Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, bashkëpunim për të cilin shprehet sërish falenderim, bazuar në problematikat e vërejtura në proceset pararendëse zgjedhore si dhe në përvojën e ekspertizën e tij, KRIIK ju paraqet nevojën për marrjen në konsideratë prej Jush të gjithë sa më poshtë vijon:
Në prag të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, KRIIK, sikurse bëri me dije dhe parashtroi në takimin me Komisionerin më datë 25 nëntor 2024 dhe në Qëndrimin Publik1 të publikuar në vijim po atë ditë,
Ju paraqet Kërkesën e tij zyrtare për të nxitur dhe mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në amendimin sa më të shpejtë dhe të plotë të kuadrit rregullator për zgjedhjet (akteve nënligjore të miratuara nga KQZ-ja), të cilat gjykohet se do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë dhe standartin e ecurisë së përgatitjes dhe zhvillimit në tërësi të procesit zgjedhor 2025.
Sillet në vëmendje se ky amendim i kuadrit rregullator vjen si domosdoshmëri në këtë moment, duke qenë se klasa politike shqiptare dështoi, sipas gjykimit të KRIIK në mënyrë të qëllimshme, të amendonte në mënyrë të plotë dhe domethënëse kuadrin ligjor parësor për zgjedhjet, një detyrim i shprehur qartë në Raportin Përfundimtar të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 20232, përveçse në vijimësi edhe nga një numër organizatash vendase vëzhguese të zgjedhjeve, përfshirë KRIIK.
Ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor të korrikut 2024, pavarësisht se pozitive në thelb, nuk adresuan as rekomandimet minore të shprehura në vijimësi nga KRIIK apo të tjerë aktorë vendas, duke adresuar vetëm problematika të diktuara në thelb nga vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.
Në këto kushte, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme duket se do të mbahen me të njëjtin kuadër ligjor, në gjykimin e KRIIK, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet tregoje iniciativë dhe të ngrihet në lartësinë e misionit të vet si garantor i integritetit të zgjedhjeve, duke amenduar aktet nënligjore, brenda kuadrit ligjor ekzistues, në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor sa më i arrirë dhe me standarde të përmirësuara në pranverën e vitit të ardhshëm. Për më tepër që një gjë e tillë paraqitet tashmë edhe si një nevojë e drejtëpërdrejtë për të ndihmuar ecurinë e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Bazuar në gjithë sa më sipër, KRIIK ju kërkon të Nderuar Anëtarë të Trupave Drejtuese të KQZ-së që, në frymën e bashkërendimit si organe të të njëjtit Institucion, të nxisni bashkëpunimin dhe të ndërveproni sa më parë me njëri-tjetrin për të adresuar, në mënyrën më të përshtatshme të mundshme, tërë problematikat e evidentuara në proceset zgjedhore të mëparshme, bazuar në së paku katër elementë:
- Boshllëqet dhe paqartësitë e evidentuara gjatë procesit të shqyrtimit të ankimimeve nga KAS;
- Ngërçet e evidentuara nga vetë ju si Organe Drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në më shumë se një rast, gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore;
- Rekomandimet e aktorëve vendas e ndërkombëtarë, si dhe
- Rezultatet e analizave vjetore të kryera nga vetë Institucioni i KQZ-së.
KRIIK gjykon se këto katër burime informacioni mund të shërbejnë më së miri si bazë për të nxitur një diskutim dhe proces amendimi të akteve rregullatorë në vijim, pavarësisht mungesave të lëna nga kuadri ligjor parësor.
Kompencat e dhëna nga Kodi Zgjedhor si dhe fryma e ligjit dhe Kushtetutës në tërësi, së bashku me përgatitjen tuaj profesionale tejet të vlerësueshme, janë më se të mjaftueshme për një amendim dhe përmirësim cilësor të kuadrit rregullator tërësor mbi zgjedhjet, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të procesit të ardhshëm zgjedhor.
KRIIK do t’u drejtohet juve në vijim, si Organe Drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me rekomandime konkrete për një numër problematikash që meritojnë vëmendje dhe adresim sa më të plotë dhe të shpejtë, bazuar në përvojën dhe problematikat e vërejtura në proceset pararendëse zgjedhore, ndërkohë që paraprakisht Ju paraqet më poshtë përmbledhtas disa elementë të kuadrit ligjor, të cilat, në gjykimin e KRIIK, janë në përgjegjësinë dhe kompetencën e KQZ-së dhe se nevojiten të merren në shqyrtim dhe të rishikohen për të përmirësuar në mënyrë domethënëse gjithë kuadrin rregullator të mundshëm për tu adresuar për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025.
Theksohet se asnjë prej rekomandimeve të mëposhtme nuk është i ri, pasi ato janë sjellë në vëmendjen tuaj edhe në vigjilje të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2023.
KRIIK vijon t’i qëndrojë idesë se një adresim së paku në këta elementë do të sjellë përmirësime të dukshme në disa fusha të procesit zgjedhor, ndonëse nuk është i krahasueshëm dhe as mund të zëvendësojë një amendim të plotë të kuadrit ligjor mbi zgjedhjet.
Konkretisht disa nga elementët3 që rekomandohen të merren në konsideratë për tu shqyrtuar janë:
- Përmirësimi i transparencës nga KQZ-ja dhe administrata zgjedhore në përgjithësi.
Sugjerohet që transparenca të jetë më e plotë dhe e vazhdueshme në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, duke përfshirë gjithë procesin e komunikimit të KQZ-së me DPGJC-në në lidhje me auditimin e listave të zgjedhësve apo me institucionet e tjera të ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor; publikimin në kohë të raporteve të monitorimit të fushatës nga monitoruesit e angazhuar nga KQZ-ja; publikimin në kohë reale të vendimeve të marra nga Komisionet Zonalet të Administrimit Zgjedhor; publikimin e komunikimit me subjektet zgjedhore; etj.
- Parandalimi i abuzimit me burimet shtetërore dhe ofiqin publik.
Rekomandohet ri-shikimi i Vendimit nr. 9 datë 24.12.2020, duke patur një koordinim përmbajtësor me KAS dhe administratën e KQZ-së për të reflektuar “mësimet e nxjerra” nga i gjithë procesi i denoncimeve, ankimimeve dhe shqyrtimeve nga Komisioneri dhe KAS lidhur me këtë çështje.
KQZ nevojitet dhe duhet gjithashtu të koordinohet me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil lidhur me sjelljen nëpunësve publikë gjatë fushatës zgjedhore, etj.
- Sqarimi i kritereve për regjistrimin e subjekteve zgjedhor.
Kriteret për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore duhet të kushtëzohen me plotësimin nga ana e tyre të detyrimeve ligjore, të tilla si paraqitja e një llogarie bankare funksionale në KQZ, plotësimi i detyrimeve statutore nga ana e tyre, etj.
Gjithashtu modelet tip të akt-marrëveshjeve midis KQZ dhe subjekteve zgjedhore, apo edhe ndërmjet partive përbërëse të një koalicioni në funksion të regjistrimit të tij, apo edhe modele të tjera tip, duhet të ri-shikohen duke reflektuar në to elemente për të cilat përgjatë proceseve pararendëse janë vërejtur mangësi e gjeneruar problematika.
- Rritja e transparencës së financimit të fushatës zgjedhore.
Nevojitet: – fillimi i menjëhershëm i procedurave për rekrutimin dhe emërimin e monitoruesëve të fushatës zgjedhore; – rishikimi i formateve të raportimit si për monitoruesit, ashtu edhe për subjektet zgjedhore; – konkludimi se si do të vijohet me implementimin e PERF; – saktësimi apo plotësimi i kuadrit rregullator mbi mënyrën se si administrata e KQZ-së do të kryejë procesin e verifikimit dhe auditimit; etj.
- Monitorimi i sjelljes së medias.
Nevojitet: – monitorimi i sjelljes së mediave gjatë periudhës zgjedhore duhet të përmirësohet ndjeshëm, përfshirë por pa u kufizuar në një monitorim cilësor të sjelljes së tyre përveç komponentit sasior; – monitorimi i plotë i të gjitha mediave audio-vizive, veçanërisht ato lokale; – njoftimi i mediave audio-vizive në momentin që i afrohen limitit kohor të transmetimit të reklamave politike; – përcaktimi i një afati kohor të shkurtër për shqyrtimin e raporteve dhe kompensimin e menjëhershëm të kohës radio-televizive në rast të evidentimit të mosbalancës në transmetim; etj.
- KRIIK, Deklaratë “Standardet dhe integriteti i Zgjedhjeve Parlamentare 2025 në pikëpyetje, pa mbështetjen e KQZ-së dhe angazhimin serioz të aktorëve politikë dhe institucionalë”, publikuar më datë 25.11.2024. ↩︎
- Rekomandimi parësor nr. 4 i Raportit Përfundimtar të Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, faqe 30: “Për të garantuar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, të gjitha subjektet vendimmarrëse, duke përfshirë parlamentin, partitë e tij politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore, duhet të angazhohen për një reformë zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it.” ↩︎
- Më të plotë arsyetimin mbi këta elementë apo edhe elementë të tjerë që mund të adresohen mund të gjenden tek Dokumenti “Rekomandime për përmirësimin e kuadrit rregullator ligjor për Zgjedhjet Vendore 2023”, të dërguar dhe publikuar më datë 10.01.2023. ↩︎