Koalicioni për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) përcjell opinionin e tij mbi projekt-udhëzimin “Për përcaktimin e rregullave për depozitimin e verifikimin e dokumentacionit të kandidimit, afatet për publikimin e listave të kandidatëve dhe miratimin e modeleve të kandidimit” duke sjellë në vëmendje në rradhë të parë se partitë politike janë subjekte juridike të cilat manifestojnë “bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit[1]”.
Si të tilla, ato synojnë të marrin dhe ushtrojnë nëpërmjet përfaqësuesve të vetë përgjegjësi publike, duke ndikuar në formësimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike[2], duke ndikuar drejtëpërsëdrejtë në cilësinë e mirëfunksionimit të sistemit demokratik, shtetit ligjor e të së drejtës.
Funksionimi dhe organizimi i partive politike në përputhje me parimet demokratike përbën një detyrim kushtetues, ndërkohë që mbetet thelbësore sjellja e tyre në përputhje të plotë me detyrimet ligjore të parashikuara prej legjislacionit në fuqi. Detyrime që në tërësinë e tyre janë minimaliste në krahasim me detyrimet me të cilat përballen të gjitha subjektet juridike apo edhe organizatat e tjera politike ose jo në Republikën e Shqipërisë.
Eksperienca jo pozitive e deritanishme në këtë drejtim, e konsideruar prej KRIIK si një sjellje që nxit apo edhe përbën burimin e paligjshmërisë e pandëshkueshmërisë, gjykohet se duhet të merret me shumë seriozitet në konsideratë nga KQZ-ja.
Në koherencë me vullnetin e shprehur dhe nën aspiratën e marrëveshjes së 5 qershorit, KQZ-ja nevojitet të adresojë këtë problematikë brenda hapësirave që lejon ligji si një reflektim i zgjeruar i detyrimeve ligjore të parashikuara dhe i përvojës së mëparshme problematike të evidentuar.
Duke theksuar nevojën për transparencë maksimale dhe informacion të plotë ndaj votuesit e publikut të gjerë për të gjithë subjektet dhe kandidatët garues në procesin zgjedhor, sugjerimet e mëposhtme të KRIIK janë strukturuar në tre pjesë, në logjikën e tre kategorive të subjekteve zgjedhore:
– regjistrimi i kandidatëve;
– kandidatët e pavarur dhe
– partitë ose koalicionet.
Në një konsideratë të përgjithshme mbi tërë procedurat e regjistrimit të subjekteve zgjedhore, KRIIK parashtron nevojën e shoqërimit të të gjithë dokumentacionit shkresor edhe me versionin elektronik të tyre, pra në formatin word, excel ose pdf dhe jo në formatin image.
Këto formate sugjerohen si më të përshtatshme për t’u përdorur, duke ofruar lehtësi në punën e administratës së KQZ-së, por nga ana tjetër ofrojnë edhe mundësinë e përpunimit lehtësisht të të dhënave që ato përmbajnë.
Gjithashtu, lidhur me dokumentacionin tip të propozuar nga KQZ-ja për t’u plotësuar, sugjerohet që të vendoset si kriter i domosdoshëm plotësimi i tyre me kompjuter, duke shmangur gabimet apo pasaktësitë që mund të vijnë edhe në rastet kur ato janë plotësuar me gërma dore kapitale.
Gjykohet se depozitimi i versionit elektronik dhe plotësimi në version elektronik i dokumentacionit të kërkuar, ndihmon në punën e administratës, si në saktësi dhe në lehtësim të përpunimit të të dhënave. Gjithashtu, ndihmon edhe në punën e organizatave monitoruese, medias apo mund të përdoret lehtësisht për qëllime të tjera kërkimore apo dokumentuese.
Në gjykimin e KRIIK, këto dy kritere nuk përbëjnë një barrë penguese ose jo-proporcionale që mund të cënojë të drejtën për t’u kandiduar të subjekteve apo kandidatëve.
Në të dyja nga rastet, sugjerohet që KQZ-ja t’a refuzojë dhe të kërkojë plotësimin e dokumentacionit kur nuk respektohet kërkesa formale.
Në këtë vazhdë, nëse subjektet apo kandidatët nuk arrijnë të depozitojnë dokumentacionin në formatin elektronik, pas dy herëve kthim për plotësim dokumentacioni, sugjerohet të ndërmerret penaliteti i refuzimit të regjistrimit.
a. Regjistrimi i kandidatëve
Përsa i përket dokumentacionit për kandidatët e listave shumëemërore të partive politike, në përputhje me Kodin Zgjedhor, udhëzimi paraqet një tërësi dokumentacioni[3].
KRIIK shpreh një sugjerim në lidhje me projekt-udhëzimin përsa i përket Modelit Nr. 7, pra modelit të jetëshkrimit të kandidatit.
Sugjerohet një format më i detajuar i jetëshkrimit të kandidatëve, i cili të ofrojë një informacion më të plotë dhe të detajuar mbi kandidatin.
Formati aktual mbart 5 elementë mbi gjeneralitetet e kandidatëve dhe 4 elementë mbi jetëshkrimin.
Ky format në vetvete dhe përvoja e evidentuar, u lë mundësi kandidatëve të shmangen nga detyrimi për të ofruar transparencë të plotë mbi edukimin, formimin, angazhimin dhe të shkuarën e tyre.
Për këtë arsye organizata sugjeron që në Modelin e jetëshkrimit të shtohen në mënyrë të detajuar disa elementë të domosdoshëm për t’u informuar mbi profilin e kandidatit dhe që duhet të vihen në format për tu plotësuar në mënyrë që të imponojnë plotësimin e tyre prej kandidatëve, si më poshtë vijon:
i. Arsimimi:
– periudha kohore e kryerjes së arsimit fillor, emri i institucionit arsimor dhe vendi i kryerjes;
– periudha kohore e kryerjes së arsimit të mesëm, emri i institucionit arsimor dhe vendi i kryerjes;
– periudha kohore e kryerjes së arsimit të lartë, emri i institucionit arsimor/akademik dhe vendi i kryerjes;
— titulli i fituar nëse ka kryer studime të larta;
— mesatarja aritmetike e notave në studimet e larta të kryera;
– periudha kohore e kryerjes së studimeve të tjera pasuniversitare të kryera, emri i institucionit arsimor/akademik dhe vendi i kryerjes;
ii. Eksperienca në punë (të gjitha eksperiencat duke i renditur nga më e fundit tek më e hershmja):
– emri i institucionit publik nëse ka qenë e/i punësuar në administratën publike;
— periudhën kohore kur ka qenë e/i punësuar në administratën publike;
— pozicionin e punës kur ka qenë e/i punësuar në administratën publike;
– emri i institucionit publik nëse ka mbajtur pozicione politike;
— periudhën kohore kur ka mbajtur pozicione politike;
— emrin e pozicionit politik të patur;
– eksperiencat e tjera të punësimit, periudhën kohore, emrin e punëdhënësit, vendndodhjen e punëdhënësit dhe pozicionin e patur. (këto detaje vlejnë edhe për eksperiencat e punësimit jashtë shtetit apo si emigrant)
iii. Aktivitete shoqërore ose politike (të gjitha angazhimet dhe eksperiencat duke i renditur nga më e fundit tek më e hershmja):
– emri i partisë/ve nëse ka qenë pjesë e ndonjë partie politike;
— periudhën kohore kur ka qenë e/i angazhuar i partisë politike;
— periudhën kohore kur ka qenë anëtar/e i/e partisë politike;
— pozicionin e patur kur ka qenë anëtar/e i/e partisë politike;
– emri i organizatës nëse kanë qenë pjesë (e/i angazhuar, aktivist/e apo anëtar/e) i/e organizatave joqeveritare ose i organizatave të tjera politike;
— pozicionin e patur nëse kanë qenë pjesë e organizatave jo qeveritare ose organizatave të tjera politike;
– periudhën kohore kur ka qenë pjesë e organizatave jo qeveritare ose organizatave të tjera politike.
iv. Aktivitete, angazhime, kontribute apo eksperienca të tjera (për t’u plotësuar sipas dëshirës së kandidatit)
Me ndryshimet e fundit ligjore, kandidatët që planifikojnë të pranojnë dhurime të fondeve jopublike mbi vlerën 50,000 Lekë për fushatën e tyre zgjedhore, do të duhet të hapin llogari të posaçme bankare për pranimin e tyre.
Për shkak se kjo rrethanë vërtet mund të jetë eventuale, nisur edhe nga ndryshimi ligjor mbi listat e hapura çka nxit konkurrimin edhe midis kandidatëve të të njëjtit subjekt zgjedhor, për logjikë mirë administrimi do të duhet që llogaria bankare të jetë e hapur paraprakisht.
Nxitet KQZ-ja që në momentin e regjistrimit së bashku me dokumentat e regjistrimit të kandidatëve të shtojë dhe përfshijë edhe deklarimin prej kandidatit[4] të llogarisë së posaçme bankare që do të përdoret për pranimin e dhurimeve të mundshme të fondeve jopublike për fushatën e tij elektorale.
Në rast të kundërt, mungesa e llogarisë mund të penalizojë vetë kandidatin përgjatë fushatës, ndërkohë që mund të krijojë hapësira për shkeljen e rregullimit ligjor mbi financimin e fushatës.
Ky sugjerim përforcohet akoma më shumë nga eksperienca aspak pozitive e publikimit të llogarive prej subjekteve zgjedhore në proceset zgjedhore të mëparshme.
b. Kandidatët e pavarur
Kodi Zgjedhor shprehet se verifikimi i nënshkrimeve për zgjedhjet për Kuvendin kryhet nga administrata e KQZ-së/KZAZ-së[5]. Një tagër që është i paqartë procedurialisht, duke qenë se institucioni nuk mbart ekspertizë të veçantë në këtë drejtim, dhe për të cilin në vijimësi misionet e OSBE-ODIHR dhe të tjerë e kanë ngritur si problematikë.
Nga ana tjetër, sjellim në vëmendje se Kodi Zgjedhor nuk e kufizon të drejtën e nënshkrimit mbështetës për një apo më shumë kandidatë.
KRIIK sugjeron që udhëzimi që do të miratohet në vazhdim nga KQZ-ja për procedurën e verifikimit të nënshkrimeve, të parashikojë dhe rregullojë punën e administratës së institucionit vetëm për verifikimin formal të dokumentacionit për nënshkrimet mbështetëse.
Kësisoj administrata e KQZ-së të verifikojë nëse ka mangësi dokumentesh apo gabime materiale në informacionin e përcjellë.
Ndërsa përsa i përket origjinalitetit të firmave dhe plotësisë së vullnetit të dhënë nga qytetarët, sugjerohet që KQZ-ja të shtojë dhe miratojë një Deklaratë përgjegjësie për qytetarët dhe grupet nismëtare.
Këto deklarata të përcaktojnë se cili do jetë individi përgjegjës penalisht në rastet e pretendimeve për nënshkrime të rreme.
Në frymën e këtyre rekomandimeve, sugjerohet që listat e qytetarëve mbështetës të depozitohen në format elektronik të formatit excel, si dhe të jenë publike në faqen e internetit të KQZ-së.
Në këtë mënyrë, për rastet kur qytetarët do të kenë pretendime për origjinalitetin e firmave apo rezerva për mbështetjen e dhënë për kandidaturat të mund të paraqesin ankimime.
Më pas le të jetë puna investiguese e Prokurisë që të konkludojë për rrethanat.
Përsa i përket publicitetit të personave që japin nëshkrimet mbështetëse, KRIIK i njeh rezervat që mund të mbarttë ky sugjerim në raport me privatësinë.
Megjithatë në analizën e tij, KRIIK argumenton këtë sugjerim me faktin që legjislatori nuk ka vendosur kufizim ndaj qytetarëve për numrin e kandidatëve që mund të mbështesin, ndërkohë që nga ana tjetër mundësia për verifikimin e nënshkrimeve është vetëm e qytetarëve.
Përballë këtyre dy rrethanave, pa publikimin e emrave të individëve mbështetës mekanizmi është tërësisht i cënueshëm duke mos qenë transparent.
Përvoja e ka provuar këtë rrethanë dhe sesi diskrecionaliteti i KQZ-së ua ka pamundësuar regjistrimin disa kandidatëve në proceset e mëparshme zgjedhore.
Lidhur me firmat mbështetëse në tërësi dhe veçanërisht ato në mbështetje të kandidatëve të pavarur, KRIIK sugjeron që projekt-udhëzimi të parashikojë specifikimin e dhënies së nënshkrimeve mbështetëse edhe prej personave me pamundësi në shikim apo me aftësi ndryshe.
Në rastin kur nënshkrimi prej këtyre personave është i pamundur të hidhet vetë, atëherë është me rëndësi që vullneti i tyre të mos kufizohet në këtë të drejtë, por të parashikohet që në listën e nënshkrimeve, në emër të tyre të firmosin persona të tretë, bashkëshoqëruar kjo me një deklaratë ku të specifikohet vullneti i deleguar në prezencë të personit me aftësi ndryshe.
c. Partitë ose koalicionet
Përsa i përket regjistrimit të partive ose koalicioneve, KRIIK nxit një perspektivë në projekt-udhëzimin në fjalë. Kufizimet dhe kërkesat që vendos Kodi Zgjedhor janë në rrafshin e procesit zgjedhor.
Megjithatë, sikurse u soll në vëmendje edhe në hyrje të këtij Opinioni, partitë politike mbartin detyrime ligjore përtej procesit zgjedhor, ku për disa prej tyre, psh. në aspektin financiar, KQZ-ja është e ngarkuar për kontroll.
Në këtë perspektivë, nxitet që regjistrimi i partive politike si subjekte zgjedhore të mbajë parasysh dhe detyrimet e tjera ligjore të partive politike.
Nëse një parti politike nuk ka respektuar detyrimin kushtetues e ligjor të funksionimit të saj në mënyrë demokratike, duke zgjedhur në mënyrë periodike organet drejtuese, sipas organizimit dhe periodicitetit të përcaktuar në statutin e vet, atëherë ajo parti nuk mbart legjitimitet si subjekt zgjedhor.
Nga ana tjetër si subjekt juridik, për më tepër si një subjekt i predispozuar për të kryer veprimtari dhe transaksione financiare, partia politike mbart detyrimin të regjistrohet në organin tatimor dhe të pajiset me NIPT, numri i të cilit duhet të përdoret në faturat tatimore të blerjeve apo shitjeve sipas rregullimeve të legjislacionit tatimor.
Në referim të detyrimeve ligjore të përmendura më lart, për të siguruar ligjzbatimin edhe prej partive politike, e rrjedhimisht edhe legjitimitetin e tyre për t’u bërë pjesë e garës zgjedhore për të marrë përsipër përgjegjësi publike apo vullnet përfaqësues popullor, është e nevojshme që partitë politike në mënyrë që të regjistrohen si subjekte zgjedhorë të depozitojnë edhe dokumentacionin shtesë si vijon, përpos atyre të parashikuara në projekt-udhëzim:
i. Vërtetimin nga Gjykata e Rrethit Tiranë për Asamblenë e Përgjithshme të fundit të kryer prej partisë politike;
ii. Deklarimin nga subjekti dhe vërtetimin nga Banka për llogarinë bankare të posaçme të hapur në emër të partisë politike për depozitimin e dhurimeve të fondeve jopublike[6];
iii. Kopje të NIPT-it të partisë politike
iv. Vërtetimin nga autoritetet tatimore për mospasjen e detyrimeve tatimore të pashlyera;
v. Deklarimin nga partia politike mbi pasjen ose jo të deyrimeve financiare ndaj institucioneve publike ose privatëve.
Ky dokumentacion shtesë i sugjeruar nuk vjen vetëm duke u bazuar në ligjshmërinë në të cilën partitë politike gjenden.
Këto sugjerime mbështeten në përvojën monitoruese shumë vjeçare të KRIIK, ku gjetjet më të fundit janë trajtuar në Raportin për zgjedhjet e vitit 2019-të[7], por edhe në punën kërkimore në Regjistrin e Partive Politike.
Përmendet këtu si fenomen ekzistenca e partive politike të cilat nuk kanë përmbushur prej shumë vitesh detyrimin statutor për mbledhje dhe vendimmarrje të Asamblesë së Përgjithshme të tyre[8].
Gjithashtu, legjitimiteti i përfaqësuesit ligjor të partisë politike dhe kryerja e veprimeve dhe transaksioneve bankare mbi bazën e dokumentacioneve që ndodhen brenda afatit të vlefshmërisë së tyre, janë kritere që përcakton edhe Ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” si dhe Rregullorja e Bankës së Shqipërisë “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”[9].
Përsa i përket kërkesës për depozitimin e kopjes së NIPT-it, bëhet me dije se gjatë zgjedhjeve të kaluara janë evidentuar parti ku llogaritë bankare nuk janë hapur me NIPT-in përkatës dhe në emër të partisë politike, si dhe veprimtaria financiare (blerjet) nuk janë bërë duke shënuar në faturë numrin e NIPT të partisë respektive politike[10]. Apo edhe raste kur janë evidentuar parti politike që nuk kanë patur fare NIPT[11].
Në fund bëhet me dije se një përfitim tjetër i rëndësishëm ndërsa respektohen qartazi formalitetet ligjore, është kontrolli dhe frenimi i partive politike “fiktive”. Këto parti politike jo vetëm që janë një barrë që rëndojnë së tepërmi në mekanizmin e kontrollit financiar, por mund të përbëjnë një kërcënim edhe ndaj zbatimit të sistemeve të teknologjisë në proceset zgjedhore. Numri i lartë i këtyre partive mund të shërbejë si një arsye për të pamundësuar përdorimin e teknologjisë, sikurse ndodhi në procesin zgjedhor 2013.
Përsa i përket refuzimit për regjistrim në rastet e mosplotësimit të dokumentacionit të sipërpërmendur, nisur edhe nga afatet kohore të ngushta për këto zgjedhje, KRIIK e lë këtë në analizën ligjore dhe gjykimin e KQZ-së.
Në përfundim sugjerohet që në nenin 11 të projekt-udhëzimit, në pikën 1 në fund të fjalisë të shtohet togfjalëshi “së bashku me cv-të përkatëse”.
Tiranë, më 14
Dhjetor 2020!
[1] Ligji Nr. 8580 “Për Partitë Politike”, datë 17.02.2000, i ndryshuar. Neni 1.
[2] Po aty. Neni 2 “Partitë politike marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet:
a) ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike;
b) nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidencimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike;
c) pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.”
[3] Kopjen e deklaratës së dorëheqjes nga funksionet publike sipas Kodit Zgjedhor, depozituar dhe protokolluar pranë institucionit përkatës; jetëshkrimin e kandidatit; kopjen e dokumentit të identifikimit të kandidatit; formulari i vetëdeklarimit për procesin e dekriminalizimit.
[4] Kodi Zgjedhor, Neni 92/2 “Regjistrimi i fondeve jopublike”, pika 3 “Kandidatët e subjekteve zgjedhore, nëse planifikojnë të pranojnë dhurime për fushatën e tyre me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë, janë të detyruar të hapin llogari bankare të posaçme për të pranuar dhurimin e fondeve jopublike. Llogaritë deklarohen në momentin e regjistrimit sipas nenit 67 të këtij ligji. Në formularin e deklarimit përfshihet edhe autorizimi për KQZ-në dhe të ngarkuarit e saj për të marrë drejtpërdrejt nga banka të dhëna për të gjitha transaksionet e llogarisë. Kandidati i subjektit zgjedhor nuk mund të përdorë asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushatën zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë.”
[5] Kodi Zgjedhor, Neni 71.
[6] Kodi Zgjedhor, Neni 92/2 “Regjistrimi i fondeve jopublike”, pika 2 “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në llogari të posaçme të hapura në banka nga subjekti zgjedhor. Llogaritë deklarohen në momentin e regjistrimit sipas nenit 64 të këtij ligji. Në formularin e deklarimit përfshihet edhe autorizimi për KQZ-në dhe të ngarkuarit e saj për të marrë drejtpërdrejt nga banka të dhëna për të gjitha transaksionet e llogarisë. Subjekti zgjedhor nuk mund të përdorë asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushatën zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë.”
[7] KRIIK Albania, Raport Përfundimtar, “Sjellja ligjore dhe institucionale e institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019”, Qershor 2020.
[8] Po aty. Kreu VII “Regjistrimi i subjeketeve zgjedhore”, fq. 74 “… Nga një vëzhgim i bërë në shqyrtim të akteve të regjistrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për partitë politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje, sipas statutit dhe vendimmarrjes së depozituar në gjykatë prej organeve drejtuese partiake përkatëse dhe duke patur parasysh datën 21 prill 2019, afatin e regjistrimit të partive në KQZ, si afat për përllogaritjen e mandatit ligjor të përfaqësimit, figuron se:
– 9 parti politike i kanë Kryetarët brenda afatit të vlefshëm të mandatit të tyre të përfaqësimit, sipas përcaktimeve në statutin përkatës;
– 5 parti politike konsiderohet se i kanë Kryetarët brenda afatit të vlefshëm të mandatit të tyre të përfaqësimit, megjithëse nuk rezulton një mandat i kufizuar në vite, i përcaktuar shprehimisht në statutin përkatës (në këtë rast është përllogaritur si afat i vlefshëm mandati 7-vjeçar si afati më i gjatë kohor i evidentuar në tërë listën e paraqitur të partive);
– 9 parti politike i kanë Kryetarët jashtë mandatit të tyre të përfaqësimit sipas përcaktimeve në statutin përkatës;
– 13 parti politike konsiderohet se i kanë Kryetarët jashtë afatit të vlefshëm të mandatit të tyre të përfaqësimit, megjithëse nuk rezulton një mandat i kufizuar në vite, i përcaktuar shprehimisht në statutin përkatës (në këtë rast është përllogaritur si afat i vlefshëm mandati 7-vjeçar si afati më i gjatë kohor i evidentuar në tërë listën e paraqitur të partive);
Theksohet se Kryetarët e Partive Politike kanë mandatin për të regjistruar dhe përfaqësuar subjektin e tyre politik, kur ky mandat përfaqësimi është brenda afatit të vlefshmërisë së tij, sipas statutit dhe vendimmarrjes së depozituar në gjykatë prej organeve drejtuese partiake përkatëse.
Për rrjedhojë, në rastin e një qasje pro-aktive të KQZ-së për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor si dhe të ofertës elektorale të paraqitur, 22 prej partive politike (dy grupimet e fundit) nuk duhet të lejoheshin të regjistroheshin për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, përsa kohë funksionimi i tyre nuk është konform kritereve kushtetuese dhe ligjore, të cilat bëjnë të mundur përcaktimin e këtyre subjekteve juridike jofitimprurëse, si Parti Politike.”
(Ky informacion është i shkurtuar. Për listën e plotë nominale të partive shih Raportin.)
[9] Neni 6, pika 5 e Rregullores.
[10] KRIIK Albania, Raport Përfundimtar, “Sjellja ligjore dhe institucionale e institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019”, Qershor 2020. Kreu X. Seksioni X.4.2.3. “Shkelje të tjera të vërejtura”, fq. 118, “- dokumentimi i shpenzimeve me fatura të parregullta tatimore”
[11] Po aty. Fq. 119, “- mosregjistrimi fare në organet tatimore i dy partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje”.
Opinionin ne pdf mund ta shkarkoni KETU