Gjatë monitorimit të javës së dymbëdhjetë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika, si:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
2. Raportime ku mungojnë detajet
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
5. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale
Konkretisht:
1. Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Nga monitorimi i bërë rezulton se javën e dymbëdhjetë vetëm 2.9% e raportimeve janë me vonesë.
Specifikisht, nga 241 aktivitete të raportuara gjatë kësaj periudhe, vetëm 7 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 63, nga të cilat 5 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Ritheksojmë se këto shifra i referohen vetëm raportimeve të kryera nga institucionet në ndërfaqe dhe që mund të aksesohen aty. Nëse në KQZ kanë mbërritur raportime me anë të postës elektronike, apo me mjete të tjera të komunikimit dhe këto nuk janë hedhur në ndërfaqe, këto nuk përfshihen në të dhënat e mësipërme.
KRIIK shpreh vlerësimin mbi disa vendimmarrje të KSHZ për ndalimin paraprakisht të aktiviteteve të raportuara me vonesë prej institucioneve, por kjo duhet të kthehet në një praktikë solide e të menjëhershmne të administratës së KQZ-së për të ndaluar çdo aktivitet sapo ai hidhet në ndërfaqen e raportimit dhe konstatohet se është raportuar jashtë afatit.
Ky qëndrim është në linjë me rekomandimet që KRIIK ka bërë në vazhdimësi në raportet e veta të nëntë javëve të mëparshme.
Gjithashtu, KRIIK risjell në vëmendje seende mbeten relevante Rekomandimet konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, të përcjella nëpërmjet Raporteve të mëparshme të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para.
2. Raportime ku mungojnë detajet
Vërehet se vijon mungesa e detajeve në një numër raportimesh, detaje të cilat do të bënin të mundur që monitoruesit e KQZ-së apo të tjerë aktorë të interesuar të mund të marrin pjesë apo t’i vëzhgojnë eventet.
Të tilla raste janë të shumta, por sillen si shembuj ilustrues dy prej tyre:
- “Iftar” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/06/iftar-8/.
- “Event” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Tiranë”. Linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/06/event-19/.
Në vazhdimësi të sa është kërkuar në raportet e mëparshme, paraqitet e domosdoshme që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi kjo mënyrë raportimi përbën së paku mospërmbushje në mënyrën e duhur të detyrimit ligjor.
KRIIK ju risjell edhe njëherë nevojën për marrjen në konsideratë dhe zhvillimin e trajnimit online të raportuesve, nevojë kjo e shprehur edhe nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, në takimet që KRIIK ka patur me ta.
Kjo do të ndihmonte jo pak, në saktësimin më të mirë të aktiviteteve që mendohet të jenë më të shumta gjatë muajit të fundit që përkon edhe me periudhën zyrtare të fushatës elektorale.
3. Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
Ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, monitorimi jo sistematik i faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe i mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktiviteteve të tyre të mundshme.
Gjatë periudhës 31 mars – 6 prill 2023, rezulton se së paku 23 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto veprimtari janë kryer nga 11 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, ritheksohet se:
- Ai bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara është më i lartë, pasi gjetjet bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Na lejoni të sjellim në vëmendjen tuaj se fushata elektorale fillon 30 para ditës së zgjedhjeve, konkretisht në datën 14 prill 2023.
Përgjatë dy javëve të fundit, menjëherë pas zyrtarizimit të emrave të kandidatëve dhe depozitimit të dokumentacionit në KQZ apo KZAZ, kandidatët të cilë janë njëkohësisht edhe në postin e kryetarit të Bashkisë, janë duke zhvilluar dhe postuar takime të ndryshme me banorë të zonave të ndryshme në Njësitë Administrative përkatëse.
Këto takime postohen në faqet e tyre zyrtare në Facebook ose në faqet zyrtare të Bashkive në Facebook.
Në gjykimin e KRIIK, këto aktivitete, një pjesë e të cilave janë përfshirë në Lidhjen nr. 3, janë aktivitete institucionale, dhe aspak partiake apo politike sikurse mund të justifikohet rëndom prej tyre apo të konsiderohen si të tilla nga ju si KQZ gjatë hetimit administrativ që mund të ndërmerret. Kjo pasi:
- Fushata elektorale zyrtarisht nuk ka filluar ende. Kandidadët të cilët janë njëkohësisht Funksionarë publikë duhet të zbatojnë parashikimet e ligjit.
- Takimet nuk zhvillohen me struktura apo anëtarë të partisë, çka do t’a bënte aktivitetin partiak dhe pjesëmarrjen e kryebashkiakëve në to si një aktivitet personal e normal politik e partiak të tyre.
Theksohet se këto aktivitete janë me qytetarë të thjeshtë, me të cilët Kryebashkikët ndërveprojnë në cilësinë e Kryebashkiakut dhe jo të Kandidatit.
Zbatimi i parimit të barazisë së armëve përfshin ndër të tjera si rregullim ligjor, edhe afatin 30 ditor të lejimit të të bërit fushatë zgjedhore.
- Takimet e zhvilluara janë publike pasi ato janë dukshëm me pjesëmarrje të publikut.
- Takimet janë publikuar në Faqet Zyrtare të Institucionit ose të Kryetarit të Bashkisë në Facebook, duke patur kështu për qëllim informimin.
Sillet në vëmendje se në Faqet Zyrtare të komunikimit të përditshëm dhe në situatë normale me publikun e gjerë, nuk mund dhe nuk duhet të postohet asnjë veprimtari me natyrë politike apo partiake.
Thënë sa më sipër, KRIIK ju kërkon juve si Institucion i KQZ-së t’i qëndroni strikt gërmës dhe kuptimit të ligjit duke i konsideruar aktivitetet e përfshira në lidhjen e sipërpërmendur si aktivitete të Bashkive të pa raportuara.
Ju sjellim këtu në vëmendje, se deri tani nuk ka asnjë informacion mbi veprimet që mund të jenë marrë ndaj denoncimeve të bëra për 20 Kryebashkiakë, të cilët kanë publikuar aktivitete partiake të Partisë Socialiste në Faqet Zyrtare të tyre si Kryetarë të Bashkive respektive, të dërguara këto si pjesë e Raportit Javor IX datë 18.03.2023, e konkretisht në Lidhjen Nr. 6 të atij Raporti.
Nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, pa e relativizuar asnjë rast aspektin sanksionues të tij, pavarësisht argumenteve të paraqituara.
Në veçanti nevojitet që KQZ-ja të jetë koherente me qëndrimet dhe aplikimin e ligjit, përfshirë prononcimet e veta zyrtare mbi tërë interpretimet dhe njoftimet zyrtare që bën mbi kuptimin dhe zbatimin e ligjit.
Çdo justifikim i paraqitur, gjykohet paraprakisht se nuk ka asnjë vlerë të merret në konsideratë me zemërgjerësi nga KQZ-ja, tanimë kur procesi i raportimit po hyn në periudhën zyrtare të fushatës elektorale, çka shënon edhe fundin e tërë procesit raportues.
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
KRIIK ju ka përcjellë në vazhdimësi, si nëpëmjet raporteve periodike javore edhe nëpërmjet komunikimeve verbale zyrtare, shqetësimin e për prezencën e drejtuesve politikë të qarqeve, si dhe të deputeteve apo disa ministrave, në veprimtari institucionale të disa bashkive.
Ky ka qenë një fenomen jo vetëm i konstatuar pasi ka ndodhur, por edhe i raportuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ nga bashki të ndryshme, pavarësisht përmbajtjes së dokumentit “KUJTESË – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve” i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili në pikën 9 të tij përcakton se “Promovimi i investimeve me pjesëmarrjen e zgjedhësve/elektoratit, përfaqësuesve të partisë politike konsiderohet si veprimtari politike zgjedhore”, si dhe, artikulimit të qartë të Komisionerit në intervistën e datës 1 mars 2023, i cili ndër të tjera u shpreh se :
“(…) Qoftë kryetarët e bashkive apo qoftë edhe funksionarët e tjerë publikë, janë të lirë të përmbushin kompetencat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit. Por nuk ka asnjë nevojë, madje është e dënueshme edhe nga pikëpamja ligjore, nëse këtë aktivitet ata e kryejnë në shoqërinë e drejtuesve politikë, e deputetëve apo edhe funksionarëve të tjerë politikë.”
KRIIK vlerëson reflektimin në qëndrim zyrtar nga KQZ, nëpërmjet vendimmarrjes konkrete, të gjithë sa më sipër, duke ndaluar disa aktivitete të cilat paraprakisht njoftonin prezëncën e deputetëve apo përfaqësuesëve politikë në to.
Por, nga ana tjetër vëren si shqetësues faktin që standardi nuk është i njëjtë për të gjitha aktivitetet e raportuara.
Kjo, pasi ka aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë paraprakisht prezencën e përfaqësuesëve partiakë të cilat nuk janë ndaluar, madje nga konsultimi i rrjeteve sociale janë zhvilluar dhe ka patur edhe raste të fjalimeve elektorale në to.
KRIIK shpreh shqetësimin e tij për këtë çoroditje në qëndrimin zyrtar të KQZ-së, dhe ju nxit të shqyrtoni paraprakisht çdo rast aktiviteti të raportuar si në përmbajtjen e tij ashtu edhe në pjesëmarrësit e planifikuar për të qenë pjesë e tij.
KRIIK nxit dhe mbështet fort KQZ-në që të ndalojë automatikisht të gjitha eventet me natyrë inspektuese/promovuese, të cilat deklarojnë në raportim se do të mbahen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë apo të deputetëve.
Konkretisht, paraqiten më poshtë aktivitete të cilat kanë deklaruar paraprakisht prezencën e personave politikë por nuk janë ndalur nga KQZ-ja, si dhe aktivitete të zhvilluara ku faktohet prezenca e përfaqësuesve politikë.
4.1. Në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 14 aktivitete të raportuara të cilat njoftojnë praninë e përfaqësuesve politikë, por nuk janë ndaluar për t’u zhvilluar nga KQZ.
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/05/inspektim-i-punimeve-ne-cerdhen-e-qytetin-5/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/01/takim-me-gra-dhe-vajza-5/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/01/takim-me-gra-dhe-vajza-4/
- Bashkia Durrës https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/04/01/takim-me-gra-dhe-vajza-3/
- Bashkia Rrogozhinë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/perfundimi-i-rruges-ne-fshatin-sharrdushk-pjec-kryevidh/
- Bashkia Rrogozhinë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inspektim-117/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inspektimi-i-punimeve-ne-bllokun-e-lagjes-naftetafi-2/
- Bashkia Patos https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/vizite-ne-serat-dhe-fermat-blegtorale-3/
- Bashkia Lezhë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/darke-me-qytetaret-lezhjane-te-besimit-islam-iftar/
- Bashkia Tiranë https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inagurim-10/
- Bashkia Prrenjas https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/takim-me-banore-te-qytetit-prrenjas/
- Bashkia Prrenjas https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inspektim-tek-qendra-komunitare-per-sherbime-ndaj-aftesise-se-kufizuar/
- Bashkia Prrenjas https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inspektim-i-pikes-se-riciklimit-prrenjas/
- Bashkia Prrenjas https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/03/31/inspektim-i-punimeve-rruga-e-fshatit-rashtan/
KRIIK gjykon se përbën domosdoshmëri zbatimi pa diferencime dhe në barazi të plotë i ligjit dhe i standardit të vendosur tashmë nga KQZ-ja.
Me qasjen dyzuese të KQZ-së, po vendoset dhe krijohet efekti i kundërt me praktikën e krijuar.
4.2. Në javën që mbulon ky Raport, janë evidentuar së paku 2 aktivitete ku zyrtarët publikë kanë qenë të shoqëruar me përfaqësues politikë përgjatë zhvillimit të aktivitetit institucional të tyre, ndërkohë që vlerësohet se numri i aktiviteteve të tilla është disa herë më i lartë.
Përpos prezencës së përfaqësuesve politikë, tërë aktivitetet e mëposhtme, rezultojnë të përmbajnë disa shkelje (si fjalime elektorale, promovime investimesh dhe slogane elektorale), të cilat duhet të nxisin KQZ-në për një hetim të plotë administrativ dhe sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Konkretisht:
4.2.1. Në datën 4 prill 2023, Bashkia Roskovec ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Roskovec Vijon puna për rikonstruksionin total të shkollës “Didin Bishani” në #Kurjan. Ndërhyrja për rehabilitimin e kësaj shkolle po kryhet me fonde të Bashkimit Europian ”
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier z. Taulant Balla:
“Roskovec📍Vijon puna🚧 për rikonstruksionin total të shkollës “Didin Bishani” në #Kurjan. Ndërhyrja për rehabilitimin e kësaj shkolle po kryhet me fonde të Bashkimit Europian🇪🇺
Roskovec Vijon puna për rikonstruksionin total të shkollës “Didin Bishani” në #Kurjan. Ndërhyrja për rehabilitimin e kësaj shkolle po kryhet me fonde të Bashkimit Europian ”
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Roskovec.
Në njoftimin e bërë nuk deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrës do të ishte edhe z. Taulant Balla.
Përpos prezencës së z. Balla në postimet e bëra vërehet përdorimi i sloganeve elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021.
Theksohet se në Faqen Zyrtare në Facebook të Bashkisë Roskovec, si dhe Drejtuesit Politik të Qarkut Fier z. Balla gjenden disa postime të aktiviteteve të Bashkisë Roskovec, në të cilat ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Fier.
4.2.2. Në datën 5 prill 2023, Bashkia Prrenjas ka postuar në faqen e vet në Facebook (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Asfaltimi i rrugës së #Rashtanin, investim nga fondi i bashkisë Prrenjas , një premtim i mbajtur duke u ardhur në ndihmë të banorëve të zonës ”
Një postim lidhur me këtë aktivitet ka bërë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan z. Damian Gjknuri (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“ Me Njerëzit për Njerëzit
Rehabilitimi i plotë i rrugës në fshatin Rashtan është një tjetër shembull i punëve të mira që Kryetari Nuri Belba po kryen në Prrenjas.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone mësova se rruga kishte qenë një kërkesë e kahershme e tyre.
I garantova se me Nuren në krye të punëve edhe për katër vite të tjera si edhe mbështetjen e pakursyer të qeverisë do vijojmë t’u qëndrojmë pranë për të zgjidhur problematikat e tyre.
Zhvillimi i këtij takimi është raportuar në ndërfaqen e KQZ nga Bashkia Prrenjas.
Në njoftimin e bërë deklarohet paraprakisht nga Bashkia se pjesëmarrës janë: z. Damian Gjiknuri-Deputet i Qarkut, z. Nuri Belba-Kryetar i Bashkisë, banorë te zones.
Përpos prezencës së z. Gjiknuri në postimet e bëra vërehet përdorimi i sloganeve elektorale të Partisë Socialiste për Zgjedhjet Parlamentare 2021.
Theksohet se në Faqen Zyrtare në Facebook të Bashkisë Prrenjas dhe Kryetari të saj, si dhe Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan z. Gjknuri gjenden disa postime të aktiviteteve të Bashkisë Prrenjas, në të cilat ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan.
5. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale
5.1. Më datë 05.04.2023, Bashkia Prrenjas ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 31.03.2023.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Bashkisë Prrenjas postim i shpërndarë nga faqja zyrtare e kryetarit të Bashkisë Prrenjas Z. Nuri Belba (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“ME NJERËZIT PËR NJERËZIT
Rashtan Bashkëbiseduam me banorët mbi ato çfarë kemi bërë dhe do të bëjmë për t’u dhënë zgjidhje ditë pas dite problematikave të tyre.
Gjithashtu foto të këtij aktiviteti janë postuar edhe në faqen zyrtare të z. Gjiknuri, me këtë përmbajtje (më poshtë përmbajtja dhe foto/printscreen e faqes):
“Me Njerëzit për Njerëzit
Rehabilitimi i plotë i rrugës në fshatin Rashtan është një tjetër shembull i punëve të mira që Kryetari Nuri Belba po kryen në Prrenjas.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone mësova se rruga kishte qenë një kërkesë e kahershme e tyre.
I garantova se me Nuren në krye të punëve edhe për katër vite të tjera si edhe mbështetjen e pakursyer të qeverisë do vijojmë t’u qëndrojmë pranë për të zgjidhur problematikat e tyre.
Ndërsa video e postuar mbi këtë aktivitet, sërish në faqen në Facebook-ut të z. Gjiknuri ka këtë përmbajtje:
“Me Njerëzit për Njerëzit
Prrenjas Me banorët e fshatit Rashtan mbi çfarë kemi bërë dhe do të bëjmë për t’u dhënë zgjidhje ditë pas dite problematikave të tyre.”
Ky aktivitet “Inspektim i punimeve” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartas për të kryer diskutime elektorale dhe kryer premtime të drejtpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Jo vetëm kaq, por komentet e kryera nga z. Gjiknuri i lidhin drejtpërdrejt investimet pas zgjedhjeve për bashkinë me zgjedhjen sërish të Kryebashkiakut aktual.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri: “(…)E tha vetë Nurja dhe një nga arsyet pse ne e kemi mbështetur atë është realisht që roli i bashkisë është të mirëadministrojë fondet lokale, qeveria qendrore do e mbështesë me projektet më të mëdha kryesore. Dhe në këtë binom duam ta lidhim shumë mirë, pra punën e mirë të bashkisë, projektet e kryetarit, mbështëtjen nga qeveria qendrore me projekte të tjera.
Kështu që, thashë puna flet vetë, kjo është një punë e filluar dhe jam i bindur që ky është modeli jonë i vazhdueshëm edhe për katër vitet e tjera. Punë, punë, punë, ndryshime në infrastrukturë, investime serioze për të ndryshuar jetën e fshatit, pastaj fshati është i zoti i vetes i del për zot punëve të tij.
Alternativat e tjera politike janë alternativa që nuk i interesojnë Prrenjasit, janë alternativa që e çojnë mbrapa, dhe kjo zonë do patjetër binomin Prrenjas bashki e mirë administruar nga Partia Socialiste mbështetje e qeverisë qendrore dhe këto janë veprat që po i shikojnë gjithë qytetarët sot.”
Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/948439219495015/ .
Vlen të theksohet se nga konsultimi i raportimit të Bashkisë Prrenjas në ndërfaqe për këtë aktivitet, rezulton se aktiviteti është publik, i hapur për pjesëmarrjen e medias dhe publikun, si dhe paralajmërohet pjesëmarrja në të, e z. Damian Gjiknuri, udhëheqës politik i Qarkut Elbasan.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë përpos titullarëve vendorë edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Sekretar i Përgjithshëm, vazhdon që prej fillimit të periudhës katër mujore të kryejë fushatë të hapur elektorale, duke u bërë edhe bashkëautor në moszbatimin e ndalimit të bërë prej Institucionit të KQZ-së për aktivitetitet e denoncuara në Cërrik.
KQZ-ja duhet të ketë njoftuar zyrtarisht Subjektin Zgjedhor Partia Socialiste për këtë sjellje të vazhdueshme dhe për ndërprerjen e saj, në mënyrë që të aplikojë nenin 172 pika 1 të Kodit Zgjedhor, sikurse ligji e parashikon.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara