Gjatë monitorimit të javës së pestë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Mosrespektimin e afatit ligjor 5 ditor përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. Kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ-së;
3. Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë në dispozicion të KQZ-së përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe në këtë javë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 16% e raportimeve në javën e tretë (10 shkurt – 16 shkurt) janë me vonesë.
Specifikisht, nga 246 aktivitete të raportuara nga data 10 shkurt deri në datën 16 shkurt 2023, 40 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Numri total i institucioneve raportuese përgjatë periudhës kohore që mbulon ky raport është 54, nga të cilat 18 kanë raportuar së paku një aktivitet përtej afatit të përcaktuar ligjor.
KRIIK shpreh sërish shqetësimin dhe nevojën për adresimin e duhur nga KQZ të problematikës së vonesave në raportime, për të ndikuar thelbësisht në vijimin e procesit deri në ditën e zgjedhjeve.
Pas kërkesave të përsëritura për të bërë saktësimin e përllogaritjes së afatit pesë ditor, KRIIK përgëzoi saktësimin e bërë verbalisht nga Drejtoresha e Drejtorisë Juridike, në seancën publike të mbledhjes të KSHZ të datës 1 shkurt 2023 (Shih Raportin III të dërguar më datë 4 shkurt 2023).
Por nga kontaket dhe rakordimi i bërë me administratën e KQZ-së gjatë kësaj jave, u konstatua një mënyrë tjetër përllogaritje nga ana e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, pesëditëshi i kërkuar në dispozicion të saj fillon të përllogaritet nga dita kur bëhet raportimi në ndërfaqen e KQZ-së, pavarësisht se ai mund të bëhet në orët e vona të ditës apo edhe në mbrëmje, duke u përllogaritur kështu si dita e parë në dispozicion të KQZ-së.
Në gjykimin e KRIIK, kjo situatë komplikohet edhe më, në rastin e përkimit me ditët e pushimit zyrtar apo të njoftimit të KQZ-së nëpërmjet shkresave apo email-it.
KRIIK shpreh rezervat e tij për këtë mënyrë përllogaritje, dhe i bën sërish thirrje KQZ-së për ta shqyrtuar në tërësi tërë procesin e deritanishëm dhe bërë adresimet e duhura për përmirësim.
Vazhdimi i funksionimit të mekanizmit me të njëjtën mënyrë, kufizon rolin kontrollues të KQZ-së, ndërkohë që edhe rrit artificialisht ngarkesën ndaj punonjësve përgjegjës së administratës së KQZ-së, por edhe punonjësve përgjegjës së institucioneve raportuese.
Gjithashtu, KRIIK vlerëson vendimmarrjet për propozimin e sanksioneve bazuar në procesin e hetimeve administrative të zhvilluara, por është i mendimit se ka ende shumë për të bërë nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përfundim të këtij seksioni, përpos rekomandimeve më sipër, sjellim sërish në vëmendje se KRIIK për adresimin e problematikave të vërejtuara, ju kapërcjellë Rekomandime konkrete, qoftë në nivel politik e të përgjithshëm, qoftë në nivel teknik e konkret, nëpërmjet Raporteve të Monitorimit, e veçanërisht atyre të tre javëve të para, përkatësisht të datave 21, 28 janar dhe 4 shkurt 2023.
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të paraportuara
KRIIK ka vijuar edhe përgjatë kësaj jave, të kryejë një monitorim jo sistematik të faqeve zyrtare të disa institucioneve në mediat sociale, si dhe të mediave të tjera online lidhur me pasqyrimin e aktivitetit institucional të këtyre institucioneve.
Gjatë periudhës 10 – 16 shkurt 2023, rezulton se së paku 21 veprimtari publike nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Këto 21 veprimtari janë kryer nga 12 institucione, sipas Lidhjes nr. 4 bashkëlidhur këtij raporti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar, pasi ato nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në ndërfaqen e KQZ-së.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në këto gjetje, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell Rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportet pararendëse se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet veprimeve institucionale dhe vendimmarrjeve të nevojshme të sigurojë dhe propagandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet edhe të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
- Aktivitete institucionale në të cilat janë mbajtur fjalime me përmbajtje elektorale në favor të një subjekti zgjedhor apo të një kandidati.
3.1 Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledjan Llatja, së bashku me drejtuesin politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri si dhe deputeten e Qarkut Elbasan zj. Dasantila Tahiraj ka zhvilluar bashkëbisedim me banorët e lagjes “Katund i vjetër” në Njësinë Administrative Shushicë.
Ky aktivitet është postuar në faqet Facebook të kryetarit të Bashkisë Elbasan Z. Gledjan Llatja si dhe faqen Facebook të Z. Gjknuri, në datën 14 shkurt 2023.
Së pari, evidentohet se aktiviteti nuk është raportuar për t’u zhvilluar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ dhe as si aktivitet ku merr pjesë dhe është prezent Kryetari i Bashkisë.
Përgjatë fjalës së tij në këtë takim, Kryetari i Bashkisë evidentohet qartë që është thirrësi i takimit, duke folur ndër të tjera mbi punët e bëra nga Bashkia në këtë zonë e përmendur me shembuj konkretë se çfarë është bërë dhe se cilat janë disa nga projektet për të ardhmen, duke e cilësuar në këtë mënyrë këtë aktivitet si një aktivitet institucional të Kryetarit të Bashkisë me komunitetin e kësaj zone.
Së dyti, më shumë shqetësues mbetet fakti se në këtë takim janë mbajtuar fjalime e janë kryer thirrje me kontekst elektoral. Kjo gje evidentohet qartë, pavarësisht se konstatohet se video e postuar ka pësuar modifikime (prerje) dhe nuk është bruto.
Konkretisht:
Z. Gledjan Llatja: “Ndjesë njëherë se u vonuam një çikë. … Kur kam ardhur në 2019 në Shushicë nuk kishte një rrugë të shtruar brenda në fshat. Na linte rruga deri aty tek cepi, te rrotonda, dhe mbahej mend që u bë një rrugë në Shushicë.
Ne sot po flasim për prita lumore, që një pjesë është mbyllur një pjesë do të mbyllet totalisht. Flasim për rrugë të shtruara me standarte, flasim për kërkesa që janë të domosdoshme për qytetarët, por që vijnë në një fazë edhe më të dytë. …
Flasim për pjesën e ujit të pijshëm poshtë, që na ka ngec një çik edhe po i gjejmë zgjidhjen. Flasim për zhvillimin e zonës, nuk flasim më vetëm për problemet bazike. …
Dalëngadalë po i bëjmë, po i bëjmë dhe po i bëjmë gjërat konkrete. Ne i kemi fut në sistem zgjidhjeje dhe ne do t’i zgjidhim. Unë dua t’ia jap fjalën mbështetësit tonë më të madh, realisht, Damiani, (….)”
Z. Damian Gjiknuri: “(…) Ne do bëjmë çmos që edhe t’ju qendrojmë në anë edhe për problematikat që janë. Fushata zgjedhore, do vije edhe ai krahu tjetër do premtojë do mashtrojë. (…) Se ai që është nga kryetari tjetër ka qenë kryetar PD-je ka qenë kandidat për kryetar bashkie. Ka qenë kur ishte në pushtet PD-ja, të gjitha i kishte në dorë po asgjë nuk bëri. Ne kemi një kandidat të mirë, por që nuk është vetëm. Ky ka nga mbrapa një organizatë politike që është PS-ja dhe ka edhe qeverinë e Edi Ramës që mbas 14 majit jemi ne në pushtet për t’i bërë realitet ato që do të vijnë. (…)”.
Takimi është pasqyruar edhe nga media Elbasani News TV:
Sipas kësaj media: “… Numri dy i socialistëve u shpreh se PS është alternativa më e mirë e cila ka treguar se di të punojë. “Ne kemi një kandidat shumë të mirë që nuk është vetëm. Ka mbrapa një organizatë politike që është PS-ja dhe qeverinë e Edi Ramës që pas 14 majit jemi ne në pushtet për t’i bërë realitet ato që thotë Gledi. Mbi të gjitha ka dhe anën njerëzore se unë e di që është djalë i komunikueshëm, i aksesueshëm. Kërkoj që ta mbështesni. Gledi është treguar shumë i drejtë mes fshatit dhe qytetit. Kështu që vota për Gledin dhe për Partinë Socialiste do jetë vazhdimësi e gjithë gjërave të mira të nisura këtu”, tha Gjiknuri.
Drejtuesi politik i qarkut u bëri thirrje atyre që më 14 maj të mos shpërdorojnë votën. Gjiknuri tha se Berisha dhe Meta nuk kanë asnjë alternativë zhvillimi, ndërsa shprehu bindjen se shqiptarët e kanë hedhur këtë dyshe në koshin e historisë. “Mos e shpërdoroni votën kot. Krahu tjetër e dëgjoni çfarë thonë në televizion, përmbysje thonë, revolucion, asnjë gjë tjetër. Asnjë alternativë zhvillimi. Pra, Berisha me Metën janë bërë bashkë për t’u rikthyer prapë në pushtet. Unë jam i bindur që shqiptarët i kanë hedhur në koshin e historisë. Shqiptarët meritojnë më shumë”, tha Gjiknuri. …”
Bazuar në gjithë sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti është haptas elektoral dhe përbën shpërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore, pasi është përdorur një aktivitet i Kryetarit të Bashkisë Elbasan për propagandë elektorale, ndërkohë që aktiviteti as nuk është raportuar.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
3.2 Kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledjan Llatja, bashkë me drejtuesin politik të Qarkut Elbasan z. Damian Gjiknuri ka zhvilluar bashkëbisedim me banorët në Labinot Mal.
Ky aktivitet është postuar në faqen Facebook të kryetarit të Bashkisë Elbasan Z. Gledjan Llatja si dhe faqen Facebook të Z. Gjknuri, në datën 15 shkurt 2023.
Së pari, evidentohet se aktiviteti nuk është raportuar për t’u zhvilluar në ndërfaqen e raportimeve të KQZ dhe as si aktivitet ku merr pjesë dhe është prezent Kryetari i Bashkisë.
Përgjatë fjalës së tij në këtë takim, Kryetari i Bashkisë evidentohet se është thirrësi i takimit, duke folur ndër të tjera mbi punët e bëra nga Bashkia në këtë zonë e përmendur me shembuj konkretë se çfarë është bërë dhe se cilat janë disa nga projektet për të ardhmen, duke e cilësuar në këtë mënyrë këtë aktivitet si një aktivitet institucional të Kryetarit të Bashkisë me komunitetin e kësaj zone.
Së dyti, më shumë shqetësues mbetet fakti se në këtë takim janë mbajtuar fjalime e janë kryer thirrje me kontekst elektoral. Kjo gje evidentohet qartë, pavarësisht se konstatohet se video e postuar ka pësuar modifikime (prerje) dhe nuk është bruto.
Konkretisht:
Z. Gledjan Llatja: “Ne kemi projekte të mëdhaja që duhet të ecim. Nuk janë vetëm projektet e vogla, tek rruga tek kanalizimi. Së bashku me qeverinë mund të bëjmë projekte të mëdhaja për Elbasanin që të zhvillohet edhe ekonomikisht, që të krijojmë më shumë të ardhura edhe ne që të vazhdojmë me investimet dhe me punët. (…)
Unë jam treguar i drejtë dhe kam çuar më shumë se gjysmën e buxhetit në fshat. (…)
Ju jap fjalën që do ju jem gjithmonë afër për çfarëdolloj gjëje dhe problematike.”
Z. Damian Gjiknuri: “Mbështetja e qeverisë garantohet me mbështetjen e qeverisë socialiste dhe të Edi Ramës. Me rrugët e mëdha, shëtitorja e Elbasanit që do bëhet, Automoto parku, dhe të gjutha investimet e tjera që po bëhen. Nga ana tjetar këtij i takon që të jetë më i vëmendshëm me fshatin (…)
Ne me votën për Gledin si kryetar Bashkie dhe me votën për këshillin socialist, se është shumë e rëndësishme kjo, që mos na pengojnë demokratët. Zgjedhjen e keni shumë të mirë, keni një djalë të ri që pavarësisht se është nga qyteti me origjinë mbështetjen e ka tek fshati, e dyta ka mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit.
Ndërsa krahu tjetër nuk ofron asgjë (…)”.
Bazuar në gjithë sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti është haptas elektoral dhe përbën shpërdorim të burimeve publike në fushatën zgjedhore, pasi është përdorur një aktivitet i Kryetarit të Bashkisë Elbasan për propagandë elektorale, ndërkohë që aktiviteti as nuk është raportuar.
KRIIK jua paraqet këtë denoncim si indicie juve si institucion i KQZ-së.
Sipas gjykimit të KRIIK, nevojitet që rasti të merret në konsideratë prej jush, të shqyrtohet duke ndërmarrë hetimin e nevojshëm administrativ dhe vazhduar më pas ndjekjen e procedurave të parashikuara për sanksionimin e shkelësve sipas ligjit.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 2 – Aktivitete te raportuara me vonese
Shkarko Lidhjen 3 – Aktivitete te paraportuara
Shkarko Lidhjen 4 – Permbledhje e aktiviteteve te paraportuara