Shkarko Rekomandimin ne pdf
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Për të garantuar fshehtësinë e votës dhe për të parandaluar presionin ndaj zgjedhësve gjatë ditës së zgjedhjeve, në mars të vitit 2023, KRIIK i paraqiti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një dokument me rekomandime “Lidhur me garantimin e një mjedisi të lirë dhe të pandikuar ndaj zgjedhësve në afërsi të qendrave të votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve”, nëpërmjet të cilit nxiti trupat drejtuese të KQZ-se, konkretisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe Komisionin Rregullator (KRR), që të ndërvepronin për ta adresuar problematikën.
Qëndrimi i KRIIK ishte se “…kjo çështje do të duhet të adresohet në mënyrë të menjëhershme dhe sa më shteruese nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, duke nxitur trupat drejtuese të KQZ-së që të ndërvepronin për ta adresuar atë dhe garantuar një situatë ku zgjedhësit të mund të ndjenin se votojnë të lirë dhe në mënyrë të fshehtë; jo vetëm brenda qendrave të votimit, por edhe në mjediset rrethuese të tyre.
Rekomandimi i KRIIK u përmbush pjesërisht me anë të Urdhrit nr. 62, datë 03.05.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm në territorin e objekteve zgjedhore ku janë vendosur qendrat e votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”. KSHZ ka miratuar urdhra të ngjashëm edhe në proceset zgjedhore të pjesshme të zhvilluara në vijimësi prej 14 majit 2023.
KRIIK e vlerësoi pozitivisht Urdhrin e Komisionerit, por në të njëjtën kohë e ka konsideruar atë të paplotë në raport me rregullimin që duhej bërë nga KQZ-ja lidhur me problematikën madhore që synon të adresojë.
Një adresim më i plotë, në gjykimin e KRIIK, do të duhej të bëhej nëpërmjet amendimeve të akteve rregullatore ekzistuese apo aprovimin e akteve të posaçme nga Komisioni Rregullator, përsa kohë, sipas nenit 20 të Kodit Zgjedhor, hartimi i rregullave të detajuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, detyrat e administratës zgjedhore dhe procedurat që zbatohen në zgjedhje është detyrë e këtij të fundit[1].
Gjetjet e KRIIK dhe të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, evidentojnë se pavarësisht Urdhrit të KSHZ-së, problematika e pranisë së personave të pa-autorizuar në afërsi të qendrave të votimit dhe mbajtja shënim e personave që votonin, vijonte të ishte problematike në Zgjedhjet e 14 majit[2].
Kjo është evidentuar në vijimësi nga KRIIK edhe gjatë zgjedhjeve të pjesshme të zhvilluara prej 14 majit 2023 e në vijim: Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të 23 korrikut 2023[3]; ato të pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës të 24 shtatorit 2023[4]; dhe ato të pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë të 4 gushtit 2024[5].
Theksohet se, në gjykimin e KRIIK, paraqitur në vijimësi ndaj jush nëpërmjet dokumenteve të cituara më sipër, apo edhe në të tjera forma, prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, mbajtja shënim e votuesve, apo të tjera teknika të përdorura për të evidentuar zgjedhësit që votojnë ose jo, nuk janë të rastësishme, por përbëjnë një manifestim të qartë të patronazhimit politik – një mekanizëm kontrolli ky për të siguruar që votuesit të ndihen të survejuar dhe të ndikuar në zgjedhjen e tyre.
Këto praktika përbëjnë një formë të hapur të kontrollit të votës, duke krijuar tek zgjedhësit idenë se preferencat e tyre elektorale janë të monitoruara dhe potencialisht të ndëshkueshme.
Një veprim i tillë jo vetëm që cënon parimin e fshehtësisë së votës, por edhe rrit ndjenjën e pasigurisë tek zgjedhësit, të cilët mund të ndihen të detyruar të votojnë në përputhje me interesat e një partie të caktuar.
Kjo formë e kontrollit të zgjedhësve nuk është thjesht një shkelje teknike e rregullave zgjedhore, por një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në vullnetin e qytetarëve, çka minon besimin tek integriteti i zgjedhjeve dhe demokracia dhe inkurajon një kulturë politike ku vota nuk është më një akt i lirë dhe i ndërgjegjshëm, por një detyrim i mbikëqyrur nga struktura klienteliste dhe patronazhuese.
Bazuar në gjithë sa më sipër, të nderuar anëtarë të Komisionit Rregullator dhe i nderuar z. Komisioner,
KRIIK ri-sjell në vëmendjen tuaj se adresimi i këtij fenomeni në mënyrën e duhur kërkon një rregullim të plotë, të qëndrueshëm në kohë, dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor[6], nëpërmjet një ndërhyrje në kuadrin rregullator, për të garantuar fshehtësinë e votës dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Komisioni Rregullator, si organi përgjegjës për hartimin e rregullave të detajuara për administrimin e zgjedhjeve, në bazë të nenit 20 të Kodit Zgjedhor, ka një rol kyç në garantimin e një kuadri rregullator të qëndrueshëm dhe afatgjatë, ndryshe nga urdhrat e përkohshëm të Komisionerit.
Kjo qasje do ta adresonte fenomenin në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke krijuar një bazë të qartë detyrimesh për administratën dhe subjektet zgjedhore, si edhe për organet ligjzbatuese, përfshirë Policinë e Shtetit.
Theksohet se ky Rekomandim, në gjykimin e KRIIK, është në linjë edhe me Rekomandimin Parësor nr. 3 të MNVZ-së të ODIHR për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, ku theksohet se “Për të garantuar fshehtësinë e votës dhe për të parandaluar presionin ndaj zgjedhësve, votimin në grup dhe në vend të personave të tjerë, autoritetet duhet të zbatojnë masa mbrojtëse procedurale efektive.”
Konkretisht, KRIIK rekomandon se nevojitet së pari të adresohet:
1. Hartimi dhe miratimi i akteve nënligjore: Komisioni Rregullator të miratojë akte nënligjore të dedikuara, apo të amendojë ato ekzistuese, të cilët:
- Të detyrojnë administratën zgjedhore në të gjitha nivelet të garantojë një mjedis të lirë nga ndikimi dhe intimidimi, jo vetëm brenda qendrave të votimit, por edhe në mjediset përreth tyre, në përputhje me nenin 109 të Kodit Zgjedhor.
- Komisionet e qendrave të votimit (KQV) të kryejnë kontrolle periodike për të vlerësuar situatën përreth qendrës së votimit, si dhe për të identifikuar praninë ose jo të personave të paautorizuar.
- Të ndalojnë kategorikisht praktikat e tjera që përdoren për të verifikuar nëse një zgjedhës ka votuar ose jo, duke ndaluar nxjerrjen e informacionit nga administrata zgjedhore për emrat e zgjedhësve që kanë votuar (të tilla si thënia e emrit të zgjedhësit nga ana e anëtarëve të Komisionit apo operatorët e PEI, në momentin që paraqitet për t’u identifikuar, etj.).
2. Raportim periodik dhe Transparencë e plotë:
- KQV-të duhet të raportojnë periodikisht tek Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) mbi situatën përreth qendrave të votimit, përveçse mbi situatën brenda tyre.
- KQZ-ja duhet të përfshijë në raportimet e saj publike periodike informacion të plotë e të detajuar mbi situatën përreth qendrave të votimit, duke evidentuar rastet e personave të paautorizuar si dhe masat e ndërmarra lidhur me to.
3. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK):
- Është thelbësore që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet administratës zgjedhore dhe Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet, që të garantohet ndërhyrjë në kohë dhe me efektivitet nga ana e kësaj të fundit për rastet e evidentuara lidhur me persona të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit.
Theksohet në këtë pikë se, në çdo rast, lipset që prania e Policisë së Shtetit të jetë sa më diskrete, duke shmangur krijimin e një atmosfere frike për zgjedhësit.
- Forcimi i bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK është thelbësor për të siguruar një ndjekje penale efektive të rasteve të presionit ndaj zgjedhësve dhe të intimidimit zgjedhor, apo edhe të çdo vepre tjetër pemnale të vërejtur gjatë ditës së zgjedhjeve brenda apo përreth qendrave të votimit.
Duke evidentuar se tashmë ka një shprehje vullneti për një angazhim të shtuar të këtyre strukturave ndaj krimit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të nxisë në vijimësi ndërveprimin efektiv dhe të shpejtë mes këtyre institucioneve dhe administratës zgjedhore për të identifikuar dhe ndjekur me prioritet veprimtaritë që cënojnë lirinë e votës dhe integritetin e zgjedhjeve.
4. Detyrimi për angazhim të Partive Politike:
- Do të ishte e udhës që KQZ-ja të parashikonte apo t’u drejtohet partive politike me një komunikim zyrtar, duke i rikujtuar për rastet e shkeljeve dhe të incidenteve të kaluara, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për të parandaluar praninë e militantëve/aktivistëve partiakë pranë qendrave të votimit apo përdorimin e teknikave të tjera të ngjashme që cënojnë fshehtësinë e votës dhe synojnë kontrollin e saj.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në vazhdimësi, theksohet disponueshmëria e KRIIK për të sqaruar cilëndo nga pikat më sipër nëse të tilla sqarime janë të nevojshme, si dhe paraqitja e të tjera rekomandimeve teknike pasi akti të shtrohet për konsultim nga KQZ-ja, në rast të marrjes në konsideratë të këtij propozimi.
[1] KRIIK e ka risjellë në vëmendjen e trupave drejtuese të KQZ-së këtë ccështoje edhe me Rekomandimin “Lidhur me Urdhrin “Mbi zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm në qendrën e votimit dhe në mjediset e jashtme ku janë vendosur qendrat e votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”, datë 03.05.2023.
[2] – KRIIK – Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023: “Grumbullimi i pajustifikuar i personave të paautorizuar, të presupozuar militantë apo mbështetës politikë, në mjediset rrethuese të qendrave të votimit, përfshirë ambientet e brendshme të godinave publike në të cilat këto qendra ishin vendosur, mbeti një shqetësim përgjatë gjithë ditës, madje nxiti në disa raste konflikte, në të cilat u përfshinë edhe kandidatë apo deputetë.” – faqe 3.
– OSBE/ODIHR – Raporti Përfundimtar i Vëzhgimit, Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023: “Në 11 për qind të qendrave të votimit të vizituara, MNVZ-ja vëzhgoi persona që nuk ishin anëtarë të KQV-ve që mbanin shënim zgjedhësit që votonin dhe kjo praktikë ishte më e zakonshme në zonat urbane (e vëzhguar në 16 për qind të qendrave të vizituara të votimit) sesa në zonat rurale (5 për qind). Persona të paautorizuar, zakonisht aktivistë partiakë, ishin të pranishëm në 4 për qind të qendrave të vëzhguara të votimit, kurse në 6 për qind prej tyre, persona që nuk ishin anëtarë të KQVve, kryesisht vëzhgues dhe aktivistë partiakë, ndërhynin ose drejtonin procesin e votimit.” – faqe 27.
[3] KRIIK – Deklarata e Gjetjejve dhe Konkluzioneve Paraprake, Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të 23 korrikut 2023: “Në linjë me zgjedhjet e 14 majit dhe me zgjedhjet e mëparshme, prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit apo edhe në brendësi të tyre, përfshirë mjediset e brendshme të godinave publike ku ishin të alokuara qendrat e votimit dhe mjediset rrethuese të tyre, vijoi të mbetej problem.” – faqe 10.
[4] KRIIK – Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës të 24 shtatorit 2023: “Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe pa asnjë incident. Problematikat kryesore kishin të bënin me: – praninë e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, të cilët në një numër të konsiderueshëm rastesh ishin të pajisur me lista zgjedhësish dhe kontrollonin kush paraqitej për të votuar; raste të transportimit të organizuar të votuesve, votimin familjar apo mostimbrosja e votuesve.” – faqe 9 .
[5] KRIIK – Deklarata e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake, Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë të 4 gushtit 2024: “Edhe në këto zgjedhje, sikurse edhe në zgjedhjet e mëparshme, vërehet si tejet shqetësuese prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit. Prania e këtyre personave në afërsi të qendrave të votimit është i kundërligjshëm, ndërkohë që ndikon qartas vullnetin e votuesve, pasi zgjedhësit mund të ndihen të intimiduar për të marrë pjesë apo për të votuar lirisht në kushte të tilla të të qenit vazhdimisht të kontrolluar dhe në survejim. Në një numër të konsiderueshëm të rasteve, personat e paautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit ose ishin të pajisur me lista ose, kryesisht në fshatrat e vegjël, nuk e mbanin një të tillë për shkak se komuniteti është i vogël dhe njihen me njëri-tjetrin. Kjo u mundësonte të kishin informacion të plotë mbi personat që paraqiteshin për të votuar.” – faqe 14.
[6] Neni 109, pikat 6 dhe 7 të Kodit Zgjedhor:
“… 6. Në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës nuk lejohet prania apo grumbullimi i personave, përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar. Përjashtimisht nga ky rregull, lejohet prania e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të medias së autorizuar, si dhe e personave të ngarkuar me kryerjen e sondazheve për votimin, kur organizata që ata përfaqësojnë është autorizuar për këtë qëllim nga KQZ-ja. Intervistimi i votuesve për llogari të sondazheve bëhet në rrethinat e jashtme të ndërtesës, në vendintervistimi me shenja të qarta dalluese dhe shpjeguese dhe pa penguar në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak kalueshmërinë dhe hyrje-daljen e lirë të zgjedhësve në qendrën e votimit.
7. Prezenca e personave të tjerë, jashtë parashikimeve të këtij neni, në mjediset ku kryhet administrimi zgjedhor apo në rrethinat e tyre është shkak për pezullimin e procesit dhe për të kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit bëhet sipas procedurave të miratuara nga KQZ-ja dhe dokumentohet në detaje nga administrata zgjedhore.”