Gjatë monitorimit të kësaj jave, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Raportimi i aktiviteteve elektorale në ndërfaqen e raportimit të KQZ
4. Postimi i aktiviteteve elektorale në faqet e Bashkive në rrjetet sociale
Konkretisht:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë vijon, madje në këtë javë ka një rritje të përqindjes së raportimeve me vonesë, të cilat kishin rënë në nivele minimale për disa javë në rresht.
Nga monitorimi i bërë rezulton se rreth 9.62% e raportimeve në javën e pesëmbëdhjetë janë me vonesë.
Specifikisht, nga 156 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, 15 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 48, nga të cilat 6 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksohet se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty. Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
2. Raportime ku mungojnë detajet
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Gjithashtu, sikurse është konstatuar edhe nga ju si administratë, mungesa e detajeve sjell një problematikë serioze në monitorimin e aktiviteteve, veçanërisht për evidentimin e aktiviteteve të pa-raportuara. Aktivitetet e raportuara pa detaje pamundësojnë identifikimin e tyre, pasi nuk është e mundur të përcaktohet konkretisht aktiviteti.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues vetëm dy prej tyre:
- “Takim informues” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Krujë”, Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/27/takim-informues-8/ .
- “Takim pune nr. 2 me banore te qytetit te Maliqit” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Maliq”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-pune-nr-2-me-banore-te-qytetit-te-maliqit-4/.
Po ashtu, në raportimet e Bashkisë Tiranë vazhdon të mos jepet emri i personit përgjegjës, por veçse emri i pozicionit, edhe ai i paspecifikuar. Konkretisht: “Personi përgjegjës për raportim: Drejtor i Pergjithshem”; – “Personi i ngarkuar nga ligji për raportim (Sekretari i Përgjithshëm/drejtori përgjithshëm/drejtuesi më i lartë administrativ): Drejtor i Pergjithshem”.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mos-përmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
3. Raportimi i aktiviteteve elektorale në ndërfaqen e raportimit të KQZ
Me rritjen e intensitetit të fushatës elektorale, gjithnjë e më shumë është duke u evidentuar fenomeni i postimit të aktiviteteve elektorale të Kryebashkiakëve aktualë në ndërfaqen e raportimit të KQZ-së, e cila është e dedikuar vetëm për aktivitetet institucionale, dhe jo për ato elektorale. Ndërkohë që ky fenomen është evidentuar edhe më parë, tanimë ai sa vjen e bëhet më i dukshëm.
Me Vendimin nr. 367, datë 15.04.2023, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ndaloi tetë aktivitete të Bashkisë Tiranë, me arsyetimin se “aktivitetet e raportuara […] me pjesëmarrjen e personave partiakë, në kuadër të fushatës zgjedhore, përbëjnë veprimtari të ndaluara, në kuptim të nenit 91 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”
Në datën 26 prill, Bashkia Belsh ka raportuar gjashtë aktivitete të cilat, qartas, janë aktivitete me natyrë elektorale ose e shprehur kjo specifikisht në këtë mënyrë, ose e nënkuptuar pasi në përshkrim citohet se qëllimi i aktivitetet është prezantimi i programit (pa cituar cilit program, por nënkuptohet program elektoral i Kryebashkiaut Tafani, i cili është edhe kandidat në të njëjtën kohë).
Lidhjet e aktiviteteve elektorale të raportuara nga Bashkia Belsh në ndërfaqe:
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-71/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-70/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-69/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-68/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-me-banoret-e-fshatit-grekan/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/26/takim-me-banoret-e-fshatit-gjolene/
Përveç ndalimit të këtyre aktiviteteve, në linjë me ato të Bashkisë Tiranë, përmendur më sipër, KRIIK sugjeron që Komisioneri të mos mjaftohet vetëm me ndalimin, por të hetojë në mënyrë më të thelluar këtë fenomen, qoftë përsa i përket Bashkisë Belsh qoftë Bashkisë Tiranë, në lidhje me aktivitetet e ndaluara me Vendimin nr. 367.
Fakti që nëpunësit publikë që kanë raportuar kanë përdorur kohën e punës për postimin e këtyre eventeve, apo edhe që kanë informacion në lidhje me axhendën e kandidatëve Tafani apo Veliaj, është një indicie se këta punonjës janë të angazhuar në mënyrë aktive ne fushatën e Kryebashkiakëve aktualë, çka është një abuzim i qartë me burimet njerëzore të institucionit.
4. Postimi i aktiviteteve elektorale në faqet e Bashkive në rrjetet sociale
Faqet zyrtare në rrjetet sociale, të institucioneve dhe drejtuesve të tyre, kanë të njëjtën rëndësi dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregullave sikurse faqet zyrtare të internetit të tyre.
Madje, duke konsideruar audiencën shumë herë më të lartë të tyre dhe përdorimin e gjerë nga njerëzit, institucionet dhe drejtuesit e tyre kanë një fokus disa herë më të madh në këto platforma komunikimi sesa në ato tradicionale.
Në vazhdën e monitorimit në vazhdimësi, KRIIK ju ka përcjellë pesë raste ku në Faqet Zyrtare të disa Bashkive në Facebook, postohen apo shpërndahen njoftime mbi aktivitete të Partisë Socialiste të Shqipërisë (Raporti i javës së 9-të të monitorimit), si edhe rastin e Bashkisë Kamëz e cila ka vijuar me postime elektorale të Partisë Socialiste dhe kandidatit të saj për Kryetar të Bashkisë Kamëz, aktualisht Kryetar i Bashkisë Kamëz (Raporti i javës së 14-të të monitorimit).
Në dijeni të KRIIK, KQZ ka nisur hetimin administrativ ndaj Bashkisë Kamëz, ndërkohë që nga monitorimi në vijim konstatohet me shqetësim se Bashkia Kamëz vazhdon ende të publikojë postime të aktivitetit partiak dhe elektoral të Partisë Socialiste, duke bërë ripostimin e aktiviteteve të kryera në Faqen Zyrtare të Kryetarit të saj, z. Rakip Suli.
Postimet e reja gjenden në lidhjet më poshtë:
- https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02SVX28eYo1rC7RQEqDRyV9prAËpFvaJmcCDëbSpQcYMFXQG9BB2t4GA287esRAXSQl&id=100077339029573 ;
- https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02ZMv7AkBXsDZZ4QKjDcëtrNHAsLË5MEbAVËHUSH8LFxzrhXqVfmJHxj9HP6YF6Takl&id=100077339029573 ;
- https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid02NpT2HF4VmKPC7yJ2Si2AZyT6gëfypPgiDqKiovëbG3tBJTpJMa3zJgKT9D7aZMybl&id=100077339029573 ;
- https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0KzrSsdjAfKVNM1m7cCFPgpDvUF1LP9meFgJFhXNhqxU44qTgVNQjrË5mETyBjË1Vl&id=100077339029573 ;
Këto postime, për më tepër, bien edhe në kundërshtim me Urdhërin e Komisionerit të datës 27.04.2023 sipas të cilit ndalohet ripostimi i aktiviteteve politike në faqet zyrtare të institucioneve.
Në gjykimin e KRIIK, këto postime me përmbajtje partiake në Faqen Zyrtare të Bashkisë, sikurse ju është bërë me dije edhe më parë, përbëjnë haptazi shpërdorim të burimeve dhe autoritetit të institucionit në funksion të partisë politike, e konkretisht të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste”.
KRIIK nxit KQZ-në të marrë masa sa më shpejt për këtë shkelje, pasi, nëse do të mbetet formalisht veç në repektimin e procedurës dhe të afateve të hetimit administrativ,shkelja do të vijojë të kryhet, duke prodhuar tërë efektet e saj.
Në këto kushte, i gjithë mekanizmi do të limitohej thjesht një një procedurë sanksionimi të zakonshme dhe kjo në rastin më të mirë të mundshëm.
Por ana tjetër gjykohet dhe theksohet se, nxitja nëpërmjet informacionit të denoncuar apo indicieve të marra ka si objektiv parësor parandalimin apo ndalimin e menjëhershëm të shkeljes pas konstatimit, si dhe marrjen e masave për mos–përsëritjen e tij, çka përbën në fakt edhe qëllimin parësor të vetë ligjit dhe mekanizmit të ndërtuar.
Gjithashtu, gjykohet se KQZ-ja duhet të procedojë sipas parashikimeve ligjore për të sanksionuar jo vetëm institucionin, por edhe Kryetarët e Bashkive, si dhe Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste”, sipas nenit 172 pika të Kodit Zgjedhor, pasi në favor të kësaj të fundit janë kryer shkeljet e mësipërme.
Nisur nga zvarritja e pavend e hetimeve administrative, KRIIK e nxit KQZ-në që të mos tregohet tolerante në asnjë nga rastet e moskthimit përgjigje prej institucioneve, sikurse ka ndodhur në disa prej hetimeve administrative të zhvilluara, por t’i konsiderojë ato si raste mosbashkëpunimi me të, duke vepruar më pas sipas parashikimit të Nenit 169 “Mosbashkëpunimi me KQZ-në” të Kodit Zgjedhor.
5. Përdorimi i faqes në Facebook të Agjencisë për Media dhe Informim (MIA) për publikimin e një eventi elektoral të Partisë Socialiste
Në vijim të monitorimit të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale, KRIIK evidenton se postimet në faqen zyrtare të Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), një institucion në varësi të Kryeministrisë, shoqërohen me sloganë politikë të Partisë Socialiste, ndërkohë që është postuar gjithashtu edhe një aktivitet elektoral i kësaj partie, me praninë e Kryeministrit Rama.
Më datë 12 prill 2023, Kryeministri Rama ka marrë pjesë në një aktivitet elektoral në Bashkinë e Durrësit, në praninë e Kryebashkiakes dhe kandidates aktuale për Bashkinë Durrës nga Partia Socialiste, znj. Emiriana Sako.
Ky aktivitet elektoral është prezantuar si i tillë nga pjesëmarrësit në takim (shih videon e aktivitetit dhe postimet në faqet e Facebook-ut të Kryeministrit dhe kandidates Sako (Lidhja nr. 3). Gjithashtu, aktiviteti nuk është raportuar në ndërfaqen e KQZ-së si aktivitet institucional.
Agjencia për Media dhe Informim është një institucion publik, që “…financohet nga buxheti i shtetit [… dhe] ka si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet, eventet, si dhe qëllimin, objektivat, risitë apo problematikat që zgjidhen nëpërmjet akteve të Këshillit të Ministrave dhe të akteve të tjera të ministrave dhe çdo institucioni të administratës shtetërore”[i].
Bazuar në sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të marrë masat përkatëse dhe të sanksionojë personat përgjegjës në Agjencinë për Media dhe Informim për përdorim të burimeve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste”.
Gjithashtu KQZ-ja, sikurse ju është kërkuar dhe sjellë në vëmendje disa herë, nevojitet të vërë në dijeni Partinë Socialiste për tërë rastet e abuzimit dhe shkeljeve të bëra në emër të saj, dhe më pas, pavarësisht nëse këto shkelje janë bërë me dijeninë apo jo të saj, të procedojë sipas nenit 172 të Kodit Zgjedhor Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet.
6. Përdorimi në postimet e aktiviteteve institucionale të hashtag-eve sloganë elektoralë: #VetëmPërpara #KurrëMëMbrapa
Me aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale nga Partia Socialiste, në datën 11 prill 2023, kjo e fundit bëri publike edhe sloganin e fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Konkretisht, slogani i fushatës #VetëmPërpara #KurrëMëMbrapa. (shih për më shumë: “PS çel fushatën, Rama: Krenar për vlerën e shtuar që fitoret tona sollën për Shqipërinë” )
KRIIK ka vërejtur që këto slogane, shoqërojnë thuajse çdo postim, pavarësisht se ato janë me natyrë institucionale, në Faqet Zyrtare në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, Ministrave, Deputetëve, Kryetarëve të Bashkive, etj., të cilët kanë llogari aktive në rrjetet sociale.
Këto sloganë, të konvertuara dhe përdoruara edhe si hashtag-e lidhen dhe identifikojnë drejtpërsëdrejt Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste”.
Duke u vendosur, përdorur dhe reklamuar nga institucionet publike dhe drejtuesit e tyre në faqet zyrtare në Facebook, në gjykimin e KRIIK kemi të bëjmë me shpërdorim të autoritetit shtetëror, si dhe përdorim:
– të një aseti institucional (specifikisht të Faqes Zyrtare të Institucionit në mediat sociale, e cila përdoret gjerësisht si kanal komunikimi publik);
– të kohës së nëpunësve shtetërorë (personat e ngarkuar me mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e njoftimeve në këto faqe);
– si dhe të gjithë burimeve të tjera të vëna në dispozicion për realizimin e aktivitetit institucional, të cilave iu jepet valencë politike dhe iu atashohet në mënyrë të padrejtë një meritë partiake në funksion të një partie politike, çka është në kundërshtim me kuadrin ligjor zgjedhor, si dhe të parimit për ndarjen e shtetit nga partia.
Ky fenomen vërehet në disa faqe të institucioneve apo edhe drejtuesve të tyre.
Pavarësisht vendimmarrjes së fundit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), nëpërmjet së cilës faqet zyrtare të drejtuesve të institucioneve konsiderohen si faqe personale të tyre, KRIIK vazhdon të paraqesë kundërshtitë e tij dhe të këmbëngulë për nevojën e një trajtimi më të thelluar të çështjes në koherencë edhe me qëndrimet e mëparshme të shprehura.
Urdhrin e KSHZ për mosshpërndarjen e postimeve të titullarëve në faqet zyrtare të institucioneve, e sheh si një hap pozitiv në këtë drejtim.
Nga sa Komisioneri argumentoi në seancën e kaluar (vendimet ende nuk janë publikuar), u vërejt se faqja është dhe mbetet personale nga fakti që faqja (page) ka qenë hapur përpara se personi politik të merrte postin si titullar i institucionit dhe këtë faqe (page) do ta mbajë edhe më pas pasi ai/ajo do ta lërë atë post.
KRIIK thekson se gjykimi nëse është një faqe personale apo jo, nuk e bën se kush e hapi faqen, kur e hapi apo se a është hapur ajo më parë se të merrej detyra institucionale apo më pas, apo s’e kush do ta përdorë më pas.
Një faqe bëhet me karakter zyrtar kur ajo shpallet apo trajtohet si e tillë nga informacioni që ajo transmeton dhe përmbajtja që ka.
Në rast se faqja shfaq dhe përmban tërë aktivitetin institucional të institucionit dhe është burim informacioni për tërë të tretët dhe publikun e gjerë, atëherë ajo është një faqe zyrtare.
Këtë fakt e përforcon edhe fakti që Faqja Zyrtare e Institucionit bën share pikërisht këtë informacion të publikuar në Faqen Zyrtare të Titullarit të Institucionit.
Madje ka disa institucione (bashki), ku faqja zyrtare nuk ka asnjë informacion të dobishëm apo të përditësuar. Tërë informacioni institucional është vetëm në Faqen Zyrtare të Kryetarit të Bashkisë.
Duke qenë se rregullimi ligjor për përdorimin zyrtar të faqeve mungon, gjykohet se është i pavend arsyetimi i KSHZ vetëm mbi një element, i cili në raport me atë çka paraqet problematika e paraqitur, mbetet i përciptë e që lidhet me shumë me elementë të formës. Kjo përforcohet akoma edhe më, nëse do të sjellim në vëmendje raste kur disa institucione kanë hapur faqe (profil) në facebook për Bashkinë dhe jo page, ndërkohë që vetë titullarët i kanë faqe e hapura si “page” pasi kanë marrë detyrën, ndërkohë që kanë në posedim edhe faqe të tjera (profil).
Do të konsiderohej normale që faqja (page) e një politikani karriere të jetë personale e me përmbajtje politike përsa kohë ai nuk ka një Funksion Shtetëror / Publik.
Ndërkohë që kur ka një të tillë, ai mund të vazhdojë ta mbajë këtë faqe vetëm për aktivitetin e tij politik, por jo për njoftime zyrtare e aktivitetin e përditshëm të institucionit që ai drejton, duke e shndërruar faqen e vet personale si një pikë referimi e informimi zyrtar.
Në këtë mënyrë ai i atashon padrejtësisht vetes dhe partisë respektive tërë meritën e arritjeve institucionale të përftuara prej përdorimit të autoritetit dhe burimeve shtetërore në dispozicion.
Detyra e marrë prej tij është pjesë e një programi politik, të përgatitur e miratuar paraprakisht për të çuar përpara mirëfunksionimin e institucionit shtetëror, duke bërë një ndarje të qartë në këtë moment, me pozicionin e tij politik.
Theksohet gjithashtu se nga vëzhgimi i këtyre faqeve (page), rezulton se numri i ndjekësve apo shikueshmëria e postimeve në to është disa herë më e lartë në faqet e drejtuesve, çka vjen si rrjedhojë e autoritetit të tyre shtetëror. Këto faqe nuk janë profile private, të mbyllura, por janë faqe “page” publike si persona publikë për hir të funksionit shteteror që mbajnë.
Edhe si persona politikë, këto drejtues marrin vëmendje publike maksimale dhe valencë të shtuar në pikëpamje të autoritetit kur postojnë veprimtari të institucioneve shtetërore, të cilat janë tërësisht produkt i përdorimit të:
- autoritetit shtetëror;
(2) burimeve logjistike e financiare të Bashkive apo Ministrive përkatëse;
(3) burimeve njerëzore të institucioneve (bashki/ministri) që kanë bërë të mundur tërë planifikimin, organizimin, realizimin e veprimtarisë deri edhe postimin në këto Faqe Zyrtare, duke u paguar me para të buxhetit të shtetit dhe duke harxhuar kohën e punës të paguar për dhe në funksion të aktivitetit të institucionit shtetëror, përfshirë ekspertizën dhe autoritetin e përdorur më vete prej secilit prej nëpunësve publikë të përfshirë.
Së fundi theksohet se, veçanërisht pas Vendimmarrjes së fundit të KSHZ, Faqet Zyrtare të Titullarëve ku janë postuar në vijimësi aktiviteti institucional normal e i përditshëm i institucionit, janë mbytur maksimalisht me postime partiake, politike e zgjedhore, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse evidentohen qartazi në perceptimin publik me mesazhin e gabuar të mos paturit të asnjë dallimi midis aktivitetit zyrtar të shtetit me atë partiak e politik, e konkretisht të Partisë Socialiste.
Ndërkohë që një ndarje e tillë duhet të jetë e qartë dhe e prerë si detyrim primar që rrjedh prej Kushtetutës, dokumenteve ndërkombëtare dhe ligjit.
Konkretisht:
6.1. Postime të shoqëruara me përdorimin e hashtag-eve të sipërpërmendura gjenden në Faqet Zyrtare të Bashkive dhe Kryetarëve të Bashkive:
Të gjitha rastet e postimeve me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Bashkive dhe Kryetarëve të tyre, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr.4
Në lidhje gjenden 3 Faqe Zyrtare të Bashkive:
- Faqja zyrtare e Bashkisë Kamëz;
- Faqja Zyrtare e Bashkisë Poliçan;
- Faqja Zyrtare e Bashkisë Vorë.
si edhe 22 Faqe Zyrtare të Kryetarëve të Bashkive:
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Mat, z. Agron Malaj;
- Faqja zyrtare e Kryetares së Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Krujë, z. Artur Bushi;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Belsh, z. Arif Tafani;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Berat, z. Ervin Demo;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Cërrik, z, Andis Salla;
- Faqja zyrtare e Kryetares së Bashkisë Delvinë, znj. Majlinda Qilimi;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Devoll, z. Eduard Duro;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Dibër, z. Rahim Spahiu;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Divjakë, z. Fredi Kokoneshi;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Dropull, z. Dhimitraq Toli;
- Faqja zyrtare e Kryetares së Bashkisë Durres, znj. Emiriana Sako;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gentian Llatja;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Fier, z. Armando Subashi;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Gjirokastër, z. Flamur Golemi;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Vorë, z. Blerim Sherra;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, z. Edison Memolla;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Shijak, z. Elton Arbana;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë, z. Erion Isai;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj;
- Faqja zyrtare e Kryetares së Bashkisë Lushnjë, znj. Eriselda Sefa;
- Faqja zyrtare e Kryetarit të Bashkisë Skrapar, z. Adriatik Mema.
6.2. Postime të shoqëruara me përdorimin e hashtag-eve të sipërpërmendura gjenden në Faqet Zyrtare të Ministrive dhe Ministrave,
- Faqja zyrtare në Facebook e Zv. Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Kulturës;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrit të Drejtësisë;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrit të Brendshëm;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Brendshme;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Financave dhe Ekonomisë;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë së Shtetit për Standardet e Shërbimeve;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Standardet e Shërbimeve;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Arsimit dhe Sportit;
- Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.
Të gjitha rastet e mësipërme të postimeve me përmbajtje partiake në në Faqet Zyrtare të Ministrive dhe Ministrave, të detajuara me link-et dhe printscreen-et përkatëse, gjenden bashkëlidhur në Lidhjen nr. 5.
Në gjykimin e KRIIK sipas argumentimit të bërë më sipër, këto postime me përmbajtje partiake në Faqet Zyrtare të Ministrive, Ministrave, Bashkive dhe të Kryetarëve të Bashkive, përbëjnë shpërdorim të institucionit në funksion të partisë politike, e konkretisht të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste”.
KRIIK nxit KQZ-në që të marrë menjëherë masat e nevojshme që të ndalojë shkeljen, si dhe të parandalojë me efektivitet përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, përfshirë këtë aspekt jo pak të rëndësishëm, duke u kërkuar institucioneve dhe drejtuesve të tyre të ndalojnë postimet me natyrë partiake, përfshi sloganet elektorale në faqet e tyre, si dhe të pastrojnë postimet e mëparshme nga faqet e tyre.
Gjithashtu në vijim të qëndrimit të tij, KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rastet të merren në konsideratë prej jush e vazhduar me ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Gjithashtu, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 i Kodit Zgjedhor).
[i] Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 512, datë 18.09.2021 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Media dhe Informim”.
Shkarko Dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 5 – Postime të shoqëruara me hashtag-e sloganë elektoralë të Partisë Socialiste në faqet Zyrtare të Ministrive dhe Ministrave