Datë 28 Prill 2021, Ora 22:15 pm – KRIIK vëren me shqetësim se aktorët politikë dhe administruesit e zgjedhjeve në nivelin e dytë nuk po i japin vëmendjen e duhur numërimit të votave parapëlqyese për kandidatët.
Kjo vjen në kundërshtim me motivin kryesor për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë të njëanshme vitin e shkuar, të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur kandidatët e preferuar, përveçse partisë politike.
Leximi i drejtë i vullnetit qytetar në shprehjen e votës parapëlqyese është pjesë integrale e procesit zgjedhor dhe nuk mund të trajtohet si i rëndësisë së dorës së dytë, përtej konjukturave politike.
Në këtë moment, deri në përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor, partitë politike duhet të jenë në funksion të mire administrimit të procesit, në të gjithë elementët e tij.
Në këtë drejtim, pesha më e madhe e përgjegjësisë bie mbi maxhorancën, e cila ka përgjegjësi të dyfishtë si forcë politike në pushtet dhe si forcë e projektuar për të qeverisur në vazhdim, si dhe mbi institucionin e Presidentit te Republikës; të cilët duhet të tregojnë maturi dhe të shmangin çdo deklaratë politike. Maxhoranca dhe Presidenti i Republikës duhet t’i kthehen komunikimit dhe marrëdhënieve institucionale dhe të përmbushin me seriozitet funksionet për të cilat qytetarët shqiptarë i kanë mandatuar.
Çdo ashpërsim i retorikës politike apo polarizim i situatës qoftë politike, qoftë institucionale, në këtë moment nuk bën gjë tjetër veçse e njollos procesin zgjedhor dhe zhvendos vëmendjen e trupës administruese dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore të pranishëm në vendet e numërimit të votave, të cilët janë të ndikueshëm nga klima politike dhe institucionale.
Detyra parësore e administratorëve të zgjedhjeve në këtë moment është përmbyllja e procesit zgjedhor në të gjithë elementët e vet. Administruesit e procesit në nivelin e dytë, qofshin këta komisionerë apo anëtarë të grupeve të numërimit të votave, kanë marrë përsipër një funksion dhe përgjegjësi tepër serioze dhe te rëndësishme, te cilën duhet ta përmbushin duke respektuar katërçipërisht dhe deri në fund ligjin.
Po aq shqetësuese, në konsideratën e KRIIK janë edhe deklaratat e pamatura lidhur me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që procesi vijon ende.
Të gjithë subjektet zgjedhore kanë te drejte të kenë pretendime dhe kontestimet respektive mbi procesin, por sjellim ne vëmendjen e tyre se është thelbësore, jo vetëm për këtë proces, por për përvojën problematike të patur dhe për të ardhmen demokratike dhe qasjen institucionale, që të ndiqet rruga ligjore dhe institucionale, duke i kanalizuar pretendimet dhe ankimimet e të gjitha llojeve tek institucionet kompetente, në përputhje me kuadrin ligjor, duke investuar dhe përdorur te gjitha instrumentet ligjore e institucionale ne dispozicion. Deri në këtë moment, në KQZ nuk ka asnjë kërkesë ankimore.
Institucionet përkatëse, ndërkohë, duhet të veprojnë me shpejtësi, seriozitet maksimal dhe në zbatim të ligjit në përmbushje të frymës dhe gërmës së ligjit, për te trajtuar, vlerësuar dhe ndjekur me seriozitet dhe me prioritet maksimal kërkesave apo ankimimet e mundshme.
Jo më pak i rëndësishëm mbetet respektimi i masave kufizuese kundër pandemisë. Me shqetësim vërehet se sjellja në vendet e numërimit të votave, apo në daljet publike të aktorëve politikë në këto ditë kanë qenë tërësisht në shkelje të masave të vendosura.
Veçanërisht shqetësues ishte mitingu i djeshëm i Partisë Socialiste, gjatë të cilit u shkelën totalisht masat e vendosura, masa në emër të të cilave qytetarët shqiptarë vijojnë të ndëshkohen me masa administrative.
Ecuria e Procesit të Numërimit
Përgjithësisht, procesi i numërimit të votave të kandidatëve po ecën me ritme të shpejta dhe i qetë.
Pas udhëzimit të djeshëm të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për ndalimin e numërimit gjatë natës dhe rinisjen e tij në orën 9 të mëngjesit të sotëm, shumica e vendeve e numërimit të votave u mbyllën gjatë natës.
Orari për rinisjen e numërimit mëngjesin e sotëm nuk u respektua në shumicën e VNV-ve, megjithatë të gjitha ato e rinisën numërimin, më e vona në orën 13.30. Është vërejtur se, në një pjesë të konsiderueshme të rasteve, arsyeja ishte vonesa e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave të përcaktuar nga PD apo LSI.
KRIIK vlerëson rinisjen e procesit me prani të anëtarësisë së plotë të grupeve të numërimit të votave, siç e kërkon ligji, dhe i nxit forcat politike të përmbushin detyrimet ndaj procesit zgjedhor deri në përmbylljen e tij.
Edhe pse procesi i numërimit të kandidatëve gjatë ditës së sotme ka nisur me vonesë në pjesën më të madhe të KZAZ-ve, duke mos respektuar udhëzimin e Komisionerit, i cili parashikonte që numërimi i votave për kandidatët, të rifillonte ditën e sotme, datë 28 prill 2021, në orën 9:00.
Shqetësues vijon të mbetet prania në vendet e numërimit të votave të një numri të konsiderueshëm individësh, të cilët nuk mbajnë dokumentet identifikuese në vend të dukshëm, siç e kërkojnë procedurat, çka vështirëson identifikimin e tyre, si dhe grumbullimet e mbështetësve të partive apo kandidatëve pranë VNV-ve, me gjithë se në një masë më të vogël sesa gjatë numërimit të votave për subjektet zgjedhore.
Gjithashtu problematik mbetet mosrespektimi i masave të distancimit fizik, mbajtja e maskave, mos higjienizimi i mjediseve të VNV-ve, apo mosrespektimi i të tjera protokolleve shëndetësore.
Probleme të ecurisë së procesit të numërimit:
Gjatë ditës së sotme numri i KZAZ-ve të përfunduara ka shkuar në 57 ndërsa ka përfunduar plotësisht procesi në qarkun Kukës, Dibër, Gjirokastër dhe Vlorë.