Koalicioni për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) përcjell opinionin e tij mbi projekt-vendimin “Pёr rregullat për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, kategoritë e veprimtarive të ndaluara, si dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore para zgjedhjeve” duke shprehur së pari përgëzimet e tij për rolin aktiv të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në rregullimin e ndjekjes së veprimtarisë së administratës shtetërore përgjatë fushatës zgjedhore dhe periudhën pararendëse.
Gjithashtu shprehen vlerësime për draftin e përgatitur dhe reflektimin në të të sugjerimeve të marra nga procesi konsultues, si dhe për relacionin e përgatitur e argumentimin e bërë në përgjigje të sugjerimeve të bëra nga aktorët e tjerë politikë ose jo.
KRIIK riorganizoi materialin e përgatitur[1] dhe pasi konsultoi draftin e përditësuar të përcjellë për seancën e mbledhjes së datës 22 dhjetor, ju paraqet konsideratat e tij lidhur me këtë projekt-akt.
Në parantezë, KRIIK sjell në vëmendje se përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një problematikë madhore për realitetin dhe demokracinë tonë.
Sofistikimi i këtij fenomeni dhe veçanërisht sistemi i patronazhit politik të ngritur, kërkon kontributin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve dhe të gjithë qytetarëve për çlirimin e vullnetit të votuesit nga detyrimi apo çdo ndikim tjetër i paligjshëm në abuzim të administrimit dhe përgjegjësive shtetërore e publike të marra përsipër.
Përsa i përket çështjeve specifike që përmbahen në akt, parashtrohet se ky akt si dhe sjellja e KQZ-së në vijimësi nevojitet të ndjekë një frymë sa më ndërvepruese me institucione të tjera.
Në shumë raste KRIIK ka shprehur qendrimin e tij se institucioni i KQZ-së është i mbingarkuar në tagra ligjorë, ndërkohë që vuan nga një administratë e kufizuar në numër dhe ekspertizë. Gjithashtu edhe numri i instrumentave ligjorë që i janë atribuar është tepër i kufizuar në zbatimin e tagrave të ngarkuar.
Më konkretisht, në këtë rast nxitet ndërveprimi në të ardhmen edhe me institucione të tjera përgjegjëse që ndjekin veprimtarinë e administratës publike në periudhën që paraprin, përgjatë fushatës zgjedhore, apo edhe pas zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re, si psh. Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi apo Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Duke marrë në konsideratë gravitetin e çështjes që trajtohet dhe pa referuar këtu ecurinë penale të shkeljeve zgjedhore, nevojitet një funksionim unison i tërë hallkave administrative që ky mekanizëm të jetë funksional, i besueshëm dhe të japë kontributin e tij konkret në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Duke u ndalur në vijim specifikisht tek draft-vendimi, sugjerohet që akti në vetvete të orientojë, së pari, drejt një mekanizmi parandalues dhe dinamik me penalizimin e shkeljeve.
Ngritja e një mekanizmi që nuk do shërbente në parandalimin e shkeljeve dhe mund të passillte penalitete si qëllim në vetvete, nuk do të shërbente në qëllimin e legjislatorit dhe as të trajtimit të duhur të fenomenit, pra të moslejimit të sjelljes institucionale me efekt elektoral.
Në këtë këndvështrim sugjerohet që pas miratimit të aktit, KQZ-ja të ndërmarrë një fushatë të gjerë informuese, jo vetëm ne funksion të informimit të punonjësve të administratës dhe mbështetësve të subjekteve zgjedhore, por në veçanti për të mirëinformuar qytetarët mbi ndalimet e parashikuara dhe funksionalitetin e mekanizmit, duke nxitur kështu aktivizimin dhe pjesëmarrjen e tyre.
Gjithashtu, evidentohet një numër i lartë i institucioneve raportuese veprimtaria institucionale e të cilave do të monitorohet, ndaj sugjerohet ngritja e një strukture specifike në KQZ për ndjekjen e ecurisë raportuese dhe për koordinimin e tij.
Më poshtë vijojnë disa komente dhe sugjerime duke iu referuar dispozitave përkatëse të draft-vendimit të përcjellë:
a. Përkufizime
i. Neni 2[2], pika b.
Në përkufizmin e veprimtarive publike caktohet si të tilla të gjitha veprimtaritë që janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut apo të medias.
Përkufizim ky relativisht i plotë, por gjykohet se lë pa adresuar mbulimin që bëjnë vetë institucionet në rrjetet sociale nëpërmjet faqeve apo profile që kanë në këto rrjete, apo edhe në faqet e tyre zyrtare të internetit.
Duke marrë parasysh shikueshmërinë dhe numrin e lartë të sotëm të përdoruesve, gjykohet se përkufizimi duhet të adresojë edhe këtë natyrë të veprimtarive që mund të marrin institucionet.
b. Veprimtari të ndaluara dhe të lejuara,
i. Neni 3, pika 1, paragrafi 1.1 [3],
Rregullimi lejon aktivitetet me efekt elektoral, mjafton që ato të jenë parashikuar “sipas planit buxhetor të miratuar”.
Në gjykimin e KRIIK, KQZ-ja duhet ta ndalojë në mënyrë të plotë veprimtaritë publike përgjatë 4 mujorit që i paraprin zgjedhjeve.
Një nga qëllimet kryesore të rregullimit që po ndërmerret është të kufizohet vullneti i qeverisë për të favorizuar veten në garën elektorale.
Mazhoranca qeverisëse s’duhet të lerë ndërmarrjen e reformave apo aktiviteteve me impakt të gjerë publik në katër muajt e fundit përpara zgjedhjeve, pasi kjo përbën qartazi një strategji e pastër elektorale.
Ky fakt nuk mund të anashkalohet me argumentin se është parlamenti pluralist ai që ka shqyrtuar e aprovuar buxhetin vjetor dhe veprimtarinë e qeverisë. Kjo nuk përbën në asnjë rast garanci, përkundrazi. Në përpjekje për të mbështetur taktika të tilla elektorale në sigurimin e një mandati tjetër qeverisës, taktika të tilla nxisin edhe fenomene të tjera të papëlqyeshme për funksionimin normal të një qeverisje dhe shteti demokratik.
Në rastin konkret të zgjedhjeve të 25 prillit, mazhoranca aktuale qeverisëse miratoi një buxhet vjetor si një buxhet i mirëfilltë elektoral, duke parashikuar rritje pagash, të premtuara edhe më parë por të parealizuara, apo edhe inagurime të banesave për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i vjetshëm, të parashikuara për t’u inaguruar në muajt në vazhdim.
ii. Neni 3, pika 1, paragrafi 1.2[4]
Parashikohet këtu rrethana e fatkeqësive natyrore apo pandemisë si përjashtim nga rregullimi që vendoset mbi pjesëmarrjen e titullarëve në veprimtari promovuese.
Argumentohet se veprimtaritë publike në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore/pandemisë nuk përkojnë me ato të referuara në pikën 1.1 të nenit në këtë projekt vendim.
Veprimtaritë në përballje me situatën e fatkekësisë natyrore apo të përballimit të pandemisë në asnjë rast nuk mund të ngjajnë me veprimtari promovuese, por janë veprimtari me funksion sensibilizues apo njoftues.
Si rrjedhojë, gjendja e fakteqësisë natyrore / pandemia nuk mund të konsiderohet rrethanë përjashtuese për ndalimin e përfaqësueve të lartë në veprimtaritë institucionale.
Edhe përjashtimi që bën Kodi Zgjedhor (Neni 91, pika 4) ndaj veprimtarisë së qeverisë në situatën e fatekësisë natyrore, vjen në logjikën e përgjigjies ndaj situatës së emergjencës, jo si rrethanë në vetvete.
Në të njëjtën situatë gjykojmë se ndodhet edhe parashikimi i bërë në fund të këtij paragrafi për “rastet kur ndërhyrjet me projekte përkojnë me veprimtaritë mbrojtëse në shërbim të jetës, shëndetit apo pronës”.
Administrata dhe institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor të ofrojnë mbështetje dhe tërë ndihmën e nevojshme qytetarëve në shërbim të jetës, shëndetit apo pronës së tyre, edhe pa propogandë dhe mediatizim të përmbushjes së detyrave të tyre funksionale.
iii. Neni 3, pika 1, paragrafi 1.3, gërma ç[5],
Rregullimi i parashtruar këtu është një parashikim i sjellë prej nenit 91 pika 2 të Kodit Zgjedhor.
Së pari gjykohet të bëhet ndarje e këtij paragrafi në dy paragrafë me parashikime specifike dhe të qarta mbi administratën shtetërore dhe mbi sistemin shkollor parauniversitar, pasi duke i lënë së bashku parashikimi bëhet i vagullt, gjuha përzihet e rrjedhimisht dispozita nuk kuptohet qartë.
Përsa i përket sistemit shkollor parauniversitar duhet të parashikohen detyrime më të forta. Shqipëria ka vuatjtur në çdo fushatë prej përdorimit të fëmijëve në fushata zgjedhore për qëllime elektorale dhe përdorimit të tyre nëpërmjet shkollave apo mësuesve.
Propozohet të mos përdoren në akt togfjalëshat “përdorim i detyruar” dhe “ përdorim i organizuar” i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar, pasi në vetvete përbëjnë nonsens. Fenomeni mbetet i dënueshëm duke u mjaftuar vetëm me përdorimin e termit “përdorim i nxënësve”, të cilët, në sistemin shkollor parauniversitar qëllojnë nga ana tjetër të jenë gati të gjithë minorenë.
Gjithashtu, parashikimi për përdorimin e tyre brenda orarit mësimor dhe jashtë tij, sërish përbën nonsens.
Përsa i përket administratës shtetërore, duhet qartësuar se marrja pjesë apo kryerja e fushatës prej punonjësve të saj gjatë orarit zyrtar është e ndaluar me ligj dhe jo vetëm në rastin kur ata detyrohen për diçka të tillë.
Gjithashtu duhet parashikuar në mënyrë të qartë që ndalohet përdorimi i detyruar i tyre pas orarit zyrtar.
E njëjta qasje nevojitet të reflektohet edhe tek neni 7, pika 1, gërma dh[6].
iv. Neni 3, pika 2[7],
Rregullimi ndalon pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të administratës deri në nivelin e drejtorit të përgjithshëm ose e përfaqësuesve politikë të ekzekutivit në veprimtaritë publike të institucioneve.
Vërehet këtu se nuk parashikohet ndalimi i eventualitetit të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tjerë politikë, por që nuk janë pjesë e ekzekutivit, në veprimtaritë publike të ndaluara të institucioneve.
Pjesëmarrja e tyre mbart efekt elektoral pa aq ose dhe më shumë se vetë titullarët e institucioneve të përmendura.
c. Ndërfaqja e raportimeve, procedura dhe afatet e raportimit
i. Neni 4, pika 5[8]
Evidentohet se në rastin e mosraportimit nëpërmjet ndërfaqes së ngritur nga institucioni përkatës dhe raportimit prej tij me email apo me postë, nuk parashikohet rregullimi dhe afatet për publikimin e këtij raportimi në ndërfaqe.
d. Hapësirat dhe elementet e ndërfaqes së raportimeve
i. Neni 5
Evidentohet se në vendim nuk parashikohet formati elektronik i postimit të raportimit në ndërfaqen e referuar.
Në kuadër të lehtësisë së mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave nga të tretë, sugjerohet të përcaktohet një format elektronik që mundëson open data.
Më konkretisht sugjerohet një format elektronik që lejon të shkarkohen në mënyrë sistematike, si dhe të lehtësojë përmbledhjen dhe përpunimin e informacionit.
Gjithashtu sugjerohet që në pikën 3 të këtij neni, ku flitet për “përmbajtje informuese të përditësuar”, ndërtimi i ndërfaqes të jetë i tillë që pas dhe hedhjës së të dhënave, në një vend të dukshëm të tregohet ora dhe data e përditësimit të informacionit, për më tepër që afatet e parashikuara në këtë kre janë shumë të ngushta.
e. Të drejtat dhe detyrimet e punonjësit te administratës shtetërore
i. Neni 6 pika 3 dhe 4[9]
Duke patur parasysh përdorimin masiv dhe të drejtuar të rrjeteve sociale prej punonjësve të administratës shtetërore, KRIIK sugjeron që KQZ-ja të parashikojë në projekt-vendim edhe ndalimin e postimeve me natyrë elektorale, bërjes “share” të postimeve të të tjerëve apo të bërjes fushatë në kanalet personale të mediave sociale prej punonjësve të administratës shtetërore.
Nevojitet të theksohet dhe bëhet e qartë se postimet personale me përmbajtje elektorale në kanalet e rrjeteve sociale janë as më shumë dhe as më pak se mbajtja në duar e pankartave apo materialeve të tjera propagandistike, madje në mënyrë të vazhdueshme.
Nisur nga konteksti i një situate të mundshme pandemie në vazhdimësi, tërë fushata elektorale e ardhshme do të zhvillohet online, ndaj parashikimi i këtij eventualiteti në projekt-vendim përbën një domosdoshmëri për punonjësit e administratës shtetërore.
Përpos kësaj, nevojitet një fushatë e fortë sensibilizimi dhe informimi jo vetëm ndaj punonjësve të administratës shtetërore, por edhe ndaj qytetarëve në përgjithësi, të cilët vlen të nxiten për ndjekjen dhe denoncimin e rasteve të shkeljeve.
f. Detyrat e sekretarëve të përgjithshëm dhe drejtuesve të institucioneve të varësisë
i. Neni 7
Akti ngarkon me përgjegjësi që nga Sekretarët e Përgjithshëm dhe deri tek Drejtorët e Përgjithshëm për të kryer raportimin në ndërfaqe dhe ndjekjen e ecurisë së punës së institucionit.
Në kuadër të funksionimit të administratës në tërësi, vërehet se funksionarët në fjalë për shkak të detyrave funksionale do të kenë vështirësi në realizimin e detyrave të parashikuara në këtë vendim.
Sugjerohet që në këtë akt t’u sugjerohet që në organizimin e punës dhe marrjen e masave të përfshijnë strukturat alternative ekzistuese brenda administratës si koordinatorët për informim, koordinatorët anti korrupsion apo edhe sinjalizuesit.
g. Detyrat e komisionerit për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore
i. Neni 8[10]
Sugjerohet që Komisioneri në këtë parashikim të njoftojë edhe titullarin e institucionit ku punonjësi i administratës shtetërore është i punësuar.
h. Ndalimi i veprimtarive nga KQZ-ja
i. Neni 9, pika 2[11]
Pikat 2 dhe 3 të aktit parashikojnë afate shumë të ngushta, në reflektim këto të afatit të parashikuar nga Kodi zgjedhor, i cili parashikon se shënimi “Ndaluar nga KQZ-ja” vendoset jo më vonë se dy ditë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.
Kufizimi kohor prej tre ditësh për ankesat nga të tretët për veprimtari të pretenduara të ndaluara, vlerësohet si një periudhë shumë e shkurtër.
Duke patur parasysh dinamikën e periudhës zgjedhore, ky kufizim kohor e pamundëson ankimimin nga të tretët për veprimtari të ndaluara.
Në këtë kuadër sugjerohet mospërfshirja e afatit kohor dhe lejimi i depozitimit të ankimimeve në çdo moment.
Ndërhyrja e KQZ-së dhe ndalimi i aktiviteteve synon shmangien e pabarazisë në garë, çka do të thotë shmangien e impaktit tek qytetari dhe tek vetë gara eleketorale.
KRIIK gjykon se KQZ-ja duhet t’i njohë vetes tagrin të ndalojë në çdo kohë çdo aktivitet që është në përputhje me parashikimet e këtij akti, duke kërkuar ndërprerje të menjëhershme të aktivititetit, edhe në rastin kur ai është duke u zhvilluar.
Në funksion të ndërtimit të një mekanizmi funksional dhe efikas, është e domosdoshme që KQZ-ja të ndërmarrë një fushatë intensive informimi, me spote televizive dhe fletushka informuese mbi llojet e aktiviteteve të ndaluara, përshkrimin dhe mënyrën e funksionimit të mekanizmit, si dhe për të nxitur qytetarët e të gjithë aktorët e tjerë për të marrë pjesë në proces e denoncuar shkeljet e vërejtura.
ii. Neni 9, pika 4[12]
Veprimtaritë e ndaluara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione.
Ndërkohë akti nuk përmban asnjë parashikim për transmetimin e tyre në emisione të tjera të programacionit që ka operatori mediatik, apo për transmetimin prej tij me mjete e mënyra të tjera si psh. portalin/et e operatorit mediatik apo në kanalet e tij në rrjetet sociale si facebook, youtube, etj.
Po ashtu është e paqartë nëse transmetimet “live” përfshihen ose jo si programe informative që mbulojnë fushatën, ndaj sugjerohet të parashtrohet një përcaktim më i plotë e i qartë prej KQZ-së lidhur me mënyrat e tjera të transmetimit prej operatorit mediatik radio e televiziv.
Veçanërisht KQZ-ja duhet të përcaktojë qartë si emisione informative apo fushate transmetimet “LIVE”, aq shumë të përdorura e të praktikuara në të gjithë proceset e mëparshme zgjedhore, por asnjëherë të kontrolluara apo përfshira në kohën televizive të fushatave të zhvilluara prej subjekteve zgjedhore.
Gjithashtu, një tjetër shqetësim paraqet mos parashikimi i transmetimi prej operatorëve të tjerë mediatikë, por që nuk hyjnë në kategorinë standarde të radiove dhe televizioneve, si: portale, televizione online, media të tjera online, etj.
k. Sanksionet administrative
i. Neni 10 pika 1[13]
Dispozita e paraqitur nuk parashikon rastin kur institucioni raporton me vonesë, pra më vonë se afati pesë ditor.
Arsyetohet se në rastin e një raportimi të vazhdueshëm me vonesë të institucioneve, i tërë mekanizmi raportues do të mbingarkohej duke u bërë kështu jo efikas.
Sugjerohet që, në një ecuri proporcionale, të parashikohen sanksione edhe për vonesat që mund të kenë institucionet në raportim.
m. Ankimimi ndaj vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve
ii. Neni 11[14]
Rregullimi i procesit ankimor pas vendimmarrjes ose sanksioneve të vëna prej KQZ-së nuk parashikon ecurinë e një procesi paralel në Gjykatën Administrative.
Evidentohet se ky eventualitet mund të paraqesë problematika në efikasitetin e mekanizmit. Për këtë arsye sugjerohet që projekt-vendimi të adresojë edhe këtë dinamikë të mundshme.
Tiranë, më 21
Dhjetor 2020!
[1] KRIIK për arsye tërësisht objektive e pati të pamundur përcjelljen më parë të Opinionit të tij lidhur me këtë projek-vendim, sipas afateve të vendosur nga KQZ-ja, por duke parë rëndësinë e çështjes që trajtohet e konsideron me shumë rëndësi të sjellë në vëmendje të Komisionerit dhe anëtarëve të Komisionit Rregullator sugjerimet e tij, megjithëse vetëm pak orë përpara marrjes në shqyrtim prej Komisionit Rregullator.
[2] ”“Veprimtari publike”, janë të gjitha veprimtaritë që janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut, apo të medias në kuptim të pikës 5 të nenit 92 të Kodit Zgjedhor, të kryera nga subjektet e përcaktuara në këtë vendim, si dhe ato që kanë në agjendë informimin në periudhën katërmujore para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve, e publikut rreth tyre.”
[3] “1.1 “veprimtari të ndaluara” janë veprimtaritë publike sipas përkufizimit të nenit 2, të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi në dispozicion apo transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë: …”
[4] “1.2 Përjashtimisht, në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore apo epidemisë/pandemisë, nuk zbatohen përcaktimet e pikës 1.1 të këtij neni.
Promovimi sipas pikës 1.1, të këtij neni, nuk cënon rregullat procedurale që duhen zbatuar për të garantuar transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse nga organet publike në zbatim të ligjit nr. 146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, si dhe rastet kur ndërhyrjet me projekte përkojnë me veprimtaritë mbrojtëse në shërbim të jetës, shëndetit apo pronës.”
[5] “1.3 “veprimtari të ndaluara”, janë edhe ato veprimtari që përfshijnë: ç) përdorimin e detyruar në fushatë zgjedhore të administratës shtetërore brenda orarit të punës për veprimtari dhe/ose aktivitete për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimin në mënyrë të detyruar dhe të organizuar brenda orarit mësimor të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar për veprimtari dhe aktivitete në funksion të zgjedhjeve, ose premtimin apo ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari për qëllime zgjedhore, jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimin e presionit ndaj tyre për këtë qëllim.”
[6] Neni 7 “Detyrat e sekretarëve të përgjithshëm dhe drejtuesve të institucioneve të varësisë”, pika “1. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, sekretarët e përgjithshëm të institucioneve, kryetarët e bashkive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë:
dh) marrin masa dhe realizojnë monitorimin e zbatimit të tyre, për të garantuar mospërdorimin e:
vi) detyruar, në fushatë zgjedhore, pjesëmarrje të administratës së institucionit brenda ose jashtë orarit të punës, si dhe të nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda ose jashtë orarit mësimor.”
[7] “Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministri dhe zëvendësministri, kryetari i bashkisë dhe zëvendësit e tij, drejtori i përgjithshëm i agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit ose ministrit, së bashku me zëvendësit e tij, drejtori i përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për shoqëritë tregtare në të cilat shteti ka më shumë e 50% të aksioneve, titullari dhe zëvendësit e tij për ndërmarrjet shtetërore gjatë periudhës kohore 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, e kanë të ndaluar të drejtojnë, të marrin pjesë apo të kontribuojnë në çfarëdolloj forme, në veprimtari publike të ndaluara sipas këtij vendimi.”
[8] “5. Subjektet sipas pikës 4, të këtij neni, kur e kanë të pamundur teknikisht të aksesojnë ndërfaqen, mund ta dërgojnë raportimin nëpërmjet e-mail-it zyrtar në adresën raportime.institucione@cec.gov.al ose nëpërmjet shërbimit të shpejtë postar. Momenti i aksesit në ndërfaqe, momenti i dërgimit të e-mail-it ose momenti i mbërritjes së postës në zyrat e Komisionerit përbën momentin kohor në të cilin fillojnë të ecin afatet e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e raportimit, sipas këtij vendimi.”
[9] “3. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një subjekti zgjedhor ose kandidati në zgjedhje. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore publike, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
4. Punonjësi i administratës shtetërore, vetëm pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një subjekti zgjedhor ose kandidati në zgjedhje. Në këtë rast nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në këto veprimtari ndalohet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike dhe të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat, të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht apo të jetë protagonist në aktivitetete/ veprimtaritë politike të subjektit zgjedhor ose kandidatit.”
[10] “Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjve në rastet kur, kryesisht ose me informacion të arsyetura të paraqitur nga të tretë, konstaton shkelje të detyrimeve të përcaktuara në këtë kre, paralajmëron me shkrim partinë politike, subjektin zgjedhor apo kandidatin në favor të të cilit është kryer veprimtaria e punonjësit, duke i kërkuar ndërprerjen e kësaj veprimtarie dhe marrjen e masave për mospërsëritjen e saj në të ardhmen. Paralajmërimi njoftohet publikisht edhe në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”
[11] “2. Personat e tretë që paraqesin kërkesën te Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve për të kërkuar ndalimin e një veprimtarie publike, duhet ta paraqesin atë jo më vonë se 3 (tre) ditë nga data e planifikuar e mbajtjes së saj. Kërkesa paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet ndërfaqes, me postë, dorazi ose nëpërmjet adresës zyrtare të e-mail-it dhe duhet të jetë e arsyetuar. Kërkuesi, i cili mund të jetë person fizik/individ ose person juridik, jep të dhënat personale të identifikimit, adresën e banimit/selisë dhe numrin e telefonit. Komisioneri bën shqyrtimin administrativ të kërkesës dhe vendos në lidhje me të jo më vonë se 2 (dy) ditë para zhvillimit të veprimtarisë.”
[12] “4. Për veprimtarinë publik “Ndaluar nga KQZ-ja”, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton menjëherë zyrtarisht edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive. Veprimtaritë e ndaluara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me ndalimin e vendosur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ngarkon me përgjegjësi, sipas Kodit Zgjedhor, transmetuesin radioteleviziv.”
[13] “1. Në rastet kur subjektet e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të këtij vendimi, nuk raportojnë, raportojnë pasi është kryer veprimtaria publike ose kjo e fundit zhvillohet pavarësisht ndalimit të bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndëshkohen nga Komisionieri Shtetëtor i Zgjedhjeve, me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, sipas nenit 169, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.”
[14] “Ndaj vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve që ndalon realizimin e veprimtarisë publike ose vendimit të ndëshkimit me gjobë mund të behet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, përkatësisht, brenda 3 (tre) ditësh nga shfaqja e shënimit “Ndalur nga KQZ-ja” në ndërfaqen e raportimeve ose marrja dijeni për gjobën.”
Opinionin ne pdf mund ta shkarkoni KETU.