Skip to content
KRIIK

KRIIK

Koalicioni per Reforma, Integrim dhe Institucione te Konsoliduara

Menu
  • Kreu
  • Kush jemi?
  • Çfarë bëjmë
    • Integriteti i zgjedhjeve
      • Zgjedhje Parlamentare 2025
      • Zgjedhje Vendore 2023
      • Zgjedhje Parlamentare 2021
      • Zgjedhje Vendore 2019
      • Hapja e të dhënave zgjedhore
    • Transparenca dhe llogaridhënia
    • Të drejtat e njeriut dhe siguria njerëzore
    • Demokracia e drejtpërdrejtë
    • Programi i Leadership-it
  • Kontakt
  • Shqip
    • Shqip
    • English
Menu

KONSTATIME – Raporti XVI i gjetjeve dhe rekomandimeve për javën 28 prill – 4 maj 2023, lidhur me raportimet në ndërfaqen e raportimeve të KQZ-së të veprimtarive me karakter publik!

Posted on 8 Maj, 202310 Maj, 2023 by admin-2

Gjatë monitorimit të kësaj jave, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si: 

Konkretisht:  

1. RAPORTIMI I AKTIVITETEVE ME VONESË 

Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon.  

Nga monitorimi rezulton se rreth 7.4% e raportimeve në javën e gjashtëmbëdhjetë janë me vonesë.   

Specifikisht, nga 122 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 9 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).  

Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 41, nga të cilat 8 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.  

Ritheksohet se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty. Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.  

2. RAPORTIME KU MUNGOJNË DETAJET 

Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.  

Gjithashtu, sikurse është konstatuar edhe nga ju si administratë, mungesa e detajeve sjell një problematikë serioze në monitorimin e aktiviteteve, veçanërisht për evidentimin e aktiviteteve të pa-raportuara.  Aktivitetet e raportuara pa detaje pamundësojnë identifikimin e tyre, pasi nuk është e mundur të përcaktohet konkretisht aktiviteti.  

Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues vetëm dy prej tyre: 

  • “Aktivitet per “Diten e Infermierit”” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”, Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/05/04/aktivitet-per-diten-e-infermierit/. .   
  • “Java boterore e vaksinimit -Fushata HPV” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tirane”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/20/java-boterore-e-vaksinimit-fushata-hpv/..  

Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mos-përmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.  

3. VEPRIMTARI PUBLIKE TË ZHVILLUARA, POR TË PA RAPORTUARA  

Nga monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme, gjatë periudhës 28 prill – 4 maj 2023, rezulton se së paku 5 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së.  Këto veprimtari janë kryer nga 5 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.   (për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre). 

Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së, si edhe se me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike. 

Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, pa e relativizuar asnjë rast aspektin sanksionues të tij, pavarësisht argumenteve të paraqituara.  

Çdo justifikim i paraqitur, gjykohet paraprakisht se nuk ka asnjë vlerë të merret në konsideratë me zemërgjerësi nga KQZ-ja, tanimë kur procesi i raportimit është në javën e fundit të tij. 

4. PËRDORIMI I BURIMEVE PUBLIKE PËR FUSHATË ELEKTORALE NGA KRYEMINISTRI Z. EDI RAMA, ZV. KRYEMINISTRJA ZNJ. BELINDA BALLUKU DHE MINISTRJA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE ZNJ. OGERTA MANASTIRLIU 

Më datë 03.05.2023 Kryeministri z. Edi Rama, Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, njëkohësisht Drejtuese Politike e Qarkut të Dibrës e Partisë Socialiste znj. Belinda Balluku dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu kanë zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit.   

  

KRIIK nuk ka arritur të gjejë në ndërfaqen e raportimeve një njoftim për këtë aktivitet, pra figuron të jetë i pa raportuar, nga asnjë prej institucioneve drejtuesit e të cilave ishin në takim.   

  

Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie është postuar në profilin zyrtar të Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe dhe Mbrojtjes Sociale , si dhe të dy ministreve.   

  

Konkretisht:   

  

Postimi në faqen e Kryeministrit Z. Edi Rama  (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes): 

“Me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit për të bashkëbiseduar për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave që ka filluar të jetësohet dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, për t’i krijuar stafeve mjekësore mundësinë për ta ushtruar me dinjitet profesionin e tyre fisnik🏥🩺🚑  

#VetëmPërpara  

#KurrëMëMbrapa”  

  

Postimi video në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes): 

  

Me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit për të bashkëbiseduar për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave që ka filluar të jetësohet dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, për t’i krijuar stafeve mjekësore mundësinë për ta ushtruar me dinjitet profesionin e tyre fisnik🏥🩺🚑  

#VetëmPërpara  

#KurrëMëMbrapa  

  

  

  

Postimi foto në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes): 

  

Sot takova zonjat profesioniste mjeke dhe infermiere të qendrës shëndetësore #Klos dhe stafin e mrekullueshëm të qendrave shëndetësore dhe spitalit të Matit, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme për t’i shërbyer me cilësi qytetarëve.  

Me Kryeministrin Edi Rama dhe Zv/Kryeministren Belinda Balluku ndamë me mjekët dhe infermierët lajmin e mirë të rritjes së pagave me planin 2-vjeçar që fuqizon burimet tona njerëzore ✅  

  

  

  

Postimi në faqen e Zv. Kryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes): 

  

Me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit  

👩‍⚕️🧑‍⚕️🥼Me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit për të bashkëbiseduar për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave që ka filluar të jetësohet dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore, për t’i krijuar stafeve mjekësore mundësinë për ta ushtruar me dinjitet profesionin e tyre fisnik🏥🩺🚑  

#VetëmPërpara  

#KurrëMëMbrapa  

  

  

  

Gjithashtu zhvillimi i takimit është njoftuar edhe në Faqen Zyrtare të Internetit të Institucionit të Kryeministrisë (më poshtë tituli i artikullit dhe foto/printscreen e faqes):K 

“Klos, me mjekë dhe infermierë të përkushtuar të zonës për planin 2-vjeçar të rritjes së pagave dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore” ,  

Është njoftuar edhe në Faqen Zyrtare të Internetit të Institucionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (më poshtë tituli i artikullit dhe foto/printscreen e faqes): 

 “Rama-Manastirliu: Për mjekët e familjes rritje page me 20 mijë lekë dhe infermierët me 15 mijë lekë brenda 2024”.   

Ky takim është transmetuar LIVE edhe nga media disa media, si psh: Klan Neës  (më poshtë foto/video shoot): 

  

Referuar postimeve në faqet zyrtare në Facebook, ku videot janë LIVE, por edhe transmetimit LIVE në media, data e zhvillimit të aktivitetit është data 03.05.2023 në orën 12.00.   

  

Në takim kanë qenë prezentë mjekë dhe infermierë të veshur me përparësen e bardhë. Gjithashtu në takim ka qenë edhe kandidatja e Partisë Socialiste për Kryetare në Bashkinë Klos znj. Valbona Kola, e cila në profesion është mjeke.   

  

Në postimet e këtij aktiviteti në Facebook nga Kryeministri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrja e Shëndetësisë dhe Zv. Kryeministrja janë vendosur sloganet elektorale të Partisë Socialiste:  #VetëmPërpara #KurrëMëMbrapa  

Nga fjalimet e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të Kryeministrit, në takim bëhet një paraqitjeve e arritjeve të qeverisë sidomos në fushën e shëndetësisë, me një fokus të veçante në rritjen e pagave (Fjalimet i gjeni të transkriptuara në lidhjen nr. 5 bashkëlidhur).  

  

Evidentohet se Ministrja e Shëndetësisë, në fund të fjalimit të saj është shprehur: “… Në fund dua të falënderoj nga zemra të gjithë ju, por veçanërisht doktoreshë Valbonën, e cila për 36 vite, së bashku me të gjithë ju këtu, ka ofruar kujdes shëndetësor për banorët e Klosit dhe tani do të marrë një stafetë të re për një mision të ri në shërbim të qytetarëve. Jo vetëm për sistemin shëndetësor por jam e bindur që një herë mjek e je gjithmonë mjek, nuk mund ta lësh këtë mision tëndin, por në shërbim të qytetarëve jam e bindur që do të bëjë akoma më shumë për Klosin që duam.”   

Në gjykimin e KRIIK, aktiviteti, pavarësisht nëse është institucional apo në kuadër të fushatës zgjedhore, përbën përdorim të burimeve publike dhe autoritetit shtetëror në funksion të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.   

  

Kodi Zgjedhor në nenin 81 pika 3 jep kuptimin e një veprimtarie elektorale përgjatë fushatës zgjedhore, e konkretisht: “Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit  elektoral të subjektit zgjedhor”.  

  

Ndërsa në nenin 91 pika 1 dhe 2, Kodi Zgjedhor përcakton se:  

 “Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.  

 2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Me përdorim të burimeve njerëzore kuptohet gjithashtu premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim”.   

Lidhur me gjithë sa më sipër, edhe nëse kjo veprimtari do të pretendohet e konsiderohet si: 

   (A) një takim me natyrë elektorale, atëherë evidentohen më poshtë këto shkelje: 

  

  1. Aktiviteti është kryer qartas gjatë orarit zyrtar të punës.   
  1. Pjesëmarrësit në të janë mjekë dhe infermierë të cilët do duhet të ishin në punë.   
  1. Pjesëmarrja e tyre është e organizuar dhe e detyruar.   
  1. Mjekët dhe infermierët janë të veshur me përparësen e bardhë, çka tregon prezencë në funksion të pozicionit të tyre dhe jo si qytetarë të thjeshtë. 
  1. Aktiviteti mund të jetë kryer në ambientet e institucionit publik, por për këtë KQZ-ja lipset të marrë informacion nëpërmjet monitoruesit të saj të fushatës zgjedhore në bashkinë ku është organizuar aktiviteti. 
  1. Përfaqësuesit e lartë politikë janë aty në abuzim të ofiqit zyrtar që kanë. 
  1. Përdorimi i sloganëve elektoralë të Partisë Socialiste në Faqet Zyrtare Institucionale, të Institucioneve dhe Titullarëve të tyre, duke shpërdoruar kështu burimet shtetërore dhe autoritetin shtetëror. 

  

Bazuar në sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti objekt denoncimi është zhvilluar në shkelje të qartë të kuadrit ligjor dhe si i tillë, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë titullarët e Spitalit të Klosit, titullarët e Institucioneve Qëndrore, si dhe subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet.  

   (B) si i karakterit institucional, atëherë evidentohen më poshtë këto shkelje: 

  1. Aktiviteti është i pa raportuar në ndërfaqen e KQZ. 
  1. Aktiviteti ka ndjekur qëllime elektorale prej Drejtuesve të Institucioneve Qëndrore, pasi zhvillohet përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore.(“Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit  elektoral të subjektit zgjedhor”) 
  1. Prania e Zv. Kryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, njëkohësisht Drejtuese Politike e Qarkut të Dibrës e Partisë Socialiste znj. Belinda Balluku nuk ka asnjë lidhje me natyrën e aktivitetit.  

Ndaj pjesëmarrja e saj evidentohet qartazi që është në funksion të pozicionit të saj si Drejtuese Politike e Partisë Socialiste duke i dhënë aktivitetit natyrë politike e elektorale.  

  1. Prania e kandidates së Partisë Socialiste për Kryetare të Bashkisë Klos znj. Valbona Kola i jep aktivitetit natyrë elektorale.  
  1. Fjalimi i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (si më sipër cituar) përbën përdorim të aktivitetit publik institucional, si dhe vendosje të institucionit që ajo përfaqëson, por edhe të institucioneve të tjera të përfaqësuara aty nga titullarët respektivë, në funksion të fushatës elektorale Kandidates për Kryetare Bashkie si dhe të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste”. 
  1. Përdorimi i sloganëve elektoralë të Partisë Socialiste në Faqet Zyrtare Institucionale, të Institucioneve dhe Titullarëve të tyre, jo vetëm përbën shpërdorim të burimeve dhe autoritetit shtetëror, por evidenton natyrën elektorale të aktivitetit institucional.  

  

Referuar gjithë sa më sipër, në çdo rast të çfarëdo pretendimi të ngritur dhe të marrjes apo jo në konsideratë prej KQZ-së, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti objekt denoncimi është zhvilluar në shkelje të kuadrit ligjor dhe si i tillë, nevojitet që KQZ-ja të sanksionojë titullarët e Spitalit të Klosit, titullarët e institucioneve të përfshira, si dhe Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet.  

Shkarko Dokumentin derguar KQZ-se

Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese

Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese

Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara

Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara

Shkarko Lidhjen 5 – Fjalimet e Kryeministrit dhe të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përgjatë veprimtarisë

Zgjedhje 2025

Shpenzime për reklama politike në Facebook dhe Instagram

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025

Postime sipas kategorive

  • Deklarata
  • Denoncime
  • Letra të hapura
  • Qëndrime Publike
  • Raporte
  • Rekomandime
  • Të tjera
  • Zgjedhje Parlamentare 2025
  • Zgjedhje Vendore 2023

KRIIK Facebook

KRIIK ALBANIA

https://www.youtube.com/watch?v=42GUUeDEODc&t=428s

KRIIK Tweets

Follow us

Arkiva

  • Maj 2025 (14)
  • Prill 2025 (11)
  • Mars 2025 (5)
  • Shkurt 2025 (16)
  • Janar 2025 (3)
  • Dhjetor 2024 (5)
  • Nëntor 2024 (3)
  • Tetor 2024 (4)
  • Shtator 2024 (2)
  • Gusht 2024 (4)
  • Korrik 2024 (1)
  • Mars 2024 (1)
  • Shkurt 2024 (1)
  • Janar 2024 (1)
  • Dhjetor 2023 (1)
  • Tetor 2023 (2)
  • Shtator 2023 (2)
  • Gusht 2023 (3)
  • Korrik 2023 (3)
  • Qershor 2023 (1)
  • Maj 2023 (10)
  • Prill 2023 (20)
  • Mars 2023 (8)
  • Shkurt 2023 (5)
  • Janar 2023 (9)
  • Dhjetor 2022 (1)
  • Nëntor 2022 (5)
  • Tetor 2022 (1)
  • Gusht 2022 (1)
  • Qershor 2022 (1)
  • Prill 2022 (1)
  • Mars 2022 (1)
  • Shkurt 2022 (1)
  • Maj 2021 (1)
  • Prill 2021 (10)
  • Mars 2021 (2)
  • Janar 2021 (1)
  • Dhjetor 2020 (3)
  • Nëntor 2020 (1)
  • Tetor 2020 (4)
  • Shtator 2020 (1)
  • Gusht 2020 (1)
  • Korrik 2020 (2)
  • Qershor 2020 (1)
  • Maj 2020 (1)
  • Gusht 2019 (1)
  • Korrik 2019 (1)
  • Maj 2019 (2)
  • Prill 2019 (1)

Postime Së Fundi

  • ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, 11 MAJ 2025 – DEKLARATA E GJETJEVE DHE KONKLUZIONEVE PARAPRAKE 12 Maj, 2025
  • DEKLARATË – Pjesëmarrja aktive e të gjithë qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor të nesërm dhe zbatimi i plotë e me efikasitet i Ligjit prej aktorëve institucionalë, domosdoshmëri jetike për standardet demokratike të vendit 10 Maj, 2025
  • DENONCIM Nr. 31  – Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nga disa parti politike, kandidatë dhe media online* 10 Maj, 2025
Maj 2023
H M M E P S D
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
« Pri   Qer »
©2025 KRIIK | Built using WordPress and Responsive Blogily theme by Superb