Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Në datën 2 prill 2024, në ambientet e Gjimnazit “Besnik Sykja” në Tiranë, është zhvilluar aktiviteti “Transformimi i infrastrukturës arsimore, rritja e pagave për mësuesit, programet e reja për nxënësit dhe rritja e cilësisë së sistemit tonë arsimor janë sot një realitet i ri, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”.
Në këtë aktivitet, kanë marrë pjesë në cilësinë e folësit, Kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë znj. Anuela Ristani, Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Ogerta Manastirliu, si dhe Kryeministri SH.T.Z. Edi Rama.
Veprimtaria është pasqyruar gjerësisht më mediat audio-vizive si dhe në faqet zyrtare në internet dhe rrjetet sociale të institucioneve dhe drejtuersve të tyre.
Nga konsultimi i ndërfaqes së raportimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky aktivitet nuk është raportuar.
Referuar postimeve në faqet zyrtare në Facebook, ku videot janë LIVE, data e zhvillimit të aktivitetit është data 02.04.2025 në orën 16.00 (print screen dhe link-et përkatëse mund t’i shihni në fund të këtij dokumenti Lidhja Nr.1).
Sipas fjalës së Ministres së Arsimit dhe Sportit, në aktivitet kanë qenë të pranishëm përfaqësues të sistemit arsimor, mësues, si dhe prindër nga Këshillat e Prindërve të Tiranës.
Në fillim të fjalës së saj (minuta 7 në video) Ministrja e Arsimit dhe Sportit është shprehur: “Përshëndetje të gjithëve ju. Dua t’ju falënderoj për këtë pjesëmarrje në këtë takim të sotëm të gjithëve ju, prindërit nga këshillat e prindërve të Tiranës, përfaqësues të sistemit tonë arsimor, mësuesit tanë të dashur, komunitetit të njësisë nr. 5 të Tiranës, në këtë takim ku do të flasim për arsimin për punët e mira që kemi bërë, por veçanërisht edhe për një prej aspekteve më të rëndësishëm të arsimit sikurse është infrastruktura arsimore. (…)”.
Nga fjalimet e Kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë, Ministres së Arsimit dhe Sportit dhe Kryeministrit, në takim bëhet një paraqitjeve e arritjeve të qeverisë në fushën e arsimit, me një fokus të veçante në infrastrukturën arsimore, shkollat e ndërtuara si dhe rritjen e pagave të mësuesëve.
Fjalimet e tyre janë publikuar në faqet zyrtare të internetit të institucioneve përkatëse, si Kryeministria dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. (Publikimet në faqet zyrtare të internetit të institucioneve, si dhe në faqet zyrtare në rrjetet sociale të institucioneve dhe drejtuesëve të tyre, janë paraqitur në Lidhjen nr. 1 në fund të këtij denoncimi).
Përpos fjalimeve, në videon e publikuar për këtë aktivitet, vërehet shfaqja vizuale e banerave të cilët përmbajnë logon e Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, si dhe premtimet elektorale për mandatin e katërt të synuar në këtë proces zgjedhor nga Partia Socialiste lidhur me, përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, ndërtimit të shkollave të reja si dhe rritjen e pagës së mësuesëve.
Këto elementë qartazi identifikojnë një aktivitet me përmbajtje elektorale.
Për ilustrim, disa printscreen-e më poshtë, ku shihet qartë “mandati i katërt”, premtimet përkatëse të PSSH, slogani elektoral “Shqipëria 2030” si dhe #PartiaSocialiste:




Në gjykimin e KRIIK, aktiviteti, pavarësisht nëse është institucional apo në kuadër të fushatës zgjedhore, përbën përdorim të burimeve publike dhe autoritetit shtetëror në funksion të fushatës elektorale të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
- Mundësia e parë
Nëse ky aktivitet do të konsiderohet si një takim me natyrë partiake e elektorale, atëherë aktiviteti qartas është zhvilluar në ambientet e një shkolle, çka është në kundërshtim me ligjin.
Nga këqyrja e videos së postuar mbi këtë takim (printscreen-et mund të shihni në fund të këtij dokumenti Lidhja Nr.1), takimi elektoral është zhvilluar në palestrën e shkollës.
Kodi Zgjedhor, në nenin 91 pika 1 dhe 2 përcakton se:
“ 1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. 2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Me përdorim të burimeve njerëzore kuptohet gjithashtu premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim.”.
Gjithashtu, edhe Vendimi nr. 9 datë 24.12.2020 i Komisionit Rregullator, në nenin 3, pika 1.3/C përcakton se:
“veprimtari të ndaluara”, janë edhe ato veprimtari që përfshijnë: “vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142, të ligjit 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për qëllime zgjedhore, që janë në pronësi apo administrim të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, apo enteve publike në nivel qendror ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, apo çdolloj enti tjetër ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit”.
Nga sa më sipër konstatohet se Kryeministri, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Kryetarja në detyrë të Bashkisë Tiranë kanë përdorur burime publike në mbështetje të fushatës elektorale të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe janë në shkelje të të nenit 91, pika 1, të Kodit Zgjedhor dhe pikës 2, të nenit 3, të Vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator.
Gjithashtu, duke qenë se veprimtaria veprimtaria elektorale është kryer në ambientet e palestrës së shkollës, në shkelje të të njëjtës dispozitë, ndodhet edhe Drejtuesi/ja e kësaj shkolle.
Madje në këtë rast duke qenë se sipas Ministres së Arsimit pjesëmarrës janë prindërit nga këshillat e prindërve të Tiranës, përfaqësues të sistemit tonë arsimor, mësuesit tanë të dashur, komunitetit të njësisë nr. 5 të Tiranës, etj., kemi të bëjmë me përdorimin e autoritetit shtetëror për pjesëmarrje të organizuar pas orarit zyrtar në funksion të një tubimi partiak e elektoral, çka përbën sërish shkelje të hapur të Ligjit.
- Mundësia e dytë
Nëse aktiviteti do të konsiderohet veprimtari e karakterit institucional, atëherë:
- Aktiviteti është i pa raportuar në ndërfaqen e KQZ.
- Aktiviteti është përdorur për qëllime dhe përfitime elektorale në përfitim të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Kodi Zgjedhor, në nenin 92 pika 1 përcakton se: “1. Institucionet publike, qendrore dhe vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Formojnë veprimtari publike të gjitha veprimtaritë që janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut apo të medias, si dhe ato që kanë në agjendë informimin, në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve, e publikut rreth tyre.”
Kodi Zgjedhor në nenin 81 në pikën 3 përcakton se: “Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor”.
Referuar gjithë sa më sipër, në gjykimin e KRIIK, aktiviteti objekt denoncimi është zhvilluar në shkelje të kuadrit ligjor dhe si i tillë, KQZ-ja nevojitet të sanksionojë Kryeministrin, Ministren e Arsimit dhe Sportit, Kryetaren në detyrë të Bashkisë Tiranë, Drejtuesin/en e Shkollës “Besnik Sykja”, si dhe subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet, bazuar në nenet 171 dhe 172 të Kodit Zgjedhor.
*Ky Denoncim përmban Lidhje ku ilustrohen problematikat e përmendura, me fotografi dhe lidhje për në faqet e internetit. Lidhjet mund te shihen ne versionin pdf te Denoncimit.