KRIIK po monitoron nga afër dhe në tërësi mospërdorimin e burimeve shtetërore për fushatë zgjedhore, ku element kryesor mbetet zbatimi i kuadrit ligjor prej KQZ-së për ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.
Ndërfaqja e raportimeve përbën elementin kyç në zbatimin e kuadrit rregullator për raportimin e veprimtarive, ndaj KRIIK, lidhur përmbajtjen dhe mënyrën e funksionimit të saj ka patur komunikim të mëparshëm me Drejtorinë Juridike, ndërkohë që ndërfaqja ishte ende në punim.
Duke qenë se deri ditën e premte faqja nuk ka qenë aktive për të parë se si ajo funksionon dhe referuar tashmë në atë se çfarë mund të shihet si një vizitor i jashtëm, si dhe bazuar në problematikat që janë vëzhguar në zgjedhjet e vitit 2021 dhe ato të datës 6 mars 2022, KRIIK ju paraqet disa rekomandime teknike për t’u patur në konsideratë dhe për tu shqyrtuar nga ju lidhur me përmirësimin e raportimit të institucioneve në ndërfaqe.
Raportimi në ndërfaqe përbën hallkën e parë për pasqyrimin e llojit dhe nivelit të informacionit që transmetohet në KQZ, mbi të cilin kjo e fundit duhet të gjykojë paraprakisht nëse aktiviteti mund të lejohet për tu zhvilluar ose jo.
Kjo fazë është tejet e rëndësishme për procesin që vjen më pas, ndaj, në gjykimin e KRIIK, tërë institucionet duhet të japin informacion sa më të plotë e të besueshëm.
Të gjitha sugjerimet që vijojnë më poshtë vijon, gjykohet se i shërbejnë kuptimit më të mirë të aktivitetit si dhe plotësimit të informacionit që përcillet sipas nenit 4 pika 3 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator.
Konkretisht:
- Sipas komunikimit me KQZ, na u konfirmua se plotësimi i fushave për hedhjen e aktivitetit në sistem është realizuar sipas rregullit që çdo fushë është e detyrueshme për t’u plotësuar.
Nga monitorimi i zgjedhjeve pararendëse ku mekanizmi i raportimit është aplikuar pavarësisht kësaj hallke, KRIIK ka vërejtur se plotësimi i fushave ka qenë tejet evaziv nga përdoruesit dhe vetëm me fjalë të përgjithshme duke mos mundësuar kuptimin e asaj se çfarë konkretisht përcillej dhe të qëllimit të saj.
Në këto kushte, për të evituar këto raste, por edhe çdo mundësi padijenie nga ana nëpunësit të caktuar për hedhjen e informacionit në sistem, sugjerohet që poshtë çdo fushe, të detyrueshme për tu plotësuar, të paraqiten në mënyrë sa më konçize sqarime dhe udhëzime se çfarë informacioni konkretisht pritet prej përdoruesit që të plotësojë aty.
E njëjta gjë duhet të të aplikohet edhe në formatet e raportimit të hartuara për tu përdorur në rastet e informimit me email apo me postë.
Gjykohet se kjo do të lehtësojë dhe ndihmojë për pasjen e një informacioni konkret e të pasuruar, e rrjedhimisht edhe më të vlefshëm për KQZ-në në gjykimin e saj mbi aktivitetin në fjalë.
- Përpos ndihmesës dhe udhëzimeve për mënyrën se si duhet të plotësohet gjithë raportimi nga institucioni, vlerësohet si shumë e rëndësishme që ky plotësim të bëhet me saktësi dhe përgjegjshmëri të lartë. Kjo, jo vetëm për shkak të rëndësisë që ka raportimi si detyrim ligjor në raport me procesin zgjedhor, por edhe se një pasaktësi në informacionin e përcjellë mund të çojë në masa penalizuese, që mund të ndërmerren edhe ndaj personit përgjegjës të caktuar nga institucioni në fjalë për përdorimin e ndërfaqes.
Ndaj në raport me këtë sugjerohet që pjesë e formatit të raportimit të jetë edhe një pikë shtesë, nëpërmjet së cilës t’i bëhet me dije personit që e plotëson formatin e raportimit dhe ia nis atë KQZ-së, se ai mban përgjegjësi sipas ligjit për saktësinë e informacionit të përcjellë apo në rast të plotësimit në mënyrë jo korrekte.
- Pika 4 e nenit 4 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton individët përgjegjës në çdo institucion, të ngarkuar për kryerjen e raportimit.
Sikurse na është komunikuar prej KQZ-së, institucioni ka tashmë personat përgjegjës të deleguar nga rreth 500 institucione.
Është mëse e natyrshme që, për arsye të ndryshme, gjatë periudhës 4 mujore të raportimit të ndodhë që informacioni të plotësohet e përcillet edhe nga ndonjë punonjës tjetër i institucionit, pavarësisht nëse ai është i deleguar apo zëvendësues i përkohshëm i personit përgjegjës të përcaktuar.
Për shkak të përgjegjësisë që mbart personi i caktuar nga institucioni, por edhe të mosrelativizimit apo bërjes praktikisht të pamundur të mekanizimit penalizues, nëse do të paraqitet nevoja, sugjerohet që pjesë e formatit të raportimit të bëhet edhe opsioni i plotësimit të emrit të punonjësit që kryen raportimin, në rastin kur ai është i ndryshëm nga individi përgjegjës i përcaktuar nga institucioni, emri i të cilit i është përcjellë zyrtarisht KQZ-së.
- Përpos llojit të aktivitetit nevojitet të parashikohen e të shtohen edhe dy fusha për t’u plotësuar: “Qëllimi i aktivitetit” dhe “Institucioni/et që e organizon/jnë aktivitetin”.
Me pasjen e qëllimit të aktivitetit dhe deklarimit eksplicisht se cili është institucioni organizator, KQZ mund të kuptojë paraprakisht në mënyrë më të qartë nëse ky është një aktivitet nëpërmjet të cilit përfaqësuesit apo drejtuesit e institucioneve përmbushin detyrat funksionale, apo shkon përtej kësaj.
Nga ana tjetër edhe vetë institucionet, nëpërmjet plotësimit të këtyre dy fushave, duhet dhe do të arrijnë të kuptojnë nëse aktiviteti që po raportojnë është një aktivitet institucional që duhet ose jo të raportohet, duke mos përzierë aktivitetet institucionale të drejtuesit të institucionit me aktivitetet e tjera që ai/ajo mund të marrë pjesë si eksponent politik.
Konkretisht, sjellim në vëmëndjen tuaj se në raportimet e deritanishme evidentohen dy raste të tilla tanimë, në të cilat raportohet i njëjti aktivitet politik ku do të marrë pjesë Kryetari i Bashkisë Tiranë (si folës kryesor) dhe Kryetarja e Kuvendit. Ndërkohë që ndërfaqja duhet të shërbejë vetëm për raportimin e aktiviteteve të institucioneve publike dhe jo të partive politike apo forumeve të tyre (shih njoftimin e bërë nga Bashkia Tiranë: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/13/ditelindja-e-fressh/ dhe atë të bërë nga Kuvendi i Shqipërisë: https://aktivitete.kqz.gov.al/2023/01/14/te-rinj-europiane-socialiste/) .
- Pika 3 e nenit 4 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton se në formatin e raportimit institucionet duhet të informojnë ndër të tjera edhe për nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit dhe folësit e planifikuar. Këto informacione të kërkuara në formatin aktual parashikohen të plotësohen në tre fusha si: “Folësit kryesorë”, “Pozicioni” dhe “Pjesëmarrësit”.
Sugjerohet që për plotësimin e dy fushave (“Folësit kryesorë” , “Pozicioni”), të jepet mundësia e plotësimit të emrit dhe pozicionit të më shumë se një folësi kryesor. Gjithashtu të udhëzohet raportuesi dhe t’i kërkohen të gjithë emrat e folësve kryesorë, të cilët përfaqësojnë në vetvete nivelin e lartë të pjesëmarrjes, duke mundësuar kështu një panoramë më të qartë e më të plotë të aktivitetit.
Gjithashtu nevojitet të shtohet një fushë “Institucione të tjera pjesëmarrëse”, e cila të saktësojë nëse në aktivitet do të marrin pjesë ose jo titullarë apo përfaqësues të institucione të tjera dhe, nëse po, informacion mbi emrin e institucionit dhe të titullarit apo përfaqësuesit të deleguar.
Fusha ekzistuese “Pjesëmarrësit” të quhet “Pjesëmarrës të tjerë” ku raportuesi të mund të orientohet për të kategorizuar dhe informuar mbi audiencën që parashikohet të jetë fizikisht e pranishme në aktivitet dhe që është ftuar paraprakisht apo do t’i bëhet ftesë për marrë pjesë.
- Interpretimi i bërë nga organet e KQZ-së mbi aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2022, nëse ato kanë përbërë ose jo veprimtari publike, ka qenë tejet i gjerë dhe subjektiv, e në shumë raste edhe jashtë asaj që ligji në mënyrë eksplicite parashikon.
Nga sa evidentohet në raportimet e kryera dhe të publikuara tashmë në ndërfaqen e KQZ-së, fushat që lidhen me këtë pjesë të raportimit janë dy pyetjet e fundit, “Me pjesëmarrjen e medias?” dhe “I hapur për publikun?”.
Evidentohet se përgjigjet në këto raste janë të kufizuara vetëm në “po” ose “jo”.
Në gjykimin e KRIIK, këto fusha nevojitet detyrimisht të zgjerohen për të ulur mundësinë e keqkuptimit apo keqinterpretimit lidhur me karakterin e këtyre veprimtarive dhe krijimin e një tabloje sa më të qartë gjykimi për KQZ-në.
Përsa i përket pyetjes “I hapur për publikun?”, gjykohet se nevojitet të saktësohet nëse aktiviteti është i hapur për një publik i cili mund të marrë pjesë rastësisht, apo nëse është parashikuar që për këtë të bëhet paraprakisht edhe një njoftim publik nga institucioni.
Sugjerohet që, nëse raportuesi pyetjes “I hapur për publikun?” i përgjigjet me “Po”, atëherë të shtohet një fushë shtesë “A do të bëhet ose jo njoftim publik” për këtë qëllim.
Përsa i përket pyetjes “Me pjesëmarrjen e medias?” , sillet në vëmendje se njihet tashmë botërisht se në praktikë, në pjesën dërmuese, institucionet aplikojnë përcjelljen vetë të sinjalit audioviziv live për tek mediat, apo duke i prodhuar vetë materialet audiovizive dhe përcjellë ato më pas të gatshme tek mediat veç për transmetim.
Lidhur me këtë pikë, pika 3 e nenit 4 të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator përcakton se në formatin e raportimit institucionet duhet të informojnë se si parashikojnë të bëjnë “Mediatizimin e veprimtarisë”.
Në gjykimin e KRIIK, kjo fushë nevojitet detyrimisht të zgjerohet për t’i dhënë kuptimin e duhur dhe të saktë karakterit dhe publikimit të veprimtarisë.
Pyetja aktuale në formatin e raportimit “Me pjesëmarrjen e medias?” të ndryshohet me pyetjen “A është ftuar media për të marrë pjesë?”.
Ndërkaq nevojitet të shtohen edhe katër fusha:
– “A do të përgatitet material audioviziv nga vetë institucioni?”
– “A do t’iu dërgohet material për publikim mediave audiovizive dhe atyre online?”
– “A do të publikohet aktiviteti në faqen e internetit të institucionit?”
– “A do të publikohet aktiviteti në rrjetet sociale?”
Në përfundim, nisur nga fakti që aktiviteti i vetëm i raportuar deri dje me email nga Bashkia Kolonjë nuk rezulton ende i hedhur në ndërfaqen online të raportimeve, KRIIK nxit ekipin përgjegjës për raportimet në administratën e KQZ-së që të hedhë në kohë reale në databazën online në faqen e internetit çdo aktivitet të raportuar në KQZ nëpërmjet adresës së dedikuar të e-mail-it.