Shkarko Denoncimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve!
Në datën 21 prill 2025, përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste (PS), si drejtuesi politik i Qarkut Korçë, kandidatë për deputetë të këtij qarku, etj, kanë zhvilluar një takim elektoral në fshatin Dishnicë të Qarkut Korçë.
Sikurse duket në fotografitë e publikuara në rrjetin social Facebook, në këtë takim kanë marrë pjesë banorë të zonës si dhe:
– Z. Niko Peleshi, Drejtues politik i PS në Qarkun Korçë;
– Z. Sotiraq Filo, Kryetar i Bshkisë Korçë;
– Z. Ilirjan Pendavinji, Deputet dhe Kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun Korçë;
– Z. Ilir Bajlos, Drejtor, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Korçë.
Postimet në rrjetin social Facebook të pjesëmarrësve të nivelit të larte më sipër cituar, me link-un e postimit dhe print screen të tij, gjenden në Lidhjen Nr.1 bashkëlidhur këtij denoncimi.
Ky aktivitet është publikuar edhe në disa portale si Politiko.al, Boldnews.al, etj
Për nga prezenca në takim, si dhe fjalimet dhe materialet propagandistike të pranishme, vërtetohet fakti që kemi të bëjmë me një takim të karakterit partiak dhe elektoral.
Përpos përfaqësueseve politikë, nga fotografitë rezulton që një fjalim natyrshëm elektoral në favor të Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, ka mbajtur edhe z. Ilir Bajlos, i cili rezulton të jetë i punësuar në administratën shtetërore, në pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë.
Ligji 152/2013 “Për nëpunësin civil”, në nenin 37 “Të drejtat politike” pika 1 përcakton se: “Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”.
Vendimi nr. 9 datë 24.12.2020 i Komisionit Rregullator, në nenin 6 “Të drejtat dhe detyrimet e punonjësit të administratës shtetërore”, pika 5 përcakton se: “Gjatë pjesëmarrjes në veprimtari politike apo zgjedhore, nëpunësit civil, i ndalohet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike dhe të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat”.
Udhëzues nr. 15 datë 15.01.2025 i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC) “Për unifikimin e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil në drejtim të zhvillimit të procesit të rekrutimit gjatë periudhës zgjedhore; pjesëmarrjes së nëpunësve civilë në institucionet e administrimit të procesit zgjedhor; respektimit të të drejtave të tyre politike e detyrimeve ligjore; ndërveprimin e nëpunësve civilë me “Platformat” apo “Rrjetet sociale” që shfaqen për publikun nëpërmjet internetit, për të shmangur propagandën elektorale; si dhe masat që duhet të marrin institucionet për të monitoruar situatën.”, përcakton senëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike, i lidhur ky ndalim me pjesën e parë të saj, pra jashtë orarit zyrtar, në kushtet kur gjatë orarit zyrtar nëpunësi e ka të ndaluar të marrë pjesë në veprimtari politike.
Qëllimi i gjithë dispozitave të mësipërme ligjore është të disiplinojë nëpunësit civilë që të ushtrojnë vetëkontroll për sa i përket manifestimit në publik të pikëpamjeve politike dhe besnikërisë në një forcë politike në jetën private, çka do të thotë që, ata nuk mund të manifestojnë apo të jenë protagonistë në foltoret e subjekteve politike ose elektorale që zhvillojnë fushatën zgjedhore.
Gjithashtu, Vendimi Nr. 122, datë 26.2.2025 i Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme për vitin 2025”, në pikën 5 të tij përcakton se: “Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, por pa shprehur publikisht bindjet apo preferencat e tij politike”.
Në gjykimin e KRIIK, z. Ilir Bajlos me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Korçë, edhe nëse ka statusin e nëpunësit civil, por edhe nëse marrëdhënia e tij e punës rregullohet nga Kodi i Punës, është në kushtet e shkeljeve ligjore të specifikuara më sipër, pasi ai është pjesë e administratës shtetërore.
Për gjitha sa më sipër, KRIIK i kërkon Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, marrjen e masës administrative ndaj z. Ilir Bajlos me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Korçë.
Gjithashtu, KQZ-ja nevojitet që përpos sanksionimit të nëpunësit përkatës, të njoftojë zyrtarisht Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i cili është në “cc” të emailit zyrtar të nisur, për të nisur procedurën displinore ndaj tij sipas parashikimeve ligjore.
Po ashtu, KRIIK i kërkon KQZ-së edhe marrjen e masës administrative ndaj Subjektit Zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, në favor të së cilës është kryer kjo shkelje, bazuar në nenin 172 të Kodit Zgjedhor.
*Ky Denoncim përmban Lidhje ku ilustrohen problematikat e përmendura, me fotografi dhe lidhje për në faqet e internetit. Lidhjet mund te shihen ne versionin pdf te Denoncimit.