Gjatë monitorimit të javës së dytë të funksionimit të ndërfaqes, KRIIK ka evidentuar disa problematika të cilat lidhen me:
1. Mosrespektimin e afatit ligjor 5 ditor përpara zhvillimit të aktivitetit;
2. Kryerjen e veprimtarive publike, pavarësisht se nuk janë raportuar në ndërfaqen e raportimeve në KQZ;
3. Raportimin pa detaje nga institucionet;
4. Pjesëmarrjen e drejtuesve politikë të qarqeve, në aktivitete të bashkive pavarësisht se nuk janë deputetë të zonës.
Konkretisht:
- Raportimi i aktiviteteve me vonesë
Praktika e raportimit të aktiviteteve me vonesë (më pak se pesë ditë përpara ditës së aktivitetit) vijon edhe në këtë javë të dytë, madje konstatohet se situata është akoma më problematike në krahasim me javën e parë.
Nga monitorimi i KRIIK rezulton se rreth 59% e raportimeve në javën e dytë (20-26 janar) janë me vonesë, përkundër 30% të evidentuara në javën e parë.
Specifikisht, nga 152 aktivitete të raportuara nga data 20 në datën 26 janar 2023, 90 janë raportuar me vonesë (për më shumë shih Lidhjen 1, e cila përmbledh të dhënat për raportimet me vonesë, si dhe Lidhjen 2 me listën e detajuar të këtyre aktiviteteve, së bashku me të dhënat përkatëse referuar ndërfaqes së aktiviteteve në faqen e internetit të KQZ-së).
Lidhur me këto konstatime, KRIIK ju përcjell rekomandimet e tij si më poshtë:
- Në linjë me rekomandimin në Raportin e javës së shkuar (13-19 janar), dërguar me email më datë 21.01.2023, KRIIK gjykon se nevojitet një vendimmarrje e menjëhershme e KQZ-së lidhur me këtë detyrim ligjor, duke qenë se praktika e ndodhur në dy proceset e mëparshme zgjedhore nga institucionet po vijon dhe respektimi i kuadrit ligjor është në përkeqësim.
KRIIK vlerëson marrjen në shqyrtim të ecurisë së raportimit prej Komisionerit në seancën publike të datës 25 janar 2023, si dhe zotimin se KQZ-ja do të kryejë procedurat e hetimit administrativ për sa është konstatuar nga Struktura Përgjegjëse.
- Gjithashtu, risillet në vëmendjen tuaj rekomandimin nr. 3 i Dokumentit me Rekomandime të përcjellë tek ju me email-in e datës 25 janar 2023, lidhur me afatet e parashikuara për raportimin e veprimtarive të institucioneve publike.
KRIIK, ashtu sikurse administrata e KQZ-së, i ka përllogaritur afatet e raportimit prej institucioneve si ditë kalendarike, ndërkohë që në pjesën e kontrollit dhe ndalimit këto afate nevojiten të konsiderohen me ditë pune, në mënyrë që të bëhet i mundur shqyrtimi administrativ i menjëhershëm prej administratës së KQZ-së dhe vendimmarrja në kohë e Komisionerit, pra dy ditë përpara zhvillimit të veprimtarisë.
Ndaj, konsiderohet se nevojitet domosdoshmërisht që KQZ të saktësojë në mënyrë të detajuar përllogaritjen e afateve dhe unfikimin në parashikim të tyre.
- Gjithashtu, KRIIK ju rikujton dhe ju nxit të merrni në shqyrtim rekomandimin e dytë të Raportit I të javës 13-19 janar, edhe për të lehtësuar punën e KQZ-së dhe të institucioneve raportuese për ndalimin e aktiviteteve që raportohen me vonesë.
Sipas tij, gjykohet se do të ishte me vlerë dhe më funksionale që në sistemin e raportimit të integrohej një mekanizëm sigurie automatik, i cili në momentin që një veprimtari raportohet përtej afatit të përcaktuar (pra, kur numri i ditëve mes datës së aktivitetit dhe datës së raportimit është më i vogël se 5), përdoruesit të institucionit përkatës t’i shfaqet automatikisht një mesazh se ky aktivitet nuk mund të kryhet pasi është raportuar jashtë afatit.
Në këtë konfigurim, sikurse është theksuar, duhen të parashikohen përjashtimisht rastet kur mund të ketë arsye të forta për zhvillimin e aktiviteteve që e justifikojnë kryerjen e tij (p.sh. rastet e emergjencave, apo të tjera).
Risjellim në vëmendje se ndalimi në mënyrë automatike i çdo veprimtarie të raportuar me vonesë është në përmbushje të sa Komisioneri u ka komunikuar institucioneve në datën 12 janar me “KUJTESËN – Mbi veprimtarinë e institucioneve publike katër muaj përpara datës së zgjedhjeve”, pika 3.
Në opinionin e tij, KRIIK gjykon se vonesat, relativizimi dhe moszbatimi i qëndrimit të Komisionerit të shprehur qartazi për të zbatuar pa ekuivok ligjin, vendos pikëpyetje për sigurinë e zbatimit të ligjit dhe lë udhë për precedentë të tjerë të relativizimit apo moszbatimit të ligjit në procese të tjera mbikqyrëse në vijim.
Zvarritja në terma praktikë, nga njëra anë, nëpërmjet formave të ndryshme për ta konsideruar procesin e raportimit si një proces të vështirë e të komplikuar, si dhe masiviteti i fenomenit të shkeljeve, nga ana tjetër, me qëllim për ta relativizuar dhe bërë de facto ligjin të pazbatueshëm, nuk është një qasje risi, ndaj në gjykimin e KRIIK, ky fenomen duhet të ndalohet prerazi nga KQZ-ja.
- Nëse punonjësit e ngarkuar me raportimin janë të paaftë në menaxhimin e procesit dhe përdorimin e teknologjisë, KQZ-ja përpos marrjes së masave të kërkuara nga ligji, duhet të kërkojë menjëherë zëvendësimin e tyre më nëpunës që plotësojnë kriteret e nevojshme dhe kanë kapacitetin për të kryer një proces raportimi në ndërfaqen e KQZ-së.
- Nga ana tjetër, për të evituar çdo lloj paqartësie që mund të pretendohet si dhe për unifikuar praktikisht mënyrën e detajuar të raportimit, nxitet KQZ-ja që të organizojë një trajnim online dhe në terma praktikë me të gjithë nëpunësit e ngarkuar për të kryer raportimin, përfshirë nëpunësit e parashikuar si zëvendësues të këtyre të fundit në rast nevoje, nga të gjithë institucionet objekt të ligjit.
- Madje, nisur nga praktika e krijuar për gjoja “pazbatueshmërinë e mekanizmit” dhe situata në tërësi e ligjzbatimit prej institucioneve e titullarëve të tyre në vend, KRIIK rekomandon se është e nevojshme të organizohet e zhvillohet edhe një sesion informimi për titullarët e institucioneve si përgjegjës direkt për procesin e raportimit prej institucioneve përkatëse,apo për stafet e ngushta të tyre / këshilltarët / asistentët e tyre.
Ky trajnim duhet të informojë e sigurojë, së pari, titullarët mbi vullnetin e plotë të KQZ-së për zbatimin e ligjit në funksionimin e mekanizmit të raportimit dhe mbikqyrjes së aktiviteteve, vullnet i cili duhet të nxitet për tu transmetuar prej tyre në administratat përkatëse në varësi.
Së dyti, paraqitet e nevojshme të bëhet një informim i zgjeruar mbi tipologjinë e rasteve / aktiviteteve që duhen raportuar, atyre që ndalohen, si dhe të mund të orientohen për unifikimin e mënyrave të raportimit.
- Veprimtari publike të zhvilluara, por të paraportuara
Bazuar në një monitorim jo sistematik të faqeve të disa institucioneve në mediat sociale dhe të mediave, KRIIK ka evidentuar se, gjatë periudhës 20 – 26 janar 2023, së paku 21 veprimtari publike të ndërlidhura me 24 institucione që bartin detyrimin e raportimit, rezultojnë se nuk janë raportuar në ndërfaqen e KQZ-së. Numri i institucioneve është më i lartë se ai i aktiviteteve për shkak se në tre aktivitete ka më shumë se një institucion të përfshirë, por aktiviteti është i njëjti.
(për më tepër gjeni bashkëlidhur Lidhjen nr. 3 me listën e këtyre aktiviteteve së bashku me informacione shtesë të pasqyrimeve mediatike që provojnë realizimin e tyre).
Lidhur me këtë konstatim, KRIIK risjell në vëmendjen tuaj se:
- Konstatimi bazohet në gjykimin se këto aktivitete nuk janë raportuar pasi nuk pasqyrohen në informacionin e bërë publik në faqen e KQZ-së.
Në prezantimin e raportit të bërë nga Struktura përgjegjëse e KQZ-së në seancën e mbledhjes së 25.01.2023, u deklarua se pas datës 19 janar, pjesa dërmuese e institucioneve e kanë adresuar lehtësisht ndërfaqen.
Ndërkohë, edhe nëse institucionet mund të kenë ndeshur sërish probleme me aksesin në sistemin e raportimit, gjykohet se mosraportimi i veprimtarive nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, pasi institucionet mund të kishin raportuar me e-mail, sikurse parashikohet qartë në udhëzimet e KQZ-së.
Nga ana tjetër, nëse njoftimi është kryer prej institucionit, postimi duhet të ishte hedhur në mënyrë të menjëhershme dhe të pasqyrohej nga administrata e KQZ-së në faqen e internetit.
Raportimi mbi veprimtaritë dhe gjykimi mbi to, nuk mund të limitohet vetëm në njoftimin e KQZ-së, pasi jo më kot ligji parashikon publikimin e menjëhershëm në faqen e internetit për opinionin publik, ndërkohë që ky moment përbën edhe faktin publik të nisjes së afateve për proceset monitoruese të parashikuara në vijim.
- Me shumë gjasë numri i aktiviteteve të pa raportuara duhet të jetë më i lartë, pasi siç u citua më sipër, aktivitetet e gjetura bazohen në një monitorim të kryer në mënyrë jo sistematike.
Bazuar në sa më sipër, duke qenë se situata mbetet e njëjtë, KRIIK risjell rekomandimin e paraqitur tanimë në Raportin e parë se “nevojitet që KQZ-ja nëpërmjet vendimmarjeve institucionale të sigurojë dhe propogandojë zbatimin pa ekuivok të ligjit, ndërkohë që duhet të rrisë mënyrat e ndërgjegjësimit paraprakisht për zbatimin e detyrimeve ligjore të parashikuara për tu përmbushur nga aktorët institucionalë.”
- Raportimin pa detaje nga institucionet
Raportimi në ndërfaqe përbën hallkën e parë për pasqyrimin e llojit dhe nivelit të informacionit që transmetohet në KQZ, mbi të cilin kjo e fundit duhet të gjykojë paraprakisht nëse aktiviteti mund të lejohet për t’u zhvilluar ose jo.
Me qëllim zotërimin e çdo informacioni në mënyrë të detajuar, fushat e raportimit janë bërë të detyrueshme për tu plotësuar, por nga vëzhgimi i kryer ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm institucionesh nuk i plotësojnë detajet në mënyrën e duhur.
Mungesa e detajeve paraqitet në informacionet e plotësuar në disa prej fushave.
Sillet në vëmendje fusha “Vendi i Zhvillimit”, që konsiderohet si fusha më e thjeshtë për t’u plotësuar me detaje, mjafton që të vihet adresa e plotë e vendit të zhvillimit të aktivitetit.
Rezulton se në një numër të konsiderueshëm të raportimeve, vendi i zhvillimit të aktivitetit raportohet vetëm me emrin e njësisë administrative përkatëse ose të bashkisë.
Risillet në vëmendjen tuaj se ky informacion konsiderohet i padobishëm, në rastin kur KQZ mund të vlerësojë të nevojshëm dërgimin e monitoruesit për ndjekjen e aktivitetit përkatës, duke krijuar kështu ngërç artificial në procesin mbikqyrës apo verifikues që mund të kryhet.
Jo vetëm kaq, por ky informacion i paspecifikuar e bën të pamundur ndjekjen e aktivitetit nga aktorët e tjerë monitorues, media apo edhe vetë qytetarët, të cilët mund të duan që të bëhen pjesë e tij, por e kanë të pamundur për shkak të mos pasjes së mundësisë për tu informuar për vendndodhjen e saktë të zhvillimit të aktivitetit.
Për minimizimin e këtij problemi, KRIIK risjell në vëmendje rekomandimin e dërguar nëpërmjet e-mailit të datës 14 janar 2023, ku propozohet se “për të evituar këto raste, por edhe çdo mundësi padijenie nga ana nëpunësit të caktuar për hedhjen e informacionit në sistem, sugjerohet që poshtë çdo fushe, të detyrueshme për tu plotësuar, të paraqiten në mënyrë sa më koncize sqarime dhe udhëzime se çfarë informacioni konkretisht pritet prej përdoruesit që të plotësojë aty”.
- Pjesëmarrja e drejtuesve politikë të qarqeve, në aktivitete të bashkive pavarësisht se nuk janë deputetë të zonës.
Nga pasqyrimi në rrjete sociale, media apo media sociale të disa aktiviteteve të zhvilluara në disa Bashki, sidomos në raste inspektimesh apo inagurimesh përpos prezencës së ministrave të qeverisë, ka patur prezencë të drejtuesve politikë të qarkut përkatës.
Kjo pjesëmarrje, e pajustifikuar në asnjë rast, vetëm me prezencën në aktivitet e më pas edhe artikulimet që bëhen gjatë tij, i japin tone politike dhe të përfitimit elektoral veprimtarisë.
KQZ-ja nxitet të shqyrtojë rastet dhe të nisë verifikimin administrativ, veçanërisht për pjesëmarrjen e drejtuesve politikë, e vijuar më pas me procedurat e tjera sipas parashkimeve ligjore.
Konkretisht:
Bashkia Roskovec – Së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro; Shefen e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim në Shqipëri, znj. Judith Hoffman; Kreun e grupit parlamentar z. Taulant Balla inaguruam pikën e kompostimit. https://www.youtube.com/watch?v=Ju-PqRJ7BjI&t=2s
Bashkia Belsh – Qendra e re e kompostimit në Belsh do të përpunojë të gjithë mbetjet e gjelbërta duke shmangur hedhjen e tyre në pikën fundore. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi tha se projekti i kompostimit do të shtrihet edhe në bashki të tjera me karakter bujqësor.
Shkarko dokumentin derguar KQZ-se
Shkarko Lidhjen 1 – Permbledhje e aktiviteteve te raportuara me vonese