Shkarko Rekomandimin ne pdf
I nderuar z. Komisioner!
Të nderuar Drejtues të Administratës së KQZ-së!
Lidhur me Projekt-Urdhrin “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, KRIIK ju përcjell rekomandimin si më poshtë vijon,
1. Në lidhje me pikën 14 të Projekt-Urdhrit: “KZAZ-të të revokojnë menjëherë akreditimin e vëzhguesve të cilët pengojnë procesin dhe/ose cenojnë zgjedhësit në ambientet e jashtme.”
KRIIK rekomandon që, përveç revokimit të akreditimit, emrat e këtyre vëzhguesve të bëhen publikë në faqen zyrtare të KQZ-së apo të KZAZ-ve përkatëse. Kjo masë synon rritjen e transparencës dhe dekurajimin e sjelljeve që cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.
2. Në lidhje me pikën 19 të Projekt-Urdhrit: “Koordinatorët e sigurisë dorëzojnë fizikisht te Sekretari i KQV-së, në përfundim të votimit, procesverbalet e mbajtura për evidentimin e ngjarjeve dhe kopje të tyre ngarkohen në aplikacionin KQZ.”
KRIIK gjykon se, për të rritur transparencën e veprimtarisë së koordinatorëve të sigurisë, procesverbalet duhet të dorëzohen menjëherë te Sekretari i KQV-së dhe kopjet e tyre të ngarkohen në aplikacionin e KQZ-së sapo të jetë konstatuar akti dhe të jetë plotësuar procesverbali përkatës. Ky veprim do të siguronte një reagim më të shpejtë institucional dhe monitorim më efektiv.
3. Në lidhje me Procesverbalin model KQZ-00-48 “Për kërkimin e ndihmës së Policisë së Shtetit për rivendosjen e rendit në ndërtesën e Qendrës së Votimit”. KRIIK gjykon se modeli është tejet kufizues në krahasim me rolin që kanë koordinatorët e sigurisë, referuar përshkrimit të detyrave të tyre sipas Vendimit nr. 11, datë 25.03.2021 të Komisionit Rregullator “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit, të ndryshuar”.
Konkretisht, sipas pikës 6 të Vendimit nr. 11, datë 25.3.2021 “Koordinatoret e sigurisë […] kanë për detyrë të monitorojnë situatën vetëm në ambientet e jashtme të qendrave të votimit, përfshirë hyrjet, oborret dhe perimetrin deri në 150 metra nga QV-ja me qëllim evidentimin e grumbullimeve të paautorizuara ose të personave që monitorojnë zgjedhësit”.
Ndërkohë, Procesverbali model KQZ-00-48 “Për kërkimin e ndihmës së Policisë së Shtetit për rivendosjen e rendit në ndërtesën e Qendrës së Votimit”, që në titull, e kufizon rolin e tyre vetëm në kërkimin e ndihmës së Policisë së Shtetit për rivendosjen e rendit në ndërtesën e Qendrës së Votimit dhe jo në territorin rrethues të saj.
Gjithashtu, arsyeja pse kërkohet ndihma e Policisë së Shtetit kufizohet në “ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për largimin e personave që nuk janë zgjedhës në radhë/të autorizuar”
Kufizimi i kërkimit të ndihmës së Policisë së Shtetit vetëm në këto dy elementë, ndërkohë që Vendimi “Për mënyrën e ngritjes, organizimit, funksionimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit” kërkon monitorimin e situatës në ambientet rrethuese të Qendrës së Votimit dhe jo vetëm në brendësi të ndërtesës ka potencialin të krijojë konfuzion në lidhje me rastet konkrete për të cilat koordinatorët e sigurisë mund t’i drejtohen Policisë së Shtetit apo konfuzion në të kuptuarin e kërkesës nga ana e kësaj të fundit.
Mundësitë për keqkuptime të tilla janë akoma më të larta nëse konsiderohet se:
- Mekanizmi i koordinatorëve të sigurisë po aplikohet për herë të parë dhe do të jetë i panjohur edhe për komisionerë me eksperiencë.
- Në dijeninë e KRIIK, trajnimi i punonjësve të Policisë së Shtetit është përfunduar përpara se Vendimi nr. 25, datë 27.3.2025 i Komisionit Rregullator, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 12 datë 30.12.2020 të Komisionit Rregullator “Për miratimin e rregullave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit në shërbim të zgjedhjeve” të hynte në fuqi dhe si rrjedhojë punonjësit e Policisë janë të pa trajnuar në lidhje me detyrimet shtesë që rrjedhin nga këto ndryshime.
Për sa më sipër, KRIIK rekomandon që gjuha e përdorur në Procesverbalin Model KQZ-00-48 “Për kërkimin e ndihmës së Policisë së Shtetit për rivendosjen e rendit në ndërtesën e Qendrës së Votimit” të ndryshohet për të përdorur gjuhën e përdorur nga Vendimi nr. 11, datë 25.3.2021 i Komisionit Rregullator dhe “Projekt Urdhri “Për rendin dhe sigurinë në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit, si dhe përreth tyre, për Zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”, në të gjithë tekstin e vet.
Në përfundim, KRIIK vlerëson se, duke qenë se mekanizmi në fjalë — përfshirja e koordinatorëve të sigurisë dhe procedurat përkatëse të raportimit të ngjarjeve problematike — po aplikohet për herë të parë, është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar jo vetëm zbatimin korrekt dhe të unifikuar të tij në të gjithë territorin, por edhe kuptimin dhe pranimin e tij mekanizmi nga të gjithë aktorët zgjedhorë dhe qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet që mekanizmi të jetë efektiv në praktikë dhe të kontribuojë realisht në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Kjo do të thotë se KQZ-ja duhet të parashikojë dhe të vërë në funksion mekanizma të qartë dhe të qëndrueshëm komunikimi dhe informimi publik mbi këto zhvillime.
Komunikimi duhet të jetë i strukturuar, i orientuar drejt secilës kategori të përfshirë në procesin zgjedhor dhe i përshtatur sipas nivelit të tyre të përfshirjes dhe përgjegjësive.
- Në rastin e vëzhguesve të partive politike, është e domosdoshme që partitë politike të njoftohen në mënyrë zyrtare dhe në kohë mbi këto ndryshime, përfshirë përmbajtjen e detajuar të detyrimeve të reja dhe pasojat për moszbatim. Kjo duhet të realizohet përmes kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet KQZ-së dhe përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore.
- Në rastin e komisionerëve zgjedhorë, informimi duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar në procesin e trajnimit të tyre. Trajnuesit duhet të pajisen me materiale të qarta dhe të unifikuara mbi rolin e koordinatorëve të sigurisë dhe procedurat për trajtimin e incidenteve të evidentuara. Kjo do të ndihmojë në shmangien e konfuzionit dhe në sigurimin e një zbatimi të qëndrueshëm të udhëzimeve në të gjitha qendrat e votimit.
- Në rastin e qytetarëve dhe të vëzhguesve të organizatave të shoqërisë civile, këto informacione duhet të integrohen si pjesë përbërëse e fushatave të edukimit qytetar. Kjo përfshin njoftimet zyrtare në faqet publike të KQZ-së, përgatitjen e materialeve të thjeshtuara informative, përdorimin e mediave sociale dhe mjeteve vizuale për të komunikuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme qëllimin, rëndësinë dhe mënyrën e funksionimit të këtij mekanizmi. Qëllimi është që qytetarët të ndihen të informuar dhe të fuqizuar për të kuptuar rolin e tyre në mbrojtjen e standardeve zgjedhore.
Në tërësi, për të maksimizuar ndikimin pozitiv të këtij mekanizmi, KRIIK sugjeron që KQZ-ja të hartojë një strategji të posaçme informimi dhe ndërgjegjësimi publik, e cila të shoqërojë zbatimin praktik të këtyre risive.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në vazhdimësi, theksohet disponueshmëria e KRIIK për të sqaruar cilëndo nga pikat më sipër nëse të tilla sqarime janë të nevojshme.