Shkarko Rekomandimin në pdf.
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vijimësi gjithë procesin e vendimmarrjes në KQZ, duke u përpjekur të japë kontributin e vet nëpërmjet rekomandimeve apo sugjerimeve konkrete përgjatë procesit të konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga ju, apo edhe për projektakteve të tjera për të cilat vlerësohet se nevojiten t’iu bëhen përmirësime të mëtejshme.
Duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin e deritanishëm në procesin e konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga ju,
KRIIK ju paraqet shkurtimisht qëndrimin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për përcaktimin e vlerës në para të një vote të vlefshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datë 14 maj 2023”.
Në mungesë të Relacionit të këtij projekt-vendimi dhe nisur nga sa parashikohet në tekstin e projekt-vendimit, gjykohet se është e nevojshme që KQZ ta rimarrë në shqyrtim përmbajtjen e tij duke përcaktuar vlerën në para të një vote të vlefshme të marrë nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.
Konkretisht, në draft evidentohen pasaktësi që lidhen me pasqyrimin e numrit të votave të marra nga Subjektet Zgjedhore, përkatësisht Koalicionit “Bashkë Fitojmë (BF)” dhe Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë (ALD)”, ndërkohë që aty duhet të përfshihet numri i votave të Partive Politike përbërëse të secilit prej këtyre dy Koalicioneve, përsa kohë numri i votave të fituara të çdonjërit prej tyre është jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.
Neni 88, pika 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të 1 (një) vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, që kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi.
Nga sa ky nen përcakton KQZ-ja nevojitet të saktësojë për efekt të përllogaritjes numrin e përgjithshme të votave të vlefshme të marra nga partitë politike ne zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 bazuar në 2 hapa:
- së pari, përcaktimin e votave të marra nga secila parti;
- së dyti, marrjen në konsideratë vetëm të partive të cilat kanë marrë jo më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi, pra jo më pak se 13,445 vota për këshillat vendorë në shkallë vendi.
Për të konkluduar në përcaktimin e votave të marra nga secila parti për këshillat vendorë në shkallë vendi, është e nevojshme që KQZ-ja të bëjë përllogaritjen e votave të marra nga secila parti që bën pjesë në Subjektet Zgjedhore të kategorisë “Koalicion” (neni 2, pika 20 e Kodit Zgjedhor).
Neni 88 pika 3 e Kodit Zgjedhor përcakton mënyrën se si KQZ-ja duhet ta bëjë këtë llogaritje, konkretisht “për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”.
Kodi Zgjedhor përcakton qartë se në rregjistrimin e kandidatëve (neni 2 pika 4) dhe të listave shumëemërore (neni 2 pika 10) në ofertën elektorale që i paraqitet votuesit, në rastin e koalicioneve, “përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati” (neni 67 pika 4).
Bazuar në këto parashikime janë miratuar rregullat procedurale për regjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiake nëpërmjet Udhëzimit nr. 1 datë 18.01.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për përcaktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit, afatet për publikimin e listave të kandidatëve dhe miratimin e modeleve të kandidimit”.
Nëpërmjet këtij Udhëzimi, ndër të tjera, është miratuar edhe tabela e listës shumëemërore për anëtarë të Këshillit Bashkiak propozuar nga parti politike/koalicion – Model KQZ-04-07, e cila, përpos përcaktimit të emrit të “Koalicionit” (sesioni I “Të dhënat e Subjektit”), përcakton edhe nevojën e deklarimit të subjektit politik, pra të Partisë Politike, për secilin nga kandidatët e përfshirë në listën shumemërore (sesioni IV “Të dhëna kandidati”).
Gjithashtu Marrëveshja e Koalicionit, e cila duhet te depozitohet paraprakisht në KQZ bashkëlidhur me Kërkesën për regjistrimin e tij, duhet të përmbajë ndër të tjera edhe “Numrin e kandidatëve që duhet të propozojë secila parti politike brenda koalicionit për çdo zonë zgjedhore”, (pika 6 e listimit të elementëve përmbajtësorë të Marrëveshjes për krijimin e koalicionit).
Në vendimmarrjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për regjistrimin e 2 Koalicioneve në zgjedhjet e 14 majit 2023, lidhur me këtë detyrim citohet, respektivisht:
- për Koalicionin “Bashkë Fitojmë”, se “numri i kandidatëve dhe renditja e tyre do përcaktohen me marrëveshje ndërmjet palëve” (pika 10 e citimit të përmbajtjes së marrëveshjes, fq 2 e vendimit);
- për Koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë”, se “Numri i kandidatëve dhe renditja e tyre do të bëhet sipas marrëveshjes midis palëve në një moment të dytë” (pika 9 e citimit të përmbajtjes së marrëveshjes, fq 2 e vendimit).
Në përmbushje të gjithë detyrimeve ligjore të përcaktuara më sipër, KQZ-ja nevojitet të përllogarisë numrin e votave të vlefshme për çdo parti politike për këshillat vendorë në shkallë vendi, duke marrë më pas në konsideratë vetëm partitë politike, përbërësë të koalicionit, të cilat rezultojnë të kenë marrë jo më pak se 13,445 vota për këshillat vendorë në shkallë vendi.
Referimi i bërë në projekt-akt: “Referuar lidhjes nr. 2, të vendimit nr. 27, datë 7.8.2023, të Komisionit Rregullator, “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 14 Maj 2023”, partitë që kanë përfituar jo më pak se 1 përqind të votave dhe votat e vlefshme të grumbulluara prej tyre, janë si më poshtë:”, rezulton të jetë i pasaktë, pasi Komisioni Rregullator në këtë Vendim nuk ka bërë renditjen e subjekteve politike, pra të partive politike, sipas numrit të votave të fituara në zgjedhje sikurse parashikon qartë Kodi Zgjedhor.
Në këtë vendim, në Lidhjen nr. 2 të tij, mungojnë 6 subjekte (parti) politike pjesëmarrëse në zgjedhje sipas tërë parashikimeve të Kodit Zgjedhor, përbërëse të dy Koalicioneve, konkretisht:
- Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD), garuar në siglën e Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë” me shkronjat nistore “ALD”;
- Partia Bashkimi Liberal Demokrat (BLD), garuar në siglën e Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë” me shkronjat nistore “ALD”;
- Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar (PBD), garuar në siglën e Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë” me shkronjat nistore “ALD”;
- Partia e Lirisë (PL), garuar në siglën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” me shkronjat nistore “BF”;
- Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK), garuar në siglën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” me shkronjat nistore “BF”;
- Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), garuar në siglën e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” me shkronjat nistore “BF”.
Ndërkohë rezulton se në tabelën me emrat e subjekteve politikë janë përfshirë, në kundërshtim me parashikimet e ligjit, emrat e Koalicioneve ku kanë bërë pjesë 6 partitë politike, konkretisht në rreshtin nr. 2 dhe 12 të tabelës së paraqitur në Lidhjen nr. 2 të Vendimit nr. 27 datë 07.08.2023.
Kodi Zgjedhor në nenin 20 pika 2 gërma “d” përcakton për Komisionin Rregullator se “Rregullatori shqyrton dhe miraton projektaktet e përgatitura nga administrata e KQZ-së, për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në shkallë vendi në përputhje me këtë ligj”.
Neni 2 pika 18 gërma “c” e Kodit përcakton, në rastin e zgjedhjeve vendore, se ““Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve” është rezultati i shpallur nga KQZ-ja, në përputhje më këtë Kod dhe që përfshin numrin e votave të fituar nga secili subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjekt zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore”.
Është më se e qartë se referimi i bërë më sipër “që përfshin numrin e votave të fituar nga secili subjekt në shkallë kombëtare”, nënkupton “secilin subjekt politik në shkallë kombëtare”, pra “secilën parti politike në shkallë kombëtare”.
Ky lexim është në harmoni të plotë edhe me parashikimet dhe detyrimet e tjera të Kodit të parashikuara për procese të tjera vendimmarrëse, të cilat do të kenë për bazë dhe referencë këtë “Tabelë Finale Rezultatesh” për çdo parti politike pjesëmarrëse në zgjedhje vendore.
Keqleximi i ligjit, sikurse ka ndodhur, ku parashikimi ligjor “që përfshin numrin e votave të fituar nga secili subjekt në shkallë kombëtare”, është lexuar duke nënkuptuar me termin “subjekt” përcaktimin “subjekt zgjedhor” pra “koalicionin”, do ta shndrronte leximin e normës të tillë:
““Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve” është rezultati i shpallur nga KQZ-ja, në përputhje më këtë Kod dhe që përfshin numrin e votave të fituar nga secili subjekt zgjedhor në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjekt zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore”.
Në gjykimin e KRIIK, tërë ky lexim është pa sens, dispozitë parazite e përsëritur dhe në kundërshtim me tërë parashikimet e tjera të bëra në Kod lidhur me rezultatet e partive politike në një proces zgjedhor, për shperndarjen e fondeve (qoftë për fushatë zgjedhore, qoftë vjetore), shlyerjen e sanksioneve financiare (neni 88, pika 3 e 4), etj.
Jo vetëm kaq, por një interpretim i tillë i dispozitave të Kodit Zgjedhor, sidomos pas disa proceseve zgjedhore, shpie në zhbërje të identitetit dhe personalitetit juridik të partive politike dhe tërë kuadrit rregullator ligjor lidhur me përfitimet apo detyrimet e partive politike, e rrjedhimisht të misionit dhe rolit thelbësor që ato kanë në sistemin demokratik.
Ky keqlexim forcon dhe privilegjon padrejtësisht disa parti politike, duke devijuar në tavolinë vullnetin dhe votën e zgjedhësve, e duke shpënë në penalizime deri në shkrirje “de facto” të disa partive të tjera. Apo edhe në mbajtjen peng të këtyre Partive Politike ndaj zgjedhjes së bërë për një bashkëpunim të caktuar elektoral ndërpartiak e pjesëmarrjes në Koalicione Zgjedhore, në një betejë elektorale, në një moment të caktuar.
Jo pak deformon ky keqlexim edhe një sërë konceptesh dhe rregullimesh lidhur me ofertën elektorale dhe paraqitjes e saj në mënyrën më të mirë në dobi të zgjedhësit dhe tërë qytetarëve shqiptarë.
Lidhur me sa më sipër, KRIIK nxit KQZ-në, Organet Drejtuese të saj dhe Drejtuesit e Administratës, të marrin në shqyrtim me kujdes tërë interpretimin e bërë prej tyre deri më tani, si dhe gjithë kundërshtimin sa më sipër paraqitur.
Në gjykimin e KRIIK, tërë argumentimi i bërë sa më lart duhet të merret në konsideratë dhe të pasqyrohet në projektvendimin “Për përcaktimin e vlerës në para të një vote të vlefshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datë 14 maj 2023”.
Gjithashtu, KRIIK nxit Organet Drejtuese të KQZ-së dhe Drejtuesit e Administratës, që në emër të saktësisë dhe leximit të drejtë të ligjit të amendojnë Vendimin nr. 27 datë 07.08.2023 të Komisionit Rregullator “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 14 Maj 2023”, dhe konkretisht pasqyrimin e 6 partive politike që mungojnë në Lidhjen nr. 2 të tij, pra në tabelen përmbledhëse të numrit të votave të fituara prej partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.