Shkarko Rekomandimin në pdf.
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve
z. Ilirjan CELIBASHI
Për dijeni: Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, duke marrë shkas nga axhenda e ditës së sotme ku është parashikuar të miratohet projekt-vendimi “Për miratimin e raportit të gjetjeve nga auditimi i fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2021”, ju paraqesim më poshtë disa propozime të KRIIK në lidhje me përmirësimin e këtij projektvendimi.
Paraprakisht sillet në vëmendjen tuaj se në vijimësi dhe koherencë me qëndrimit e tij, KRIIK mbështet dhe nxit fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për një qasje proaktive dhe zbatim të plotë dhe me rigorozitet të ligjit, në mënyrë konsistente, veçanërisht përsa i përket rolit të tij për të mbikëqyrur dhe siguruar transparencën dhe kontrollin e financave të partive politike, përfshirë kandidatët e tyre, qoftë në raport me fushatat zgjedhore, qoftë në raport me aktivitetin vjetor të tyre.
Zbatimi i ligjit me korrektësi, ndaj aktorëve me pushtet, siç janë partitë politike dhe lidershipi i tyre, institucionet shtetërore dhe titullarët e tyre, si edhe mediat në raport më ndërveprimin e tyre me fushatat zgjedhore, është një mision i vështirë për kontekstin dhe historikun e tranzicionit demokratik shqiptar, mision që ligji ia ka ngarkuar Institucionit të KQZ-së.
KRIIK vlerëson angazhimin e deritanishëm të KQZ-së në këtë drejtim, sikurse ka shprehur rezervat e veta në disa raste duke i shoqëruar më një sërë rekomandimesh e opinionesh, të cilat në fund të fundit synojnë përmbushjen në mënyrë të plotë e integrale të detyrimeve ligjore nga Institucioni i KQZ-së, duke justifikuar ndër të tjera edhe besimin e dhënë nga ligjvënësi dhe tërë aktorët mbështetës, vendas e të huaj, të cilët kontribuojnë në vazhdimësi për forcimin dhe konsolidimin e tij si Institucion i pavarur i një rëndësie të veçantë.
Përmbushja e këtyre detyrimeve në respekt të plotë të parimit të barazisë përpara ligjit dhe dhënies fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë, përbën në vetvete një kontribut akoma më të madh lidhur me klimën e përgjithshme të ligjzbatimit në vend, të barazisë përpara ligjit dhe të zhbërjes së vatrave të pandëshkueshmërisë të lidhura me pushtetin politik.
Në lidhje me gjithë sa më sipër, KRIIK ka sugjeruar në vazhdimësi ndaj Institucionit të KQZ-së për një qasje proaktive, duke filluar së pari me sensibilizimin dhe edukimin për të kuptuar në mënyrë të drejtë e të plotë të ligjit, detyrimeve që rrjedhin prej tij, si dhe të pasojave apo sanksioneve të parashikuara për tu marë prej KQZ-së në raste shkeljesh të tij, veçanërisht në raport me partitë potike, kandidatët e tyre, si dhe organet e mediave.
Pas “zemërgjerësisë” të treguar prej KQZ-së lidhur me masat e marra bazuar në raportin e auditimit të fushatës së zgjedhjeve parlamentare 2021 të hartuar prej saj, atëkohë në kushtet e amendimeve të reja, kohës së shkurtër në dispozicion dhe praktikës së gjatë të mëparshme të moszbatimit të ligjit, gjykohet se tashmë është momenti që të prevalojë zbatimi i plotë, i barabartë dhe paekuivok i ligjit për tërë aktorët që e shkelin atë.
Në këtë kuptim është e nevojshme së pari që Raporti i auditimit i hartuar prej KQZ-së duhet të jetë i plotë, i qartë dhe i saktë, pa lënë asnjë hamendësim, neglizhim apo relativizim të gërmës së ligjit.
Më pas në gjykimin që do të bëjë Komisioneri dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, të shohin, sipas diskrecionit të tyre, nëse ka vend për sanksionim të plotë apo të pjesshëm, bazuar edhe në pretendimet që do të sjellin palët e propozuara për tu sanksionuar.
Trajtimi në Raport, në mënyrë të qartë e të plotë i çështjeve, ilustruar me faktet e vërejtura dhe bazën ligjore respektive duhet të ketë si synim, ndër të tjera, dhe të shërbejë edhe si formë edukimi e drejtpërdrejtë për të nxitur kuptimin dhe respektimin e detyrimeve ligjore nga ana e subjekteve të ndryshme.
Kalimi përciptazi, anashkalimi apo paqartësia në trajtimin e fakteve dhe shkeljeve të vërejtura, nuk është në sintoni me qëllimin e ligjit për të bërë transparencë e kontroll, përkundrazi rreket të fshehë shkeljet dhe anashkalojë zbatimin e ligjit.
Nga shqyrtimi që iu bë projekt-vendimit të paraqitur si dhe Raportit të hartuar gjykohet se nuk përmbushen pritshmëritë e mësipërme,
ndaj KRIIK i sugjeron Komisionerit dhe Administratës që të shtyjë shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektvendimi, për të bërë të mundur hartimin e një Raporti më të plotë dhe të qartë.
Disa nga elementët për të cilat shprehen vërejte dhe rezerva janë:
1. Pamundësia e gjetjes së adresave dhe kontakteve të partive politike.
Një problem i rëndësishëm që cilësohet në përmbajtjen e raportit të KQZ është pikërisht pamundësia për të gjetur selitë e partive, adresat faktike të tyre. Në raport nuk përmendet asnjë veprim tjetër i bërë përpos dërgimit të njoftimeve me zarf në adresat që figurojnë në vendimet e gjykatave të regjistrimit të partive politike.
Duke patur në konsideratë qasjen proaktive, KRIIK nxit KQZ-në, që të konsultojë edhe adresarin me kontakte të partive politike të krijuar nga regjistrimi i tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme.
2. Konstatohet në raport një përqasje jo sistematike e gjetjeve, qoftë të auditëve qoftë të vetë administratës, partive të pa kontaktuara, partive të pa audituara, për shkak të mosbashkëpunimit apo mos gjetjes së tyre, si dhe reflektimit të gjithë shkeljeve të vërejtura në propozime konkrete për sanksione.
Kjo çon në moskuptimin e shkeljeve konkrete të kryera nga secila parti, për të deduktuar më pas propozimet e bwra për sanksione administrative, por edhe për të bërë transparente të gjitha këto gjetje e shkelje.
3. Renditja e subjekteve të propozuara për sanksionim, në dispozitivin e projektvendimit, duhet t’i referohet secilës parti një herë. Pra, konkretisht nëse Partia AB ka kryer dy shkelje, ajo duhet të citohet në një pikë duke referuar të dy shkeljet përkatëse ligjore, si dhe sanksionin e propozuara për secilën prej tyre.
Kjo do të ndihmonte në një pasqyrë më të qartë për vetë partitë, për vendimmarrjen e KAS, si dhe për çdo aktor të tretë që ka interes lidhur përmbajtjne e këtij vendimi.
4. Në relacionin e projektvendimit sqarohen në mënyrë të cekët vetëm disa nga gjetjet, duke cituar vetëm numrat e partive, të cilat në shumatoren e tyre nuk përputhen me numrin total të partive të regjistruara në gjykatë, duke dhënë një qasje jo ezauruese në sqarimin e projektvendimit në fjalë. Madje, përmenden të dhëna të cilat i përkasin shifrave të raporteve të dorëzuara apo mosdorëzuara në vitin paraardhës 2020, të cilat nuk kanë asnjë kuptim dhe lidhje me raportimin e vitit 2021 për të cilën bëhen shpjegime në raport.
Konkretisht, në pikën 1 të Shtojcës nr. 1 citohet “Në Komisionin qendror të Zgjedhjeve u paraqitën 132 raporte auditimi”. Ndërkohë më pas vijon shpegimi i shkeljeve të evidentuara nga auditët për 10 parti politike.
Në faqen nr. 4 citohet nuk janë audituar nga audituesit ligjorë 80 parti politike, për shkak të mos gjetjes së adresave të sakta.
Në faqen 9 citohet se për 17 parti nuk është auditimi për shkak se kanë pasqyra financiarte më 0 të ardhura dhe shpenzime.
Më pas, në faqen 10 citohet se auditët kanë bërë të ditur se nuk ka patur bashkëpunim me 13 parti politike, si dhe 2 parti për të cilat kryetarët kanë bërë deklaratë se nuk kishin të ardhura dhe shpenzime për vitin 2021.
2 parti të tjera nuk janë audituar gjithashtu për shkaqet e cituara në raport, konkretisht Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare dhe Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar.
Nga përllogaritja e sa më sipër, rezulton që ka shpegime për auditimin për vetëm 124 parti politike, nga totali prej 132 partish që figurojnë të regjistruara në Gjykatë, si dhe sikurse citohet në hyrje të pjesës së parë të Shtojcës nr. 1 të projektvendimit.
5. Një pjesë e konsiderueshme e shkeljeve të konstatuara nga auditët ligjorë nuk janë reflektuar si të tilla edhe nga KQZ-së, duke mos i përfshirë për rrjedhim në dispozitivin e vendimit, pra në propozimet për sanksion administrativ.
Konkretisht për partitë “Ardhmëria Shqiptare”, “Partia Aleanca Demokratike Shqiptare” “Lëvizja për Ndryshim”, “Partia Socialdemokrate”, “Partia Socialiste e Moderuar”, “Fryma e re Demokratike”, pavarësisht se auditët kanë konstatuar shkelje, partitë nuk janë fare të përfshira në dispozitivin e projektvendimit për sanksion.
Nuk është e shpeguar në asnjë pikë të raportit pse këto shkelje nuk janë konsideruar për sanksion, ndërkohë që disa të tjera po.
6. Në pikën 95 dhe 96 të dispozitivit të vendimit cilësohet e njëjta parti, “Partia Kristian Demokrate” në pikën 95 dhe “Partia Kristiandemokrate e Shqipërisë” në pikën 96. Nga emri rezulton që ka vetëm një parti e cila figuron e regjistruar me emrin e cituar në pikën 96.
7. Partia “Lëvizja Punëtore Shqiptare” dhe Partia “Bashkimi Demokrat Shqiptar”, rezultojnë të pa audituara, për arsyet e përmendura në raport, por ndaj tyre nuk ka asnjë propozim për masë administrative në dispozitivin e vendimit.
Arsyeja e partisë së parë, e cila nuk është audituar për shkak të mos pagimit të auditit, nuk duhet të lejohet të përbëjë shkak së pari për mos auditimin e saj dhe më pas për tejkalimin e problematikës nga vetë KQZ.