Shkarko Rekomandimin në pdf.
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, KRIIK ju përgëzon për këtë hap të dërgimit të një KUJTESE tjetër ndaj të gjithë institucioneve publike.
Na lejoni që në parantezë t’ju ftojmë që këtë praktikë ta ndiqni edhe me elementë të tjerë që lidhen më zbatimin e ligjit nga aktorët të tjerë të ngarkuar me detyra, sidomos tani përpara apo në prag të fushatës zgjedhore.
Gjykohet se kjo do të ndihmonte në një kuptim më të mirë të ligjit, si dhe në unifikimin e kuptimit dhe interpretimit të tij prej të gjithë aktorëve të përfshirë.
Konkretisht, gjykohet se do të ishte me vlerë që Komisioneri të përgatiste dhe niste një Kujtesë të posaçme edhe për:
- Institucionet shtetërore, përfshirë rolin e Ministrave, Deputetëve dhe Kryebashkiakëve që rikandidojnë për sjelljen e tyre përgjatë fushatës zgjedhore;
- OSHMA-të lidhur me tërë rolin e përgjegjësitë e tyre përgjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht lidhur me kohën e reklamave politike, elementët financiarë, transmetimin e materialeve të përcjella nga subjektet zgjedhore, etj., duke patur parasysh në veçanti problematikat e vërejtura përgjatë zgjedhjeve parlamentare 2021;
- Bashkitë lidhur me kompetencat e tyre për caktimin e vendeve të afishimit të materialeve zgjedhore, lejimin e zyrave zgjedhore, si dhe kontrollin e territorit në mënyrë periodike për heqjen e tërë materialeve propagandistike të cilat nuk janë printuar dhe shpallur sipas parashikimeve ligjore;
- Partitë politike për detyrimet e tyre në raport me Bashkitë, OSHMA-të, Institucionet Publike, si dhe, veçanërisht, lidhur me detyrimet e tyre dhe kandidatëve të tyre për mënyrat e raportimit të të ardhurave dhe shpenzimeve;
- Policisë së shtetit lidhur me gatishmërinë dhe kompetencat që duhet të realizojë sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor.
Përsa i përket KUJTESËS së përgatitur të dërguar për konsultim paraprak, KRIIK e vlerëson maksimalisht këtë angazhim të KQZ-së për saktësimin e disa elementeve, të cilat përbëjnë domosdoshmëri për informimin dhe kuptimin në mënyrë të drejtë prej institucioneve publike, në raport me veprimtaritë e tyre publike dhe detyrimet që iu rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, në periudhën katër muaj para ditës së zgjedhjeve e deri në ditën e zgjedhjeve.
Nisur nga gjithë çfarë ka ndodhur dhe është arritur deri më tani, si dhe nisur nga qëllimi për përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit të mekanizmit, sidomos për periudhën më të ndezur të periudhës katër mujore, në vijim, sillet në vëmendje të KQZ-së një adresim më i plotë i rrethanave dhe kërkesave që kënaqin maksimalisht, në gjykimin e KRIIK, pyetjet e ngritura prej KQZ-së në KUJTESË, në drejtim të informimit, kuptimit dhe zbatimit në praktikë të tyre.
1. Dokumenti gjykohet se duhet të jetë sa më i plotë në gërmë, por veçanërisht në kuptimin e rregullave dhe zbatimin e tyre duke përfshirë saktësimet e nevojshme referuar kuadrit ligjor, por edhe të gjithë praktikën e vendosur tashmë nga KQZ-ja nëpërmjet vendimmarrjes prej saj lidhur me denoncimet e marra, përgjatë të tre proceseve zgjedhore.
2. Konsiderohet ende e nevojshme dhe me efektivitet marrja në konsideratë e rekomandimeve të përcjella që në nisje të procesit nëpërmjet Dokumentit “REKOMANDIME lidhur me plotësimin e detajimin e mëtejshëm të ndërfaqes së raportimeve pranë KQZ-së.
Megjithëse jemi në gjysmën e dytë të periudhës së raportimit, gjykohet se faza më e rëndësishme, në të cilën do të kërkohet maksimalisht efiçencë prej KQZ-së dhe ku do të evidentohet impakti real i mekanizmit, është periudha një mujore e fushatës zgjedhore përpara ditës së zgjedhjeve.
Lejimi i të bërit fushatë gjatë kësaj periudhe, si dhe fakti që pjesa më e madhe e KryeBashkiakëve në detyrë do të rikandidojnë do të komplikojë edhe më tej, tërë mëdyshjet e deritanishme të të gjithë aktorëve, madje edhe të vetë administratës së KQZ-së, midis asaj se çfarë Ligji e lejon, dhe çfarë jo.
Shqyrtimi me kujdes i kërkesës së drejtpërdrejtë të nenit 92 pika 3 të Kodit Zgjedhor, evidenton se për çdo veprimtari kërkohet të jepet informacion i mjaftueshëm për të lehtësuar gjykimin paraprakisht të KQZ-së mbi aktivitetin, duke ushtruar përgjegjësinë e saj për ta ndalur paraprakisht atë në rast se krijon bindjen apo dyshimin se ajo mund të ndjekë qëllime politike apo elektorale, duke shpërdoruar kështu asetet / burimet shtetërore të institucionit organizator.
Konkretisht, kërkohen të dhëna për:
- datën dhe orën e veprimtarisë – adresuar;
- llojin e saj – adresuar;
Lihet vend për pasaktësi gjatë plotësimit.
- tematikën – adresuar;
Lihet vend për pasaktësi gjatë plotësimit.
- nivelin më të lartë të pjesëmarrjes – adresuar pjesërisht;
Paqartësi në kuptimin e parashikimit
- të ftuarit e nderit – pa adresuar;
- folësit e planifikuar – adresuar;
- mediatizimin – adresuar pjesërisht;
Lihet vend për abuzim në plotësim dhe moskuptim të detyrimit.
Sikurse shihet nga tabela më sipër, një pjesë e kërkesave ose s’janë adresuar si duhet ose lihet shteg për abuzim apo manipulim prej raportuesve.
Plotësimi i fushave dhe detajimi i mëtejshëm krijojnë në mënyrë më të plotë dyshimin/bindjen KQZ-së nëse aktiviteti institucional mund të cënojë sadopak shpërdorimin e autoritetit, emrit e tërë aseteve dhe burimeve që ka në dispozicion.
Theksohet se pavarësisht masës së cenimit që mund të çmohet prej administratës, veprimtaria duhet ndaluar paraprakisht, në mënyrë që ky abuzim të mos ndikojë aspak, në fund të fundit, tek perceptimi i qytetarëve se “shteti/autoriteti dhe burimet e tij” nuk kanë të bëjnë në asnjë rast me interesa partiake, politike apo elektorale, dhe se është detyrë e KQZ-së të ruajë të paprekur parimin e barazisë në garë.
3. Mbetet domosdoshmëri saktësimi dhe qartësimi se nëse veprimtaria ka në agjendë informimin e publikut rreth ndodhisë së saj (Neni 92, pika 1 e Kodit Zgjedhor), pavarësisht se kur ndodh ky informim (live gjatë kohës që ndodh veprimtaria, apo më pas), ajo duhet të raportohet.
Çdo diskutim tjetër që heq këtë kuptim të drejtpërdrejtë të kërkesës së ligjit, në gjykimin e KRIIK, është i pavend.
Pra institucioni organizator, sikurse planifikon çdo detaj të aktivitetit, planifikon paraprakisht edhe nëse do të bëjë ose jo, ndonjë publikim rreth zhvillimit të tij, pavarësisht përmbajtjes dhe se kush janë pjesëmarrësit.
Pra legjislatori është i kujdesshëm që për çdo publikim që do të bëjë institucioni në emër të tij, të ketë një mekanizëm filtrues të kujdesshëm, që është KQZ-ja, në mënyrë që të mos cenohet integriteti dhe bërja pis në asnjë rrethanë e emrit/autoritetit të institucionit. As me politikë, as me fushatë elektorale, as me përmendje të individëve apo fabulave politike e partiake, dhe as me prezencë të personave që kanë post e kostum politik e njihen prej publikut si të tillë, pavarësisht nëse flasin apo jo.
Pra është e qartë se vetëm kaq mjafton, që sipas ligjit, veprimtaria të konsiderohet publike dhe duhet të raportohet nga institucioni organizator.
Ndërkohë, përmbajtja, pjesëmarrësit dhe detajet e tjera, ndihmojnë KQZ-në në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për gjykimin paraprakisht nëse aktiviteti mund të ndjekë qëllime politike apo elektorale.
Nisur nga praktika e vendimmarrjes prej vetë KQZ-së, Kujtesës se bërë më parë nga Komisioneri, interpretimeve të gjera të bëra nga aktorë dhe institucione ndërkombëtare, por edhe nga argumentimi që mund të bëjë secili prej anëtarëve të organeve drejtuese të KQZ-së dhe të administratës, mbi atë se çfarë kuptohet me mediatizim sipas ligjit, kur sot mënyra më e përhapur e publikimit janë rrjetet sociale dhe platformat online të mediave, pranohet gjerësisht tashmë se publikimi në rrjetet dhe mediat sociale përbën mediatizim të veprimtarisë në kuptim të një informimi më të gjerë të mundshëm të publikut të gjerë.
Shtojmë këtu, Udhëzimin e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i cili thekson se: “…Në vijim të kësaj analize, nisur nga një përcaktim i përgjithshëm që mund t’i bëjmë rrjeteve sociale, mediave on line, apo platformave sociale si, “Facebook”, “Twitter”, “Instagram”, “WhatsApp”, etj., ato mund të konsiderohen si “sheshe virtuale”, të shprehjes së bindjeve apo preferencave politike. Këto mjete komunikimi të japin mundësi reale, që duke përdorur teknologjinë e internetit, nëpërmjet llogarive personale, të vendosësh, apo të ndash me të tjerët fotografi, filmime, mendime, lajme, reklama, propagandë politike etj., e në këtë këndvështrim, ato mund të shërbejnë si instrumente efektive për të shprehur dhe mbështetur një preferencë politike, e cila është e ndaluar për nëpunësin civil”.
Argumentuar sa më sipër, të gjithë institucionet dhe titullarët e tyre kanë sot në zotërim faqe zyrtare në rrjetet sociale të cilat i përdorin për mediatizim të veprimtarisë së përditshme të tyre.
Rrjedhimisht, planifikimi (paraprakisht) dhe publikimi (live apo pas realizimit) i një veprimtarie në faqet zyrtare të institucioneve dhe të drejtuesve të tyre, është mëse i mjaftueshëm për ta kategorizuar aktivitetin si “veprimtari publike e cila duhet raportuar”.
Madje në gjykimin e KRIIK, duhet të merret në konsideratë edhe publikimi në faqet e rrjeteve sociale të drejtuesve të tjerë të niveleve të ndryshme të institucionit apo të nëpunësve të tij, përsa kohë ato janë faqe publike, dhe jo profile të mbyllura private.
4. Saktësimi i ndalimit të pjesëmarrjes së deputetëve apo funksionarëve politikë në aktivitetet institucionale të institucioneve, veçanërisht Bashkive.
Lidhur me prezencën e Deputetëve në veprimtaritë publike të Bashkive/Institucioneve, KRIIK ka servirur një sërë argumentesh pranë KQZ-së, duke konkluduar se e konsideron ftesën e bërë ndaj Deputetëve nga Bashkia/Institucioni jo konform parashikimeve ligjore.
Ndërkohë që nga ana tjetër, edhe pjesëmarrjen e Deputetëve në aktivitetet rutinë të Bashkisë/Institucionit, e konsideron jashtë detyrave të tyre funksionale parlamentare dhe në kundërshtim me Kodin e Sjelljes, Rregulloren e Kuvendit dhe të Ligjit për Statusin e Deputetëve.
KRIIK sjell në vëmendje, se në aktivitetet rutinë të Bashkive/Institucioneve duhet të ndalohet edhe pjesëmarrja e Ministrave. Së pari dhe së paku, e atyre Ministrave fusha e përgjegjësisë së të cilëve nuk lidhet me karakterin apo tematikën e veprimtarisë së përditshme të institucionit organizator.
Theksohet se Ministri është Person Politik, përfaqësues i Qeverisë, dhe prezenca e tij i jep rrjedhimisht konotacion politik aktivitetit ku ai merr pjesë, duke u perceptuar edhe si mbështetje e tij apo Qeverisë ndaj veprimtarisë së institucionit, dhe vetë institucionit në fjalë.
Madje, edhe në rastin kur tematika e veprimtarisë hyn në fushën e përgjegjësisë së Ministrit, sërish gjykohet se është e nevojshme të provohet edhe angazhimi konkret apo lidhja direkte e veprimtarisë specifike, pra e bashkëpunimit apo ndërveprimit institucional, me Institucionin e Ministrisë, që të mund të përligjet edhe pjesëmarrja e Ministrit, si titullar i Institucionit.
Veçanërisht në rastin e Zgjedhjeve Vendore, fusha e përgjegjësisë së një Ministrie lidhet domosdoshmërisht me së paku një tematikë të një aktiviteti të zhvilluar nga secila prej 61 bashkive.
Sigurisht që në terma praktikë, Ministri nuk ka mundësi fizike edhe nëse do të dëshironte që të merrte pjesë në të 61 aktivitetet, përgjatë fushatës zgjedhore.
Kjo do të thotë që pjesëmarrja e tij, i jep vëmendje të veçantë dhe kredite të shtuara aktivitetit ku Ministri merr pjesë, rrjedhimisht edhe institucionit organizator, e titullarit të tij, duke krijuar një perceptim publik ku favorizohet një Kryebashkiak, në raport me Kryebashkiakët e tjerë, pavarësisht se të gjitha Bashkitë/Kryebashkiakët mund të kenë organizuar aktivitete që hyjnë në sferën e përgjegjësisë së Ministrit.
Në rastin dhe kontekstin konkret, jemi në rrethanat kur pjesa më e madhe e Kryebashkiakëve rikandidojnë, pra janë subjekte zgjedhore.
Pjesëmarrja e Ministrit në një aktivitet publik të zhvilluar prej Institucionit të Bashkisë, ku merr pjesë Titullari i Institucionit, pra Kryebashkiaku i cili është njëkohësisht edhe Kandidat, në perceptimin publik të pjesëmarrësve dhe atyre që shohin publikimin mbi aktivitetin, krijohet përshtypja se Kandidati ka mbështetjen e Ministrit, madje edhe të Qeverisë, duke prishur kështu parimin e barazisë së garës elektorale.
Tërë kjo situatë, vetëm në rastin kur Ministri thjesht është prezent me kostumin e tij zyrtar/politik të Qeverisë, pra veç merr pjesë fizikisht, pa manifestuar asnjë rol kryesor në veprimtari dhe pa patur rolin e folësit.
Situata bëhet akoma më e rëndë në realitet, sikurse ndodh praktikisht në tërë aktivitetet ku marrin pjesë Ministrat e Qeverisë, në të cilat këta të fundit janë në qendër të vëmendjes, duke patur rol kryesor edhe si folës, duke bërë artikulime politike, partiake apo edhe elektorale.
5. Shtrirja e ndalimit të përdorimit të simboleve e logove, edhe tek hashtag-et me slogane elektorale që publikohen si pjesë e aktiviteteve institucionale, qoftë në faqet e institucioneve, qoftë në ato të drejtuesve apo përfaqësuesve të tyre.
Këtu bëhet fjalë jo vetëm për hashtag-et e njohura gjerësisht tashmë që identifikojnë Partinë Socialiste si slogane të krijuara në Zgjedhjet Parlamentare 2021, por edhe për hashtag-e të tjera të cilat kanë nisur apo do të përdoren zyrtarisht nga Subjektet Elektorale për këto zgjedhje.
6. Saktësimi i rolit të nëpunësit publik, në raport me aktivitetet publike si dhe ato me karakter elektoral.
Nëpunësit civil i ndalohet pjesëmarrja në aktivitete elektorale jo vetëm gjatë orarit zyrtar. Pas orarit zyrtar ai mund të marrë pjesë në aktivitete elektorale vetëm si pjesëmarrës i thjeshtë në ushtrim të të drejtave të tij politike. Por atij i ndalohet të manifestojë publikisht bindjet apo preferencat e veta, pra të mbajë veshje me slogane elektorale, parulla, apo të marrë rol organizator apo drejtues, etj.
Sipas vendimit nr. 9 të Komisionit Rregullator, neni 6 pika 5 “Gjatë pjesëmarrjes në veprimtari politike apo zgjedhore, nëpunësit civil, i ndalohet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike dhe të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhore apo kandidat”.
Po ashtu edhe Udhëzimi i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, qartëson se nëpunësit civilë e kanë të ndaluar të shprehin publikisht preferencat e tyre politike. Konkretisht sipas KMSHC “Duke vlerësuar faktin se nuk ka një rregullim të posaçëm ligjor, në lidhje me mënyrën e sjelljes së nëpunësve civilë në mediat on line dhe në rrjetet e platformat sociale që shfaqen për publikun nëpërmjet internetit, Komisioneri vlerëson se kjo çështje duhet të trajtohet sipas parashikimeve të nenit 37 pika 1, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, e po kështu edhe sipas praktikës më të mirë ligjore të Bashkimit Evropian. Në këtë dispozitë, përcaktohet se: “Nëpunësi civil nuk mund të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”, e për këtë arsye, me qëllim që të kuptohet drejt përmbajtja e saj, Komisioneri ka hartuar dhe dërguar pranë institucioneve që punësojnë nëpunës civil, një udhëzues ku janë dhënë sqarime të hollësishme që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet e nëpunësit civilë gjatë periudhës zgjedhore”.
7. Gjithashtu, duke mbajtur në konsideratë përdorimin masiv dhe të koordinuar të rrjeteve sociale prej punonjësve të administratës shtetërore për qëllime fushate, KRIIK sugjeron që ata të informohen specifikisht në Kujtesë për ndalimin e postimeve me natyrë elektorale, ndarjen e postimeve të të tjerëve apo kryerjen e reagimeve ndaj tyre, në kanalet personale të tyre në mediat sociale, në përforcim edhe të udhëzuesit të dërguar nga Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil.
8. Lidhur me termin Stigmatizim të përdorur në Kujtesë, në gjykimin e KRIIK, duhet të ketë sqarim më shterues.
Për t’u patur në konsideratë nga institucionet, duhet të saktësohet më mirë ndalimi qoftë edhe i përmendjes së subjekteve politike apo zgjedhore, në një aktivitet institucional.
Nuk ka asnjë arsye që subjektet politike të përmenden në aktivitete institucionale. Shteti dhe detyrat që rrjedhin si funksionar i tij janë të ndara nga ato të partisë të cilën simpatizon apo përfaqëson.
9. Duhet të citohet qartë se cilat janë asetet publike në të cilat mund të lejohet zhvillimi i veprimtarive politike/elektorale, e konkretisht lidhur me përdorimin e ndërtesave të institucioneve publike.
Ligji nuk e ndalon që nëpërmjet aplikimit të një procedure të caktuar, të përdoren disa asete publike, siç janë për shembull shtëpitë e kulturës, etj.
Por gjithmonë duke u kujdesur që për këtë të ketë një vendimmarrje zyrtare prej institucionit që i ka në pronësi. Nga ana tjetër duhet të sigurohet edhe bërja e ditur prej institucionit pronar se këto ambiente janë të lira dhe të hapura për përdorim nga të tërë subjektet e interesuar.
10. Gjithashtu, duhet saktësuar që automjetet dhe karburanti i titullarit të institucionit, si dhe çdo burim material i institucionit apo financiar (dieta, etj.), nuk duhet të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore apo për takime të titullarit e veprimtari të tjera të tij, kur këto të fundit nuk janë të karakterit institucional që lidhen drejtpërdrejtë me funksionet e titullarit si drejtues i institucionit shtetëror.
Këto automjete, sipas një urdhri që duhet të jetë miratuar nga titullari i institucionit përkatës, duhet të parkohen në ambientet e institucioneve respektive në përfundim të orarit zyrtar.
11. Vendimi i Komisionit Rregullator, përcakton qartë se Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve qëndrore e vendore, të pavarura e të varësisë, kryetarët e bashkive, prefektët, drejtuesit e Njësive Administrative dhe drejtuesit e institucioneve të varësisë duhet të publikojnë të dhënat e tyre të kontaktit në faqen zyrtare përkatëse të internetit.
Nga vëzhgimi i KRIIK rezulton se vetëm një numër shumë i vogël institucionesh e kanë përmbushur këtë detyrim.
Në këtë drejtim, Kujtesa mund të përmbajë edhe një pikë lidhur me këtë parashikim, i cili mundëson informimin e drejtuesve në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkelje apo veprimtari politike të mundshme që mund të kryhet nga administrata në varësi.