Shkarko Denoncimin ne pdf
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve
z. Ilirjan CELIBASHI
Lënda: DENONCIM Nr. 1 – Lidhur me zhvillimin e një aktiviteti elektoral të kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar të Bashkisë Himarë, në territorin e Shkollës së Mesme të Bashkuar Borsh.
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë Himarë, KRIIK po monitoron nga afër gjithë procesin e përgatitjes së tyre, si dhe fushatën elektorale të subjekteve garuese.
Në funksion të fushatës së tij elektorale, kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie, Z. Vangjel Tavo si dhe përfaqësues të kësaj partie, kanë zhvilluar në datën 01.08.2024 një takim elektoral, në Borsh, në oborrin e Shkollës së Mesme të Bashkuar. Ky takim është postuar nga kandidati në faqen e tij zyrtare në Facebook, e shoqëruar me shkrimin:
“Një takim tejet i përzemërt në Borshin e bukur, me histori të pasur, me monumente kulturore e historike dhe me banorë mikpritës e punëtorë.
Ndihem i nderuar që banorët vendosin besimin e tyre te mua, e ndajnë me mua shqetësimet dhe problemet që hasin çdo ditë. Besimi i tyre më bën edhe më të përkushtuar që pas 4 gushtit të punoj për zgjidhje sa më të shpejta të çështjeve që e shqetësojnë komunitetin.
Fjala ime sot është një premtim i mbajtur nesër. Është një kontratë publike në përbushjen e të gjitha premtimeve pas 4 gushtit. Sepse të dielën nuk ka thjesht ZGJEDHJE por është dita kur nis ZGJIDHJA për të gjitha shqetësimet dhe nevojat e banorëve.
Vangjel Tavo #1️”
Nga këqyrja e fotografive të postuara mbi këtë takim (print screen të tyre mund të shihni në fund të këtij dokumenti), takimi elektoral është zhvilluar në oborrin e shkollës.
Kodi Zgjedhor, neni 91 pika 1 dhe 2 përcakton se:
“ 1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. 2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Me përdorim të burimeve njerëzore kuptohet gjithashtu premtimi ose ofrimi i përfitimeve nëpunësve publikë, ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit, si dhe ushtrimi i presionit ndaj tyre për këtë qëllim.”.
Gjithashtu,
Vendimi nr. 9 datë 24.12.2020 i Komisionit Rregullator, Neni 3, pika 1.3/C përcakton se
“veprimtari të ndaluara”, janë edhe ato veprimtari që përfshijnë: “vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142, të ligjit 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për qëllime zgjedhore, që janë në pronësi apo administrim të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, apo enteve publike në nivel qendror ose të njësive të vetëqeverisjes vendore, apo çdolloj enti tjetër ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit”.
Nga sa më sipër konstatohet se kandidati për kryetar në Bashkinë Himarë, me zhvillimin e fushatës elektorale në territorin e Shkollës së Mesme të Bashkuar Borsh konstatohet se ka përdorur burime publike në mbështetje të fushatës së tij zgjedhore. Në gjykimin e KRIIK, referuar fakteve të sipërpërmendura z. Vangjel Tavo ka kryer shkelje të nenit 91, pika 1, të Kodit Zgjedhor dhe pikës 2, të nenit 3, të vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator.
Gjithashtu, duke qenë se veprimtaria veprimtaria elektorale është kryer në ambientet e oborrit të shkollës, në shkelje të të njëjtës dispozite, ndodhet e drejtuesi i kësaj shkolle.
Bazuar në sa më sipër, në gjykimin e KRIIK dhe në vijimësi të një praktike të konsoliduar tashmë në trajtimin e rasteve të tilla,
KQZ-ja nevojitet të sanksionojë subjektin zgjedhor kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, propozuar nga Partia Socialiste Z. Vangjel Tavo, i cili ka përdorur burime publike në mbështetje të fushatës së tij zgjedhore; subjektin zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet përfaqësuar në këtë takim nga Z. Blendi Klosi, si dhe Drejtorin e Shkollës së Mesme të Bashkuar Borsh, i cili ka vënë në dispozicion të kandidatit për kryetar bashkie të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, ambientet e shkollës për qëllime zgjedhore.
Link-u ku mund të aksesohen fotografitë e publikuara: