Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Neni 79 i Kodit Zgjedhor “Afishimi i materialeve propagandistike” pika 1 përcakton se “Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë shikueshmëri publike dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë menjëherë pas miratimit.”
Lidhur me këtë çështje dhe në zbatim të Kodit Zgjedhor, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka miratuar:
– Udhëzimin Nr. 6 datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, i cili në nenin 3, pika 7, përcakton detyrimin ndaj çdo Kryetari Bashkie që, pas miratimit të vendimit, t’i njoftojë një kopje të tij Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve brenda 24 orëve nga miratimi i tij.
– Vendimin nr. 415 datë 08.04.2025 “Për rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboarde dhe city lights në mënyrë të barabartë”, i cili gjithashtu përcakton se hapësirat e lejuara për reklama janë billbordet, city lights, dhe ekranet digjitale reklamuese të vendosura në hapësirat publike, si dhe detyrimin e bashkive të hartojnë një listë të hapësirave të lejuara për reklamat zgjedhore dhe menjëherë ta publikojnë atë në faqet zyrtare përkatëse, si dhe të njoftojnë subjektet zgjedhore dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
KRIIK ju sjell në vëmendje se gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të miratuara prej KQZ, lidhur me materialet propagandistike, kanë për qëllim garantimin e barazisë së palëve në garë, si dhe të një ambienti jo të ngarkuar me postera dhe reklama politike statike.
KRIIK i ka kushtuar vëmendje monitorimit të këtij procesi deri në këtë fazë të tij, kur do të duhej të ishin miratuar dhe publikuar vendimet e Kryetarëve të Bashkive për caktimin e vendeve për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike.
Sikurse ligji parashikon, Kryetarët e Bashkive duhet të marrin vendimin, në të cilin të parashikojnë adresat apo vendet konkrete ku materialet propagandistike lejohen të vendosen.
Nga monitorimi i vendimeve të publikuara në faqet e internetit të bashkive, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e bashkive të cilat e kanë marrë dhe publikuar vendimin konform kuadrit ligjor në fuqi, por këto vendime janë të pa plota.
Përmbajtja e tyre është thjesht transpozim i dispozitave ligjore duke mos përmbushur në fakt detyrimin për të cilin nevojitet një vendim i tillë, i cili është përcaktimi i adresave konkrete ku mund të kryhet afishimi i materialeve propagandistike.
Nga përmbajtje e vendimeve, rezulton se 15 bashki kanë cituar si vend të lejuar për afishimin e materialeve propagandistike vetëm territoret jo më shumë se 5 metra nga zyra zgjedhore e një subjekti zgjedhor. Konkretisht:
- Bashkia Mat;
- Bashkia Cërrik;
- Bashkia Divjakë;
- Bashkia Fier;
- Bashkia Has;
- Bashkia Himarë;
- Bashkia Krujë;
- Bashkia Lushnje;
- Bashkia Mirditë;
- Bashkia Patos;
- Bashkia Puke;
- Bashkia Roskovec;
- Bashkia Shkodër;
- Bashkia Dimal;
- Bashkia Vau – Dejës.
Mos parashikimi në këto Vendime i adresave konkrete të vendeve publike, të hapura e të lira, kufizon dhe cënon të drejtën e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre për të patur mundësi dhe afishuar materiale propagandistike për fushatën elektorale, duke e kushtëzuar këtë të drejtë të dhënë nga ligji me hapjen dhe zotërimin e një zyre zgjedhore.
Nga ana tjetër, nisur nga përvoja e rasteve në zgjedhjet e mëparshme, duke u servirur si një gabim për shkak të mos kuptueshmërisë së ligjit, ashtu sikurse ndodhi në Bashkinë Tiranë në zgjedhjet e vitit 2023, kjo situatë lë vend për abuzim dhe mund të përdoret për të vendosur lirisht e kudo materialet propagandistike, pasi bashkia, në shkelje të ligjit, nuk ka cituar adresa konkrete në vendimin e marrë.
Referuar sa më sipër, KRIIK i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që, bazuar në nenin 171, pika 1, të Kodit Zgjedhor
të marrë masa administrative ndaj Kryetarëve të Bashkive të cilat kanë kryer shkelje duke marrë vendime të pa plota për përcaktimin e vendeve publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore, duke shkelur nenin 3, pika 7 të Udhëzimit 6/2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”, si dhe përmbushjen e kërkesave dhe detyrimeve të parashikuara në nenin 79 pika 1 të Kodit Zgjedhor, e cënuar kështu të drejtat e garuesve në zgjedhje dhe shkelur parimin kushtetues të barazisë në zgjedhje.
KRIIK thekson se KQZ-ja duhet të angazhohet maksimalisht në përmbushje të detyrimeve që i jep ligji, për të ndërprerë moszbatimin e ligjit dhe kthyer ligjshmërinë për tre javët e mbetura të fushatës zgjedhore, duke siguruar zbatimin në mënyrë të plotë të parimeve dhe standardeve që dikton Kushtetuta dhe Ligji në krijimin e kushteve të duhura dhe të barabarta për kryerjen e fushatës zgjedhore prej subjekteve zgjedhorë dhe kandidatëve të tyre.
Nisur nga precedentët e mëparshëm, KRIIK i bën thirrje KQZ-së që, pavarësisht pretendimeve apo justifikimeve që mund të paraqiten nga Bashkitë e mësipërme, të marrë në konsideratë dëmin tashmë të kryer e të efekteve të pakthyeshme dëmtuese e ndikuese në fushatën zgjedhore të deritanishme.
Theksohet se ndryshe nga më parë, Administratat përkatëse të Bashkive janë të mirëinformuara më së miri mbi detyrimet e ligjit lidhur me këtë çështje, ndaj konsiderohet e pavend zemërgjerësia e KQZ-së pas dy proceseve të mëparshme zgjedhore, trajtimit gjerësisht të kësaj çështje në zgjedhjet pararendëse, por edhe duke marrë në konsideratë kujtesën “Mbi përcaktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore” të bërë nëpërmjet shkresës me nr. 2210 prot që vetë KQZ-ja u ka nisur atyre datë 27.03.2025.
Nga ana tjetër rekomandohet që KQZ-ja, brenda kompetencave që i njeh ligji, të urdhërojë urgjentisht Kryetarët e Bashkive për të plotësuar vendimin e marrë me adresa konkrete, si dhe detyrimin e Bashkive për të bërë publike në mediat lokale përmbajtjen e plotë të tij, për të njohur sa më parë garuesit në zgjedhje, por edhe të gjithë qytetarët, mbi detyrimet që përcakton ligji.