Shkarko Dokumentin e dërguar KLGJ-së.
Drejtuar: Këshillit të Lartë Gjyqësor
Kryetares znj. Naureda LLAGAMI
Për dijeni: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve
z. Ilirjan CELIBASHI
Subjekteve Zgjedhore të regjistruara për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023
Misionit të OSBE/ODIHR në Shqipëri
Trupit Diplomatik dhe Organizatave Ndërkombëtare me seli në Tiranë
Lënda: KËRKESË – Për ngritjen dhe funksionimin e sporteleve të përkohshme të sekretarive gjyqësore në të 61 Zonat Zgjedhore / Bashkitë në vend.
E nderuar znj. Kryetare!
Në emër të Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), Ju falënderojmë për takimin e realizuar në datën 13 mars 2023 midis përfaqësuesve të KRIIK dhe Institucionit tuaj.
Sikurse u diskutua dhe dakordësua gjatë takimit, po Ju parashtrojmë tanimë edhe zyrtarisht më poshtë Kërkesën e KRIIK, mbi hapat konkretë që në gjykimin tonë mund të ndërmerren prej KLGJ-së për të kontribuar dhe garantuar përmbushjen apo përmirësimin e standardeve të procesit zgjedhor, e konkretisht të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023.
Sjellim sërish dhe paraprakisht në vëmendjen tuaj se sigurimi i së drejtës së qytetarit për të votuar aty ku ka vendbanimin, si dhe lehtësimi i procesit të korrigjimit të përbërësve zgjedhorë pas shpalljes së listës finale të zgjedhësve, është jo vetëm një detyrim ligjor por edhe një e drejtë thelbësore që shteti duhet t’i sigurojë qytetarit, të drejtën për të votuar.
Kodi Zgjedhor në nenin 57 “Vendimet gjyqësore pas hartimit të listës së zgjedhësve” përcakton se:
“1. Kur zgjedhësi vëren se përbërësi i tij zgjedhor përmban pasaktësi, nuk është i regjistruar në listën e zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij ose nuk është regjistruar fare në ndonjë nga listat e njësisë së qeverisjes vendore ku ai ka vendbanimin, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. …
3. Gjykatat e rretheve gjyqësore shqyrtojnë dhe vendosin në lidhje me kërkesat, sipas pikës 1 të këtij neni, si në ditën e fundit para zgjedhjeve, edhe në ditën e zgjedhjeve, por jo më vonë se 6 orë përpara mbylljes së votimit. Në rastin kur vendimi gjyqësor bën korrigjimin e përbërësve zgjedhorë, përcaktohet qartë përbërësi zgjedhor që ndryshohet. Kur saktësohet qendra e votimit ose zgjedhësi shtohet në listë, vendimi gjyqësor përcakton qendrën e votimit ku zgjedhësi do të votojë dhe numrin e dokumentit të identifikimit. …”.
Aktualisht, lista finale e zgjedhësve është shpallur dhe e vetmja mënyrë për ata zgjedhës, që nuk e kanë tanimë emrin në listën e qendrës së votimit ku kanë vendbanimin për t’u përfshirë në listë dhe për të votuar, është nëpërmjet një vendimi gjykate.
E njëjta procedurë duhet të ndiqet edhe kur zgjedhësi konstaton se në listën e zgjedhësve figurojnë pasaktësi në përbërësit e tij zgjedhorë.
Me aplikimin e hartës së re gjyqësore që hyn në fuqi më datën 1 maj 2023, qasja e qytetarëve në gjykata do të jetë më e vështirë, duke qenë se disa prej gjykatave do të shkrihen.
Nga ana tjetër, në këto zgjedhje, sikurse është konstatuar nga auditët dhe pranuar edhe nga organet përgjegjëse, rreth 1.2 milionë zgjedhësve iu është ndërruar qendra e votimit, ku ata votonin më përpara.
Kjo gjë mund të sjellë jo vetëm konfuzion tek zgjedhësit apo vështirësi për të votuar në ditën e zgjedhjeve, por edhe mundet që ta bëjë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës së votës prej tyre.
Ky mekanizëm njihet tashmë si mundësi nga qytetarët, megjithëse pranohet se në zgjedhjet e mëparshme numri i zgjedhësve që kanë votuar me vendim gjykate nuk ka qenë i konsiderueshëm. Ashtu sikurse pranohet se ka patur raste që zgjedhës, të cilët nuk kishin një Gjykatë të Rrethit Gjyqësor pranë vendbanimit të tyre, nuk e kanë shfrytëzuar këtë mekanizëm, të fundit në dispozicion, duke ngelur pa votuar.
Aktualisht në këto zgjedhje, për shkak të situatës së lartpërmendur, me gjasë numri i qytetarëve që mund të kërkojnë të votojnë me vendim gjykate mund të jetë më i lartë.
Gjithësesi, në çdo rast, sillet në vëmëndje se Kushtetuata dhe ligji parashikojnë detyrimin e shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij që t’i sigurojnë të drejtën e ushtrimit të votës çdo zgjedhësi, ndaj në këtë pikëpamje, kjo e drejtë nuk mund t’i mohohet për asnjë shkak qoftë edhe një qytetari të vetëm.
Në këto kushte, në vijimësi të sugjerimit të parashtruar në takimin e zhvilluar, KRIIK
ju paraqet zyrtarisht Kërkesën që Institucioni i Këshillit të Lartë Gjyqësor të ndërmarrë hapat e nevojshëm procedurialë e institucionalë, duke siguruar që Gjykatat e Shkallës së Parë në të gjithë vendin të jenë të vëmendshme ndaj kësaj situate dhe të marrin masat e duhura për të trajtuar me prioritet dhe në kohën më të shkurtër kërkesat e qytetarëve që kërkojnë të votojnë me vendim gjykate.
Gjithashtu konsiderohet e nevojshme që të mundësohet që sportelet përkatëse pranë bashkive të jenë në funksionim deri në orët e vona të ditës së premte datë 12.05.2023, sikurse parashikohet nga Kodit Zgjedhor, për të marrë kërkesat e mundshme prej qytetarëve.
Po ashtu, këto sportele nevojitet të rrinë hapur gjatë ditës së shtunë dhe ditën e dielë deri në ora 13.00 për të lehtësuar dhe siguruar dhënien e vendimeve respektive të marrë nga gjykatat mbi bazën e kërkesave të paraqituara.
KRIIK ju përcjell, gjithashtu, shqetësimin se është e pamjaftueshme që sportelet të punojnë vetëm në Bashkitë në të cilat shkrihen Gjykatat e Rrethit Gjyqësor, pasi ato objektivisht e vështirësojnë apo dhe e bëjnë të pamundur aksesin e qytetarëve në Gjykatë për shkak të largësisë gjeografike.
Në këto kushte, KRIIK ju nxit ta shqyrtoni me seriozitet këtë problematikë dhe të mundësoni ngritjen e sporteleve të sekretarisë së përkohshme gjyqësore në secilën prej 61 Bashkive të vendit.