Gjatë monitorimit të javës së shtatë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Mosrespektimin e afatit ligjor për raportimin 5 ditë përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. Kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ-së;
3. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë;
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një partie politike.
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë në dispozicion të KQZ-së përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe në këtë javë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 14% e raportimeve në javën e shtatë (24 shkurt – 2 mars 2023) janë me vonesë.
Specifikisht, nga 316 aktivitete të raportuara nga data 24 shkurt deri në datën 2 mars 2023, 44 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 68, nga të cilat 25 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
Në rezultante, vërehet një rritje e numrit të aktiviteteve të raportuara, që shoqërohet edhe me rritjen e aktiviteteve të raportuara me vonesë, si në numër absolut ashtu edhe në numër relativ.
Gjithashtu, vlen të theksohet se KRIIK ka identifikuar së paku 11 aktivitete të cilat ishin raportuar me vonesë në javën e shkuar, të cilat, nga konteksti i raportimit duket se janë raportuar me vonesë gabimisht (p.sh., 7 shkurt në vend të 7 mars).
Këto nuk janë përfshirë në përllogaritjen e aktiviteteve të raportuara me vonesë, pasi janë konsideruar të raportuara në kohë. Ndërkohë që ky fenomen vërehet nga java në javë, kjo javë ka patur numrin më të lartë të të tilla aktivteteve.
Pasaktësitë në plotësimin e informacionit cënojnë të drejtën e KQZ-së të ushtrojë detyrimin e saj për të verifikuar apo edhe ndaluar potencialisht aktivitetin. Sikurse nuk jep informacion dhe iu ndalon të drejtën aktorëve të tretë për të monitoruar apo qytetarëve për tu informuar apo edhe marrë pjesë në to.
Sjellim si shembuj këtu:
– “takimin me aktoret te biznesit, fermere, prodhues, shoqeri civile per themelimin e GVV.@Belsh” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Ne mjedis te pacaktuar”. (linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/27/tryeze-diskutimi-3/ );
– inspektimin/kontrollin “Një investim i ri në sektorin e Agroturizmit është duke u zbatuar në Pogradec. Si një investim i nevojshëm në funksion të turizmit, Kryetari i Bashkisë do të inspektojë punimet e subjektit” për të cilin tek fusha “Vendi i Zhvillimit” plotësohet “Pogradec”. (linku i raportimit: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/25/inspektim-ne-agroturizem-ne-ndertim/ ), etj
KRIIK vlerëson se është me vend që KQZ t’u tërheqë vëmendjen institucioneve raportuese në lidhje me këtë fenomen, pasi tregon neglizhencë në përmbushjen e një detyrimi ligjor.
Sërish shprehet vlerësimi mbi vendimmarrjet për propozimin e sanksioneve bazuar në procesin e hetimeve administrative të zhvilluara, por vlerësohet se ka ende shumë për të bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në përfundim të këtij seksioni, vazhdojmë të sjellim sërish në vëmendje se për adresimin e problematikave të vërejtura, KRIIK ju ka përcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet Raporteve të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para, përkatësisht të datave 21, 28 janar dhe 4 shkurt 2023.
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
KRIIK ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, të kryejë një monitorim jo sistematik të faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe të mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktivitetit institucional të këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës 24 shkurt – 2 mars 2023, rezulton se së paku 17 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto 17 veprimtari janë kryer nga 14 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në këto gjetje, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell Rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportet pararendëse se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
- Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë
Pavarësisht parashikimeve ligjore, kujtesës e njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se “Në kuadër të përmbushjes së detyrës dhe ushtrimit të funksionit, zhvillimi i veprimtarive publike nga ministra, kryetarë bashkie, apo funksionarë të tjerë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve politik/partiak, përbën shkelje të neneve 91 dhe 92 të Kodit Zgjedhor. Gjithashtu në këtë rast përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhënia e mesazheve politike dhe elektorale.”, sërish vazhdojnë të kryhen veprimtari publike prej krerëve të bashkive me pjesëmarrës të drejtuesve politikë.
KRIIK ka denoncuar nëpërmjet dërgimit të provave, në formën e indicieve, pranë KQZ-së disa aktiviteteve publike të Kryebashkiakëve me pjesëmarrje të drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun përkatës, në të cilat janë bërë hapatazi thirrje dhe diskutime me natyrë elektorale, dhe është në pritje të procedimit të tyre prej KQZ-së.
Ndërkohë evidentohet se në disa njoftime të bëra në ndërfaqen e KQZ-së, disa bashki deklarojnë që në fillim se aktiviteti do të ketë pjesëmarrje të drejtuesit politik, ose të deputetëve të kuvendit , sipas dëshirës.
Ky fakt evidenton qartazi paraprakisht cënimin e ndalimeve ligjore të parashikuara.
KQZ-ja nxitet të shqyrtojë e verifikojë paraprakisht aktivitetet e raportuara dhe të ushtrojë detyrimin dhe kompetencën e dhënë nga ligji për ndalimin e këtyre veprimtarive, të cilat bien ndesh drejtpërdrejt me ligjin dhe njoftimet që bën edhe vetë KQZ-ja herë pas here.
Konkretisht, në këtë sesion, sillen denoncime për aktivitetet publike të zhvilluara nga bashkitë Patos e Lushnjë.
3.1 Bashkia Patos ka raportuar në ndërfaqen e KQZ-së, zhvillimin e një aktiviteti me temë “Inspektimi i Punimeve të Çerdhes së Qytetit”, në këtë link https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/22/inspektimi-i-punimeve-te-cerdhes-se-qyetitit-3/.
Sipas raportimit në këtë “Inspektim/kontroll” janë parashikuar se “Pjesëmarrësit” do të jenë: “Stafi i Drejtorise se Sherbimeve, Operatori Zbatues dhe Mbikqyresi i Punimeve dhe Deputete te Kuvendit sipas dëshirës”.
Kjo e fundit lë të nënkuptojë se Bashkia i ka ftuar deputetët e Kuvendit për të marrë pjesë në këtë inspektim/kontroll.
Ndërkohë , sipas raportimit njoftohet se aktiviteti nuk është i hapur për publikun dhe nuk do të mediatizohet.
Aktiviteti është raportuar për t’u kryer në datën 27 shkurt. Nga konsultimi i faqes së Facebook të Bashkisë Patos, duket se ky aktivitet nuk është publikuar në këtë faqe.
Ndërkohë ky aktivitet është publikuar në datën 1 mars në faqen e Facebook të deputetit Taulant Balla. Postimi i bërë ka këtë përmbajtje:
“Patos Vijon puna për rikonstruksionin total të çerdhes së qytetit në lagjen “Naftëtari”. Çerdhja e re, e cila së shpejti do të presë vogëlushët e #Patosit është rehabilituar sipas të gjitha standardeve bashkëkohorë
Postimi video, deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 9200 herë, ka marrë 1200 pëlqime, i janë bërë 241 komente, si dhe është shpërndarë 127 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook. (Linku i postimit: https://www.facebook.com/b.taulant/videos/3339099476307206/ ).
3.2. Bashkia Lushnjë ka raportuar në ndërfaqen e KQZ kryerjen e disa vizitave në fermerë për në datën 28 shkurt dhe 1 mars 2023, të cilat jepen në linqet e mëposhtme:
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/24/vizite-te-ferma-e-vellezerve-julian-dhe-klodian-shani/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/23/vizite-ne-seren-e-z-edi-shtembari-fshati-zhelizhan/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/23/vizite-ne-seren-e-z-renato-shtembarit-fshati-zhelizhan/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/23/vizite-ne-seren-e-z-renato-shtembaritfshati-zhelizhan/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/23/vizite-ne-seren-e-ilir-shtembaritfshati-zhelizhan/
- https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/23/vizite-ne-piken-e-grumbullimit-e-z-allkanjari-ne-krutje/
Për të gjitha aktivitetet e mësipërme raportohet prej Bashkisë Lushnjë se “Folësit kryesorë” do të jenë Eriselda Sefa dhe Taulant Balla, për të cilët deklarohet edhe “Pozicioni”, respektivisht “Kryetar i Bashkise Lushnje | Drejtues Politik”.
Sipas raportimit njoftohet se aktiviteti nuk është i hapur për publikun dhe nuk do të mediatizohet.
Nga kontrolli i bërë, rezultoi se asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk është publikuar në mediat sociale të Bashkisë Lushnjë.
Ndërkohë, referuar faqes së Facebook-ut të deputetit Taulant Balla, ai ka qenë i pranishëm në së paku dy prej tyre, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Lushjë:
3.2.1. “Vizite ne piken e grumbullimit e z. Allkanjari ne Krutje”.
Ky aktivitet eshte raportuar më datën 23.02.2023 se do të zhvillohej më datën 28.02.2023, ndërkohë që sipas publikimit të video/fotove të bëra, ai është zhvilluar një ditrë më përpara, pra më datën 27.02.2023.
Së pari, evidentohet se Bashkia Lushnjë ka raportuar një datë jo të vërtetë për zhvillimin e aktivitetit, duke qenë se deklarimi i datës së saktë, pra 27 shkurt, do ta penalizonte atë për mosraportim në kohë të aktivitetit. Me këtë deklarim të bërë , ajo i është shmangur filtrit të KQZ-së për raportimin 5 ditë përpara zhvillimit të aktivitetit.
Postimi me video në faqen e z. Balla https://www.facebook.com/b.taulant/videos/754959459550496) deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 17000 herë, ka marrë 4400 pëlqime, i janë bërë 505 komente, si dhe është shpërndarë 106 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook.
Postimi i bërë ka këtë përmbajtje:
“Lushnje Në pikën e grumbullimit të Saimir Allkanjarit në #Krutje. Pas shumë vitesh në emigrim, Saimiri vendosi të kthehet për të investuar në vendin e tij. Ai ka ndërtuar një pikë grumbullimi të perimeve dhe furnizohet kryesisht nga fermerët e zonës, duke u siguruar treg të sigurt për produktet e tyre. Përmes programit IPARD II u bë e mundur pajisja me dhoma frigoriferike e magazinës për ruajtjen e cilësisë së produkteve.”
Ndërkohë, që fotot mbi këtë aktivitet, të publikuara sërish në faqen e facebook-ut të z. Balla, rezultojnë se kanë marrë 1500 pëlqime, iu janë bërë 147 komente, si dhe janë shpërndarë 94 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook.
Linku i postimit (https://www.facebook.com/photo?fbid=737217147769827&set=pcb.737217314436477) , ka këtë përmbajtje:
“ Me njerëzit e Punës
3.2.2. “Vizite te ferma e vellezerve Julian dhe Klodian Shani”.
Postimi me video në faqen e z. Balla ( https://www.facebook.com/b.taulant/videos/511431124493445) deri në ditën e dërgimit të këtij raporti, rezulton se është parë 36000 herë, ka marrë 4200 pëlqime, i janë bërë 473 komente, si dhe është shpërndarë 111 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook.
Postimi i bërë ka këtë përmbajtje:
“Lushnje Në serat me perime të vëllezërve Shani në #Krutje. Juli dhe Klodi e shfrytëzojnë në maksimum investimin e tyre duke kultivuar njëkohësisht rrush dhe trangull!
Ndërkohë, që fotot mbi këtë aktivitet, të publikuara sërish në faqen e facebook-ut të z. Balla, rezultojnë se kanë marrë 1300 pëlqime, iu janë bërë 118 komente, si dhe janë shpërndarë 92 herë në faqe apo profile të tjerë të përdoruesve të facebook.
Linku i postimit (https://www.facebook.com/photo/?fbid=738121974346011&set=pcb.738122047679337), ka këtë përmbajtje:
“ Me njerëzit e punës në #Krutje
4. Aktivitete institucionale me praninë e përfaqësuesve politikë në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një partie politike.
4.1 Bashkia Elbasan më datë 28.02.2023, ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së, në datën 22.02.2023https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/22/inspektim-i-punimeve-10/ .
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan (https://www.facebook.com/elbasanbashkia), ku në postimin e bërë në linkun https://www.facebook.com/elbasanbashkia/videos/1688280371603759, paraqitet kjo përmbajtje:
“ Po mbajmë fjalën e dhënë për komunitetin e Njësisë 1
Tani rruga “Tomorr Domi” do të japë një tjetër lehtësi në qarkullim për bizneset e zonës së ish Konservimit dhe familjeve të atij blloku pallatesh
Gjithashtu foto të këtij aktiviteti janë postuar edhe në faqen zyrtare të z. Gjiknuri (https://www.facebook.com/photo?fbid=745951093566945&set=pcb.745956430233078), ku postimi i bërë ka këtë përmbajtje:
“Asfaltimi dhe sistemimi i plotë i rrugës “Tomorr Domi” si edhe rehabilitimi i sheshit të pallateve në Njësinë nr. 1 të qytetit është një tjetër dëshmi e punëve transformuese të bashkisë për Elbasanin. Investimi, një kërkesë e kahershme, u vjen në ndihmë mbi 300 banorëve të kësaj lagjeje.
Falë vizionit dhe përkushtimit të Gledit, bashkia po vijon ndërhyrjet në të gjitha lagjet e qytetit nga qendra në periferi.
Nga ana tjetër qeveria vazhdon vëmendjen e shtuar ndaj Elbasanit me investimet e mëdha sikurse janë ‘Korridori 8’, ‘Bypass-i’ i ri i Elbasanit, “Automotoparku”, shëtitorja anash lumit Shkumbin që do jetë një hapësirë fantastike rekreative.
Qytetarët e Elbasanit dinë ta bëjnë dallimin mes atyre që kërkojnë t’i përdorin për interesa personale e politike dhe atyre që punojnë e përkujdesen për ta.
Ndërsa video e postuar mbi këtë aktivitet, sërish në faqen e facebook-ut të z. Gjiknuri (https://www.facebook.com/Gjiknuri.Damian/videos/181832141243672), ka këtë përmbajtje:
“Në Elbasan ku falë ndërhyrjes së bashkisë kanë përfunduar punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës “Tomorr Domi” dhe sheshit të pallateve duke u ardhur në ndihmë mbi 300 banorëve të kësaj lagjeje të qytetit.
Video e aktivitetit është postuar edhe në faqen e facebook-ut të Kryetarit të Bashkisë Elbasan z. Llatja (https://www.facebook.com/llatja.gledian/videos/1396071481142183 me këtë përmbajtje:
“ Po mbajmë fjalën e dhënë për komunitetin e Njësisë 1
Tani rruga “Tomorr Domi” do të japë një tjetër lehtësi në qarkullim për bizneset e zonës së ish Konservimit dhe familjeve të atij blloku pallatesh
Gjithashtu fotot e aktivitetit janë postuar sërish në faqen e facebook-ut të Kryetarit të Bashkisë Elbasan z. Llatja (https://www.facebook.com/photo?fbid=756056279225159&set=pcb.756057575891696), me këtë prmbajtje:
*** Llogjet dhe deklaratat politike i merr era. Puna mbetet!
Me Damian Gjiknuri në kantieret e #bashkisë ku puna për rehabilitimin e infrastrukturës urbane vijon pa u ndalur
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht edhe në media. Disa nga mediat që e kanë transmetuar aktivitetin dhe kanë përcjellë mesazhet e transmetuara janë:
- TV Skampa https://www.youtube.com/watch?v=HpR7xQesjfc
- Elbasaninews.tv https://elbasaninews.tv/elbasan-rikonstruksioni-i-rruges-tomorr-domi-investimi-ne-dobi-te-qytetareve-dhe-bizneseve/
Ky aktivitet “Inspektim/kontroll” i organizuar nga Bashkia Elbasan është përdorur haptas dhe qartaz për të kryer diskutime elektorale dhe hedhur premtime të drejtëpërdrejta në emër të maxhorancës në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.
Drejtuesi politik i PS pwr Qarkun Elbasan z. Damian Gjiknuri: “(…) Kemi qenë dëshmitarë që gjatë gjithë këtij viti në Elbasan po hapen shumë kantiere, po ndërhyet në të gjitha periferitë e qytetit, në lagje që ndër vite nuk kishin parë investim.
Kjo është falë punës së mirë të qeverisë, mbështetjes së qeverisë, mirë administrimit të fondeve lokale, punës së gjithë zyrtarëve të bashkisë, të cilët në bashkëpunim me komunitetin kanë rënë dakord që të ndërhyjnë në ato zona që edhe vetë banorët e kanë kërkuar. Puna flet vetë, dhe më vjen mirë se Gledi e ka zënë në mënyrë sistematike siç thotë populli me sira një nga një, dhe mbështetja nuk do t’i mungojë.
Kjo është dhe arsyeja pse kërkon dhe ky të mbështetet me një mandat tjetër nga qytetarët të vazhdojë këto punë të nisura, të transformojë Elbasanin.
Qeveria do bëjë punën e saj, me veprat e mëdha (…) nga ana tjetër Bashkia do sistemojë të gjitha lagjet dhe Elbasani do bëhet më i mirë dhe më i bukur. Këtë kërkojnë qytetarët nuk kërkojnë betejat politike të Tiranës. (…)” Fjalimi i plotë në këtë link https://www.facebook.com/llatja.gledian/videos/1396071481142183/ .
KRIIK ia paraqet këtë denoncim si indicie institucionit te KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej KQZ, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara