Gjatë monitorimit të javës së gjashtë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Mosrespektimin e afatit ligjor për raportimin 5 ditë përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. Kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ-së;
3. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati;
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë në dispozicion të KQZ-së përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe në këtë javë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 9.8% e raportimeve në javën e gjashtë (17 shkurt – 23 shkurt) janë me vonesë.
Specifikisht, nga 244 aktivitete të raportuara nga data 17 shkurt deri në datën 23 shkurt 2023, 24[1] janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 59, nga të cilat 15 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
KRIIK vlerëson vendimmarrjet për propozimin e sanksioneve bazuar në procesin e hetimeve administrative të zhvilluara, por është i mendimit se ka ende shumë për të bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në përfundim të këtij seksioni, vazhdojmë të sjellim sërish në vëmendje se për adresimin e problematikave të vërejtura, KRIIK ju ka përcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet Raporteve të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para, përkatësisht të datave 21, 28 janar dhe 4 shkurt 2023.
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të pa raportuara
KRIIK ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, të kryejë një monitorim jo sistematik të faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe të mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktivitetit institucional të këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës 17 – 23 shkurt 2023, rezulton se së paku 16 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto 16 veprimtari janë kryer nga 11 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në këto gjetje, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell Rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportet pararendëse se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
Ndërkohë, shkelja e konstatuar për mosraportim të aktivitetit, rëndohet më tej me një shkelje tjetër, pasi aktiviteti institucional është përdorur qartas për të krijuar avantazhe ndaj forcës politike në pushtet, njëkohësisht forca politike që ka propozuar dhe mbështetur Kryetarin e Bashkisë.
– Sjellim këtu aktivitetin e Bashkisë Prrenjas, më datë 20.02.2023, postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Prrenjas, z. Nuri Belba: https://www.facebook.com/n.belba: (linku i postimit:
https://www.facebook.com/photo/?fbid=640518478080608&set=pcb.640519101413879). Gjithashtu ky postim është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Prrenjas: https://www.facebook.com/profile.php?id=100064965812711 .
– Gjithashtu, edhe aktivitetin e Bashkisë Kavajë më datë 22.02.2023 të postuar në faqen e Kryetarit të Bashkisë Kavajë z. Redjan Krali: https://www.facebook.com/RedjanKrali. (linku i postimit: https://www.facebook.com/photo/?fbid=597520338860051&set=pcb.597520685526683 ).
- Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.
3.1 Bashkia Fier ka raportuar në ndërfaqen e KQZ-së, zhvillimin e një aktiviteti me temë “Tryeze diskutimi me komunitetin”, në këtë link https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/31/tryeze-diskutimi-me-komunitetin/
Aktiviteti është raportuar nga Bashkia Fier në datën 31.01.2023 dhe është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 04.02.02023. Nga konsultimi i faqeve në mediat sociale vërehet se ky aktivitet nuk është pasqyruar si i zhvilluar në datën e planifikuar.
Ndërkohë, një aktivitet me të njëjtat të dhëna dhe në të njëjtin vend është publikuar në mediat sociale të kryetarit të bashkisë Fier z. Armando Subashi, drejtuesit politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla, si dhe nga media lokale TV Kombi në datën 19.02.2023.
Në rast se aktiviteti i datës 4 shkurt është zhvilluar, pavarësisht se për atë nuk ka patur asnjë postim apo jehonë mediatike, sikurse është praktikë e aktiviteteve të kësaj bashkie, atëherë aktiviteti i datës 19 shkurt 2023, përpos se evidentohet me përmbajtje dhe natyrë elektorale, rezulton të jetë edhe një aktivitet i pa-raportuar.
Postimi i videos së bërë në Faqen Zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Fier z. Armando Subashi, më datën 19.02.2023, si përshkrim të saj dhe të aktivitetit të zhvilluar, ka përmbajtjen e mëposhtme:
“ ME NJERËZIT PËR NJERËZIT
Mbrostar, Fier Ne do të vijojmë me projektet e rëndësishme infrastrukturore në Bashkinë e Fierit falë mbështetjes së qeverisë @Edi Rama Sondazhet konfirmojnë një fitore shumë të thellë tonën #14Maj2023
Nga ana tjetër Aleanca e Rublave Berisha-Meta do të vazhdojnë protestat kundër drejtësisë për interesat e tyre personale. Por siç thotë populli “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”. Na duhet që të gjithë sëbashku të vijojmë me punën dhe të realizojmë çdo premtim të dhënë për banorët e Mbrostarit dhe të Fierit, me një fokus të veçantë #BUJQËSIA
Ky postim me përmbajtje haptazi dhe të drejtëpërdrejtë elektoral, deri në datën 25.02.2023, rezulton se ka marrë 862 pëlqime, i janë bërë 193 komente si dhe është rishpërndarë si postim edhe nga 451 përdorues të tjerë të platformës së facebook.
Përpos këtyre postimeve, edhe në median lokale TV Kombi është pasqyruar lajmi i takimit ku, ndër të tjera evidentohet qartë mesazhi elektoral që përçohet:
“… Në fjalën e tij Balla ka vlerësuar faktin që punë të mëdha po zhvillohen në qytetin e Fierit, ashtu si punë të mëdha po zhvillohen në çdo njësi administrative në drejtim të zhvillimit të bujqësisë > ai ka shprehur bindjen që me këto ritme së shpejti Fieri dhe Mbrostari do të jenë një.
Duke u ndaluar në aspektin politik Balla pa shprehur mirënjohjen për banorët e kësaj njësie administrative që kanë mbështetur PS, ashtu si do të jenë pararojë në zgjedhjet e 14 majit.”
Gjithashtu, në videon e postuar, megjithëse evidentohet se ka ndërprerje dhe nuk është e plotë, konstatohen qartë mesazhet elektorale në dy fjalimet që paraqiten, përkatësisht të Kryetarit të Bashkisë z. Armando Subashi dhe të dërguarit politik z. Taulant Balla.
Më poshtë paraqiten gati të plota fjalimet elektorale të të dy zyrtarëve, në të cilat janë nënvizuar edhe frazat që e përçojnë edhe më fort mesazhin e drejtëpërdrejtë elektoral. Konkretisht:
– Kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi: “Shumë faleminderit të gjithëve për këtë pjesëmarrje fantastike, do të thosha këtu, në fakt Mbrostari nuk ka qenë asnjëherë më i bukur se sot. Shumë falemnderit! (duartrokitje)
Reforma që ndërmorri qeveria në 2015, duke hequr ato 400 bashki e komuna të vogla e krijuar 61 bashki, ndofta ishte reforma më e mirë që është marrë në gjithë këto vite. Sepse realisht kjo i dha mundësi bashkive të reja që të kryenin shumë punë të cilat prej vitesh e vitesh nuk kryheshin në territor dhe të ofronte shumë shërbime në fakt të munguara prej vitesh. Sot besoj ndjehemi krenar të gjithë për punët e mëdha që kemi bërë, ku padyshim jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që kemi akoma më shumë për të bërë, edhe pse kemi bërë shumë në gjithë këto vite. …
Ne përditë jemi në punë, përditë kemi tetë eskavatorë që punojnë në çdo fshat në çdo fushë, në çdo cep të bashkisë, sepse për hir të së vërtetës , kjo është një punë kolosale në fakt, nuk është një punë që mjafton bëre 100 apo 200 km pastrim dhe e përfundove. Por është një punë që do duhen shumë më shumë se kaq, që ne ta vazhdojmë dhe ta çojmë realisht të paktën atje ku ka qenë në fillim të viteve ’90 i gjithë sistemi bonifikues, jo vetëm i kësaj zone, por sigurisht edhe i gjithë Bashkisë së Fierit. Një moment tjetër që unë do të ndalesha, ka qenë edhe mirëmbajtja në fakt e gjithë shkollave. Ky vit do të jetë viti i rikthimit edhe të investimeve në drejtim të rikonstruksionit të godinave arsimore. …
Në muajt tetor – nëntor ne kemi bërë dëgjesa me shumë kujdes, ju kemi dëgjuar me shumë vëmendje kudo ku kemi shkuar, kemi marrë të gjitha kërkesat që komuniteti ka pasur në çdo njësi. Dhe në buxhetin që kemi miratuar dhe që kemi filluar të aplikojmë të këtij viti, pothuajse i kemi parashikuar të gjitha këto investime. Të gjitha punët qoftë për efekt kohe, qoftë për efekt financash, sigurisht nuk bëhen dot punët e një viti në 2 apo 3 muaj. Por dua t’ju garantoj që të gjitha ato çka kemi rënë dakort, çka keni kërkuar, ne i kemi parashikuar në buxhet dhe do të vazhdojmë në të gjitha këto kollona që unë përmenda. Do të vazhdojmë të investojmë, do të vazhdojmë të punojmë. …
Ndaj unë jam besimplotë se në do të vazhdojmë të jemi të gjithë bashkë, do të vazhdojmë të bëjmë punët e mira, do të vazhdojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona që kemi ndaj komunitetit në çdo cep të bashkisë, në çdo fshat, në çdo lagje të qytetit, në çdo lagje të fshatit. ”
– Drejtuesi politik i Qarkut Fier, z. Taulant Balla: “Bëhen gati 26 km rrugë, më shumë se 140 km kanale, të cilat janë punë që flasin vetë. Ne duam që njerëzit të na gjykojnë për punën që bëjmë. Dhe e vërteta është që, të parët që duam të kishim bërë më shumë në Mbrostar, nuk flas Mbrostar si njësi, por flas edhe në Petov, edhe në Kallm të Madh, edhe në Kallm të vogël, edhe në Vërri, edhe në Vajkan, duhet të kishim bërë edhe më shumë. Kjo nuk ka asnjë dyshim.
Nga 2015 kur ne patëm mundësi të bëjmë këtë ndryshim thelbësor, të ndarjes administrative, të përfshirjes së këtyre gjashtë fshatrave, që përbëjnë njësinë administrative Mbrostar, natyrshëm brenda Bashkisë. Dhe unë shpesh herë me Armandon e themi që zona e Mbrostarit është zona ku do zgjerohet qytetit i Fierit. Pra do bashkohet në një njësi të vetme. Dhe e vërteta është që ne duam që të bëjmë më shumë. Jemi në një fazë shumë të rëndësishme transformimi të Fierit. Punët e mëdha po zhvillohen në qytetin e Fierit, punë të mëdha duhet të vazhdojmë edhe në çdo njësi administrative ku fokusi kryesor do të jetë mbështetja për bujqësinë.
Pak ditë më parë isha në Petov, ku falë mendjes, duarve, mundit të banorëve, sikurse edhe në njësitë e tjera, aty është rritur kapaciteti prodhues. Ju i patë shifrat, janë të pakundërshtueshme që vitin 2022 e kemi përmbyllur me gati 550 milionë dollarë eksporte bujqësore. Vjet patëm një çmim të mirë të disa prej prodhimeve sikurse ishte domatja, apo perimet e tjera, por kishim edhe efektet e luftës që goditën secilën prej familjeve, sepse u goditën për shkak të rritjes së çmimit të naftës, për shkak të rritjes së çmimit të inputeve plehrave kimike, po është e vërtetë.
33 miliardë lekë të vjetra është buxheti i skemës sonë i mbështetjes në bujqësi.
Dhe këto duhet t’i ndajmë sa të kemi mundësi, ku natyrshëm qarku i Fierit është qarku më bujqësor në Shqipëri, dhe ka pjesën më të madhe të kësaj mbështetje.
Populli ta jep peshën tënde, vlerësimin, siç ke bërë punën. Dhe unë mund t’ju them me shumë krenari që në Fier, të dashur motra e vëllezër, është bërë punë. (duartrokitje)
Është punuar, mbani mend, nga 2015-a deri më sot, 26 km asfalto-beton të shtruar vetëm në njësinë tuaj. Dhe jam shumë krenar t’ju them që edhe në buxhetin e vitit 2023 e kemi futur përsëri. Dhe do vazhdojmë, do vazhdojmë, do vazhdojmë deri sa të garantojmë që në çdo cep të territorit ne të bëjmë atë që na takon ne.
Partia Socialiste ju është shumë mirënjohëse. Dhe kjo na shton më shumë, do thoja unë, inkurajimin për të punuar më mirë këtu.
Ne do të kemi përfaqësues shumë të mirë në Këshillin Bashkiak të Fierit në listën tonë të Partisë Socialiste, sepse na duhet parlamenti vendor i Fierit të jetë një parlament i mirë ku bëhet transparencë.
Shkojmë përpara popullit e themi, po, kemi bërë këto investime në Mbrostar, kjo ka kushtuar kaq, hekuri ka kushtuar kaq, asfalti ka kushtuar kaq, betoni ka kushtuar kaq, e të tjera me rradhë. Çdo qindarkë. Dhe Këshilli Bashkiak këtu ka një rol të pazëvendësueshëm.
Lufta preku çmimin e naftës, preku çmimet e inputeve bujqësore, preku çmimet e ushqimeve, por mos harroni ama, që përsëri kjo qeveri, e përgjegjshme, u gjend që në momentin e parë.
A ishte e mjaftueshme tetëdhjetë mijë lekë për pensionistët në janar, për çdo pensionist? Ndoshta s’është, duhet të jetë njëqind e gjashtëdhjetë? Kaq mundësi kishim.
Nëse do arrijmë që të mbledhim më shumë nga të ardhurat, dhe do mbledhim më shumë përfshirë këtu edhe këtë taksimin që do t’i bëjmë këtyre shitësve të energjisë elektrike, do marrim prapë përsëri do shpërndajmë, në mars e në prill, prapë mbështetje për çdo pensionist. Do ta rrisim pagën minimale në ekonomi, në mënyrë që të garantojmë që ata që preken më shumë dhe drejtëpërsëdrejti nga efektet e krizës, ata të paguajnë më shumë. Një gjë është e sigurtë. (duartrokitje)
Të paguajnë, të marrin më shumë nga shteti. Pra një pensionist duhet të marrë më shumë mbështetje nga shteti. …”
Nga sa më sipër evidentohet qartë se nuk kemi të bëjmë me një “Tryeze diskutimi me komunitetin e njesise Mbrostar mbi problematikat e zones”, sikurse thuhet në njoftimin e bërë nga Bashkia Fier, por me një takim të organizuar nga Bashkia e Fierit për të prezantuar arritjet dhe premtimet e Kryetarit të Bashkisë dhe Qeverisë Socialiste, të transmetuara nëpërmjet drejtuesit politik të Qarkut Fier z. Taulant Balla, deputet i qarkut Elbasan dhe njëkohësisht Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Gjithë sa më sipër parashtruar, në gjykimin e KRIIK e bëjnë aktivitetin e organizuar nga Bashkia Fier një aktivitet haptas elektoral, të ndaluar për t’u zhvilluar, i cili përbën shpërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore, pasi është nxitur dhe përdorur një aktivitet i Bashkisë Fier për propagandë elektorale.
KRIIK ia paraqet këtë denoncim si indicie KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
3.2 Bashkia Prrenjas më datë 20.02.2023, ka zhvilluar një veprimtari publike të cilën nuk e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, deputet i Qarkut Vlorë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste z. Damian Gjiknuri.
Njoftimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie publike është postuar në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Prrenjas, z. Nuri Belba: https://www.facebook.com/n.belba dhe ka këtë përmbajtje:
“ Së bashku me Damianin bashkëbiseduam me pensionistë dhe veteranë të Prrenjasit .
Qeveria ka treguar vëmendje të veçantë ndaj moshës së tretë duke ofruar përkujdesje dhe mbështetje jo vetëm për shpërblimin e fundvitit por edhe me bonusin e Pakos së Madhe
Përkujdesja ndaj moshës së tretë do të vijojë, ndaj me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të jetë gati dhe një tjetër bonus për ta
Linku i postimit gjendet tek: https://www.facebook.com/photo/?fbid=640518391413950&set=pcb.640519101413879 .
Gjithashtu ky postim është shpërndarë edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Prrenjas: https://www.facebook.com/profile.php?id=100064965812711 .
Aktiviteti është pasqyruar gjerësisht në media, ku janë evidentuar qartazi edhe thirrjet e drejtpërdrejta elektorale nga të dy zyrtarët, Kryetari i Bashkisë z. Nuri Belba dhe nga Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri.
Në portalin Lexo.al pasqyrohet se: “… Drejtuesi politik i qarkut kërkoi mbështetjen e qytetarëve ndaj PS dhe kandidatit të saj për të vijuar punët e mira të bëra. “Kërkojmë që si Parti Socialiste, përfshirë dhe Nuren, të kemi mbështetjen tuaj është pikërisht për të vazhduar këto punë të mira. Do thotë dikush, po mirë zgjedhje vendore janë! Janë dhe politike. Kundërshtarët tanë pak gjëra të mira i kanë sjellë këtij vendi. Pikërisht janë ata tani të parët që duan të flasin për përmbysje, për frenim të zhvillimit, të shporret kjo qeveri, e të tjera me qëllim që të kthehet Sali Berisha me Ilir Metën prapë në qeveri. Kjo është e vërteta. Dhe këto zgjedhje lokale duan t’i shfrytëzojnë për këtë qëllim që të krijojnë idenë sikur ata po vijnë në pushtet, gjë që për mua s’ka fare mundësi, por po e them kush është synimi i tyre. E shikojnë që nuk vijnë dot me votë e çfarë bëjnë tani stisin protesta, stimulojnë kriza, bëjnë ato shfaqet e shëmtuara në parlament me bilbila. Saliu ka që në 91’-shin që merret me politikën e Shqipërisë dhe ja ku jemi”, nënvizoi Gjiknuri, teksa shprehu besimin se Korridori 8 do të sjellë më shumë zhvillimin për Bashkinë e Prrenjasit. …
Kryebashkiaku Nuri Belbadeklaroi se qyteti brenda 4 viteve është transformuar duke njohur investime të rëndësishme falë dhe mbështetjes së qeverisë socialiste. “Ne kemi ardhur në krye të bashkisë pas dy mandatesh rresht të PD-së dhe LSI-së. Kemi gjetur shumë probleme, por kemi zgjidhur shumë probleme. Kemi qenë pa spital, tani kemi spitalin, i cili falë dhe mbështetjes së kryeministrit është bërë realitet, që sot e kemi me kushte komode. Kemi bërë ndërhyrje në qytet në shumë rrugë të qytetit, por edhe në njësi. Kemi prekur pothuajse çdo fshat me ato investime që në i kemi detajuar me ju. Kemi pasur mbështetjen e qeverisë sidomos në një sektor shumë jetik siç është furnizimi me ujë të pijshëm. Kjo mbështetje do vijojë. Buxheti i vitit 2023 i detajuar në bashki përfshin shumë investime”, tha Belba.” (linku i postimit: https://www.lexo.al/2023/02/damian-gjiknuri-bashkebisedim-me-pensionistet-ne-prrenjas-se-shpejti-dhe-paketa-tjeter-e-ndihmes-mbeshtetja-juaj-per-te-vijuar-me-punet-e-mira/) .
Këto mesazhe elektorale dhe të tjera janë pasqyruatr edhe në:
– Info24 televizion & info24.al (linku i postimit: https://info24.al/2023/02/20/damian-gjiknuri-me-pensionistet-ne-perrenjas/);
– Gazetën Dita (linku i postimit: https://gazetadita.al/prrenjas-gjiknuri-takim-me-pensionistet-se-shpejti-dhe-paketa-tjeter-e-ndihmes/);
– TV ABC News (linku i postimit: https://abcnews.al/damian-gjiknuri-me-pensionistet-ne-prrenjas-se-shpejti-dhe-paketa-tjeter-e-ndihmes-mbeshtetja-juaj-per-te-vijuar-me-punet-e-mira/);
– TV SKAMPA (link: https://www.youtube.com/watch?v=W0iCBUHQPY8);
– Agjensia Telegrafike Shqiptare (link: https://ata.gov.al/2023/02/20/gjiknuri-se-shpejti-dhe-paketa-tjeter-e-ndihmes-per-pensionistet/); etj.
Gjithë sa më sipër parashtruar, në gjykimin e KRIIK e bëjnë aktivitetin e organizuar nga Bashkia Prrenjas një aktivitet haptas elektoral, të ndaluar për t’u zhvilluar, i cili përbën shpërdorim të burimeve publike për fushatën zgjedhore.
KRIIK ia paraqet këtë denoncim si indicie KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Në përfundim të këtij rasti, ju sjellim në vëmendje se ky është rasti i 2-të ku Bashkia Belsh, organizon gati të njëjtin aktivitet me të njëjtët aktorë protagonistë, por këtë rradhë Bashkia Belsh nuk e ka raportuar fare si veprimtari publike në ndërfaqen e KQZ-së, sikurse është detyrimi i caktuar nga ligji.
KRIIK ngre shqetësimin, për mosmarrje ende vendim nga ana e KSHZ lidhur me aktivitetin e parë, i cili ju është raportuar si indicie për përdorim elektoral të aktivitetit zyrtar të Bashkisë. Për më tepër shihni pikën 3.2 dhe 4.1 të Raportit I të Gjetjeve dhe Rekomandimeve për Javën I (13-19 janar 2023) i cili ju është përcjellë më datën 21 janar 2023.
Ky aktivitet i Bashkisë Prrenjas, duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për KQZ-në në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe përgjegjësive të saj, për të mos lënë shteg abuzuesve ndaj ligjit.
Zvarritja në procedura, relativizimi apo ngurrimi i KQZ-së për të vepruar me efikasitet dhe në mënyrë proaktive ndaj indicieve apo denoncimeve të marra është i papranueshëm.
Kjo sjellje është një mesazh inkurajues për të gjithë makinerinë e abuzuesve të ligjit me kostum shtetëror, pre e të cilit nuk është vetëm parimi i barazisë në garën zgjedhore, por në radhë të parë janë të drejtat edhe liritë e qytetarëve, të cilëve shteti dhe zyrtarët e tij duhet t’iu shërbejnë sipas ligjit, pa i imponuar dhe intimiduar.
3.3. Bashkia Kavajë më datë 22.02.2023 ka zhvilluar një veprimtari publike (takim) me banorë në Helmas, të cilën nuk e ka njoftuar paraprakisht në ndërfaqen e KQZ-së.
Kjo veprimtari është postuar në faqen e Kryetarit të Bashkisë Kavajë z. Redjan Krali: https://www.facebook.com/RedjanKrali. Postimi i bërë ka këtë përmbajtje:
“ Helmas
Kavaja është e çdo banori të saj, qytet a Njësi qoftë. Është e njerëzve të ndershëm dhe punëtorë që e duan dhe kontribuojnë për transformimin e mëtejshëm të saj!
*Mirënjohje zemre për çdo shtrëngim dore e përqafim që mora sot në Helmas.
Besimi juaj është frymëzim për ne!
Energjia juaj është garancia për një mandat të .
Bashkë jemi më të fortë!
#14maj ”,
(linku i postimit: https://www.facebook.com/photo/?fbid=597520338860051&set=pcb.597520685526683 ).
Nga mesazhet më sipër dhe sloganet elektorale të përdorura, në gjykimin e KRIIK, ky aktivitet është përdorur për të krijuar avantazhe elektorale duke përdorur një aktivitet institucional të bashkisë, i cili përbën shpërdorim të burimeve publike.
KRIIK ia paraqet këtë denoncim si indicie KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
[1] Në përllogaritje është eliminuar një aktivitet i raportuar me vonesë nga Bashkia Roskovec, i raportuar për tu kryer më datën 02/02/2023, (https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/02/22/shperndarja-e-kontiniereve-te-dhuruar-nga-ambasada-japoneze/). Duket se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor në plotësimin e datës, pasi rezulton i vetmi aktivitet i raportuar me vonesë nga kjo bashki në këtë periudhë, ndërkohë që raportohet rreth 22 ditë pas ditës së planifikuar. Me gjasë, data e zhvillimit të veprimtarisë duhet të jetë data 2 mars, dhe jo 2 shkurt, sikurse është raportuar.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara