Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
KRIIK ka theksuar vazhdimisht se faqet zyrtare në rrjetet sociale të Institucioneve Publike dhe Drejtuesve të tyre duhet të trajtohen me të njëjtën rëndësi dhe t’u nënshtrohen të njëjtave rregulla si dhe faqet zyrtare të internetit të këtyre institucioneve.
Këto faqe janë tashmë pjesë e pandashme e komunikimit institucional dhe nuk mund të konsiderohen si hapësira private apo të pambikëqyrura, për shkak të ndikimit që kanë në formësimin e perceptimit publik dhe transparencën e veprimtarisë institucionale.
Për më tepër, duke qenë se rrjetet sociale kanë një audiencë shumë më të gjerë e më të larmishme se kanalet tradicionale, dhe si të tilla përdoren gjerësisht nga qytetarët si burim informacioni dhe ndërveprimi me institucionet, përdorimi i tyre nga funksionarët publikë duhet të jetë i përmbajtur dhe rreptësisht institucional.
Komunikimi përmes këtyre platformave nuk mund të jetë një përzierje e mesazheve politike partiake dhe atyre institucionale, pasi kjo përbën një konfuzion të qëllimshëm mes funksioneve e autoritetit të shtetit dhe qëllimeve partiake të subjektit politik që përfaqëson zyrtari.
Edhe pse kuadri ligjor nuk e përcakton në mënyrë eksplicite statusin e rrjeteve sociale si kanale zyrtare komunikimi, parimi i ndarjes së partisë nga shteti, i sanksionuar në standardet ndërkombëtare që Shqipëria ka pranuar, e bën të papranueshme përdorimin e platformave me përmbajtje institucionale për propagandë politike.
Ky është një veprim që cënon barazinë e subjekteve zgjedhore dhe deformon informacionin publik, duke i dhënë avantazh të padrejtë aktorëve në pushtet.
Në këtë kontekst, KRIIK vlerëson pozitivisht miratimin e aktit nënligjor nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, konkretisht Vendimi nr. 240, datë 04.03.2025, “Për rregullat e përdorimit dhe komunikimit në rrjetet sociale dhe median online nga institucionet publike dhe funksionarët publikë në zgjedhje”.
Në gjykimin e KRIIK, ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt normimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga funksionarët publikë dhe subjektet zgjedhore, dhe kufizon, për aq sa është e mundur brenda kuadrit ligjor ekzistues, përdorimin e burimeve publike për avantazh elektoral.
Ndër të tjera, vendimi përcakton, deri në njëfarë mase, llogarinë në rrjetet sociale të funksionarit publik, dhe vendos detyrime në lidhje me çfarë mund dhe nuk mund të postohet në këto llogari, duke ndaluar postimet me përmbajtje politike apo partiake në to.
Ky vendim është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ndihmon në ruajtjen e ndarjes së funksioneve publike nga aktivitetet elektorale, duke përforcuar neutralitetin institucional gjatë proceseve zgjedhore.
Konkretisht pika 1 e Vendimit nr. 240, datë 04.03.2025, përcakton se: “1. Llogari zyrtare në rrjetet sociale është llogaria që është hapur dhe përdoret nga funksionari publik për shkak të detyrës që kryen, e cila përmban emrin e institucionit dhe funksionin publik, si dhe llogaria që është hapur dhe përdoret nga institucioni publik përkatës, përdorimi dhe përditësimi i së cilës bëhet nga strukturat përkatëse për median dhe informimin në këtë institucion. Nuk përfshihen në këtë përkufizim llogaritë personale dhe adresat në rrjetet sociale, të cilat përmbajnë vetëm emrin dhe mbiemrin e funksionarit publik dhe nuk lidhen me funksionin publik të tij”. (i plotë vendimi gjendet në Lidhjen nr. 2, për shkak të mungesës së link-ut në faqen e internetit të KQZ-së).
Ndërkohë në nenin 2 parashikohet se: “Funksionarët publikë të çdo niveli nuk mund të përdorin direkt ose indirekt llogaritë e tyre zyrtare në rrjetet sociale për qëllime partiake apo elektorale. Pasqyrimi i veprimtarive partiake dhe elektorale lejohet vetëm në llogaritë personale në këto rrjete”.
Ndërsa në nenin 4 të tij përcaktohet se: “Ndalohet pasqyrimi i veprimtarive politike dhe elektorale, si dhe postimi i mesazheve elektorale në faqet zyrtare të internetit, në rrjetet sociale të institucionit publik dhe në ato zyrtare të vetë funksionarit publik”.
KRIIK ka monitoruar llogaritë në media sociale të disa prej funksionarëve të lartë shtetërorë, konkretisht të Anëtarëve të Këshilli të Ministrave.
Konstatohet se katër Ministra kanë në përdorim llogari zyrtare në rrjetet sociale, të cilat janë në shkelje të Vendimit të KSHZ nr. 240 pasi përmbajnë emrin e institucionit dhe funksionin publik, ndërkohë që postojnë si aktivitetin e tyre institucional, ashtu edhe atë partiak e elektoral, i cili lidhet drejtpërdrejt dhe është në përfitim të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Konkretisht:
1. Faqja zyrtare e Ministrit të Financave z. Petrit Malaj
Në këtë faqe është cituar funksioni i z. Malaj: “Ministër i Financave / Minister of Finance”.
Kjo faqe është publike dhe përmban edhe emrin e institucionit publik “financa.gov.al”.
Karakteri i postimeve në këtë faqe është i përzier me aktivitete të karakterit institucional të funksionit publik si Ministër, si dhe me aktivitete të shumta të karakterit politik e elektoral të tij si Kandidat për Deputet, si dhe të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Referuar Seksionit “Transparenca” të kësaj faqeje, ajo mirëmbahet nga dhe “ka 6 administratorë”.
Nuk ka informacion nëse këta persona janë nga stafi i Ministrisë apo janë njerëz të punësuar privatisht nga z. Malaj. (shih pikën 1.1. në Lidhjen nr. 1).
Gjithashtu, theksohet se edhe faqet zyrtare në Instagram dhe në platformën X kanë të njëjtën përmbajtje e problematikë.
2. Faqja zyrtare e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin z. Taulant Balla
Në këtë faqe publike është cituar funksioni i z. Balla: “• Ministër i Shtetit. • Deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.
Karakteri i postimeve në këtë faqe është i përzier me aktivitete të karakterit institucional të funksionit publik si Ministër, si dhe me aktivitete të shumta të karakterit politik e elektoral të tij si Kandidat për Deputet, si dhe të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Referuar Seksionit “Transparenca” të kësaj faqeje, ajo mirëmbahet nga dhe “ka 4 administratorë”.
Nuk ka informacion nëse këta persona janë nga stafi i Ministrisë apo janë njerëz të punësuar privatisht nga z. Balla. (shih pikën 1.2. në Lidhjen nr. 1).
Gjithashtu, theksohet se edhe faqet zyrtare në Instagram dhe në platformën X kanë të njëjtën përmbajtje e problematikë.
3. Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit znj. Delina Ibrahimaj
Në këtë faqe është cituar funksioni i znj. Ibrahimaj: “Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit”.
Kjo faqe është publike dhe përmban edhe emrin e institucionit publik “sipermarrja.gov.al”.
Karakteri i postimeve në këtë faqe është i përzier me aktivitete të karakterit institucional të funksionit publik si Ministër, si dhe me aktivitete të shumta të karakterit politik e elektoral të saj si Kandidate për Deputete, si dhe të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Referuar Seksionit “Transparenca” të kësaj faqeje, ajo mirëmbahet nga dhe “ka 5 administratorë”.
Nuk ka informacion nëse këta persona janë nga stafi i Ministrisë apo janë njerëz të punësuar privatisht nga znj. Ibrahimaj. (shih pikën 1.3. në Lidhjen nr. 1).
Gjithashtu, theksohet se edhe faqet zyrtare në Instagram, në platformën X dhe në TikTok kanë të njëjtën përmbajtje e problematikë.
4. Faqja zyrtare në Facebook e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët znj. Bora Muzhaqi dhe disa nga postimet e shumta me karakter partiak e elektoral.
Në këtë faqe publike është cituar funksioni i znj. Muzhaqi: “Faqja zyrtare e Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët”.
Karakteri i postimeve në këtë faqe është i përzier me aktivitete të karakterit institucional të funksionit publik si Ministër, si dhe me aktivitete të shumta të karakterit politik e elektoral të saj si Kandidate për Deputete, si dhe të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Referuar Seksionit “Transparenca” të kësaj faqeje, ajo mirëmbahet nga dhe “ka 12 administratorë” nga të cilët një jashtë shtetit.
Nuk ka informacion nëse këta persona janë nga stafi i Ministrisë apo janë njerëz të punësuar privatisht nga znj. Muzhaqi. (shih pikën 1.4. në Lidhjen nr. 1).
Gjithashtu, theksohet se edhe faqet zyrtare në Instagram dhe në TikTok kanë të njëjtën përmbajtje e problematikë.
Në gjykimin e KRIIK, këto Faqe në rrjetet sociale janë Faqe Zyrtare të Funksionarëve të Lartë Publikë, në të cilat është bërë pasqyrimi i veprimtarive politike dhe elektorale, si dhe postimi i mesazheve elektorale, krahas pasqyrimit të aktiviteteve institucionale, duke iu dhënë këtyre të fundit meritë partiake e elektorale, në favor dhe përfitim të drejtëpërdrejtë të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Kjo veprimtari përbën shpërdorim të funksionit publik, të autoritetit shtetëror, si dhe përdorim të aseteve institucionale, burimeve njerëzore e financiare të tij, ndërkohë që shënjon edhe cënimin ndjeshëm të barazisë së garës elektorale.
KRIIK shpreh shqetësimin se përpos përfitimeve të drejtëpërdrejta elektorale, kjo sjellje është një model tejet negativ dhe një sfidë ndaj ligjit, ndërkohë që Vendimi nr. 240 ka gati dy muaj që është miratuar përfshirë dakordësinë e dy partive më të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Lidhur me gjithë sa më sipër, KRIIK nxit KQZ-në t’i marrë në shqyrtim këto Denoncime e procedojë sipas parashikimeve ligjore për të sanksionuar Ministrat bazuar në parashikimet e nenit 171, pika 1 të Kodit Zgjedhor, si dhe Subjektin Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, si përfituese e drejtëpërdrejtë e këtyre shkeljeve të përsëritura, bazuar në nenin 172 të Kodit Zgjedhor.
Në përfundim, KRIIK nxit KQZ-në që t’i bëjë thirrje urgjente të gjithë funksionarëve publikë që të sjellin konform ligjit llogaritë e tyre zyrtare dhe ato personale në rrjetet sociale për ditët e mbetura të fushatës, por edhe më tej.
Publikimi i aktiviteteve dhe mesazheve politike e elektorale të bëhet vetëm në llogaritë personale të funksionarit publik, ashtu sikurse aktivitetet dhe mesazhet institucionale duhet të publikohen vetëm në llogaritë zyrtare të funksionarëve publikë dhe të institucionit.
*Ky Denoncim përmban Lidhje ku ilustrohen problematikat e përmendura, me fotografi dhe lidhje për në faqet e internetit. Lidhjet mund te shihen ne versionin pdf te Denoncimit.