Shkarko Rekomandimin në pdf.
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit Rregullator!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka ndjekur në vijimësi gjithë procesin e vendimmarrjes administrative në KQZ, duke u përpjekur të japë kontributin e vet nëpërmjet rekomandimeve apo sugjerimeve konkrete përgjatë procesit të konsultimit paraprak të projekt-akteve të dërguara nga ju, apo edhe për projektakteve të tjera për të cilat vlerësohet se nevojiten t’iu bëhen përmirësime të mëtejshme.
Duke vlerësuar maksimalisht gatishmërinë dhe fleksibilitetin e treguar nga ju në këtë proces, KRIIK gjen rastin t’ju shpreh edhe njëherë falënderimet e tij për tërë këtë bashkëpunim të frytshëm të arritur deri më tani, dhe
ju paraqet opinionin e tij lidhur me projekt-vendimin “Për miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 shtator 2023”.
Konkretisht:
I. Konsiderohet e nevojshme që pas pikës 3 të projektvendimit të shtohet një pikë e cila të saktësojë se kur fillon monitorimi i fushatës zgjedhore prej Autoritetit të Mediave Audiovizive, sipas parashikimeve të kuadrit ligjor.
Bëhet me dije se në Zgjedhjet e përsëritura të 23 Korrikut 2023 për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk u zhvillua asnjë monitorim i transmetimit të fushatës zgjedhore prej Ofruesve të Shërbimeve Mediatike Audio/audiovizive (OSHMA).
Ky monitorim mungoi tërësisht qoftë gjatë fushatës zgjedhore, qoftë edhe gjatë heshtjes zgjedhore, sikurse ligji parashikon, ndërkohë që u faktua edhe pasqyrim i fushatës zgjedhore nëpërmjet transmetimeve të OSHMA-ve, edhe thyerje e heshtjes zgjedhore prej tyre. (për më shumë shih Deklaratën Paraprake të Zgjedhjeve të Përsëritura të 23 korrikut 2023 në Rrogozhinë, si dhe Denoncimin nr. 12 “Lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore nëpërmjet transmetimit të aktiviteteve elektorale të Partisë Socialiste në Bashkinë Rrogozhinë” të KRIIK)
Nga komunikimi i KRIIK me AMA-n për informacion lidhur me përmbushjen e detyrimit ligjor të monitorimit të fushatës zgjedhore, prej tyre u dha përgjigjja dhe argumentimi i mëposhtëm:
“AMA, për procesin e monitorimit të fushatave zgjedhore, bazohet në “Kodin Zgjedhor” të Republikës, si dhe “Metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive”, i ndryshuar, miratuar nga KQZ, me vendim nr. 2, dt. 30.01.2021.
Në rastin e zgjedhjeve të përsëritura të 23.07.2023 në Rrogozhinë, për të cilat ju jeni interesuar në kërkesën për informacion, AMA ka pasur në monitorim në mënyrë të pandërprerë, gjatë dy javëve të zhvillimit të fushatës zgjedhore, rubrikën për veprimtaritë publike “Ndaluar nga KQZ”, pjesë e faqes zyrtare virtuale të këtij institucioni (kqz.gov.al).
Përmbajtja e kësaj rubrike është pikënisja për monitorim dhe shqyrtim të mëtejshëm për çdo rast të identifikuar nga KQZ dhe të shoqëruar me vendimin përkatës që me shkresë zyrtare përcillet edhe në AMA.
Për fushatën e zgjedhjeve të përsëritura në Rrogozhinë nuk ka pasur asnjë njoftim nga KQZ, po ashtu dhe asnjë vendim të përcjellë me shkresë në AMA, për veprimtari publike “Ndaluar nga KQZ”.”
KRIIK ju sjell në vëmendje se, pavarësisht vakumit ligjor ekzistues lidhur me zgjedhjet e pjesshme, institucionet përkatëse të tilla si KQZ-ja nevojitet të angazhohen maksimalisht për të marrë vendime të plota e nxjerrë udhëzimet e nevojshme të cilat duhet të qartësojnë pikëpyetjet dhe mundësuar një proces zgjedhor pa problematika, ku një prej tyre është nevoja për specifikimin në Vendimin e Komisionit Rregullator[1] edhe të detyrimit të AMAs për të monitoruar mbulimin mediatik të fushatës, sikurse parashikohet shprehimisht në Kodin Zgjedhor.
Kodi Zgjedhor[2] dhe Metodologjia e Miratuar nga Komisioni Rregullator për monitorimin e medias audio-vizive[3] kërkojnë që AMA të monitorojë mbulimin e fushatës nga mediat dhe t’i dërgojë raporte ditore KQZ-së, të cilat duhet të publikohen në faqen e kësaj të fundit[4].
Monitorimi i OSHMA-ve për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 26.8.2023, nga ora 08:00-00:00 ose sipas rastit deri në përfundimin e programit, sikurse parashikohet në pikën nr. 2 të projekt-vendimit, është edhe në funksion të llogaritjes së kohës së fushatës zgjedhore të transmetuar, përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, kur veprimtaria ndjek qëllime elektorale. (shih parashikimet në nenin 81 pika 1 dhe nenin 84 pika 1 e 2 të Kodit Zgjedhor).
Më konkretisht, Kodi Zgjedhor ngarkon AMA-n që të konsiderojë si kohë transmetimi fushate në edicionet informative të OSHMA-ve (apo edhe të kohës në dispozicion për RTSH-në), për subjektin zgjedhor, atëherë kur konstaton se: “Transmetimi i veprimtarive të institucioneve publike, qendrore ose vendore, llogaritet në kohën e transmetimit të subjektit zgjedhor, të cilit i përket titullari i institucionit, nëse veprimtaria ndjek qëllime elektorale. Veprimtaria ndjek qëllime elektorale kur ajo synon promovimin e arritjeve institucionale, të investimeve, inaugurimeve ose ecurinë në ndërtimin e punëve publike ose kur promovon aspekte specifike të programit elektoral të subjektit zgjedhor.”.
Përpos përfshirjes në projektvendim të gjithë sa më sipër, KRIIK nxit Komisionerin dhe Administratën e KQZ-së që të hartojë, dërgojë e bëjë publike KUJTESA lidhur me detyrimet ligjore që kanë tërë operatorët apo institucionet e ngarkuara me detyra lidhur me këtë procves të pjesshëm zgjedhor.
Veçanërisht ky informimi duhet t’u shkojë tërë OSHMA-ve për të shmangur ekspozimin e tyre ndaj shkeljeve ligjore, pasi penalitetet e parashikuara për ta janë të konsiderushme, madje për disa prej tyre edhe të papërballueshme.
Nevojitet që KQZ-ja të angazhohet maksimalisht paraprakisht, si dhe të shmangë më pas me çdo kusht relativizimin, injorimin apo shkeljen e ligjit duke mosvepruar apo mospërmbushur në mënyrë të plotë detyrimet ligjore të parashikuara, duke mbajtur në këmbë e jetësuar më tej fenomenin aq problematik të pandëshkueshmërisë ndaj moszbatimit të ligjit.
II. Nevojitet që KQZ-ja të disiplinojë sjelljen e tërë operatarëve të përfshirë lidhur me respektimin e afateve dhe procedurave të paraqitjes, miratimit dhe publikimit të vendimeve lidhur me akreditimin e të gjithë vëzhguesve vendas, e veçanërisht atyre të akredituara prej subjekteve zgjedhore.
Parashikimi i bërë në pikat 12 dhe 13 të projekt-vendimit konsiderohet prej KRIIK problematik dhe një hap pas me standardin e vënë prej KQZ-së qoftë në rastin e Zgjedhjeve të Pjesshme Vendore të 6 marsit 2022 (vendimi nr. 2 dt. 22.01.2022 i KRR), qoftë të Zgjedhjeve të Përsëritura të 23 korrikut 2023 në Rrogozhinë (vendimi nr. 25 dt. 06.07.2023 i KRR).
Afati i parashikuar për paraqitjen e kërkesave më datë 22 shtator, 2 ditë përpara zgjedhjeve, dhe mungesa e afatit detyrues brenda të cilit KQZ-ja apo KZAZ-ja duhet të marrin vendim, cënon të drejtën për të vëzhguar, mundësine e ankimimit në rast refuzimi, si dhe heq çdo mundësi për transparencë ndaj aktorëve që akreditojnë vëzhgues dhe ndaj individëve të angazhuar si të tillë.
Çdo konsideratë apo shqyrtim i mëvonshëm, pas ditës së zgjedhjeve, i tërë llojeve të problematikave që mund të konstatohen, janë pa asnjë dobi, ndërkohë që vetë procesi zgjedhor mund të vuajë seriozisht prej tyre.
Ju risjellim këtu konstatimin e KRIIK në monitorimin e bërë të zgjedhjeve të përsërituara të 23 korrikut 2023 në Rrogozhinë, pikërisht lidhur me problematikën madhore që përbëjnë dhe përmbajnë në vetvete vëzhguesit politikë të akredituar, ku u faktua se:
“Deri në ditën e zgjedhjeve, KZAZ-ja nuk ishte marrë asnjë vendim formal për akreditimin e vëzhguesve nga partitë politike. Sipas anëtarëve të KZAZ-së, deri në datën 18 korrik, që ishte edhe afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhgues nga ana e subjekteve zgjedhore, nuk kishte patur asnjë kërkesë të tillë.
Ndërkohë, në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e KRIIK evidentuan një numër të konsiderueshëm vëzhguesish politikë të pajisur me dokument akreditimi për të vëzhguar, pavarësisht se për këtë akreditim nuk ishte marrë më parë një vendim formal nga ana e KZAZ-së deri në atë moment. Emrat në këto dokumente akreditimi ishin të plotësuara me shkrim dore. Praktikisht, gjykohet se administrata zgjedhore nuk pati kontroll mbi vëzhguesit partiakë gjatë ditës së zgjedhjeve dhe se vëzhguesit ishin të shpërndarë totalisht sipas vullnetit dhe diskrecionit të partive politike, pa asnjë filtër.
Vëzhguesit politikë vazhdojnë të përbëjnë problem e shqetësim serioz mbi mbarëvajtjen e procesit apo ndërhyrjes në të.
Moskontrolli dhe moszbatimi i ligjit që në momentin e parë të akreditimit të tyre bënë që tërë detyrimet dhe mekanizmat e tjerë kontrollues ndaj tyre të mbetën fiktivë dhe pa asnjë funksionalitet.”
Në një sërë rekomandimesh dhe raportesh të përcjella, KRIIK ka ngritur fort shqetësimin për mosdisiplinimin e vëzhguesve politikë në zgjedhje në zbatim të kuadrit ligjor që rregullon akreditimin dhe rolin e tyre përgjatë procesit të votimit dhe numërimit.
Ritheksohet se vëzhguesit politikë janë një hallkë thelbësore në tërë makinerinë e patronazhimit politik të ngritur, të cilët cënojnë ecurinë e procesit zgjedhor nëpërmjet orientimit dhe drejtimit të votës që ata kryejnë, si dhe intimidimit dhe cënimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve për të marrë pjesë e votuar lirisht në procesin zgjedhor.
Lidhur me gjithë sa më sipër, KRIIK rekomandon që afati për akreditimin e vëzhguesve vendas të jetë data 19 shtator 2023 dhe të përfshihet detyrimi i KQZ-së dhe KZAZ-së, respektivisht me llojin e vëzhguesve që kanë kompetencë të akreditojnë, që të bëjnë akreditimin e tyre jo më vonë se data 20 shtator 2023.
Moszbatimi i ligjit prej aktorëve politikë dhe mospërmbushja e detyrimit të administratës së KQZ-së për të ushtruar e përmbushur detyrën, nuk mund dhe nuk duhet të shpjerë në zhbërjen dhe fiktivitetin e parashikimit ligjor dhe standardit të kërkuar, përkundrazi. Nevojitet një angazhim më i plotë dhe serioz në plotësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator nëse është e nevojshme, për të patur në kontroll dhe siguruar ecurinë më të mirë të procesit zgjedhor sipas standardeve ligjore e demokratike.
[1] Vendimi nr. 25, datë 6.7.2023 i Komisionit Rregullator.
[2] Neni 85 i Kodit Zgjedhor.
[3] Vendim nr. 2, datë 30.01.2021 i Komisionit Rregullator, “Për miratimin e Metodologjisë së Monitorimit të Medias Audio dhe Vizive”, i ndryshuar me Vendimin nr. 07, datë 27.01.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 2, datë 30.01.2021, të Komisionit Rregullator, “Për miratimin e metodologjisë së monitorimit të medias audio dhe audiovizive”.
[4] Neni 10 i Metodologjisë së Monitorimit të Medias Audio dhe Audiovizive (cit.).