“SHOQËRIA CIVILE DHE POLITIKE; PËR NJË DIALOG DHE PJESËMARRJE GJITHËPËRFSHIRËSE” – “Nevoja për një Reformë të Plotë Zgjedhore; Financimi i Politikës”
Datë 16 shkurt 2022, ora 10:00 – 16:30
Hotel Rogner në Tiranë dhe në distancë
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara realizoi dje Konferencën Kombëtare “SHOQËRIA CIVILE DHE POLITIKE; PËR NJË DIALOG DHE PJESËMARRJE GJITHËPËRFSHIRËSE” – “Nevoja për një Reformë të Plotë Zgjedhore; Financimi i Politikës”.
Konferenca synon të rikthejë në vëmendjen e aktorëve institucionalë e politikë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, nevojën për dialog të përhershëm, si një shans për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin demokratik dhe të ardhmen demokratike të vendit. Një dialog që duhet të sigurojë gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje domethënëse, i ndërtuar mbi standarde dhe parime të mirë përcaktuara, duke e bërë atë jo vetëm një mundësi për të lënë pas krizën politike, por edhe për të siguruar një demokraci funksionale.
Konferenca solli në tryezën e diskutimit përfaqësues të aktorëve kryesorë politikë dhe institucionalë në vend, veçanërisht të Kuvendit të Shqipërisë, për të paraqitur vullnetin e tyre politik për nevojën e integritetit të zgjedhjeve, me theks të veçantë tek financat e politikës. Në Konferencë morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të lartë diplomatikë të partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të vendit, për të prezantuar vullnetin e tyre në ndihmë të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri. Të tjerë pjesëmarrës në Konferencë ishin përfaqësues të shoqërisë civile, partive politike, botës akademike, ekspertë të mediave, gazetarë, etj.
Sesioni I parë iu kushtua nevojës për vazhdimin e një dialogu të përhershëm përballë sfidave me të cilat përballet vendi, mishëruar së pari në angazhime konkrete institucionale për sigurimin e integritetit zgjedhor, duke ndërmarrë një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të kuadrit ligjor, veçanërisht në lidhje me financat politike. Në këtë seksion, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Znj. Klotilda Bushka, e deleguar nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, theksoi nevojën e kthimit të integritetit tek proceset zgjedhore. Përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, folën pas Znj. Bushka. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Z. Alastair King-Smith nënvizoi rëndësinë e realizimit të një reforme zgjedhore nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e domosdoshme të shoqërisë civile. Ambasadori i Zvicrës, Z. Adrian Maitre evidentoi nevojën për përfundimin e praktikës së keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe influencimit të votuesve dhe realizimin e një reforme të plotë zgjedhore. Ambasadori i OSBE, Z. Vincenzo del Monaco, përshëndeti ngritjen e komisioneve të posaçme, për të cilat tha se janë themelore për reformën zgjedhore. Anëtari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Artan Fuga, në fjalën e tij në përfundim të panelit të parë theksoi se vota është e lirë por e shtrembëruar. Ajo është e pakontrollueshme nga vullneti i votuesit duke humbur kështu vlerën e vet autentike.
Sesioni i Dytë, u fokusua në angazhimin e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, nëpërmjet drejtuesve të tyre, në adresimin e sfidave të radhës në legjislaturën aktuale të Kuvendit. Folësit në Sesionin e dytë, me përfaqësues të Partive kryesore parlamentare, evidentuan rëndësinë e dakordësisë dhe gjithëpërfshirjes në Komisionin Ad Hoc Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Z. Taulant Balla theksoi se duhet të depolitizohen komisionet zgjedhore dhe të garantohet e drejta e votë së emigrantëve. Kryetari i Grupit Parlamentar të Parisë Demokratike, Z. Enkelejd Alibeaj, vuri në pah një nga sfidat e shoqërisë civile është jo vetëm angazhimi dhe pjesëmarrja, por edhe kurajoja për të dhënë zgjidhje. Ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe Kryetari i Partisë Republikanë, Z. Fatmir Mediu, nënvizoi se reforma zgjedhore duhet realizuar sa më shpejt, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe e pa ndikuar nga partitë e mëdha.
Sesioni i tretë u fokusua në gjetjet e organizatave të shoqërisë civile që kanë vëzhguar zgjedhjet e fundit, me fokus të veçantë financimin e fushatës. Një vend të veçantë në këtë Sesion zuri fjala e Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, i cili theksoi se KQZ duhet të ketë zë në Reformën Zgjedhore për çdo aspekt teknik dhe organizativ të procesit ku KQZ kryen administrimin përkatës.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në monitorimin e aspekteve të procesit zgjedhor, evidentuan problematikat që shoqëruan procesin e fundit zgjedhor, veçanërisht nga pikëpamja e financimit, duke theksuar rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës reformues zgjedhor ku shoqëria civile duhet të jetë domosdoshmërisht prezentë.
Në pjesën e dytë të këtij sesioni, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë me rëndësi dhe me ekspertizë në çështjet e zgjedhjeve, e veçanërisht rreth financave të politikës, dhanë perspektivat e tyre për adresimin e problematikave të vërejtura dhe ato të prezantuara nga aktorët vendorë, bazuar në përvojat dhe standardet ndërkombëtare.
Në panelin e fundit ishin të pranishëm anëtarë të Komisionit të reformës Zgjedhore nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, të cilët evidentuan rëndësinë e ndryshimeve në kuadrin ligjor që rregullon financimin e partive politike dhe ndërmorën angazhim për të reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shoqërisë civile dhe rishikimin tërësor të këtij aspekti si dhe elementeve të tjera të procesit.
Programin e Konferencës mund ta shkarkoni KETU