Aksioni i Vëzhgimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 11 majit 2025
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në vazhdimësi të angazhimit prej më shumë se një dekade në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të standardeve për zgjedhje demokratike, monitoroi pjesërisht procesin e Zgjedhjeve Parlamentare të 11 majit 2025.
KRIIK ndjek në vijimësi të gjithë ciklin para dhe pas zgjedhor, si dhe periudhat mes cikleve zgjedhore, duke monitoruar dhe vlerësuar jo vetëm integritetin e zgjedhjeve, por edhe zhvillimet sistemike që ndikojnë procesin demokratik në tërësi. Përpos ndjekjes së procesit zgjedhor gjatë zhvillimit të tij, KRIIK ndjek në vijimësi situatën mes proceseve zgjedhore, çka mundëson të kuptuarin më të plotë të problemeve strukturore, dhe angazhohet në mënyrë aktive për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, përmes advokimit dhe kontributit në proceset reformuese të kuadrit ligjor për zgjedhjet, apo nisma të tjera për forcimin e demokracisë.
Gjatë periudhës parazgjedhore, një ekip ekspertësh ndoqën situatën politiko-institucionale që u parapriu zgjedhjeve, përgatitjet për procesin zgjedhor, administrimin e procesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me fokus të veçantë në përdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral dhe financimin e fushatës.
Përtej monitorimit dhe vlerësimit të procesit, në këto zgjedhje KRIIK u angazhua në mënyrë veçanërisht aktive në forcimin e kuadrit rregullator dytësor për zgjedhjet dhe implementimin e plotë dhe pa ekuivok të dispozitave aktuale ligjore, duke paraqitur rekomandime të detajuara për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si dhe denoncime të vazhdueshme për shkeljet e vërejtura në përdorimin e burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral. Fokusi i veçantë i kësaj ndërhyrjeje ishte kontributi për përmirësimin e kuadrit normativ për parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve dhe dhunimin e fshehtësisë së votës gjatë ditës së zgjedhjeve nga strukturat e patronazhit dhe kontrollit të votës, ndalimi i përdorimit të burimeve shtetërore dhe ofiqit publik për avantazh elektoral, votimi i diasporës, dhe financimi i fushatës. KRIIK ka investuar zyrtarisht KQZ-në me 19 dokumente me rekomandime për përmirësimin e aspekteve teknike dhe procedurale të procesit zgjedhor, përpos rekomandimeve të vijueshme verbale me administratën apo trupat drejtuese të KQZ-së, depozitoi 31 denoncime, publikoi gjashtë deklarata dhe një Qëndrim Publik për aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.
Ditën e zgjedhjeve KRIIK angazhoi 38 vëzhgues të cilët vullnetarisht monitoruan disa elementë të votimit, me fokus të veçantë në plotësimin e kritereve për votim të fshehtë, të lirë nga intimidimi dhe të qetë në afërsi të qendrave të votimit. Vëzhguesit raportuan në kohë reale për zhvillimin e procesit, duke përfshirë edhe parregullsitë e vërejtura.
Një ditë pas ditës së zgjedhjeve, në datë 12 maj 2025, KRIIK publikoi Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake mbi procesin zgjedhor, ku vlerësohet i gjithë procesi deri në atë pikë.
KRIIK vijon monitorimin e procesit pas-zgjedhor, përfshirë ankesat dhe apelimet; shpalljen e rezultateve përfundimtare; situatën politike dhe institucionale pas zgjedhjeve; këqyrjen e materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit, që do të kryhet nga KQZ-ja disa muaj pas zgjedhjeve; vetëraportimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore nga subjektet zgjedhore, si dhe auditimin e kontrollin e financave të fushatës nga KQZ-ja.