarësisht prezencës në të të drejtueses politike të qarkut, znj. Balluku.
[9] Denoncime të pa shqyrtuara ende nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:
– Denoncimi nr. 10 i KRIIK, regjistruar me nr. 446 ID në KQZ, i përcjellë nga KRIIK në KQZ në datën 11.05.2023, ku u denoncua organizimi dhe zhvillimi i koncerteve përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale nga subjektet politike: Partia Socialiste, Koalicioni Bashkë Fitojmë, si dhe kandidatët e tyre për Kryetar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj dhe z. Belind Këlliçi.
– Denoncimi nr. 447 ID, i përcjellë nga KRIIK në KQZ në datën 18.05.2023, nëpërmjet raportit të 17-të të monitorimit, ku u denoncua thyerja e heshtjes zgjedhore nga ana e disa subjekteve zgjedhore nëpërmjet postimeve me pagesë aktive në rrjetet sociale gjatë ditës së zgjedhjeve, si dhe të deklaratave publike të tyre të transmetuara në Media Televizive gjatë ditës së zgjedhjeve.
– Denoncimi nr. 12 i KRIIK, i përcjellë në KQZ në datën 22.07.2023, ku u denoncua thyerja e heshtjes zgjedhore nëpërmjet transmetimit në media të aktiviteteve elektorale të Partisë Socialiste në Bashkinë Rrogozhinë.
[10] Vendimi nr. 234 datë 20.04.2023 i Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2023”.
[11] “… Në kushtet e pamjaftueshmërisë së kuadrit ligjor aktual për të parandaluar plotësisht keqpërdorimin e administratës për avantazh elektoral, si dhe të nevojës emergjente për shprehjen e një vullneti politik të qartë në zhbërjen e praktikave negative të mëparshme, KRIIK i bën thirrje Kryeministrit të Shqipërisë Sh.T.Z. Edi Rama, njëkohësisht lider i maxhorancës dhe Kryetar i Partisë Socialiste që, në linjë me praktikat e mëparshme , të nxisë dhe miratojë një Vendim të Këshillit të Ministrave i cili të plotësojë elementët e munguar të kuadrit ligjor rregullator aktual dhe të parashikojë ndërmarrjen e hapave konkretë për parandalimin plotësisht të këtij fenomeni, duke përfshirë ndër të tjera edhe kufizimin e nxjerrjes së akteve nënligjore që mund të perceptohen se përdoren për qëllime elektorale për periudhën deri në ditën e zgjedhjeve. …”, fq. 6, e Qëndrimit Publik të KRIIK “Mos shpërdorimi i burimeve shtetërore si dhe sjellja korrekte dhe e paanshme e nëpunësit të administratës publike, thelbësorë për sigurimin e vullnetit të pacënuar të qytetarit në ushtrimin e së drejtës së votës”, datë 16.01.2023.
[12] Raporti Përfundimtar i Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, në Përmbledhjen Ekzekutive të tij, paragrafi i dytë në faqen nr. 3, i referohet Deklaratës së Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake të tij: “Rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe akuzat për blerje votash ishin shqetësuese.”
[13] “… Sipas Kodit Zgjedhor, autoritetet nuk mund të propozojnë apo miratojnë vendime që ofrojnë përfitime sociale për popullatën brenda katër muajve para ditës së zgjedhjeve dhe deri në formimin e qeverisë së re. Megjithatë, Komisioneri deklaroi publikisht se dispozita përkatëse ishte e zbatueshme vetëm për zgjedhjet parlamentare.
Një interpretim kaq i ngushtë dhe formalist, që pasqyron fjalët dhe jo frymën e ligjit, nuk garanton garë të barabartë. Si rezultat, ekzekutivi mori vendime të shumta për t’i ofruar popullatës përfitime sociale, gjë që u pa nga disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it si një keqpërdorim i burimeve administrative. Përveç vendimit të 31 marsit për dhënien e një bonusi prej 5,000 lekësh (rreth 44 euro) pensionistëve, qeveria mori mbi dhjetë vendime në prill për të rritur pagat e kategorive të ndryshme të nëpunësve publikë, si mësuesit apo zjarrfikësit.
Gjithashtu, z. Rama në disa raste e kushtëzoi mbështetjen e ardhshme të qeverisë për bashkitë me rezultatet e zgjedhjeve. Më 2 maj, PDKR-ja i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK), duke i konsideruar këto deklarata si kërcënime dhe duke kërkuar hetim penal për deklarata të tilla të bëra nga z. Rama gjatë gjithë fushatës. MVZ-ja e ODIHR-it vëzhgoi një model të përsëritur në të gjitha qarqet ku autoritetet vendore angazhoheshin në aktivitete të gjera si riparimet e infrastrukturës vendore, shpërndarja e ushqimeve ose ofertat e punësimit afatshkurtër, duke përfshirë edhe për komunitetet e pakicave kombëtare.
Përveç z. Rama, në fushatën e PS-së morën pjesë dukshëm të gjithë ministrat e qeverisë, nga një ministër për qark. Ministrat nuk kandidonin në këto zgjedhje, përveç njërit prej tyre. Shpesh nuk bëhej një dallim i qartë midis aktiviteteve të tyre zyrtare dhe aktiviteteve për fushatë. Disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR shprehën shqetësimin se KQZ-ja nuk reagoi menjëherë ndaj aktiviteteve të tilla, gjë që e përforcoi më tej avantazhin e PS-së gjatë fushatës.
Megjithëse KQZ-ja vendosi sanksione ndaj administratave vendore për keqpërdorim të burimeve administrative për qëllime fushate, sanksionet nuk u zbatuan në nivelin qendror të qeverisë.
Dispozitat ligjore në lidhje me fushatën, duke përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, duhet të rishikohen për të hequr paqartësitë dhe për të garantuar një garë të barabartë. Autoritetet, duke përfshirë administratën zgjedhore dhe organet e zbatimit të ligjit, duhet t’i trajtojnë të gjithë garuesit në zgjedhje në mënyrë të barabartë.
MVZ-ja e ODIHR-it mori një sërë raportimesh të besueshme në lidhje me rastet kur punonjësve të bashkisë iu tha të mbështesnin ose të votonin për PS-në ose kur ishin paralajmëruar të mos e mbështesnin opozitën.
Më 24 mars, PDKR-ja i kërkoi SPAK-ut të niste një hetim penal në lidhje me shpërndarjen dhe përdorimin e aplikacionit ‘Aktiv1st’ të prezantuar nga PS-ja në vitin 2022. PDKR-ja pretendoi se aplikacioni ishte përdorur brenda administratës publike të kontrolluar nga PSja për të garantuar që nëpunësit publikë vartës të mbështesin aktivitetet e PS-së, drejtuesve të saj dhe zyrtarëve të lidhur me partinë në rrjetet sociale. PS-ja i mohoi publikisht këto pretendime. Bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it konfirmuan në raste të ndryshme se aplikacioni ishte në përdorim nëpër bashki dhe u perceptua si një mjet për të ngritur dhe promovuar profilin e PS-së në rrjetet sociale, shpesh me udhëzime nga eprorët përkatës të lidhur me PS-në.
Organet e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore, duke përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative, në mënyrë tërësore, në kohë dhe në mënyrë transparente. Zgjedhësit duhet të informohen sistematikisht për mekanizmat e zbatueshme për denoncimin e shkeljeve, duke përfshirë mbrojtjen e denoncuesve dhe masat mbrojtëse ndaj pasojave. …”. Faqe 16-17 e Raportit Përfundimtar të Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Vendore të 14 majit 2023.
[14] Shih Rekomandimin e KRIIK për KQZ, “Lidhur me ndërveprimin në mënyrë urgjente midis Organeve Drejtuese të KQZ-së për ndalimin e mëtejshëm të shpërdorimit të burimeve shtetërore nëpërmjet amendimit në mënyrë urgjente të Vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator”, publikuar më 26 prill 2023.
[15] – Vendimi nr. 28 datë 30.06.2021 (V-28/21) i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur “Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor…”, pikë e cila e kushtëzon rirenditjen e kandidatëve sipas votave parapëlqyese të marra me arritjen e një pragu.
– Vendimi nr. 31, datë 4.10.2021 i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur “Shfuqizimin, si të papajtueshme me Kushtetutën, të fjalisë së dytë të pikës 1 të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike ose nga koalicion partish politike”.
– Vendimi nr. 38 datë 09.12.2022 (V-38/22) i Gjykatës Kushtetuese konstatoi cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor dhe e detyron Kuvendin e Shqipërisë për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti (9 dhjetor 2023).
[16] Si Ligji për Partitë Politike apo një ligj i posaçëm për Referendumet.