Shkarko Qendrimin Publik ne pdf
Me bindjen se zgjedhjet janë guri i themelit të një shoqërie ku mbizotëron demokracia, të drejtat e njeriut dhe zbatimi i ligjit, dhe se mangësitë gjatë procesit zgjedhor do të shpien në mangësi tek të tre këta elementë thelbësorë të shtetit të së drejtës në çdo shoqëri, KRIIK ka ndjekur dhe ndjek në vazhdimësi thuajse të tërë proceset institucionalë, ligjorë e politikë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekt me integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Kjo përfshin, në veçanti, ciklin mes periudhave zgjedhore, i cili është po aq i rëndësishëm pasi përcakton sfondin dhe kontekstin përkundër të cilit zgjedhjet do të mbahen, si edhe sjelljen dhe respektimin në tërësi ndaj kuadrit rregullator ligjor për zgjedhjet.
KRIIK ndoqi me kujdes procesin e dështuar të radhës që synoi të reformonte kuadrin ligjor për zgjedhjet, duke konstatuar se procesi reformues ishte sërish opak, u zvarrit qëllimisht dhe nuk konkludoi në asnjë amendim, si pasojë e bllokimit politik, pavarësisht vlefshmërisë ende të këtij Komisioni Parlamentar të ngritur.
Ky mosangazhim serioz për të kryer një reformë të plotë, në gjykimin e KRIIK, vjen prej mungesës së vullnetit politik nga klasa politike për të hartuar një kuadër ligjor të plotë për zgjedhjet, por jo vetëm, që do të garantojë shprehjen e vullnetit të lirë e të pandikuar nga qytetarët shqiptarë, si dhe pjesëmarrjen e tyre domethënëse në procesin demokratik.
Opinionet dhe qëndrimet e KRIIK mbi këto zhvillime janë bërë në vazhdimësi publike nëpërmjet Deklaratave apo Qëndrimeve Publike, Letrave të Hapura, si dhe nëpërmjet opinioneve dhe sugjerimeve të dërguara ligjvënësve lidhur me reformën zgjedhore, si edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me aktet nënligjore në rregullim të procesit zgjedhor, apo edhe takimeve me aktorë politikë e institucionalë.
Procesin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, KRIIK ka nisur ta monitorojë në tërësi që prej momentit të shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, më 24 tetor 2022.
Vëzhgimi i procesit po zhvillohet vullnetarisht nga KRIIK nё shumicën e elementëve tё vet, në bashkëpunim me 31 organizata të njohura lokale partnere[1], një bashkëpunim i konsoliduar ky prej më shumë se një dekade.
Me mbështetjen financiare tё Programit tё Granteve tё Vogla të Komisionit për Demokraci pranë Ambasadёs sё SHBA nё Shqipëri, po vëzhgohen disa elementё tё financimit tё fushatës dhe parandalimit të përdorimit tё burimeve shtetërore pёr qëllime elektorale.
Bazuar në eksperiencën e vëzhgimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021 dhe të Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarë të 6 Bashkive në 2022, KRIIK e fokusoi angazhimin e vet gjatë procesit për Zgjedhjet Lokale të 14 majit 2023 në komunikimin institucional me institucionet që luajnë rol në procesin zgjedhor, me fokus të veçantë në institucionin kryesor, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kjo qasje është në linjë edhe me qëndrimin e KRIIK prej vitit 2012, për ndjekjen e plotë dhe në mënyrë të pandërprerë të të gjithë aktivitetit të KQZ-së dhe komunikimit të vazhdueshëm me të, jo vetëm gjatë periudhave zgjedhore, por gjatë gjithë kohës, me synim kryesor nxitjen dhe dhënien e një kontributi të vazhdueshëm për shëndoshjen dhe konsolidimin e praktikës dhe përvojës së këtij institucioni në mbulimin me përgjegjshmëri dhe paanshmëri të detyrave të shumta që Kodi Zgjedhor i ngarkon për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, konsiderohet prej KRIIK, si institucioni i pavarur kyç jo vetëm për legjitimitetin e plotë ligjor dhe të pa influencuar të organeve të zgjedhura të dala nga procesi zgjedhor, por edhe si institucioni i cili mund të zhbëjë vatrën e pandëshkueshmërisë dhe të zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë ndaj partive politike dhe eksponentëve politikë me pushtet shtetëror, apo kandidatë për ta marrë dhe ushtruar këtë të fundit.
Ushtrimi i përgjegjësive dhe kompetencave të dhëna nga ligji më përgjegjshmëri dhe paanësi të plotë, duke zhbërë influencat e forta politike që ushtrohen e shtrihen nga trupat drejtuese e deri në nivelet e ulëta të administratës së tij, do ta legjitimojnë dhe shndërrojnë KQZ-në në një institucion vërtet të pavarur dhe të pa kontestuar në vendimmarrjen e tij, i cili do të afektojë dhe nxisë më pas, këtë klimë dhe sjellje ligjore në institucionet e tjera të pavaruara, e madje edhe në tërë administratën publike.
Duke besuar fort në këtë qasje, si dhe nisur nga burimet e kufizuara në dispozicion, KRIIK ndërtoi një metodologji operimi të ngushtë me KQZ-në duke u fokusuar:
së pari, në rekomandime konkrete të dala nga përvoja shumëvjeçare e vëzhgimit të pandërprerë për përmirësimin e kuadrit rregullator aktual prej KQZ-së bazuar në kuadrin ligjor në fuqi; dhe
së dyti, në nxitjen, fuqizimin dhe konsolidimin e mekanizmave të brendshëm institucionalë të KQZ-së që adresojnë drejtpërdrejtë kontrollin dhe ligjshmërinë e sjelljes prej partive politike, kandidatëve të tyre, si dhe institucioneve shtetërore, qendrorë apo lokale, të administruara politikisht dhe totalisht prej maxhorancës aktuale.
Konkretisht, KRIIK u fokusua në fuqizimin e mekanizmave më sfidues, por njëkohësisht edhe shumë domethënës për prevalimin e zbatimit të ligjit, sikurse është ai për parandalimin e shpërdorimit të burimeve shtetërore si dhe të bërjes transparencë, verifikuar e kontrolluar financimet e përdorura.
Ndryshe nga praktikat e mëparshme, nisur nga konteksti politik dhe efektiviteti i qasjes konstruktive të aksionit të monitorimit, KRIIK ka publikuar gjerësisht përgjatë periudhës parazgjedhore tri Qëndrime Publike të konsideruara më të rëndësishmet në lidhje me procesin zgjedhor, ndërkohë që tërë komunikimin intensiv institucional dhe të punuarit ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për adresimin e problematikave të lindura[2] i ka bërë publike në faqen vet të internetit.
Gjithashtu, po në faqen e internetit të KRIIK janë bërë publike në formë grafike e tabelare të dhëna të përditësuara përgjatë procesit mbi:
- ecurinë e raportimit të institucioneve shtetërore në KQZ mbi veprimtaritë publike të kryera prej tyre[3];
- financimet e reklamës politike në platformën “Meta” (Facebook e Instagram) prej aktorëve politikë[4]; si dhe
- pasqyrimin mediatik në mediat audio-vizive të subjekteve zgjedhore[5] dhe eksponentëve politikë përgjatë periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore[6].
Ndërkohë që vetëm gjashtë ditë na ndajnë nga dita kur qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët dhe njerëzit që do të ulen në këshillat e rinj bashkiakë, KRIIK evidenton se sërish, edhe në këtë proces zgjedhor, përgjatë gjithë periudhës parazgjedhore shteti shqiptar dhe klasa politike vendimmarrëse nuk arritën të organizojnë një proces zgjedhor, i cili të jetë i ndërtuar për qytetarët dhe rreth interesave të qytetarëve, duke dështuar të garantojnë që këta të fundit të mund të zgjedhin në 14 maj në mënyrë të lirë e të pandikuar.
Në tërë këtë situatë, me anë të këtij Qëndrimi Publik[7], KRIIK u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë dhe që luajnë një rol në procesin zgjedhor të kthejnë vëmendjen e tyre drejt qytetarëve, me synimin për të minimizuar sadopak ndikimin e paduhur mbi vullnetin e tyre dhe lejuar ata që të zgjedhin të lirë dhe të pandikuar në asnjë formë në 14 maj përfaqësuesit e tyre vendorë.
Në vijim të këtij Qëndrimi Publik, KRIIK u bën thirrje aktorëve të përfshirë, sipas grupimeve të tyre të renditura në vijim, për të marrë në konsideratë rekomandime dhe hapa konkretë që mund të ndërmerren në ditët që na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, për të përmirësuar dhe garantuar sa më shumë standardet e shumëkërkuara.
I. PËR ADMINISTRATËN ZGJEDHORE
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të garantojë përmbushjen e frymës dhe gërmës së ligjit përsa i përket elementëve të mbetur të procesit zgjedhor, në veçanti përsa i përket ditës së zgjedhjeve dhe numërimit të votave, procesit të ankesave dhe apelimeve, garantimit të barazisë në garë gjatë ditëve të mbetura deri në ditën e zgjedhjeve, nëpërmjet ndalimit të përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, mbulimit mediatik[8] dhe reklamave elektorale.
- KQZ-ja duhet të përdorë ditët e mbetura në dispozicion për të vendosur sanksione për shkelje të kuadrit ligjor aktual për përdorimin e burimeve shtetërore për avantazh elektoral të cilat ende nuk janë trajtuar, duke vendosur sanksione jo vetëm për nëpunës të nivelit të mesëm apo të ulët, por duke u fokusuar në përdorimin e ofiqit dhe të autoritetit shtetëror nga zyrtarë të lartë të shtetit.
Veçanërisht, konsiderohet me shumë vend sanksionimi i Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste”, si forca politike që ka përfituar drejtpërdrejtë në tërë rastet e përdorimit të burimeve shtetërore të trajtuara prej KQZ-së.
Pavarësisht efektit minimal që kjo mund të ketë në parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në ditët në vijim, KRIIK gjykon se kjo sjellje prej KQZ-së do të japë mesazhin e rëndësishëm se askush nuk është mbi ligjin.
Nga ana tjetër do të formësojë një perceptim korrekt në publik lidhur me atë se çfarë përbën përdorim të burimeve shtetërore për avantazh elektoral, duke vendosur precedentë pozitivë për zgjedhjet e ardhshme në vazhdim.
- KAS është e rëndësishme të sillet dhe veprojë në përputhje të plotë me frymën dhe gërmën e ligjit, duke ruajtur shenjtërinë e rregullimit ligjor të dakordësuar në Kuvend, si dhe shmangur njëanshmërinë politike të vërejtur në vendimmarrjen e deritanishme.
Një qasje e tillë është jetike për ligjshmërinë dhe drejtësinë e procesit në vazhdim, e veçanërisht për procesin e drejtësisë zgjedhore, si faza e fundit e procesit zgjedhor.
- Në mënyrë që zgjedhësit të marrin informacion të balancuar në lidhje me subjektet zgjedhore, KQZ, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policitë Bashkiake duhet të marrin masat e nevojshme për të identifikuar dhe hequr të gjithë materialet propagandistike statike që janë vendosur në kundërshtim me ligjin në të gjithë territorin e vendit, përfshi ato që nuk përmbajnë mbishkrimet e kërkuara nga ligji, dhe veçanërisht ato që janë vendosur në vende që nuk përcaktohen specifikisht në vendimet e kryetarëve të bashkive.
Vendimmarrja e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe urdhri i tij aktual për heqjen e materialeve propagandistike në shkelje të ligjit, duhet që në mënyrë pro-aktive të shtrihet në tërë territorin e vendit, dhe jo vetëm në ato vende që janë subjekt i denoncimeve të bëra.
KSHZ duhet të përdorë në mënyrë efikase monitoruesit e fushatës zgjedhore për të bërë efetive kontrollin e KQZ-së në këtë drejtim e për të ndalur paligjshmërinë në tërë territorin e vendit.
Është e domosdoshme që KQZ-ja, veçanërisht administrata dhe KSHZ, të trajtojë tërë elementët e denoncuar prej KRIIK, e krijuar praktikë vendimmarrëse mbi to, duke shmangur me çdo kusht krijimin e precedentit negativ të prevalimit të një marrëdhënie private, konkretisht asaj midis subjekteve zgjedhore dhe kompanisë private të administrimit të citylight-eve, mbi rregullimin ligjor të Kodit Zgjedhor, i cili disiplinon në mënyrë të qartë e shterues përdorimin e materialeve propagandistike prej subjekteve zgjedhore përgjatë fushatës zgjedhore.
Mosveprimi apo lejimi i një qasje të tillë, është një precedent i rrezikshëm i cili zhbën tërë rregullimin ligjor, produkt i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes Politike të 2020-ës, ndërkohë që hap rrugën për abuzimin e pafre në zgjedhjet e mëpasshme prej subjekteve zgjedhore me mundësi financiare të konsiderueshme, apo edhe do të legjitimojë abuzimin e të të bërit fushatë nga palë të treta.
- KQZ-ja duhet të marrë masat që të plotësojë vakancat që mund të mbeten në komisionet zgjedhore të nivelit të tretë me individë të caktuar kryesisht, duke siguruar që procesi zgjedhor nuk do të bllokohet, por duke garantuar gjithashtu se këta të fundit janë pa lidhje politike me subjektet zgjedhore në garë dhe bërë ç’është e mundur për të siguruar dhe parandaluar disbalancën politike në komisionet zgjedhore[9].
- KQZ-ja duhet të marrë masa për t’iu kujtuar në mënyrë të përsëritur anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit, si dhe vëzhguesve politikë, se është e ndaluar marrja shënim dhe transmetimi i informacioneve tek subjektet përkatëse politike se cili qytetar hyn dhe voton në qendrën e votimit, ndryshe nga praktika negative dhe e paligjshme e tërë proceseve të mëparshme zgjedhore.
- KQZ-ja duhet t’iu kujtojë dhe sigurojë tërë anëtarët e komisioneve zgjedhore se do të zbatojë pas asnjë ekuivok sanksionimin e shkeljes së ligjit prej tyre, qoftë nëse ai denoncohet përgjatë zhvillimit të procesit zgjedhor, qoftë nëse ai konstatohet gjatë procesit të auditit post-zgjedhor, pas zgjedhjeve.
- KQZ-ja të marrë masa për t’u ofruar tërë subjekteve zgjedhore e kandidatëve, në kohën më të shpejtë të mundshme, regjistrimet video nga qendrat e votimit apo nga tavolinat e numërimit në Vendet e Numërimit të Votave, për efekt të transparencës, kontrollit apo edhe të procesit ankimues të mundshëm prej tyre.
- Komisioni Rregullator duhet të reflektojë dhe tregojë përgjegjshmëri dhe dakordësi profesionale të udhëhequr vetëm nga ligji, duke tejkaluar çdo anësi politike, duke marrë një qëndrim pro-aktiv për përmirësimin e kuadrit rregullator ligjor.
Konsiderohet domosdoshmëri marrja në shqyrtim dhe përmirësimi i kuadrit rregullator mbi raportimin financiar të subjekteve dhe kandidatëve për zgjedhjet vendore, nisur nga sugjerimet dhe rekomandimet specifike të dërguara nga aktorë të tretë, me synim efektivitetin e verifikimit dhe kontrollit të financimit të fushatës zgjedhore.
- KQZ-ja të përfshijë dhe citojë në mënyrë eksplicite në kategorinë e subjekteve zgjedhore që kanë detyrimin të plotësojnë dhe dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve raportin financiar për zgjedhjet e 14 majit nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF) edhe kandidatët e listave shumemërore për anëtarë të këshillave bashkiakë.
Argumentimi dhe qasja e KQZ-së mbi vështirësitë objektive të përmbushjes së detyrimit nga rreth 23,000 kandidatë këshillash vendorë nuk duhet të cënojë parimin e barazisë përpara ligjit, duke pamundësuar nga ana tjetër efikasitetin e mekanizmit të verifikimit dhe kontrollit të financimeve prej KQZ-së pas zgjedhjeve.
- Administrata zgjedhore duhet të marrë masat e nevojshme që të gjithë zgjedhësit të kenë mundësi të votojnë në mënyrë të pavarur ditën e zgjedhjeve, pavarësisht aftësive të tyre fizike apo intelektuale specifike, duke mundësuar infrastrukturën e nevojshme për zgjedhësit me nevoja të veçanta (të tilla si format Braille, rampat, apo të tjera lehtësi infrastrukturore).
- KQZ-ja dhe Monitoruesit e Fushatës të angazhuar prej saj duhet të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj thyerjes së heshtjes zgjedhore, nëpërmjet çdo mediumi, duke marrë masa paraprakisht për të denoncuar në mënyrë të menjëhershme dhe ndaluar me efikasitet çdo element të thyerjes së saj prej kujtdo subjekti zgjedhor, kandidati apo media online, ose jo.
KQZ-ja duhet që t’u tërheqë vëmendjen subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve se thyerja e heshtjes zgjedhore ka të bëjë edhe me deklarata potenciale në rrjetet sociale apo reklama të postuara në mediat apo platformat online, përfshi rrjetet sociale, duke i siguruar se do të jetë e gatshme për të sanksionuar në mënyrë të menjëhershme, përfshi gjatë ditës së zgjedhjeve, çdo sinjalizim të ardhur për thyerje të heshtjes zgjedhore.
Në këtë kontekst nxitet KSHZ të miratojë sa më parë një urdhër specifik, thyerja e të cilit përgjatë periudhës së heshtjes zgjedhore të sjellë sanksionimin e menjëhershëm të shkelësit, si dhe ndalimin e menjëhershëm të shkeljes.
II. PËR SUBJEKTET ZGJEDHORE DHE KANDIDATËT
- Drejtuesit e Partive Politike në nivel qendror duhet të tërhiqen nga fushata aktive në ditët e mbetura, duke u lënë hapësirën e nevojshme kandidatëve lokalë të shpalosin programet e veta.
Një hapësirë e veçantë i duhet lënë kandidatëve për anëtarë të këshillave vendorë, apo parlamenteve lokalë, e veçanërisht kandidateve gra.
- Kandidatët për kryetarë bashkie duhet të shpalosin programe të detajuara dhe të bazuara në hapa konkretë për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve përkatëse, duke shmangur gjuhën konfliktuale dhe sulmet personale ndaj kandidatëve kundërshtarë.
- Partitë politike dhe kandidatët duhet të evitojnë gjuhën denigruese dhe sulmet personale, duke e fokusuar fushatën në alternativat zhvillimore programatike që propozojnë, si dhe tek qytetarët.
Paraqitet e nevojshme që të bëhen me dije elementë konkretë të programeve mbi shtresat në nevojë, komunitetet etno-kulturore, kategoritë vulnerabël të shoqërisë, çështje konkrete që lidhen me sigurinë vendore të qytetarëve, etj.
- Subjektet zgjedhore duhet të marrin masat e nevojshme që të plotësojnë vakancat në komisionet e nivelit të tretë sa më shpejt, pavarësisht se janë në tejkalim të afatit ligjor[10].
- Çdo kandidat i regjistruar në këto zgjedhje, pavarësisht se garon në siglën e ndonjë partie politike apo si i pavarur, kandidat për kryetar bashkie apo për këshillin bashkiak, do të duhet të angazhohet dhe të raportojë në mënyrë të plotë dhe të saktë të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor.
- Partitë politike dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhje duhet të garantojnë që të gjithë kandidatët e vet do të raportojnë me përgjegjshmëri maksimale të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e kryera.
- KRIIK nxit të tërë subjektet zgjedhore, që nën thirrjen e bërë edhe në zgjedhjet e mëparshmë, të bëjnë transparencë paraprakisht përpara qytetarëve, përpara ditës së zgjedhjeve, duke publikuar dhe deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet e bëra përgjatë kësaj fushate elektorale, si shenjë përgjegjshmërie dhe respekti ndaj qytetarëve dhe nevojës së tyre për informim objektiv mbi burimet financiare të ofertës elektorale që përfaqësojnë.
- Subjektet zgjedhore duhet të tregojnë dhe konkretizojnë në këtë fushatë zgjedhore vendore vullnetin e shprehur në vazhdimësi për një shoqëri të barabartë, duke bërë publike pjesë konkrete të programeve të tyre mbi elementë specifikë dhe të arritshëm për fuqizimin e grave, si dhe të shtresave vulnerabël të shoqërisë, përfshirë personat me aftësi ndryshe apo minoritetet.
III. PËR ZYRTARËT PUBLIKË DHE POLITIKË
- Drejtuesit e pushtetit ekzekutiv në nivel qendror dhe drejtuesit politikë të maxhorancës duhet të evitojnë intimidimin e qytetarëve dhe drejtimin e votës nëpërmjet kërcënimeve, të hapura apo të nënkuptuara, për mungesë mbështetjeje projektesh dhe buxheti për qytetarët e bashkive që do të zgjedhin të votojnë kandidatë të ndryshëm nga ata maxhorancës.
- Ofiqarët publikë të nivelit të lartë (veçanërisht ministra e të tjerë zyrtarë të lartë në nivel qendror) të ndalojnë përdorimin e ofiqit publik dhe të autoritetit shtetëror, të tyre zyrtar apo të institucionit që ata drejtojnë, për avantazh elektoral.
- Kandidatët aktualë për kryebashkiakë dhe drejtuesit e institucioneve publike, në të gjitha nivelet, duhet të ndalojnë përdorimin e administratës publike për fushatën zgjedhore dhe intimidimin e tyre për angazhim në fushatë, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të bërë like apo share postimet e titullarëve e drejtuesve politikë, apo orientuar votën e tyre, të familjarëve apo të njohurve të tyre.
- Ministrat dhe drejtues të tjerë të lartë publikë duhet të ndalojnë fushatën e propagandimit të politikave me karakter publik, të promovimit të investimeve apo masave favorizuese në dobi të kategorive të ndryshme të popullatës, të inspektimeve dhe arritjeve të deritanishme, pasi tërë këto janë dhe mbeten aktivitete me natyrë të pastër elektorale[11], të cilat shfrytëzohen padrejtësisht për avantazh elektoral për shkak të postit dhe funksionit publik që kanë.
IV. PËR MEDIAN
- Të transmetojnë me vërtetësi e objektivitet tërë elementët e fushatës zgjedhore të kryer nga të gjithë subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre, duke ofruar me profesionalizëm e integritet një pasqyrim sa më të drejtë dhe në funksion të interesit të gjerë publik, duke i kushtuar vëmendje në veçanti kandidateve gra apo atyre që përfaqësojnë komunitete apo kategori të veçanta të popullsisë.
- Mediat duhet të nxisin e bëjnë presion pozitiv profesional ndaj kandidatëve për kryetarë bashkie në këto ditë të mbetura të fushatës, veçanërisht në bashkitë e mëdha të vendit, për të zhvilluar debate zgjedhore të përqëndruara në programe konkrete në interes të qytetarëve respektivë në bashkitë e vendit, si një domosdoshmëri për të bërë transparencë mbi ofertat elektorale dhe siguruar llogaridhënien ndaj angazhimeve publike të ndërmarra.
- Mediat të ndalojnë çdo transmetim që mund të perceptohet si propagandë elektorale gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore, përshirë mesazhet apo thirrjet për të votuar në ditën e zgjedhjeve nga politikanët.
- Mediat nxiten, në vijim të praktikës së ndjekur në proceset e meparshme zgjedhore, të jenë sa më shumë prezente në terren përgjatë gjithë kësaj jave, veçanërisht gjatë procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve, duke iu dhënë zë tërë shqetësimeve dhe denoncimeve të paraqitura nga qytetarët apo subjektetet zgjedhore.
V. PËR INSTITUCIONE TË TJERA QË LUAJNË ROL NË PROCES
- Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të kërkojë me përpikmëri zbatimin e mekanizmit për mbikëqyrjen e sjelljes së institucioneve publike pa ekuivok dhe të kërkojë nga të gjitha institucionet vijimin e raportimit sipas udhëzimit përkatës, duke marrë masa konkrete për çdo shkelje të vërejtur.
- Task Forca për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore, e ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave më datën 20 prill 2023, dhe e drejtuar nga Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Balluku, e cila është njëkohësisht Drejtuese Politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës, jo vetëm që nuk ka funksionuar asnjë ditë (përsa është bërë publike), por duhet së paku të japë shembullin e vet në mospërdorimin e burimeve publike për avantazh elektoral, duke ndaluar së pari fushatën në mbështetje të kandidatëve në Qarkun që Zv. Kryeministrja drejton, por edhe në zonat e tjera ku Ministrat anëtarë të kësaj strukture janë Drejtues Politikë.
- Policia e Shtetit dhe Policitë Bashkiake, veçanërisht kjo e dyta, duhet të marrin masa të menjëhershme për të identifikuar dhe hequr të gjithë materialet propagandistike statike që janë vendosur në kundërshtim me ligjin në të gjithë territorin e vendit, e sidomos ato që janë vendosur në vende që nuk citohen specifikisht në vendimet e kryetarëve të bashkive apo që ndodhen në afërsi të institucioneve publike, sikurse udhëzimi i KQZ-së parashikon.
- AMA t’i kushtojë vëmendje të veçantë sjelljes së medias në vazhdim të periudhës së mbetur të fushatës dhe të raportojë në KQZ çdo ditë duke përfshirë edhe propozimin e sanksioneve në mënyrë të përditshme për mediat që shkelin balancën në transmetim, me qëllimin për të garantuar që qytetarët të mund të marrin informacion të plotë dhe të balancuar mbi subjektet zgjedhore dhe kandidatët.
Sanksionimi i mediave pasi fushata zgjedhore të ketë përfunduar nuk garanton një mjedis të pandikuar për zgjedhësit dhe do të jetë jo efektive, jo vetëm për këtë proces, por edjhe për procesin e ardhsëhm zgjedhor, duke vazhduar e konsoliduar përvojën negative të ndjekur edhe proceset e mëparshme zgjedhore.
- Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të identifikuar dhe ndëshkuar në mënyrë të menjëhershme këdo që tenton të ndikojë në mënyrë të paligjshme vullnetin e zgjedhësve apo pengon lirinë e shprehjes së kandidatëve apo subjekteve zgjedhore, me një fokus të veçantë në denoncimet që vijnë për intimidim të zgjedhësve apo tentativa për blerje të votës.
Ato duhet të ndjekin në mënyrë proaktive të gjitha rastet e shkeljeve që përbëjnë vepra penale dhe që denoncohen nga qytetarët apo transmetohen nga mediat.
- Policia e Shtetit duhet të jetë tejet e vëmendshme dhe proaktive ditën e zgjedhjeve për të identifikuar dhe shpërndarë grumbullimet e personave në mjediset përreth qendrave të votimit, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe udhrin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ajo duhet të jetë tërë këto ditë mëse e pranishme në të tërë territorin e vendit, por me një qasje sa më profesionale duke mbetur e padukshme e patur në kontroll të plotë situatën.
VI. PËR QYTETARËT SHQIPTARË
- Qytetarët shqiptarë duhet të angazhohen në mënyrë aktive gjatë ditëve të mbetura për të verifikuar nëse e kanë emrin në listë dhe në cilën qendër votimi janë të përfshirë, dhe përdorin në mënyrë proaktive dhe sa më shpejt mekanizmat ligjorë në dispozicion (parashtrimin e një kërkese në gjykatë deri ditën e premte datë 12 maj , ora 24.00) për të mundësuar votimin ditën e zgjedhjeve.
Ky kontroll paraprak paraqitet tejet i rëndësishëm të kryhet në këto zgjedhje duke qenë se rreth 1.3 milionë votuesve u është ndryshuar qendra e votimit, si dhe nga fakti i ndryshimit të hartës gjyqësore që ka hyrë në fuqi më 1 maj, duke bërë që disa gjykata të mbyllen.
- KRIIK u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të denoncojnë në KQZ çdo intimidim apo cënim të vullnetit, si dhe çdo grumbullim individësh përreth qendrave të votimit, duke rikujtuar se të tilla grumbullime në asnjë rast nuk janë të justifikuara, përkundrazi janë të ndaluara nga ligji.
- Qytetarët duhet të denoncojnë në KQZ, nëpërmjet linjës telefonike apo kanaleve të sigurta të komunikimit të vëna në dispozicion, çdo vëzhgues politik apo anëtar të qendrave të votimit të cilët gjatë ditës së votimit, tentojnë të marrin shënim dhe njoftojnë subjektet politike për faktin e prezencës së tyre në QV apo të votimit prej tyre.
- Qytetarët duhet të jenë solidarë me njëri-tjetrin duke denoncuar çdo rast intimidimi, kërcënimi apo blerje të votës në kanalet e sigurta të komunikimit në KQZ, apo në grupet e gatshme të punonjësve të policisë dhe prokurorëve që do të jenë në terren, apo edhe në faqen zyrtare të internetit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
Tiranë, më 8 maj 2023!
[1] E Shkuara për të Ardhmen – Korçë; Epoka e Re – Fier; Forumi Civil Selenicë – Selenicë; Forumi i Gruas Elbasan – Elbasan; Gruaja Naftëtare në Fokusin e Zhvillimit – Kuçovë; Gruaja në Zhvillim – Korçë; Grupi Lokal i Veprimit Integrimi – Dibër; Lëvizja Rinore për Demokraci Pukë – Pukë; Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK) – Librazhd; Nisma e Luleve – Sarandë; Platforma Kombëtare për Gratë – Fier; Shoqata Qëndistaret – Korçë; Unë Gruaja – Pogradec; Qendra e Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale – Kukës; Qendra Këshillimore për Njerëzit me Aftësi të Kufizuar – Shkodër; Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile – Durrës; Hand to Hand Against Nation Apathy – Lezhë; Qendra Rinore e Vlorës – Vlorë; Shoqata Mbrojtja e të Drejtave të Gruas Fshatare dhe Qytetare – Berat; Shoqata Alpin – Tropojë; Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisor – Bulqizë; Shoqata për Gratë dhe Fëmijët – Tiranë; Shoqata Rreze Shprese – Vau Dejës; Shoqata Sebastia – Kurbin; Shoqata Dora Prindërore – Korçë; The Youth of Ura Vajgurore – Ura Vajgurore; Together for Roma Integration – Fier; Youth for Social Changes – Vorë; Power of Hope, Trust and Change – Gjirokastër; Sindikata e Pavarur e Tipografëve – Tiranë; si dhe Consulting and Development Partners – Shkodër.
[2] KRIIK i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 19 dokumente me rekomandime, nga të cilat njëri me rekomandime paraprake për ndryshime të nevojshme në hallkat në vazhdim të procesit, 16 raporte javore që i përkojnë çdo jave monitorimi nga data 13 janar 2023 kur ligji përcakton kufizimet apo detyrimet e institucioneve publike në raport me procesin zgjedhor, raporte tw cilat pwrmbajnw shkelje tw karaktereve tw ndryshme, tetw denoncime të veçuara, etj.
[3] Paraqitja grafike të respektimit të detyrimit ligjor për raportimin e aktiviteteve të institucioneve publike, përgjatë periudhës katër muaj nga data e zgjedhjeve (13 janar 2023).
[4] Paraqitja grafike e shpenzimeve për reklama politike ne platformat sociale te kompanisë Meta (Facebook dhe Instagram), përgjatë periudhës 24 tetor (dita e shpalljes se datës se zgjedhjeve nga Presidenti) deri në ditën e zgjedhjeve (14 maj 2023).
[5] Paraqitja grafike të mbulimit të subjekteve zgjedhore gjatë fushatës nga mediat audiovizive.
[6] Paraqitja grafike e mbulimit të kandidatëve / ofiqarëve politikë apo institucionalë gjatë fushatës nga mediat audiovizive.
[7] Në vijim të metodologjisë së tij të monitorimit të kufizuar për këto zgjedhje, KRIIK do të publikojë pas ditës së zgjedhjeve, Deklaratën Paraprake të Gjetjeve dhe Konkluzioneve, si dhe një Raport Final të plotë mbi sjelljen e tërë aktorëve të ngarkuar me detyra, dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.
[8] KRIIK është duke nxjerrë në kohë reale mbulimin mediatik kumulativ bazuar në raportet ditore të AMA (mund të shkarkohen në faqen e KQZ). Bazuar në këto të dhëna, KRIIK ka vërejtur disbalancë të fortë në mbulimin mediatik të fushatës nga mediat, vecanërisht në disa prej tyre. Ndërkohë, AMA ka dërguar në KQZ vetëm dy raporte përmbledhëse, ku përfshihen edhe rekomandime për adresimin e problematikave të vërejtura.
KRIIK vlerëson se mekanizmi monitorues është shumë i ngadaltë dhe po tregon mungesë eficence në garantimin që qytetarët shiptarë të marrin ifnormacion të paanshëm përgjatë fushatës.
Paraqitjen grafike të mbulimit mediatik të përgatitur nga KRIIK, bazuar në të dhënat e raporteve ditore të AMA-s mund t’i gjeni këtu dhe këtu.
[9] Në KQZ ka patur që prej muajit shkurt 2023 deri në datën 6 maj vetëm 15 aplikime për pozicionin e anëtarit që mund të emërohet kryesisht në KQV. Ndërkohë, në datën 8 maj 2023 ky numër është rreth 900 individë, nga të cilët rreth 700 kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm bashkëshoqërues.
[10] Anëtarët e KQZ-ve duhet të ishin emëruar qysh në datën 14 prill 2023. Partitë duhet të veprojnë sa më shpejt në mënyrë që të garantohet plotësimi i KQZ-ve me balancë politike sikurse ligji përcakton, si dhe të mos përsëritet situata e vitit 2022 ku komisionerët e KQV-ve të bashkisë Vorë, u emëruar mëngjesin e ditës së votimit.
[11] Kodi Zgjedhor në nenin 81 pika 3 jep kuptimin e një veprimtarie elektorale përgjatë fushatës zgjedhore, e konkretisht: “Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor”