Shkarko Dokumentin e dërguar KQZ-së
I Nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Kolegë të Administratës së KQZ-së!
Në kuadër të gjithë bashkëpunimit të deritanishëm me Institucionin e KQZ-së, për të cilin gjejmë rastin t’ju falënderojmë sërish, KRIIK ju paraqet në vijim rekomandimet e tij për plotësimin e mëtejshëm të Urdhrit të KSHZ “Mbi zbatimin e disa rregullave për personat e pranishëm në qendrën e votimit dhe në mjediset e jashtme ku janë vendosur qendrat e votimit, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
KRIIK vlerëson draft-urdhrin e përgatitur nga Komisioneri, por në të njëjtën kohë e konsideron atë të paplotë në raport me rregullimin që duhej bërë nga KQZ-ja lidhur me problematikën madhore që ajo adreson, shqetësim i përcjellë tek ju nëpërmjet Dokumentit “REKOMANDIM – Lidhur me garantimin e një mjedisi të lirë dhe të pandikuar ndaj zgjedhësve në afërsi të qendrave të votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve” me Nr. 2304/25 K (e-k) Prot. datë 07/04/2023, i cili nuk është asgjë tjetër veçse përmbushje e përgjegjësisë dhe detyrave të KQZ-së përsa Kodi Zgjedhor ngarkon, e konkretisht lidhur me parashikimet e nenit 109, pika e 7 të tij.
Një adresim më i plotë, përfshirë edhe rregullimet që tenton të adresojë draft-Urdhri i përgatitur do të duhej të bëhej nëpërmjet amendimeve të akteve rregullatore ekzistuese apo edhe të posaçme të ndërmarra nga Komisioni Rregullator, përsa kohë është kompetencë e tij hartimi i rregullave të detajuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, detyrat e administratës zgjedhore dhe procedurat që zbatohen në zgjedhje (neni 20 i Kodit Zgjedhor).
Ndaj në këtë këndvështrim, do të ishte me vend që KSHZ dhe Administrata, edhe në mungesë të një vullneti politik të shprehur paraprakisht midis anëtarëve të Komisionit Rregullator, t’ia propozonte këtij të fundit aktin/et e nevojshme për amendim/miratim.
Në kushtet e mungesës së kohës, kur ndodhemi vetëm 11 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, lidhur me aktin konkret të përgatitur ju parashtrojmë sa më poshtë:
1. Në pikën 7 të tij, urdhri parashikon se “Krahas sa përcaktohet më sipër në këtë urdhër, çdo anëtar i KQV, apo i KZAZ, apo vëzhgues i subjektit zgjedhor, kur konstaton shkelje të këtij urdhri, apo të akteve të tjera ligjore apo nënligjore në lidhje me praninë e personave të paautorizuar në mjediset e brendshme të qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj, në korridoret e brendshme të ndërtesës ku është/janë të vendosura qendrat e votimit dhe përreth tyre në një distancë rrethore me rreze më të vogël se 150 m, njofton menjëherë KQZ nëpërmjet numrit të telefonit të venë në dispozicion të administratës zgjedhore (aplikacioneve Ëhatsapp dhe Telegram) apo nëpërmjet aplikacionit KQZ”.
KRIIK gjykon se paraqitet e nevojshme që kjo e drejtë të shtrihet tek të gjithë vëzhguesit e akredituar, madje edhe tek çdo qytetar.
Sipas KRIIK, konsiderohet i pavënd limitimi i kësaj të drejte vetëm tek vëzhguesit politikë, ndërkohë që shkelësit potencialë të rregullimeve që adreson ky akt, janë pikërisht militantët dhe mbështetësit e subjekteve zgjedhore, të përkrahur shpesh edhe nga vetë vëzhguesit politikë respektivë të akredituar
Gjykohet se kjo masë jo vetëm do të rrisë besimin e qytetarëve dhe denoncimet prej tyre, por nga ana tjetër do të minimizojë edhe aktivitetin e kundraligjshëm të partive politike e mbështetësve të tyre në mjediset përrreth qendrave të votimit.
2. KRIIK rekomandon se KQZ-ja duhet ta mediatizojë e bëjë publike me çdo mjet të mundshëm këtë rregullim dhe mundësi të qytetarëve për të denoncuar prezencën apo grumbullimet e personave të paautorizuar përreth qendrave të votimit.
Kjo qasje konsiderohet e domosdoshme edhe në funksion të zhbërjes së të gjithë praktikës negative të kundraligjshme të mëparshme të vendosur dhe aplikuar nga partitë politike.
Një fushatë e tillë informimi do të vlejë edhe për vetë militantët, mbështetësit apo vëzhguesit politikë për të kuptuar paligjshmërinë e kësaj praktike të ndjekur më parë si pjesë e patronazhimit politik e partiak të ngritur, duke i ndihmuar në këtë mënyrë edhe vetë ata për të mos rënë në shkelje të ligjit nga njëra anë, por edhe për të refuzuar urdhrat apo orientimet e eprorëve të tyre politikë për çdo akt apo veprimtari të kundërligjshme, nga ana tjetër.