Shkarko Dokumentin e dërguar KQZ-së
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vijimësi gjithë procesin e vendimmarrjes administrative në KQZ, duke u përpjekur të japë kontributin e vet nëpërmjet rekomandimeve apo sugjerimeve konkrete përgjatë procesit të konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga ju, apo edhe për projektakteve të tjera për të cilat vlerësohet se nevojiten t’iu bëhen përmirësime të mëtejshme.
Duke vlerësuar maksimalisht gatishmërinë dhe fleksibilitetin e treguar nga ju në këtë proces, KRIIK gjen rastin t’ju shpreh edhe njëherë falënderimet e tij për tërë këtë bashkëpunim të frytshëm të arritur deri më tani, dhe ju paraqet opinionin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për miratimin e rregullave për raportimin financiar të partive politike/subjekteve zgjedhore, kontrollin dhe verifikimin e financimeve dhe shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”.
Paraprakisht, KRIIK ju shpreh konsideratën e tij për risinë madhore të arritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për tu mundësuar subjekteve zgjedhore dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore nëpërmjet Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF).
Nga ana tjetër, gjykohet se është e nevojshme që në këtë projekt-vendim, sikurse edhe në aktin e mëpasshëm që do të miratohet për procedurat e plotësimit dhe dorëzimit të raportit financiar nëpërmjet Platformës, të parashikohet edhe printimi nga sistemi dhe dorëzimi në hard copy, me firmë e më vulë nga subjekti zgjedhor në KQZ.
Gjithashtu, të bëhet i mundur edhe gjenerimi i raporteve të plotë në formatin excel dhe publikimi i tyre në formatin excel në faqen e internetit të KQZ-së për të mundësuar përpunimin e pavarur të të gjitha të dhënave të raportuara, nga aktorë të tretë, përfshirë organizatat vëzhguese të procesit zgjedhor apo atyre në fushën financiare, pavarësisht opsioneve që zotëron vetë sistemi për kryerjen e përpunimeve nëpërmjet tij.
Ndërkohë në vijim gjeni sugjerimet dhe rekomandimet konkrete lidhur me projekt-vendimin:
I. Lidhur me projektvendimin
- Nxitja e partive politike drejt kryerjes së aktivitetit financiar mundësisht vetëm nëpërmjet llogarisë bankare.
Në raport me këtë qasje sugjerohet që të parashikohet rregullimi i nevojshëm që:
- Donacionet më të vogla se 50,000 lekë që mund të jenë depozituar cash, të hidhen nga financieri apo personi i ngarkuar sipas statutit në llogarinë bankare të posaçme të partisë në mënyrë periodike në fund të çdo muaji. Depozitimi të shoqërohet së bashku me një deklaratë të hartuar me të dhënat e donatorëve, duke u kujdesur për sa të jetë e mundur për ruajtjen e të dhënave personale të tyre;
- Kuotizacionet e derdhura cash prej anëtarëve të partisë të ndjekin të njëjtin mekanizëm si në rastin e donacioneve më sipër.
- Kuotat e anëtarësisë janë një pjesë shumë e rëndësishme e të ardhurave në një parti politike. Nga monitorimi i KRIIK në vijimësi është vërejtur një deklarim jo i qëndrueshëm i tyre, qoftë sa i përket shumave që i korrespondojnë këtij zëri qoftë sa i përket mënyrës së deklarimit nga partia politike apo subjekti zgjedhor. Për të mos lejuar mundësinë e raportimeve të pa plota, apo edhe abuzive në disa raste, KRIIK gjykon domosdoshmëri hartimin e një formati tip me të dhënat e nevojshme, lidhur me kuotat e anëtarësisë në secilën parti si dhe detyrimi për raportimin në format të posaçëm të:
- Llojit të kuotizacioneve të aplikuara nga secila parti për atë vit financiar, në rast të aplikimit të kuotizacioneve sipas disa kategorive;
- Shumën e akumuluar nga secila prej kategorive së bashku me numrin e anëtarëve sipas secilës kategori të ndarë sipas degëve, apo edhe listën e emrave të tyre bashkëlidhur deklarimit, duke u kujdesur për ruajtjen e të dhënave personale;
- Shumës totale të arkëtuar prej kuotizacioneve dhe numrit total të anëtarëve që kanë derdhur kuotizacionet për periudhën e raportimit, të ndarë sipas degëve apo forumeve që ka partia.
- Detajimi i të dhënave (përfshi të dhënat personale të cilat mund të mos publikohen referuar “Ligjit për të dhënat personale”) sipas çdo anëtari që paguan një kuotë pranë partisë, si dhe degën e partisë pranë të cilës është mbledhur kuota.
- Kuotat e anëtarësisë mund të raportohen si shumë totale, por në çdo rast raporti duhet të shoqërohet me tabelën e detajuar për mbledhjen e tyre, si dhe dokumentacionin përkatës për mbledhjen e kuotizacioneve.
- Në rastet e aplikimit të kthimit për plotësim nga KQZ tek subjektet zgjedhore, KRIIK sugjeron që edhe komunikimi zyrtar i KQZ me partitë, sa i përket kthimit për plotësim, por edhe më tej në rast se ka të publikohen në faqen e internetit të KQZ.
Në funksion të realizimit të një procesi eficient dhe të realizuar në kohë, KQZ duhet të vendosë afate edhe lidhur me realizimin e detyrave të saj për verifikimin, së paku me periudha kohore, kjo edhe në varësi të kompleksitetit të rasteve që duhet të verifikohen. Kjo do të ndihmonte në një organizim më të mirë dhe produktiv të punës.
- Përpos afateve të specifikuara në ligj, duhet të vendoset afat i specifikuar edhe për dorëzimin e Bilancit të aseteve dhe detyrimeve.
- Në vendim duhet të specifikohen në mënyrë të detajuar formatet në të cilat depozitohet raporti elektronikisht.
Pavarësisht se është parashikuar dhe pritet të implementohet raportimi elektronik, kjo nuk duhet ta zëvendësojë raportimin sipas formatit të vetë raportit. Raporti duhet të depozitohet dhe publikohet në formë elektronike si në formatin Excel, ashtu edhe në atë pdf.
Vendimi të përcaktojë qartë dhe në mënyrë eksplicite se administrata nuk duhet të pranojë si të dorëzuar raporte që nuk janë, së paku, në formatin Excel.
Për një transparencë të shtuar, KRIIK sugjeron që administrata e KQZ të konvertojë dhe publikojë raportet në faqe edhe në një format të hapur (p.sh. .csv).
- Gjithashtu formatet duhet të programohen në mënyrë të tillë që çdo fushë apo qelizë detajuese të jetë e detyrueshme për t’u plotësuar, duke nxitur paraprakisht përgjegjshmërinë e partive politike ndaj detyrimit ligjor për të detajuar në mënyrë korrekte të ardhurat dhe shpenzimet e kryera prej tyre.
- Komunikimi zyrtar midis partisë dhe auditit sipas përcaktimeve të nenit 5 pika 5 dhe 6 të projektvendimit, si dhe midis auditit dhe KQZ, sipas pikës 4 të nenit 5, duhet të publikohen së bashku me raportet në faqen e internetit të KQZ.
- Verifikimi prima facie nga KQZ duhet të përmbajë edhe formatin e raportit të dorëzuar. KQZ duhet të normojë të drejtën për kthimin e raportit si të paplotë, deri në konsiderimin të padorëzuar të tij, në rast të dorëzimit të një raporti jashtë formatit të standardizuar, Excel, nga partia politike. Të njëjtën të drejtë, duhet të rezervojë edhe në rast se raporti i dorëzuar nuk është plotësuar tërësisht në të gjitha seksionet dhe fushat e tij. Pra verifikimi i formës juridike të raportit, duhet të detajohet me elementet e vërejtura si të pa përmbushura nga partitë politike, në ecurinë e raportimit financiar edhe për fushatat zgjedhore.
II. Lidhur me Shtojcën nr. 1, nr. 2, nr. 3 dhe nr. 4, për Formatet tip i raportimit financiar të fushatës zgjedhore për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, kandidatët e listave shumëemërore, kandidatët për kryetar bashkie dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
- Në faqen e parë të tij theksohet se “ky raport i plotësuar duhet të dorëzohet dorazi tek Drejtoria e Kontrollit Financiar dhe Auditit të Brendshëm në KQZ dhe gjithashtu me e-mail në adresën: Valbona.Ballgjini@kqz.gov.al”.
KRIIK sugjeron që detyrimi për dorëzimin e raportit në formatin Excel të përfshihet në vendim si dhe në këtë faqe apo seksion të raportit. Partitë politike duhet të ndërgjegjësohen për detyrimin e dorëzimit të raportit në formatet e duhura. Gjithashtu, duke qenë se formati i miratuar do të përdoret në vazhdimësi, duhet të parashikohet dorëzimi i tij në më shumë se një adresë e-mail, por në çdo rast kryesore duhet të jetë një adresë zyrtare e institucionit, jo individuale, mundësisht e dedikuar për raportimin financiar.
Lidhur me seksionet për të ardhurat:
- Seksioni 2.b Të ardhura monetare – Financime jopublike, në kolonën e parë duhet të parashikojë kategorizim të financimit përkatës.
Kategoritë që mund të përfshihen, por pa u limituar, janë p.sh: 1. Kuota anëtarësie; 2. Donacion nga të tretë; 3. Të tjera, etj. …
- Seksioni 2.b Të ardhura monetare – Financime jopublike, kolona G, përveç numrit të identifikimit në rast të dhurimeve nga persona fizikë, duhet të shtohet NIPT në rast të pranimit të dhurimeve nga persona juridikë.
E njëjta gjë vlen edhe për seksioni 2.c Të ardhura, dhurime në natyrë.
- Seksioni 2.b Të ardhura monetare – Financime jopublike në kolonat N dhe O të cilat plotësohen në rast të marrjes së dhurimit cash, duhet të shtohet një kolonë me emrin e marrësit në dorëzim të shumës përkatëse, i cili mund të jetë financieri apo një përfaqësues tjetër i partisë.
- Gjithashtu, seksioni 2.c Të ardhura, dhurime në natyrë – Financime jopublike, pavarësisht se në kolonën e fundit kërkon shpjegimin e dhurimit, duhet të përmbajë në kolonën e parë një kategorizim të llojeve të tij, referuar kjo eksperiencave të mëparshme.
Konkretisht: zyra zgjedhore; transport/karburant; media sociale; materiale promocionale, etj.
- Kolona që i referohet përshkrimit të dhurimit në natyrë në këtë seksion është shumë e rëndësishme, dhe shpesh në raportimet e bëra në zgjedhjet pararendëse është lënë bosh.
- Për ta bërë më të dukshme, në gjykimin e KRIIK menjëherë pas kolonës së parë ku është kategorizimi i dhurimit duhet të vendoset kolona e përshkrimit të dhurimit.
- Në seksionin 2.d Të ardhura të krijuara nga vetë partia politike – Financime jopublike, ka për qëllimin deklarimin e ndarë të të ardhurave të krijuara nga partia të cilat nuk janë të përfshira ne seksionet pararendëse të deklarimit të të ardhurave.
Në këto kushte, kategorizimi i bërë sipas kolonës A. Aktiviteti nga i cili keni krijuar të ardhura, duhet të rishikohet. Kjo, pasi një nga opsionet që shfaqet është Kuota Anëtarësie, çka është tashmë e përfshirë tek të ardhurat e partisë në seksionin 2.b.
Kuotat janë një e ardhur që futet në parti nga anëtarët, dhe jo një e ardhur që i vjen partisë për shkak të një aktiviteti të caktuar me përfitim financiar
Lidhur me seksionet për shpenzimet:
Sipas ligjit, shpenzim i fushatës konsiderohet çdo shpenzim i kryer nga partia apo kandidatët e saj për qëllime të fushatës zgjedhore pavarësisht kohës kur është kryer ai.
- Nëse partia politike shpenzon nga të ardhurat e saj për kandidatët, atëherë duhet që ky zë shpenzimi të specifikohet qartazi në raportimin e partisë.
Në këtë pikë është shumë e rëndësishme, që në formatin e vetëdeklarimit, përpara kategorisë së shpenzimet të vendoset kolona që duhet të plotësohet për të specifikuar nëse shpenzimi në fjalë është kryer në funksion të ndonjë kandidati apo për vetë partinë.
- Pas specifikimit si më sipër në pikën 9, kolona e kategorisë së shpenzimit sikurse është me përzgjedhjen e opsionit, duhet të ndiqet menjëherë nga kolona e përshkrimit të shpenzimit e cila mund gjithashtu të ndërtohet me opsione paraprake përzgjedhje të cilat i përgjigjen kategorisë përkatëse, por në çdo rast duke lënë opsionin “të tjera”. Kjo, për të minimizuar subjektivitetin në kategorizimin e shpenzimeve.
Konkretisht, kategorizimet kryesore mund, por pa u kufizuar në, të jenë:
- Shpenzime administrative, ku futen faturat për utilitete, taksa, abonime, tarifa anëtarësie, qira etj.;
- Shpenzime për personelin, ku futen paga, shpërblime, pagesa për sigurime shoqërore e shëndetësore, etj.;
- Shpenzime për media, ku futet publiciteti apo të tjera;
- Shpenzime për platforma elektronike, ku futen pagesa për rrjete sociale, pagesa për media elektronike, të tjera, etj.;
- Shpenzimet e transportit, ku mund të futen karburant, marrje automjeti me qira, etj.;
- Shpenzime për konsulencë;
- Shpenzime për aktivitete, ku mund të futen takime të strukturave të partisë, takime me simpatizantë, etj.;
- Në çdo rast të detajimit të kategorisë, por edhe në kategorizimin kryesor duhet të përfshihet opsioni “të tjera”.
- Tek seksioni 5.b, i cili paraqet në mënyrë të përmbledhur të ardhurat dhe shpenzimet për kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiake, përpos shumës së të ardhurave dhe shpenzimeve gjykohet se duhet të shtohen kolona për:
- Numrin total të kandidatëve të partisë politike në atë Bashki;
- Numrin e kandidatëve të cilët kanë dorëzuar raport vetëdeklarimi;
- Shumën e të ardhurave dhe shpenzimeve, në dy kolona të veçanta, të cilat i përgjigjen numrit të kandidatëve të cilët kanë dorëzuar raport.
III. Lidhur me Shtojcën nr. 5 “Deklaratë mbi konfliktin e interesave për financimin e partive politike/subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për organet e qeverisjes vendore”
- Deklaratat e dhurimit ndaj partisë apo kandidatëve (Shtojca 5), qofshin këto në para apo në natyrë, duhet të përmbajnë edhe deklarimin e burimit të tyre për dhuruesin. Kjo parashikohet në mënyrë eksplicite në Kodin Zgjedhor neni 92/3 pika 2/a.
- Deklarata tip për nënshkrim nga dhuruesit e partive duhet të jetë e veçantë për çdo kategori dhuruesish dhe e formatuar për t’u plotësuar në mënyrë sa më të thjeshtë prej tyre.
Konkretisht teksti duhet të jetë i unifikuar dhe i ndarë për dhuruesit individë dhe për dhuruesit persona juridikë.
– Në rastin e personave fizikë përpos emrit dhe mbiemrit, duhet të përfshihen edhe të dhëna të tjera, të cilat e bëjnë më të qartë identitetin e dhuruesit, siç janë numri i dokumentit të identifikimit, vendlindja, vendbanimi, etj.
– Në rastin e personave juridikë deklarata duhet të përmbajë emrin e subjektit, NIPT-in e tij, si dhe emrin e administratorit i cili do të nënshkruajë edhe deklaratën.
- Gjithashtu deklarata duhet të shoqërohet me shënimin “Trajtimi i të dhënave personale në vijim të përdorimit të këtij autorizimi do të bëhet vetëm në përputhje me ligjin nr. 8517 datë 22.07.1999 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
IV. Lidhur me Shtojcën nr. 8 “Tabela e fondeve të përfituara nga partia/koalicioni/ kandidati për kryetar bashkie/kandidatët e listave shumëemërore/kandidatët e pavarur…”
- Për të patur një pasqyrë sa më të qartë të dhuruesve, apo të fondeve jo publike të përfituara nga partia apo kandidati, të cilitdo lloji qofshin ato, KRIIK sugjeron hartimin e një regjistri të posaçëm të fondeve jo publike, me sa më shumë specifikime.
Shtojca 8, e cila i përgjigjet konkretisht këtij rekomandimi duhet fillimisht të jetë e ndarë në dy lloje/modele.
- Modeli i parë përmban dhurimet në para, të përfituara nga partia apo kandidati sipas rastit.
Konkretisht tabela duhet të përmbajë:
- Identitetin e dhuruesit; person fizik apo juridik;
- Numër identifikimi apo NIPT (sipas rastit),
- adresën;
- vlerën e dhuruar;
- datën e dhurimit;
- mënyrën e dhurimit (cash apo llogari bankare).
- nëse llogari bankare, plotësohet numri i llogarisë;
- nëse cash, specifikohet numri i mandatit të arkëtimit si dhe arkëtuesi.
- Modeli i dytë i cili duhet të përmbajë dhurimet në natyrë të përfituara nga partia apo kandidati.
Përpos plotësimit të të gjitha të dhënave, njësoj si në rastin e dhurimve cash si më sipër, ky model duhet të përmbajë edhe përshkrimin sa më të qartë e të plotë të dhurimit në natyrë.
Gjykohet se kjo do të shërbente më tej jo vetëm në rritjen e transparencës, por edhe në lehtësimin e kontrollit e verifikimit nga KQZ-ja, apo çdo nevoje për kryqëzim të të dhënave nga palë të treta.
V. Lidhur me Shtojcën nr. 9 Bilanci i Aseteve dhe Detyrimeve
Përcaktimi në Kodin Zgjedhor i detyrimit për dorëzimin e “bilancit të aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve”, i shërben në mënyrë domethënëse transparencës dhe gjykimit që mund të krijohet në periudhën kalendarike nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve. Konkretisht për këto zgjedhje, nga data 24 tetor 2022 – 14 maj 2023.
Ky bilanci nuk është gjë tjetër veçse një bilanc pjesor që subjekti juridik “parti politike” harton dhe dorëzon në funksion të evidentimit të tërë aseteve dhe detyrimeve, pra të gjendjes financiare të Partisë Politike në Ditën e Dekretimit të Zgjedhjeve, si dhe të gjendjes së saj në Ditën e Zgjedhjeve.
Çdo rregullim ligjor në fuqi mbi vetdeklarimin e partive politike për financimin e fushatës zgjedhore respektive, parashikon kryerjen e veprimeve financiarw vetëm brenda kësaj periudhe kohore. Përjashtohet rasti këtu i shpenzimeve për efekt të fushatës zgjedhore që mund të jenë bërë më përpara datës, kur është bërë dekretimi i zgjedhjeve.
Ligjvënësi ka parashikuar se përmbushja e këtyre detyrimeve ligjore, si dhe një raportim i saktë e konform standardeve të kontabilitetit, bën të mundur të sigurohet një panoramë e qartë dhe e plotë mbi aktivitetin financiar të subjektit zgjedhor për efekt të fushatës zgjedhore, duke siguruar transparencë më të plotë dhe bërë funksional mekanizmin e kontrollit nëpërmjet verifikimit të KQZ-së dhe auditëve ligjorë.
KRIIK sjell në vëmendjen tuaj se ky raportim së bashku me raportimin dhe bilancin vjetor bën më të plotë transparencën, rrjedhimisht më pas edhe kontrollin e financimit të partive politike, kësaj sfide madhore të demokracisë dhe shtetit ligjor në vend.
Bilanci i aseteve dhe detyrimeve nuk mund të jetë një tabelë deklarimi, sikurse është miratuar nga KQZ-ja, se çfarë asetesh ka shtuar partia politike gjatë periudhës së kërkuar nga ligji.
KRIIK ju sjell në vëmendje deklarimet jo serioze nga partitë politike, ku njëherë raportohet zyrtarisht se blihen ca karrike e njëherë se blihet një lavatriçe, duke e kthyer në qesharak tërë këtë proces dhe detyrim ligjor.
Bilanci i aseteve dhe detyrimeve duhet të jetë një bilanc i mirëfilltë, sikurse është bilanci vjetor që hartohet çdo vit prej subjektit juridik “parti politike”, por në këtë rast ai kërkohet pjesor me datë fillim datën 24.10.2022 dhe datë mbarimi datën e zgjedhjeve 14.05.2023.