Shkarko Rekomandimin në pdf.
I Nderuar Z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit me ju lidhur me konsultimin paraprak të projekt-akteve të ndryshme, për të cilin ju falënderojmë sërish, në vijim të emailit të dërguar nga ju më dt. 25.07.2023 për “Vleresime lidhur me perdorimin e modulit online te vezhguesve” si dhe duke marrë shkas nga agjenda e ditës së nesërme të seancën publike ku do të miratohet projekt-vendimi “Për akreditimin vëzhguesve jopolitikë nëpërmjet platformës elektronike të vëzhguesve, për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, të datës 24 shtator 2023”,
Ju dërgojmë më poshtë disa propozime të KRIIK në lidhje me përmirësimin e platformës nga një pikëpamje teknike për ta bërë atë më funksionale.
Përveç rekomandimeve teknike që lidhen drejtpërdrejt me vetë përdorimin e platformës, gjejmë rastin për të adresuar edhe disa konsiderata të përgjithshme mbi përdorimin e të gjithë mundësive që platforma mundëson për rritjen e integritetit të elementëve të procesit zgjedhor, për të cilat platforma përdoret.
Kërkojmë paraprakisht mirëkuptimin tuaj, nëse disa prej konsideratave mund të jenë adresuar tashmë duke qenë se disa rekomandime janë përcjellë tek ju verbalisht që një muaj më parë, ndërkohë që mund të ketë edhe elementë të tjerë që duhen adresuar, por që në këtë moment një gjë e tillë është e pamundur pasi Manuali i përditësuar nuk gjendet bashkëlidhur projektvendimit të dërguar me email dhe as atij të publikuar në faqen e internetit të KQZ-së.
Konkretisht paraqesim konsideratat e mëposhtme:
I. Lidhur me transparencën e vendimmarrjes
Në eksperiencën e KRIIK me përdorimin e platformës për akreditimin e vëzhguesve për Zgjedhjet e Përsëritura për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, vendimet për akreditimin e vëzhguesve ishin të shkarkueshme nëpërmjet vetë platformës dhe mund të aksesoheshin nga organizata përkatëse.
Megjithatë, theksohet se vendimet e akreditimit në asnjë moment nuk u publikuan në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për publikun e gjerë, në kundërshtim me ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, neni 7 pika 1/b/iii, si dhe me vetë vendimin e miratimit të listës së vëzhguesve të akredituar, i cili në pikën 2 të tij citon se “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”
Mospublikimi i vendimeve të akreditimit përbën edhe transparencë të ulur në raport me publikun në lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së, si dhe mbi informimin mbi aktorët të cilët marrin përgjegjësinë e vëzhgimit të procesit zgjedhor.
II. Lidhur me përdorimin e mundësive që moduli ofron
II.a. Aplikimi i modulit edhe për akreditimin e vëzhguesve politikë.
Duke qenë se moduli tanimë është funksional (pavarësisht kufizimeve cituar më poshtë, në seksionin II.b. të rekomandimeve teknike, të cilat besojmë se adresohen lehtësisht), vlerësohet se do të ishte mjaft pozitiv testimi i aplikimit për akreditimin e vëzhguesve politikë nëpërmjet platformës elektronike të vëzhguesve, për Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, të datës 24 shtator 2023.
Zhvillimi i zgjedhjeve vetëm në një bashki e rrjedhimisht numri i ulët i vëzhguesve politikë që pritet të akreditohen prej subjekteve zgjedhore, përbëjnë kushtet ideale për të testuar akreditimin e vëzhguesve politikë në të njëjtën mënyrë si akreditohen vëzhguesit jo-partiakë.
Në datë 16 gusht 2023, KRIIK i dërgoi Komisionit Rregullator një rekomandim në lidhje me afatin final për akreditimin e vëzhguesve, rekomandim i cili nisej nga nevoja që “…KQZ-ja të disiplinojë sjelljen e tërë operatorëve të përfshirë lidhur me respektimin e afateve dhe procedurave të paraqitjes, miratimit dhe publikimit të vendimeve lidhur me akreditimin e të gjithë vëzhguesve vendas, e veçanërisht atyre të akredituara prej subjekteve zgjedhore.”
Për më shumë mbi arsyetimin e përdorur në këtë rekomandim, lutemi referojuni pikës II të dokumentit të dërguar nga KRIIK në datë 16 gusht 2023 nëpërmjet postës elektronike, Dokument i cili mund të shkarkohet edhe në faqen e KRIIK.
Duke qenë se, në këndvështrimin e KRIIK, problematika e mungesës së kontrollit mbi vëzhguesit politikë të akredituar nga subjektet zgjedhore vijon të mbetet shqetësuese, në gjykimin tonë kjo mund të adresohet, së paku në rastin e Zgjedhjeve të Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës nga KQZ-ja.
Konkretisht, KRIIK propozon që KQZ të akreditojë edhe vëzhguesit politikë të subjekteve zgjedhore nëpërmjet platformës elektronike të akreditimit të vëzhguesve në mënyrë të centralizuar, dhe të mos e delegojë këtë detyrë tek KZAZ-ja nr. 11 në vijim.
Pika 6 e nenit 6 të Kodit Zgjedhor nuk e detyron KQZ-në të delegojë kompetencën e akreditimit të vëzhguesve në KZAZ, dhe me ndihmën e platformës elektronike kjo nuk do të përbëjë një barrë të shtuar të papërballueshme nga ana e administratës së KQZ-së, duke patur ndërkohë benefitin madhor të kontrollit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në qendrat e votimit dhe vendin e numërimit të votave dhe disiplinuar në këtë mënyrë edhe tërë procesin.
II.b. Rekomandime teknike në lidhje me platformën
Gjykohet me vend shprehja e vlerësimit se platforma përbën një risi shumë pozitive, që duhet përmirësuar më tej me synim ndërthurjen në të ardhmen edhe me platforma të tjera elektronike shtetërore në funksion të sigurisë dhe ruajtjes së ligjshmërisë e delegimit të përgjegjësisë ligjore, sikurse mund të jete e-albania apo edhe platformat e gjykatës së Tiranës, duke lehtësuar në maksimum punën dhe përgjegjësinë e institucionit të KQZ-së, apo edhe shmangur kostot e kontestimeve artificiale që mund të lindin.
Lidhur me përmirësimin e mëtejshëm të performancës së platformës nga pikëpamja teknike, paraqiten këto sugjerime:
- Në lidhje me aksesimin për herë të parë të modulit dhe krijimin e llogarisë për organizatën:
1.1. Gjykohet se do të ishte me vend që hapja e profilit të organizatës të bëhej me emrin zyrtar me të cilën organizata është e regjistruar në regjistrin e OJF-ve, sipas vertëtimit të gjykatës.
1.2. Gjithashtu gjykohet me vënd që si profil “default administratori” të jetë emri i përfaqësuesit ligjor të organizatës sipas Vërtetimit të përditësuar të marrë nga Gjykata e Tiranës.
Theksohet gjithashtu, se do të ishte e vlefshme që në mesazhin që shfaqet pasi procesi i regjistrimit përfundon dhe aplikimi i organizatës i dërgohet KQZ-së, të përfshihej një kujtesë për aplikantin që të kontrollojnë folderin “Spam”, pasi email-i i gjeneruar nga sistemi mund të identifikohet si i tillë (konkretisht kjo ndodhi gjatë procesit të aplikimit të KRIIK).
- Në lidhje me administrimin e profilit të organizatës:
2.1. Një nga problematikat përpara zgjedhjeve të Rrogozhinës, siç jeni vënë në dijeni, ishte që të dhënat e organizatës nuk mund të modifikoheshin.
Tanimë kjo është adresuar në sistem dhe të dhënat mund të modifikohen.
Por me ndryshimet e kryera shohim se në fushën “emri i organizatës” nuk lejohen shenjat a pikësimit si karaktere.
Ky është një problem për emrin e KRIIK, që ka një presje në mes. Problematika do të jetë edhe për të tjera organizata, me shumë gjasa. Ky kufizim do të ishte e udhës të hiqej, madje gjykohet si i panevojshëm.
2.2. Në rast se ende nuk është adresuar, pasi nuk mundemi ta testojmë aktualisht platformën, propozohet që të jetë akronimi i organizatës fusha e cila do të shfaqet në bexhet e akreditimit të lëshuara për vëzhguesit, dhe jo emri i plotë i organizatës.
2.3. Ndërkohë që vlerësohet se është adresuar mundësia për modifikimin e profilit të organizatës, kjo mundësi nuk jepet për profilin e administratorit.
Konsiderohet me vlerë që edhe profili i administratorit të organizatës të mund të modifikohet (p.sh. adresë e-mail apo numër telefoni), pasi këto mund të ndryshojnë.
2.4. Do të ishte ideale që për të njëjtën organizatë të kishte më tepër se një administrator. Nuk duket shumë me vend që profili i një organizate të jetë i lidhur me emrin e vetëm një individi/administratori, i cili për arsye të ndryshme objektive mund ta ketë të pamundur aksesimin, duke krijuar kështu ngërçe të panevojshme.
2.4.1. Në vijim edhe të sugjerimit në pikën 1.2., kjo situatë mund të adresohet duke i dhënë të drejtën “administratorit default”, pra përfaqësuesit ligjor të organizatës, mundësinë dhe opsionin që të delegojë përgjegjësinë duke regjistrojë një tjetër individ si bashkëadmin/editor, duke qenë se regjistrimi në modul është i fokusuar tek organizatat dhe jo individët.
2.4.2. Kjo mundësi gjithashtu lehtëson punën në hedhjen e të dhënave (pasi dy a më shumë persona mund të hedhin të dhëna për vëzhguesit) ndërkohë që eviton situatën kur mund të bllokohet akreditimi, pasi individi që është admin mund ta ketë të pamundur për arsye objektive që të hedhë të dhëna në një moment ta caktuar.
- Hedhja e të dhënave për vëzhguesit për të cilët kërkohet akreditim
3.1. Ruajtja e të dhënave të hedhura:
Duke sjellë në kujtesë mënyrën si funksiononte sistemi, pasi administratori hidhte të dhënat e një vëzhguesi, duhej të shtypte butonin “Konfirmo” dhe më pas të jepej mundësia për të shtuar të dhënat e një vëzhguesi tjetër.
Pasi ishin hedhur të dhënat e një numri vëzhguesish, nuk jepej asnjë mundësi që të ruhej progresi i bërë deri në atë pikë, por vetëm mundësia që lista e vëzhguesve të konfirmuar deri në atë çast të dërgohej për akreditim.
Nëse nuk dërgohej për akreditim lista, me mbylljen e broëser-it i gjithë progresi fshihej dhe emrat duhet të hidheshin nga e para.
Kjo solli si pasojë që KRIIK dërgoi për akreditim katër lista, secila me një numër të vogël vëzhguesish, pasi ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur progresin.
3.1.1. Lidhur me këtë shqetësim nevojitet të mundësohet që platforma të ruajë të dhënat e hedhura për akreditimin e vëzhguesve deri në atë çast, në mënyrë që administratori të mund t’i rikthehet në një moment të dytë procesit dhe të vijojë me hedhjen e të dhënave vijuese sipas listës.
3.1.2. Vetëm pasi adminstratori të konfirmojë përfundimin e hedhjes së të dhënave të të gjithë vëzhguesve, atëherë t’i jepet edhe mundësia e korrigjimit, nëpërmjet një kontrolli “preview” parafinal.
3.1.3. Vetëm pasi adminstratori të konfirmojë saktësinë e të dhënave të të gjithë vëzhguesve të hedhura tashmë në platformë, e të kontrolluar nëpërmjet “preview”, atëherë t’i jepet mundësia e dërgimit të të gjithë listës për miratim.
3.2. Hedhja manuale e të dhënave konsumon shumë kohë, veçanërisht nëse flasim për numra të lartë vëzhguesish.
Për ta bërë më të lehtë hedhjen e të dhënave, si dhe kontrollin paraprakisht të saktësisë së tyre, nevojitet të mundësohet që administratori të ngarkojë një file (Excel, .csv, etj.) në sistem me fushat e kërkuara nga baza e të dhënave.
3.2.1. Gjithashtu, do të ishte e udhës që sistemi të mundësojë edhe shkarkimin e listës së vëzhguesve të akredituar, nga një organizatë në file (Excel, .csv, etj.), për rekordet e vetë organizatës, pasi akreditimi të jetë bërë dhe lista të jetë miratuar.